Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Suzana Kuqi: Puna e parë

Shko poshtë

Suzana Kuqi: Puna e parë Empty Suzana Kuqi: Puna e parë

Mesazh nga Agim Gashi Sun Aug 02, 2009 1:27 am

Suzana Kuqi: Puna e parë U1_SuzanaKuqiSuzana Kuqi

Puna e parë

U bënë dhjetë vjet që kam ikur nga vendi im. Dhjetë vjet... Kush është emigrant e din çdo të thotë... Atje, në vendin tim, të paktën kisha një shtëpi dhe një punë në karrike. Por karrikja nuk më hyri në sy e mora detin...

Nuk e di pse m'u kujtua puna ime e parë këtu në Itali. Të njohurit më gjetën një plakë, katër orë në ditë, dy në mëngjes e dy në mbrëmje. Pagesa ishte e mirë. Lejen e kisha tremujore, ... përse të mos e provoj, ndoshta sistemohem...

Plaka...nuk është mirë të quhen pleqtë kështu, është mungesë takti e edukate, më mirë gruaja e moshuar ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç, e këtë ma thonte përditë e shtonte se një herë një arixhofkë i kishte lexuar dorën. I kish thënë se do të rronte nëntëdhjetë vjet, asnjë ditë më shumë dhe asnjë më pak. Unë vija buzën në gaz, i thoja se nuk e besoja e nuk e besoja vërtet. Ama pas dy ditësh mbylla gojën se e moshuara nxehej. Ishte autosufiçente, që do të thotë i bënte vetë shërbimet e veta elementare, ndaj ditën e parë u habita përse u nevojitesha, por e mora vesh më vonë. Meqënëse nuk kam ndërmend ti bie shkurt, do ta merrni vesh gjatë kallzimit tim.

E bija, që e mbante, them e mbante sepse mora vesh se e moshuara jepte dy milion aty për çdo muaj që rrinte.... Ec e merre vesh këtë punë... Nejse, punët e tyre. Tri vetë në shtëpi, e bija, i shoqi dhe e moshuara, unë isha e katërta që vija këmbë aty. E moshuara kish edhe tre fëmijë të tjerë, ndërsa e bija në fjalë kish një vajzë e dy djem, por këta bij e nipëra, pata nderin t'i shikoja vetëm në fotografitë sipër komodinave kur u hiqja pluhurin. Nejse, më mirë për mua...


Dita e pare e punës. E moshuara shend e verë, i pëlqente buzëqeshja ime dhe unë për të buzëqeshur... jo, nuk është këtu problemi, por nuk rri dot me turinj varur. Më tregoi albumin e fotografive, jetën e saj, plaçkat e saj dhe gjithë sa bëra atë mëngjes... ishte të rregulluarit e shtratit të saj. Pasdite ishte dhe e bija që ishte kthyer nga puna, por si ditë e parë më mbajti me muhabet nëse mund të quhet muhabet ai, kur njëri pyet e tjetri përgjigjet dhe ajo që përgjigjej isha unë. Aq i hollësishëm ishte ky muhabet, deri tek ditëlindjet e fëmjëve të mi. E moshuara nuk fliste, diç mbante shënim. Kur erdhi ora të ikja, mu afrua tinës, më futi në dore disa të holla e një copë letër duke më pëshpëritur:

- Në fund të rrugës është një tabakino, merri këto para e luaj lloto për vete me këto numra.

Bëra pikë për pikë si më tha plaka. Nuk fitova gjë e nuk luajta më edhe se ajo ngulte këmbë vazhdimisht. Ama, edhe pse nuk luaj, ajo ëndrra që një ditë mund të fitoj ndonjë llotari... nuk më është shuar ende. Kam pësuar si ai i barcaletës, i cili shkonte përditë në kishë e luste Zotin që ta bënte të fitonte një llotari. E Zoti, u bezdis aq shumë nga kjo, sa një ditë i briti: “kur dreqin do ta blesh atë biletë të mallëkuar llotarie”?


Dita e dytë e punës. E bija e të moshuarës ishte në shtëpi. Më dha një fustan- përparëse të vjetër e të shëmtuar e më këshilloi të ndërrohesha që të mos prishja rrobat e mia. Nuk kundërshtova, fundja dy orë ishin. Kur më pa të veshur kështu, e ëma u pezmatua . E thirri të bijën në dhomë e dëgjova se po grindeshin. Në fillim me zë të ulët, pastaj... e dini vetë si janë këto punë mes nënash e bijash, zërat ngrihen pa të keq, sepse edhe nuk ja marrin për të keq njëra tjetrës. Ajo që dëgjova në finale ishte:

- Nuk e ke parë sa e lezetshme është? Unë kam burrë...

Mbeta me gojë hapur, për kë më kujtonte mua ajo? Nuk thashë gjë se do të dukej sikur po spiunoja prapa derës... ves që e urrej edhe vetë. Dy orët kaluan shpejt e nuk është se bëra ndonjë gjë të madhe. Plus shtratit të të moshuarës, më vunë të fshija pluhurat.

Mrekulli deri këtu, por... këtu mbaronte edhe mrekullia. Ditën e tretë duhej të bëja edhe punët e tjera të shtëpisë. E bija ishte e pangopur, puna arriti deri aty, sa ajo i bënte sherr së ëmës kur gjente diçka të pabërë... Kështu që e moshuara e bënte vetë dhomën e saj e pastaj më jepte një dorë në pjesën tjetër të shtëpisë. Së bijës i lindi idea se mund edhe të gatuaja drekën. E fillova të gatuaja. E moshuara u dogj e u përvëlua sipër sobës. Gjeta si pretekst se nuk i njihja recetat e tyre, në fakt nuk më pëlqen aspak gatimi, po të mund ta hiqja qafe edhe në shtëpinë time...E bija bënte sikur nuk kuptonte se ishte e ëma që gatuante... Bukuri edhe kështu, nuk mund të qahesha deri ditën që... E moshuara shkoi në banjë e më tha të ruaja gjellën mos digjej. Nuk e di se si ndodhi, por gjella u dogj. Një muaj rresht dëgjoja të bijen që thosh se asnjëherë në jetë të saj nuk kish djegur një tenxhere... tenxherja kish dalë jashtë përdorimit.Ama dhe kjo, për një tenxhere bën, thoja me vete. Nga ajo ditë ajo i vuri vizë me urgjencë zërit Gatim nga ana ime. Se mos vetëm gatimit. I lindi idea të kursente korentin e te mos vinte enëlarësin, atë punë t'a bëja unë... Im atë thosh se nëse nuk thyeja unë, mbylleshin fabrikat e qelqit. Shpejt hoqi dorë, i futi në enëlarëse e grindej me të ëmën. E moshuara më dilte në mbrojtje, fundja ishte ajo që më paguante...


Kështu kalonin ditët, herë të qeta kur e bija ishte me humor të mirë, e herë me rrebeshe. Mos të më thotë njeri se punohet mirë nëpër shtëpia. Le të jenë njerëz të mirë sa të duash, mjaft mendimi se orët do ti kalosh sipas humorit të tyre... Pale, kur të pyesin si i ke hallet. Një ditë e bija ishte në formë, më pyeti si i kisha hallet. Unë drejtë e drejt, kisha një hall atë ditë. Veç ta shihje se si u thartua në fytyrë. Po kjo dreq ç'pat, mendova, vetë më pyeti. Që nga ajo ditë, unë nuk kisha më asnjë hall, aq sa ajo... nuk e fshihte zilinë që unë nuk kisha halle.

Pastaj një lajm në televizor, kishin shitur, ose rishitur varret e blera. Ishte edhe ky zakon këtu, i blejnë varret që kur janë gjallë. E moshuara ishte ndër ta. Lajmi e shqetësoi. I thosh së bijës të shkonte e të interesohej se ç'ishte bërë me varrin e saj. Një ditë ajo erdhi me një letër në dorë:

- Mama, varrin nuk ta ka lujatur kërrkush, ja tek e ke, kontrata është e vlefshme deri në 2015.

- Po pas 2015? - pyeti plaka e alarmuar

- Më fal mama! Mos ke bërë ndër mend të rrosh treqint vjet? -ja preu shkurt e bija, ndërsa plaka bënte llogarinë e viteve. Nuk e di se si i doli llogaria, por fytyra e saj nuk tregonte asgjë të mirë. Edhe thotë, thashë me vete, se do të rrojë deri tek nëntëdhjetat...

Nuk e di nëse ishte kjo pika ku truri i saj filloi të merrte tatëpjetën apo diçka tjetër. Të nesërmen e gjeta të moshuarën në dritare. Mendova se më priste mua. E përshëndeta me dorë, por ajo as që më vuri re. C'pat kjo, mos është zemëruar me mua? Hyra brenda.

- Mos e pe gjë nënën time duke ardhur rrugës?

- Jo,- mendova se bënte shaka.

- Jam në merak, duhej të kishte mbërritur.

- Nëna jote ka vdekur,- i them unë me plot gojën, vetë më kish thënë sa herë, më kish treguar edhe fotografitë e saj.

- Cfarë?- e moshuara zgurdulloi sytë.

- Si çfarë, ka vdeku para...

Nuk e mbarova dot fjalën, e moshuara ja dha ulërimës.

- Auuuu... nëna ime ka vdekur! Auuuu...çfarë lajmi më dhe! Auuu ... e shkreta unë...

Nuk po dija se si ta qetësoja. Qau dhe ulëriu tërë ato dy orë të paradites e nuk gjente ngushëllim. Kur erdhi ora, ika dhe e lashë duke qarë. Nuk kisha se ç'ti bëja. Pasdite nuk e hapi gojën dhe e bija ishte tërë nerva.

- Kur të të pyesë për nënën, thuaji që po vjen! - më tha ajo me inat.


Pas dy ditësh e gjej sërish në dritare. E bindur se po priste të ëmën, i thashë se ishte rrugës duke ardhur. E moshuara më pa një copë herë e filloi :

- Auuu... duke ardhur! Auuu, po si nuk ke turp e të turpërohesh! Nëna ime ka vdekur para tridhjetë vjetësh!

- U ngatërrova,- përgjigjem unë e zënë në faj,- pashë një grua rrugës që i ngjante.

- Ku ishte, nga po shkonte, do të kalojë këtej?

- Nuk e di,- i përgjigjem shkurt e vura përparësen e i hyra punëve. E moshuara mbeti tërë paraditën në dritare.


Ishin shenjat e para të përkeqësimit të saj. E bija, as nuk priti të mbaronte vera dhe e nisi për tek e motra. As parate nuk i hynë më në sy, mjaft të mos e shqetësonte me të bërtiturat e saja natën. E kam të fiksuar herën e fundit që e pashë. U mallëngjeva nga përqafimi i saj, më tha se i kisha hyrë shumë në zemër... e nuk kish se si të ish ndryshe, i vija pas fijes. Dhe jo se i vija ashtu kot, por edhe mua më kish hyrë në zemër ajo plakë e mirë. Nuk e pashë më prej asaj dite.


Nuk e pashë e nuk dëgjova për të deri sa një ditë takova rastësisht në rrugë të bijën.

- Mamaja na la,- një pikëlz loti shkëlqeu në cep të syrit të saj, - ditën që mbushi të nëntëdhjetat...

Ajo fliste, ndërsa mua më kumbonte në veshë një tjetër zë i njohur e i largët:

... më lexoi dorën e... më tha se do të rroj nëntëdhjetë vjet... asnjë ditë më shumë e asnjë ditë më pak...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi