Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ndue Ukaj: Europa si shpirt dhe rragatjet tona

Shko poshtë

Ndue Ukaj: Europa si shpirt dhe rragatjet tona Empty Ndue Ukaj: Europa si shpirt dhe rragatjet tona

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jul 19, 2009 2:30 am

Ndue Ukaj: Europa si shpirt dhe rragatjet tona U1_NdueUkajEuropa si shpirt dhe rragatjet tona

Nga Ndue Ukaj

Shqiptarët në geto! Kështu u shkrua dhe kështu u komentua mos përfshirja e Shqipërisë dhe Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. Aty këtu, me një diskurs patetik, filluan të dalin në pah edhe zëra të atillë që mospërfshirjen e shqiptarëve në këtë proces ta interpretojnë si tendencioze, si një lloj përjashtimi të shqiptarëve nga kjo familje e madhe politike e kulturore. U sforcua diskursi publik dhe sa nuk u anatemua Europa, tamam sikur në poezitë e Gjergj Fishtës të para një shekulli, të cilat edhe si të atilla keqkuptohen. Mirëpo, pak ose aspak nuk u debatua esencialisht, pse ne jemi jashtë kësaj marrëveshje? Madje, pak ose fare s’u debatua nëse vërtet qeveritë tona punuan për të arritë këtë qëllim dhe nëse vërtet ne e meritojmë këtë marrëveshje?

Qeveritë tona bëjnë veprime të pakuptimta dhe aspak me vlerë, prandaj edhe ne mbesim jashtë këtij procesi. Mbesim jashtë këtij procesi sepse transformimet tona në përkim me konditat perëndimore janë të zbehta, të mos themi, janë një farsë, prapa së cilave fshihen gjithfarë pasionesh të çoroditura.

Projekti i Unionit Europian para se të jetë politikë, ekonomik është i motivuar dhe i shenjëzuar si projekt kulturor, rrënjët e së cilit janë thellësisht shpirtërore. Këtë vlerësim e mbështetin gjithë projektuesit e këtij Unioni. Ndërsa këtë tezë e mbron edhe Robert Schuman, ish ministri francez, ideator i kësaj bashkësie politike. Ai tek libri “Në emër të Europës” ndër të tjera shkruan: “Europa para se të jetë Aleancë ushtarake apo entitet ekonomik, duhet të jetë bashkësi kulturore në kuptimin më të lartë të kësaj fjale". Ky shtresim semantik, vënë në pah atë që konsiderohet element bazik për të ndërtuar shtëpinë e përbashkët europiane. Janë shumë faktor që kanë ndikuar në unitetin kulturor dhe diversitetin politikë të Europës, prandaj shkrimtari i madh gjerman Goethe thoshte se: “Çfarë e bashkon Europën është kultura, ndërsa çfarë e ndajnë janë idetë politike”. Në këtë linjë te përsiatjeve për këtë krijesë politike, është edhe Aurel Plasari, njëri nga dijetarët më të shquar të sotëm shqiptar, i cili Europën e sheh si shpirt, si një koncept që sintetizon vlerat e përbashkëta e trashgëimi të përbashkët shpirtërore (Rrëmbimi i Europës). Dhe që të jesh pjesë e kësaj familje, në gjitha dimensionet duhet të pranosh atë rënd e sistem, brenda trashëgimisë së përbashkët që ka domethënie specifike në kohë, duke kaluar stadin e modeleve të kundërta. Në të vërtetë, përkundër proklamimeve të gjithfarshme, nëpër institucione politike, Europa mbetet thellësisht projekt kulturor. Dhe kjo u dëshmua jo pak herë gjatë këtyre dekadave të funksionimit të saj. Për ata që kanë vesh të dëgjojnë, këto kambanat bien shpesh. Kësisoj duhet kuptuar edhe përpjekja qëllimirë dhe shumë e nevojshme e shkrimtarit Ismail Kadare për të rrënjosur në shpirtin e shqiptarit një mendësi dhe identitetit puro perëndimor, si hallkë esenciale në rrugën e rikthimit të dinjitetshëm në familjen europiane. Dhe si një premisë e qëndrueshme për të eliminuar gjitha paragjykimet e sterotipet e caktuara. Ky synim shqiptar, përveç se duhet konceptuar si politikë, duhet të ketë në shtresimet bazike, komponenten shpirtërore dhe jetësimin e sendërtimin e vlerave të përbashkëta, si filozofi e qenësimit dhe rrugëtimit të përbashkët të një shpirti që ka pas strumbullar këtë vlerë.

Në diskursin tonë kombëtar, vazhdon avaria sterotipe e proklamimeve pro dhe kundër përkatësisë perëndimore të shqiptareve. Kjo avari, kund shërbehet me analiza e diskutime racionale, kund është preh e paragjykimeve dhe mungesës së njohurive bazike për të njohur dhe kuptuar Europën realisht. Në fakt, ajo që është për të ardhur keq në këtë debat është natyra dhe statusi i debateve shterpe. Për problemet tona, më së shumti polemizojmë, madje deri në ekstreme me njëri tjetrin, duke përjashtuar gjithherë ata që janë munduar të cenojnë pikërisht identitetin tonë thellësisht perëndimor, apo në raste edhe më ekstreme kanë pretenduar të shkatërrojnë, shkëpusin në tërësi qenien shqiptare nga rrjedha dhe rrënjët e përbashkëta.
Në diskursin politik ashtu sikurse edhe në atë kulturor e publicistik, procesi i integrimeve, si objektiv shqiptar nënkupton integrim në Familjen Perëndimore. Kjo është bërë kryefjala e jetës politike e mediatike. Madje në emër të kësaj, bëhen marrëzi të panumërta në jetën e brendshme shoqërore, gjoja se këto bëhen për hir të integrimeve perëndimore. Mirëpo, kjo kryefjalë po të analizohet sipas principeve krahasimtare shihet sheshazi se nuk kuptohet drejt. Prandaj, edhe sot e gjithë ditën vazhdojmë avazin tonë të bërit retorikë boshe: flasim me vend e pa vend për integrimet në Familjen Perëndimore, ndërsa gjithçka bëjmë në ambientin tonë politikë, kulturor, arsimor, ekonomik, jo që s’ka asgjë të përbashkët me vlerat e përbashkëta të këtij organizimi politikë që quhet Familje Perëndimore, por është antipodi më i keq i kësaj. Dhe ky antipod është i rrënjosur thellë në të gjitha segmentet që e përbëjnë jetën e kombit.

Është moment imediat që ne të kuptojmë dhe pranojmë Europën si një bashkësi e vlerave të përbashkëta, apo ajo që konton si “trashëgimia e përbashkët me domethënie europiane” të bëhet formulë për orvatjet tona. Në këtë formulë politike e kulturore, fshihet esenca e shumë debateve për rikthimin e shqiptarëve në Perëndim. Këtë betejë e kanë nisur tribunët e mendimit shqiptar, Faik Konica, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Mithat Frashëri, Krist Maloku, e shumë te tjerë, ndërkaq idealiteti i tyre akoma nuk është jetësuar. Ne rropatemi drejt rikthimit në Perëndim, mirëpo mbesim ende me avarinë e pashembullt të jetës jo perëndimore, një tip i së cilës funksion në çdo segment me rëndësi.

Procesi i rikthimit te shqiptarëve në Familjen e kombeve të civilizuara perëndimore, duhet, përpos standardeve të shumëfishta që lidhem me politikën, ekonominë, gjyqësinë, të rimendoj çështje të ndjeshme psikologjike, transcidentale, ato që Plasari i koncepton si vlera një shpirti.

Akulturimi i një kombi është vrasja më e tmerrshme e tij. Dhe kur ky soj degjenerimi zotëron një shoqëri, atëherë prishet i tërë sistemi dhe degjenerohet gjithë hierarkia shoqërore. Shqiptarët me shekuj e dekada kanë përjetuar akulturim, prandaj është kohë të rimendohet kjo dhe të rikthejmë besimin tek vetja dhe te rruga jonë e përbashkët për të qenë pjesë e Shpirtit të Europës së Bashkuar.

Në pikëpamje politike Bashkimi Europian përfaqëson një organizatë gjigante, në mirëqenie të lakmueshme ekonomike, një sistem të avancuar demokratik, përgjithësisht një mirëqenie të lartë. Në pikëpamje përtej politike, ato që ndërlidhen me esencat, me kulturën dhe shenjat e përbashkëta shpirtërore që i dedikohen edhe trashëgimisë së përbashkët, europa dhe perëndimi përfaqëson një shoqëri të hapur, ku puna dhe bashkëpunimi janë prioritet, ku kultura e dialogut dhe e respektimit të dinjitetit të njeriut është çelësi për çdo zgjedhje, ku debatet dhe respektimi i tjetrit mbesin shtylla të fuqishme.

Çdo herë kur diskutohen plagët tona, të metat tona, mosveprimi ynë, kur stigmatizohet realiteti, nuk duhet të tkurremi brenda mureve tona të errëta dhe të bëhemi qaraman, por duhet të justifikojmë me fuqi bindëse se Europa është atdhe i vlerave tona të përbashkëta. Prandaj duhet të shtrohen për diskutim çfarë duhet të bëjmë më shumë dhe si të veprojmë më mirë, që Europa të bëhet atdheu i vlerave tona të përbashkët, siç shkruan nobelisti Vaclav Havel, pasiqë me shekuj kemi jetuar të shkëputur nga këto vlera, por me një nostalgji dridhmuese.

Një dijetar i viteve të 30-ta Tajar Zavalani në eseun “Ç'pamë në Evropë. Ç'gjejmë në Shqipëri”, ndër të tjera do të shkruajë “Atje u munduam, si cilido pas takatit dhe zotësisë, të shkundim pluhrin e mrapështisë ku qemë rritur, të çkëputemi nga idhetë e ndryshkura, paragjykimet e cekta dhe mentaliteti primitiv; u përpoqëm të riedukojmë vehten dhe të armatosemi me dituri dhe vullnet për punë”. Dhe ja çfarë ne duhet të bëjmë sot.

E pra, është tani momenti gjithë tok të rrekemi që Europa të bëhet atdheu i vlerave tona të përbashkëta në gjitha drejtimet, duke i njohur dhe sendërtuar lidhjet e tona të shumëfishta me këtë civilizim. Në të kaluarën, ne kemi pasur një shkëputje nga ky sistem vlerash, ndërkaq në kulturën e shkrimit kemi ndërtuar një tipologji të tillë, e cila këtë shkëputje e ka vajtuar dhe cilësuar si të keqën më të madhe që ju ka ndodh Shqiptarëve. Sot, ne që jemi në prag të hyrjes në Shtëpinë tonë, të kultivojmë ndjenjat dhe vlerat tona të përbashkëta, duke flakuar të gjitha shtresat që na janë mveshur padrejtësisht. Dhe nostalgjinë për Europën tonë, ta kthejmë në dashuri realiste, vetëdije funksionale për një të ardhme pa rropatje.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi