Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Intervistë e z. Uk Lushi dhënë gazetarit të Illyrisë, Ruben Avxhiu

Shko poshtë

Intervistë e z. Uk Lushi dhënë gazetarit të Illyrisë, Ruben Avxhiu Empty Intervistë e z. Uk Lushi dhënë gazetarit të Illyrisë, Ruben Avxhiu

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jun 30, 2009 9:34 pm

Intervistë e z. Uk Lushi dhënë gazetarit të Illyrisë, Ruben Avxhiu
Së pari, urime për botimin e librit. Si është pritur ai në Prishtinë dhe Tiranë, me aq sa keni informacion deri tani?

Ju falemnderit për urimin…Libri u prit jashtëzakonisht mirë si në Prishtinë ashtu edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë. Në ceremoninë e promovimit me 21 prill në Hotel “Victory”, në Prishtinë, qenë të pranishëm rreth 300 persona: personalitete të rëndësishme të jetës intelektuale, akademike, ushtarake dhe politike të Kosovës. Fjalët e rastit mbi botimin e librit në Kosovë u mbajtën nga drejtoresha menaxhuese e shtëpisë botuese KOHA, Flaka Surroi, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, si dhe ish-komandanti i UÇK-së e ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku. Në mbrëmjen promovuese me 24 prill në Shtëpinë e Ushtrisë Shqiptare, në Tiranë, morën pjesë njerëz nga media, politika dhe shtresa intelektuale e Republikës së Shqipërisë. Folësit mbi botimin e librit në Tiranë dhe Batalionin “Atlantiku” qenë ish-Presidenti Rexhep Meidani, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Gazmend Pula, dhe ish- Ministri i Jashtëm shqiptar dhe pronari i shtëpisë botuese ORA, Besnik Mustafaj. Të dyja botimet patën një mbulim të dendur nga mediat televizive, të shtypit dhe Internetit gjithandej botës shqiptare...Libri ka 5-6 javë që është në kreun e listës së librave më të shitur në Prishtinë dhe shkon mirë edhe në Tiranë...Kam marrë dhe vazhdoj të pranoj me dhjeta e-maile dashamirëse dhe përgëzimi prej lexuesve nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan dhe diasporë si për kontributin e Batalionit “Atlantiku” për çështjen e madhe kombëtare ashtu dhe për librin.

Libri është në një pjesë të madhe një ditar i mbajtur gjatë ditëve kur vepronit në SHBA, Shqipëri e Kosovë me uniformën e Batalionit “Atlantiku” të UÇK-së. Si i kujtoni sot ato kohë?

“Shqiptaro-Amerikanët e UÇK-së: Kronikë e Batalionit “Atlantiku” në përmbajtjen e tij përfshinë ndodhitë në komunitetin tonë për periudhën kohore prej 20 marsit 1999 deri me 11 prill të vitit 2000. Ngjarjet e kësaj periode janë të organizuara në gjashtë pjesë. Pjesa e shtatë dhe e fundit e librit paraqet historinë e vrasjes së vëllezërve Bytyçi- Yllit, Agronit dhe Mehmetit. Libri fillon me përshkrimin e gjendjes së ankthit dhe aktiviteteve të nduardurshme të komunitetit shqiptaro-amerikan në kapërcyell të nisjes së bombardimit të Serbisë dhe Jugosllavisë nga NATO në mars të vitit 1999 dhe pastaj vazhdon me rrëfimin e krijimit të Batalionit Atlantik, stërvitjet tona, fillimin e çlirimit të pjesës së robëruar të atdheut tonë- Kosovës, luftimet në Pashtrik dhe Koshare, si dhe kthimin e pjesës dërmuese të ushtarëve të Atlantikut në SHBA. Shikuar nga perspektiva e një dekade më vonë, ato ditë të trazuara të historisë së Disaporës shqiptare në Amerikë dhe gjithë shqiptarëve kudo ishin, në memorie, janë shumë të dhimbshme, por edhe krenare. Të dhimbshme sepse jetët e njerëzve të pafajshëm në Kosovë ishin nën kërcënimin e bajonetave të forcave bandite serbe dhe në rrezik për asgjësim; kurse krenare sepse kombi shqiptar po reagonte si një organizëm unik për të mbrojtur pjesën e trupit dhe mendjes së vet.

A do të donit të ndryshonit diçka nëse mund të ktheheshit pas në kohë?

Njeriu duhet të jetë i sinqertë, prandaj në retrospektivë të gjërave dhe ngjarjeve historike nevojiten edhe analiza kritike…Lufta e Kosovës ka mundur të bëhet më mirë. Sidoqoftë, ngjarjet janë zhvilluar si janë zhvilluar dhe lufta megjithatë ka përfunduar me fat për ne. Kosova është çliruar nga hordhitë ushtarake dhe policore serbe dhe sot mëton të integrohet me copat tjera të atdheut tonë, me kontinentin mëmë të Europës dhe strukturat e sigurisë euro-atlantike. Atëbotë do të kishte qenë më mirë sikur të kishim qenë më të bashkuar dhe më bashkëpunues- edhe këtu në Amerikë edhe në Ballkan dhe Europë...Ushtarët e Atlantikut ishim djemtë dhe vajzat e një tradite qindra vjeçare të komunitetit shqiptaro-amerikan, që prej nismave të shqiptarëve të parë, që erdhën në vendin e mundësive të pakufizuara të gjejnë lirinë dhe prej ku bënë shumë për lirinë dhe pavarësinë e trojeve tona në Ballkan. Ne ishim çunat dhe çikat, ushtarët, që u brumosëm në traditën patriotike të Vatrës, emigracionit të pas Luftës së Dytë Botërore, mandej atij të viteve 1980 dhe 1990 në Amerikë dhe që rastisi të organizoheshim rreth strumbullarit të Fondacionit “Vendlindja thërret”, si krahu financiar i mbështetjes së Luftës Çlirimtare të UÇK-së. Pra nëse do të kisha mundësi të ktheja kohën dhe rrotën e historisë prapa; do kisha dashur të shihja një unitet më të madh gjithshqiptar gjatë Luftës së Kosovës. Sidoqoftë, unë jam i mendimit se komuniteti ynë është ndër faktorët më meritorë për lirinë dhe pozicionin më të mirë të shqiptarëve në botë, porse, po e përseris, kur një komunitet është i organizuar dhe koordinon punët dhe energjinë, sukseset gjithmonë janë më të mëdha.

Komuniteti shqiptar në SHBA ka luajtur shpesh rol në fatin e kombit tonë. Çfarë vendi ze sipas jush në këtë kontribut Batalioni “Atlantiku”?

Siç e thashë më lartë, roli i komunitetit tonë në historinë shqiptare ka qenë hera të shpeshta determinues për vetë ekzistencën e atdheut tonë. Roli i komunitetit shqiptar në Amerikë edhe sot është i një rëndësie të veçantë, ndërsa trojet tona nevojisin zhvillim ekonomik dhe ne mund të vazhdojmë lobimin politik dhe kontributet tjera duke investuar vetë dhe duke tërhequr kompanitë dhe investorët amerikanë të investojnë në vendet tona. Sa i përket rolit të Batalionit “Atlantiku”, unë e shoh vlerën dhe rëndësinë e Atlantikut në historinë e komunitetit dhe atë shqiptare të kuptohet më mirë dhe më qartë sa më shumë kohë që të kalojë. Sipas meje tri janë dimensionet, të cilat e vendosin Batalionin “Atlantiku” shumë lartë në majen e hierarkisë së kontributeve. Dimensioni i parë është ai i panshqiptarizmit, që reflekton të kaluarën dhe aspiratën shqiptare për një atdhe të bashkuar dhe të pandashëm. Luftëtarët e Batalionit tonë ishin me prejardhje nga Republika e Shqipërisë (londineze), trojet shqiptare në Mal të Zi, Maqedonia, Kosova dhe të lindur në SHBA. Përmasa e dytë, është përfaqësimi dinjitoz që formacioni ynë gjeti në të gjitha mediat e shtypit, televizive dhe kronikat historike në katër anët e globit, të cilat raportuan se shqiptarët e Amerikës po linin vendin më të pasur në botë të shkonin t’i dilnin në mbrojtje atdheut të tyre. Këtu ne lirisht mund të krahasohemi vetëm me izraelitët, që ka dy mijë vjet që vazhdojnë të mbështesin atdheun e tyre nga jashtë. Dhe dimensioni i tretë, që i jep krenari dhe rëndësi konkrete Atlantikut dhe shqiptaro-amerikanëve, është kontributi dhe suksesi ynë luftarak në betejat ndër më të lavdishmet të UÇK-së në Pashtrik, në Operacionin “Shigjeta”, dhe në fushëbetejat e Koshares.

Ku janë sot në përgjithësi personazhet e librit tuaj, ish-ushtarët e Atlantikut? Çfarë bëhet me ta?

Shumica jemi në Amerikë. Një pakicë vendosi të qëndronte në tokat tona në Kosovë dhe Maqedoni. Ish-luftëtarët shqiptaro-amerikanë dhe personazhet e librit, sot, dhjetë vite pas ngadhnjimit mbi pushtuesit e Kosovës, janë pjesë e mozaikut të komunitetit shqiptaro-amerikan në shtetet e Amerikës ku jetojnë shqiptarët, prej Michiganit, New Yorkut, New Jerseyt, Pennsilvanyas e deri në Florida dhe Texas. Shumica jemi shumë më mirë se sa pas luftës, kur u kthyem dhe shumë nga ne kishim lënë familjet, punët dhe, në disa raste, borxhe, që duheshin paguar pa vonesë. Ish-ushtarët e komunitetit tonë sot janë njerëz të thjeshtë, gjithherë aktivistë të pazhurmshëm të komunitetit, dhe disa shumë të suksesshëm në biznes dhe shkollim. Disa jetojnë me plagët dhe lëndimet- Haxhi Dervisholli humbi një këmbë, Xhemë Goçaj ka copa granate në tërë trupin, Bajram Shala është me varrë në gjoks, dhe Gani Nikçi e Fadil Idrizi do të jetojnë përgjithmonë me lëndimet që i morën nga thërmijat e gjyleve dhe bombave. Gjashtë nuk janë me ne në këtë botë: vëllezërit Bytyçi, të cilët ranë në duart e xhelatëve serbë dhe u këputen në lulen e rinisë nga plumbat e zi të tyre; dhe Avdyl Gashi, Naxhi Egriu dhe Prelë Camaj, të cilët ndërruan jetë para disa vitesh duke shkuar në amshim.

Sëfundi, në prill 2009, një delegacion prej 25 ish-ushtarëve ishim në një vizitë në vendet tona shqiptare. Në Tiranë delegacioni u prit nga Presidenti Bamir Topi dhe Qeveria shqiptare, e cila në bashkëveprim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, na dha një autobus dhe delegacioni përvijoi rrugën e njëjtë si gjatë luftës. Prej Tirane autobusi marshoi nëpër vendet ku jemi stërvitur dhe kishim luftuar (Durrës, Burrel, Krumë, Prizeren). Ndaluam nëpër disa qendra dhe fshatra për të vizituar familjet e luftëtarëve, dëshmorëve dhe heronjve të UÇK-së…Mes tjerash delegacioni vizitoi familjet e Indrit Carës, familjet e dëshmorëve të Lugishtës së Hasit, familjen Jashari, familjen Haradinaj, familjen e Zahir Pajazitit etj. Në Prishtinë dërgata e Atlantikut u pranua dhe nderua nga Presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Gjatë gjithë rrugës së marshit me mija e mija njerëz organizuan pritje madhështore me ushqim, pije, këngë e valle për Batalionin. Kahdo që shkonim na prisnin me krenari, respekt dhe falenderime për luftëtarët dhe shqiptarët e Amerikës. Për mua, dhe kujtoj edhe gjithë anëtarët tjerë të delegacionit, dy javë që i kaluam gjatë vizitës në tokat tona ishin shumë prekëse, por edhe më të hareshmet në dhjetë vitet e fundit- tek i shihnim njerëzit tonë një dhe me shpresë për një të ardhme më të ndritur për popullin tonë.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Intervistë e z. Uk Lushi dhënë gazetarit të Illyrisë, Ruben Avxhiu Empty Re: Intervistë e z. Uk Lushi dhënë gazetarit të Illyrisë, Ruben Avxhiu

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jun 30, 2009 9:34 pm

Sot në Kosovë ka disa stereotipe të ish-ushtarit të UÇK-së. Janë ato pozitive, ndonëse trishtuese të ish-ushtarit që sot është pa punë e familja nuk siguron dot bukën e gojës por nga ana tjetër janë stereotipet e njeriut të armatosur që në emrin e UÇK-së, hyri në Prishtinë rrëmbeu shitore e apartamenete e sot është milioner që merret me tregëti të paligjshme. A është më e vështirë të ruash imazhin pas luftës se gjatë saj? Ku dhe kush është sipas jush ushtari i vërtetë i UÇK-së sot?

Ju jeni drejtë… Nuk kanë thënë kot: më lehtë është të vdiset se sa të jetohet për një ideal. Shqiptarët kemi qenë, dhe, në njëfarë mënyre, vazhdojmë të jemi të varfër dhe nganjëherë e kemi cenin e dëshirës për zhvatje pa menduar se në aspektin afatgjatë më së shumti dëmtojmë vetveten. Kjo vërehej në të gjitha vendet tona në Ballkan. Porse Kosova është në një pozitë më të keqe në këtë drejtim, sidomos ngase qytetarët e saj nuk i kanë gjitha fuqitë pushtetore në duart e tyre. Kosova, edhe pse ka deklaruar pavarësinë, ajo nuk është krejt e mvetshme, por në sundim të jashtëm dhe hala më e madhe në sytë e këtyre sundimtarëve, të cilëve u interesojnë qetësia dhe stabiliteti me çdo çmim, ishin mu ish-luftëtarët e UÇK-së, sepse luftëtarët nuk mund durojnë sundimin dhe padrejtësitë. Nëpër Kosovë sot ka ish-ushtarë të UÇK-së që kanë problem kulmin mbi kokë dhe bukën e gojës. Kjo është turp për qeveritarët dhe shoqërinë atje. Gjithkund në botë kujdesi për veteranët është prioritet i shtetit. Këta ish-luftëtarë janë flaka që ndriçon Kosovën edhe sot. Ata nuk i sheh të bëjnë probleme, por mundohen që me punën dhe djersen e vet të ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të Kosovës. Stereotipet e këqija për luftëtarët e UÇK-së janë përhapur kryesisht nga matrapazë të romancës me pushtuesit tonë të të kaluarës por edhe nga sahanlëpirës që zhuzhaten e byryten me llumin e kastave të administruesve ndërkombëtare. Është e vështirë të pranohet, mirëpo megjithatë ka edhe nga ish-bashkëluftëtarët e UÇK-së që kanë harruar idealet për të cilat luftuam dhe, kur kanë mundur, kanë rrëmbyer pasuri dhe janë bërë të kamur. Ata janë marrja e Zotit, por jam i sigurt se një ditë ligji do t’i drejtojësojë të gjitha punët dhe veprimet ilegale dhe të palejuara. Unë mendoj se të qenurit ish-ushtar i UÇK-së shton përgjegjësinë të jeni më të kujdesshëm, jo të abuzoni. Ne dhe bashkëluftëtarët tonë ofruam edhe jetët tona për liri. Nuk ka vlerë që matet me jetën, prandaj nuk duhet koritur për një grimë pasuri pa meritë. Në promovimin e librit në Prishtinë thashë se ne, ish-ushtarët e Atlantikut, nuk morëm pallate dhe pasuri pas luftës, por u kthyem në Amerikë si njerëz shumë të pasur, sepse me vete në zemrat tona morëm lumturinë e lirisë së Kosovës. Kjo deklaratë u shpërblye me miratim dhe duartrokitjet më të forta. Prandaj, ushtari i vërtetë i UÇK-së, sot dhe gjithmonë, është ai ose ajo, që vendos interesat e lirisë dhe zhvillimit të atdheut mbi ato personale, sepse fundi i fundit, për ata që kanë mend, interesat e atdheut janë interesa personale, sepse një atdhe i zhvilluar do të thotë jetë më e mirë për të gjithë. Shembull më të mirë se Amerikën për këtë nuk ka. Shihni amerikanët si veprojnë një për të gjithë dhe të gjithë për një.

Me një parathënie nga Ismail Kadare dhe një shënim nga William Walker, librit i është bërë një prezantim dinjitoz. Pse zgjodhët pikërisht këta dy personalitete për të shoqëruar botimin?

Nuk kisha ndonjë plan paraprak për parathëniet. Unë jam i bindjes se nderimi i këtyre dy figurave markante dhe ushtarëve shqiptaro-amerikan të lirisë nga Batalioni “Atlantiku” është reciprok…Vitin e kaluar, në shenjë respekti për veprën artistike dhe veprimtarinë e tij kombëtare, i dërgova një kopje të librit z. Kadare në Paris dhe ai u tregua i respektueshëm të përgjigjej, duke na nderuar mua dhe Batalionin me një parathënie të bukur. Ambasadori Walker, në anën tjetër, është mik imi i mirë dhe një ndër ndihmuesit më të mëdhenj të çështjes së drejtë të Kosovës. Ai, përndryshe, ka qenë dëshmitari i masakrës së Reçakut dhe ndër përkrahësit më të mëdhenj të familjes Bytyçi dhe Atlantikut kur ne sollëm eshtrat e vëllezërve Bytyçi nga Serbia në Amerikë. Nga dëshira, që libri të arkivonte një dëshmi konkrete prej një burimi amerikan, edhe e pyeta të shkruante për Reçakun dhe njohjen e tij me ushtarët e Batalionit “Atlantiku”. E them pa ekuivoke, parathëniet e këtyre dy personaliteteve të mëdha, Kadaresë dhe Walkerit, padyshim e kanë shtuar vlerën e librit, prandaj të dy e kanë mirënjohjen time.

Së fundi, një kompleks pyetjesh po me një temë të përbashkët: Thonë se historinë e shkruajnë fitimtarët. Mirëpo, në libër ju thoni gjithashtu se “fitorja ka njëqind baballarë”. Kush e fitoi luftën e vitit 1999? Ose më mirë, tani, dhjetë vite më vonë, kush po e shkruan historinë e asaj që ndodhi? A ka filluar vërtet të shkruhet historia apo rrota e fatit është ende duke u rrotulluar për Kosovën? Si hyn këtu libri që sapo botuat?

Janë shumë dhe pyetje komplekse gjitha këto. Por do të përpiqem të jem sa me eksplicit që të jetë e mundur. I besoj teorisë se rrjedha e historisë influencohet më së shumti nga fituesi i një lufte apo zhvillimi. Ilustrimi më i mire jemi ne vetë… Edhe pse jemi ndër popujt më të vjetër (në mos më i vjetri) të Ballkanit dhe mbase botës, ne posedojmë shumë pak dokumentacion dhe evidence të shkruar. Nëse dëshirojmë të mësojmë për të kaluarën tonë, në shumë raste, na duhet të shfytëzojmë burime dhe literaturë të okupatorëve, për mugesë të theksuar të dëshmive autentike tonat. Fitorja e një lufte mund të ketë shumë bashkëpronarë…Kjo ndodhi edhe në Luftën e Kosovës me 1999. Fituesit kryesorë natyrisht që ishin UÇK-ja dhe kombi shqiptar në territorin e Kosovës, sepse u hoq zgjedha serbe nga qafa. Mirëpo fitimtarë ishin edhe shqiptarët kudo tjetër, pastaj Amerika, Europa dhe NATO, sepse e shtruan përtoke një katallan shpirtzi si Millosheviqi dhe Serbia e tij megalomane, që rrezikonin qenien shqiptare të Kosovës dhe stabilitetin e krejt Europës dhe botës së civilizuar. Sido që të jetë, kombi shqiptar nuk arriti të mobilizohet totalisht dhe me forcat vetjake të bënte çlirimin përfundimtar të tokave tona. Na u desht ndihma dhe tash duhet të ndajmë edhe lirinë edhe përfitimet që sjell ajo me të tjerë. Por puna e madhe është kryer. Nëse tash do jemi të mençur dhe do dime si të koordinojmë interesat tona shqiptare me ato amerikane dhe të miqve tonë në Europë, kemi një rast historik të arrijmë atë për çfarë ëndërrojmë për mëse dy mijë vjet. Shpresoj se kemi mësuar nga trajtimi prej njerke i historisë dhe duke i bashkuar përpjekjet dhe potencialet do të punojmë t’i arrijmë synimet tona. Nuk duhet të harrohet megjithatë se askush nuk do çajë kokën për punët tona nëse ne nuk e bëjmë këtë vetë. Një mjet për të arritur ardhmëni më të mirë është edhe shkrimi i sinqertë dhe real i historisë sonë. Pikësëpari dhe pikësëfundi, sepse ka disa tentime nga anë të ndryshme, që historia më e re e shqiptarëve të revidohet për disa qëllime, të cilat në sfondin e tyre duken të përshkllira dhe të padjallëzuara, por që kanë një qëllim afatgjatë. Prandaj edhe shkrova librin mbi Batalionin “Atlantiku”…Që të tregoj si dëshmitar se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri…Që t’u kundervihem me fakte tentativave të cilat e intepretojnë luftën e UÇK-së dhe historinë tone sipas kutit të tyre…Pra, e vendosa të botoj librin mbi Atlantikasit dhe shqiptaro-amerikanët e UÇK-së, që të them të vërteten, sepse vetëm e vërteta është argumenti, që hedh poshtë interpretimet dhe, që lë gjurmë përgjithmonë… E shkrova dhe botova librin ashtuqë pas 100, 200, e 1000 viteve, fëmijët e fëmijëve të fëmijëve të fëmijëve të lexojnë se si stërgjyshërit e tyre qenë të gatshëm të sakrifikonion gjithçka për liri.

Ju faleminderit.

Ju falemnderit edhe juve.

Intervistoi Ruben Avxhiu
Për ZSH: Këze (Kozeta) Zylo
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi