Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Terminologji

Shko poshtë

Terminologji Empty Terminologji

Mesazh nga Agim Gashi Sun Dec 21, 2008 1:46 pm

Nebi Caka: Standardizimi i terminologjisë së informatikës
Terminologji
Standardizimi i terminologjisë së informatikës
Mosstandardizimi i terminologjisë së informatikës në gjuhën shqipe është duke u nxjerrë telashe jo vetëm gazetarëve, redaktorëve gjuhësorë, autorëve të teksteve profesionale e shkencore, por edhe njerëzve të rëndomtë – përdoruesve të kompjuterit e të Internetit – sidomos mësimdhënësve e nxënësve të të gjitha niveleve të shkollës shqipe
Nga Nebi Caka
Rritja gjithnjë më e madhe e numrit të përdoruesve të kompjuterëve personalë dhe të përdoruesve të Internetit, në të gjitha vendet, e aktualizon gjithnjë e më shumë çështjen e terminologjisë së informatikës, në të gjitha gjuhët. Me zhvillimin e teknologjisë së informacionit rritet dhe numri i termave të krijuar për të shprehur konceptet e reja që kanë të bëjnë me këtë fushë. Këta terma, pothuajse pa përjashtim, krijohen në gjuhën angleze, meqë rëndom vijnë, së bashku me produktet e teknologjisë së informacionit, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat që nga viti 1989 janë superfuqi e vetme hegjemone botërore. Vendet që nuk e kanë gjuhë zyrtare gjuhën angleze, ose duhet t'i pranojnë këta terma ashtu si u vijnë, ose duhet t'i krijojnë barasvlerësit përkatës në gjuhët e tyre lokale, gjë që nuk është punë aspak e lehtë, duke pasur parasysh numrin e madh të këtyre termave dhe shpejtësinë me të cilën ata depërtojnë në secilën gjuhë. Si rrjedhojë, terminologjia e informatikës po bëhet një burim i rëndësishëm për shumë terma që po hyjnë në fjalorin e përgjithshëm të gjuhëve të ndryshme, pra dhe në atë të shqipes.
Anglishtja ngadalë po merr rolin e gjuhës ndërkombëtare, të ashtuquajturës gjuhë botërore, rol ky që disa shekuj e ka pasur para saj frëngjishtja, e para kësaj të fundit latinishtja, e një funksion të ngjashëm, por vetëm në Evropën Qendrore, ka pasur jo aq moti edhe gjermanishtja. Kështu edhe kompjuter, edhe harduer edhe softuer, edhe internet, edhe ueb - po bëhen fjalë ndërkombëtare.
Siç thekson Yves Laroche – Claire në Parathënien e fjalorit të parë në botë të antianglicizmave [një gjini e re leksikografike] "Évitez le franglais, parlez français" (Shmanguni frënglishtes, flitni frëngjisht), të botuar në Paris më 2004: "Nuk kalon ditë pa na ardhur një fjalë a shprehje e re nga matanë Atlantikut".
Përvojat dhe përngjasimet
Shumica e termave të anglishtes që përdoren në Internet ende nuk janë përkthyer në gjuhë të tjera, madje as në gjuhët "e mëdha" (me numër të madh folësish), siç janë kinezishtja e arabishtja apo spanjishtja e frëngjishtja.
As shqipja nuk bën përjashtim për sa i përket shqipërimit të termave të informatikës. Madje ajo qëndron edhe më keq se shumë gjuhë të tjera, përfshirë këtu edhe ato "të voglat" (me numër të vogël folësish).
Pjesa më e madhe e ndërkombëtarizmave në terminologjinë e informatikës janë ose anglicizma të mirëfilltë, ose anglicizma për nga kuptimi që bartin. Më poshtë po japim disa nga ndërkombëtarizmat – anglicizmat më karakteristikë që përdoren në terminologjinë e informatikës në gjuhën shqipe, e të cilëve nuk kanë mundur t'u bëjnë ballë as shumë gjuhë të tjera:
aplet (angl. applet), aplikacion (angl. aplication), asembler (angl. assembler), bajt (angl. byte), bit (nga: binary digit – shifër binare), bus (angl. bus), CCD (nga: Charge-Coupled Device), CD (nga: Compact Disc – kompakt- disk), CD-ROM (nga: Compact Disc - Read-Only Memory), digjital/dixhital (angl. digital), disk (angl. disk), disketë (angl. diskette), displej (angl. display – përshfaq; përshfaqës: ekran), email (angl. e-mail, electronic mail - postë elektronike), font (angl. font), format (angl. format), haker (angl. hacker), harduer (angl. hardware), hipermedia (angl. hypermedia), hipertekst (angl. hypertext), ikonë (angl. ikon), internet (angl. Internet), intranet (angl. Intranet), klient (angl. client), klik, klikoj (angl. click), kodek (angl. codec, nga: coder-decoder), kompjuter (angl. computer), kompakt-disk (angl. compact disk), laser (angl. laser, nga: light amplification by stimulated emission of radiation), meny (angl. menu), modem (angl. modem, nga: modulator-demodolator), monitor (angl. monitor), multimedia (angl. multimedia), portal (angl. portal), piksel (angl. pixel, nga: picture element - element i figurës), ping (angl. ping), printer (angl. printer – shtypës), printoj (angl. print – shtyp), procesor(angl. processor) e mikroprocesor (angl. microprocessor), protokoll (angl. protocol), ruter (angl. router - rrugëzues, server (angl. server - shërbyes), skaner, skanim (angl. scaner, scanning), softuer (angl. software), spam (angl. spam), telnet (angl. telnet), terminal (angl. terminal), ueb (angl. Web, nga: World Wide Web, WWW – rrjet mbarëbotëror), version (angl. version), virus (angl. virus) etj.
Disa nga këta terma do të mund të shqipëroheshin, siç është vepruar më lart me disa prej tyre, dhe sa më parë të bëhet kjo, aq më shpejt do të nguliteshin ata në leksikun e gjuhës shqipe. Vlen për t'u përmendur se madje edhe francezët, jo shumë moti, i kanë përdorur edhe ata anglicizmat hardware dhe software, por sot, pothuajse pa përjashtim, në vend të tyre përdorin termat e krijuar brendapërbrenda frëngjishtes: materiel dhe logiciel, përkatësisht. Po kështu edhe kroatët bëjnë përpjekje që, gjithashtu, në vend të anglicizmave të përmendur të përdorin barasvlerësit përkatës në kroatishte: sklopovlje dhe programska podrška. Sa më parë të bëhet shqipërimi i termave që mund të shqipërohen pa kaluar në purizëm dhe pa rrezikuar funksionimin normal të teknologjisë së informacionit, e duke pasur gjithnjë parasysh se shqipërimi i termave bëhet për të lehtësuar të kuptuarit e nocioneve dhe të koncepteve të një fushe, në këtë rast të fushës së teknologjisë së informacionit, përkatësisht të informatikës aq më lehtë do të pranohen këta.
Standardizimi si nevojë e ngutshme
Disa nga ndërkombëtarizmat – anglicizmat e mësipërm, për nga grafia, nuk ndryshojnë fare, e për nga shqiptimi, fare pak, nga ata të gjuhës burimore (anglishtes), si: bit, font, internet, intranet, modem, monitor, ping, portal, printer, server, spam, telnet, terminal, prandaj nuk paraqesin vështirësi për t'u integruar në gjuhën shqipe. Një pjesë tjetër e fjalëve terma të mësipërme, ndërkaq, nuk ndryshojnë për nga grafia prej atyre të anglishtes, por shqiptohen ndryshe në anglishte, si p.sh.: bus (shqiptohet: bas), e-mail (shqiptohet: imeil), version (shqiptohet: vërshën), virus (shqiptohet: vairës), dhe në raste të tilla mund të vihemi para dilemës se a duhet përdorur trajta e shkruar (anglisht) apo trajta e shqiptuar (po ashtu anglisht) si normë. Në të folur, sidomos në zhargonin e informatikës, por jo rrallë edhe në të shkruar, këto fjalë dhe shumë të tjera, sidomos ato që nuk janë të përdorimit të përgjithshëm, shqiptohen përafërsisht si në origjinal, d.m.th. si në anglisht; kështu thuhet bas për bus, imeil për e-mail, fail për file (shqip: skedar), maus për mouse (shqip: mi) etj. Për termat bus, email, e të ngjashëm, mendojmë që në normë do të duhej ngritur trajta e shkruar (në anglisht), si në rastin e fjalëve – termave: version dhe virus, të cilat janë përdorur në gjuhën shqipe edhe më parë, por jo me kuptimin që kanë në fushë të informatikës. Këtu do të hynte edhe fjala term laser që haset të shqiptohet dhe të shkruhet si lazer (e që në anglishte, ndërkaq, shqiptohet si: leizër), që do të duhej shkruar (dhe shqiptuar) si: laser. Të përmendim këtu se ky parim duhet të vlejë edhe për fjalën term maser (angl. maser, nga: microwave amplification by stimulated emission of radiation), të krijuar po në të njëjtën mënyrë, siç vlen për fjalën term radar (angl. radar, nga: radio detecting and ranging). Sa i përket termit byte të anglishtes, ky tashmë ka hyrë në terminologjinë (e shkruar) shqipe të informatikës si bajt dhe mendoj se duhet të standardizohet si i tillë.
Kur flitet për normëzimin e terminologjisë së informatikës, para së gjithash mendohet në terminologjinë që do të duhej përdorur në punimet shkencore dhe profesionale dhe në tekstet universitare dhe shkollore, por dhe në shtyp e televizion.
Mosstandardizimi i terminologjisë së informatikës në gjuhën shqipe është duke u nxjerrë telashe jo vetëm gazetarëve, redaktorëve gjuhësorë, autorëve të teksteve profesionale e shkencore, por edhe njerëzve të rëndomtë – përdorues të kompjuterit e të Internetit – e sidomos mësimdhënësve e nxënësve të të gjitha niveleve të shkollës shqipe. Prandaj sa më parë duhet t'i qasemi standardizimit të terminologjisë së informatikës. Kjo është nevojë e ngutshme, që nuk pret ditë më të mira.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Terminologji Empty Re: Terminologji

Mesazh nga Agim Gashi Sun Dec 21, 2008 1:48 pm

Versioni "i lokalizuar" i Windows-it
Me standardizimin e terminologjisë së informatikës në vende të ndryshme merren zakonisht institucionet joqeveritare (shkencore, botuese ose arsimore) të cilat me fuqinë e autoritetit të tyre profesional ndihmojnë në njësimin e terminologjisë. Shumë vende janë në fazën e "lokalizimit", ku me lokalizim, sipas LISA (Localisation Industry Standards Association) nënkuptohet "procesi i adaptimit (përshtatjes) të një produkti (shpesh, por jo gjithnjë, të një aplikacioni softuerik ose të një komponenteje harduerike) për të plotësuar kërkesat gjuhësore, kulturore dhe të tjera të një mjedisi rrethues a të një tregu të synuar të veçantë - lokal". Shpesh me lokalizim nënkuptohet procesi i përkthimit të një pjese të softuerit ose të një faqeje ueb (uebfaqeje) nga një gjuhë në një gjuhë tjetër. Për shembull, në Francë njerëzit nuk përdorin të njëjtin version të Windows-it si ai që përdoret në Amerikë. Ata përdorin një version "të lokalizuar", ku komandat, menytë, dhe udhëzimet për përdorim e instalim janë në gjuhën e tyre amtare, në frëngjisht. Franca tashmë ka hyrë në shoqërinë e informacionit, dhe ka hyrë pikërisht në frëngjisht. Por lokalizimi nuk është punë e thjeshtë. Në Poloni, p.sh., në fjalorin e lokalizimit për dy vjet janë ndryshuar 40% të termave. As vendet e tjera, si Çekia, Rumania, Sllovenia, Kroacia etj. që janë duke punuar rreth lokalizimit nuk e kanë më lehtë. Edhe te ne janë ndërmarrë masa që të fillohet me procesin e lokalizimit. Mbetet të shpresojmë se punët do të vejnë mbarë dhe se edhe ne së shpejti do të kemi Windows-in e shqipëruar, siç do të kemi së shpejti edhe Fjalorin anglisht-shqip dhe shqip-anglisht të informatikës (projekt ky në përfundim e sipër i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë).
Botuar fillimisht në shtojcën "Koha për kulturë" Nr. 231, të së përditshmes "Koha ditore" Nr. 2689, f. 29, Prishtinë, 4 dhjetor 2004.
Shënim: Shpresoj se ndërkohë të kenë ndryshuar gjerat për të mirë.
Nebi Caka ka lindur më 1 mars 1946Prishtinë, doktor i shkencave teknike, studiues i diplomuar i Gjuhës dhe Letërsi Shqipe, shqiptarë nga Kosova.
Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka kryer në vendlindje. Është diplomuar, më 1971, në Fakultetin e Elektroteknikës në Banjallukë (Universiteti i Sarajevës), në drejtimin Elektronikë dhe Telekomunikacion dhe, më 1979, në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Studimet pasuniversitare të magjistraturës shkencore nga lëmi i Shkencave Filologjike i ka mbaruar, më 1985, në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, kurse ato nga lëmi i Shkencave Teknike, drejtimi Elektronikë Profesionale dhe Radiokomunikime në Fakultetin e Elektroteknikës në Zagreb, më 1988. Më 3 shtator 2001 ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës, me titull “Zbatimi i procesimit optik të të dhënave për imazhimin dhe matjen e dukurive dinamike biomjekësore”, në Fakultetin e Elektroteknikës në Prishtinë, dhe ka fituar shkallën shkencore Doktor i shkencave teknike.
Më 06 janar 2007 fiton titullin Profesor i asocuar për lëndët “Mikroelektronikë” dhe “Optoelektronikë”, titull i dhënë nga komisioni i Këshillit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Prishtinë.[1]
Aktivitetet shkencore
Nebi Caka është një antarë i angazhuar i rrjetes shkencore në lëmit e studimit të tij. Kështu ai është aktiv në disa nga rrjetat në internet si: Forumit të studiuesve shqiptarë Alb-Shkenca.org; Institutit Alb-Shkenca; Njësisë Operative për Mësim Elektronik për Kosovë (eLearning Task Force for Kosova – eLTFK); Shoqatës së Inxhinierëve dhe Teknikëve të Elektroteknikës të Kosovës; Anëtar i Komisionit për çështje të shqipes standarde, pranë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; Komisionit për transkriptimin e fjalëve dhe të emrave të huaj në gjuhën shqipe, pranë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; Anëtar i Grupit për hartimin e platformës së Enciklopedisë shqiptare, pranë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Tituj të veprave
Si rrjedh e aktivitetit profesional të Nebi Cakës me ashkëpuntorë janë publikuar disa punime shkencore ndër të cila janë dhe këto: Influence of MOSFET parameters on its parasitic capacitances and their impact in digjital circuits”, WSEAS Transactions on Circuits and Systems, 2007 [pranuar për botim] - në bashkpunim me: Milaim Zabelin, Myzafere Limanin, Qamil Kabashin Impact of MOSFET parameters on its parasitic capacitances, WSEAS Conference EHAC ‘07, Corfu Island, Greece, February 16-19, 2007 [pranuar për The use of the fluorescence intensity for a computer controlled lithotriptor, Kërkime 14, ASHAK, 2006 [në botim] - në bashkpunim me Jahja Kokajn Laser lithotripsy using fluorescent spectroscopy ANASh – Approaching Science, ISBN: 0101062006, Viti I, Nr. 1, Qershor 2006, f. 51-53. - në bashkpunim me Jahja Kokajn Shërbimet me vlerë të lartë të shtuar, Instituti “Riinvest”, 2006 - në bashkpunim me : Blerim Rexhën, Xhavit Hadergjonajn Analiza dhe diskutimi i hipotezës së Plankut, Acta Chimica Kosovica, 14(1) 97/104 (2005), Prishtinë 2005 - në bashkpunim me: M. Shena, G. Jashari Llogaritja e tensionit të pragutnë transistorët NMOS me kanal (të gjatë) të induktuar dhe ndikimi i tensionit polarizues ndërmjet soursit dhe nënshtresës (trupit), Kërkime 13, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e eLTF Kosova, Austrian Cooperation, WUS Austria, Prishtinë, 21 prill 2005. Kosovës, 2005 – në bashkpunim me : Myzafere Limanin, Milaim Zabelin Modelet dhe metodologjitë e mësimit elektronik, Seminar për mësimin elektronik, eLTF Kosova, Austrian Cooperation, WUS Austria, Prishtinë, 21 prill 2005.
Terminologjia e informatikës në gjuhën shqipe dhe standardizimi i saj në fjalorë, Konferenca Leksikografia shqipe – Trashëgimi dhe perspektivë, Tiranë, 3 dhjetor 2004.
Zhvillimi i burimeve njerëzore në Kosovë në lëmin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve (TIK) Konferenca e katërt ndërkombëtare e IEME-së, Prishtinë, 7-8 maj 2004.
Kahet e zhvillimit të sistemeve transmetuese në sistemin e telekomunikacionit të Kosovë”, Konferenca Shkencore Zhvillimi i qëndrueshëm tekniko-teknologjik dhe mjedisi (Përmbledhje punimesh), ISBN 9951-85-14-0-1, Shoqata e inxhinierëve të Kosovës, f. 261-268, Prishtinë, 2002 - në bashkpunim me Shkelzen Cakajan
Microscopy of phenomena akin to laser lithotripsy, 19th Congress of the International Commission for Optics (ICO), Optics for the Quality of Life, Firenze, Italy, 25-30 August 2002 - në bashkpunim me: J. Kokaj, M. Mathew
Zbatimi i procesimit optik të të dhënave për imazhimin dhe matjen e dukurive dinamike biomjekësore (Disertacion i doktoratës), Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Elektroteknikës, Prishtinë, 2001.
Gjendja në Sektorin e Telekomunikacionit në Kosovë dhe kahet e zhvillimit të tij”, Konferenca ndërkombëtare Rindërtimi i Kosovës pas luftës (Strategjia dhe Politikat), Prishtinë, 2000; Përmbledhje punimesh, shkurt 2001, ff. 147-159.
The situation of Telecommunication Sector in Kosova and Courses of its Development, International conference “Post-War Reconstruction of Kosova (Strategy and Policies)”, Prishtina, 2000; Collection of Papers, February 2001, pp. 119-133.
Leksiku poetik i Lasgush Poradecit, Seminari 19 ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, UP, Prishtinë, f. 543-551, 2001
Disa aspekte të përgjithshme të hartimit të një fjalori të informatikës në gjuhën shqipe, Këshillimi “Çështje të terminologjisë së informatikës në gjuhën shqipe” – ASHAK, Prishtinë, 14 dhjetor 2000 Hasani
A smart Ho-YAG laser lithotriptor using optical correlation”, Optical Pattern 3386, ISBN: 0-8194-2835-3, Paper nr. 3386-35, p. 301-310, 1998 – në bashkpunim me : J. Kokaj, M. Marafie, Y. Makdisi, K. Bhatia, K. J. Mathew, R. Hasani
Procjena kvalitete helikoidalnih magnetoskopa [The evaluation of helical video- tape recorder performance] (Magistarski rad), Sveučilište u Zagrebu, Elektrotehnički Fakultet, Zagreb, 1988.
Analizë statistike dhe stilistike e gjuhës së Lasgush Poradecit (Punim magjistrature), Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Filozofik, Prishtinë, 1985
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Terminologji Empty Re: Terminologji

Mesazh nga Agim Gashi Sun Dec 21, 2008 1:49 pm

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Terminologji Empty Re: Terminologji

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi