Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Besnik Dizdari: 28 vëllimet e veprës së Dr. Samimit dhe një traktat sportiv i vitit 1935

Shko poshtë

Besnik Dizdari: 28 vëllimet e veprës së Dr. Samimit dhe një traktat sportiv i vitit 1935 Empty Besnik Dizdari: 28 vëllimet e veprës së Dr. Samimit dhe një traktat sportiv i vitit 1935

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jun 30, 2009 9:47 pm

Besnik Dizdari: 28 vëllimet e veprës së Dr. Samimit dhe një traktat sportiv i vitit 1935 U1_BesnikDizdari
28 vëllimet e veprës së Dr. Samimit dhe një traktat sportiv i vitit 1935

Nga Besnik Dizdari

Kultura shqiptare ditët e fundit ka pasë një ngjarje të rëndësishme: është botuar në 28 vëllime Vepra e Dr. Vasfi Samim Visokës – figurë e madhe e blegtorisë, gazetarisë, sportit, historisë, artit, letërsisë, turkologjisë. Botimi i kësaj Vepre është kurorëzim i punës së madhe të bijve të tij Ergjin Samimi dhe Genc Samimi, të mbështetur nga daja i tyre, Haki Korça, qytetar kanadez, për shumë vite nëpunës i General Eletric, i cili kursimet e viteve të tij të punës i kishte lënë porosi që të përdoreshin për të botuar veprën e Dr. Samimit, bashkëshort i motrës së tij fisnike Saxhide.

Publikimi i Veprës u bë përms një ceremonie të bukur në Prince Park të Tiranës si dhe i shoqëruar me një pasqyrim të gjerë në televizione shqiptare. E gjithë kjo punë tërhoqi edhe vemendjen e Presidentit të Republikës Bamir Topi dhe kryeministrit Sali Berisha.

Ka qenë një punë jo e lehtë, në të cilën morën pjesë një grup njerëzish - njohës së Veprës së Dr.Samimit - specialistë të fushave të shumta ku ky poliedrik i Shqipërisë ka krijuar e punuar. Në redaksi e posaçme e ngritur ad hoc me në krye Prof. dr. Hamit Boriçin dhe anëtarë Prof. dr. Vehib Bleta, Prof. dr. Abdylkadir Hayber, Prof. dr. Skender Selimi, Prof. dr. Ergjin Samimi dhe sekretare Ingrid Samimi ndoqi punën e autorëve Prof. dr. Hamit Boriçi, Zoot. Bardhyl Narazani, Prof. dr. Hysen Çobani, Dr. Abdylkadir Hayber, Prof. dr. Skender, Prof. dr. Ergjin Samimi, Dr. Iljaz Gogaj, Prof. dr. Myzafer Çela, Dr. Agim Nelaj, Prof. dr. Petraq Sotiri, Dr. Shpend Bengu, Maksim Gjinaj, Aleks Gjinaj, Artur Hado, Dr. Laurant Bicaj, Qemal Velija, Elda Gjana.

Midis 28 vëllimeve, vëllimi 9, i përket veprës sportive të Dr. Samimit. Eshtë një vëllim që tregon jetën dhe veprimtarinë sportive tejet të pasur të Dr. Samimit si një prej drejtuesve të sportit shqiptar të viteve ’30, një prej themeluesve të Kombëtares së Atletikës, madje themelues i fanelave të Kombëtares së Shqipërisë në tanësi, promotor i themelimit të Kombëtares së Shqipërisë, njeriu që bëri të mundur pranimin e Shqipërisë në IAAF (Federata Ndërkombëtare e Atletikës së Lehtë), njeriu i cili për herë të parë iu tregoi shqiptarëve se çka ishin profesionalizmi dhe amatorizmi në sport, themelimi i federatave civile sportive dhe roli i shtetit apo qeverisë, stërvitja shkencore dhe organizimi teknik, përzgjedhja dhe tërheqja e rinisë, terrenet sportive dhe etika e shpirtit olimpik, kultura dhe formimi edukativ i të rinjve që merren me sport. Përveç të tjerave, njnë vëllim që e bën të denjë për leksione në shkollat e sotme të larta të kulturës fizike. Kësisoji, në këte Vëllim 9 të Veprës së tij do njiheni edhe me figurën e Dr. Samimit si një ndër të paktët gazetarë sportivë të mirfilltë të viteve ’30 në Shqipëri

Mû për këte arësye për rubrikën tonë të sotme përzgjodhëm nga libri në fjalë shkrimin e tij të rrallë botuar në një numër të revistës “Minerva” të vitit 1935 me titull “Pse po humbasim ndër Olympiadet”, që mund të quhet një traktat i filozofisë sportive. Dhe nga ana tjetër, si forcë kritikuese, ky shkrim i guximshëm për kohën, madje edhe politikisht, flet edhe për një liri shtypi të kohës së Mbretërisë. Tehu kritik shkon te i gjithë organizimi sportiv i Shqipërisë dhe Dr.Samimi në këte rast merr përsipër t’i japë kah drejt shtetit shqiptar kësaj filozofie, deri aty sa t’i parashtrojë dhe tregojë se cili duhet të jetë roli i shtetit në mëkëmbjen dhe themelimin e rrugës evropiane sportive të popullit.

Kjo është një filozofi që daton në vitin 1935. Plot 74 vjet më parë, në thellësitë e Shekullit XX. Nuk mund t’i luash presjen për sot, në fillimet e Shekullit XXI. Shqipëria ka pasë korifejtë e saj edhe në fushën e mendimit dhe të organizimit sportiv. Dr.Vasfi Samim Visoka është prekursor i madh, ndër të parët i mendimit dhe filozofisë së sportit shqiptar.

Pse po humbasim ndër Olympiadat?

* Mungesat në Federacionin t’onë civil

Nga Dr. Vasfi Samimi

Siç dihet nga të gjithë, skuadra jonë Kombëtare Athletike mori pjesë për të tretën herë në Ballkaniadën e Istanbullit. Nji seri humbjesh që ka fillue në Athinë ka vazhdue në Zagreb dhe në Istanbull. Të gjtiha humbjet pjellin nji furtunë. Edhe ndër ne kjo humbje sportive solli furtunën e saj të përbame prej mërzitjesh, mos kënaqësinash, thash e themesh e së fundi nga disa kritika të drejta të pa peshuem.

Mirë po, nuk mund të mohohet se mbas çdo pësimi ka nji mësim. Ai njeri që din me shfrytzue pësimin, nji ditë shpëton nga shkatërrimi dhe del me ball hapët kundrejt Diellit (Vëré të shkuemen, përgatitu për t’ardhmen). Qe pra me këtë mendim edhe na kemi dashtun me gërmue disa mungesa kryesore t’organizatës s’onë të sportit civil.

Por do të kufizohemi me spjegimin e pikave kryesore përsa i përket organizimit të sportit civil, të cilat prej shumicës nuk janë kuptue edhe mirë.

Në të gjithë botën sporti civil amator rregullohet nga nji organizatë e posaçme e quejtun Federatë. Kjo organizatë mbron dhe inkurajon kulturën trupore për civilët që janë krejt të lirë dhe që nuk kanë asnji lidhje me politikën e direktë me Qeverinë.

Qeverinat vetëm tërthoraz i ndihmojnë këto organizata sportive civile.

Së pari n’origjinë, ideja e federatës ka lindun me frymën e lirisë. Atje-këtu gjendeshin disa amatorë sportistë që e bajshin sportin për vetëhen e tyne. Këta për mirë-vajtjen e punimeve në nji mënyrë ma të disiplinueme e panë të nevojshëm bashkimin në mes të tyne. Kështu si bujqët që bashkohen në mes të tyne dhe formojnë kooperata, edhe sportistët janë bashkue dhe kanë formue lloj lloj federatash, p.sh. federata foot-balli etj.

Si në të gjith Europën ashtu dhe ndër fqijt t’onë Ballkanas, janë formuar para shum kohe të këtilla federata. Jugosllavija ka 14 federata të ndryshme sportive, gjithashtu Greqija, Bullgarija, Rumanija dhe Turqija kanë federata të veçanta për degë të ndryshme të sportit.

Mbi datën e lindjes së federatave dhe të numrit të saktë të amatorëve në kohën e tashme këtu posht nxjerrim disa shenime të marruna nga Almanaku që asht botue prej federatës Ndërkombëtare të Atletikës:

Data e lindjes Numri i amatorve

Greqia 1897 50.000
Jugosllavija 1921 20.000
Bullgarija 1923 15.000
Rumania 1912 20.000
Turqija 1923 1.500
Shqipnija 1927-1935 550

Kjo ide me kohë asht përmirësue, naltësue dhe së fundi ka lind Federata botnore Ndërkombtare e Sportit. Kështu që sot në sportin civil ideja e federatës asht rranjosun aq sa ka kalue kufijtë e vatrës së sajë, Europën dhe Amerikën, dhe asht hedhun dhe ndër kontinentet e tjerë në Azi, Afrikë dhe Australi.


vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Besnik Dizdari: 28 vëllimet e veprës së Dr. Samimit dhe një traktat sportiv i vitit 1935 Empty Re: Besnik Dizdari: 28 vëllimet e veprës së Dr. Samimit dhe një traktat sportiv i vitit 1935

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jun 30, 2009 9:47 pm

XXX


Këto shifra na diftojnë kjartazi pse Greqija del vit për vit e para në Olympiadat Ballkanike, e pastaj pse Jugosllavija del e dyta. Nga ana tjetër kuptojmë fare mirë pse Turqija me gjith pregatitjet e mdhaja që ka bâ për skuadrën e sajë Kombtare nuk ka qenë në gjendje me kalue nji gradë. Na shum herë ndër botimet t’ona kemi thanë se herën e parë duhet të ngjallet turma e pastaj grupi kualitativ. Në një grumbull të madh asht gjithmon ma lehtë me gjet 4-5 persona shum të mirë se sa në nji grumbull të vogël.

Udhëheqësit e këtyne federatavet janë disa sportista të vjetër amatorë. Ndër këto nuk merr pjesë asnji profesionist. As një nga kryetarët e federatave nuk merr shpërblim asnji santim. Këtë mundim e bajnë për qejf dhe për nder të Djelmnisë. Këta të gjithë në rininë e tyne kanë qenë: sportista, foot-bollista, athletë etj... Shkurtazi mund të themi se, në të gjith botën kryetarët e federatave civile janë disa sportista të vjetër amatorë që kanë sot nji pozitë në jetën shoqnore dhe që kanë fitue besimin dhe simpathinë e shokve të tyne të rij. Këta zgjidhen krejtsisht lirisht nga kongreset dhe Qeveria me asnji mënyrë nuk ndërhyn. Në zgjedhjen e kryetarit nuk merret parasysh profesioni. I zgjedhuni mund të jetë nji bujk, avokat, mund të jetë nji gazetar, profesor mathematike ose nji ingjinier hydrolog; mjafton që të ketë dashuni, praktikë dhe kulturë për sport. Kryetari i federatës Athletike Jugosllave asht nji Kirurg dentist i quejtun Dr. Ugrinitch, gjithashtu Kryetar i Federatës Turke asht nji Avokat i quejtun Burhan Felek Bej, kryetari i federatës Greke asht nji Kryetar Bashkije dhe kryetari i federatës Bullgare asht nji pronar, deputet.

Siç shifet organizimi i sportit t’onë civil ka nji ndryshim të madh me atë të botës dhe të fqijve t’onë Ballkanas. Na nuk kemi nji federatë të lirë në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe shumica nuk e kemi kuptue se çfarë gjëje asht nji federatë amatore civile. Në bazë të nji neni të posaçëm të ligjit organik të Ministrisë Arsimit, kryetari dhe nënkryetari nuk zgjidhen lirisht nga amatorët, por automatikisht emnohen prej Ministris Arsimit dhe Shef i Djelmnis Shqiptare, i fundit me cilsi nënkryetari. Kështu nji federatë e lirë civile humbet krejtsisht shpirtin e tij të lirë dhe hapet nji zyrë qeveritare. Sidomos kur në krye janë nëpunsa ligjisht përgjegjës. Anëtarve të tjerë amatorë natyrisht nuk ju mbetet asnji përgjegjsi dhe kështu i gjith ky aparat merr nji formë zyre.

Siç e dimë të gjithë, disa kohë ma parë këtu në Tiranë u ba nji kongres për me organizue nji federatë civile dhe si pjestar janë zgjedh 4 civila prej shokve amatorë, nga të cilët disa sot gjenden nëpër Prefektura të ndryshme. Nji krijesë civile që t’i shembulloj atyne të botës dhe të fqijve t’onë Ballkanas. Federata jonë asht nji bastard që për gjysëm asht trazue me nji zyrë qeveritare dhe për gjysëm me nji organizim sportiv civil.

Në të gjithë botën asht provue se sa ma tepër ndërhyjnë Qeveria dhe organet zyrtare në sportin civil aq ma tepër punimet e kësaj dege shkojnë keq. Në kohët e fundit Turqija ka dashtun me suprimue si shoqninat kulturore ashtu dhe federatat civile, sportive, tue dashtë që të gjitha këto me i futë nën çatinë e “Hallk ovleri”. Mirë po, kjartazi u parapa se sporti do të damtohej dhe kështu federata civile nuk ju aneksue këtyne instituteve popullore.

Na, jemi tue prove se qysh në formimin e Entit Kombtar të 1927-ës dhe n’atë të federatës civile bastarde të 1935-ës, se puna nuk shkon mbarë kur Qeverija ndërhyn direkt në këto punime. Kjo, jo vetëm sikur të shpërndajë këpucë e çorapa foot-balli, por edhe sikur të derdhi flori ndër fusha, prap sporti nuk do të shkojë përpara me qenë se mungon fryma dhe shpirti i vërtetë i sportit. Natyrisht nji trup pa shpirt nuk jeton. Si muzika që asht e muzikantave, si piktura që asht e piktorëve ashtu dhe organizimi i sportit civil duhet të jetë i civilvet! Na kemi vjete me radhë që luftojmë për kët ide dhe dishrojmë që edhe n’Atdhenë t’onë të realizohet nji organizim sportif si ai i gjith botës e jo kështu nji mish-mash. Neve shpesh herë si përgjegje të këtyne idenave na kanë thanë: Doktor, ke të drejtë, mirë po mos harro se këtu jemi në Shqipni e jo n’Europë, na nuk kemi elementet e duhuna dhe jemi popull i vogël.

Qenja nji popull i vogël nuk formon asnji pengim për me krijue nji federatë civile. Nji shtëpi mund të bahet e madhe ose e vogël, por prap se prap asht nji shtëpi, nji maqinë, gjithashtu edhe nji dru molle nund të jet i madh ose i vogël, por prap se prap asht nji dru molle; këtu gjithnji baza nuk ndryshon vetëm sasia e kokrravet d.m.th. randëmani asht ma i madh.

Na nuk duem dhe as nuk kujtojmë që federata jonë të ketë rezultatet e atij t’Amerikës, t’Ingliterës, të Gjermanisë ose atij t’Italisë. Përkundrazi, na dishrojmë të ketë nji rezultat në proporcion të vogëlsisë s’onë. Me gjith kënaqsi pranojmë randemanin që do të jape maqina sportive civile e vogël që do ta vejmë në veprim. Përsa i përket thash e thënave se ndër ne nuk gjenden elemente që mund t’a drejtojnë kët maqinë, kjo nuk i përshtatet aspak të vërtetës dhe asht vetëm nji propagandë e atyne personave që dishrojn me mbajtë në dorë të tyne sportin e monopolizuem.

Nuk asht viti i parë ose i dytë që sporti bahet në vendin t’onë, por ka ma se 20-30 vjet që ky bahet ndër qytetet e poshtë shënueme: Vlonë, Shkodër, Korçë, Durrës dhe Elbasan, në të gjitha këto vende eksistojnë amatorë që merren me sportin civil. Natyrisht në këto qytete ndodhen disa sportistë të vjetër që mund të udhëheqin fare mirë kolegët e tyne të rij. Na përsa i përket këtij problemi jemi interesue këtu në Tiranë dhe kemi gjetun jo nji e dy, por mjaft persona emrat e të cilëve po i rrjeshtojmë këtu poshtë:

Ali Erebara, Anatastas Shundi, Shadan Toptani, Seit Toptani, Nijazi Toptani, Mybareq Toptani, Dr. Prosi, Dr. Jorgoni, Prof. Babamusta, Xheladin Nushi, Dr. Naim Vreto, Asim Jakova, Vasfi Como, A. Luarasi, Ilia Daliu, Agr. K. Kolea, Stas Tirana, Koja etj.

Jemi plotësisht të bindun se me nji mundim të vogël si në Korçë, Shkodër, Elbasan, Vlonë dhe Durrës mund të formohet fare lehtë nji listë e këtillë amatorësh të sportit civil.

Qeveria tue ndërhye gjithnji direkt në punët e sportit civil e ka damtue këtë pse e ka hjekë interesin e amatorëve dhe në kët mënyrë pa dashtun ka bamun damin ma të madh. Përgjegjsinë e merr krejt Qeverija me nënpunësit e sajë, kështu që amatorët ngelin krejt indiferent tue humbun njikohësisht fryma e lirisë për sportin civil. Vite me radhë kemi pa se Enti Kombtar për sport ka harxhue shumë kolosale. Gjithashtu dhe Ministrija e Arsimit ka harxhue me qindra mij fr.ari prap se prap ndër të gjitha shoqninat e Atdheut t’onë nuk shifet asnji aktivitet dhe përkundrazi kanë ngelë shumica në gjininë e Ministrisë s’Arsimit si fëmijë mistrec që nuk rriten. Na kemi qenë dhe gjithnji do të jemi kundërshtar i nji organizatë sportive të tillë, të pashembull në botë. Siç e kemi thanë gjithnji e përsërisim edhe këtu se federatat nuk janë zyra qeveritare dhe se shkresat, vulat, protokolli dhe mandatet janë anmiqtë ma të mdhaj të sportit civil.

Na me këto thanja nuk duem me deklarue se Qeverija nuk ka të drejtë të përzihet në sport dhe se asht i damshëm trazim’ i saj ndër këto punëra. Përkundrazi, Qeverija asht përgjegjse për sjelljet e djelmnisë, për rrugën në të cilën do të udhëtojnë, për mentalitetin, edukatën dhe për kulturën sportive. Me fjalë të tjera ka plotsisht të drejtë të vëzhgojë gjithmonë veprimet e djelmnisë. Mirë po, nga kjo nuk duhet kuptue se ka të drejtë me mbytë me ndërhymjen, e saj lirinë sportive amatore dhe me kontrollue të gjitha detajet teknike. Si në të gjith botën ashtu dhe në shtetin t’onë Qeverija duhet t’a inkurajojë, t’a subvencionojë dhe t’a vëzhgojë gjithmon në mirë-vajtjen e saj federatën civile, me fjalë të tjera kjo nuk lypset t’a bajë vet administrimin e sportit, por këtë duhet t’ja u lejë të tjerëve, por gjithmon nën vëzhgimin e sajë.

Revista “Minerva”, dhjetor 1935
Tema
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi