Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kostaq Duka:Dita e lindjes

Shko poshtë

Kostaq Duka:Dita e lindjes Empty Kostaq Duka:Dita e lindjes

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jun 30, 2009 11:13 pm

Dita e lindjes


Kostaq Duka
Tregim

Aeroplani komod i linjës Tiranë-Vjenë-Chicago pas daljes nga retë e dëndura u nder në një qiell të hapur, të kaltër.
Udhëtarët, që gjatë udhëtimit, orë të tëra mes reve shtëngullore nuk para flisnin, u çelën në fytyrë. Gjallërinë e qeshjen në fytyra e sollën dhe stjuardesat simpatike, që me delikatesë e etikë profesionale nisën të shërbenin ushqimin e drekës.
-Ej, çohu tani, mjaft fjete- i tha gruas së vet,burri i shkurtër , truplidhur,me flokë të dëndura kaçurrela. onde, onde dhe një fytyrë aq cipë kuqe sa të dukej si e porsa dalë nga zjarri i ndonjë furre. E ke të kuqe fytyrën nga që në gjak ke shumë hekur, profetizoi nje ditë një miku i tij zooveteriner që ishte i lexuar dhe i pëlqente të filozofonte. E çuditëshme ne shqiptarët kemi shumë hekur në gjak.Me të mbritur në Amerikë kontrollo masën e hekurit dhe fillo kurën për zvogëlim. Teprica e tij dëmton pankreasin por edhe trurin. “A thua teprica e hekurit mund të jetë shkak jo vetëm i fytyrave te përskuqura por edhe gjaknxehtësisë së ne shqiptarëve?! Të ketë të drejtë veterineri filozof?!”. Këtë pyetje ai e kishte bërë me vetveten disa herë edhe gjatë meditimeve në këtë fluturim të parë me avion, sidomos kur të dy burrë e grua, u përzjenë me pasagjerët e shumtë që hipën në Vjenë. Fytyrat cipëbardha, të verdhëleme ishin dominuese….
Shikoi fytyrën e gruas së vet, paksa të dërsirë,gjysëmmbuluar nga flokët.Kjo tha, ka çehre tjetër. A ndoshta hekuri është i tepruar në gjak vetëm në burrat?...
Përsëriti kërkesën, për përmendjen e gruas me zë më të lartë, sidomos kur shikoi që drejt tyre po afrohej stjuardesa për servirjen e ushqimit.
-Mos bërtit, shyqyr që fjeta pak. Ne stolat e aeroportit të Vjenës, ti gërhisje kurse unë qëndrova qiri.Le që mirë bën. E shikon veten ,ndaj ma ke cipën e fytyrës të kuqe si lëkura e pjeshkës.
Këtë ajo e kishte përsëritur shpesh dhe burri trupngjeshur si prej mundësi e merrte si shënjë ledhatimi e dashurie kurse pas këshillës së prerë së veterinerit filozof nuk para i vinte mirë. Por s’kish kohë të debatonte , stuardesa ishte në këmbë të tyre.
Ushqimi ishte i bollshëm dhe cilësor.
-Do të dëshironit verë, të kuqe apo të bardhë?- tha me një buzëqeshje mbresëlënëse stuardesa.
Kjo ishte një e papritur, jashtëzakonisht e këndëshme aq më tepër që verën ai e kishte shumë për zemër. Edhe pse e dinte se cipa e fytyrës përskuqej e ndizej e përvëluar pas verës së kuqe porositi dy gota me verë.Në djall këshilla tokësore, jemi në qiell tani, i tha vetes.
-Po ti, i tha e shoqja, je në vete, dy gota verë do të pish?!. Mos do të zbresësh në Amerikë i dehur?!
- Për t’u dehur duhen të paktën tre gota, tha ai, por unë këtë gotë e kam për ty.
-Per mua?! Ti e di që unë s’e pi.
-E di por sot do ta pish!
I erdhi menjëherë ndërmënd të thoshte : s’ke provuar ndonjëherë të pish verë në aeroplan kur sytë në ekranin e TV-së kapën momentin e pasqyrimit të lëvizjes në këto çaste mbi oqean dhe datën 14 qershor. Përgjigja erdhi e duhur si të ishte menduar prej kohësh. “Do të pimë për ditëlindjen tënde, sot është 14 qershor. Kjo datë do të kujtohet gjithnjë sepse sot ne po zbresim në Amerikë”
Fytyra e kuqe e burrit të shkurtër u përshkëndit si në një çast solemn, euforik…
Ajo në fillim qeshi trishtuar, pastaj thuajse u zbardh në fytyrë dhe e pa me sy që shprehnin dhimbje dhe një ndjenjë ankthi. Të dukej sikur nga çasti në çast do të shpërthente në lotë. Gota filloi t’i dridhej ndër duar. Me zi mundi ta vendoste mbi suprinën plastike, pranë pjatës me ushqim.
Ai i mësuar me gjendjet emocionale të papritura të saj, heshti dhe nisi të pinte ngadalë lëngun e kuq të magjishëm të verës së kuqe vjeneze. Ku gabova? Tha me vete...Nga i mora dy gota!….Po çë pastaj?!. Stjuardesa gjithë ëmbëlsi të afron verë dhe ti të bësh naze…ja gratë e tjera po pijnë që ç’ke me të, jo vetëm verë…Pa shiko, kjo flokëkuqja, me siguri gjermane, ia ka futur derçe me uiski..Dhe sa e qeshur! Këto gratë tona tërë naze! Por…kjo, ai e dinte, s’e kishte nga përkëdhelitë. Pas kaq vitesh njihte mirë çdo nuancë shpirtërore të saj.Dhe befas e kapi fillin e keqkuptimit dhe trishtimit të saj. S’duhej edhe pse fakt i pamohueshëm t’i kujtonte ditëlindjen, 14 qershorin. Sidomos këtu mbi oqean, mijra kilometra larg vendlindjes, larg të gjallëve e të vdekurve .
Ktheu kokën serioz nga e shoqja. Në fytyrën e saj të bardhë veç trishtimi mund të dukej qartë. Dukej se gjithçka donte ta mbante të fshehtë nën zymtësinë e trishtimit. Dhe ai e dinte. Në këto raste ishte mirë të heshtëte, ta linte të qëtë, të zbrazej në vetvete. Dialogu i hapur veç nervozizëm e merzitje do ti sillte….
Për më tepër jashtë çdo dyshimi shkak ishte përmendja e ditëlindjes së saj. Kishte 20 vjet martuar me të. Ndër këta vite ditëlindja e saj ishte festuar përgjithësisht në përvjetorë.Madje dhe në këto raste pas këmbënguljes sidomos nga ana e nënës dhe vëllait të saj.Tanimë ai ishte mësuar me këtë gjë dhe kur vinte puna përpiqej të tregohej i përmbajtur, pa dhënë moral.
Nuk kishte për të harruar kurrë atë vit të parë të fejesës. Për ditë lindjen e saj bleu një copë të shtrënjtë fustani ngjyrë të kaltër, e dinte që kjo ishte ngjyra e saj e preferuar. Mori dhe një buqetë me lule dhe u nis tërë gaz nga shtëpia e saj. I ra në sy ndryshimi i mjedisit. Në dhomën e miqve, ose te pritjes siç e quanin në këtë qytet juglindor ishte shtruar qilimi me rrota, përgatitur nga gjyshja e të fejuarës. E po kështu ishin ndruar dhe perdet..Por i bëri përshtypje një heshje gati mortore, kur ne sebepe te tilla si ditëlindja e pranishme është hareja e zhurmshme. Në fillim u përshëndosh vetëm me gjyshen, një plakushe e shkurtër, me syze, nën të cilat ishin dy sy të zgjuar të lëvizshëm….
-Erdhe more bir?! Mirëseardhe. Oh, sa lule të bukura- tha ajo dhe e mori buqetën. Vendosi hunden e vockël mes tyre duke e shprehur dukshëm kënaqësinë për aromën që shijoi. Për copën e kaltër, brenda mbështjelljes, nuk u bë kurioze.
Plakë e zgjuar- tha ai me vete.-Psikologe e vërtetë. Di ç’bën e ç’flet….
Ajo erdhi me të ëmën, pak çaste më vonë. Mbi fundin ngjyrë kafe të mbyllur kishte vënë një bluzë të zezë.
Po,kjo – tha me vete- kështu me këtë veshje të vrarë do festojë ditëlindjen?!
Fytyra e saj e zbehtë dhe e trishtuar harmonizohej me vranësinë e veshjes çka tregonte se përzgjedhja s’ishte pa shkak dhe një rastësi.
U çua për ta uruar duke tentuar përqafim, por ajo i dha vetëm dorën. E ëma e ndiqte me sy të rreptë kontrollues ndërsa e gjyshja tha: E moj ç’më rri kështu? Djali ka ardhur për të uruar ditëlindjen. Pa shiko ç’lule të ka sjellë.
Nuk replikoi veç drejtoi një shikim të rreptë nga gjyshja. I nxorrën reçel arre e fiku dhe një felë turtë. Pas kësaj ai e ftoi atë të dilnin.
Ajo nuk bëri zë veç e ndoqi pas e heshtur.S’i durohej sa t’i jepte zgjidhje gjithë kësaj ftohtësie. Një mëndje e keqe i thoshte se mos ndoshta ajo ishte në lëkundje për këtë lidhje mes tyre.Një pjesë të rrugës ecën thuajse pa zë. Ai priste diçka prej saj qoftë edhe një shfrim inatçor. Por jo asgjë. E çoi në restorantin më të mirë të qytetit. Kamarieri , i njohur prej tij, erdhi gjithë energji e buzëqeshje.Duket porositur me kohë për këtë shërbesë ditë lindjeje. U serviri vere Leskoviku. Eshtë më e mira- u tha. E nxjerrim per raste te veçanta. Duke pirë gllënjke pas gllënjkë verë, fytyra i mori një ngjyrë purpuri. Ajo u bë më sentimentale dhe nisi ta shikojë me ëmbëlsi. Ai e kapi këtë dhe brenda vehtes ndjeu lehtësim. Jam i marrë tha asgjë s’ka të bëjë me mua.Vetëm kur i’u afruan derës së shtëpisë, ndërsa ai po bëhej gati të largohej, ajo zbuloi enigmën. Ngjitu lart, duhet të ketë ardhur xhaxhai dhe tetoja, vëllai dhe motra e babait. Keshtu vijnë çdo 14 qershor për të pirë një kafe. Ai u pataks. Kafe për ditë lindjen?!. Ajo nxitoi të shuante habinë. Oh, s’ta kam thënë . Babai, as 45 vjeç ka vdekur në ditën e lindjes sime më 14 qershor. Thuhet atak në zemër, por ka edhe zëra të zhdukjes fizike. Si bir tregtari u luftua tërë jetën e tij të shkurtër. Deri sa ai ishte gjallë ditëlindja ime ishte festë e vërtetë. Vetë ai ishte organizator. Pas vdekjes së tij është hera e parë që unë e festova ditëlindjen.
Vitet shkuan. Gjithnje e gjithnje ai këmbëngulte ne festimin e ditëlindjes. Shpesh duke spostuar dhe datën nga 14 në 15 qershor. Më në fund u arrit një kompromis që së paku përvjetorët të mos shkonin në heshtje….
***Ai e mbaroi gotën me verë nën këtë meditim trishtues. Po bëhej gati të merrte gotën e dytë, kur ajo sikur u përmënd nga një zë i brëndëshëm: “ Ma jep gotën me verë. Të pi për ditë lindjen dhe ardhjen në Amerikë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi