Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Halil Haxhosaj: Historia e kohës pasqyruar në roman

Shko poshtë

Halil Haxhosaj: Historia e kohës pasqyruar në roman Empty Halil Haxhosaj: Historia e kohës pasqyruar në roman

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jul 21, 2009 12:31 am

Halil Haxhosaj: Historia e kohës pasqyruar në roman U1_HalilHaxhosajHalil Haxhosaj
HISTORIA E KOHËS PASQYRUAR NË ROMAN




Udha vetëm bahet veç kur shkon në vorr

Popullore

Dhuna dhe eksodi te shqiptarët




Romani “Kur ta kthyem Kosovës shpinën”, botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2008, i autorit Sulejman Aliçkaj është një pasqyrim real i një kohë të turbulluar të historisë sonë më të re. Titullin e romanit të vet autori e ka marrë nga një kënga popullore e rapsodit tonë të mirënjohur Dervish Shaqa, “Kur ta ktheva Kosovë shpinën”, që në mënyrë simbolike i përshtatët tematikës së trajtuar në roman. I tërë materiali i zgjedhur për trajtim nuk është i rastësishëm, sepse autori depërton edhe nëpër qelizat e ndijimeve personale, apo siç quhet ndryshe, ai shpreh edhe disa elemente autobiografike në roman. Kjo ndodh tek shumë krijues të zhanreve dhe gjinive letrare. Në qendër të romanit është mërgimi i të rinjve shqiptarë të Kosovës gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Ky në njëfarë forme nuk ishte mërgim, por ishte një përndjekje e rinisë shqiptare të Kosovës nga pushtuesit serbë. Format për ndjekje ishin nga më të ndryshmet, të cilat në mënyrë artistike autori Sulejman Aliçkaj i pasqyron në romanin e tij. Strukturimi i kësaj tematike kapërdihet në njëzet e tre kapituj që nis me prologun dhe përfundon me epilogun e romanit. Secili prej kapitujve emërtohet nga autori, pra secili ka titullin e vet, çka i bën edhe tregime në vete që bashkohen me strumbullarin kompozicional të romanit. Forma kompozicionale e ndërtimit të fabulës nuk është simbolike, madje as hermetike, por është reale dhe e hapur. Kjo e fut romanin në zhanrin e veprës realiste, e pse jo të një realizmi kritik. Në qendër të romanit është i riut 19 vjeçar Lendim Ashti, i cili detyrohet të shpërngulet jashtë atdheut për shkak se jeta i bëhet e pamundur. Nuk i bëhet e pamundur vetëm jeta, por edhe shkolla, dashuria me Vesën, loja, studimet, dasmat e ahengjet, prindërit e farefisi. Dhe shpëtimin e gjen duke marrë rrugën e mërgimit. Niset asaj udhe të mallit, të ofshamës, të nëmës e të rrezikut. Dhe malli e mallkimi njëjtësohen me vargjet e këngës “Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën” që bëhet titull i këtij romani. Kjo nisje nuk është e vetme. Kjo rrugë nuk është vetëm e Lendit, por bashkë me të ka plot e përplot të rinj të tjerë si ai. E këtyre vargjeve u shtohet pesha e mallkimit sepse del në sipërfaqe thënia: “ Udha vetëm bahet veç kur shkon në vorr”. Kjo dilemë dialektike shpon mendjen e të rinjve tanë të cilët sa i lehtëson në fillim, dikur edhe më shumë i ngarkon me peshën e saj.

Jeta dhe peripecitë e saj janë unike në romanin e Sulejman Aiçkajt. Ajo edhe pse ambientohet edhe me toponimin e fshatit Rrezar dhe të krahinës së Dukagjinit, ka shtrirje të gjerë. Dhe thuajse gjëmimi i saj është i njëllojtë gjithkund, në secilën pëllëmbë të
Halil Haxhosaj: Historia e kohës pasqyruar në roman U1_SulejmanAlickaj
Sulejman Aliçka
Kosovës, në secilën qelizë të saj në fund të shekullit të XX-të. Pesha dhe tmerri i kësaj jete sa vinte e rëndohej, sa vinte e bëhej më e padurueshme. Autobusët mbusheshin jo vetëm me të rinj, por edhe me familje të tëra, me teshë e koteshë, me fëmijë e kalamaj, siç i thonë fjalës. Ky ishte karvani i përndjekjes biblike e të disates herë me radhe për shqiptarët e kësaj treve. Ata i nënshtrohen presionit të shpërnguljes për të mos u bërë arkivole, për të mos vdekur, por për të mbetur gjallë, që herë do kurdo t’i dalin zot Kosovës. Mbase, ky është njëri ndër mesazhet dominonte në këtë roman të Sulejman Aliçkajt. Kryepersonazhi gjen të bashkuar mërgatën shqiptare atje ku mbërrin. Edhe ai inkuadrohet me sukses dhe jep kontributin e tij. Sa herë që e lyp nevoja ndihma e Lendit dhe moshatarëve të tij nuk mungon. Por, ai e mban lidhjen edhe me familjen në Kosovë. Më se shumti ia ka dertin babait, i cili ishte moti i renditur në lëvizjen për çlirimin e Kosovës nga serbët. Edhe për nënën e motrat përmallohet. Por malli i veçantë e kapërthen për Vesën, të dashurën. Këtë dashuri ai e sakrifikon për vete dhe atdheun e tij. Këtu duket se del maksima e njohur romantike e rilindësve tanë që për dashuri jepnin jetën, kurse për atdhe jepnin edhe dashurinë. Edhe Lendi e shndërron dashurinë ndaj Vesës në mall e dhimbje, por ajo do të sendërtohet, kur të fitohet liria e shumëpritur.

Mërgimi, mërgimtarët dhe kthimi në atdhe




Në mbarë mbarështimin letrar të romanit “Kur ta kthyem Kosovë shpinën” të Sulejman Aliçkajt, frymon indi i kthimit në retrospektivë të disa ngjarjeve dhe situatave artistike. Kjo bëhet në mënyrë të suksesshme, sepse autori ia arrin t’i skalitë mirë të gjitha ngjarjet që i merr për t’i trajtuar, duke futur edhe elemente biografike. Dhe lexuesi njihet edhe më maltretimet, burgosjet, terrorin, përndjekjet dhe masakrat e ndryshme që i bëhen popullit shqiptar të Kosovës nga ushtria dhe policia serbe. Kjo shpjegohet mirë nga autori, pa ndonjë ngurrim, apo stagnim të situatës. Edhe ardhja në arkivole nga ish Armata jugosllave e të rinjve shqiptarë, edhe burgosjet, maltretimet, kërkimi i armëve, janë peizazhe ngjethëse në roman. Andaj, autori S. Aliçkaj ia arrin me sukses që ta gjejë një “mes të art artistik” në gërshetimin e gjithë kësaj ane reale të historisë sonë më të re. Dhe kjo përkon me “S’ka të tashme, koha s’fal dhurata”, thotë poeti dhe shkrimtari i njohur Zhak Prever. A nuk ishte e këtillë një pjesë e kohës në dekadën e fundit të shekullit XX për shqiptarët e Kosovës? Sigurisht se po! Por, kjo nuk do të zgjatë shumë sepse djemtë tanë radhitën në aradhet e para të UÇK-së dhe ia sjellin lirinë Kosovës. Lendim Ashtës edhe pse shkijet ia mbysin babanë me maltretime për shkak se nuk e qet kallashin që ia kërkojnë, zëri i kushtrimit të luftëtarëve të UÇK-së atij ia zbut dhimbjen, Kosovës ia sjell lirinë e më vonë edhe pavarësinë.

Romani i Sulejman Aliçkajt sjell një pjesë të kësaj historie në letërsinë tonë. Kjo prurje përkon më krijimtarinë letrare të këtij lloji që shkruhet sot në krijimet letrare. Andaj, me plotëni mund të themi se edhe ky autor ia arrin t’i shfaqë këto aspirata në lëmin e letërsisë. Dhe, pse jo, këtë e bën me sukses, këtë e bën me përkushtim. Prandaj romani është njështresor, i kapshëm dhe interesant për lexuesin, të cilin besoj se do ta ketë dhe nuk do t’i mungojë. Këtë e ilustron më se miri thënia popullore: “Udha vetëm bahet veç kur shkon në vorr”, që mbisundon në romanin “Kur ta kthyem Kosovë shpinën” të Sulejman Aliçkajt.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi