Kongresi i Manastirit
Faqja 1 e 1
Kongresi i Manastirit
KUMTESË ME RASTIN E 100-VJETORIT TË
KONGRESIT MANASTIRIT
(14–22 Nëntor 1908)
Shkruar nga : Mërgim Korça
Të hartuarit e një shkrimi me rastin e 100-vjetorit të Kongresit Manastirit, pa fjalë që është burim emocionesh. Kjo njera anë e realitetit.
Kalojmë tashti tek ana tjetër, ajo që un’e quaj m’e rëndësishmja, mënyra e të trajtuarit të problemit. Normalisht, duke qenë vit jubilar 2008-ta e pikërisht 100 - vjetor i Kongresit, fare mirë mund të bënim një paradë suksesesh me që edhe në fakt ai kongres i tillë edhe qé ! Mirëpo unë, i prirë nga fakti se me marrjen e pushtetit në dorë nga ana e P.K.Shqiptare e cila për 47 vite me radhë erdhi duke i a mohuar kombit tonë vlerat si edhe arritjet e kaluara e gjithashtu në mënyrë sistematike i shfytyroi të vërtetat historike duke krijuar një histori krejtësisht të përputhëshme me parimet e një marksizëm-leninizmi tamam sui generis dhe konform interesave të diktatorit Enver Hoxha, këtë kumtesë dua t’a trajtoj disi ndryshe : mbështetur në faktet e pamjegulluara, të arrihet tek përfundimet ku të çon logjika e ndershme !
Po mbushet dhjetvjeçari i dytë që nga shkërmoqja e sistemit të diktaturës në Shqipëri. Shumë është folur për rishkrimin e historisë si edhe të historisë së letërsisë. Por po aq flasin me një këmbëngulje prepotente të madhe historianët, (që e kishin bërë monopol dhënjen e gjykimeve lidhur me këto tema për 47 vite me radhë), se mbase mund bëhet ndonjë retushim por kurrsesi rishkruarje! E pranojmë për një çast tezën e tyre por jo pa i hedhur një sy trajtimit të Kongresit Manastirit, përgjatë periudhës diktaturës, pa hyrë fare në detaje.
Ndokush nga lexuesit mund të pyesë veten se ç’lidhje i gjej unë zbatimit të marksizëm-leninizmit në rastin e Kongresit të Manastirit. Ja lidhja : Flitej për atë Kongres, por e ashtuquajtura vijë e masave ndër tekste i a kishte këputur kokën Kongresit në fjalë! Kongresi nuk kishte, sipas historianëve komunistë, as nismëtarë kryesorë dhe as drejtues të tij. Sipas historianëve komunistë drejtues të Kongresit ishin veç fantazma se as i zihej me gojë emri Mit-hat Frashërit e as Patër Gjergj Fishtës ! Kurse fotografia e cila i pavdekësoi në lastër fotografike pjestarët e komisionit të atij Kongresi, e bërë nga Kel Marubi, dëshmon krejtësisht ndryshe :
Duke i u referuar historianëve të periudhës së diktaturës që akoma sot duan t’a kenë monopol dhënjen e gjykimeve rreth historisë, e duke u kërkuar ndjesë që po i referohem personalitetit ndër më të mëdhenjt’e Amerikës, Abraham Lincoln-it, Presidentit republikan që njihet si luftëtari i vendosur i lirive demokratike dhe i mënjanimit të skllavërisë, shpallësit të Proklamatës Emancipimit, i cili ka pohuar :
“ Të gjykuarët dhe të vepruarët si demokratë nuk konceptohen dot pa një ndërgjegje historike. Ndërgjegja historike është ndërlidhësja q’e bën të mundur interpretimin e së kaluarës, kuptimin e së tashmes si edhe projektimin e perspektivës të së ardhmes”.
Duke nxjerrë përfundime e duke bërë edhe paralelizmat e duhura, për t’u diskutuar mbetet përcaktimi i drejtuesit të Kongresit Manastirit. Mbas vitit 1991 ka autorë që Mit-hat Frashërin e citojnë si drejtues të punimeve të Kongresit. Ka të tjerë që këtë pozicion i a atribuojnë Patër Gjergj Fishtës. Nga fotografia e bërë aso kohe, për të qenë skajshmërisht objektivë, mund të pohohet se Kryetar i Komisionit të Alfabetit ka qenë Patër Gjergji. Pra, njerës anë të kuadrit të përgjithshëm lënë “mjegullnajë” nga historianët komunistë, i hidhet menjëherë dritë nga vetë fotografia. Ndërsa kush e drejtoi Kongresin, do t’a shohim përgjatë kësaj kumtese. Por pa as më të voglin dyshim si Mit-hat Frashëri e gjithashtu edhe Patër Gjergji ishin shpirti dhe mëndja drejtuese e Kongresit të Manastirit ! Pikërisht këta, të mohuar nga historianët e Akademisë Shkencave të periudhës diktaturës ! Unë e materializoj këtë veprim si veprimi i mediokritetit të historiografisë zyrtare diktatoriale !
Duke menduar se me sa thamë më sipër ësht’e nevojëshme për të përcaktuar se Kongresi i Manastirit, patjetër që duhet ridimensionuar nga ana e historianëve, vijojmë tashti mirëfilli me trajtimin e temës sonë.
E gjithë bëma e Kongresit ishte caktimi i një alfabeti të njësuar. Prandaj si rrjedhojë logjike, qytetari i sotëm e ka vërtet të vështirë t’a përfytyrojë se pse i jepet kaq rëndësi veprës së vetë Kongresit të Manastirit. Kaq rëndësi paska patur caktimi i një alfabeti ? Që lexuesi t’a kuptojë mirëfilli dhe të arrijë të çvendoset në kohë e të jetojë së bashku me pjesëmarrësit e Kongresit në fillimet e shekullit të XX-të, do të sjell disa shëmbuj tejet kuptimplotë, simbas pikëpamjes sime.
Marr guximin të pohoj se, gërshetimi i interesave të shteteve të ndryshme pa marrë parasysh aspak interesat e kombit shqiptar, bënë që historia e ABC-së Shqipe të merrte të tillë rëndësi sa të njësohej me Historinë e Popullit Shqiptar duke zënë bilé vënd parësor në këtë drejtim ! Kjo e përgjithëshmja.
Po t’i kundrojmë doemos sipërfaqshëm, aq sa na e lejojnë kushtet e kësaj analize, dhe t’i marrim në kundrim interesat e shteteve që ndikonin cili më shum’e cili më pak në gjëndjen e krijuar në prag të Kongresit të Manastirit, e duke i diferencuar pastaj interesat e tyre në favor apo në disfavorin e interesave të Kombit Shqiptar, na rezulton se patriotët shqiptarë e kishin tejet të vështirë të orientoheshin e pastaj pa lé të vendosnin lidhur me qëndrimin që atëbotë duhej mbajtur. Dhjetëvjeçari para Kongresit të Manastirit, karakterizohej nga dy pozicionime politike ndaj popullatës thjeshtë shqiptare që popullonte tokat–troje të rrëgjúara tashmë të Dardanisë dhe Ilirisë lashtë. Ato troje qeveriseshin nga Perandoría Turke. Kjo perandori e kish kaluar prej kohe tashmë pikën e apogjeut të saj. Kësisoji ajo, pa as më të voglin dyshim, qé e interesuar që popullatat gege si edhe toske t’i mbante me çdo kusht të përçara dhe arm’e fuqishme në këtë drejtim ishte doemos përçarja fetare ! Kategori tjetër e interesuar në mbajtjen dhe thellimin e kësaj përçarje qé doemos edhe Patrikana e Stambollit ! Kësisoji këto dy njësi përçarëse të kombit tonë vërtet e përdornin fenë për t’ia arritur synimit fundor por, lidhur me një forcë të dytë përçarëse pozicionimet e tyre ndryshonin. Otomanët përkrahnin gjuhën shqipe të shkruar me germat “kërrabore” të turqishtes osmane. Kurse Patrikana mbështeste ABC-në e të shkruarit shqip me germat e greqishtes. Këtu interesat e tyre përçarëse imediate, kur bëhej fjalë për perspektivën, doemos që ndaheshin.
Ndërkohësisht, të interesuar t’a shtonin ndikimin e tyre në këtë rajon, ishin edhe Austro-Hungaria me Italinë. Por edhe këto dy fuqi të bashk’interesuara, gjithmonë të prirura nga interesa si edhe objektiva të tyre të largëta, Kombin Shqiptar jo vetëm që e donin të bashkuar e të papërçarë, por në këtë drejtim atyre u interesonte që edhe ABC-ja e shqipes së shkruar të ishte ajo latinja.
Kjo, me pak fjalë, situata lidhur me interesat ballkanike sa u takonte trojeve të banuara nga Kombi Shqiptar.
Vijon:
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Re: Kongresi i Manastirit
Tashti që ndonëse në mënyrë fare të sipërfaqëshme u krijua ideja se cilat ishin pozicionimet e fuqive të huaja ndaj trojeve si edhe vetë popullatës shqiptare, t’i lemë për një farë kohe jashtë valles të huajt e t’i hedhim një sy se ç’bënin shqiptarët. Për t’a kuptuar se ç’ndjenin si edhe ç’bënin ata që përfaqësonin ajkën e patriotizmës si edhe të intelektualizmës tonë kombëtare të asaj kohe, patjetër që edhe me këtë rast duhet të paraqesim, ndonëse shumë fluturimthi, një kuadër të situatës.
Sipas Faik Konicës i cili më 1891-shin shprehej “... i pari libër në gjuhën tonë dolli në 1635, d.m.th. 256 vjet më përpara, në Romë, prej Frëngut të Bardhë (Dictio-narium Latino-Epiroticum). [Vetë autori më vonë do zbulonte duke gërmuar në arkivat e bibliotekës kombëtare të Francës, veprën e Pjetër Budit”Speculum Confessionis” ose “Pasqyra e të rrëfyemit” të shkruar, me të njëjtin alfabet, në vitin 1621, pra 14 vjet më parë – vazhdon e thotë vetë Konica].
Mirëpo nga ana tjetër, nga një raport i dërguar Mbretit të Francës Philippe De Valois që më 1332 nga frati Dominikan Brocardus ku ai shprehet “... sadoqë Shqiptarët e Veriut kanë një gjuhë krejt të ndryshëme nga ajo e Llatinëve, ata përdorin shkronjat Llatine në librat e tyre ...” bindemi se gjuha e jonë e shkruar është shumë më e herëshme edhe se sa vetë “Meshari” i Gjon Buzukut (që daton 1555, i shkruar me ABC latine por me disa gërma cyrilike) bile edhe se sa “Formula e Pagëzimit” (e cila daton 1462 dhe ruhet në Bibliotekën Laurentiane të Firenze-s) e Palë Engjëllit, Kryepeshkopit të Durrësit. Palë Engjëlli ka përdorur të folmen gege dhe ABC-ja e përdorur është latine. Përgjatë kësaj brazde, pa u shtyrë më thellë në kohë, nuk e le dot pa përmendur se si studjuesi italian N.Borgia pohon se në Bibliotekën Ambrosiana në Grottaferrata gjëndet një dorëshkrim i një cope të Testamentit të Ri që mbrapa ka edhe një këngë Pashke të ritit Bizantin, shkruar toskërisht dhe me ABC greke dhe ky fragment vlerësohet prej studjuesit si së paku gjysëm shekulli më i lashtë se Formula e Pagëzimit ! Në vazhdim pastaj në Jugë të Shqipërisë kemi ABC-në e Gjuhës Shqipe të Anastas Kulluriotit botuar më 1882, e cila ishte me shkronja greke dhe pikësynim kishte shkrimin e Gjuhës Shqipe sipas mënyrës së të folurit të dialektit shqiptar në Greqi.
Kurse shqiptarët e mërguar në trojet e Italisë Jugut mbas pushtimit turk dhe që e quanin veten shkrimtarë Italo-Shqiptarë, ndonëse ishin toskë si edhe të Krishterë-Orthodhoksë, ata në itali e quajtën nga ana fetare veten e tyre “Unitë” dhe përdornin ABC-në latine ! I vetmi q’e ka përdorur ABC-në Greke në veprën e tij Grammatologia Comparata della Lingua Albanese (botur më 1864) ka qenë Dhimitër Kamarda. Megjithatë edhe Kamarda, siç më ka pasë pohuar gjuhëtari i ndjerë Martin Camaj, (i cili fliste me shumë rrëmbim edhe enthuziazëm kur bëhej fjalë për shkrimtarët Italo-Shqiptarë si edhe për veprën Albanische Studien të Profesor Hahn-it), pohonte se në shtesën e veprës vet Kamarda përdori ABC-në latine të Hahn-it por me shkronja greke me shënja dalluese për tingujt e veçantë të shqipes.
Me pak fjalë del e qartë se ABC-të e përdorura nga priftërinjtë katolikë gegë ishin me germa latine si rregull, kurse Buzuku kishte ndonjë ndikim gjuhësor nga “komshinjët sllavë”. Sa u takon ABC-ve të përdorura për të shkruar në të folmen toske, ishin me germa të alfabetit grek. Në përgjithësi shkrimet me alfabet latin u përkasin Shkrimtarëve të Lashtë të Veriut, si rregull të gjithë klerikë katolikë. Veprat e shkruara në toskërisht janë fjalorë edhe libra kishtarë ku botimi i tyre si rregull ka filluar në shekujt e 18-të dhe 19-të. Sipas studjuesit E.Legrand në veprën e tij “Bibliographie Albanaise”(1912), thuhet qart’edhe shkoqur se daç Theodhor Kavaljoti e gjithashtu edhe Mjeshtri Dhanil, ishin klerikë orthodhoksë që kishin studjuar në Voskopojë dhe i kishin hartuar edhe botuar fjalorët e tyre me pikësynimin e qartë të thithjes pjesës toske të Kombit Shqiptar në bashkësinë helene ! Sipas studjuesit të mësipërm, këtë pikësynim e shprehte edhe në parathënjen e fjalorit të tij Mjeshtër Dhanili krejtë hapur tek thoshte se “... qëllim ai kishte helenizimin e popullsive Vllahe, Bullgare edhe Shqiptare”!
Duke i bërë tashti një sintezë gjith’atyre që fluturimthi zumë në gojë, në pragun e Kongresit Manastirit gjëndja ishte si vijon :
- Zanafilla e botimeve në gjuhën shqipe janë veprat e klerikëve katolikë në Kosovë edhe Shqipërin’e Veriut me përqëndrim më shumë në Shkodër. ABC-ja e përdorur : shkronjat latine.
- Pas vdekjes së Skënderbeut, përmes një trysníje të madhe nga Perandoría Osmane për islamizimin e detyruar e të dalngadaltë të shqiptarëve, merr hap pas hapi përdorim ABC-ja me shkronja arabishte ose turqishte.
- Shkrimet e karakterit fetar si edhe fjalorët për popullatën toske shkruheshin me ABC-në greke, nga Grigori i Durrësit (ose Grigor Voskopojari), ose nga Teodor Haxhifilipi me alfabet 52 germash ose edhe Kodeksi i Beratit me alfabet 37 germash.
- Shkrimtarët Italo-Shqiptarë përdornin ABC-në latine.
Pra përzgjedhja e alfabetit latin, arabo-turko apo grek, me sa duket nga të dhënat historiko-kronologjike, deri n’atë kohë ishte e ndërvarur nga natyra e kulturës dhe përzgjedhja e atij që e përdorte ose ... nga trashëgimia kulturore e zonës ku zbatohej ajo ABC !
Me aq informacion sa mund të kishte aso kohe, fakti është se Atdhetarët Shqiptarë po e nuhasnin se Perandoria Osmane kish filluar e tronditej. Kjo situatë u materializua me thyerjen e ushtrive turke nga Rusia gjë që u pranua nga Porta e Lartë me armëpushimin e firmosur në Edrené (31 janar 1878). Kjo solli edhe Traktatin e Paqës firmosur mes Portës Lartë dhe Rusisë në Shën Stefan (3 mars 1878). Rusija fitimtare, duke e vënë në gjunjë Perandorinë Osmane, me atë traktat ligjëroi që 80 % të territoreve Ballkanike t’i kalonin Bullgarisë, Serbisë si edhe Malit të Zi. Në këto kushte Atdhetarët Shqiptarë krijuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1878) për të luftuar kundra vendimeve të Traktatit Shën Stefanit. (Kjo lidhje pati tre vite jetë). Pra çereku i fundit të shekullit XIX-të qe ai kur zgjimi kombëtar edhe lëvizja patriotike e ndjenin veten të materializuar me ABC-në e Gjuhës Shqipe.
Mirëpo jo më shumë por vetëm tri ditë mbas themelimit të Lidhjes Prizrenit, filloi punimet Kongresi i Berlinit i Fuqive të Mëdha, (13 qershor 1878), i drejtuar nga Otto Von Bismark. Pa hyrë në hollësira historike por vetëm që të dihet se të gjitha Fuqitë e Mëdha nuk pajtoheshin me Traktatin e Shën Stefanit jo se donin të mbronin interesat e popullsive autoktone shqiptare trojet e të cilave u jepeshin kryesisht Bullgarisë, (m’e dashura e Rusisë), e pastaj me radhë Serbisë edhe Malit të Zi, (ku edhe Greqija donte t’a kishte pjesën e saj me trojet Epirote), por për interesat e vetë atyre fuqive të Mëdha, e çvlerësuan traktatin e Shën Stefanit.
Në ato kushte Lidhja e Prizrenit dërgon një delegacion në Berlin të kryesuar nga Abdyl Frashëri. Ky i fundit pritet edhe nga vetë Otto Von Bismark-u por esenca e takimit ishte pohimi pa mëdyshje i tij se “... nuk ekziston komb shqiptar ... ata as gjuhë të shkruar nuk kanë ...”.
Tek ky pohim duhet gjetur edhe pika kyçe themelore e cila përpjekjet e Atdhetarëve Intelektualë Shqiptarë për të unifikuar ABC-në e Gjuhës Shqipe e kuptuan se ishte e barazrëndësishme me luftën që bënin çetat e armatosura nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit ! Parë tashti nga ky këndvështrim, duhet kuptuar se ç’rëndësi themelore atdhetare dhe shtetformuese pati nisma për të thirrur Kongresin e Manastirit.
Mbërritur tashti në këtë pikë të analizës, kam shpresë se lexuesit do të ma falin zgjatjen që i bëra hyrjes si edhe trajtimeve historike të ngjarjeve ballkanike dhe më gjerë sepse, pa këtë trajtim nuk do të isha në gjëndje t’a vija në dukje pikërisht madhështín’e përpjekjeve të Atdhetarëve Shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XIX-të për t’a shkruar Gjuhën Shqipe me një ABC të vetme ! Tashmë ngjarjet zhvilloheshin me shpejtësi. Patriotët nxituan të krijonin themelet e ndërgjegjes kombëtare duke propaganduar se shkrimi i Gjuhës Shqipe me një ABC të njësuar do të bënte që ky alfabet të ishte hallka lidhëse e zinxhirit të mbarë shqiptarëve pa dallim feje e as krahine. Si pasojë e rritjes së ndërgjegjes kombëtare edhe në drejtimin e krijimit të alfabeteve shqipe pati një vrull të madh. Në Stamboll, me nismën e vëllezërve intelektualë Frashëri, u krijua një Shoqëri e Botimeve Shqipe e cila në dokumenta arkivale (hulumtuar nga Prof. Stavro Skëndi) gjëndet e emërtuar me tre emra : “Shoqëria Drita”, “Shoqëria për zhvillimin e Gjuhës Shqipe” si edhe “Shoqëria për të Shtypur Shkronja Shqipe”. Kjo shoqëri përdorte ABC-në Latine me disa shkronja greke për tingujt e veçantë. Kjo ABC emërtohej “ABC-ja e Stambollit” ose “ABC-ja e Vëllezërve Frashëri”. Kjo ABC pati rëndësin’e madhe se, falë propagandës kombëtare gërshetuar kjo edhe me veprimet luftarake të forcave të Lidhjes Prizrenit, u përhap në Jugë e duke kaluar nëpër Durrës u shtri edhe në Dibër e Kosovë. Pra kjo ABC, deri në vitet e para të shekullit XX-të përdorej si nga pjes’e popullatës Muslimane e gjithashtu edhe nga ajo Orthodhokse e Jugut.
vijon:
Edituar për herë të fundit nga Epirotarum në Wed Nov 19, 2008 12:49 am, edituar 1 herë gjithsej
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Re: Kongresi i Manastirit
Në vitin e fundit të shekullit të XIX-të, Abati i Mirditës Imzot Prenk Doçi, i mbështetur fuqimisht edhe nga Kleri Katolik Shqiptar, themeloi një shoqëri letrare me emrin “Shoqëria Bashkimi”. Në ato rrethana Abati Doçi krijoi një ABC të tijën me bazë shkronjat latine e për tinguj të veçantë përdori shkronja të alfabetit grek, (por ndryshe nga ABC-ja e Stambollit. Me gjithë përpjekjet e Abatit Doçi kjo ABC nuk u shtri jashtë krahinës Shkodrës, (shkollat e së cilës e përdornin në tekstet e tyre). Më 1902 Dom Ndré Mjeda gjuhëtar edhe poet, themeloi shoqërinë letrare “Agimi” me ABC-në e saj hartuar nga ai vetë. ABC-ja e tij përbëhej nga shkronja latine kurse për tingujt e veçantë ai krijoi shënja dalluese si shtesë gërmave latine. Mendimi patriotik erdhi deri në një farë njësimi mendimesh të pashkruara ku pranohej të gjëndej një rrug’e mesme mes ithtarëve të ABC-së Frashërllinjëve dhe asaj të Mjedës që pranonin të bëhej një ABC kompromisi. Ndërsa Abati Doçi ishte kategorik dhe nuk pranonte lëshime.
Në këto kushte e rrethana, në vitin 1908 në Turqi e marrin fuqinë në dorë të emërtuarit “Turqit e Rinj”. Bashkë me këtë ngjarje dhe trándje të Turqisë prej shekujsh otomane, morën zemër akoma më shumë shqiptarët që e kishin të qartë se mospasja e një ABC-je të njësuar kombëtare ndikonte shumë negativisht në drejtim të ndërgjegjësimit lidhur edhe me vetëdijen kombëtare. Asokohe në Selanik Mit-hat Frashëri, (i biri i Abdylit, themeluesit e drejtuesit kryesor të Lidhjes Prizrenit, si edhe nip i vëllezërve Naim edhe Sami Frashërit), botonte një gazetë me emrin “Lirija”. Nëpërmjet kësaj gazete Mit-hat Frashëri publikoi një “Thirrje” për t’u mbledhur pa vonesë një kongres i cili t’a zgjidhte detyrën urgjente të unifikimit të ABC-së së Gjuhës Shqipe ! Fillë mbas botimit të “Thirrjes” Mit-hat Frashëri i mbështetur nga të gjithë anëtarët e “Klubit Shqiptar Bashkimi” të Manastirit, e filloi punën organizuese dhe arriti që më 14 Nëntor 1908 të mblidhej e të fillonte punimet Kongresi i Manastirit punimet e të cilit i drejtonte vetë nismëtari si edhe organizatori i tij, Mit-hat Frashëri !
Unë i kam vënë detyrë vetes të trajtoj problemet e situatës pararendëse të Kongresit si edhe t’a përqëndroj vëmëndjen e lexuesve rreth zhvillimeve ndërkombëtare q’e ndikuan mbajtjen e Kongresit, kjo për të hedhur dritë se sa rëndësi kishte ai Kongres, pa u ndalur rreth të gjithë momenteve tashmë të njohur rreth zhvillimeve të Kongresit, paraqitur dhe stërparaqitur sa herë përkujtohet ky i fundit, dua të ndalem rreth disa të veçantave të tij. Historikisht të shkruarët e shqipes ishte bërë si në Veri edhe në Jugë nga klerikë që kishin përkthyer materiale kishtare. Mesi i shekullit XVIII-të përkon me nuhatjen patriotike se pa zyrtarizimin e gjuhës së shkruar nuk mund të kishte lëvizje kombëtare. Më 1844 Naum Veqilharxhi krijon një ABC të tijën prej 33 germash dhe boton të parën abetare në Gjuhën Shqipe të cilën e quajti Evetar. Me këtë Evetar mund të themi se e ka pikënisjen në Jugë gërshetimi i ndjenjës atdhetare me ABC-në e shkruar ! Dhe logjikën e kësaj të vërtete e kuptuan mirë ata që më shumë e ndjenin veten të huaj në vëndbanimin e tyre : Intelektualët Arbëreshë ! Kjo edhe arësyeja që i shtyu ata të organizonin dy kongrese gjuhësore, njerin në vitin 1895 në Corigliano Calabro të organizuar dhe drejtuar nga De Rada kurse tjetrin më 1897. Në Shqipërin’e Mesme dhe të Jugut kemi atdhetarët shqiptarë duke filluar që nga Petro Nini Luarasi që fshat më fshat propagandonte Gjuhën Shqipe, ose At Stathi Melanin gjithashtu. Pra kjo lëvizje në të gjithë krahinat që mbas 1912 u quajtën Shqipëri, por e shtrirë që nga krahinat e Malit të Zi edhe Kosovës e nëpërmjet Dibrës deri në Manastir – Kostur edhe Janinë për t’a njësuar alfabetin e Gjuhës Shqipe duke e ndjerë si nevojë kombëtare, pati edhe kundërshtime madhore. P.sh.më 20 shtator të vitit 1892 Peshkopi i Kosturit i mallkoi shkronjat shqipe ! E zumë në gojë se situata ishte sa e turbulltë edhe e ngatërruar lidhur me ABC-në e Shqipes së Shkruar ku me vështirësi të madhe dallohej se cilët e kishin mendimin e njësuar rreth faktit se pa alfabet të Gjuhës Shqipe nuk mund të kërkohej njohje territoriale për shqiptarët si komb, në një kohë që të shkolluar të ndryshëm kishin filluar dhe e kishin si “hobby” hartimin e një alfabeti shqip. Aq erdh e u bë e diskutueshme, sa që një nga personalitetet më me emër si intelektual, poet edhe patriot, Patër Gjergj Fishta, qe shprehur në një poezi të tijën tek vëllimi i tij “Anzat e Parnasit” si vijon :
Për çdo kaçubë na bijnë nga nji letrar,
Qi, ethun trûsh me prralla e me gazeta,
Përfton mâ n’fund e pjell nji Abecedár.
Pjellë mushku po. Por prap Shqipnija e shkreta
Prej sish do t’ndahet n’njaq kortarë e copa
Sá shkolla janë prej A e deri n’Zeta ...
Mirëpo Patër Gjergji në krye të gjërave ishte atdhetar’i skajshëm. Satira e tij ishte satirë edukuese. Prandaj ai, në Kongres, duke e njohur mirë gjëndjen e duke e patur pikësynim rëndësin’e skajëshme që kishte përzgjedhja edhe caktimi i një alfabeti mbarëshqiptar, mbajti një fjalim i cili me plot kuptimin e fjalës mund të quhet Fjalim Monumental. Fryma e tij ishte bashkuese, vëllazëruese. Që në fillim ai u shpreh shumë mirëdashës ndaj ABC-së së Bashkimit. Në vazhdim skaliti në mënyrë patriotike rëndësin’e vendosjes një alfabeti të njësuar dhe e mbylli fjalën e tij duke thënë :
“Un nuk kam ardhë këtu për me përkrahë ndonjênën prej abeceve, por kam ardhë të bashkohem me ju edhe t’a pranojmë at ABC qi Kongresi ka me vendosë si mâ të dobishmen për përparimin e popullit!”
Në vazhdim Kongresi zgjodhi Komisionin e ABC-së prej 11 anëtarësh. Në Komision u synua të përzgjidheshin si anëtarë njerëz nga më intelektualët pjesëmarrës të Kongresit. Dhe siç shihet edhe nga fotografia, kryetar i komisionit u zgjodh Patër Gjergj Fishta që në krahët e tij kishte Mit-hat Frashërin dhe Luigj Gurakuqin. Mbas shoshitjeve mes diskutimesh të zjarrta, komisioni doli para Kongresit me propozimin që mes morísë alfabeteve që qarkullonin, Gjuha Shqipe të shkruhej me njerin prej dy alfabeteve të ngjashëm :
- Me alfabetin e Stambollit që e përkrahën muslimanët toskë M.Frashëri, Shahin Kolonja, (botuesi i Gazetës Drita të Sofjes), Bajo Topulli, Nyzhet Vrioni si edhe prifti katolik Dom Ndrê Mjeda, (ky thjeshtë se ishte kundra alfabetit latin të Abatit Doçi).
- Me alfabetin e ri latin ku tingujt e veçantë të shqipes të shkruheshin me dy germa (digrafí), ABC e cila u përkrah nga gjashtë anëtarët e tjerë të komisionit.
Kongresit vendimi i komisionit i u paraqit nga Mit-hat Frashëri. Patër Gjergji dha shpjegimet teknike të cilat i përmblodhi duke vënë në dukje se për Gjuhën Shqipe mjaftonte edhe ABC-ja e Stambollit por për botime e shtypje librash si edhe letërkëmbime zyrtare telegrafike duhej patjetër një alfabet latin.
Kësisoji mbas tetë ditësh diskutimesh më në fund Gjuha Shqipe u ligjërua të shkruhej me ABC-në e saj latine të përbërë nga 27 shkronja si edhe 9 dyshkronjorë.
Përfundimi me sukses i punimeve të Kongresit të Manastirit mund të quhet me plot gojën se qe edhe guri themeltár që hapte rrugën drejtë krijimit të Shtetit Shqiptar !
Me këtë ligjërim që Kongresi i Manastirit i bëri Gjuhës Shqipe nuk rrij dot pa i vënë në dukje auditorit ndjenjat e dy prej pjesëmarrësve nga më autoritarët e atij Kongresi. Ja si e shprehnin dashurín’e tyre për Gjuhën Shqipe respektivisht :
Patër Gjergj Fishta :
Porsi kânga e zogut t’verës, / Qi vallzon n’blerim të prillit;
Porsi i âmbli fllad i erës, / Q’i lmon gjít’e drandofillit;
Porsi vala e bregut t’detit, / Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,
Porsi ushtima e njaj tërmetit, / Njashtu â’Gjûha e jonë Shqyptare.
Ndërsa Dom Ndré Mjedas shprehej :
Ndër kombe tjera, ndër dhena tjera
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç per ty rreh zêmra e mjera
e prej mallit derdhi lot.
Nji kto gjûhë, qi jam tue ndie
janë të bukra me temel;
por prep këjo, si diell pa hije,
për mue t’tânave ju del.
Konsiderata përmbyllëse : Me këtë rast tashti e ndjej për detyrë atdhetare t’ia rikujtoj lexuesit tezën komuniste enveriane sipas së cilës fund nëntori i vitit 1944 duhej konsideruar si viti “0” në çdo drejtim. Në vazhdim dua edhe t’u rikujtoj se falë fanatizmit partiak të zbatuar në shkencat gjuhësore dhe historike nga shkencëtarët e Instituteve përkatëse dhe Akademia e Shkencave, se si në gjuhësí edhe në histori u punua me këmbëngulje të pafalëshme të krijohej përshtypja se para vitit zero nuk kishim as gjuhësí pa le që letërsia e shkruar u cungua më keq nga ç’e cungoi Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 vetë Gjuhën Shqipe. Kjo mendësí krijoi në vazhdim edhe mjegullimin e Kongresit të Manastirit i cili na paskish qenë vetëm një tubim sa për të caktuar një alfabet (gjë fare ordinere) i cili tubim, bëni hesap, nuk paskish patur as organizator e as kryetar të tij. Prandaj tashti dua të rikujtoj, siç e trajtuam në hyrje, problemin se Fuqit’e Mëdha as i kishin në hesap interesat e Kombit Shqiptar. Gjithsecila syresh ish e prirur të plotësoheshin interesat e saja. Pikërisht nisur nga qëndrimet e tyre, e si pasojë edhe mbas qëndrimeve të Kongresit Berlinit skajshmërisht kundra interesave të popullatave shqiptare të shpërndara nëpër Ballkan, vendimi i Kongresit Manastirit parë nga rëndësia e këndvështrimit Një Komb një Gjuhë, na shpije pa as më të voglën mëdyshje në përfundimin se ky Kongres ishte parapërgatitja e Shpalljes së Pavarësisë dhe se Historia e Popullit Shqiptar mund të njësohet me historinë e ABC-së Shqipe !
Marrë nga www.zemrashqiptare.net
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Re: Kongresi i Manastirit
Blendi Fevziu |
Nga Blendi Fevziu[/size] [/size]Pak kohë më parë, organizatorët e festimeve të Kongresit të Manastirit, një grup trashëgimtarësh ...nipa e stërnipa të atyre që qenë mbledhur 100 vjet më parë në qytetin e famshëm shqiptar të Perandorisë Otomane, më ftuan të merrja pjesë në festime si trashëgimtar i Refik Toptanit, njërit prej përfaqësuesve të qytetit të Tiranës në atë kongres. Duke ju përgjigjur ftesës me shumë kënaqësi, zbulova se në listën e kongresit, nuk qëndronte vetëm ky stërgjysh i imi, foton e të cilit në Kongres isha mësuar ta shihja që fëmijë, të varur në një mur të shtëpisë së vjetër, por edhe një tjetër stërgjysh, Abdyl Ypi, që ishte ulur në atë sallë për të marrë një prej vendimeve më të rëndësishme për shqiptarët: krijimin e një alfabeti dhe një alfabeti latin. I gjendur mes kujtimit të së dyve, në pamundësi për arsye impenjimesh për të qenë në atë sallë në Shkup dhe i mrekulluar nga organizimi, vendosa që pikat e diskutimit tim për atë takim, t’i mblidhja në një shkrim, që sjell gjithë reflektimet për atë moment të rëndësishëm historik për shqiptarët, por edhe më gjerë.
Për shumë ditë gjatë këtij muaji jam munduar të sjell ndërmend rrugëtimin e gjatë të dy stërgjyshërve të mi, njëri nga Tirana dhe tjetri nga Stambolli, drejt Manastirit. Jam munduar të sjell ndërmend kalvarin e gjatë të udhëtimit edhe të së tjerëve, një grushti burrash dhe një gruaje, që qenë mbledhur nga gjithë rrethet e Shqipërisë për të vendosur diçka që 99 % e shqiptarëve as e dinin se çfarë ishte, alfabetin shqip. 100 vjet më pas, rrugëtimi i tyre merr një vlerë edhe më të veçantë, jo thjeshtë për qëllimin që u mblodhën, por edhe për një leksion historik që ne, më shumë se kushdo, duhet ta marrim parasysh. Ai grusht burrash që vinin nga të gjitha qytetet dhe provincat e Shqipërisë të zhytur në injorancë dhe mjerim, vendosi pa asnjë hezitim që Shqipëria jo vetëm të kishte një alfabet, që gjuha shqipe të shkruhej, por të ishte edhe një alfabet latin. Në një moment që Shqipëria ishte thjeshtë një nocion, pa kufij, pa perspektivë, pjesë e perandorisë otomane dhe një vend i dominuar nga orientalizmi 500 vjeçar, ai grup burrash vendosi pa hezitim se e ardhmja e vendit duhej të ishte Evropa Perëndimore dhe vetëm ajo. Ata përcaktuan atë model të vetëm zhvillimi për një vend që thuajse aspak nuk e njihte atë. Në një mënyrë, kam bindjen se ata pak burra pro evropianë dhe pro perëndimorë, një pjesë e të cilëve do të qenë 4 vjet më pas edhe protagonistë të pavarësisë në Vlorë apo në çdo qytet të Shqipërisë, me bindjet e tyre të panjohura për shqiptarët e thjeshtë, përcaktuan rrugën evropiane të Shqipërisë. I dhanë asaj një alfabet latin, një vizion drejt demokracive perëndimore dhe një model zhvillimi si ai i Vjenës, Londrës apo Parisit. Të edukuar në perëndim, ata mund të krahasohen fare mirë me baballarët e pavarësisë amerikane, që hodhën themelet e demokracisë atje, plot 230 e ca vjet më parë.
100 vjet më pas, unë besoj se pavarësisht që ëndrra e tyre nuk është bërë realitet, ajo padyshim që ka triumfuar në Shqipëri. Ne nuk jemi ende pjesë e Evropës së Bashkuar, por e ardhmja evropiane e Shqipërisë është një destinacion 100% i miratuar nga shqiptarët dhe një destinacion pa kthim. Ne nuk jemi sot, ashtu si ata mendonin: si Vjena, Londra, Roma apo Parisi. Nëse një regjim satanik si ai komunist nuk do të kishte pllakosur vendin për 100 vjet; nëse një regjim si ai nuk do ta kishte kërcënuar seriozisht dhe fort ëndrrën e tyre pro evropiane, ne padyshim që do të ishin sot si ata kishin ëndërruar dikur. Por në një vend që ka humbur 50 vjet të zhvillimit të tij në një eksperiment absurd komunist ka gjetur gjithsesi fuqinë të shohë drejt të ardhmes.
Kam frikë se vitet që pasuan kongresin e Manastirit, nuk kanë qenë shumë të këndshme për ta. 4 vjet më pas, ata panë pavarësinë e Shqipërisë, por panë se si troje shqiptare në Kosovë, Çamëri apo në Maqedoninë e sotme mbetën jashtë kufijve zyrtarë. Panë përpjekjet e pafundme për krijimin e një shteti serioz shqiptar dhe konsolidimin e tij. Ata u përpoqën të gjithë bashkë për të, dikush duke dhënë edhe jetën si stërgjyshi im, Abdyl Ypi, që u vra thjeshtë pse ishte organizator i Kongresit të Lushnjës, njërit prej eventeve më të rëndësishme të Shqipërisë.
Sot, 100 vjet më pas, nipat dhe stërnipat e tyre kanë mundësi t’ju thonë, duke ju vënë një tufë lule mbi varr se ajo që ata ëndërruan nuk është aq larg. Shqipëria ka një alfabet, latin si ata e ëndërruan; Shqipëria ka librat, letërsinë dhe kulturën e saj; se Shqipëria është një shtet që aspiron shpejt të jetë pjesë zyrtare e Bashkimit Evropian; se Kosova është sot e pavarur një shtet me një të ardhme të sigurt dhe evropiane, se shqiptarët janë element shtetformues në Maqedoni dhe se shqipja është atje së paku zyrtarisht, gjuhë e administratës. 100 vjet më pas, ne kemi mundësi, por edhe bindjen për t’ju thënë atij grushti burrash, faleminderit për shtegun që na hapët dhe për drejtimin që na dhatë, herët apo vonë, do të jemi atje…
Panorama
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Re: Kongresi i Manastirit
Arben Llalla |
Nga Arben LLALLA
Më 14 deri 22 nëntor të vitit 1908 në qytetin e Manastirit u mbajt Kongresi i gjuhës shqipe. Ky Kongres ka zënë një vend të veçantë në historinë e kombit shqiptar dhe në veçanti në historinë e shqiptarëve të Maqedoni. Rruga e gjuhës shqipe për të ardhur deri në alfabetit e saj të njësuar ka qenë e vështirë. Lufta kundër gjuhës shqipe ka qenë e ashpër. Ky sulm ishte frontal dhe në të gjitha nivelet dhe drejtimet. Fanatikë fetarë ortodoksë dhe myslimanë injoronin gjuhën shqipe, filluan të ndryshonin emrat e fshatrave ku banonin shqiptarët. Osmanët i quanin shqiptarët të “pa fe” dhe të “paudhë”, priftërinjtë grekë e quanin gjuhën shqipe “gjuhë barbare”.
Ligj kundër gjuhës shqipe
Një ligj kundër gjuhës dhe kulturës shqipe ka lëshuar sulltani i Perandorisë osmane më 31.maj.1779, Abdul Hamiti II, ku përcaktohej saktë marrja në mbrojtje nga ana e turqve e kulturës dhe gjuhës greke, dhe se duhej luftuar gjuha shqipe. Ky dokument është nxjerrë nga arkivat greke dhe është botuar në gazetën “Thessaloniki” (14.korrik.1999). Për shekuj me radhë turqit qëllimisht dhe sistematikisht kishin përçarë popullsinë shqiptare në grupe rivalësh, armiqësive fetare dhe zëvendësimin e gjuhës amtare shqipe me gjuhë të huaja. Ndonëse trashëgimia e panumërt e poemave, baladave, përrallave dhe fjalëve të urta ishin përcjellë gojarisht brez pas brezi, qeveria turke i kishte ndaluar rreptësisht botimet në gjuhën shqipe. Kështu që shqiptarët shkolloheshin në shkollat fetare që ishin në gjuhën turke, greke, sllave, italiane, gjermane. Dhe ata që shkolloheshin nuk e dinin mirë gjuhën shqipen. Fëmijët myslimanë duhet të shkonin në shkollën e xhamisë, ku mësonin turqisht, fëmijët e krishterë duhet të mësonin greqisht. Kështu, në ato pak shkolla fillore në Shqipëri, asnjëra nuk përdorte gjuhën shqipe. Propagandistë të djallëzuar përpiqeshin të shkombëtarizonin brezat e ardhshme të rinisë shqiptare.Gjuha shqipe përdorej zakonisht në jetën e përditshme, prandaj arriti të përcillej nga brezi në brez.
Në shekullin XIX interesimi i njerëzve për gjuhën shqipe u rrit shumë dhe brenda pak vitesh u botuan katër gramatika të mira shqipe. Njëra u botua në Firence nga Jeronin De Rada. Tjetra ishte gramatika e gjuhës shqipe në greqisht, e botuar më 1882 nga Kostandin Kristoforidhi. E treta ishte gramatika e Sami Frashërit, e botuar në Bukuresht më 1886, në shqip. Kurse më 1887, Pashko Vasa nga Shkodra botoi në Londër një gramatikë shqipe në gjuhën frënge. Vërshimi i letërsisë kombëtare shqipe në vend sigurisht që inatosi qeverinë turke dhe Kishën Ortodokse greke. Patriarku ortodoks grek lëshoi një mallkim mbi letërsinë shqipe dhe kërcënoi me shkishërim të gjithë ata besimtarë që do të guxonin të mësonin dhe lexonin në gjuhën shqipe. Sulltani urdhëroi të gjitha postat doganore që të mos lejohej asnjë libër në gjuhën shqipe të futej në Shqipëri. Dy armiqtë historikë kundër njëri-tjetrit, tani po bashkëpunonin me zell për përndjekjen dhe burgosjen e gjithkujt që kapej me libra të gjuhës shqipe. Qeveritarët turq me dhunë dhe prifti e hoxha me propagandë demagogjike u përpoqën të përçanin popullin shqiptar dhe ta linin në errësirë. Kështu kleri mysliman proturk në rrugë fetare, ndalonte besimtarët myslimanë të ndiqnin shkollat shqipe bashkë me të krishterët, me pretekstin absurd se “prishin besën”. Nga ana tjetër, priftërinj e dhespotë grekë thonin se vetëm greqishtja është gjuha e perëndisë, kurse shqipja është gjuhë “shejtani” dhe, në këtë mënyrë, përpiqeshin të ndalonin përhapjen e gjuhës shqipe në shkolla, xhami, kisha e kudo.
Atdhetarët dhe persekutimet
[size=12]Por kundër këtyre forcave armike të gjuhës shqipe dhe interesave kombëtare, të turqve dhe grekëve, u ngritën atdhetarët shqiptarë. Ata u vunë në krye të masave popullore dhe i dhanë hov lëvizjes për gjuhën dhe shkollën shqipe. Prijësit e Rilindjes Kombëtare e kishin kuptuar mirë se rruga drejt pavarësisë shkonte drejt arsimit dhe shkollës shqipe. Hartimi i librave dhe çelja e shkollës shqipe u bë problemi më i ngushëm. Qëllimi ishte zgjimi i ndërgjegjies kombëtare dhe për të rritur vullnetin për të luftuar për pavarësinë pastaj. Vala antishqiptare ishte shtuar edhe më shumë rreth fqinjëve tanë mbas formimit dhe programit të “Lidhjes së Prizrenit”. Lidhja kishte si qëllim kryesor çeljen e shkollës shqipe, por me shkatërrimin e Lidhjes, puna e pionierëve të parë të arsimit shqiptar u bë dhe më i vështirë. Në Shkodër qytetarët mund të mësonin në shkollat e klerit katolik, të cilat në sy të qeveritarëve turq, paraqiteshin si shkolla fetare. Mësuesit shqiptarë u bënë pararoja e nacionalizmit shqiptar, atëherë qeveria turke mori frikë dhe, pa u mbështetur në asnjë ligj, mori masa të rrepta duke persekutuar arsimtarët shqiptarë.
Në Shqipërinë e jugut përhapja e arsimit shqiptar kombëtar u pengua edhe nga influenca shkatërruese e propagandës greke. Pothuajse të gjithë ata që çelën shkolla shqipe në jug ishin të fesë ortodokse. Qeveria greke me anë të Patriakanës së Stambollit, “Fanarit” kishin siguruar të drejtën të hapte shkolla për kristianët. Për t’iu mësuar ortodoksëve të Shqipërisë vetëm gjuhën greke. Qeveria greke, me anën të shoqatave arsimore të ndryshme, çeli me qindra shkolla greke në Shqipërinë Jugore, për të futur ndjenjën greke në brezat e padjallëzuar shqiptarë. Shqiptarët e krishterë që nuk iu përulën politikës së Greqisë, u mallkuan dhe u luftuan me çdo mjet. Mbas shumë botimesh, fjalorësh, të cilët, shkollat myslimane kur bënin mësim në shqip i shkruanin me shkronja arabe, shkollat ortodokse greke përdornin në shqip shkronja greke. Dhe atdhetarët klerikë katolikë dëshironin që gjuha shqipe të shkruhej me shkronja latine.
Drejt alfabetit
Gjatë zhvillimit të letërsisë shqipe u hartuan disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll. Megjithatë, mendimi i përgjithshëm ishte se shkronjat jolatine nuk ishin aspak të pranueshme për prodhimin e letërsisë shqipe
dhe gjuhës kombëtare shqipe. Për këtë arsye, shoqëria aktive dhe idealiste “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarëshqiptare. Më 14 nëntor të 1908-s, në Manastir u mblodh “Kongresi i Manastirit” ose “Kongresi i Alfabetit”. Në këtë Kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave, që botoheshin në Selanik, “Liria” dhe “Dituria”. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça, si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në atë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të fesë myslimane, katolikë, ortodoksë, protestantë, të bashkuar si vëllezër, për një qëllim të madh kombëtar. Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit. Kërkesa e nacionalistëve shqiptarë ishte që gjuha jonë shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nënkupton mosnënshtrimin qoftë ndaj turqve, qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja. Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe. Duke qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre, vendosmëria e delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse greke dhe aleati i tyre sllav.
Në Manastir u hap dhe shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregtarësh atdhetarë myslimanë shqiptarë. Shtypshkronja e Manastirit shpejt u bë e njohur në të gjithë Shqipërisë si shpërndarëse e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Në këtë punishte ishin të punësuar 17 veta, të cilët punonin me një makinë të re elektrike, që vihej në lëvizje me dorë, për të shtypur gazetën e përjavshme “Bashkimi i Kombit” si dhe abetaret shqipe dhe tekstet shkollore. Çështja e gjuhës shqipe shpesh bëhej shkas shpërthimin e dhunës së fanatikëve që sulmonin pa mëshirë përparimin e gjuhës shqipe.
vijon
Edituar për herë të fundit nga Epirotarum në Thu Nov 27, 2008 12:16 am, edituar 3 herë gjithsej
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Re: Kongresi i Manastirit
Qeveria turke dhe kisha greke
Më 1909-n, qeveria turke, në bashkëpunim me kishën greke dhe sllavët, mbylli të gjitha shkollat shqipe, dhe dha urdhër të prerë të shuhen në zjarr të gjuha librat, dokumentet dhe letërsia shqipe. Gjendja politike në vend në atë kohë ishte kritike për të marrë flakë nga çasti në çast. Për atdhetarët shqiptarë u bë më se nuk do t’i realizonin dot kurrë qëllimet e tyre të larta pa hapur më parë shkollat shqipe për formimin e rinisë. Deri në atë kohë rinia shqiptare kishte qenë objekt i propagandës së huaj në shkollat e hapura nga qeveria turke dhe nga kisha greke, që të dyja kundërshtarë fanatikë të, gjuhës shqipe dhe të çdo ndjenjë atdhetare. Megjithatë, gjatë punës për krijimin e sistemit të tyre shkollor, atdhetarët shqiptar u ndeshën me tri probleme të mëdha, pengesa nga autoritetet turke dhe greke, mungesa e të hollave dhe mungesa e mësuesve të kualifikuar. Shuma të vogla, por të dobishme të hollash ishin mbledhur aty-këtu brenda vendit, kurse ato më të mëdha kishin ardhur nga shoqëritë dhe klubet shqiptare në vendet e tjera. Mirëpo kishte fare pak mësues të kualifikuar të gjuhës shqipe.
Kongresi i 1909-ës
Për t’i bërë ballë kësaj sfide arsimore, Klubi i Selanikut thirri një tjetër Kongres në Elbasan, në zemër të Shqipërisë, nga data 20 deri 27 gusht të 1909-s. Në këtë Kongres tetëditor, që kishte synim zhvillimin e lëvizjes arsimore anembanë vendit, erdhën delegatë nga 28 shoqëri e klube shqiptare. Në Kongres u vendos që të themelohet “Shkolla Normale në Elbasan”, një shkollë gjashtëvjeçare për përgatitjen e mësuesve të rinj. Njerëz të mësuar në universitetet e huaja europiane u gjetën dhe u caktuan për të formuar stafin pedagogjik. Klubi i Manastirit u caktua si qendra për krijimin e një Federate të Klubeve Shqiptare në Shqipëri dhe në kurbet. Qëllimi i Klubeve ishte përhapja e gjuhës dhe arsimit shqip, pa u përzier me politikë. Klubi korçar “Përparimi” u caktua si qendra financiare, që do të adimistronte ndihmat dhe shtimin e shkollave të ditës dhe të natës. Përgjegjësia kryesore dhe prokupimi i madh ishte mbajtja e Shkollës Normale të Elbasanit. Kongresi i Elbasanit nxiti të gjithë shqiptarët të futnin gjuhën shqipe në shkollat e huaja, të përhapura anembanë Shqipërisë. Më 18 nëntor 1909 u bë thirrja haptazi, “Për mbajtjen e Shkollës Normale të Elbasanit duhen, para, para e më shumë para”. Nuk është e vështirë të përfytyrohet niveli i ulët i jetesës së njerëzve, që u bëhej një propozim i tillë! Mirëpo, me ose pa mjetet e përshtatshme, Shkolla Normale Elbasanit vazhdoi të përgatiste pionierët e arsimit për Shqipërinë që po rilindte. Drejtori i parë i Normales ishte Luigj Gurakuqi, që vite më vonë kjo shkollë u pagëzua me këtë emër. Shkolla Normale u hap më dhjetor të 1909-s, me 143 nxënës. Shpërthimi i shqiptarizmit i kaloi të gjitha parashikimet e armiqve të gjuhës shqipe.
Gazeta, revista dhe arrestime
Në atë kohë dolën në dritë rreth 90 gazeta dhe revista shqipe, që botoheshin në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit. Xhonturqit të frikësuar nga ky shpërthim i shpejtë i arsimit shqip, reaguan ashpër, duke ndaluar shoqëritë, shkollat dhe botimet në shqip. Në Vlorë atdhetarët arrestoheshin dhe internoheshin, shkolla e Vlorës u mbyll, kurse drejtori i saj Loni Naçi u largua nga Shqipëria, nga frika e vrasjes. Në Gjirokastër pionieri i arsimit shqip kombëtar, Koto Hoxhi, u internua në kështjellën e Bosforit. Pandeli Sotiri, themelues i së parës shkollë shqipe në Korçë, u internua në Selanik. Xhonturqit i kishin vënë detyrë vetes për të rrjepur të gjallë të gjithë shqiptarët që punonin për përhapjen e gjuhës shqipe. Dalja në pah e gjuhës shqipe, me shkronja latine, provokoi myslimanët injorantë e konservatorë. Ata protestuan se shqipja, ashtu si turqishtja, duhen shkruar vetëm me shkronja arabe dhe se preferenca e atdhetarëve shqiptarë për shkronja latine perëndimore ishte një përçmim për fenë myslimane. Njërës të paditur dhe injorantë formuan me mbështetjen edhe të qeverisë së xhonturqëve në Stamboll shoqërinë “Mahfeli” me synimin për përçarjen e shqiptarëve dhe frenimin e arsimit në shqip. Në fund të vitit 1909, qeveria turke ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe me shkronja kombëtare, në të gjitha shkollat anembanë vendit. Gjithashtu, nxori një dekret, sipas të cilit gjuha shqipe do të shkruhet vetëm me shkronja arabe. Shoqëria reaksionare “Mahfeti”, me mbështetjen e qeverisë turke, shtypi dhe shpërndau abetaret e para me shkronja arabe. Për këtë arsye, në shkurt të 1910-s, u mbajt në Elbasan një miting proteste, ku 7.000 njërës protestuan kundër përdorimit të shkronjave arabe për gjuhën shqipe. Kështu po atë muaj protestat vazhduan në Korçë, Berat, ku mbi 15.000 veta dogjën në qendër të qytetit abetaret shqiptare me shkronja arabe, të dërguara nga Stambolli. Telegrame të shumta nga shoqëritë shqiptare të Selanikut, Shkupit e Manastirit u shprehën në mbrojtje të alfabetit shqip.
Kongresi i dytë i Manastirit
Në mars të 1910-s u thirr Kongresi i dytë i Manastirit. Aty u vendos që të vazhdojë përdorimi i alfabetit kombëtar me shkronja latine dhe protestat kundër vendimit të padrejtë të qeverisë turke. Gazeta atdhetare “Shkreptina” e Kajros botoi një memorandum të hartuar nga kryengritësit që luftonin në malet e Shqipërisë. Në të theksohej se qëllimi i tyre nuk ishte për plaçkitur apo për të vrarë, por për të luftuar për lirinë e edukimit në gjuhën shqipe dhe me alfabetin kombëtar, lirinë për të hapur të gjitha shkollat shqipe të mbyllura nga qeveria turke dhe vënien në punë të shtypshkronjave, si dhe botimin e gazetave të ndaluara, lirimin e të burgosurve politikë. Dhe përfundonte me mesazhin. “E gjithë bota e qytetëruar dhe veçanërisht qeveria e Perandorisë otomane le ta dijë mirë se të gjithë shqiptarët, gegë e toskë, kristianë dhe myslimanë, nuk do ta pushojnë luftën për këto tri kërkesa, derisa qeveria të na i garantojë ato me siguri”. Edhe në këtë luftë turke, greke dhe sllave, shkolla shqipe doli fitimtare. Me pak mjete dhe mësues, por me dëshirën në shpirt për dituri shkollore shqiptare, midis pengimeve, sllave, greke dhe turke, shkolla shqipe fitoi nga veriu e deri në jug të Shqipërisë dhe përgatiti breza të rinj atdhedashës.
Një zjarr i rrezikshëm
Megjithëse ky revolucion kulturor ishte përfytyruar si një konfirmim jo i dhunshëm, shpejt ai ishte kthyer në një zjarr të rrezikshëm. Që shqiptarët trima si Isa Boletini dhe burri i zoti Ismail Bej Qemal Vlora, do të nxitonin hapat për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor të 1912 në Vlorë. Mbas pak muajsh filloi Lufta Ballkanike dhe Manastiri e Shkupi, dy qytetet historikisht të banuara nga shumica popullsi shqiptare, u pushtuan nga serbët dhe kroatët. Të gjitha dyqanet dhe librat shqip u dogjën dhe shumica e atdhetarëve shqiptarë u therën nga serbët, disa u burgosën. Popullata myslimane shqiptare u detyrua të braktiste qytetin e Shkupit dhe të Manastirit, ata familje ortodokse shqiptare që mbetën aty, me kalimin e viteve dhe me dhunë u asimiluan duke humbur dinjitetin e tyre shqiptar.
G. Shqiptare
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi