Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi - Kosova nuk ka nevojë për “nënë e babë”!

Shko poshtë

Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi - Kosova nuk ka nevojë për “nënë e babë”! Empty Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi - Kosova nuk ka nevojë për “nënë e babë”!

Mesazh nga Agim Gashi Wed Oct 19, 2016 3:54 pm

Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi - Kosova nuk ka nevojë për “nënë e babë”! 543875_10151775221937207_417302030_n



Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi - Kosova nuk ka nevojë për “nënë e babë”!


Një nga krerët e Lëvizjes “Vetëvendosja” të Kosovës, i dërguari dhe përfaqësuesi i kryeministrit të Shqipërisë dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, pra Bojken Abazi, ka shkruar se:
“Ideja e ndryshimit të psikologjisë kolektive në Kosovë nga “Nëna Shqipëri” te krijimi i një nëne të re, pra “Nëna Kosovë”, që lind “kombin” kosovar, e anashkalon faktin se “Nëna Kosovë” ka për “babë” Serbinë, që e ka krijuar idenë e kësaj “nëne” të re nëpër dekada përmes ndarjes së Kosovës nga Shqipëria dhe (për)dhunimit sistemik kolonialist”
Nuk dua të zgjatem në teorizime të shumta rreth kësaj teye, e cila duket se është kauzë e Bojkenit, Vetëvendosjes dhe kryeministrit tonë, zotit Rama. Por do të ndalem të dy momente, të cilat do të duhet që lexuesi t’i dijë, t’i njohë, natyrisht pa qenë i detyruar t’i pranojë.
Eshtë e vërtetë se Serbia i ka parë shqiptarët e Kosovës si “trup i huaj” në truallin e Kosovës. Prandaj ajo shkroi dhe aplikoi programe të shumta asgjësimi dhe shfarosjeje të tyre. I shihte si të tillë shqiptarët në Kosovë, me qëllim që ata ta forconin gjithnjë e më shumë idenë e Nënës Shqipëri, t’i mbanin sytë te Shqipëria Londineze dhe në rastin e spastrimeve etnike të ishte po Shqipëria destinacion i shqiptarëve të shpërngulur. Të tilla programe kanë hartuar dhe zbatuar shumë akademikë, përfshirë dhe “nobelistin”, të cilin e admirojnë Rama dhe Blushi, pra Ivo Andriç. Dhe nuk po them aspak ndonjë zbulim: Nëse nuk do të ndërhynte NATO, shqiptarët e Kosovës do të kishin marrë rrugët e botës përmes Shqipërisë më 1999.
Me këto programe asgjësimi ata ia arritën qëllimit që shqiptarët në Kosovë t’i mbanin sytë nga Shqipëria, madje të duartrokisnin me entusiazëm edhe politikat izolacioniste të diktaturës komuniste në Shqipëri dhe vetë diktatorin e egër shqiptar. Ndërsa ata dëshmuan në kushtet e autonomisë së viteve 1970, se kanë energji të jashtëzakonshme për ta zhvilluar dhe prosperuar vendin e tyre. Shumë prej atyre që e njihnin regjimin komunist izolacionist të Shqipërisë aso kohe ishin të qartë se çfarë përfaqësonte për ta Shqipëria. Pra, sa ishte në gjendje një vend ekzotik I izoluar si vendi ynë të bënte diçka për Kosovën. Megjithatë fjalimet e diktatorit, mbushur me nota nacionalizmi sidomos pas prishjes me Kinën, krijuan një brez mbështetësish për diktatorin Hoxha dhe Shqipërinë komuniste.
Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij dhanë shembullin e parë sesi do të duhej të sillej lidershipi i Kosovës ndaj atij të Tiranës. Rugova ishte i pari udhëheqës politik që në kushtet e lirisë së mendimit diti të kundërshtonte presionet e Berishës ndaj tij dhe të refuzonte politikat e Nanos e të Mejdanit ndaj Kosovës. Fromula e tij për një “Kosovë të pavarur, të hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë” ishte gjetja ideale për ardhmërinë e shqiptarëve në Kosovë. Kjo formulë mbetet postulat dhe larg folklorizmit nacionalist, ishte dhe mbetet vision, tek i cili duket se sot janë rikthyer udhëheqësit aktualë të Prishtinës.
Të larguarit dhe baraslarguarit e Prishtinës nga Tirana dhe Beogradi nuk duhet gjykuar nga ngjarjet e së kaluarës. Edhe pse Tirana ka patur qasje të një sjellje miqësore e të marrëdhënieve të ngushta me Prishtinën, ky nuk është argument se Kosova dhe Shqipëria do të duhej të bashkoheshin menjëherë dhe kështu të zhbëheshin institucionet e pavarësia e Kosovës. Edhe pse Serbia ka ushtruar dhunë, terror, masakra, asgjësime të pafund, ky nuk është argument se shqiptarët e Kosovës do të duhet të sakrifikojnë territorin e tyre më të pasur të nëntokës e mbitokës dhe të bashkoheshin me Shqipërinë me çmimin e ndarjes së saj. Në fund të fundit ata Shqipëria i ka ndihëmuar, por nuk i ka mbrojtur ndonjëherë nga terrori i Serbisë. Ka edhe raste kur i ka ndihëmuar atij terrori në forma të ndryshme. Shembujt dihen e nuk besoj se duhen përsëritur. Ndërkohë edhe kryeministrit tonë i pëlqen që të “lëmë të kaluarën” e “të kthehemi nga e ardhmja”, ndaj poi a plotësojmë këtë dëshirë.
Largimi ose baraslargimi nga Tirana e legjitimon më shumë politikën e largimit dhe shkëputjes nga Beogradi, I heq Beogradit “argumentin” absurd të presionit mbi bashkësinë ndërkombëtare se “Shqiptarët duan të krijojnë një Shqipëri të Madhe”. Ndërkohë që teoria e Bojken Abazit dhe Vetëvendosjes i jep Beogradit një armë të tillë të mbushur me barutin e një “argument” të munguar.
Kurse qëndrimi e qëllimi i vërtetë i Serbisë nuk është njohja, konsolidimi dhe funksionimi I shtetit të Kosovës, përkundrazi, shkërmoqja e tyre, qoftë dhe me koston e “bashkimit të saj me Shqipërinë”, në kushte paqësore, pra me dialog me Serbinë. Minsitri i Jashtëm i qeverisë serbe, Daccicc, të cilin Rama e thërret me dashuri Ivo dhe e fton në ditëlindje t’i këndojë serenata, siç u shpreh vetë ai në një intervistë në Beograd, me dhjetra herë është shprehur qartë dhe saktë. Po citoj: “Ne nuk na duhet në sa shtete jetojnë shqiptarët, ne duam që serbët të bashkohen në një shtet”.Ndërkaq ai kohët e fundit i ka mëshuar tezës, të cilën e pëlqejnë idhtarët e bashkimit me forcë e të menjëhershëm, se “Shqiptarët e Kosovës janë shqiptarë të Shqipërisë”, duke lënë të kuptohet se “Serbia nuk është kundër bashkimit të tyre me Shqipërinë”. Por ama me kushtin që serbët e Kosovës t’i bashkohen Serbisë.
Duket shumë qartë se në Serbi tashmë kanë hequr dorë nga plani i asgjësimit fizik të shqiptarëve dhe i janë kthyer një programi tjetër, bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Madje për këtë teori qeveria dhe politika e Serbisë po harxhon aq shumë energji, sa kurrë ndonjëherë tjetër. Të njëjtën gjë kërkon dhe Vetëvendosja dhe të njëjtën gjë nxisin “idhtarët e bashkimit” në stanin e Edi Ramës. Po pse serbët e duan një bashkim të menjëhershëm të shqiptarëve të Kosovës (jot ë Kosovës), me Shqipërisë”?
Në Beograd ka ngutje për këtë, me qëllim që ta heqin nga axhenda e tyre nyjen penguese të anëtarësimit të Serbisë në BE, pra Kosovën. Po si? Duke e bashkuar pjesën e banuar me shqiptarë me Shqipërinë dhe me këtë rast duke përfituar territoret e banuara me serbë, sidomos në veriun e Kosovës. Një bashkim i tillë do të bëhej me dialog dhe bisedime, jo me luftë. Në këtë dialog Serbia do të vinte në pazar territoret e Kosovës, madje pasuritë e Kosovës, Trepçën dhe rajone tjera të pasura të saj. Dhe në këtë pazar ajo do të dilte e fituar, sikur gjysmën e këtij territori ta përfshinte brenda kufijve shtetërorë serbë. Kështu politika dhe qeveria e Beogradit do të kishte dy përfitime: Përfitime në territor dhe përfitime nga heqja qafe e një një pengese, asaj për njohjen e shtetit të Kosovës. Kjo do të thotë se Serbia ka nevojë që të mos ekzistojë shteti i Kosovës që të shuhet aqë është arritur deri më sot në Kosovë me shpalljen e pavarësisë, miratimin e kushtetutës dhe ligjeve të saj si dhe ndërtimin e funksionimin e institucioneve shtetërore të saj. Serbia ka nevojë që Vetëvendosja e Boikenët të luftojnë për ndarjen e Kosovës. Asaj nuk I bëhet vonë pse shqiptarët në emër të nacionalizmit djegin e shkatërrojnë pasuritë e vendit të tyre, shkërmoqin dhe shkatërrojnë institucionet e Kosovës. Edhe nëse nuk do të arrinte ndarjen, me asgjësimin me anën e shqiptarëve të institucioneve të Kosovës do ta shtynte pafund njohjen e shtetit më të ri në Europë e kështu do ta realizonte një ditë ëndërrën e saj. Shqiptarët në vend të bashkohen për shtetin e Kosovës, bashkohen për të realizuar me parulla nacionaliste qëllimet e Serbisë.
Me taktikën e saj të “pajtimit shqiptaro-serb” dhe të parullave e lëvizjeve për bashkim, Serbia do të nxiste shqiptarët e Maqedonisë që edhe ata të kërkojnë shkatërrimin e shtetit të Maqedonisë. Asgjësimi i këtij shteti është strategji e përhershme e Beogradit, ndërkohë që nga kjo humbja do të ishte në anën e shqiptarëve.
Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë herë shprehet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, herë thotë të kundërtën. Kur shkon në ekranin e Batoon Haxhiut, thotë se dëshiron bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kur del në ekranet e TV në Beograd shprehet se “Kurrë nuk ka qenë përbashkimin e shqiptarëve në një shtet”. Shqiptarët detyrohen të jetojnë në amullinë e mjergullën që krijojnë deklarata të tilla dhe kjo vjen, sepse deri më tash shqiptarët në Kosovë ende nuk kanë vendosur çfarë do të bëjnë me vetveten: Do të forcojnë shtetin që kanë krijuar, apo do ta shkatërrojnë atë shtet dhe institucionet e tij me parullat nacionaliste shkatërruese të bashkimit. Edi Rama shfaqet një elklektik dhe fjalën e përdor sipas interesit vetjak në funksion të pushtetit. Por një gjë ishte e qartë: Zoti Rama për këto qëllime iu fut punës për “zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb” përmes bisedimeve Tiranë-Beograd. Sa kohë që Prishtina heshti, ai vazhdoi misionin e tij pa u ndalur në harmoni të plotë me dëshirat e qeverisë së Serbisë. Edhe kjo taktikë do të çonte në vënien në diskutim të institucioneve, pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës. Kur zullumi u trash reaguan disi ashpër përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Ata nuk mund të pranonin zhvleftësimin e gjithë atij investimi kombëtar e ndërkombëtar që është bërë për shtetin e shtetësinë e Kosovës, nuk mund të pranonin që si viktimë e Serbisë të ishin spektatorë e të injoruar në zgjidhjen e këtij konflikti.
Por Serbisë i intereson zgjidhja përmes bashkëpunimit me qeverinë e Tiranës. Ndoshta edhe bashkësisë ndërkombëtare, përveç SHBA-ve, të lodhur nga konflikti shqiptaro-serb. Nëse zoti Rama do t’i shkonte deri në fund “misionit” të tij të admiruar prej zotit Vuçiç, për bisedime të drejtpërdrejta për zgjidhjen e konfliktit të tillë, atëherë do të vihen përsëri në diskutim sovraniteti e integriteti territorial i Kosovës. Paralelisht do të gjallëroheshin Boiken-ët me parullat e nacionalizmit shkatërrues dhe do të vinte puna deri te opsioni që kam përmendur më lart, ndarja e Kosovës në emër të bashkimit të saj me Shqipërinë.
Ne shqiptarët kemi humbur sa herë jemi thirrur kësisoj si tani në emër të nacionalizmit për të shpëtuar pushtetin e hajdutëve, diktatorëve dhe kriminelëve. Kësaj here në Prishtinë dikush tërhoqi vëmendjen dhe ju shpjegoi liderëve të Kosovës se sa e rrezikshme është loja e “pajtimit shqiptaro – serb” nga Tirana e Beogradi, duke anashkaluar viktimën e Serbisë, Kosovën. Dikush tërhoqi gjithashtu vëmendjen edhe për prapaskenat e lojës së destabilizimit të shtetit të Kosovës nga ana e liderëve të Vetëvendosjes.
Prandaj dhe institucionet e Kosovës reaguan në mënyrë të pazakontë, duke kundërshtuar hapur dhe me tone të prera atë që ata e quajnë “ndërhyrje të Shqipërisë në punët e Kosovës”. Ne nuk ishim mësuar me këtë lloj kryengritje të Prishtinës ndaj Tiranës. Në Tiranë ishte bërë zakon të luhej roli I “babait”, duke e paraqitur Shqipërinë si “nëna” e shqiptarëve të Kosovës. Tani Abazi thotë se nëse “Nëna Shqipëri”, bëhet “Nëna Kosovë”, dilka se shqiptarët në Kosovë paskan “babë” Serbinë. Duhet të jesh delirant t’i shpjegosh fenomenet e sotme kësisoj. Kosova nuk ka nevojë të ketë “nënë e babë”. Prej 17 shkurtit 2008 ajo është vetë edhe nënë, edhe babe, pra zot në territorin e saj. Dhe këtë e arriti në sajë të sakrificave të saj, si dhe të mbështetjes së SHBA-së dhe NATO-s. Shqipëria luajti një rol ndihmës të rëndësishëm, por për këtë nuk ka pse kërkon haraç.
Në fakt ndodhi diçka e pazakontë. Ishim mësuar që Prishtina të pajtohej me politikat dhe tutelën e Tiranës. Madje liderët e Kosovës gëlltitën injorimet e njëpasnjëshme të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Gëlltitën dhe flirtimet e tij me Vuçiç e me Albin Kurtin, derisa nuk duruan dhe i thanë atij: STOP!
Reagimi i kalemxhinjve të romantizmit të rilindjes socialiste u shfaq pa maska. Ata u tërbuan për dy arësye: Së pari u befasuan nga reagimi i institucioneve të Prishtinës, së dyti, se projekti i përbashkët serbo-ramo-vetëvendosje mbeti në tentativë pa u realizuar. Kur them serbo-ramo-vetëvendosje, nuk mendoj se ka një rekordim zyrtar, mafioz e diskret midis tyre, çka do të ishte tradhëti. Por besoj se të dyja segmentet shqiptare kanë rënë viktimë e planit serb të ndarjes së Kosovës nëpërmjet “pajtimit” përmes bisedimeve me Tiranën.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi