Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Nga Mira Meksi: ADIO Vebi Velija

Shko poshtë

Nga Mira Meksi: ADIO Vebi Velija Empty Nga Mira Meksi: ADIO Vebi Velija

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jul 01, 2009 10:48 pm

Nga Mira Meksi: ADIO Vebi Velija




Ka shumëçka për të thënë, për të sjellë në kujtesë për botën Vebi Velija. Gjurmët janë aty, flasin dhe shprehin më tepër se çdo fjalë. E njoha këtu e 16 vite të shkuara, në vitin 1993, kur në një tryezë miqsh, në kafenenë e hotel "Dajtit", takova 45-vjeçarin thinjosh e sqimatar, burrin me papijon dhe llullë, siç zumë ta quanim asokohe, shqiptarin nga Maqedonia, që prej më shumë se njëzet vjetësh jetonte në Zagreb, ku edhe njihej si "shqiptari i Feniksit", restorantit të tij të njohur në zemër të Zagrebit, i cili ishte edhe "streha" e intelektualizmës kozmopolite dhe disidente kroate.

Vebi Velija shpërtheu në një ligjërim të pafund idesh, ëndrrash, ambiciesh, projektesh, - të cilat ngjanin herë-herë ngriheshin në nivele programesh qeverie, pasi përmblidhnin të gjitha fushat, që nga ato të turizmit, të ndërtimit, telefonisë dhe gjer tek ato që lidheshin me energjinë, naftën, hidrocentralet, termocentralet, etj., - dhe idealizmash ekstremë, të veshur me një optimizëm të pashembullt. Që të gjithë e kuptuam se gjendeshim përpara një vizionari, që tërë intuitën e tij e kish drejtuar për nga e ardhmja, një njeriu që ishte gati t'u hynte deri edhe sipërmarrjeve që i kalonin paq forcat e tij, një njeriu të cilin "gjurma" do ta detyronte të ndeshej deri edhe me pamundësitë. Dhe i tillë mbeti deri në fund, kujtoj, i tillë është ngulitur thellë në kujtesën e rrethit të miqve të tij më të afërt, të cilët e thërritën deri në çastet e fundit "babë" apo "bacë", si t'i drejtoheshin jo vetëm një njeriu familjar, por edhe një "patriarku" vizionar. Sëmundja e rëndë kishte nisur ta gllabëronte ngadalë, por "ëndrrat" dhe shpresa për të ardhmen vijonin udhën e tyre: "gjurma" e kish vendosur që të jetonte njëkohshëm në dy botë, në atë fizike, dhe në atë të "vizioneve", duke i ruajtur këto të fundit të paprekura nga rrënimet e trupit. I gjendur nën pushtetin dhe drejtimit të saj, si nën diktatin e një zëri të përtejbotshëm, Vebi Velija vijoi që të fliste për "projekte", "ide" dhe "vizione" deri në ditët e fundit të jetës. Ndërtimi i televizionit "Alsat" është një prej diktateve të kësaj "gjurme", të këtij idealizmi; me hapjen e këtij rrjeti televiziv, Vebi Velija nuk u përpoq që t'u jepej projekteve dhe fitimeve materialiste, por një projekti shpirtëror, idealist dhe atdhetar: bashkimi i shqiptarëve kudo në botë, përcjellja e informacioneve, e shqetësimeve dhe e problemeve, me të cilat përballej vendi i tyre. Kështu që, përpos se një vizionar, Vebi Velija shpalosi edhe shqiptarizmën e tij, dashurinë për këtë vend, të cilën fillimisht e interpretova nën dritën e bindjes se patriotizmi dhe shqiptarizma e kulluar qenë pemë që mbinin dhe rriteshin jashtë kufijve të Shqipërisë; porse kohë më pas, deri në çastet e fundit të jetës së tij, Vebi Velija tregoi vazhdimisht se kjo dashuri për Shqipërinë ishte pjesë e "gjurmës" që kërkonte të linte, pjesë e botës që donte të ishte në përtej-jetë, në kujtesën e të tjerëve.
Ai kishte ambicie; porse ambiciet e tij nuk ishin qëllim në vetvete, pasi përherë pas tyre qëndronte diçka, diçka që lidhej me një lloj prove të dyfishtë, provë ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve, me një lloj diktati: diktati i "gjurmës", që i zbulohej heshturazi dhe i ushqente intuitën, natyrën e tij prej një vizionari dhe ëndërrimtari, me qëllimin e ngulët për të plotësuar identitetin e tij shoqëror dhe kulturor. Ky qëllim ishte një nga provat, një nga sfidat, me të cilat e kishte përballur "gjurma"; Vebi Velija donte të ndërtonte hap pas hapi një "identitet" që ia kishin privuar për një kohë të gjatë në ish-Jugosllavi, ku shqiptarët nuk gëzonin as kushtet më minimale të qytetarit të lirë të një vendi, konsideroheshin, përkundrazi, si qytetarë të dorës së fundit. Ky diktat i "gjurmës", që tek "identiteti" sheh një nga kuptimet e saj më thelbësore, përbënte një nga ambiciet më jetësore të Vebi Velisë, një nga ato ambiciet shpirtërore që të lidhin e të bëjnë universialisht një me vendin tënd. Dhe këtë e mësova qysh në fillimet e punës sonë të përbashkët. Vebiu, - që e njihte mirë mecenatin në kulturë, qe rishtuar në ndihmën që kish dhënë për rindërtimin e shtëpisë së shkrimtarit të madh kroat, Kërlezha, në Kroaci, - i hyn sipërmarrjes së krijimit të një fondacioni kulturor, një institucion që do të mëtonte të ndihte dhe nxiste nismën private në ndihmë të kulturës shqiptare të lënë si jetime e në mes të rrugës ato vite. Tri ishin arsyet kryesore që e shtynë Vebi Velinë në këtë sipërmarrje: bindja se "një popull mund të mbijetojë me fare pak ushqim, por jo me fare pak kulturë"; bindja se vetëm të bashkuar shqiptarët mund të bëjnë përpara për të kapërcyer vështirësitë dhe problemet e tyre madhore, dhe se këtë bashkim mund ta kryente më së miri dhe në mënyrë efikase kultura dhe emancipimi shpirtëror, dhe, së treti, nevoja, diktati i "gjurmës" në lidhje me plotësimin e atij identiteti, të cilin e kishin privuar gjatë kohës së ish-Jugosllavisë. Njerëz të letrave, të artit, kulturës, intelektualë të njohur nga të gjitha trojet shqiptare përkrahën dhe bashkëpunuan me fondacionin kulturor privat shqiptar "Velija", themeluar më 1994-ën, i cili për 9 vjet me radhë mbështeti projekte nga më ambiciozet në kulturën kombëtare, me një buxhet prej 1 milion dollarësh; do desha të përmend Çmimin Ndërkombëtar Letrar Kadare dhe Çmimet Kombëtare Letrare - mendja na shkon vetvetiu tek emrat e mëdhenj të letrave të përbotshme, si Ernesto Sabato dhe Milan Kundera, fitues të Çmimit Kadare.

Vebi Velija do të kujtohet për shumëçka, për idealizmin ngjitës, për natyrën prej vizionari, për bujarinë, por, mbi të gjitha, për sfidën ndaj shoqërisë shqiptare të këtyre viteve të trazuara: në një kohë kur pjesa dërrmuese e kësaj shoqërie po vazhdon të jetojë prej kohësh një krizë identitare, Vebi Velija mëtoi që të rindërtonte, të plotësonte dhe konsolidonte identitetin e tij prej shqiptari. "Lindemi në një mënyrë, në shumë të tjera vdesim", tingëllon një shprehje e urtë latine. Në rastin e tij, ai lindi një shqiptar me identitet të cunguar, dhe vdiq si shqiptar i plotësuar. Sa për vizionarizmin e tij, duhet të them me keqardhje se politika nuk e kuptoi kurrë. Ishte, ndoshta, i vetmi "vizionar" në shoqërinë tonë, në një kohë kur fjalët e Jean Royer-it, ministër i Pompidou-së, tingëllojnë kuptimplote: "Kemi nevojë për misionarë, për pionierë, kalorës, eksplorues, ndërtues. Vetëm me ta do të mund ta shpëtojmë shoqërinë. Për këtë duhet një vizion, nevojiten vizionarë". Dhe Vebi Velija ishte një prej syresh.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi