Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Çlirimtarët e korruptuar drejt lakut të drejtësisë-Intervistë me deputetin e LDK –së Anton Quni

Shko poshtë

Çlirimtarët e korruptuar drejt lakut të drejtësisë-Intervistë me deputetin e LDK –së Anton Quni Empty Çlirimtarët e korruptuar drejt lakut të drejtësisë-Intervistë me deputetin e LDK –së Anton Quni

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jan 02, 2017 1:00 am

Çlirimtarët e korruptuar drejt lakut të drejtësisë


Çlirimtarët e korruptuar drejt lakut të drejtësisë-Intervistë me deputetin e LDK –së Anton Quni Auth_Albulene_Muji1483284320

ALBULENË MUJI 





Çlirimtarët e korruptuar drejt lakut të drejtësisë-Intervistë me deputetin e LDK –së Anton Quni Auto_am1483282481

Anton Quni


Intervistë me deputetin e LDK –së Anton Quni




Në një intervistë për gazetën “Bota Sot”, deputeti i LDK –së, Anton Quni, ka folur për situatën aktuale politike, për çështjet që kanë prodhuar krizë politike, apo dhe për të ashtuquajturat skandale, siç është afera “Pronto 2” e të tjera. Më i ashpër Quni, është treguar rreth çështjes, se sa është luftuar krimi dhe korrupsioni në Kosovë.

Bota sot: Si e vlerësoni gjendjen politike sot në Kosovë?

Anton Quni: Integrimet Euro-Atlantike, ndërtimi i paqes në rajon, sundimi i rendit dhe ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe të gjitha proceset e tjera po zhvillohen në një ambient ku partitë politike, janë në konfrontime të ashpra në mes vete, ku stabiliteti politik i Kosovës sfidohet nga ndërhyrjet e Serbisë dhe ku autoritetet ndërkombëtare po paraqesin kushtëzime për të arritur liberalizimin e vizave. Autoritetet politike të Kosovës dhe institucionet legale janë në sprovë për të treguar kredibilitetin dhe autoritetin për të përmbushur agjendën shtetërore.

Bota sot: A do të rikthehet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin në Kuvendin e Kosovës nga Kryeministri Isa Mustafa?

Anton Quni: Edhe nga vetë Kryeministri Isa Mustafa është thënë, se përderisa nuk sigurohen votat e nevojshme, nuk ka kuptim që Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin të procedohet në Kuvendin e Kosovës.

Bota sot: Çfarë mendimi keni për Demarkacionin dhe a do ta votonit këtë projektligj në versionin aktual?

Anton Quni: Jam ithtar i asaj se duhet të hiqet çdo dilemë rreth korrektësisë së shënjimit të vijës kufitare. Përderisa ekziston edhe një fakt, sa do në dukje i parëndësishëm, duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për të shënjuar saktë kufirin. Unë, do të dëshiroja shumë që Kryeministri me iniciativat e tij të propozuara së fundi, të arrijë, të gjejë formën dhe mundësinë e cila në mënyrën më të mirë do t’i largonte të gjitha dilemat e ngritura rreth shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, e pastaj kjo çështje shumë e rëndësishme për proceset e tjera, të cilat e presin vendin të kalojë sa më parë që është e mundur. Jam optimist dhe besoj shumë që kjo do të ndodhë dhe ky proces do të përmbyllet pa lënë dyshime për korrektësinë e këtij shënjimi kufitar.

Bota sot: Çfarë mendimi keni për Asociacionin e Komunave serbe dhe për kushtëzimet e Listës serbe ndaj Qeverisë së Kosovës?

Anton Quni: Fjalën e fundit për këtë temë e ka dhënë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Rekomandimet dhe përfundimet e Gjykatës Kushtetuese nuk lënë hapësirë për çfarëdo kushtëzime nga kushdo qoftë.

Bota sot: Shumë shpesh është përfolur për themelimin e ushtrisë, çfarë mendimi keni lidhur me këtë çështje? Kur mendoni se do të themelohet ushtria?

Anton Quni: Themelimi i Ushtrisë së Kosovës është një ndër preokupimet më thelbësore të Parlamentit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së FSK-së dhe vetë FSK-së. Me partnerët tanë SHBA-në dhe NATO- në, ne duhet t’i sigurojmë të gjithë qytetarët, e po ashtu edhe komunitetin serb të Kosovës, se ushtria e Kosovës nuk paraqet kërcënim dhe rrezik për ta, por do të ofrojë më shumë siguri për paqen në Kosovë dhe rajon. Është inkurajues fakti, se Kongresi Amerikan me vendimin e saj e detyron Administratën Amerikane që të angazhohet ta ndihmojë Kosovën për t’u përgatitur për Programin e Partneritetit për Paqe.

Bota sot: Në Kosovën e pasluftës janë vrarë shumë figura të larta politike, kur mendoni se do të zbardhen këto vrasje?

Anton Quni: Guximi qytetarë, forcimi i institucioneve të drejtësisë dhe klima politike janë parakushte për zbardhjen e të gjitha vrasjeve me motive politike. Shpresoj, se së shpejti qytetarët do të mësojnë se kush qëndronte mbrapa këtyre vrasjeve dhe cili ishte motivi. Mësimi i së të vërtetës do të na bëjë që të kuptojmë se me vrasjen e intelektualëve, gazetarëve, ushtarakëve etj, u tentua që të sabotohen proceset e shtetndërtimit të Kosovës.

Bota sot: A keni informacione, nëse do të merret Gjykata Speciale me zbardhjen e këtyre vrasjeve, apo do të zvarriten edhe më tej, siç ka ndodhur deri më tani?

Anton Quni: Vetë natyra e Gjykatës Speciale është e tillë që shumica e informatave janë të rezervuara dhe jo të hapura për opinionin e gjerë, prandaj askush nuk mund të parasheh me saktësi se çfarë në fakt do të hetohet dhe kush do të bëhet objekt i kësaj gjykate. Parashikimet tona do të ishin vetëm spekulime dhe hamendje. Me fillimin e punës së saj, gjërat do të fillojnë të qartësohen. Gjithsesi mbesim me shprese se edhe vrasjet politike të pasluftës do të përfshihen në hetimet dhe gjykimet e mundshme në këtë gjykatë.

Bota sot: Është kërkuar që të themelohet një komision për të hetuar veprimtarinë e Shërbimit informativ të Kosovës si dhe vrasjet e pasluftës, por LDK-ja nuk është pajtuar që të formohet ky komision. Cilat janë shkaqet që po e shtyn LDK-në, që të mos jetë pro këtij komisionit hetimor?

Anton Quni: Parlamenti i Kosovës nuk ka kapacitete dhe ekspertizë që të hetojë natyrën dhe veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Kosovës. Përvoja na mëson se edhe hetimet e mëhershme nga komisionet parlamentare për çështje shumë më të lehta nuk kanë prodhuar kurrfarë efekti. SHIK-u do të duhej të trajtohej nga organet profesionale dhe të pavarura, të cilat i kanë autorizimet, kuadrot, teknikën dhe fondet e nevojshme për ta bërë këtë gjë.

Bota sot: A e synoni të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës?

Anton Quni: LDK për momentin e ka të parin e saj, të zgjedhur në Kuvendin e funditqë ka mbajtur. Deri në zgjedhjet tjera të brendshme të partisë të shohim se si do të rrjedhin gjërat. Nëse deri atëherë vlerësoj, se unë e gëzoj besueshmërinë e elektoratit tonë, veprimtarëve dhe delegatëve ndoshta edhe mund të mendoj në këtë drejtim, por vetëm nëse jam i bindur se mund t’i ofrojë LDK-së më shumë se sa kandidatët e tjerë potencialë, atëherë nuk do të hezitoja të paraqes kandidaturën, por duke iu përmbajtur dhe respektuar gjithnjë rregulloret dhe statutin e LDK-së.

Bota sot: Si e vlerësoni punën e Qeverisë së Kosovës për këto dy vite të qeverisjes?

Anton Quni: LDK-ja, po qeverisë në një situatë me tensione të larta politike, ndërhyrje të vrazhda të Beogradit dhe kushtëzime nga BE. Tani është vërtetuar, se Kosova dhe institucionet e saj janë më stabile, falë edhe kulturës shtetformuese që bart LDK-ja. Mbetet edhe shumë punë për t’u bërë në fushën e integrimeve, zhvillimit ekonomik, arsimit, sigurisë, shëndetësisë etj.
Gjithsesi, duke parë trendin pozitiv të shumë aspekteve, mendoj që është qeverisja me nuancat më pozitivë të periudhës së pasluftës.


Bota sot: Në Kosovë, përpos që mungon sundimi i ligjit, kërcënues për të ardhmen paraqitet korrupsioni. Si duhet luftuar kjo dukuri dhe a ka shans që Kosova ta çrrënjosë këtë të keqe të madhe?

Anton Quni: Si shoqëri, çdo ditë e më shumë po e kuptojmë se sa me rëndësi është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky është një sinjal pozitiv. Korrupsioni dhe krimi i organizuar, jo vetëm për shoqërinë tonë, por në përgjithësi kudo që ekzistojnë janë dukuri të dëmshme dhe të rrezikshme për stagnim të shoqërisë njerëzore, për zhvillimin e demokracisë në vend, forcimin e institucioneve, kultivimin e vlerave, etj. Kjo dukuri duhet luftuar me angazhim permanent të të gjithë akterëve vendimmarrës dhe institucioneve gjegjëse. Para një vetëdijësimi të tillë dhe ngritjes së zërit guximshëm nga qytetarët, të gjitha institucionet, agjencionet dhe organizatat përgjegjëse për sundimin e ligjit, do të duhej të jenë në nivel të pritjeve të qytetarëve dhe përmbushjes së normave, që mundësojnë ecjen e vendit drejt integrimeve Euro-Atlantike. Duke i ndjerë këto zhvillime pozitive, jam më se i bindur se për krimin e organizuar dhe korrupsionin ka filluar numërimi nga mbrapa.

Bota sot: Si mund të luftohet korrupsioni kur elitat politike akuzohen se janë të korruptuara?

Anton Quni: Përvojat na mësojnë se shumica e shteteve që e kanë një rrugëtim të ngjashëm me Kosovën, në kuptimin e kalimit nga monizmi në pluralizëm dhe nga një shtet i okupuar në një shtet të lirë, janë përballur me vështirësi të ngjashme. E njëjta situatë duket se po ngjet edhe tek ne, ku një pjesë e meritorëve që kontribuuan për Kosovën, si shpërblim e marrin besimin e qytetarëve për t’i udhëhequr, dhe të njëjtit
njëkohësisht nga ky pozicion humbasin vlerat morale, duke nxitur dhe duke u bërë pjesë e krimit dhe korrupsionit me qëllim të përfitimit të të mirave materiale. Por, të njëjtit të shtrënguar nga ndëshkimi i qytetarëve dhe kërkesat e miqve të Kosovës, tani duket se do të shndërrohen në luftëtar të korrupsionit dhe promovues e bartës të sundimit të ligjit. Kjo elitë shumë shpejt do të përballet me drejtësinë si rezultat i forcimit të shtetit, rritjes së guximit të shoqërisë dhe nevojës së përmbushjes se kushtit për të qenë pjesë e familjes europiane.

Bota sot: Përgjatë këtij viti dolën në dritë një sërë skandalesh, siç ishte i ashtuquajturi afera Pronto 2. A mendoni se do të këtë drejtësi në këtë rast?

Anton Quni: “Pronto 2” është vetëm maja e IceBergut. Kjo edhe njëherë vërteton, se sa keq është qeverisur deri tani dhe se si është kapur shteti në çdo qelizë të saj. Prandaj, do të duhej një armatë e tërë e hetuesve, prokurorëve dhe gjykatësve, që të zbardhin të gjitha rastet e ndërhyrjeve politike në: përzgjedhjen e zyrtareve, punësime, emërime etj. Zbërthimi dhe ndriçimi i kësaj dukurie do të inkurajonte gjeneratat e reja, se të gjithë janë të barabartë në trajtim pa qenë të shtrënguar apo privilegjuar nga ndonjë parti politike.

Bota sot: Rasti i Astrit Deharit, është një nga rastet që ka prekur mbarë opinionin publik, ndërkohë që fillimisht, Kuvendi nuk pranoi të debatonte për këtë çështje. A besoni edhe ju që Astrit Dehari është vetëvrarë?

Anton Quni: Me përfundimin e hetimeve ne do të mundemi të gjykojmë më drejtë dhe pa ngarkesa politike. Po ashtu do të kuptojmë përgjegjësitë individuale dhe institucionale. Është po ashtu më rëndësi të kuptohet, se nëse është në pyetje vetëvrasja, se çka e shtyri Astritin që ta bënte një akt të tillë?! Sidoqoftë, është hipokrizi, amorale dhe jonjerëzore që në rastin e Astrit Deharit, të tentohet, të ndërtohet karrierë politike. Debatet në Parlament kam frikë se munden me e humb kuptimin nëse rasti Dehari shërben jo për të u trajtuar fenomeni por për motive politike.

Bota sot: A duhej të jepte dikush përgjegjësi për rastin Dehari?

Anton Quni: Vetëm pas përfundimit dhe daljes së rezultateve përfundimtare të hetimeve mund të flasim dhe të kërkojmë përgjegjësi. Nëse vërtetohet se për çfarëdo lloj gabimi dikush është përgjegjës për humbjen e një jete natyrisht që do të duhej dhënë përgjegjësi dhe përballur me ndëshkim ligjor.

Bota sot: Si e kujton familja juaj dhe ju personalisht politikën. Si hyri në shpirtin tuaj politika dhe çfarë ndjesish keni për të?

Anton Quni: E kaluara ime është kryesisht ushtarake. Si ushtarak e kam përjetuar zhbërjen e Jugosllavisë dhe lindjen e Kosovës. Të gjitha këto si rezultate të zhvillimeve politike ku ushtritë kishin rolin e veçantë. Në vitet 90 unë dhe familja ime jemi frymëzuar, edukuar dhe mobilizuar me politikat e Presidentit Historik Ibrahim Rugova. Prandaj jam në LDK ku është përmbledhja më e mirë e ideve, forcës dhe kulturës së shtetformimit, ku kultivohen vlerat nacionale, respektohet familja, besohet ne Zot, synohet Europa dhe mbahet hapi me kohën.

Bota sot: Cilat ishin momentet më të vështira nga ana emocionale në politikë?

Anton Quni: Momenti më i vështirë është kur ndjehesh që përkundër gjuhës së bukur që kemi, kulturës së urtësisë, në disa raste arrogance në politike, gjuha e vrazhdë e saj, konflikti fizik, dhe përdorimi i mjeteve të ndaluara, na bëjnë të ndjehemi të zhvlerësuar si qenie njerëzore, përfaqësues të popullit dhe familjar. Në ato raste ndjehem i turpëruar dhe i pafuqishëm. Janë momente kur më duhet të përmbahem me shpresën, se zëri i arsyes do të triumfojë.

Bota sot: Z.Quni na flisni pak për jetën tuaj jashtë politikës, si është një ditë e zakonshme e juaja?

Anton Quni: Që nga momenti që e kam palosur uniformën dhe merrem me politikë nuk ka më rutinë dhe aktivitete të planifikuara. Çdo ditë dallon nga tjetra. Lëvizi shumë anekënd Kosovës me kërkesë të votuesve, bashkëluftëtarëve, miqve etj. Mundohem të gjej kohë të lirë dhe atë e shfrytëzoj kryesisht me familjen time. Pjesën e mbetur të kohës me familjen mundohemi ta kalojmë e ta shfrytëzojmë sa më racionalisht e sa më bukur duke i dhënë hapësirë aktiviteteve sportive, pëlqejmë të shikojmë se bashku filma dhe një kohë të mirë ia dedikojmë edhe qëndrimit në natyrë.

Bota sot: Kush e përbën familjen tuaj?

Anton Quni: Me bashkëshorten Mirjanën i kemi katër fëmijë, një vajzë dhe tre djem. Tre prej tyre janë në studime, kurse më i vogli në shkollë fillore. Me ne jetojnë edhe prindërit e mijë të cilët tani janë të pensionuar.

Bota sot: Si jeni njohur me bashkëshorten tuaj?

Anton Quni: Me Mirjanën jemi njohur në vitin 1990 gjatë shërbimit tim si ushtarak në armatë, saktësisht jemi takuar për herë të parë në një ujdhesë të bregdetit Kroat të quajtur Llastovo.

Bota sot: Sa lexoni, cili është libri juaj i preferuar?

Anton Quni: Mundohem të lexoj sa më shumë, më pëlqen sidomos të lexoj e të mësoj rreth ngjarjeve dhe zhvillimeve historike. Më tërheqin kulturat dhe civilizimet e lashta. Për momentin po i lexoj shkrimet për bashkëkombësit tanë në Itali, Greqi, Turqi. Sa i përket kësaj fushe, admiroj studiuesin, Aristidh Kolen.

Bota sot: Çfarë nuk mungon asnjëherë në kuzhinën tuaj?

Anton Quni: Nuk jam ndonjë përzgjedhës i madh në kuzhinë. Kur jam në nguti më mjafton një ushqim i lehtë, i shpejtë dhe një kafe.

Bota sot: Çfarë keni pikë të dobët?


Anton Quni: Ata që me njohin nga distanca me paragjykojnë si relativisht të heshtur e të ngurtë. Miqtë e të afërt që më njohin mirë në disa raste ma kanë thënë se jam më tolerant se sa duhet. Nuk e di në mund të merret tolerancë e tepërt si pikë e dobët apo si një vlerë njerëzore, më duhet ta mendoj e ta studioj këtë dhe nëse vlerësoj se mund të shihet si dobësi atëherë më duhet të punoj me veten që ta përmirësoj.

Bota sot: Cila është sfida më e madhe që e keni kaluar në jetë?


Anton Quni: -Lufta. Të qenurit përgjegjës për njerëzit gjatë luftës është sfida më e madhe që e kam përjetuar. Lufta të sfidon në karakter, edukatë, moral, besim, etj. Përballja me vdekjen është momenti kur e kupton natyrën tënde të brendshme. Është momenti kur e kupton se sa vlen jeta njerëzore!

Çlirimtarët e korruptuar drejt lakut të drejtësisë-Intervistë me deputetin e LDK –së Anton Quni Auto_15628599_1539459012750944_774801325_o1483284382
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi