Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sa e çmendur bota e futbollit!

Shko poshtë

Sa e çmendur bota e futbollit! Empty Sa e çmendur bota e futbollit!

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jul 20, 2009 11:57 am


Sa e çmendur bota e futbollit!


20.07.2009
Përse duhet të ulen rrogat dhe shifrat marramendëse të shitblerjeve të lojtarëve. Platini, me detyrën e të plotfuqishmit të futbollit europian, sulmon me të njëjtën fantazi, siguri dhe ambicie si në kohën kur fitonte tre "topa të artë" radhazi.
Mishel Platini, 54 vjeç, ish-ylli i Juventusit dhe një nga më të mëdhenjtë e futbollit botëror, që prej vitit 2007 është presidenti i UEFA-s dhe nuk e fsheh aspak shqetësimin se sheh te shpenzimet marramendëse rrezikun më të madh të botës së futbollit. Për këtë arsye mendon të vendosë rregulla të reja për "fair play"-n financiar. Një panoramë krejtësisht e kundërt me fushatat thuajse faraonike të klubeve të mëdha si Real Madridi, që vetëm këtë verë ka investuar më shumë se 216 milionë euro për të pasur në skuadër shumë yje. Një objektiv ky me të cilin Platini po punon edhe në këto ditë pushimesh, që po i kalon me familjen e tij në det, në Casi, një zonë mes Marsejës dhe Kanës. Edhe pse tregon se ua hap telefonin vetëm miqve të tij të ngushtë, Mishel Platini nuk nguron të flasë për një temë kaq delikate.

Na shpjegoni pak se si mund të ndalet një pasanik si Florentino Perez, presidenti i Real Madridit, të bëjë çmendurira të tilla nëse disponon kapitalet e mjaftueshme?

Në të vërtetë, nuk jam i shqetësuar për ndonjë klub në veçanti. Përkundrazi, më lini t‘ju sqaroj se raportet e mia me Perez janë shumë të mira. Ato që më shqetësojnë janë disa sjellje që hasen në vende të ndryshme. Shumë klube administrohen akoma në mënyrë artizanale dhe e mbështesin mbijetesën e tyre vetëm në të ardhurat e presidentëve. Shpenzimet marramendëse në këtë kohë krize rrezikojnë t‘i japin një shtysë rritjes së çmimeve, gjë që do të çonte në falimentimin e shumë klubeve në Europë. Rrogat dhe çmimet e transferimeve nga një klub në tjetrin kanë arritur nivele të paimagjinueshme. Është rasti të kujtojmë se gjysma e klubeve europiane del me humbje. Nëse është e vërtetë se ekzistojnë investitorë pa probleme me bilancin, në gjendje të spekulojnë, është e vërtetë gjithashtu se shumë sipërmarrës preferojnë të mos futen në futboll, sepse e quajnë si shumë pak të besueshëm. Ndaj është e rëndësishme që të ketë rregulla, sipas të cilave çdonjëri duhet t‘ia dalë mbanë vetë, pa ndihma nga jashtë, që favorizojnë spekulime për periudha të shkurtra. Është e rëndësishme, ndaj synoj te "fair play" financiar me ulje të kostove të rrogave dhe transferimeve pikë së pari dhe rritjes së të ardhurave përmes marketingut, promocioneve apo administrimit të pasurive. Ky sistem, që është ende në studim, parashikon që shpenzimet të mos i tejkalojnë të ardhurat, duke penguar që shumë klube të shkatërrohen duke u paguar shuma stratosferike kampionëve apo menaxherëve të tyre.

Në ditët e shkuara edhe Vatikani e mbështeti vendimin tuaj për ulje të shpenzimeve. "Osservatore Romano" mes të tjerave denonconte rrezikun se me shpenzime marramendëse do të ndryshojë ekuilibri i kompeticioneve sportive.

Ndërhyrja e një gazete kaq prestigjioze më dha shumë kënaqësi. Ky është një konfirmim që futbolli ka nevojë për një rinovim thelbësor. Është e vërtetë, nuk është e drejtë t‘i fitosh kompeticionet falë ndërhyrjeve nga jashtë, që shpesh janë të motivuara nga logjika ekskluzivisht individualiste.

Në finalen e fundit të Ligës së Kampioneve, Barcelona e Mançester janë shoqëri me shumë borxhe. Nuk ka rrezik që me shkurtimin e kostove mund të mos kemi më spektakël?

Mendoj të kundërtën. Besoj se "fair play" financiar do të shmangë përqendrimin e kampionëve në pak skuadra, kështu që spektakli do të jetë më i madh. Kampionatet në Europë dhe Liga e Kampioneve do të mbeten kompeticione për klubet më të rëndësishme në botë. Kaka dhe Ronaldo do të vazhdojnë të luajnë në këtë Evropë, por ndoshta do të kushtojnë më pak.

Ju keni deklaruar se duhen tre vjet për të ndryshuar sistemin. Mendoni se mjafton një periudhë kaq e shkurtër?

Pjesa më e madhe e presidentëve të klubeve dhe ligave është rreshtuar në anën tonë. "Fair play" financiar do të përfaqësojë një mundësi të madhe për ata që duan të investojnë në infrastrukturë. Edhe pse kjo kërkon kohë, me siguri që UEFA do t‘i aplikojë rregullat e reja brenda vitit 2012.

Si mendoni ta kundërshtoni projektin e Perezit, që dëshiron të "prezantojë" një superkampionat me 16 skuadrat më të pasura dhe më të mira?

Për sa i përket Superligës, pjesa më e madhe e presidentëve janë dakord me mua: tashmë e kemi, quhet Liga e Kampioneve.

OSBE kohët e fundit ka hedhur një tjetër alarm: atë se futbolli po përdoret për të ricikluar paratë e pista?

Rreziku ekziston. Ashtu siç është në dijeni edhe OSBE, UEFA ka forcuar masat disiplinore për të luftuar aktivitetet kriminale. Por në këtë fushë nuk mund të veprojmë të vetëm. Është i domosdoshëm bashkëpunimi me qeveritë dhe policitë.

Ju jeni angazhuar edhe në luftën kundër racizmit. Mendoni se propozimi juaj për të ndërprerë ndeshjen kur nisin thirrjet raciste kundër lojtarëve me ngjyrë do të gjejë mbështetje?

Të shpresojmë se nuk do të lindë kurrë nevoja për të ndërprerë një ndeshje. Duhet respektuar diversiteti, dinjiteti, shëndeti

i lojtarëve, rregullat, arbitrit, kundërshtarët dhe tifozët. Mesazhi ynë është i qartë: tolerancë zero kundër racizmit, dhunës e dopingut në futboll.

Ju nuk besoni në teknologjinë e aplikuar në futboll. Preferoni mp shumë të trefishoni numrin e arbitrave, se sa të fusni moviolën në fushë. Por, një "mjet" i sofistikuar a nuk është më efikas se gjashtë sy njerëzish?

Futbolli duhet të mbajë aspektin e tij njerëzor, atë që i ka dhënë edhe popullaritetin. Është shumë e rëndësishme që loja të zhvillohet në mënyrë sa më natyrale. Me moviolën në fushë do të kishte shumë ndërprerje për të parë nëse ka pasur ose jo një faull apo një pozicion jashtë loje. Në transmetimet televizive ndodh që ekspertët të kenë opinione të ndryshme, madje edhe kur pamjet jepen nga kënde të ndryshme. Jam i bindur se me katër sy më shumë ndeshja do të rrjedhë shumë normalisht dhe do të ketë më pak gabime arbitrash.

Nëse Kristiano Ronaldo vlen 92 milionë, sa mund të kushtonte sot një Platini 23 vjeç?

Do të thosha 93 milionë, por franga të vjetra franceze dhe jo euro. Seriozisht, Platini nuk do të kushtonte asgjë, sepse respektonte angazhimet dhe qëndronte në klubin e tij deri në përfundim të kontratës që kishte firmosur në fillim.


Fenomeni

Sot është shndërruar në një fenomen shqetësues fakti i shifrave marramendëse të transferimeve dhe rrogave të lojtarëve. I fundit në këtë listë është Kristiano Ronaldo, për të cilin madrilenët shpenzuan 93 milionë euro. Rasti i Realit të Madridit, që ka shpenzuar 216 milionë euro për të pasur në skuadër yje të tillë si Ronaldo, Kaka dhe Benzema, ka çuar në hartimin nga ana e UEFA-s të një "fair play" financiar. Ai është ekuivalent i transparencës dhe përgjegjësisë në menaxhimin e brendshëm të klubeve, që janë principe të domosdoshme për mbrojtjen e kompeticioneve dhe të vetë klubeve të futbollit. "Fairplay" financiar u kërkon klubeve të mos hyjnë në borxhe për të konkurruar rivalët.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi