Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Fiqri Shahinllari:Thanas Floqi-Bashkëpuntor i Qemalit,jurist, mëses...

Shko poshtë

Fiqri Shahinllari:Thanas Floqi-Bashkëpuntor i Qemalit,jurist, mëses... Empty Fiqri Shahinllari:Thanas Floqi-Bashkëpuntor i Qemalit,jurist, mëses...

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jul 09, 2009 8:32 pm

THANAS FLOQI-BASHKëPUNëTOR I QEMALIT, JURIST, MESUES

Lis në shkëmb -


Fiqri Shahinllari

Në stendat e Muzeumit Kombëtar në Tiranë shoh me vëmëndje
firmëtarët e aktit historik të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Midis firmave të I. Qemalit, L. Gurakuqit e të tjerëve, më tërheq
si magnet firma e Thanas Floqit, vëllait të K. Floqit. Të them të
drejtën diçka ndjeva brënda meje, një ndjenjë krenarije për këtë
floqar që atëhere, atë ditë të 28 Nëntorit historik të 1912-tes, ishte
vetëm 28 vjeç dhe qëndronte pranë plakut mjekërbardhë Ismail
Qemali e afër burrit mustaqezi spicë, Luigj Gurakuqi tek ngrinin
flamurin shqiptar në ballkonin e shtëpisë historike në qendër të
Vlorës. Tashmë e dimë ditën e madje orën, muajin dhe vitin e
lindjes së Thanasit (14 janar 1884) pasi, siç kemi shkruar më lart, na
i tregoi me gëzim e hollësisht i vëllai, Kristua, por duhet theksuar
se e ëma e tyre rridhte nga fisi i dëgjuar korçar i Mitkove.
Thanasi të gjitha shkollat, nga fillorja deri të lartat, i filloi dhe i
mbaroi në Greqi ku edhe u diplomua për drejtësi. Këtë mundësi ia
jepte i ati, Vasili, që atëhere merrej me tregëti. Në moshën 21 vjeç
ai u kthye në Shqipëri e pastaj shkoi në Amerikë, teksa familja e tij
ish kthyer në Korçë. Në SH. B. A takoi shqiptarë të tjerë dhe mori
pjesë në themelimin e shoqërisë atdhetare “Mall i Mëmëdheut” që
më vonë u tret në shoqërinë “Vatra.” Atje u njoh me Sotir Pecin, Fan
Nolin, Kristo Dakon. Pas tre vjet qëndrimi në Amerikë, Thanasi u
kthye në Atdhe, në fillim në Vlorë (1908) dhe një vit më pas shkoi
në Korçë ku u emërua drejtor i një shkolle shqipe me 5 klasë. Botoi
në qytetin e Korçës veprën “Gramatikë e gjuhës shqipe.” Kujtojmë
se ishte viti 1909. Turqit e Rinj vërtet bënë reforma, dhanë liri për
shkolla, për mësimin e gjuhës amtare në vëndet e perandorisë
turke por ata këmbëngulnin që alfabeti të shkruhej me gërma
turko-arabe. Në këtë drejtim u ashpërsua lufta politike, sidomos në
vitin 1910. Thanasit, në këto kushte, iu zymtua puna. Ai, si edhe
patrotët e tjerë donin që alfabeti të ishte me gërma latine, siç kishte
vendosur Kongresi i Manastirit. Bile shumë më parë se Kongresi
i Manastirit, më 6 mars 1879, Komiteti i Stambollit kish miratuar
Projektin e alfabetit kombëtar të gjuhës shqipe bazuar në alfabetin
latin. Ky komitet formoi komisionin ku bënin pjesë patriotët Sami
Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa. Më tej akoma. Në vitin 1887 ishte
hapur Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë e cila kish fizionomi
shqiptare, mbështeste aspiratat dhe idealet për liri e pavarësi,
ishte shkollë laike, mësimi në lëndët kryesore zhvillohej ne gjuhën
shqipe, ajo frekuentohej nga nxënës të pasur dhe te varfër të të dy
besimeve fetare: ortodokse dhe myslimane. E si mund të pranonte
Thanasi që alfabeti të ishte me germa turko-arabe? Kjo nuk mund
të bëhej prandaj kërkoi një vënd pune ku veprimtaria e tij në fushën
arsimore të mos pengohej. Zgjodhi Cakranin e Mallakastrës që
në atë kohë ishte si një krahinë më vete, aq sa atdhetarët e quanin
“Republika e Cakranit.” Me ndihmën e vendasve, aty çeli një shkollë
shqipe në katin e sipërm të një hani. Atje punoi me pasion të madh.
I gëzohej fryteve të punës së tij. Ai tregon me krenari një episod
që e kam përmendur më parë në këtë libër por ia vlen ta përsërit
prapë, tashmë të plotë, pasi episodi është sinjifikativ. Thanasi
shkruan diku: “Duke qënë mësues në Cakran, një ditë prej ditësh
më paraqitet një burrë rreth 30 vjeç, i shkurtër, i zi porsi arap dhe
i veshur me petka kolonjare. Më kërkoi t’i mësonja të shkruante e
të lexonte shqip. Kërkesën ia pranova. Iu përvesha mësimeve me
të madhe dhe ai më rrethoi me një simpati të veçantë. Ishte fillimi i
dimrit kur e njoha dhe i dhashë mësim për muaj me radhë. Por kur
erdhi prilli, ai më njoftoi se do të shkonte. Me atë rast më tha se nuk
quhej ashtu sikurse ish paraqitur, por M. A. Kjo më çuditi pa masë.
Ky emër ishte i dëgjuar si ai i një kusari dhe krimineli në zë. M. e pa
habinë time dhe buzëqeshi. M’u afrua dhe më tha: “Tani s’jam më
ai i pari. Kam ndryshuar. Pak mësime mora por ndryshova, këto
pak gjëra më çelën sytë. Tani e tutje do t’i shoh e do t’i bëj punët si
shqiptar e jo më si kaçak malesh. Ke për të marë vesh!” Me të vërtetë
pas disa kohe dëgjuam të flitej se M. A. kishte shkuar e kishte blerë
në Korçë abetare shqip dhe i kishte shpërndarë ato ndër fshatra, me
qëllim, siç thoshte ai, që djemtë të mësonin shqip”
Pas Cakranit Thanas Floqi shkoi në Vlorë. Në ditët e para
të nëntorit 1912 së bashku me Marigo Pozion e Petro Fotografin
përgatitën të gdhëndur në dru bocën e flamurit që më vonë u
përdor si shtampë në qindra e qindra flamurë të tjerë.
Këtu e shoh me vend të qëndroj pak më gjatë ndaj po largohemi
për një moment nga Thanas Floqi për t’u kthyer përsëri tek ai një
çikë më vonë. Duke u interesuar për të gjetur informacione te tjera
lidhur me figurat e spikatura floqare nëpërmjet shtypit mësova
mjaft gjëra interesante. Përveç faktit që boceta e shqiponjës prej
druri lyhej me bojë të zezë e stampohej edhe në qylafët e bardhë të
lebërve, mësova se pas dy-tre vjetëve të vdekjes së Marigo Pozios u
hodh në dyshim fakti nëse vërtet ishte Marigoja apo ndonjë tjetër,
qëndistari/e i/e flamurit që u ngrit nga Ismail Qemali në Vlorë më
1912. Sikur të mos kisha lexuar se Marigoja ka lidhje me mbiemrin
Floqi, nuk do të zgjatesha fare në hollësitë e mëposhtëme. Marigoja,
siç shkruan shtypi, ishte atdhetare e famshme. Emri i saj lidhet me
flamurin që ajo qëndisi përgjatë gjithë natës dhe të nesërmen ia
dërgoi Ismail Qemalit për ta ngritur në ditën e pavarësisë. Ishte
një grua hollake, me gjatësi mesatare e me fytyrë të ëmbël, nën
rrudhat e së cilës fshiheshin tiparet e një gruaje që kishte qënë e
bukur në të ritë e saj. E zonja në fjalë sa t’ia kthente mëndjen edhe
burrit më me peshë.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Fiqri Shahinllari:Thanas Floqi-Bashkëpuntor i Qemalit,jurist, mëses... Empty Re: Fiqri Shahinllari:Thanas Floqi-Bashkëpuntor i Qemalit,jurist, mëses...

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jul 09, 2009 8:32 pm

Nga një artikull i shkruar nga Jakov Milaj në janar 1938 në revistën
e përmuajshme kulturore “Përpjekja Shqiptare” e themeluar dhe e
drejtuar nga Branko Merxhani, mëson se Marigo Pozio kish vdekur
në Tiranë në gusht të vitit 1932 nga tuberkulozi. Kjo sëmundje i
kish marë më përpara dy vajzat dhe djalin e saj të vetëm po edhe
burrin, dyqanxhiun e pasur Jovan Pozio në Vlorë. Vitet e fundit të
jetës Marigoja ishte verbuar. Për varrimin e saj ishte përkujdesur i
kunati, Kristo Floqi. Në kohën kur filluan të hidheshin dyshimet
për autoren e qëndismës së flamurit shqiptar, ngrihet Kristo Floqi,
ky kunatolli floqar që qënka kujdesur për të gjorën e të verbërën,
në pleqërinë e saj, Marigo dhe thotë se kish shumë dëshmitarë të
tjerë që e pohojnë se Marigoja ishte qëndistarja e Flamurit Kombëtar
Shqiptar. Në fletoren “Arbëria,” K. Floqi shkruan aty nga viti 1936 se
“flamurin Kombëtar që u ngrit për të parën herë e pat “hartuar” me
duart e veta zonja Marigo mbi cohën e blerë te tregëtari Diamanti
sipas modelit të shqipes që kishte vizatuar Dom Mark Vasa me
Petro Fotografin” Midis atyre që kanë dijeni mbi faktin Kristo
Floqi përmënd Lef Nosin, Shefqet Dajin, Thanas Floqin, Qemal
Karaosmanin, Hamza Isan e Ymer Radhimën.
Marigoja ishte me origjinë nga Korça por qe martuar në
Hoçisht me Jovan Pozion.Në një burim tjetër këto ditë (mars 2008)
mësova se Marigoja me të shoqin për shkak të persekutimit nga
osmanllinjtë ishin larguar nga Korça në vitin 1904 e ishin vendosur
në lagjen Muradije të Vlorës. Në shtëpinë e saj hynin e delnin Çerçiz
Topulli, Mihal Gramenoja etj. Korçarja e bukur në këtë lagje u
mor me veprimtari patriotike e me ngjizjen te të tjerët të ndjenjës
së atdhedashurisë me të cilën ishte mëkuar që në fëmijëri. Për t’u
shëruar nga tuberkulozi ajo kish shkuar në Vjenë ku kish takuar
Aleksandër Moisiun. Me artistin e madh, të formatit ndërkombëtar,
kishin shkëmbyer mendime e kishin kujtuar Shqipërinë. Ajo u
varros pranë varreve të familjarëve të saj në Zvernec-thonë-nga një
masë e madhe njerzish vlonjatë. Mirëpo për të nuk u interesua njeri
as në kohën e Zogut as në periudhën komuniste.
Të kthehemi tani te Thanas Floqi. Me që jemi te flamuri dhe
qëndistarja e tij Marigo po e vazhdojme tregimin me flamurin.
Muzikën e këngës “O Flamur i Shqipnisë” e shkroi Thanas
Floqi, tekstin e së cilës e kish bërë Murat Toptani që kish krushqi
me Naim Frashërin. Nga Vlora Thanasi shkoi në Elbasan ku
u emërua gjyqtar. Më 1913, me urdhër të I. Qemalit shkoi në
Shkodër si përkthyes nga anglishtja në shqip, pranë “Komisionit
Ndërkombëtar.” U kthye në Ministrinë e Drejtësisë dhe pas
grushtit të shtetit që organizoi Esat Pashë Toptani, shkoi në Vlorë
e, që andej, tok me Muço Qullin, përsëri shkoi në Shkodër. Më
vonë përsëri në Elbasan si bashkëpunëtor i Aleksandër Xhuvanit.
Vdiq më 1945 në Elbasan. Në emigracion ai shkroi në gazetën
“Kombi” dhe pas kthimit në Atdhe vijoi të bashkëpunojë me
shtypin e kohës sidomos me Gazetat e Korçës. Thanasi themeloi
e drejtoi revistën jetëshkurtër “Donika” -“Sabadua” e cila doli
vetëm në tre numëra: i pari (“Donika” ) më 20 mars 1939, kushtuar
familjes së Ahmet Zogut; i dyti (“Sabadua” ) më 30 prill 1939…
Ishte poliglot i admirueshëm. Dinte greqishten e vjetër dhe
të re, komunikonte në latinisht e italisht, njihte frëngjishten,
anglishten e turqishten, ishte përkthyes, hartues i fjalorit italishtshqip,
mësues i gjuhës shqipe, jurist i diplomuar. Thanas Floqi
i bën nder jo vetëm fshatit nga e kish origjinën por edhe gjithë
krahinës dhe mbarë Kombit. Ai ishte luftëtar i vendosur për
lirinë e Atdheut. Alo Luarasi, shoqëruesi i parë i Safet Butkës,
emigrant politik në Nju York (SH. B. A) më 1993 shkruante: “Në
janar 1943…në Floq ndënjëm disa ditë sepse ishim pregatitur të
sulmonim në Qarr një autokolonë italiane, që do të shkonte, sipas
të dhënave që kishim, nga Korça në Leskovik. Zumë pozicione
në kodrat përpara fshatit. U rreshtuan çeta (nacionaliste-F. Sh) e
Kolonjës si dhe çetat e Goskovës, Dërsnikut, Turanit, Kamenicës,
Myslim Qesarakës me 25 e ca xhandarët e armatosur mirë, bile
edhe me mitralozë, çeta e Qatromit dhe mjaft burra nga Floqi,
midis tyre edhe miku i Safetit, Thanas Floqi...”
Po u tregoj një koinçidencë që rastësisht më ndodhi gjatë ditëve
që hulumtoja në Tiranë fakte e ndodhi për njerëz të spikatur floqarë.
Mora vesh se mbesa e Thanas Floqit dhe bija e avokat Vasil Floqit,
Alma, është gruaja e Bertit, dajës të dhëndërrit tim Arben Zekos.
Përveç Vasilit, Thanasi ka lënë edhe një djalë tjetër, me emrin Agron,
me profesion agronom i cili ka qënë pedagog e ka dhënë mësim për
një kohë të gjatë në shkollën e mesme bujqësore të Fierit.Landa, e
ëma e dhëndrrit tim dhe i vëllai i saj, Berti më dhanë kënaqësinë
të lexoja një cikël poezish me titull : « Muzgje të qeta » të shkruara
dhe të sistemuara nga xhaxhai i tyre, Dionis Miçaço.I lexova me një
frymë dhe shpreha mendimin tim se vjershat dhe poezitë e tij mund
të botohen jo vetëm se ato janë shkruar nga një jurist me shpirt poeti,
i shkolluar në Francë, jo vetëm se ai ka « hequr të zitë e ullirit »
burgjeve dhe kampeve të internimit të diktaturës komuniste, këtu
në Shqipëri si « fajtor me pikpamje socialdemokrate » por sepse
krijimtaria e Dionis Miçaços është e ndjerë, është e vërtetë, ajo të
rrëmben e të « pulit » në muzgjet e qeta të shpirtit të tij të trazuar.
Poezitë e sistemuara në këtë vëllim janë shkruar që nga viti 1929, kur
Dionisi ishte 21 vjeçar, e deri më 1962. Këto vjersha Dionisi i ndjente
dhe « shihte me lot në sy e dëgjonte me zjarr në gjak se si dridheshin
vjershat » që nga ato me motive dashurie e deri te ato me motive
patriotike e historike të shkruara në Bukuresht, Korçë, Pogradec,
Vlorë e Fier. Në vargjet e tij « sheh » hënën e zbehtë pas një lisi që
lëshon rrezet tëpkë si argjënd, trokitjen në dritare të të bardhës hënë
që vjen me shokët yje, ndjen erën e mërgimit e fatin e funduar, botën
hiç, pa vlerë, sheh perëndimin ku dielli vdes valimet, vdekjen që
qesh e ngrirë dhe oh, medet, botën që me padrejtësi u themelua,
këtë botë me shtypje e me afshe egoizmi.Dhe të gjitha këto ndjenja të
holla zemre, prej artisti e krijuesi të vërtetë, Dionis Miçaço i shpreh
në vargje teksa « qepallën ia njom pika e lotit të hidhur »
U kërkoj ndjesë lexuesve për këtë kapërcim, por këtë e bëra në
respekt të Almës, mbesës së Thanas Floqit dhe bashkëshortit të saj,
Bertit e motrës së tij Landës, që janë nipi dhe mbesa e Dionisit...
Rushan beu, Kristo Floqi, Thanas Floqi janë floqarë të kalibrit
shqiptar që dukjen nuk e shndrruan në kult. Është detyra jonë
si floqarë për të venë në dukje këtë cilësi të tyre e veprimtarinë
që kanë zhvilluar. Ata nderojnë fshatin e origjinës së tyre dhe
si të tillë meritojnë vëmëndjen e fshatarëve po e po, por edhe të
krahinës së Korçës e më gjërë, të shoqërisë shqiptare.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi