Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Komente dhe analiza nga autorë të ndryshëm

Shko poshtë

Komente dhe analiza nga autorë të ndryshëm Empty Komente dhe analiza nga autorë të ndryshëm

Mesazh nga Agim Gashi Sun Dec 21, 2008 11:54 pm

Legjenda e qëndresës në burgjet komuniste dënon qëndrimin absurd të opozitës së majtë
Aliko: Persekutorët tanë nuk mund të vazhdojnë si prokurorë e gjykatës
Tomor Aliko, njëri nga intelektualët që provoi burgjet e diktaturës shprehet, se persekutorët e djeshëm që i shërbyen me zell diktaturës komuniste nuk mund të jenë sërish në funksione drejtuese në Prokurori e në Gjykata. Skenaristi i filmit dokumentar skenarist i dokumentarit "Genocidi mbi elitën e kombit shqiptar nën terrorin komunist" dënon qëndrimin absurd të së majtës shqiptare në mbrojtje të ish-agjentëve të sigurimit famëkeq të Sigurimit të Shtetit. Legjenda e qëndresës në burgjet komuniste e konsideron tronditës faktin që edhe pas 18 vjetësh të përmbysjes të sistemit të diktaturës, sërish ish- agjentët e Sigurimit famëkeq janë mobilizuar si asnjëherë për ta penguar hapjen e dosjeve dhe për të mos dënuar krimet e komunizmit.
-Zoti Tomor, këto ditë në Parlamentin shqiptar po shqyrtohet Ligji për hapjen e dosjeve, ligj, që po pengohet nga mazhoranca e majtë. Cili është komenti juaj për këtë çështje?
Ligji për hapjen e dosjeve, jo vetëm që është i vonuar, por ka ndikuar negativisht në ecurinë e proceseve demokratike në Shqipëri. Mbas përmbysjes së mortajës komuniste, e cila për të mbajtur shtetin e diktaturës më këmbë asgjësoi trurin e kombit, atdhetarizmin, fisnikërinë, vlerat intelektuale, hapja e dosjeve dhe ndëshkimi i atyre që i shërbyen me zell atij sistemi ishte domosdoshmëri. Është vërtetë tronditës fakti që edhe pas 18 vjetësh të përmbysjes të sistemit të diktaturës, sërish ish-agjentët e Sigurimit famëkeq janë mobilizuar si asnjëherë për ta penguar hapjen e dosjeve dhe për të mos dënuar krimet e komunizmit.
Ne ish-të burgosurit politikë jemi të bindur tashmë se pengesë në këtë drejtim janë bërë dhe vazhdojnë të mbeten pikërisht ata që i shërbyen me zell atij sistemi. Dhe fatkeqësisht ata kanë mundur të dominojnë politikën sa herë është diskutuar hapja e dosjeve. Mazhoranca demokrate, pas fitores së demokracisë më 1992 bëri disa përpjekje për të miratuar një ligj të tillë, por siç dihet nuk u arrit ajo që kërkohej nga ne ish-të burgosurit politikë. Sipas mendimit tim në atë periudhë '92-'95 ishte plotësisht e mundur të bëhej dhe miratohej qoftë ligji për ndëshkimin e krimeve dhe të genocidit komunist, qoftë ai për hapjen e dosjeve. Ne nuk kemi kërkuar hakmarrje, kemi falur për hir të interesave kombëtare, por kjo nuk do të thotë që ligji të mos vepronte mbi ata që masakruan ajkën e kombit dhe që kryen krimet më monstruoze ku mijëra shqiptarë u ekzekutuan me e pa gjyqe. Nëse do të veprohej që në fillim, xhelatët e Sigurimit famëkeq nuk do të kishin më mundësi të organizoheshin e të përgatisnin rebelimin e armatosur mafiozo-komunist siç bënë në '97. Por këtë të keqe e kemi prezent edhe sot, kur Ramiz Alia e suita e tij gëzojnë liri e të drejta të plota, madje edhe ata që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për krimet montruoze si Femi Abdiu e këlyshët e Aranit Çelës, Spiro Kolekës e të ndonjë tjetri. Ne habitemi se si në këtë vorbull dhe në mbrojtje të mbeturinave të atij sistemi janë shfaqur ditët e fundit edhe disa diplomatë të huaj në vendin tonë.
-Si e vlerësoni nismën për ngritjen e një Instituti Kombëtar për zbardhjen dhe dënimin e krimeve të komunizmit?
Para një viti kryeministri Berisha deklaroi se, qeveria do t'i propozojë Parlamentit ngritjen sa më parë të një Instituti për zbardhjen e krimeve të komunizmit dhe që do të shërbejë si dëshmi e gjallë për dënimin e tyre. Gjithashtu për të përkujtuar gjithë ata persona që u vranë e persekutuan. Ne ish-të burosurit politikë e kemi përshëndetur dhe mbështetur këtë nismë të kryeministrit dhe urojmë, që ky institut të ngrihet sa më parë. Në këtë drejtim vlerësojmë dhe angazhimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
-Zoti Tomor, ju jeni skenarist i dokumentarit "Genocidi mbi elitën e kombit shqiptar nën terrorin komunist". Si është pritur nga publiku shqiptar dhe ai i huaj ky dokumentar?
Ideja për filmin ishte e hershme, por dhe pengesat ishin të shumta, megjithatë dëshira ime u realizua. Falenderoj TVSH dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve për gatishmërinë që treguan dhe mbështetjen që më dhanë për realizimin e këtij filmi që hedh dritë mbi genocidin e pashembullt komunist në vendin tonë. Filmi hedh dritë mbi krimet barbare që u kryen nga fundi i vitit '44 deri në vitin 1951 kur u eliminua truri i kombit shqiptar me gjyqe të montuara politike. Pas promovimit në Tiranë në prani të personaliteteve më të larta shtetërore dhe trupit diplomatik, filmi u shfaq dhe në disa rrethe kryesore të vendit, si Shkodër, Gjirokastër e Vlorë. Është për t'u evidentuar fakti se, pikërisht kur nostalgjikët përpiqeshin të festonin 100-vjetorin e diktatorit Enver Hoxha, ne u gjendëm me këtë film në Gjirokastër, ku morëm urimet më të mira për suksesin e filmit. Dhe jo vetëm kaq. Filmi ka patur jehonë edhe në Perëndim.
Me ftesën e Institutit Kombëtar të Diasporës, në bashkëpunim me Ambasadën e RSH, në Bruksel u organizua shfaqja e filmit dokumentar "Genocidi mbi elitën e kombit shqiptar nën terrorin komunist", film ky që u mirëprit nga bashkëatdhetarët tanë edhe për faktin se u shoqërua me një ekspozitë fotografike me të njëjtën temë. Ne zgjodhën Brukselin, pasi institucionet më prestigjoze europiane që veprojnë atje kanë inicuar dhe miratuar dy Rezoluta që dënojnë krimet e komunizmit.
-Ç'farë synoni për ta ardhmen?
Jemi në përgatitjet e fundit për të realizuar shfaqjen e filmit edhe në disa vende të tjera. Kemi ftesa për këtë nga Kosova, Maqedonia, SHBA e Kanadaja. Sigurisht që ky film do të shfaqet edhe në qytete të tjera të vendit dhe ajo që është më me interes është shfaqja e tij në sallat e universiteteve e shkollave për studentët e nxënësit.

Përgatiti: Halil RAMA - RD
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Komente dhe analiza nga autorë të ndryshëm Empty Re: Komente dhe analiza nga autorë të ndryshëm

Mesazh nga Agim Gashi Mon Dec 22, 2008 12:22 am

Gjyq Rrugës!
Nga Qemal Sakajeva
Vitet, (plot 12), mes 1997 - 2009, i pari, kur mund të mendohej për socialistët, të nisnin rrugën Durrës - Kukës - Morinë dhe, i dyti, kur ajo do të përfundojë së ndërtuari nga demokratët, janë kohë shumë e gjatë e një përplasjeje të kësisojshme: 8 vitet e qeverisjes së majtë u përmbyllën me mashtrimin nën emrin “taksa e solidaritetit“ për rrugën. Është thënë se u arrit të mblidheshin rreth 300 milionë dollarë. Po thuhet që, nuk dihet për çfarë u përdorën ato para. Ajo që dihet nga të gjithë është që, me atë shumë, projekti nuk u përgatit dhe rruga as u nis e as u bitis. Ajo që dihet, gjithashtu, është që, askush nuk dha përgjigje për atë veprim financiar qeveritar. Çështja duket e mbyllur, edhe pse, në raste të caktuara, për kundërpërgjigje, ajo rimerret nga e djathta, për t’i kujtuar të majtës se, qeverisjet e saj e ngritën korrupsionin në sistem dhe korrupsioni i vulosi emrin e qeverisjes së tyre.
Katër vitet e fundit, më saktë tri të plota, nga mandati qeverisës i së djathtës, ndodhi ajo që pakkush e pati besuar si individ, ndërsa e majta nuk duhet ta ketë besuar as si strukturë politike që, rruga Durrës - Kukës - Morinë do të fillonte së ndërtuari e sidomos të përfundojë aq shpejtë, duke pasur si pengesë, diku në mes, edhe hapjen e tunelit të gjatë e të vështirë. Ndoshta, ata kishin të drejtë në mosbesimin e pashpallur, edhe sepse nuk i trashëguan qeverisjes pasuese të djathtë, tri gjëra bazë: as vullnetin ndërtues, as paratë e mbledhura, as mbështetjen për rrugën e përbashkët.
Por, ngjau e papritura. Kryemisitri Berisha pati shqiptuar, gjatë fushatës së zgjedhjeve fituese, të vitit 2005: Rrugën do ta ndërtojmë patjetër! Qeveria e drejtuar prej tij, me vullnete të përbashkuara, vërtetoi vullnetin qeverisës, gjeti paratë dhe po u jep shqiptarëve, në të dy anët e kufirit, dhe jo vetëm atyre, rrugën e krenarisë së njëmendtë, e cila kundrohet e gjykohet me kërshëri e vlerësim edhe në rrafsh ballkanik, si për nga fuqia jonë ndërtuese ashtu dhe tejshikimi i proceseve të ardhshme, që marrin jetë edhe prej saj. Ndërtimi i shpejtë i rrugës pati tre faktorë të mëdhenj përcaktues: ardhjen në pushtet të së djathtës, kompaninë e njohur amerikane “Bechtel”, fituese e së drejtës për të ndërtuar pjesën më të vështirë, dhe shpalljjen e Kosovës shtet.
Të dy kohët përplasen ashpër: 8 vitet e qeverisjes së majtë - Mashtrim financiar kolektiv me rrugën, 4 vitet e qeverisjes së djathtë - Mbajtje e fjalës së dhënë për rrugën. E majta mundohet t’i shpëtojë skualifikimit tronditës nga kjo vepër madhështore, ndaj të cilës nuk mund të heshtet. Ajo ka ndërtuar strategji të dyfishtë, për të dalë nga rënia e thellë e për të nxjerrë ndonjë përfitim politik për ngritje. Rruga, prej tyre, po quhet e vjedhur. Qeveria, ndërtuese e rrugës, prej tyre po quhet, vjedhëse. Kjo përpjekje e stërmundimshme e saj ka përfshirë politikën, drejtësinë, mediat, njerëzit e zakonshëm. Por, sa më i përndezur bëhet sulmi, sa më shifra të mëdha thuhen, sa më fort këmbëngulet që goditja të përqendrohet në një apo dy emra - aq më politikisht lexohet motivi luftarak i opozitës, e cila do të ndjehej e fituar, në prag të zgjedhjeve, duke ëndërruar tri përfitime: sikur një ministër të mund të burgosej për korrupsion; sikur një qeveri të cilësohej e korruptuar; dhe, sikur kryerruga e shqiptarëve të cilësohej e vjedhur.
Është jashtë çdo përfytyrimi ta shndërrosh këtë vepër gjigande për Shqipërinë, në një çështje të nëpërkëmbur të një ministri. Arsyeja është se e majta nuk donte të ndërtohej rruga dhe, shenjë e pezmit të madh është që, ndërsa ajo po përfundon, drejtuesit e saj nuk kanë shkelur ende në ato vise, për të parë në vend ndërtimin e korridorit të madh ndërshqiptar. Edhe pak muaj dhe do të shohim që, të gjitha do të harrohen, por dy gjëra do të mbeten: Rruga Durrës - Kukës - Morinë si vepër e papërsëritshme e ndërtuar nga qeveria e djathtë dhe Gjyqi kundër Rrugës Ndërshqiptare, i kërkuar nga opozita e majta.
Kjo të kujton një ateist të rreptë, gjatë diktaturës, i cili shkroi librin, “Gjyq Zotit”, dhe që, pas botimit, i vetëkënaqur e me vetëmburrje tha: Kaq munda, kaq bëra!

G. 55
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Komente dhe analiza nga autorë të ndryshëm Empty Re: Komente dhe analiza nga autorë të ndryshëm

Mesazh nga Agim Gashi Mon Dec 22, 2008 12:24 am





Komente dhe analiza nga autorë të ndryshëm U1_VetonSurroi
Veton Surroi
Si e zbuluan merluci dhe harenga boten e re
Nga Veton Surroi
1.
Peshku të cilën e sillte i ati në shtëpi, atje në Shkodër, i kishte mbetur në kujtesë të thellë Skënder Gjinalit, një njeriu që kishte natyrë gëzimi. E shikoja me sytë e fëmijës, më vonë të adoleshentit, ndërsa tregonte rrëfimet që për mua ishin shndërruar pothuajse në një shirit filmik. Në të, në shirit, do të shihja fytyrën e tij të buzëqeshur, buzëqeshjen e një njeriu atletik, të veshur me modën italiane të fundit. Në rrëfimet e tij dhe të tjerëve për të, herë do të ishte futbollist në Shkodër e Tiranë, herë do të gjendej në Itali ("gjatë okupacionit", do të përsëriste gjykimin e tij për atë periudhë kur mund të lëvizte lirshëm edhe për në Kosovë), herë do të kalonte netët në shtypshkronjën e "Rilindjes" në Prishtinë, duke pritur gazetën e nesërme, apo librin ende të padalë, herë do të jetë njeriu simpatik dhe nervoz, që do t‘u bërtiste pothuajse të gjithë lojtarëve (posaçërisht atyre shqiptarë) të klubit futbollistik "Prishtina" për paaftësinë e tyre që të mbërrijnë aty ku duhet, në Ligën e Parë.
Peshku, megjithatë, ishte diçka tjetër. Në shiritin filmik të kokës sime, rrëfimi për peshkun ishte rrëfimi i një oficeri patriot shqiptar, babait të Skënder Gjinalit, i cili në tollovinë e viteve të para të shtet-ndërtimit të Shqipërisë, mezi mbërrinte të ushqente familjen. Në atë skamje do të mbërrinte me një mbështjellë letre, me peshq nga liqeni i Shkodrës; në mungesë të mishit, bulmetrave e yndyrave, peshku i ardhur nga liqeni do të fitonte dy simbole. Një, atë të gëzimit familjar me një ushqim që do të mbahet mend (aq sa edhe unë të dëgjoj për atë gëzim, pothuajse në shekullin tjetër). Dy, atë të modestisë (përuljes, ndoshta) që fitohej nga rrëfimi për aktin e sjelljes së peshkut.

2.
Vite më vonë përulja do të merrte dimension religjioz, lexuar në kontekstin e vet biblik. Peshku ishte, do të kuptoja më vonë, simbol i vetë Jezu Krishtit dhe ithtarët e tij do të shprehnin rezistencën ndaj pushtuesve romakë, duke vizatuar shenjën e peshkut. Pas vdekjes së tij, Jezu Krishti, në rrëfimin biblik, do të rishfaqej para apostujve, të cilët ishin që të gjithë peshkatarë dhe do t‘ua mbushte rrjetat e tyre me peshq, duke i "ushqyer nga trupi im". Dhe, për mbi dy mijë vjet, fillimisht të gjithë të krishterët e pastaj katolikët e ortodoksët e disiplinuar do t‘i përmbaheshin ditës së premte si ditë ku hahej peshku (assesi jo mishi). E njëjta gjë do të ndodhte gjatë 40-ditëshit të së Kreshmëve, para Ditës së Pashkëve. Një të premte, para mbi dy mijë vjetësh, do të vdesë i kryqëzuar Jezu Krishti, e do t‘u thotë ithtarëve të tij se do t‘i ushqejë me trupin e vet. 40-ditëshi i Kreshmëve, ndërkaq, do të jetë një kujtim për rrugën e agjërimit të Jezu Krishtit nëpër shkretëtirë.
Vendimi i kishës katolike (më vonë këtë parim do ta ruajë edhe kisha ortodokse dhe ajo protestante pas reformimit të Martin Luterit) që e premtja të jetë ditë peshku, së bashku me 40-ditëshin e Kreshmëve, i shërbeu antropologut amerikan Brian Fagan që të shkruajë një libër krejtësisht të parëndomtë (përmban edhe receta gatimi peshku) me titull "Peshk të premteve" (Basic Books, New York, 2006) dhe në të të elaborojë tezën e tij bazike: duke ndjekur peshkun, Evropa Perëndimore mbërriti të zbulojë Botën e Re, Amerikën.

3.
Pushteti i Zotit dhe ai i Shpatës u bashkuan për ta kodifikuar të premten si ditë peshku, përshkruan antropologu Fagan. Rendi i Benediktinëve, më 530, shndërroi në ligj të vetin dietën pa mish dhe kjo u përhap edhe në rende të tjera, gjithandej murgjve evropianë. Sharlëmanji, ndërkaq, me shpatën e tij, kur i mundi saksonët, ende të pakonvertuar, kishte një recetë të thjeshtë me fjalimin e tij të shkurtër "Çdo njeri duhet t‘i shërbejë Zotit"; saksonët do t‘i përmbaheshin rregullës së peshkut të premteve dhe për Kreshmë, ose do të vriteshin.
Dhe, rregulli u zbatua, duke krijuar disa lëvizje ciklike të historisë. Në njërin prej tyre, deri më shekullin X, do të zbulohej se për vendbanimet që ishin larg detit do të ishte vështirë të sigurohej peshku i obligueshëm i të premtes dhe filluan fermat e para në ujë të ëmbël, duke përfshirë edhe fermat e ngjalave, që së shpejti fituan në popullaritet. Në tjetrin, pas shekullit X, ndryshimet klimatike në Evropë, shpërthimi i rritjes së popullatës dhe obligimet e vendosura nga kisha katolike e shndërruan peshkimin në një industri ndërkombëtare.
Dhe, këtu fillon një garë mes dy llojeve të peshqve që do ta ndryshojnë historinë e botës. Roli i parë i takon merlucit të Atlantikut. Në ishujt Lofoten të Norvegjisë do të zbulohet se rrymat e Atlantikut marrin një kahje të ngrohtë, aq sa për të rikthyer merlucin pas shtatë a tetë vjet rritjeje në Detin e Barentsit. Peshkatarët në këtë ishull, në shekullin IX bënë zbulimin epokal; ua hoqën kokën merlucëve të zënë dhe i lanë të thahen në diellin dhe erën e prillit, të ngrohtë aq sa peshqit të mos ngrihen, të ftohtë aq sa mos t‘i lejojnë mizat t‘u afrohen. Ky zbulim bëri revolucion në konservim të peshkut; kriposja e deriatëhershme ose kishte dëmtuar peshkun, ose e bënte të përdorshëm vetëm për një kohë të shkurtër. E tharë në erë, merluci ruante vlerën e tij ushqyese (një kilogram e tharë sa pesë të freskëta) dhe mund të transportohej lehtë.
Dhe, ashtu sikurse tha Napoleoni, se "ushtria udhëton me stomakun e vet", edhe ushtritë e popujve të Veriut filluan të lundrojnë drejt Perëndimit, duke shfrytëzuar shkathtësitë e tyre naviguese dhe kuvertat e mbushura me merluc të tharë, të mjaftueshëm për ekspedita shumëmuajshme. Sulmet ndaj ishujve britanikë qenë të përhershme, pak në kërkim të peshkut, pak në kërkim të plaçkitjes e në vitin ‘990, Leif Eirikson, me tridhjetë ushtarë të tij mbërrin në atë që pastaj do të quhej kontinenti amerikan.
Roli i dytë i takon harengës. E quajtur si "milingona e detit", harenga ishte e bollshme në det, por problematike për t‘u konservuar, gjersa në një gadishull danez, përballë Gjermanisë nuk u gjet një formë e butë e kriposjes, që do ta ruante pastaj peshkun në sallamurë për një vit. Ky ishte momenti tjetër kthesë, ku peshku i detit u industrializua dhe mbërriti deri te konsumatori, thellë në pjesën kontinentale. Madje, ky industrializim krijoi edhe shoqëritë monopoliste, siç ishte ajo e Lidhjes Hanseatike, që dominuan sa tregtinë aq edhe politikën e asaj kohe.
4.
Dhe ciklet do të vazhdojnë. Më shumë nevojë për peshk do të thoshte më shumë anije peshkimi, më shumë industri që do të kujdesej për ndërtimin e tyre, pastaj më shumë nevoja tregjesh për të plasuar më shumë peshk të zënë, pastaj më shumë detyra për të zënë peshkun.
Të tëra këto do të prodhojnë efekte të tjera, anësore. Të premtes do t‘i shtohet edhe e mërkura (Dita kur Juda mori paratë për tradhtinë ndaj Jezu Krishtit) dhe e shtuna (Dita e Shën Mërisë). Në Abacinë e Westminsterit, në periudhën 1495-1525 do të shënohej se brenda një viti 215 ditë do të ishin ditë peshku. Rrethi nuk do të mbyllej: më 1621, Mbreti James I do të urdhëronte që ditët e peshkut të mbeteshin, por do të ishte më pragmatik në shpjegim, duke thënë se arsyet janë "për shkak të mirëmbajtjes së marinës sonë dhe industrisë anijendërtuese".
Por, historia do të marrë kthesën e vet të radhës. Peshku, posaçërisht harenga, kishte nevojë për erëza gatimi. Ekspeditat portugeze tashmë kishin siguruar një lloj monopoli në Indi. Rrugës së erëzave u nis edhe Kolombo, e shtatë vjet më vonë, nga Bristoli i Anglisë edhe John Cabott. Në vend të erëzave, Kolombo dhe pasardhësit e tij do të zbulonin arin dhe argjendin e Amerikës Latine. Në vend të erëzave, John Cabott do të zbulonte atë që kishte zbuluar Eiriksoni një 500 vjet më herët: merlucë Atlantiku, aq sa nuk ke nevojë të shtrish rrjetën thellë, por mund t‘i mbledhësh në sipërfaqe.
Të tjerat, janë tashmë histori e njohur.

5.
Peshku i Skënder Gjinalit më kishte mbetur në kujtesë, si një lloj udhëzuesi i rrëfimit. Ashtu si në librin e Faganit, peshku është një udhërrëfyes i historisë së Perëndimit, edhe ky i Skënder Gjinalit rrëfente për një kohë kur në Kosovë, për shkak të bllokimit të komunikimit gjysmëshekullor mes Kosovës dhe Shqipërisë, çdo gjë që dëgjohej për Shqipërinë në Kosovë merrte kontekstin e vet, gati mitik.
Pas lufte, kur tashmë kishte filluar të vinte peshku i freskët (apo ashtu thuhet) nga Shqipëria në Kosovë, e dëgjova edhe një herë të përmendte kujtimin nga Shkodra. Dukej i largët, ndoshta dy shekuj larg. Aq sa tash mendoj se, kur vitin e ardhshëm, të mbërrijë në Prishtinë peshku i autostradës ende pa kaluar në rigor mortis, pra ende i gjallë, shpejtësia e mbërritjes së peshkut do të shndërrohet në njësi të re matëse historie.

G. Shqip
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Komente dhe analiza nga autorë të ndryshëm Empty Re: Komente dhe analiza nga autorë të ndryshëm

Mesazh nga Agim Gashi Tue Dec 23, 2008 4:20 am

Mark Marku: Dosjet dhe dekomunistizimi i institucioneve





Komente dhe analiza nga autorë të ndryshëm U1_MarkMarku
Mark Marku
Dosjet dhe dekomunistizimi i institucioneve
Nga Mark Marku
Sa herë bie fjala për hapjen e dosjeve, do të dalë diçka që do të sillet si argument për mos hapjen e tyre. Është thënë se hapja e dosjeve ...do të sjellë luftën civile në Shqipëri (a thua se lufta e klasave nuk ishte luftë civile), është thënë se spiunët nuk mund të dënohen pa u dënuar të gjithë zyrtarët e aparatit të dhunës të regjimit komunist (dhe këtu kanë pasur të drejtë), është thënë se spiunët dhe ata që i urdhëronin ata, kanë zbatuar ligjin (a thua se ata që bota demokratike dënonte me vdekje në gjyqin e Nurenbergut, dhe të kërkuarit për krime lufte në ish-Jugosllavi që dërgohen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, nuk kanë zbatuar ligjet e kohës së tyre), është thënë se largimi i tyre nga jeta politike dhe administrata shtetërore është në kundërshtim me të drejtat e njeriut, është thënë... Sot të gjithë këto argumente nuk përdoren më. Përdoret një argument i ri: hapja e dosjeve është antikushtetuese! Është antikushtetuese thonë mbrojtësit e argumentit të ri sepse nëpërmjet tyre do të goditen anëtarët e zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese, prokurorët dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të tjera të larta të drejtësisë. Argumenti i ri duket “bindës”, madje aq bindës sa ka shqetësuar edhe ndërkombëtarët e kudondodhur. Në turrin për të mbrojtur “kushtetutshmërinë”, të gjithë harrojnë të bëjnë një pyetje të thjeshtë: Si ka mundësi që institucionet kryesore të drejtësisë shqiptare qenkan aq të mbushura me ish-juristë dhe prokurorë të regjimit komunist sa që miratimi i një ligji që i ndalon ata të vazhdojnë profesionin në demokraci krijon një problem në funksionimin e këtyre institucioneve? Dhe më e rëndësishmja, si ka mundësi që ish-punonjës të sistemit të drejtësisë dhe prokurorisë së kohës komuniste vazhdojnë ende të punojnë në institucionet demokratike?
Problemi është vërtetë i rëndë, madje më i rëndë se sa kërcënimi i kushtetutshmërisë së vendit nga hapja e dosjeve. Institucionet e drejtësisë dhe të prokurorisë janë bërë strehë e njerëzve të inkrimuar të kohës së komunizmit. Ata kanë arritur të zotërojnë organet më të larta të sistemit të drejtësisë dhe sot për shkak të autonomisë së këtij sistemi janë bërë të pacenueshëm. Mendoni se sa besueshmëri kanë këto institucione dhe sa e mundur është që ato të bëjnë të mundur funksionimin e shtetit të së drejtës, kur ato drejtohen nga gjykatës dhe prokurorë që kanë pasur role kryesore në sistemin më të përçudnuar të drejtësisë se Evropës. Është e tepërt të thuhet se ai sistem vetëm me drejtësinë nuk kishte lidhje dhe për këtë mjafton të përmendim vetëm faktin se ai kishte shfuqizuar edhe të drejtën e avokatisë. Si i tillë ai e përjashtonte profesionalizmin dhe profesionistët dhe për këtë arsye ai kultivonte militantë partiakë dhe bolshevikë revolucionarë. që e kishin zëvendësuar ligjin me vijën e partisë. Ata janë pjesa më e inkrimuar e regjimit dhe bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të tij, sepse formalisht ishin ata që gjykonin dhe dënonin kundërshtarët e regjimit. Kjo do të thotë se nuk ekziston ndonjë rrezik që duke i larguar ata nga sistemi i drejtësisë të dëmtohet padrejtësisht një elitë profesionale. Madje është paradoksale që militantë të tillë janë konsideruar si profesionistë dhe e kanë shtënë në dorë këtë sistem. Ka qenë e kuptueshme që një pjesë e tyre të mbaheshin në një fazë fillestare, për shkak të mungesës së profesionistëve të rinj, por nuk ka asnjë kuptim që ata të mbahen edhe sot pas më se 19 vjetëve demokraci, periudhë kjo e mjaftueshme për krijimin e profesionistëve të këtij sistemi. Për më tepër duket paradoksale që largimi i tyre të konsiderohet si problem. Ende pa u miratuar, projektligji për dosjet e ka dhënë efektin e parë pozitiv. Ai ka zbuluar se sa të pa dekomunistizuara janë sistemi i drejtësisë dhe organi i akuzës. Duke i mbrojtur këto organe, mbrojtësit e tyre në fakt i kanë denoncuar ata para opinionit publik. Duke thënë se projektligji është kundër Gjykatës Kushtetuese, ose kundër prokurorisë, në fakt ata na kanë treguar se gjykatat dhe prokuroria kanë shumë njerëz të inkrimuar.
Për sa i përket kritikave ndaj projektligjit, ai vërtetë i meriton disa të tilla. Ligji duhet kritikuar sepse duhej të ishte më gjithëpërfshirës. Kështu do të ishte më i dobishëm.

G. Panorama
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Komente dhe analiza nga autorë të ndryshëm Empty Re: Komente dhe analiza nga autorë të ndryshëm

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi