Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Selim Belortaja:Qëndrestarë dhe Tradhtarë

Shko poshtë

Selim Belortaja:Qëndrestarë dhe Tradhtarë Empty Selim Belortaja:Qëndrestarë dhe Tradhtarë

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jul 16, 2009 10:29 pm

Qëndrestarë dhe Tradhtarë

Selim Belortaja

Ndoshta asgjë tjetër nuk mund t’u shërbente aktorëve politikë me më shumë efekt në këto vite, se sa këto dy fjalë Qëndrestarë dhe Tradhtarë. Ngarkesa historike dhe sidomos pesha abuzive dhënë atyre në momente kthesash, ka qenë vendimtare. Nuk gabojmë po të themi se ajo ka përcaktuar fatin e kthesave vetë, por sidomos fatin e liderëve lidhur me to. Në se zoti Berisha p.sh., ia doli mbanë aq mirë që mbas ’97-ës, jo vetëm të rifitonte duartrokitjet në partinë e vet -asokohe të shushatur, por edhe të shkundte çdo pluhur përgjegjësie nga kostumi i vet, kjo erdhi pikërisht nga përdorimi akrobatik që ai i bëri një fjale të vetme: qëndrestar. Thjesht “qëndrestarë” – i quajti ai të gjithë ata, që as bllokimi politik i kohës, as tërbimi gjysmë-politik e gjysëm-piramidal e madje as breshëritë e armëve të të gjithë kalibrave, nuk i zgjoi nga jermi i fanatikut qorr, dhe as i shtyu një hap të vetëm drejt reflektimit. Si atribut natyror i çdo mendjeje njerëzore pak a shumë normale.
Me këtë gur të fortë e të pagdhendur në dorë, ai vrau asokohe jo një, as dy, por ..një tufë zogjsh njëherësh. Vrau së pari “zogun” e përgjegjësisë së vet. Duke graduar si “qëndrestarë” pjesën e mbetur të oborrit të shpartalluar të PD-së, pjesën më të pashpresë jo vetëm në planin kulturor e intelektual as bëhet fjalë, por edhe në atë etiko-politik, pjesën pra që rrinte atje vetëm sepse s’kish ku shkonte tjetër, ai shpëtonte përfundimisht e ringrinte pa mundim staturën e vet politike. Me epitetin e gjetur, të denjë për një garnizon kështjelle mesjetare në rrethim, ai madje vetëprezantohej simbol i një kauze të sulmuar padrejtësisht nga të gjitha anët. Ja, unë jam këtu, në pafajësinë dhe në kauzën time të lartë. Këtë e dëshmon vetë “qëndresa” ..e “qëndrestarëve”. Që s’mund të ekzistojnë përveçse në raste kauzash të larta dhe kalash.
Së dyti, në mungesë të një oferte tjetër më të prekshme, emri “qëndrestar” ishte ledhatimi më i mirë që mund t’u bëhej atyre pak njerëzve që ende endeshin tutje-tëhu korridoreve të ngushta të PD-së. Mos u mërzisni. Ju jeni këtu kaq pak, sepse ju jeni të përzgjedhurit. Vetëm ju jeni emëruar ...qëndrestarë(!). Lum si ju pra për misionin që ju ra nga historia! Të tjerët plasën e s’e morën dot këtë titull.
Së treti ky ishte mesazhi, ose më mirë –antimesazhi më i mirë për dyshuesit dhe të përgjegjshmit e PD-së (që në kontekstin e sotëm rezultojnë padyshim ca idealistë budallenj). Ata pra që kërkonin që diçka të pastrohej patjetër në këtë ngrehinë, para se të mund t’i hynin me ndërgjegje të pastër ndonjë sezoni të ardhshëm politik. Dakord, por ju nuk jeni ..qëndrestarë(!). Ç’t’ju bëj unë ju? Ndërkohë që ju kërkoni pastrim e përtëritje, të tjerë zunë me ngut “llogoren” tuaj. Gabim i madh në se kujtoni se ju mbaja këtu për mendtë tuaj? Mendje kam vetë sa më tepron. Në s’jeni për ngritje kartoni e për llogore, po atëherë për çfarë jeni? Sikter pra me gjithë arsyetimin tuaj! Ja pra dhe thelbi i këtij kundramesazhi drejtuar dyshuesve e llogarikërkuesve në PD.
Po një “zog” tjetër i vrarë, u bë edhe vetë publiku shqiptar. Edhe ai “e hëngri” shqeto ngarkesën hileqare të fjalës qëndrestar. Dhe këtu qëndron edhe fatkeqësia e vërtetë dhe shkaku i “fatit të keq” që na ndjek historikisht. Pakkush e vuri në dyshim përmbajtjen abuzive të epitetit. Askush se pa atë si një grackë botëkuptimore dhe ideologjike. Rezultati dihet. Emrat më përgjegjës të katrahurës 97’ dhe 5-6 dallkaukë që s’dinë as vetë pse rrinë ndër salla të politikës, janë sot të vetmit që nuk i preku vala e “rinovimit” në PD. Zor t’i prekë edhe në të ardhmen. Pse? Thjesht sepse ata kanë marrë gradën ..qëndrestar. Më e fortë se emri akademik apo shkencëtar.
***
Krejt simetrike, duket nga krahu tjetër, edhe loja me termin “Tradhtar”. Sa i përket tingëllimit, ngarkesës historike, sugjestionit publik dhe efektit blic me të cilin ai ngulet e vepron në trurin e lodhur të njerëzve të tranzicionit shqiptar, termi tradhtar madje, duket një drogë edhe më e fortë. Suksesi afatshkurtër i tij është thuajse i garantuar. Gjithnjë si çomage në duart e më të madhit. Ike nga unë - je tradhtar. Ngrite pikëpyetje që hedhin hije mbi “dritën qelibar” të planeve të mia? –të thërres tradhtar!. Bëre një kompromis që ndreq punët e tua por prish të miat, - s’ka ndëshkim më të mirë se damka “tradhtar”. Tradhtar të thërres bile, edhe atëherë kur ti thjesht tregohesh më i shpejtë dhe bën manovrën që ...e kisha n’mendje ta bëja unë vetë. E bëre ti s’e bëra dot unë? Tradhtar i poshtër, ja ç’qenke ti! Kaq duhet. Pastaj media jonë, kujdeset vetë që lajmi të përcillet zhurmshëm në eter. Të shkojë kafe më kafe e derë më derë. Me të gjithë dramaticitetin që mbart fjala e gjetur. Që i madh e i vogël në këtë vend, të marrë vesh se një gjëmë e rëndë na ka gjetur. Se në mes tonë, si asnjëherë më parë, ka plasur tradhtia(!). E morët vesh? Na la dhe një nga “shtyllat e së majtës”!. Ç’bëri? Tradhtoi! Po si tradhtoi? Ja, u ngrit e shkoi tek Berisha. (dikush që s’di asgjë, pyet se si shkoi, në këmbë a me makinë?) More, more, ç’na gjet kjo gjëmë.
Po publiku? Gjithë gjasat janë që ky publik, që hëngri fare lisho “qëndrestarin”, nuk ka përse të mos hajë po aq lehtë edhe “tradhtarin”.
***
Dhe askush s’kujtohet për më të thjeshtën gjë. Një arsyetim minimal. Që do të na kishte shpëtuar në çast nga makthi e tortura. Duke na nxjerrë fare kthjellët nga morsa e rrezikshme dy epiteteve të keqpërdorura në ekstrem. Tradhtarit e Qëndrestarit. Duke ua djegur në duar padronëve një lojë të tillë. Lojën me ndjenjën dhe ngarkesën historike të termit. Shpërdorimin e emocionit publik për synime krejt personale. Dhe kalimtare. Fillimisht përmes identifikimit të aktit (teorik) me ndodhjen faktike të tij. Pastaj të barazimit të aktit – “fakt i kryer” me personin që ..e kreu atë.
Ajo që e zgjidh këtë është vetëm një gur i poshtëm i murit logjik. I cili mungon. Ky është raporti i “ndodhisë” me objektin. Mjafton pra që epitetin ta vëmë në raport jo me personin, por me bazën e vet. Me objektin (e mbrojtur apo të tradhtuar). Mjafton pra pyetja: kush u tradhtua? Ç’farë u tradhtua? Pas së cilës çdo bisedë hyn në një hulli logjike e realiate. Kështu nëse përgjigja është se “u tradhtua e majta(!)”, vjen krejt natyrshëm pyetja tjetër: cila e majtë qenka tradhtuar? E majta e vjetër, apo e majta e re? E majta e keqe, apo e majta e mirë? Se po të ishte e gjitha e mirë, përse atëherë duhet të dilnim “përtej” saj? Dhe pastaj cilës “së djathte” i shkon efekti? Apo mos vallë ky efekt shkon e shërben thjesht parullën tonë gjithëpërfshirëse: “përtej të majtës e të djathtës”?. Në një rast të tillë, nuk kemi pse ankohemi, apo jo.
Shkurt pra, pas kësaj rivendosje të rendit, në vend që të humbasim kohën mes legjendash qëndrestarësh e tradhtarësh, do ta përdornim më mirë gjykimin e mbetur. Për një shqyrtim më të mirë e racional të çështjes: Për ç’të majtë e ç’të djathtë e kemi fjalën?


Gazeta Shqiptare
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi