Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Bingo për Fukara

Shko poshtë

Bingo për Fukara Empty Bingo për Fukara

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jul 08, 2009 9:40 pm

Bingo për Fukara


Bingo për Fukara Photo_14


A s’duhet që shteti, përmes mekanizmave të tij ligjorë, t’i stimulojë bizneset për aktivitete humanitare dhe të tjera, gjithkund ku ato në fakt asistojnë Qeverinë në përmbushjen e një interesi publik? Që bamirësia të mbetet e papërlyer nga politika.

Nga Mufail Limani më 08.07.2009 në ora 13:45

Besoj se e dimë të gjithë cili është tash emisioni më humanitar televiziv.
E saktë!
Është ai emision i të dielave, të cilin mileti i pafajshëm e shikon me mindil në dorë.
Me cilin mindil?
Me po atë që bëhet qull i tëri nga lotët që derdhen për dashurinë e Mehmet Kosovës dhe Nermine Hanëmit.
Por, vërtet, a s’duhet ta kesh zemrën prej një guri cinik e të mos të shpërthesh në vaj sa herë sheh një familje të pastrehë që, sakaq, pas një ndaljeje të mrekullueshme të gishtit në listën e pafund, bëhet më shtëpi. Me ushqim. Me rrymë. Madje edhe me orendi.
As përrallë, as beter!
Dhe, krejt falas!
Falas?
Por, për mua, sinqerisht, nuk është problem pse bëhet fjalë për një emision që, shkarazi, reklamon një parti dhe ca biznese.
Në rregull jam edhe me faktin që është emision që reklamon biznese të atij që nesër, sërish, do ta kërkojë shpërblimin me votën tonë.
Vërtet në rregull?
Vërtet!
Sepse, kur munden të tjerët që vet shtetin e Kosovës ta prezantojnë si një produkt të dy-tri firmave private politike, pse s’mundet Pacolli të reklamohet dhe lavdërohet me bamirësinë e tij?
Shkurt, problemi im nuk ka të bëjë me strategjinë e marketingut politik të zotit Pacolli, dhe as me shkeljet eventuale të ndonjë standardi profesional, etik dhe financiar, në anën tjetër.
Ka kush merret me këto gjëra e gjëza.
Kemi Institucione!
Kemi Ligje!
Kemi Qeveri të përgjegjshme!
Edhe Opozitë aktive kemi!
Kemi Shtet!
Apo jo?
E imja është që të them se ai emision skandaloz që atakon publikun me mesazhet më perverse të mundshme, tregon se në çfarë derexhe është katandisur shoqëria kosovare.
Ai është një emision që tregon se të gjithë ne, mengadalë, po e pranojmë se ky shtet as që e ka idenë se është detyrë e tij e ligjshme që të kujdeset për njerëzit në situata ekstreme ekzistenciale.
Ai emision, që është një Bingo për Fukara, vërtet bën me strehë disa familje.
Por, ne e dimë se mbeten me qindra e qindra familje tjera kosovare përreth, që gjenden në kushte po aq mizerable sa edhe ato që i shohim. Tash e tutje, të gjitha ato do të duhej të mendonin se janë ashtu si janë vetëm për shkak se rasti i tyre nuk doli në ekran.
E koklavitur?
Ndoshta.
Por, a s’duhet që shteti, përmes mekanizmave të tij ligjorë, t’i stimulojë bizneset për aktivitete humanitare dhe të tjera, gjithkund ku ato në fakt asistojnë Qeverinë në përmbushjen e një interesi publik?
Që bamirësia të mbetet e papërlyer nga politika.
Më në fund, a s’është - sipas të gjitha normave morale e religjioze, qofshin ato islamike a të krishtera - një paturpësi elementare lavdërimi me bamirësi?
Shkurt, ai është një emision për nasihat!
Sepse, të gjithë neve që e shikojmë atë nga shtëpitë tona na përçon mesazhin se sa të lumtur duhet të jemi pse nuk kemi nevojë për Pacollin dhe, mozomakeq, për ministrin Rashiq!
Por, çka nëse ky lloj i lumturisë arrin të legjitimohet si standard i mirëqenies sociale të kosovarëve?
Keq!
Shumë keq!
Sepse, standarde të tilla të mirëqenies ne kishim edhe para Shtetit, edhe para Pacollit!
...
Sidoqoftë, këtë shkrim nuk mund ta përfundoj pa përmendur edhe diçka nga ai emision i vikendeve tona verore, shikues i të cilit u bëra në mënyrë krejt të rastësishme.
Ishte një pyetje shumë interesante që iu shtrua një gruaje të njohur nga politika.
Pyetja thoshte: ”Si jeni ndjerë kur jeni bërë nënë?”.
Unë kam lexuar, parë e dëgjuar çmos nga ata që bartin mikrofonat në mediat kosovare, por pyetje të tillë, me fuqi kaq të jashtëzakonshme kontemplative, ka kohë e kohë që nuk e kam hasur.
Po tallem?
Natyrisht që tallem.
Çfarë mund të bëhet tjetër?
I ati në dy bordet më të rëndësishme të shoqërisë së Kosovës (RTK dhe UP), i biri që flet në emër të Qeverisë (të cilën e kemi për hasret), dhe tash, në maje të tortës, e bija që vjen me këso pyetje.
Tepër?
Nuk besoj.
Për vete, besoj se ky është vetëm fillimi!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi