Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Në dhjetëvjetorin e vrasjes së kol. Ahmet Krasniqit

Shko poshtë

Në dhjetëvjetorin e vrasjes së kol. Ahmet Krasniqit Empty Në dhjetëvjetorin e vrasjes së kol. Ahmet Krasniqit

Mesazh nga Agim Gashi Mon Dec 22, 2008 12:56 am


Në dhjetëvjetorin e vrasjes së kol. Ahmet Krasniqit U1_AhmetKrasniqi2
Ahmet Krasniqi
Agim Gashi
Dhjetë vjetë pa Kol. Ahmet Krasniqin
Këngë për
Ahmet Krasniqin

S´u skuq Bari as Selaniku
Kur nji trim nga jeta iku,
Iku trimi nën hije t`Nanës
Kur e vranë në mes Tiranës.
Tash sa vjet për kob t`Shqipnisë
Shprazen plumbat e tradhtisë,
Si në gjoks t`Hasan Prishtinës
Të Ramë Bllacës, Ahmet Shtimes.
Djalë kreshnik bir i Kosovës
Kishte gjak t`Aziz Zhilivodës
Kishte besën që kurrë s`e prishi
Koloneli Ahmet Krasniqi.
II.
Njiqind vjet nën kamë t`Serbisë
Dergjen krahët e Shqipnisë,
Dergjet koka që kurrë s`duron
Kah len dielli e perëndon.
Se mbi malet e Qyqavicës
Ngjiten trimat e Drenicës,
Shpërthejnë plumbat e lirisë
Tek ia kthejnë pushkën Serbisë.
Djalë kreshnik bir i Kosovës
Kishte gjak t`Azis Zhilivodës,
Kishte besën që kurrë s`e prishi
Komandanti Ahmet Krasniqi.
III.
O Ahmet, Ahmet Krasniqi
Gjoksin tand po kush e prishi,
Kush të vrau midis t`Shqipnisë?
- Do djem t`ligj- klysh të Serbisë.

Si kur vritet Bajram Curri
Gjon Serreqi kur thehet guri,
Si kur vritet pa i dalë fjala
Trimi ynë Jusuf Gërvalla.
Djal Kreshnik bir i Kosovës
Kishte gjak t`Aziz Zhilivodës,
Drejt Koshares e drejt Pashtriku
Ndër sy trimash Ahmet Krasniqi.
-----------
Në dhjetë vjetorin e vrasjes
Ahmet Krasniqi, dhjetë vite larg
Krasniqi ishte një njeri që e mirëkuptonte qëndrimin e shtetit shqiptar dhe të qeverisë së tij, të cilët duhej të respektonin marrëveshjet ndërkombëtare
Nga Ylli Polovina
Azem Hajdari e humbi jetën në qendër të Tiranës, në 12 shtator 1998, në orën 21.15. Nga efektet që prodhoi mbi historinë tonë ajo është thirrur, mbase me pak teprim dashamirës, si “vrasja e shekullit“. Nuk mund të quhet kurrsesi fat një vdekje, ca më tepër me në trupin e gruas grëmbin e një fëmije në prag të daljes në jetë, por njohja e madhe që kishte opinioni për personin dhe pasojat e dukshme që shkaktoi, i dhanë asaj shumë reliev. Ka ndodhur krejt ndryshe me një vrasje tjetër, të ngjarë nëntë ditë më pas, në 21 shtator, pak para se të binte mesnata. Edhe kjo vrasje u krye në një zonë kryesore të Tiranës. I godituri me plumba quhej Ahmet Krasniqi dhe qe shqiptar nga Kosova. Ishte një ushtarak profesionist me gradën kolonel. Kryente funksionin e Ministrit të Mbrojtjes së vendit të vet.
Ndërsa me Azem Hajdarin koha gjëmoi, me jetëhumbjen e Ahmet Krasniqit ndodhi e kundërta: pati fare pak jehonë. Kur një ngjarje nuk gjëmon si vullkan që në çastin kur ndodh e ka shumë të vështirë më pas të zërë vendin e saj real në histori. Sepse është i mbajtur disi larg nga kujtesa jonë u bë ky shkrim, aspak i vetmi dhe asnjëherë i fundit.
Njeriu që lindi në burg
Familja e Ahmetit ka qënë ndër më të njohurat në Kosovë në përkushtimin për lirinë e viseve të saj, po ashtu mjaft e dashuruar edhe me Shqipërinë. Zhilivodët, siç janë mbiemri rrënjë i fisit të tyre, e mëkuan njëri-tjetrin që nga djepi e deri sa u përcollën me këtë jetë, me Kosovë e Shqipëri që të qenë si dy krahët e një shqiponje. Po të thyhej njëri prej tyre shpendi simbol i kombit nuk çohej dot në qiell.
Xhaxhai i Ahmet Krasniqit, Aziz Zhilivoda, gjatë luftës së dytë botërore dhe pas saj ka qënë ndër atdhetarët më të spikatur të trevave të tij. Edhe pse vinte nga ajo që në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore quhej parti e Ballit Kombëtar (pas vitit 1944 thirrej Nacional Demokratike), mospajtimi ideologjik me regjimin e Tiranës nuk e pengoi, pas një ilegaliteti aktiv në Jugosllavi, në vitet pesëdhjetë të kapërxente kufirin dhe të jetonte në Shqipëri gjersa në fillim të viteve nëntëdhjetë ndërroi jetë. Aziz Zhilivoda qe një ndër ta, të paktën gjer në vitet 1972-73, që hyri në Kosovë disa herë me misione kombëtarie. Ishin disa të një grupi nacionaldemokrat, të cilët të strehuar në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjes serbe, shkonin në trevat e vendlindjes për të vënë në vend ndonjë borxh që disa përdhunues serbë e kishin ndaj popullit të tyre. Kryenin atentatin kokëkrisur dhe tërhiqeshin në tokën shqiptare. Më pas ndodhi që nga autoritetet e Tiranës Azis Zhilivoda u arrestua, u dënua me dhjete vite burg, prej të cilave bëri vetëm një pjesë.
Nipi i këtij njeriu gjysmë legjendë, Ahmet Krasniqi, do ta niste jetën po ashtu, përtej reales, si në gojëdhënë kreshnikësh. Ai lindi në burg. E kishte mbiemrin Zhilivoda, si të prindërve të tij.
Në bodrume autoritetet serbe i mbanin të izoluar familjen. Kështu ai qe i prangosur akoma në barkun e nënës, ende jetë pa nisur. Në ato qeli do të ndodhte që të jatin t’ja mbytnin me torturën e futjes së tubit të ujit në gojë dhe njëkohësisht shtypjen e barkut me goditje të forta të këmbëve. Kur një krijese njerëzore që kur është foshnjë i shtypet dhe i gjymtohet dëshira për liri cilën gjë tjetër veç kërkimit për ta gjetur atë do ta ketë mision jete?
Ahmet Krasniqi e përfundoi shkollën e mesme në Vushtri dhe më pas në Prishtinë pa e hequr nga e gjithë qënia e tij detyrën e madhe të shpëtimit në liri, çka donte të thoshte çlirimin e Kosovës. Në shpërthimin e madh, në demonstratat e furishme të vitit 1968, ai u rreshtua në grupin e patriotit me famë Metush Krasniqi, njërit ndër organizatorët më kryesorë të tyre. Ishte porosia e këtij të fundit që e bëri Ahmetin të zgjidhte dhe hidhte hapin vendimtar që duhej të bënte. Ai u regjistrua në Akademinë Ushtarake të Beogradit. Këtu nuk vinte dot me mbiemrin Zhilivoda. Për të mos u bërë nga autoritetet e shkollës i diktueshëm lehtë dhe i dëbueshëm hodhi mbi vete mbiemrin Krasniqi, të cilin në Kosovë e kishin dymbëdhjetë fise, pra me mijra shqiptarë.
Për njeriun e lindur në burg e ku po në burg i patën vrarë të jatin nuk kishte zgjidhje më të mirë për ta shpëtuar Kosovën dhe veten se sa përgatitja profesionale si ushtarak karriere. Ishte koha kur grupet ilegale të rezistencës kundërserbe në Kosovë, Jugosllavi dhe kudo tjetër organizuan për qëllim të luftës së ardhshme çlirimtare, dërgimin e studentëve shqiptarë mjaft të talentuar e të fortë fizikisht të mbaronin akademitë ushtarake në Beograd, Zagreb e kudo ku qenë, por mundësisht më pas të realizonin të gjitha kualifikimet më të larta të këtij profesioni. Po ashtu grupet ilegale të rezistencës këshillonin ngjitjen e këtyre oficerëve në të gjitha shkallët e karrierës.
Në vitin 1981, kur ndodhi shpërthimi i dytë i madh i protestave, Ahmet Krasniqi qe tashmë oficer në garnizonin “Marshall Tito” në Zagreb. Vala e madhe e demonstratave të shqiptarëve të Kosovës, e cila kësaj radhe tronditi edhe tërë kontinentin, përfundoi me burgosjen e vëllait të vetëm të tij, Behxhet Krasniqit. Ngjarjen autoritetet beogradase nuk ia falën: e transferuan për në Gospiç, ku kishte pak ushtarë dhe mjaft armë. Dhjetë vite më pas, më 1991, gazerma ‘’Kanjizha’’, ku Ahmet Krasniqi tashmë ishte bërë komandant, kishte nga 10.000 deri 12.000 tyta këmbësorie të kalibrave të ndryshëm. Po ashtu artileri të mbrojtjes kundërajrore dhe kamiona transportues.
Kishte nisur thërmimi i federatës artificiale të jugosllavëve. Pas shkëputjes së Sllovenisë filloi lufta për mëvetësim të Kroacisë. Koloneli Ahmet Krasniqi ishte ndër kryesorët që bëri gjestin e rreshtimit jo me Beogradin e Sllobodan Millosheviçit, por me popullin kroat. “Kanjizha” ishte baza më e madhe e armëve në atë rajon dhe prej saj iu shpërndanë në front për vetmbrojtje të gjitha njësive ushtarake kroate mbi pesë mijë gryka zjarri të kalibrave të ndryshëm.
Këtë veprim bashkëpunëtorët e Sllobodan Millosheviçit nuk do t’ja falnin. Si pasojë e një kurthi ata e shtinë në dorë kolonelin shqiptar. Prej vjeshtës 1992 e deri kur nisi viti 1994 mbi fatin e tij godasin pabesi nga më tinzaret. Pasi serbët e arrestuan gjyqi i Armatës Popullore Jugosllave zgjati vetëm 12 minuta. Nuk u lejua të lexohej aktakuza e jo më t’i jepej mundësia për vetmbrojtje. Këshillimi i gjyqtarëve për dhënien e vendimit, ku përveç serbëve nuk mungonin as disa kroatë, zgjati vetëm tre minuta. Në pesëmbëdhjetë minuta proçes u dënua me dy vite burg. Për fat nuk i bëri të gjithë, sepse nëpërmjet shkëmbimit të të burgosurve, madje me rastin më të parë, kroatët u kërkuan serbëve t’u jepnin Ahmet Krasniqin. Kështu u kthye në Zagreb.
Këtu në fillim e lanë me shprehjen e mirënjohjes nëpërmjet shkëmbimit, duke e shpëtuar patjetër nga ndonjë eliminim fizik brenda burgut, por më pas përkujdesja për të ra. Nuk iu afrua punë. Kthimi i vëmendjes për njeriun që kishte kryer veprën e dorëzimit të gazermës së Gospiçit erdhi më pas, kur i propozuan detyra ushtarake. Me një ndjenjë pezmi i refuzoi të gjitha, por pa u ankuar. Ahmet Krasniqi ishte ushtarak dhe moral bashkë. Ai i donte kroatët dhe i tillë mbeti gjer në fund të jetës. Edhe gruaja e tij, Sllobodanka, edhe pse ishte serbe, qe e lindur në atë vend.
Për tre vite rresht e ndoshta më shumë se kaq koloneli profesionist i kaloi pothuaj në mjerim të thellë. Për muaj të tërë i papunë në Zagreb i ndodhi që uria t’i merrte fuqinë për të lëvizur, madje pati edhe ndjenja të fikti. Gjeti një çast punë si gurëthyes. Bëri atë zanat të rëndë gjersa disa miq të tij shqiptarë i ofruan një vend më të qetë, edhe pse jo të paguar sa kishte nevojë. Kishte dy fëmijë, Teutën dhe Florentin. Puna e re qe ajo e rojtarit të tregut të specave dhe bananeve në Rovinj.
E dhimbshme jeta e kolonelit deri sa në kapërcyell të viteve 1997-98 në Zvicër u mblodhën në një takim sekret mbi dyqind ushtarakë shqiptarë të ish-Armatës Popullore Jugosllave për të zgjedhur, me dëshirë të presidentit Ibrahim Rugova dhe kujdes të qeverisë Bukoshi, shtabin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës. Në këtë kuvend Ahmet Krasniqin e zgjodhën njëzëri Ministër të Mbrojtjes. Koloneli u vlerësua nga kolegët e tij si grada më e lartë aktive që pati shërbyer me këmbësorinë. Kërkoheshin njerëz që kishin luftuar në terren dhe jo nga ata që artin ushtarak e patën dhënë vetëm në leksione. Këto cilësi Ahmet Krasniqi e plotësonte më mirë se kushdo nga pjesëmarrësit e takimit sekret të Zvicrës. Tani koha nuk priste, madje për njerëzit e Ibrahim Rugovës ajo po ecte tepër ngadalë dhe po rrezikohej të mbetej pas, duke dështuar në çastin më kyç. Pjesa dërmuese e popullit e patën kuptuar se tashmë kishte ardhur ora e kundërshtimit me armë. Në ditët e para të prillit 1998 Ahmet Krasniqi erdhi në Tiranë. Kishte mbushur dyzetë e shtatë vjeç. Ndoshta nuk ishte vonë për t’u shmallur me vendin amtar të cilin e donte aq shumë. E kishte patur ëndërr që kur kishte lindur. Në aeroportin e Rinasit, sapo zbriti, tokën e preku lehtësisht me pëllëmbën e dorës. E përkëdheli disa çaste, aq sa iu bënë të domosdoshme për të përmbajtur ngashërimin.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Në dhjetëvjetorin e vrasjes së kol. Ahmet Krasniqit Empty Re: Në dhjetëvjetorin e vrasjes së kol. Ahmet Krasniqit

Mesazh nga Agim Gashi Mon Dec 22, 2008 12:58 am

Në Tiranë, legal dhe ilegal
Në ditën e tretë të mbërritjes kërkoi të takohej me Flamur Gashin, një bashkëkombas, jeta e të cilit dhe e prindërve të tij ishte mëkuar për afro treçerek shekulli me vite të shumta në Kosovë dhe po kaq edhe në Shqipëri. Gashin e gjykonte si personin referues për njohje dhe takime të rëndësishme në kryeqytetin shqiptar. Ai qe këshilltar i Ministrit për Informatat të qeverisë Bukoshi dhe zotëronte lidhje me të gjitha krahët e politikës së Tiranës.
Me një shtat të gjatë e të bukur, me mustaqe të lehta e lëvizje hamonike të një trupi prej atleti, Ahmet Krasniqi u paraqit në takim në orën e caktuar, tre e pasdites, tek restoranti “Nëna Mbretëreshë”. Ndryshe nga pamja prej oficeri të mirëfilltë karriere, i pafjalë, i prerë dhe hijerëndë, tek i rrije afër koloneli dukej qënie mjaft e butë.
Të dy takoheshin për herë të parë dhe pinë kafe duke biseduar për çdo gjë, por jo për ushtrinë. Gjithçka më pas rodhi me shpejtësi. Krasniqi i vendosi lidhjet e nevojshme me ata që do t’i duheshin çështjes së kryengritjes së armatosur për çlirimin e Kosovës. Nisi mesazhe edhe drejt Kryeministrit shqiptar, po ashtu edhe për Ministrin e Mbrojtjes.
Ahmet Krasniqi ishte një ndër ata që e mirëkuptonte qëndrimin e shtetit shqiptar dhe të qeverisë së tij, të cilët duhej të respektonin një mori të pafund marrëveshjesh ndërkombëtare për mosprekje të sovranitetit të shteteve të tjera dhe se për luftën e armatosur të bashkëkombasve të vet, edhe pse totalisht qe për shpëtimin e tyre nga përdhuna e diktatorit Sllobodan Millosheviç, kishte vendosur të vepronte siç do ta gjykonte të arsyeshme bashkësia e vendeve të zhvilluara demokratike, BE dhe SHBA, patjetër edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ajo që në Tiranë ndonjëherë dukej si apati dhe thënie kontradiktore e një muaj më pas edhe si deklarata mjaft të qortueshme, ishte frut jo përherë i ëmbël i kësaj varësie të ndërlikuar e të domosdoshme.
Ndërkohë kryeqyteti shqiptar ishte bërë, për shkak të shndërrimit në një pozicion shumë afër konfliktit ato kohë më i nxehti në botë, rezidencë e pse jo edhe guvë shërbimesh të fshehta. Ato vepronin në përputhje me politikat e shteteve të tyre dhe doemos nuk kishte përse në Tiranë, krahas mjaft dashamirëve, të mungonin edhe antishqiptarët. Ishte përleshje e madhe që kryhej larg syve të njerëzve të thjeshtë dhe verbazi opinionit publik.
Këtë gjë Ahmet Krasniqi natyrisht e dinte. Ai nuk qe as shqiptar nga Shqipëria dhe as tiranas. Askush nuk e njihte dhe asnjë degë e fisit të tij nuk qe vendosur ndonjëherë në këto anë. Ahmet Krasniqi ishte dhe nuk ishte në tokën e tij ose më saktë në terrenin e vet. Në kryeqytetin shqiptar drejtues teknikë apo politikë të të dy ushtrive, UÇK dhe FARK, ishin legalë e njëkohësisht ilegalë. Ndiheshin të mbrojtur, por po aq edhe krahëzbuluar. Dyshime të pathemelta apo që dukeshin të arsyeshme herë vërtetoheshin dhe shumë herë të tjera delnin bllofe.
Ahmet Krasniqi e njihte fare mirë edhe rrezikun e marrjes së jetës së tij nga armiq të kryengritjes së armatosur, por kjo nuk i bënte shumë përshtypje sepse jeta, pra i dorëzimit të saj si kusht, është rregulli numër një i profesionit të një ushtaraku.
Nis operacioni i diversionit
Millosheviçi ishte mobilizuar tërësisht që ta fikte zjarrin e madh kundër, duke ia ndezur e hedhur atë flakadan vetë shqiptarëve. Armata serbe në korrik-gusht u kishte shkaktuar njësive të armatosura të UÇK-së dhe të FARK-ut dëme të mëdha dhe shumica e luftëtarëve tashmë patën kapërxyer kufirin e kishin hyrë në Shqipëri. Pjesa dërmuese e tyre qenë vendosur në Tiranë. Për ata që në Beograd përgatitnin e ndiqnin hap pa hapi planin sekret të diversionit dhe destabilizimit të Shqipërisë, veçanërisht pamundësinë e riorganizimit dhe të rikthimit të luftëtarëve të larguar sërish për në Kosovë, nuk kishte vend më të mirë për t’i vënë fitilin kaosit e përplasjes së vëllavrasjes gjithëshqiptare se Tirana. Në të shkuarën kishin tentuar pa rezultat përplasje mes jugut dhe veriut, mes të majtëve e të djathtëve, mes besimtarëve të kësaj apo asaj feje, por tani ishte shumë e lakmuar një përleshje mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Në këtë dinakëri të fundit, grackë shumë herë më e sofistikuar se më pas operacioni ushtarak i pastrimit etnik “Patkoi”, synohej nxitja e përplasjes mes dy ushtrive, UÇK-së dhe FARK-ut. Modeli kishte funksionuar shumë mirë shtatë dekada më parë, kur nga diversioni që iu bë Mukjes nisi përleshja e armatosur mes dy krahëve ushtarakë të Partisë Komuniste dhe asaj të Ballit Kombëtar.
Fara e keqe jeton gjatë. Po t’ja delnin një diversioni të ri, kacafytjes me armë mes dy ushtrive çlirimtare, mortja e luftës civile do të vërtitej edhe për dekada të tjera mbi fatin e shqiptarëve.
Ja përse në fundverë e fillim vjeshte 1998 shtabi tinzar i bashkëpunëtorëve të Sllobodan Millosheviçit punonte në ethe të mos realizohej nga shqiptarët asnjë bashkim i tyre. Po t’ja delnin të bëheshin një trup, një mendje e një shpirt, kudo ku qenë në trojet e tyre, kjo do të ishte fundi i qëndrimit të Kosovës nën kontrollin e Sërbisë.
Në një mbrëmje gushti të vitit 1998, koloneli telefonoi papritur këshilltarin e Ministrit për Informatat të qeverisë Bukoshi dhe i tha “Flamur, kam nevojë të takohemi urgjent!” Këshilltari ndërkohë në Tiranë edhe kryeredaktor i Radio Kontaktit, iu përgjegj “Jam në punë”. Ahmet Krasniqi nguli këmbë: “Do të vij afër radios, diku...”. Mbërriti me një frymë, madje u ngjit gjer në mjediset e brendshme të radios. Pas një minute të dy zbritën poshtë në një kafe. “Situata në terren në Kosovë është mjaft e vështirë, shumë e tensionuar”, tha koloneli. Shpjegoi se tashmë shqiptarët kishin praglufte mes njeri-tjetrit. Në Kosovë patën hyrë një grup oficerësh të FARK-ut në pararojë për të shpërndarë më pas në terren njësitë e ushtrisë së tyre, por mes njerëzve të UÇK-së kishte jo pak që u krijonin pengesa. Mes të dy palëve, tha, kishte shumë moskuptime. Në të vërtetë pas shtatëmbëdhjetë takimeve në Tiranë dhe një tjetri në Osllo të dy armatat kishin rënë dakort në parim për bashkëpunim ushtarak në luftë për të dëbuar serbët.
Në fund Ministri i Mbrojtjes shqiptoi me lutje: “Dua ta takoj zotin Berisha”. Gashi ra dakort dhe e telefonoi në çast ish-Presidentin, ato kohë drejtues i opozitës. Ky pranoi menjëherë, por atë moment ishte me temperaturë e në shtrat. Premtoi të çohej të nesërmen dhe në orën 11.00 e priste Ahmet Krasniqin në selinë e partisë.
Sapo hyri në zyrën e Berishës ai mori drejtqëndrim ushtarak dhe shqiptoi solemnisht “Zoti President, ju paraqitem me kërkesën time! Kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës”. Sali Berisha u emocionua dhe i bëri shenjë të ulej. Në pak fjalë Ahmet Krasniqi i shpjegoi si po organizoheshin në terren dhe çfarë vështirësish po ndeshnin. Pastaj tha “Unë ju kërkoj zoti Sali Berisha të thërrisni zotin Demaçi, përfaqësuesin politik të UÇK-së, të vijë në Shqipëri, të takohet me ju dhe të ndikoni sa më shumë që situata të qetësohet. Unë jam i gatshëm që në marrëveshje me të dhe me qeverinë e Kosovës të futem në terren ku të kërkojnë e thonë ata. Pa asnjë lloj problemi. Por nuk jam i gatshëm për të ngritur këmbën e pushkës për të vrarë shqiptarët mes vedit”. Berisha, të cilin gjatë gjithë kohës nuk i ishte larguar emocioni i fortë, u përgjegj po aq edhe ai solemnisht “Do të bëj të pamundurën!”
Takimi kokë më kokë mes Adem Demaçit dhe Sali Berishës u bë në Tiranë pas katër ditësh. Pas bisedës të dy mbajtën një konferencë shtypi. Gjendja në terren u çtensionua dhe gjakrat përgjithësisht u qetësuan.
Relativisht i mbarë për frymën e bashkëpunimit mes dy ushtrive çlirimtare, edhe pse jo pa probleme, nisi edhe shtatori. Gjersa mbërriti në fillim data dymbëdhjetë dhe pastaj njëzetë e njëshi.
Operacioni i diversionit, i prishjes së frymës bashkëpunuese mes shqiptarëve me ide e parti të ndryshme politike, nisi pa u vonuar. Në fillim u vra Azem Hajdari. Kjo ishte ndezja e fitilit të parë shpërthyes. Kishte për mision vëllavrasjen mes shqiptarëve të Shqipërisë. Fitili i dytë ishte planifikuar të vihej e do të kishte për objektiv shkallmimin jo ndërmjet shqiptarëve të Kosovës, por edhe mes bashkëkombasve këtej e përtej kufirit. Dy mina që parashikoheshin të plasnin njëra pas tjetrës.
Vrasjen e Azem Hajdarit Ministri i Mbrojtjes së qeverisë së Republikës së Kosovës do ta merrte vesh ndërsa ishte në Kukës duke inspektuar trupat dhe qendrat stërvitore të FARK-ut. Ngjarja si edhe gjithçka që pas saj, e tronditi shumë. Ajo iu duk si kanosje e drejtpërdrejtë e qendrueshmërisë së Shqipërisë.
Nuk u merakos për veten. Madje nuk u shqetësua fare. Në Tiranë kobit të ndodhur i dhanë disa shpjegime, që nga ato të hakmarrjes personale, motivet e brendshme politike e deri tek kontrabanda e armëve dhe ndarja e fitimeve të saj. Që mund të ishte dorë serbe u fol fare pak, paqartësisht dhe pa qënë të bindur. Ndoshta kjo bëri që Ahmet Krasniqi të vijonte mënyrën e mëparshme të jetës e punës. Asnjë masë vetsigurimi nuk i shtoi vetes. Asnjë masë shtesë ruajtjeje nuk mori nga kanale të tjera.
Takimi i dy kolonelëve
Në 20 shtator njeriu që pak muaj më pas do të bëhej ndihmës i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, koloneli i Ushtrisë Shqiptare, i nxjerrë para kohe në lirim, Dilaver Goxhai, do të shkonte në selinë ku në Tiranë punonte e jetonte Ahmet Krasniqi. Më 10 shtator shkrimi i tij i botuar një javë më parë te “Rilindja”, “Pse UÇK u detyrua të lëshojë territoret e saj”, u ripublikua në numrin e parë të një reviste të ilustruar ushtarake, organ i Ministrisë së Mbrojtjes të qeverisë së Kosovës. Redaksia e saj ishte në të njëjtën ndërtesë, rezidencë e Ahmet Krasniqit. Ajo ndodhej në rrugën ku më parë gjendej shtëpia në të cilën ishte themeluar PKSH. Vila trekatëshe ishte marë me qera. Kishte një portë të jashtme. Shtypje butonin e një zileje dhe ajo hapej pasi shërbimi i rojeve brenda sigurohej se cili qe. Në oborrin e brendshëm kishte edhe shërbim informacioni. Duke filluar nga rojet të gjithë punonjësit qenë nga Kosova.
Kolonel Goxhain e priti kryeredaktori i revistës, Ibrahim Shala. Pastaj të dy shkuan të pinin një kafe në një bar në hyrje të rrugicës.
Në bisedë bashkëkombasi që drejtonte botimin e revistës, i tha se shkrimin e tij e patën botuar me porosi të vetë ministrit, madje ai kishte ngulur kembë që të publikohej fjalë për fjalë, pa asnjë shkurtim. “Kush është ministri?”, e pyeti Goxhai, sepse deri atë çast për shkak të ilegalitetit nuk e dinte. “Ministri”, iu përgjegj kryeredaktori, “është Ahmet Krasniqi”. Koloneli shqiptar nga Tirana kishte filluar ato kohë lidhjen vullnetare me UÇK-në. Në vijim të bisedës Ibrahim Shala shtoi se ministri u ishte lutur që autorin ta gjenin dhe ta mbanin afër. Në intimitet madje pati shtuar “Ky paska edhe moshën time, edhe gradën time. Dua ta takoj!”
Dilaveri i la kryeredaktorit numrin e telefonit. Ishte e diel paradite.
Pasdite kolonelit nga Tirana i ra zilja e telefonit dhe Ibrahim Shala i komunikoi dëshirën e ministrit Krasniqi që të takoheshin po atë pasdite në të njëjtën kafe ku patën qëndruar bashkë në mengjez. Kur të dy kolonelët u gjendën përballë dhe u panë, menjëherë e ndjenë se mund ta donin shumë njëri-tjetrin. Bashkëkombasi nga Kosova u gëzua dukshëm dhe kur i dha dorën, duke qënë se ishte i lartë në shtat, për të shprehur afërsinë, bëri shaka dhe u përkul shumë. Kur u ulën me një vështrim të butë në sy i tha se atë mbrëmje bashkë nuk do të rrinin dot shumë dhe se i lutej me zemër në dorë që ta kuptonte. E shpjegoi menjëherë arsyen: “Më duhet të lëviz, mund të iki larg”.
Dilaver Goxhai këtë e kuptoi qartë. Ahmet Krasniqi donte të thoshte “Do të shkoj në veri”. “Erdha vetëm sa për të të falenderuar dhe do të kemi kohë të bisedojmë”, shtoi ministri pa e hequr nga sytë vështrimin e tij si një det që në perëndim mbushet i tëri me dritë. Pastaj e pyeti se ku i merrte informacionet mbi zhvillimet e luftimeve. Koloneli nga Tirana citoi burimet e tij: disa drejtues të UÇK-së që ndodheshin në Tiranë. Shtoi se merrte të dhëna edhe nga agjensi të ndryshme lajmesh si BBC dhe Zëri i Amerikës, gazetat “Zëri i Kosovës” dhe “Çlirimi”, përfshi edhe televizione si CCN dhe Euronews. “Po ke ndërmend të shkosh në luftë?”, e pyeti Krasniqi. “Ende nuk kam vendosur, por mund të vete me të UÇK-së”, iu përgjegj Goxhai. Tjetri nuk tregoi asnjë shenjë xhelozie. Vazhdonte të ishte fare i kthjellët në fytyrë dhe në vështrim. “Do bësh mirë të shkosh me ta, sepse ata janë në terren”, tha. “Shtabi i Përgjithshëm ekziston në terren, Ministria ekziston këtu dhe unë kam dhënë urdhër që Ministria të vejë në Kosovë”, vijoi, “U kam thënë të gjithë vartësve të mi të përgatiten se edhe ne do të hyjmë në Kosovë”.
Më 20 shtator 1998 në mbrëmje, kohë kur ndodhi kjo bisedë, për kolonelin në lirim nga Tirana, më pas vullnetar dhe drejtues në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ishte e qartë se qenë momentet më vendimtare të bashkimit të të dy krahëve ushtarakë e politikë të kryengritjes për pavarësim. Veprimi i Ahmet Krasniqit formohej sipas logjikës “Shtabin e Përgjithshëm e kemi, Ministrinë e kemi, duhet t’i bashkojmë bashkë që të institucionalizohet lufta”. Ai ishte sinqerisht dhe me gjithë shpirt për bashkim. Më pas Dilaver Goxhai do të mësonte nga vetë drejtuesit në Tiranë të UÇK-së se qeveria Bukoshi dhe ministri Krasniqi po ato ditë i patën dhënë asaj plot 20 milion marka gjermane.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Në dhjetëvjetorin e vrasjes së kol. Ahmet Krasniqit Empty Re: Në dhjetëvjetorin e vrasjes së kol. Ahmet Krasniqit

Mesazh nga Agim Gashi Mon Dec 22, 2008 12:59 am

Kacafytje informacioni e dizinformacioni
Në mbrëmjen e vonë të 20 shtatorit Ahmet Krasniqi pasi piu një kafe me Flamur Gashin, me makinën e vet e shoqëroi këtë të fundit në shtëpinë e tij në Laprakë. Më 21 shtator, të nesërmen, dëshmitë dhe fjalënajat pohojnë dhe mohojnë praninë e tij të vazhduar në qytetin e Tiranës. Informacioni dhe dizinformacioni këtë ditë kanë bërë një përleshje dhe spektakël të madh.
Atë mbrëmje dihet me siguri që Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë së Republikës së Kosovës shtroi një darkë për të vlerësuar një grup ushtarakësh të FARK-ut. Ishte në një farë mënyre edhe mbledhje pune. U bë në restorantin “Nëna Mbretëreshë’’ . Takimi-darkë përfundoi rreth orës 23.00. Më pas të gjithë ushtarakët, të hipur në tri vetura, morën rrugën për në banesat e tyre. Karvanit të vogël rrugës i ndodhin rrethana të çuditshme dhe aspak miqësore. Makina ku ndodhej Ahmet Krasniqi, e vetme, me shoferin dhe një ushtarak shoqërues, më në fund hyri në rrugicën që të çonte tek rezidenca e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës. Ndriçimi i saj qe i dobët, pothuaj gjysmëterr.
Për të hapur portën zbritën nga makina shoferi dhe ushtaraku, i cili qe gazetar. Befas u dëgjua britma e fortë “Mos luani!’’ E kishte nxjerrë nga fare afër një fytyrë me maskë të zezë. Ndërkaq dy të tjerë të maskuar, me kallashnikov dhe revole në duar, shfaqën fantazmat e siluetave të tyre. Ata kishin zënë edhe daljen nga rrugica. Në fillim ia drejtuan armët shoferit dhe ushtarakut e ndërsa Ahmet Krasniqi doli nga vetura për të mos lejuar dhunën ndaj të vetëve njëri nga maskat ia vuri ministrit tytën e automatikut në grykë. U dëgjua pyetja “A është ky?” Me një frymë erdhi edhe përgjigja “Është vetë ai’’. Pastaj u shkrehën plumbat. Ranë të rëndë. Muret anësorëe të rruginës së ngushtë i bënë të shurdhoheshin.
Ishte pothuaj mesnatë.
Ai që shtiu mbi Ahmet Krasniqin nuk e dinte mbi cilin person po dërgonte vdekjen. Thjesht i kishin thënë se do të vrisnin një tradhëtar të çështjes shqiptare dhe spiun serb. Që po i merrnin jetën pikërisht Ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës e dinte mjaft mirë personi i dytë, ai që i tregoi atentatorit personin-objektiv të shënjestrës. Ky ishte nga një qytet me emër të mirë nga Kosova. Deri atëhere njihej si njeri i mirë, por që më pas iu dha shumë pijes. Shumë muaj më pas nga mesnata e 21 shtatorit 1998 do të vritej. Gjendej në një betejë me milicinë e ushtrinë sërbe, por plumbin e mori në shpinë.
Lajmi i vrasjes së Ahmet Krasniqit në Tiranë u përhap vetëm me lajmet radiotelevizive të mëngjezit, sepse kur ajo kishte ndodhur gazetat me faqet e tyre të para kishin hyrë e dalë nga shtypshkronjat. Ngjau e njëjta gjë edhe në Prishtinë. Këtu u muarr vesh edhe një lajm tjetër: Adem Demaçi pati dhënë një “dorëheqje” të butë nga detyra e përfaqësuesi politik të UÇK-së. Këtë e bëri të ditur më 22 shtator gazeta “Bota sot” me shkrimin e titulluar “Adem Demaçi në pushim të gjatë mjekësor”. Fjalët e përhapura thoshin se ngjarja e papritur kishte ndodhur që në 20 shtator. Prej zyrës së tij qe thënë se “për shkak të stërngarkimit me punë mjekët kanë konstatuar se ai ka një tendosje të tepruar të nervave dhe një keqësim të diabetit. Për këtë arsye mjekët e kanë këshilluar zotëri Demaçin që të deaktivizohet nga të gjitha punët e veta të përditshme dhe të pushojë sa më gjatë”. Në vijim thuhej se të gjitha takimet e parapara me miq të huaj dhe të vendit si dhe takimet e caktuara me gazetarë do të shtyheshin për një afat të pacaktuar.
Që të mos binte harrimi
Njeriu i UÇK-së, koloneli Dilaver Goxhai, në shoqërinë e stafit drejtues të gazetës “Rilindja”, mori pjesë në varrimin e Ahmet Krasniqit. Aty ishte edhe Flamur Gashi. Ceremonia e nderimit të fundit dhe përcjelljes për në varreza do të bëhej në Shtëpinë Qëndrore të Ushtarakëve. Rrugës për atje një punonjës i gazetës “Ushtria” e pyeti Goxhain se për ku po shkonte. Ky u përgjegj se ishte nisur për në homazhin e Ahmet Krasniqit. “Ti do të vish?”, i tha tjetrit. “Jo”, iu përgjegj ky, “Na porositën të qëndrojmë sa më larg ceremonisë që të mos i jepet një pompozitet i madh zyrtar”.
Në homazh ishte edhe bashkshortja e të ndjerit, Sllobodanka. Rrinte pranë arkivolit bashkë me të dy fëmijët, Teutën dhe Florentin. Në qafë mbante një gjerdan me shqiponjën shqiptare.
Nuk qe i pranishëm asnjë autoritet qeveritar i Tiranës. Mes politikanëve u pa Pjetër Arbnori dhe Leonard Demi. Më pas u shkua në varrezat e Sharrës. Një skuadër e posaçme pushkatarësh e dërguar nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë shkrehu tre bataretë e nderimit. Ndërsa në ceremoninë e homazhit kishte edhe shumë shqiptarë të Tiranës, në varrim pjesa dërmuese qenë bashkëkombas nga Kosova. Në grupe të veçuara të tyre thuhej me zë të ulët “Na e ka vrarë Shqipëria”. Njëzetë e dy shtatori dhe për shumë kohë vijimi i saj do të provonte sa mirë ishte stisur e montuar ajo vrasje dhe dizinformimi i qëllimshëm për të prodhuar pikërisht atë të pavërtetë.
Por as kësaj rradhe diversioni i dëshiruar mes shqiptarëve këtej dhe përtej kufirit nuk shkaktoi asnjë përplasje, jo vetëm me armë, por edhe me dhunë fjalësh.
Kishte kaluar një javë nga vrasja kur kolonel Goxhain e telefonuan nga redaksia e revistës ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës. Kur shkoi atje Skënder Zogaj, shkrimtar por edhe politikan, bashkë me Ibrahim Shalën i thanë në intimitet se dëshironin të botonin dy libra të ministrit. Qenë me temë ushtarake. Njëri për qëndresën e luftën në gazermën e Gospiçit, tjetri me shkrime të ndryshme. Zogaj shtoi se të dy botimet qenë planifikuar të bëheshin sa Ahmeti qe gjallë, kurse tashmë, ndërsa nuk jetonte më, ishin më shumë të obliguar. Nga Goxhai kërkonin një redaktim teknik të dy librave, rishikim thjesht nga ana ushtarake. Të paktën të botohej ai për Gospiçin.
Koloneli nga Tirana u ktheu përgjigjen “Me gjithë dëshirë!” E mori lendën e shkruar. Kur pati mbaruar gjysmën e leximit të tyre, vendosi që punën e bërë të mos ua mbante të fshehur njerëzve të UÇK-së, me të cilët tashmë qe lidhur. “Vepro si ta gjykosh vetë”, i thanë disa prej tyre. Dy ishin më të ashpër “Lëre se ka qënë i serbëve!”
Përfolja e shumë ushtarakëve shqiptarë të Kosovës, të cilët gjatë punës nëpër garnizone të ndryshme në Federatën Jugosllave, u patën njohur dhe krijuar familje me gra serbe, përbënte një pikë të sulmueshme nga mosdashësit e tyre. Shumë herë i shqetësuar nga kjo mënyrë rivaliteti Ahmet Krasniqi pati thënë se kishte dëgjuar që nxiteshin fjalët se nuk duhej të bashkoheshin me FARK-un për shkak se ai e kishte gruan sërbe. “Po mirë“, thoshte “Unë e kam gruan shkinë, por i kam fëmijët me emra shqiptarë. Pra ata janë shqiptarë. Unë jam shqiptar dhe gruaja ime e pranon realitetin se ajo tani është shqiptare. Unë familjen time ka muaj që nuk e kam parë. Fëmijët e mi i kam lënë fillikat për të kontribuar për Kosovën dhe bëj vetëm dy-tri orë gjumë në ditë. Kurse këta që më marrin nëpër gojë dhe që i paskan gratë shqiptare pse nuk vijnë të luftojnë por sillen nëpër Perëndim dhe bëjnë propagandë?”
Pas bisedës së paqartë me disa nga drejtuesit e UÇK-së në Tiranë, Dilaver Goxhai shkoi te Skender Zogaj dhe i tha “Unë e lexova një pjesë dhe më pëlqeu. Megjithatë kam një sugjerim. Po deshët dëgjojeni! Ta botojmë librin e Ahmet Krasniqit në këtë moment duket sikur ju u bëni një karshillëk atyre të UÇK-së dhe në vend që të afroheni, siç e kishte qëllimin e vërtetë Ahmeti, do të thellohet ndarja. Ne nuk na intereson ndarje, sepse mund të shkojë kjo deri edhe në përplasje me armë, prandaj mendoj që t’ja lëmë kohës. Të mbarojë lufta ose të shohim si do të shkoj ky proçes. Dhe ja gjejmë çastin e duhur. Më pas edhe unë kam më shumë kohë, e shoh me më tepër vëmendje”.
Kur u bë kjo bisedë akoma nuk kishte dalë shtatori i vitit 1998. NATO do të hynte në luftë pas gjashtë muajsh.
“Më mirë kështu”, ra dakort Skënder Zogaj. Vrasja e Ahmet Krasniqit i kishte ftohur shumë marrëdhëniet mes UÇK-së dhe FARK-ut, krizë që do të zgjatëte e ndërlikuar për jo pak kohë. Vrasësit e kolonelit e kishin tronditur frymën e bashkëpunimit mes dy ushtrive dhe krahëve politikë nëpërmjet njeriut që për të kishte qënë më vetmohuesi.
Megjithatë kësaj here Mukja e re e shqiptarëve kishte funksionuar. Nuk u ra në luftë civile, siç edhe qe projektuar krimi i mesnatës së 21 shtatorit. Ndërhyrja me armë e NATO-s e mbylli përfundimisht iluzionin e disa pacifistëve se mund të ndërronte sjellja e Sllobodan Millosheviçit me bukurinë e fjalëve apo veprimet e vonuara e të ngathëta luftarake. Ngadhënjeu mes popullit shqiptar të Kosovës alternativa e UÇK-së, e cila nuk humbi asnjë minutë dhe nuk kurseu asnjë jetë për të dëbuar përfundimisht milicinë dhe armatën serbe.
Vazhduan të vetmohonin për shqiptarizëm edhe Krasniqët. Në luftën e zhvilluar në Maqedoni, i rreshtuar në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, mori pjesë dhe Iliri, një nip i Ahmetit.
Busti i munguar në Tiranë
Në 17 qershor 2002 Agim Mehmeti, një ish-zëvendësministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, u bëri një letër institucioneve më të larta të vendit dhe propozoi të inicohej, debatohej dhe aprovohej në formë institucionale rivarrimi në Kosovë i kolonel Ahmet Krasniqit. Po ashtu në një afat të caktuar kohor t'i ngrihej lapidari në njërën nga sheshet kryesore të Prishtinës.
Në shtator 2002 në Tiranë veproi edhe një komision parlamentar i ngritur për të hetuar vrasjen e Azem Hajdarit, Ahmet Krasniqit dhe gazetarit Ali Ukaj.
Shtatorin e mëpasshëm, 2003, pesëvjetor i rënies, në një akademi përkujtimore të mbajtur në Prishtinë, mori pjesë e foli edhe presidenti Ibrahim Rugova. Ai delte rrallë nëpër mbledhje, por Ahmet Krasniqin e donte shumë.
Tashmë, në vitin 2008, në Prishtinë komuna i ka dhënë familjes Krasniqi, Sllobodankës dhe dy fëmijëve të saj, që jetojnë në Kroaci, një apartament. Po të dëshirojnë mund të kthehen e jetojnë aty. Ndërkohë Florenti është fejuar me një shqiptare. Sllobodanka nuk e ka hequr gjerdanin me shqiponjën tonë.
Në Tiranë në varrezat e Sharrës vendi ku prehet Azem Hajdari dhe ai i Ahmet Krasniqit qëndrojnë në të njëjtën rradhë e parcelë, fare afër. Ashtu siç i vuri shtatori i vitit tronditës 1998.
Kanë kaluar dhjetë vite që prej atij muaji. Ata që në paraluftë dhe më pas në përleshjen me ushtrinë pushtuese serbe kishin mospajtime, kontradikta të mëdha e të vogla, keqkuptime e humor të mbrapshtë, tani e drejtojnë Kosovën e pavarur në një qeveri të përbashkët. Megjithatë ende për një nga bijtë më të mirë të çështjes shqiptare nuk ka asnjë lapidar, asnjë bust, asnjë përkujtimore të dukshme. Edhe eshtrat akoma nuk janë kthyer në viset e tij, në tokën për të cilën dha jetën.
Në Tiranë, ku edhe u krye e qëllimtë dhe antishqiptare pabesia kundër tij, mund të bëhet një gjest i qartë kujtimi e nderimi. Bust mund të jetë, pse jo edhe më tepër. Do të mbetet një nga simbolet tona të bashkimit. Dhe në rast se një gjë e tillë nuk ndodh, le të gjendet një burrë nga viset tona apo të Kosovës, nga brenda apo jashtë trojeve të shqiptarëve, të mbjellë në Tiranë, në hyrje të rrugicës ku e vranë, buzë rrugës së madhe që të çon atje apo edhe në një anëshesh a park, një fidan peme. Le të jetë ky bli, rrap, pishë apo ulli. Mjafton të jetë pemë që jeton gjatë. Sa më gjatë. Sepse emri i Ahmet Krasniqit me siguri do të jetojë akoma më gjatë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Në dhjetëvjetorin e vrasjes së kol. Ahmet Krasniqit Empty Re: Në dhjetëvjetorin e vrasjes së kol. Ahmet Krasniqit

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi