Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Tedi Papavrami: Mes violinës dhe librave të Kadaresë

Shko poshtë

Tedi Papavrami: Mes violinës dhe librave të Kadaresë Empty Tedi Papavrami: Mes violinës dhe librave të Kadaresë

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jul 16, 2009 10:33 pm

Tedi Papavrami: Mes violinës dhe librave të Kadaresë

Fatmira Nikolli

Tedi Papavrami do të dashurohej me violinën që në moshën katërvjeçare, një dashuri së cilës do t'i kushtonte jetën. I ati, Robert Papavrami, do t'i jepte edhe mësimet e para, që për Tedin do të ishin edhe gurët e themelit mbi të cilët do të ngrinte kalanë e arritjeve të veta. Kur ishte fëmijë, çdo ditë në mëngjes do të merrte rrugën drejt Liceut Artistik, ku për orë të tëra do të qëndronte me violinën dhe tingujt e saj të magjishëm. Dalëngadalë, do të mësonte kompozitorët e mëdhenj e do të njihte veprat e tyre. Më vonë, ai do të udhëtonte drejt Perëndimit për të perfeksionuar studimet e veta. Aty zuri fill edhe suksesi i një violinisti shqiptar në skenat e botës. Emri i tij do të lakohej herë pas here, për të treguar hapat e mëdhenj të një shqiptari. Sot, ai është një ndër violinistët më të kërkuar nëpër skenat e huaja dhe ndër më të suksesshmit shqiptarë në botë. Kohë më parë Tedi u vlerësua me çmimin "Instrumentisti më i mirë i vitit", nga Akademia e "Çmimeve Kult". Në këtë intervistë mjeshtri rrëfehet duke treguar koncertet dhe emocionet, madhështinë dhe thjeshtësinë e tij. Si një artist që ka prekur skenat më të mëdha të botës, Papavrami tregon se arti jokomercial është gati gjithmonë deficitar. I suksesshëm përtej tokës ku lindi, Tedi tashmë është një violinist profesionist që nuk harron prej nga erdhi. Madje ai kujton se suksesin e tij ia dedikon të atit, Robert Papavrami, duke vënë në dukje se pa bazën që i ka dhënë dikur ai në Liceun Artistik, nuk do të kishte arritur nivelin që ka.
Jeni vlerësuar si "Instrumentisti më i mirë i vitit" nga Akademia "Kult". Çfarë është për ju ky çmim?
Për mua, ky çmim simbolizon vlerësimin që i është bërë koncerteve të fundit që kam dhënë në Shqipëri. Sigurisht duke qenë se ky dallim i drejtohet artistëve shqiptarë, kjo e vë në pah më tepër se zakonisht faktin që jam gjithashtu një i tillë. Është i pari dallim i tillë që më bëhet në Shqipëri dhe kjo më gëzon.
Keni interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael etj, me orkestra të njohura e nën drejtimin e dirigjentëve të njohur; keni zhvilluar disa turne në Japoni me "24 Capricciot" e Paganinit dhe jeni ndër të paktët violinistë që interpretoni integrale. Cili nga këto evenimente ju ka bërë ju të ndiheni më mirë profesionalisht?
Në fakt kam tendencë t'i harroj koncertet kur kanë kaluar. Koncerti është emocion i çastit. Por është e vërtetë që për shembull, koncerti me "24 Kapricciot" e Paganinit në Tokio ka simbolizuar një arritje ndaj vetvetes. Madje ky koncert do të publikohet pas disa muajsh në CD pa asnjë montazh, ashtu siç është luajtur atë natë.
Gjithë jetën tuaj ia keni kushtuar violinës. Ju jeni kaq i suksesshëm sepse i jeni kushtuar asaj, sepse keni pasur fat, talent, agjent të mirë, apo një mësues të mirë në fillimet tuaja...
Përveç agjentit, të gjitha të tjerat janë të vërteta. Roli i babait tim, Robert Papavrami, ka qenë kryesor sigurisht, se pa bazën që më ka dhënë dikur në Liceun Artistik, nuk do të më ishte lejuar të kisha arritur nivelin që kam. Ndryshe për sa i përket famës, në Shqipëri suksesi im lidhet me shumë fakte, si me historinë time. Nëpër botë ai mbetet relativisht konfidencial dhe i përqendruar në botën e njohësve të violinës dhe të muzikës.
Ju jeni shprehur në Kosovë se në një shoqëri ideale muzika, letërsia dhe artet figurative duhet të ishin në epiqendër të jetës së një qyteti. Kur kjo nuk ndodh, ç'bëhet me artin sipas jush dhe si e konsideroni artin shqiptar në Shqipëri?
Kjo fatkeqësisht, po ndodh gjithmonë dhe më pak, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet. Arti jokomercial është gati gjithmonë deficitar. Kjo sigurisht ndodh dhe në Shqipëri. Një nga avantazhet e Shqipërisë është mbase fakti që disa artistë, për shkak të numrit të vogël të banorëve të vendit, si dhe numrit të kufizuar të artistëve shqiptarë në të kaluarën, të njihen edhe nga njerëz që nuk e shijojnë fillimisht artin e tyre. Duhet shpresuar që ky popullaritet pak i veçantë mund t'i sjellë drejt artit një kategori njerëzish, të cilët nuk do të kishin pasur normalisht kontakt me të.
Tek cili kompozitor e gjeni veten më shumë, apo keni dëshirë thjesht të "zbuloni" pjesë nga kompozitorë të ndryshëm?
Duhen vite që të përvetësosh thellë stilin e një kompozitori. Sigurisht disa janë më të afërt se të tjerë, në raport me personalitetin dhe edukatën që ka pasur interpretuesi. Por është vështirë të thuash se në cilin gjen vetveten, kënaqësia për mua është zakonisht pikërisht të harroj vetveten duke u futur sa më në thelb të botës së krijuesit që interpretoj. Mund të them për të dhënë një shembull, që e kam pasur më të lehtë këtë me muzikën franceze se me gjermanen, por në saj të një pune të madhe dhe dashurisë së thellë që kam për shumë kompozitorë gjermanë, them që me kohë është ekuilibruar.
Cili është "raporti" juaj me kompozitorët shqiptarë?
Ka shumë gjëra që duhet t'i zbuloj në këtë fushë. Koha më mungon pak për këtë, fatkeqësisht. Sigurisht ka vepra të repertorit të fëmijërisë, ose të tjera që luheshin në koncerte në atë kohë, të cilat kanë sjellë kontributin e tyre për të më edukuar si muzikant.
Keni interpretuar shumë koncerte në shumë vende. Cili ka qenë koncerti që ju ka lënë mbresa më të thella?
Siç e thashë më sipër, nuk i mendoj shumë koncertet, pasi kanë kaluar përveç analizës së lojës që më lejon të korrigjoj detaje dhe të përmirësohem. Kur luaj, jam i përqendruar në lojë, dhe mbresa po aq të forta mund të kem çdo ditë duke luajtur në shtëpi. Njerëzit e kanë të vështirë të më besojnë kur them që kënaqësia që kam duke dëgjuar ose thjesht duke menduar muzikën, është shpesh dhe më e lartë se ajo që kam kur e interpretoj në instrument.
Çfarë janë për ju rolet që keni në filma, qoftë edhe tek "Kronikë provinciale" e Artan Minarollit? Në jetë jeni njësoj si në rolin tek ky film?
Në fakt nuk e kam parë ende filmin e mbaruar. Por më duket se kam në jetë një personalitet shumë më kompleks se personazhi i filmit.
A keni pasur oferta për filma të tjerë? Çfarë rolesh ju pëlqejnë më shumë?
Për momentin nuk kam pasur. Unë jam mbi të gjitha i apasionuar nga kinemaja si spektator. Adhuroj Fellini, Kubrik, Hitchkock, Clouzot, Bunuel e sa e sa të tjerë. Nuk kam pretendim vetë si aktor.
Keni kohë që merreni me përkthimin e veprave të Kadaresë. Një fushë kjo, ku ju po ecni mjaft mirë. A është e vështirë kjo për ju, duke pasur parasysh stilin e Kadaresë, por edhe famën e tij jashtë vendit?
Në fakt po bëhen 10 vite që unë përkthej librat e Kadaresë dhe në mos gabohem, kam përkthyer nëntë vepra deri tani. Përkthimi është një art i vështirë, por ku gjej sadisfaksione të mëdha. Si në muzikë, e vetmja rrugë është të përqendrohesh mbi tekstin e autorit, fama e tij është diçka e jashtme që nuk luan rol as kur luan një sonatë të Bethovenit, as kur përkthen një tekst të Kadaresë.
Aktualisht, çfarë vepre të tij po përktheni, dhe nëse nuk mund të na jepni titullin, a mund të na shuani kuriozitetin me tematikën që trajton?
Më vjen keq, por preferoj t'ia drejtoni këtë pyetje autorit, se vepra e tij para botimit i përket vetëm atij.
"Darka e gabuar" u vlerësua tek "Çmimet Kult", ndërkohë që ju e keni përkthyer atë në frëngjisht. Si është vlerësuar përkthimi juaj nga autori dhe nga ata që e kanë lexuar atë në frëngjisht?
Ismaili ka qenë i kënaqur, ashtu si dhe editori i tij Claude Durand dhe vepra më ka entuziazmuar shumë gjatë përkthimit, çka është ndier me siguri në përkthimin që i kam bërë. Por botimi i saj frëngjisht do të zhvillohet në fund të shtatorit.


Gazeta Shqiptare
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi