Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Miranda Haxha:Për t’i shkulur nga rrënjët!

Shko poshtë

Miranda Haxha:Për t’i shkulur nga rrënjët! Empty Miranda Haxha:Për t’i shkulur nga rrënjët!

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jun 28, 2009 10:02 am

Për t’i shkulur nga rrënjët!

Miranda Haxhia
Ledi Diana apo Ledi Makbeth?

Diana, bashkëshortja e Vilson Blloshmit, njërit prej poetëve të vrarë në 17 korrik 1977, rrëfen: - Doja që tu falej jeta. Unë i kam shkruar letrat në emër të familjes. Letrat për në Kuvend. Për Enver Hoxhën e për të tjerët. Nëna e Vilsonit dhe ajo e Gencit çanë Bllokun. E di ç’do të thotë, çanë Bllokun? U futën mes përmes rojeve dhe ushtarëve e arritën gjer tek vila e të Mëdhenjve. U shtrinë në shesh dhe ulërinin.Kërkonin falje jete për të bijtë. E kapa për krahu Arianit Çelën.
Dhe ai më dha fjalën se do u falej jeta. Na mashtruan. Që të gjithë na mashtruan. Na gënjyen. Ne nisnim letra për falje jete, ata i kishin vrarë….Nëna e Vilsonit më dukej se nuk po e ndjente dhe aq vdekjen e djalit. E duronte. U mblodh me mua dhe me vajzën. Me ne flinte… me ne hante… me një dashuri për vajzën që ç’të them. Gjëma e saj ishte e
ç’ishte. Kujë e zezë u bë kur ikëm unë dhe vajza. Tani më vdiq vërtet Vilsoni. Tani më vdiq djali… ulërinte ajo”. Në parathënie Kadare shkruan për një tjetër grua, zonjën e zezë Hoxha, që gjasat natyrore e kishin bërë rastësisht nënë: Në shumicën e pushkatimeve në Shqipëri përsëritet e njëjta skenë. Nënat që kërkojnë mëshirë nga gruaja më e fuqishme e Shqipërisë. Ato kanë një fije shprese dhe ende besojnë se gruaja që është vet nënë, diçka do të kuptojë nga dhembja e nënës që duan t’ia vrasin djalin. Por gjer më sot nuk është dëgjuar asnjë rast që kjo grua të ketë ndjerë mëshirë për ndonjë nënë. Së fundmi, në Shqipëri guxohet dhe flitet për emra. Për firma dhe jo firma dosido. Firma fatale. Flitet me emra. Me zë të fuqishëm. Me dosje publikuar në media. Del emri i një tjetre grua e
implikuar keqas në dosjen e dy poetëve të vrarë. Një tjetër lloj Diane, që me gjithë talentin e saj letrar, me gjithë zhdërvjelltësinë e saj politike dhe elokuencën mediatike, me gjitha pat’hosin me të cilin i mbron gratë e shoqatës saj fantazmë fitimprurëse, nuk arrin të përfytyrojë se si do vepronte ajo vet, po t’i kishin vrarë birin, po t’i kishin pushkatuar burrin. Më tej, a do kërkonte shpagim për fajtorët e asaj mynxyre? Emri i saj u bë i ditur vetëm në vitet e demokracisë, kur bashkë me të burgosurit politikë u gërmua nga të afërmit e të zhdukurve në dosjet famëkeqe të Sigurimit të Shtetit. Bashkë me emrin e saj janë edhe emra të tjerë që përfaqësojnë profesoratin e vargjeve dhe letërsisë sonë. Ishte një tentativë e tillë në para ca kohe, por zërat dhe hija e fantazmave që u pushkatuan
nuk qenë kaq të fuqishëm. Përpiqeshin t’i mbysnin. Ti bllokonin. E majta qe më e fuqishme se asnjëherë. E majta që vijonte me të njëjtën strategji dhe urrejtje, me të njëjtin përçmim ndaj njerëzve që u dënuan nga diktatura komuniste. E majta nuk e njohu kurrë dhimbjen për njerëzit e humbur. Për njerëzit e vrarë. Për njerëzit e torturuar e burgosur. Ajo qe po aq e kuqe sa vet partia që e nxori prej gjirit. Nuk kërkoi kurrë falje. Nuk e njeh institucionin e faljes publike. Shfaqet në vitet ’90 fantazma e dy poetëve të vrarë. E brishta Ledi Diana nuk e përfill. Ka të tjera pikësynime. Ka biznes me ide progresiste për lëvizjen feministe. Ka projekte që në formë enigmatike hapen e mbyllen pa u ditur e pa u zhvilluar asnjëherë. Femrat shqiptare mbetën po ashtu si kanë qenë, po aq të dhunuara, po aq të emancipuara, po aq të nënshtruara, po aq të papuna, po aq të paditura për bëmat e fshehta dhe analizat e imëta të kryetares së tyre në kohën e regjimit komunist, kur ajo ishte ende e pamësuar dhe ende e paditur.(vetëm 25 vjeç?!) Ndërsa diku krijohej një shtëpi botuese, diku një biznes që edhe mund të rrezikohej nga dalja e ndonjë emri apo
ndonjë dokumenti të vjetër. Ledi Diana i ngjan aq shumë në sipërfaqe Ledi Dì-së së famshme të mbretërisë angleze. Dhe dallon po aq shumë prej saj. Aq shumë e besoi këtë, sa nuk u zmbraps kur e propozuan për të përfaqësuar si deputete një zonë njerëzish të urtë e të butë, të mençur e të besës, si vet janë përmetarët. Tashmë ajo e humbi qetësinë, rehatinë. Eshtrat e poetëve të vrarë, brinjët e poezisë së tyre “dekadente” e shpojnë tej e përtej ndërgjegjen e saj, e viktimizojnë e bëjnë lozonjare në retorikën mbrojtëse. Ajo kërkon të gjejë njerëz që fshihen pas kësaj akuze. Vallë, nuk i mjafton vdekja e dy njerëzve të rinj, sa, ndoshta mosha e fëmijëve të saj sot? Pasi në shqetësimet e zonjës sonë hyjnë fuqishëm emrat e dy poetëve, Vilson Blloshmi e Genci Leka dhe dëshmia e saj famëkeqe, ajo e ndjen dheun t’i rrëzohet nën këmbë. Për fatin e keq të zonjës, ky dokument që e akuzon sot, nuk u zhduk dot në kohë. Ai ishte si shenjë e shpirtit të
nënave të poetëve që panë me sy vdekjen e bijëve të tyre. Ai ishte aty për t’i kujtuar zonjës se personazhi i saj po kalonte nga përmasat e Ledi Dianës në atë të Ledi Makbethit. Korbi, sistemi vrastar me fytyrën kriminale të çdo diktature, sigurimi famëkeq i shtetit përfshiu edhe njerëz si puna e saj apo dy të tjerëve, Muzafer Xhaxhiu e Koçi Petriti, që duke interferuar me këtë lloj mostre morën hiret e saj. Nuk qenë xhindet që i ndërsyen njerëzit në sulmet vrasëse, ishte vet diktatura e instaluar më egër se kudo që edhe gratë i bënë burra, duke i mbushur nga koka gjer në thonj e gjer në buzë me zemërgurtësinë më të egër. Në analet e sigurimit famëkeq të shtetit komunist mpiksej
gjaku dhe mbyllej udha e hyrjes së mëshirës. Asnjë rrahje e natyrës së dhembshur nuk arrinte të trondiste qëllimin e zi, apo ta zmbrapste aktin e lemerishëm të krimit. Ai sistem ishte aq i fuqishëm sa njëlloj si në mbretërinë e largët të tragjedisë së Shekspirit arrinte tu
merrte qumështin femrave prej gjirit e tu hidhte vrer. Ky vrer ende sot mundohet të dalë i shtrydhur në formë në formë pafajësie. Dhe shfaqet sikur të qe ajo, Ledi Makbeth e rrethuar nga fantazma e të vrarëve. Po ata njerëz që dje morën pjesë në një formë apo në një tjetër në gjithë ritin fatal të dënimit të njerëzve të pafajshëm, sot janë në sfera të ndryshme të pushtetit, të medias dhe të biznesit. Janë bërë më të butë, më të padukshëm, përpiqen të hiqen si të vdekur, sikur nuk janë, por që fuqishëm kanë instaluar sistemin e tyre të mbrojtjes kundrejt çdo akuze apo fantazme që nga fundi i varrit i akuzon. Sipas dëshmisë së saj të rafinuar, ishte vetëm 25 vjeç. Jo fort e rritur për të gjykuar një akt të tillë mëkatar e vdekjeprurës. Jo fort të rritur ishin edhe dy poetët për të shkuar drejt plumbave. Njëri 29, tjetri 34. Ata nuk kishin kë të pyesnin për fajin e tyre. Ndërsa zonjusha mund të pyeste të atin për atë lloj firme dhe atë lloj analize letrare që i bëri poezive kobndjellëse. Edhe poetët Bloshmi e Leka nuk e dinin se përse po i dënonin. Edhe ata ishin po aq të pafajshëm sa është sot zonja e përdëllyer. Nuk është vetëm zonja Çuli. Janë edhe të tjerë. Por si duket, të ndërgjegjshëm për atë që kanë bërë, nuk dalin në sipërfaqe, rëndojnë poshtë. Megjithëse janë kudo. Tentakulat mbrojtëse i kanë ngritur prej kohe. A do të krijonte mundësi në studion e vet televizive të emisionit “Zip” gazetari të ftonte Bedri Blloshmin, vëllanë e Vilson Blloshmit, apo njerëzit e Genc Lekës, që të rrëfenin dosjet dhe nënshkrimet e ekspertizës letrare? Të tregonin se si ua tundnin hetuesit në fytyrën e verdhë prej torturave ekspertizën letrare që u kishin gatuar ekspertët prej Tirane? A do lejonte një faqe gazete kryeredaktori i “Shekullit” për akuzat që do të donte të publikonte familja e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit? Kurrsesi, jo. Sepse do tu duhej të harronin se bij e nipër të kujt janë. Sepse do të duhej të jepnin dorëheqjen prej posteve kyçe në media. Dhe flitet vetëm për një dosje. Vetëm për dy poetë të vrarë.
Po sa është lista e njerëzve të zhdukur, të pushkatuar, të internuar. Sa firma lëvrijnë poshtë dëshmive që i çuan në gjyq apo para skuadrës së pushkatimit? Sa emra informatorësh e ish-spiunësh janë ende të padalë. E gjitha kjo është plaga e madhe e shoqërisë sonë. E gjitha kjo kërkon edhe një herë ngritjen fuqishëm të zërit për dënimin e
krimeve të komunizmit, së paku në rrafshin moral. Një shoqëri e ndotur moralisht si kjo e jona nuk mund të ecë përpara pa larë hesapet me ndërgjegjen e vet. Diktatura filloi funksionimin me improvizimin e dhomave të torturave. Ishte vërtet luftë. Lufta e të pashkolluarit me kolosët e dijes, të shkencës e të mendimit, lufta e njerëzve të etur
për vëllavrasje me njerëz që në bazë të formimit të tyre kishin paqen dhe besimin tek zoti. Lufta e të paaftëve me njerëzit e aftë dhe të ndershëm. Të gjitha në emër të partisë. Të gjitha në emër të luftës së klasave. Komunizmi ka rënë në Shqipëri, por jo pluhuri dhe duhma e tij. Ai nuk ka vdekur. Një karakteristikë e kësaj lemerie është dhuna e madhe psikike, mashtrimi dhe urrejtja. Janë shpërndarë kudo, majtas e djathtas. Gjithë hibridet e partive të majta janë ngritur mbi të njëjtën psikozë, atë të një regjimi totalitar e sistemi diktatorial, ku njeriu humbet çdo vlerë të lirisë. Diktatura e vjetër e ka një lloj avokatie dhe Shqipëria është më e pambrojtur se kurrë, sepse qëllimi i kësaj diktature gangrenë është që nëpërmjet çoroditjes dhe shpërndarjes së fajit të mbetet jashtë fajësimit pjesa më e errët e saj. Ajo pjesë, duart e së cilës kullonin gjak. Më kot përpiqen ta dyzojnë thelbin e mekanizmit të kësaj diktature. Ajo ishte një, tru e dorë, ndaj duhet çrrënjosur e gjitha, me gjithë gjymtyrë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi