Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zyhdi Dervishi: Një zë në polifoninë e leximeve

Shko poshtë

Zyhdi Dervishi: Një zë në polifoninë e leximeve Empty Zyhdi Dervishi: Një zë në polifoninë e leximeve

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jul 29, 2009 1:54 am


Zyhdi Dervishi: Një zë në polifoninë e leximeve U1_Ibrahim_Kadriu
Ibrahim Kadriu
Një zë në polifoninë e leximeve


Vullkan revolte kundër padrejtësive. Magjia e jetës: në atdhe dhe për atdheun. Shënime për vëllimet poetike të Ibrahim Kadriut “S’mbet kohë për kremte“ (Rozafa, Prishtinë 2005) dhe “Frymëmarrje në shtjellë”(PEN, Prishtinë 2007)

Nga Prof. dr. Zyhdi Dervishi (Tiranë)

Në letrat shqipe, veçanërisht përgjatë 3-4 dhjetëvjeçarëve të fundit është përforcuar prirja e mjaft shkrimtarëve dhe sidomos poetëve të rinj për të çelur portat e rënda të kështjellës së krijimtarisë me çelësin e ekstravagancave, jo vetëm letrare, por edhe të mënyrës së veshjes, të sjelljes, të komunikimit e deri te të menduarit jashtartistik. Të qenit ekscentrik në përditësinë e jetës së përditshme nga opinioni i zakonshëm, madje edhe nga një pjesë e atij kritiko-letrar, rëndom është konsideruar e konsiderohet si një tregues sintetik i talentit. Ndërsa Ibrahim Kadriu ka ndjekur tjetër rrugë për t’u ngjitur, si të thuash, në karakollët më të larta të kështjellës së artit letrar, të prozës e të poezisë. Ai në heshtje, pa kurrfarë buje, por me vendosmëri e profesionalizëm të shkallës së epërme, ka ngritur një kat të veçantë, me arkitektë më origjinalë, të qëndrueshme në ngrehinën polivalente të artit poetik në gjuhën shqipe.

1. Palimpseste simbolike

Poezia e Ibrahim Kadriut para së gjithash ngjan me një palimpsest, i cili përmes disa shtresëzimeve simbolike, të interferuara e kundërthënëse përcjell një galeri të tërë mesazhesh që tejkalojnë limitet kohore, për të qenë vazhdimisht të përditësuara në rrjedhën e trazuar të kohës jo vetëm në hapësirat shpesh të përgjakura të Kosovës martire, por edhe ballkanike, europiane e më gjerë. Madje, natyrshëm poezia e tij shpërfaqet e vetëdijësuar për këtë mision fisnik që ravijëzon të përbashkëtat në rrjedhën e kohës.. Për këtë mjafton të citojmë disa vargje të poezisë “Para gishtave që shqyejnë kujtime”:

Andej fjalë e nënës

këndej fjalë e nënës.

Në mes unë

Pa gjuhë.

......

Heq lëkurën për analizë

Lëkurë e regjur nëpër shekuj.

Kësisoj, përballë fuqisë krijuese poetike të popullit, poeti zgjedh të flasë me simbolikën polivalente të heshtjes, ndërkohë që gjithë krijimtarie e tij është një mozaik që rrezaton jo vetëm nga strukturat e brendshme, por edhe nga strukturat e jashtme, nga lëkura e saj.

Shoqërisht kundëratomizuese

Të paktën që nga periudha homerike deri në ditët tona krijimet poetike që kanë mbijetuar në rrjedhën e trazuar të kohës kanë reflektuar problemet më të rëndësishme të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve në rrethana lufte të armatosur ose në të ashtuquajturën paqe relative. Me “instinktin” e llojit më të ndjeshëm të poetëve Ibrahim Kadriu heton mjaft dukuri shoqërore që traumatizojnë shoqëritë e ditëve tona shqiptare dhe të tjera, të cilat si enë komunikuese difuzojnë pothuajse gjithçka te njëra-tjetra, në sensin pozitiv dhe negativ. Një plagë që traumatizon shoqëritë moderne të ditëve tona, më të urbanizuara të Perëndimit, por edhe ato më pak të urbanizuara të Lindjes, është ajo e atomizimit, e rritjes së shkallës së ngujimit të njerëzve në vetminë e tyre. Një vetmim çpersonalizues, që i zhvesh burrat nga dinjiteti e burrëria. Vështirë të gjendet një poezi, e cila ta karakterizojë artistikisht në shumëdimensionalitetin e saj dukurinë e atomizimit si poezia me titull “Këtu diçka vret” e Ibrahim Kadriut:

Dita ka mbetur e vejë pa burrat e kohës

Që harruar janë në vetvete për vetveten...

Dita është bërë lavire boshe

.....

S’del bir nëne të rrahë gjoks burri

Këtu diçka vret. (2005: 52)

Vetëkuptohet se vret atomizimi i shoqërisë, që e bjerr dinjitetin e njeriut, të kamur ose të vobektë, të pushtetshëm ose të papushtetshëm. Atomizimi i çhumanizon emocionalisht marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, i redukton ato në dhënie e marrje ndihme përmes strukturave të zyrtarizuara. Përgjithësisht marrëdhënie të tilla janë traumatike, shpërfytyruese jo vetëm për atë që merr ndihmë (ose me saktësisht lëmoshë), por edhe për atë që e ofron. Një shoqëri e tillë nuk mund të jetë veçse e sëmurë, që përjeton një patologji të rëndë, të cilën Ibrahim Kadriu e karakterizon me saktësi sa filozofike, aq dhe poetike, të mbushur me brengë në dy vargje përmbyllëse të kësaj poezie:

Dergjet e stërkequr në frymëmarrje klinikash

Në shtratin e ndotur me lëmoshë të zverdhur. (2005: 52)

Këtë dhe shumicën e poezive të Ibrahim Kadriut i përshkon si një ind i qenësishëm, herë i dukshëm dhe herë i padukshëm, ideja se shoqëria e njerëzve bëhet më harmonike, me humane jo nëpërmjet programeve të ndihmave të shumëllojshme, por nëpërmjet kultivimit të aftësive të çdo individi, si forma më dinjitoze e më reale, më e qëndrueshme e respektimit të personalitetit të çdo mesi të shoqërisë. Vetëm duke ecur në këtë linjë shoqëria mund të shërojë plagët e veta që “vazhdojnë të pjellin plagë” (2005: 55). Vetmimi çpersonalizon jo vetëm njerëzit e zakonshëm, por edhe intelektualët, madje edhe poetët – “dhuratë e hijshme e ditës” (2005 : 60). Ibrahim Kadriu me çiltërsinë e vargut shprehet se edhe ai vetë ndihet i kërcënuar prej rrezikut të infektimit nga epidemia e atomizimit: Këtu ku rri e më bën për pesë para vetmia (2005: 60)

Poeti e ndjen veten të plotësuar vetëm në mes të të tjerëve. Ai urren gjithçka që e ndan nga njerëzit, vetëdeklarohet armiku edhe i dukurive të pafajshme e jetikisht të domosdoshme si gjumi, vetëm e vetëm se përkohësisht e veçon prej gëzimeve e trazimeve shpirtërore të njerëzve:

Krijoj armiqësi me gjumin që më lë vetëm

Krijoj afërsi me të gjithë, nuk rri vetëm kurrë (2007: 74)

Poezia me titull “Përshëndetje poetit”, kushtuar lirikut Dritëro Agolli, ka si nënshtresë simbolike një kundërthënie thelbësore të zhvillimit të qytetërimit. Përparimet e vrullshme shkencore e tekniko-teknologjike kanë lehtësuar shumë ndërtimin e urave të gjata dhe të larta mbi lumenj dhe mbi ngushtica detare, por kanë vështirësuar ndërtimin e urave të komunikimit shpirtëror ndërmjet njerëzve. Dhe është misioni i artit, ndoshta misioni më fisnik i tij, të ndërtojë ura të tilla komunikimi të qëndrueshme e gjithnjë më harmonizuese ndërmjet njerëzve me shpirt të traumatizuar nga plagët e qytetërimit. Nga thellësia e shpirtit të poetit Ibrahim Kadriu shpërthen si vullkan eksklamacioni – simbolik me shtresëzime kuptimore të shumëfishta: Poet, o, sa harqe na duhen për urë...?

Harqe harpe e violine, harqe lahute e violonçeli dhe mbi të gjitha figura poetike që harkohen për të bashkuar shpirtërisht njerëzit në një shoqëri gjithnjë e më humane. Njerëzit e tokës sonë po i përdorin mrekullitë e shkencës e të teknologjisë për të shkuar në hënë, në planetë të tjera dhe ndoshta në të ardhmen edhe për të kontaktuar me njerëzim të tjerë të planetëve që u përkasin galaktikave shumë të largëta. Për Ibrahim Kadriun përpjekje të tilla janë boshe, madje kundërmojnë ambicie të shfrenuar e ligësi, përderisa njerëzit largohen nga njëri-tjetri nga bashkëkohësit, nga paraardhësit dhe nga pasardhësit në planetin tonë:

mbi të vjellat

ngrihen kulla

me themele të paqena

përballë njeriu duke ëndërruar njeriun

i lodhur pas yjeve që lindin e shuhen. (2007: 62)

Kësisoj ëndrra e njeriut për të jetuar me njeriun dhe për njeriun në këtë optikë poetike është më jetëgjatë se jeta gati e pasosur e yjeve të shumtë që lindin e shuhen në tërësinë e galaktikave.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Zyhdi Dervishi: Një zë në polifoninë e leximeve Empty Re: Zyhdi Dervishi: Një zë në polifoninë e leximeve

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jul 29, 2009 1:54 am

3. Vullkan revolte kundër padrejtësive

Niçeja ka shkruar se njerëzit janë krijesat që vuajnë më shumë, saqë, për të përballuar jetën, u detyruan të shpikin të qeshurën. Veprimtaria krijuese e Ibrahim Kadriut është sendërtimi i këtij pohimi gati proverbial. Me humor përherë fin në jetën e përditshme, si të thuash autor dhe aktor elegant i mjaft hajgareve tradicionale e moderne, të çastit e të përpunuara me shpirt krijues, ai u injekton përgjithësisht gjendje gazmore, të këndshme bashkëbiseduesve. Ndërkohë poezia e tij, që ngjizet si llavë vullkanike në thellësitë e shpirtit, shpërthen fuqishëm kundër çdo padrejtësie, kundër çdo frakture shoqërore dhe sidomos shpirtërore. Ky vektor ndikimi e veprimi nuk është një nga më të rëndësishmit, por obligimi kryesor shoqëror i poezisë së Ibrahim Kadriut:

të shkruaj

vargun që ma mban syrin çelur

dëshiroj t’iu numëroj rrahjet

e t’ia jap kuptimin revoltës

për ditën e thyer në gjymtyrë. (2007: 31)

Pra, jo çdo varg, jo çdo fjalë e vargut, por çdo rrokje e tij ka për detyrë të mbajë peshën e rëndë të protestës kundër çdo frakture të kohës, të errët ose të ndritshme, ka detyrë të shpërthejë si eksploziv kundër çdo keqtrajtimi që i bëhet çdo njeriu.

4. Magjia e jetës: në atdhe dhe për atdheun

Veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, edhe si rrjedhojë e intensifikimit të proceseve integruese në caqe europiane e përtej tyre kanë ndryshuar ndjeshëm perceptimet e shumicës dërrmuese të njerëzve për atdheun ose mëmëdheun. Nga njëra anë, përforcohet radikalizmi i pikëpamjeve tradicionale për atdheun e atdhetarizmin, të cilat synojnë ta bunkerizojnë atdheun nga difuzimi i ndikimeve të kulturave të tjera, që e konsiderojnë tradhti kombëtare jo vetëm emigrimin për çështje politike, por edhe për ato ekonomike etj. Pikëpamje e qëndrime të tilla konservative, duke e izoluar atdheun nga zhvillimi i vendeve të tjera, nuk mund të mos pengojnë përparimin e tij në çdo fushë të jetës e të veprimtarisë. Nga ana tjetër, janë shtuar zërat e vetëparaqitur si moderne, bashkëkohorë që e konsiderojnë atdheun e atdhetarinë si një relikte të së kaluarës, si një pengesë për modernizimin, si kufizim të hapësirës së lirisë etj. Madje gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit ndër disa shqiptarëfolës është bërë modë të sigurojnë fitime të majme, duke sharë vendin e vet, duke trilluar gjithfarë shpifjesh kundërshqiptare nga më të përbinshmet, duke përçmuar vlerat kombëtare të popullit shqiptar. Si art i fjalës me ndjeshmëri të lartë, poezia e Ibrahim Kadriut nuk mund të qëndronte indiferente ndaj komenteve të tilla kundërthënëse: është larg koncepcioneve konservative për atdheun dhe njëherazi i kundërvihet me fuqi artistike të veçantë zërave që përçmojnë vlerat kombëtare, aspiratat e popullit shqiptar për liri e përparim përkrah popujve të tjerë të qytetëruar. Duke polemizuar me një përfaqësues të rrymës së kundërshqiptarizmit, Ibrahim Kadriu shkruan:

Në rrugën tënde s’dua të ec

Se lodhem shpejt s’mund të kthehem

Krejt ai bagazh yti me pështymë më ngec. (2005: 59)

Duke fiksuar me mjeshtëri të lartë artistike një situatë të pezullt të “pështymës që ngec” autori i këtyre vargjeve shpreh vendosmërinë aktive për të mos shkarë asnjëherë në dërrasën e kalbur të shpërfilljes së atdheut, për të mos hyrë në qorrsokakun e largimit shpirtëror nga mëmëdheu. Por, për poetin atdheu përparon drejt statusit të ëndërruar nëse nuk izolohet ose vetizolohet, por vetëm duke shtegtuar si zog i lirë në hapësirat e integrimit si arritje, si përftim i ndërsjellë, si zgjerim i hapësirave të bukurisë së shpirtit njerëzor:

E mira është se hapësira qiellore nuk ka mure

E ditën ma mbush me dashuri të ëndërruar

Për rrugën e zogjve që gjejnë strehim në shikime

Ata fluturojnë vetëm si mendime për të bukurën. (2005: 69)

Dhe është ëndërr, mision i përjetshëm i poetëve të fismërojnë shoqërinë, marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet njerëzve, duke zgjeruar e sofistikuar sferën e të bukurës, pushtetin e saj kudo ku frymon çdo njeri, sinteze e mrekullisë natyrore e hyjnore.

5. Dënim kapital i vdekjes në emër të jetës

Shekulli XX mund të konsiderohet shekulli i kundërthënieve më të thella, më të skajshme, më problematike; shekulli i përparimeve shkencore e tekniko-teknologjike më të vrullshme të përdorura për qëllime paqësore, por edhe për përgatitjen e armëve bërthamore e të shfarosjes në masë; shekulli i realizimit të programeve sociale më humane, por edhe i luftërave më gjakatare; shekulli i suprimimit të dënimit kapital në vendet më të urbanizuara dhe i luftërave vendore kryesisht në shtetet më të prapambetura etj. Veçanërisht përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit XX disa popuj të Gadishullit Ballkanik, e bashkë me ta edhe shqiptarët, që banojnë në trojet e tyre përtej kufijve shtetërore të Republikës së Shqipërisë, u përfshinë në luftëra të përgjakshme shumëvjeçare. Në sfondin e kundërthënieve që karakterizojnë zhvillimet europiane të pragut të mijëvjeçarit të tretë, luftëra të tilla nuk mund të mos kishin elemente absurditetesh krejt të pajustifikuara. Pjesa më e dhimbshme e absurditeteve të tilla është vrasja e një numri të madh njerëzish, duke u nisur nga motive që vijnë në kundërshtim me rrjedhën e zhvillimit të kohës. Madje, këto lloj absurditetesh shumëfishohen edhe përmes interpretimeve relativiste që vërtiten në skajet e të kundërtës: jo rrallë varret e heronjve shndërrohen në varre tradhtarësh të interesave kombëtarë dhe anasjelltas. Në kësi rrethanash çdo lloj kremtimi nuk mund të jetë veçse tragjikomik, qesharak e deri i përçudnuar, pa kurrfarë kuptimi. Për poetin Ibrahim Kadriu nuk ka kohë për kremte, sepse çdo lloj kremtimi e humb kuptimin në jetën gati të çdo njeriu, ndërkohë që jetën e njerëzve mund ta ndërpresin përbindëshat, të cilët nuk kanë kurrfarë kuptimi e ndjeshmërie për jetën:

Është vrarë njeriu që e kam njohur

M’i la shuplakat zbrazur, gishtat shtrirë

S’mbet kohë për kremte nga ajo ditë

Kur vrasësi s’dinte – ç’domethënë të jetosh. (2005: 29)

Në logjikën poetike të këtyre vargjeve, një vdekje e tillë, qoftë edhe e vetme që bën “adresa të reja – adresa varresh” (2005 : 43) paralizon buzëqeshjen në fytyrë të gjithë njerëzimit, shuan llambat e gëzimit në sytë e gjithë të tjerëve që ende frymojnë. Themi frymojnë, sepse vrasja e një të pafajshmi (sa të pafajshëm kanë ikur nga kjo botë me vigun e rëndë të vrasjes!!!) ia heq shijen e vërtetë të jetës gjithë njerëzimit. Duke lëvruar me gjuhën e figurave poetike një moral filozofik të tillë, Ibrahim Kadriu vihet në statusin e vërtetë të poetit – gjeneral në mbrojtje të vlerës më të çmuar, të jetës.

Jan Vulpe, ndër të tjera, formulon edhe këtë karakterizim sintetik për vëllimin poetik “S’mbet kohë për kremte” dhe përgjithësisht për krijimtarinë poetike të këtij autori: “Duke na mitraluar me metafora, Ibrahim Kadriu na i shëron në mënyrë aristotelike obsesionet, frikën nga ankthi i luftës, jo përmes një logjike ideologjike, (por duke iu drejtuar zemrave të munduara” (Shih: Kadriu, I., 2005: 95). Poezia e Ibrahim Kadriut me gjithë fuqinë e shprehimsisë artistike militon për përparimin shpirtëror të njeriut, të çliruar nga telat me gjemba të klisheve ideopolitike kundërnjerëzore.

6. Një karakterizim sintetik

Është disi e vështirë të karakterizohet poezia e Ibrahim Kadriut në aspekt të figuracionit letrar.. Duke qenë të shkrira shumë dhe natyrshëm me unin poetik të tij, figurat letrare, si të thuash flasin vetëm gjuhën e veçantë të këtij poeti të maturuar në rrugën e mundimshme të kërkimit e të krijimit poetik. Pa pretenduar kurrsesi për një përcaktim shterues, në universin poetik në gjuhën shqipe poezia e Ibrahim Kadriut mund të karakterizohet: një afresk i kompozuar me të gjitha ngjyrat e aktualitetit, një ikonë me nuancat më të ndjeshme të njeridashjes e të moralitetit tradicional e modern, fjalë artistike dhe të zakonshme që marrin kuptim simbolik të figurshëm krejt të veçantë, një palimpsest me rrënjë deri në tabanin e thellësive të kulturës së përbotshme e veçanërisht të asaj të popullit shqiptar, një melodi të vrazhdë që vibron gjithë trazimet shpirtërore me tingujt e figurave poetike të shumëllojshme, të cilat janë origjinale, krejtësisht të personalizuara, një yll me dritë të veçantë, të papërsëritshme në yllësinë e poezisë shqipe.
Për ZSH: Baki Ymeri
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi