Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur

Shko poshtë

Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur Empty Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur

Mesazh nga Agim Gashi Sat Aug 08, 2009 1:27 am

Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur



Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur U1_2
Dritan Dajti
Nga BalkanWeb


Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesditës në plazhin e Durrësit. Autori i vrasjes është Dritan Dajti, një person i arratisur nga burgu në kohën e gjykimit pasi akuzohej për vrasjen e një biznesmeni. Policia konfirmoi se Dajti qëlloi per vdekje 4 efektivë policie që tentuan ta arrestonin, ndersa i vdekur ka mbetur edhe një person, që dyshohet se është i afërm i Dajtit. "I Forti i Rrugës së Kavajës", u arrestua nga policia dhe u dërgua i plagosur në spital. Konfirmohen 2 pushues te plagosur. Zbardhen emrat e viktimave.

DURRES-Pese persona mes të cilëve 4 punonjës policie kanë mbetur të vrarë pas të shtënave me armë në ndjekje të një të shumëkërkuari nga policia sot në pistën Iliria në Durrës. Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesditës në plazhin e Durrësit ku policia bën të ditur se autori i vrasjes është Dritan Dajti, një person i arratisur nga burgu në kohën e gjykimit pasi akuzohej për vrasjen e një biznesmeni.
Policia konfirmoi se Dritan Dajti qëlloi dhe la të vdekur sot 4 efektivë policie, dhe i vdekur ka mbetur edhe një person i cili shoqëronte Dajtin në momentin e ngjarjes dhe që dyshohet të jetë i afërm i tij. Policët rrethuan Dajtin dhe tentuan ta kapnin. Të shtënat me armë kanë ndodhur në një zonë shumë të frekuentuar në plazhin e Durrësit, tek zona e njohur si Pista “Iliria”, ku policia tentoi të arrestojë të shumëkërkuarin prej 6 vitesh .

Policia kishte dyshime se Dajti fshihej në Shqipëri dhe jo jashtë vendit, derisa ka lokalizuar zonën ku ndodhej realisht. Por, pasi është rrethuar nga policia, Dajti ka qëlluar në drejtim të efektivëve të cilët i janë përgjigjur me zjarr. Më pas është arrestuar nga policia dhe në gjendje të plagosur është dërguar në spitalin e Durrësit,
Nga të shtënat bilanci i konfirmuar i të vdekurve është 5 persona, dhe i plagosur, vetë Dritan Dajti e dy kalimtare te rastit.
Policia është munduar të kryejë operacionin pa shumë bujë për shkak të zonës tejet të populluar me pushues. Kjo mund të ketë qënë shkaku i reagimit jo të menjëhershëm të forcave të policisë.
Mësohet se Policia e shtetit ka kaluar në gjendje gadishmërie. Sipas burimeve policore nuk ka informacione të rritjes së aktiviteteve të grupeve kriminale ku besohet se bën pjesë Dritan Dajti.

Zbardhen emrat e 4 efektiveve

Zbardhen emrat e efektivëve të policisë që mbetën të vrarë gjatë armë shkëmbimit me të shumë kërkuarin Dritan Dajti. Bëhet e ditur se të vrarë kanë mbetur Altin Dizdari 33 vjec, Fatos Xhani 38 vjec, Sajmir Duckollari 32 vjec dhe Kastriot Feska 40 vjec. Ndërkohë nuk është konfirmuar ende nëse viktima tjetër, një 23 vjecar nga Lushnja Ledion Mara, është kunati i Dajtit.
Mësohet se është arrestuar drejtuesi i makinës me të cilën udhëtonte Dritan Dajti i cili streohej në një banesë pranë pistës iliria në Durrës.

Dritan Dajti niset drejt Tiranes

Nën shoqërimin e forcave Renea, Dritan Dajti është duke u transportuar nga spitali i Durrësit drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet. Dajti ka marrë 3 plag një në dorë. Një në pjesën e barkut dhe një tjetër në shpinë. Drejtori i Policisë Ahmet Prenci dhe prokurore te Krimeve te Renda ndodhen në vendngjarje.

Te plagosurit

Spitali i Durrësit konfirmon se 2 persona kanë mbetur të plagosur, ndërkohë që pritet edhe konfirmimi për një fëmijë të plagosur.
Sipas informacioneve paraprake mësohet se Dajti është informuar në momentin e fundit për afrimin e forcave të policisë në drejtim të tij.
Ndërkohë pritet një komunikatë zyrtare nga ana e policisë për të sqaruar rrethanat, numrin dhe emrat e saktë të të vrarëve dhe të plagosurve në këtë ngjarje.

Dëshimtarët

Dëshimtarë në vendngjarje bëjnë të ditur për televizionin News24 se kanë parë edhe pushues të plagosur gjatë momentit të shkëmbimit të zjarrit, megjithatë këto mbeten ende informacione të pakonfirmuara nga policia.
Njëri nga dëshmitarët në vendngjarje ka thënë për News24 se ka transportuar në spital një djalë rreth 20 vjec i cili i ka treguar se u ndodh rastësish në mes të shkëmbimit të zjarrit duke mbetur i plagosur në këmbë. Dëshmirati bën të ditur se djali i ka thënë se ka parë të plagosur edhe kushëririn e tij.

Arratisja

Në 17 nëntor të vitit 2003, në momentin kur në një nga sallat e katit të tretë të gjykatës së rrethit të Tiranës do të niste seanca gjyqësore në ngarkim të të akuzuarit për vrasje Dritan Dajti, ky i fundit nxori një pistoletë dhe gjuajti disa herë në sallën e gjyqit. Me pas zbriti me shpejtësi shkallët e gjykatës për të qëlluar përsëri në oborrin e këtij institucioni, për t’u larguar me një motoçiklete ne drejtim te paditur.
Nga kjo arratisje spektakolare, Dritan Dajti ishte në listën e të shumëkërkuarëve të policisë shqiptare, e cila arriti së fundi të identifikojë vendndodhjen e tij, në një nga zonat e plazhit të Durrësit.


Berisha: 4 efektivët "Dëshmorë të Atdheut", nesër ditë zie kombëtare

Duke shprehur ngushëllim për familjarët e efektiveve të policisë, të rënë në detyrë gjatë operacionit për kapjen e Dritan Dajtit, kryeministri Berisha ka bërë të ditur se dita e nesërme do të shpallet ditë zie kombëtare, ndërsa efektivët e policisë do të shpallen “Dëshmorë të Atdheut”.

TIRANE- Kryeministri Berisha ka reaguar disa orë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur rreth mesditës në Durrës, ku mbetën të vrarë 4 efektivë të Policisë së Shtetit, gjatë operacionit për kapjen e të shumë kërkuarit Dritan Dajti. Duke shprehur ngushëllim për familjarët, miqtë e të afërmit e viktimave, kryeministri ka bërë të ditur se dita e nesërme do të shpallet ditë zie kombëtare, ndërsa efektivët e rënë në detyrë do të shpallen “Dëshmorë të Atdheut”.
“Kjo është një e premte e zezë. Sot familjët e Drejtuesit Fatos Xhani, kryeinspektorëve Altin Dizdari, Fatos Xhani e Sajmir Duckollari, fëmijët e tyre të vegjël, miqtë e tyre janë në zi të thellë për humbjen e njerëzve të tyre të dashur.
Qeveria ka vendosur që drejtor 4 efektivët, në përputhje me procedurat ligjore të shpallen “Dëshmorë të atdheut” dhe dita e nesërme të shpallet dite zie kombëtare. Flamujt në të gjitha institucionet shtetërore do të ulen në gjysëm shtizë, në orën 12:00 në nderim të 4 dëshmorëve të atdheut, të mbahet një minutë heshtje. Homazhi zyrtar për të nderuar të rënët e Policisë së shtetit do të bëhet në Pallatin e Kongreseve ndërsa varrimi në varrezat e Dëshmorëve të Kombit” u shpreh kryeministri Berisha.

Ndërkohë kryeministri e cilësoi operacionin e sotëm të policisë , si operacion “për kapjen e kriminelit më të kërkuar e më të rrezikshëm të të gjitha kohërave në Shqipëri. Dritan Dajtin e bandën e tij”.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur Empty Durrës: I kërkuari, Dritan Dajti vret 4 policë

Mesazh nga Agim Gashi Sat Aug 08, 2009 1:53 am

Durrës: I kërkuari, Dritan Dajti vret 4 policë

Bota sot (Tiranë)
Autori i vrasjeve më pas është arrestuar nga policia dhe është dërguar i plagosur në spitalin e Durrësit.


Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur KRIMI
Gjashtë persona, mes të cilëve pesë punonjës policie kanë mbetur të vrarë sot pas të shtënave me armë në ndjekje të një të shumëkërkuari nga policia në Durrës.


Një ngjarje e rëndë kriminale e ka tronditur qytetin bregdetar të Durrësit. Personi më i kërkuar nga policia shqiptare, Dritan Dajti, ka vrarë katër policë, ndërsa në vend ngjarje kanë mbetur të vrarë edhe dy qytetar, gjatë rrethimit nga forcat e policisë, në afërsi të plazhit "Iliria". Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14 e 20 minuta, gjatë nje aksioni të policisë për arrestimin e tij. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur rëndë edhe personi që e shoqëronte Dajtin, i cili cilësoheët si njëri ndër miqtë më të ngushtë të tij.
Ecuria e rastit
Efektivat speciale e rrethuan Dajtin dhe tentuan ta kapnin afër mesditës. Shkëmbimi i zjarrit u verifikua në plazhin e Durrësit. Dajti ka qëlluar në drejtim të efektivëve të cilët i janë përgjigjur me zjarr. Nga të shtënat bilanci i konfirmuar i të vdekurve është 5 persona, dhe i plagosur, vetë Dritan Dajti. Aksioni ka qenë blic dhe i kryer pa shumë bujë, për shkak të zonës tejet të populluar me pushues, por në një vështrim të parë, ende nuk është përjashtuar pista e dekonspirimit të informacionit dhe e parapërgatitjes së Dajtit për ekzekutivimin e një masakre. Pas shkëmbimit të zjarrit, Policia e shtetit ka kaluar në gjendje gatishmërie. Identiteti i policëe të mbetur të vdekur ende nuk është shpallur zyrtarisht nga policia, megjithatë, mësohet se midis policëve të vdekur është edhe komandanti i skuadrës policore që ka kryer operacionin, 38-vjeçari Fatos Xhani.
I shumëkërkuari Dritan Dajti, nën shoqërimin e forcave Renea, është transportuar nga spitali i Durrësit drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet, në rrezik për jetën. Dajti ka marrë 3 plagë, një në dorë, një në pjesën e barkut dhe një tjetër në shpinë. Drejtori i Policisë Ahmet Prençi dhe prokurore te Krimeve te Renda ndodhen në vendngjarje.
...
Gjashtë persona, mes të cilëve pesë punonjës policie kanë mbetur të vrarë sot pas të shtënave me armë në ndjekje të një të shumëkërkuari nga policia në Durrës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas mesditës në plazhin e Durrësit. Policia vuri dyshimin se autor i vrasjeve është Dritan Dajti, një person i arratisur nga burgu në kohën e gjykimit pasi akuzohej për vrasjen e një biznesmeni.Më pas mësohet se policët kanë ndërruar jetë, ndërsa policia ka qëlluar në drejtim të Dajtit duke e lënë të plagosur.Ky i fundit u transportua në spitalin e Durrësit ku po mbahet në masa të rrepta sigurie.Sipas policisë policia e Durrësit kishte siguruar informacione për vendndodhjen e Dajtit duke organizuar dhe operacionin për kapjen e tij.
Autori i vrasjeve më pas është arrestuar nga policia dhe është dërguar i plagosur në spitalin e Durrësit. Por sapo kanë bërë të mundur rrethimin për arrestimin e tij, Dajti ka nxjerrë një armë dhe e ka zbrazur në drejtim të policisë.
Rrjedha e ngjarjes
Dritan Dajti akuzohet për vrasjen e biznesmenit Beqir Beqja e ndodhur më 17 shkurt të vitit 1999 te “Zogu i Zi” në Tiranë, ngjarja për të cilën u arrestua.Mirëpo gjatë një seance gjyqësore në Tiranë, Dajti realizoi arratisjen më spektakolare të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri.Qysh prej atëherë ai jetonte i lirë ndërsa ndiqej nga policia.Epilogu: 5 të vrarë dhe gjashtë të plagosur.
Dritan Dajti është dorëzuar pasi e ka parë të pamundur largimin nga vendi i krimit dhe arratisjen. Nbi të rëndojnë një mori akuzash për vrasje dhe rrëmbime. Disa vjet më parë, ai ishte arratisur nga Gjykata e Tiranës.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur Empty Qeveria shpall “Dëshmorë të Atdheut” katër anëtarët e Policisë së Shtetit. E shtuna ditë zie kombëtare

Mesazh nga Agim Gashi Sat Aug 08, 2009 2:00 am

Qeveria shpall “Dëshmorë të Atdheut” katër anëtarët e Policisë së Shtetit. E shtuna ditë zie kombëtare



Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur ++ber07

Kryeministri Berisha shpall në emër të qeverisë “Dëshmorë të Atdheut”, anëtarët e Policisë së Shtetit, drejtuesin Fatos Haqir Xhani, dhe kryeinspektorët Kastriot Çlirim Feskaj, Saimir Islam Duçkollari, Altin Idriz Dizdari, që humbën jetën në operacionin ndaj kriminelit Dritan Dajti. Në nderim të tyre, qeveria vendosi që dita e shtunë të jetë ditë zie kombëtare. Më tej në deklaratën e tij për shtyp Kryeministri Berisha u shpreh:
Për Policinë e Shtetit dhe mbarë vendin kjo është një e premte e zezë. Sot ranë në krye të detyrës për t’u bërë të pavdekshëm anëtarët e Policisë së Shtetit, drejtues Fatos Haqir Xhani, komandant në forcën e posaçme në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, kryeinspektor Kastriot Çlirim Feskaj, kryeinspektor Saimir Islam Duçkollari, kryeinspektor Altin Idriz Dizdari të njësisë operative në Forcën e Posaçme të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar.
Drejtues Fatos Haqir Xhani, kryeinspektor Kastriot Çlirim Feskaj, kryeinspektor Saimir Islam Duçkollari, kryeinspektor Altin Idriz Dizdari, ranë në krye të detyrës në një operacion që ata ndërmorrën për të kapur kriminelin më të kërkuar dhe më të rrezikshëm të analeve të krimit shqiptar, Dritan Dajtin dhe bandën e tij.
Sot, familjet e Fatos Xhanit, Kastriot Feskajt, Saimir Duçkollarit, Altin Dizdarit, fëmijët e tyre të vegjël, bashkëshortet, prindërit, familjarët e tjerë, miqtë e tyre, janë në zi të thellë për humbjen e njerëzve të tyre më të dashur.
Forcat e rendit kanë humbur oficerët më trima të tyre, kombi shqiptar shërbëtorët e vet më të përkushtuar.
Duke shprehur dhimbjen e thellë, solidaritetin e madh me fëmijët, bashkëshortet, familjarët dhe të gjithë anëtarët e forcave të rendit, qeveria ka vendosur që: drejtues Fatos Haqir Xhani, kryeinspektor Kastriot Çlirim Feskaj, kryeinspektor Saimir Islam Duçkollari, kryeinspektor Altin Idriz Dizdari në përputhje me proçedurat ligjore, të shpallen “Dëshmorë të Atdheut” dhe dita e nesërme në nderim të kujtimit, veprës, trimërisë, heroizmit dhe sakrificës së tyre sublime të shpallet ditë zie.
Në të gjitha institucionet shtetërore, flamuri kombëtar do të ulet në gjysëm shtizë. Në orën 12.00 në nderim të katër “Dëshmorëve të Atdheut” të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje. Homazhet zyrtare për të nderuar të rënët e Policisë së Shtetit, do të bëhen në Pallatin e Kongreseve, ndërsa varrimi i tyre të bëhet në varrezat e Dëshmorëve te Kombit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur Empty Dajti-Xhoxhi, telefonata me 5 oficerë. Hetimi: Komunikim 2 orë para masakrës së Durrësit

Mesazh nga Agim Gashi Fri Aug 14, 2009 3:09 pm

Dajti-Xhoxhi, telefonata me 5 oficerë. Hetimi: Komunikim 2 orë para masakrës së Durrësit


SHEKULLI



Flamur Vezaj

13/08/2009

TIRANË - Këqyrja e aparateve celularë dhe SIM-kartave të sekuestruara në vendin e ngjarjes, që përdoreshin nga Dritan Dajti dhe kunati i tij Ergest Xhoxhi, nëse do ketë hetim serioz dhe ndëshkime reale, mund të nxjerrin përgjegjësi të rënda në piramidën e shtetit.


Nga këqyrja ka rezultuar se ata komunikonin vazhdimisht me pesë efektivë të uniformave blu me grada të ndryshme.

Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme të cilët saktësuan se i arrestuari Dajti, që kreu vrasjen e katër agjentëve të policisë, dhe kunati i tij Xhoxhi komunikonin vazhdimisht në telefon me këta pesë efektivë policie. Madje, kanë qenë aq të sigurtë në paprekshmërinë e tyre sa disa nga bisedat janë bërë në numra telefoni të dhënë nga Ministria e Brendshme, pra që kanë dyshifrorin 41.

"Nga këqyrja e aparateve telefonike dhe SIM-kartave të sekuestruara pas arrestimit të shtetasit Dritan Dajti dhe Ergest Xhoxhi, janë gjetur pese numra oficerësh të policisë, të cilët kanë në përdorim nr. me 41 që kanë komunikuar me dy të arrestuarit, - thanë burimet.
Nga këqyrja e celularëve del se ata komunikonin vazhdimisht, sidomos njëri prej tyre. Ky ka komunikuar me kunatin e Dajtit në telefon edhe vetëm dy orë para se të ndodhte masakra si dhe një natë para këtij operacioni.

Edhe zyrtarë të Policisë së Shtetit e kanë konfirmuar këtë, duke shtuar se institucioni i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB-ja) ka filluar hetimet për të sqaruar pozicionet e oficerëve në fjalë dhe marrëdhëniet me të shumëkërkuarin Dritan Dajti.

Një oficer policie me të cilin kishte komunikim të vazhdueshëm Ergest Xhorxhi i përket policisë së Durrësit.

Është konstatuar se oficeri (i identifikuar nga prokuroria) gjatë komunikimit disa minutash me Xhoxhin një natë para masakrës, përveç të tjerave, i ka kërkuar madje këtij të fundit të mos e merrte më tek numri i punës me 41 por tek "numri tjetër".

"Edhe rreth dy orë para arrestimit të Dajtit dhe kunatit të tij Xhoxhi ka qenë ky oficer që ka pasur një bisedë të shkurtër me kunatin e të shumëkërkuarit",- thanë burimet.

Thuajse të gjithë personat, efektivë të policisë që i ka dalë emri deri më tani nga këqyrja e aparateve celulare të Dajtit dhe Xhoxhit janë marrë në pyetje, ndërsa priten zbardhjet e tjera të tabulateve telefonike për të zgjidhur enigmën nëse ka patur dekonspirim të operacionit të policisë për arrestimin e të dënuarit me 25 vjet burg për vrasje dhe arratisje.

Gjatë ditës së djeshme, hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe vetë dy prokurorët e çështjes Ardian Nezha e Eugen Beçi, kanë marrë në pyetje disa nga agjentët e policisë që kanë marrë pjesë në aksionin e arrestimit të Dajtit dhe që i kanë shpëtuar plumbave të tij.

Gjithashtu, janë pyetur edhe disa efektivë të policisë së Durrësit të cilët menjëherë pas fillimit të krismave të armëve mes agjentëve të policisë dhe Dajtit kanë shkuar në vendin e ngjarjes, poshtë një pallati gjashtë katesh në afërsi të rrugës që të dërgon tek pista "Iliria" në qytetin bregdetar të Durrësit.

Leka nuk ndodhet në Tiranë dhe thotë që nuk ka ende një kërkesë zyrtare nga i pandehuri
Dajti refuzon marrjen në pyetje "Dua avokatin Ardian Leka"


TIRANË- Dritan Dajti, i shtruar në njërën nga dhomat e katit të dytë të Spitalit të Burgut ku po mjekohet për plumbat e marrë në trup, refuzoi të merret në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda duke kërkuar avokatin e tij të dikurshëm Ardian Leka të jetë i pranishëm.

Ky lajm konfirmohet nga zyrtarët e institucionit të akuzës, të cilët shtuan se i arrestuari nuk ka pranuar të japë shpjegime për ngjarjen pa praninë e avokatit.

"Menjëherë pas ngjarjes dhe pasi është stabilizuar gjendja e tij shëndetësore, hetuesit dhe prokurorët e çështjes kanë shkuar në Spitalin e Burgut ku ndodhet i shtruar i arrestuari Dritan Dajti për ta marrë në pyetje.

Por, në momentin që i është komunikuar rregulli ligjor që ka të drejtë të mos përgjigjet pa praninë e avokatit, Dajti ka shfrytëzuar më së miri këtë mundësi që ia jep ligji, duke u shprehur se "nuk dua të flas dhe as të pyetem pa praninë e avokatit Ardian Leka",-thuhet nga burimet e prokurorisë.

Pas kësaj kërkese të Dajtit, prokurorët e çështjes Ardian Nezha e Eugen Beçi, duke tentuar të zbardhin sa më shpejt ngjarjen dhe versionin e "vrasësit" të katër agjentëve të policisë, kanë kontaktuar me avokatin Leka, i cili i ka vënë në dijeni hetuesit se ndodhet me pushime.

"Unë nuk jam ftuar apo njoftuar ende nga familjarët e ish-klientit tim Dritan Dajti në rast se do kontaktohet prej tyre do të shoh ç'mund të bëj, por, për momentin ndodhem me pushime jashtë Tiranës. Kur të kthehem do të shoh nëse kam një kërkesë nga Dajti apo familja e tij, do ta shqyrtoj dhe pastaj do të vendos që ta mbroj apo jo",-mësohet t'i ketë thënë zyrtarëve të Prokurorisë avokati Ardian Leka.

Mos pranimi i marrjes në pyetje nga vetë Dritan Dajti dhe Ergest Xhoxhi ka bërë që prokurorët e çështjes të mbesin pa versionin zyrtar të dy të arrestuarve mbi mesditën e së premtes më 7 gusht 2009 në Durrës.

Dajti nuk pranon në takimin me prokurorët avokatin Ponari
Ndërkohë, vetë Dajti edhe pse ka pranuar që Gjykata gjatë seancës gjyqësore të vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë, t'i caktojë kryesisht avokatin Remzi Ponari si përfaqësues ligjor të interesave të tij, Dajti këtë të fundit nuk e ka pranuar që të asistojë në marrjen e tij në pyetje nga prokuroria.

Ergest Xhoxhi nuk pranon të firmosë deponimin që bëri vetë
Ndërsa, gjatë kësaj kohe, hetuesit kanë marrë shpjegimet e të arrestuarit tjetër, Ergest Xhoxhi, por pas "rrëfimit" të tij për katër orë edhe ky i arrestuar në fund të deklarimit nuk ka pranuar të firmosë procesverbalin e dëshmisë së tij.

Dajti, gjendja shëndetësore normale, njërin plumb e ka ende në trup
Ndërkaq, burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të kontaktuar nga "Shekulli" për gjendjen shëndetësore të të arrestuarit Dritan Dajti që ndodhet në dhomat e Spitalit të Burgut, janë shprehur se "gjendja shëndetësore e tij është normalizuar". "Shtetasi i arrestuar Dritan Dajti, është vendosur në një dhomë të vetme dhe po trajtohet me medikamentet e rekomanduara nga mjekët për plagët që ka.

Gjendja e tij është stabilizuar, pasi i është hequr sonda e ushqimit dhe aparatura e pastrimit të gjakut nga mushkëria",-thanë burimet pranë këtij institucioni, duke shtuar se "dhimbje ka vetëm në pjesën e majtë të legenit para ku ende nuk i është hequr plumbi i plagosjes".

Sipas akuzës, i dënuari me 25 vjet burg për vrasje dhe arratisje, Dajti, mesditën e së premtes ka marrë tre plumba në trup, një në parakrah në afërsi të bërrylit, një poshtë kraharorit mes brinjëve që i ka prekur mushkërinë dhe një në këmbën e majtë, konkretisht në legenin para. Plumbin në zonën e legenit e ka ende në trup.

Armët e agjentëve dhe Dajtit, ende në ekspertizë
TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, ka dërguar pranë laboratorit të Institutit të Policisë Shkencore në Ministrinë e Brendshme, armët e agjentëve të përdorura në ditën e arrestimit të Dritan Dajtit dhe dy pistoletat e këtij të fundit, nga të cilat mbetën të vrarë katër agjentët dhe "ushtari" i tij besnik, Ledion Mara.

Sipas burimeve zyrtare pranë institucionit të akuzës, konfirmohet se armët e sekuestruara në vendin e ngjarjes që janë përdorur nga i dënuari me 25 vjet burg Dritan Dajti për vrasjen e agjentëve të policisë, janë dërguar për ekzaminim balistik pranë këtij laboratori.

Ku përveç ekzaminimit të gëzhojave të gjetura dhe plumbave që ndodheshin në trupat e agjentëve të vrarë, është kërkuar edhe krahasueshmëria e gëzhojave të gjetura në ngjarje të ndryshme, ku është dyshuar se Dajti ka qenë protagonist.

"Dy pistoletat, njëra "Glock" dhe tjetra "Revolver" që janë përdorur nga Dritan Dajti ditën e 7 gushtit, janë dërguar në laborator për ekzaminim, për të bërë ndër të tjera edhe krahasueshmërinë e gëzhojave të gjetura në ngjarje të ndryshme, ku janë ekzekutuar persona të njohur të biznesit apo rivalë të tij",-thanë burimet.

Gjithashtu, prokuroria ka dërguar për ekzaminim balistik dhe për gjendjen e tyre funksionale armët personale të agjentëve që kanë marrë pjesë ditën e 7 gushtit në operacionin e arrestimit të Dritan Dajtit dhe shoqëruesve të tij.

Në ekspertizë edhe "kallashi që nuk shkrepi"
"Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas marrjes në pyetje të 12 agjentëve të Njësisë së Operacioneve Speciale pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilët kanë marrë pjesë në operacionin e arrestimit të Dritan Dajtit, ka kërkuar nga këta të fundit të dorëzojnë armët e përdorura mesditën e 7 gushtit në Durrës. 12 agjentët e policisë, ditën e ngjarjes kishin në përdorim 9 pistoleta të tipit "Bereta", dy prej agjentëve me automatik të tipit "Tomson" dhe njëri me automatik "Kallashnikov".

Të gjithë këto armët janë dërguar në laboratorin e Ministrisë së Brendshme për ekzaminim, për të nxjerrë edhe armët e cilit agjent kanë plagosur Dajtin dhe cila nga këto armë ka shfaqur problemin e bllokimit. Pasi mendohet se arma e tipit "Kallashnikov" është bllokuar duke mos shkrepur në drejtim të Dajtit që po qëllonte oficerët një nga një.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur Empty Re: Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur

Mesazh nga Agim Gashi Fri Aug 14, 2009 3:11 pm

Kush është gjyqtarja Marsela BALILI
Gjyqtarja Marsela Balili, do jetë gjyqtarja që do ndjekë gjithë fazën hetimore të procesit ndaj Dritan Dajtit.

Znj.Balili e lindur në Vlorë, por me banim në Tiranë, është gjyqtare e dalë nga dyert e Shkollës së Magjistraturës që nga viti 1999. Me mbarimin e shkollës është emëruar gjyqtare.

Fillimisht, për pesë vite ka punuar pranë Gjykatës së Rrethit Vlorë, ku njihet për vendimin e dënimit të disa shtetasve nga Himara për thirrje e urrejtje nacionale.
Më pas, që nga ngritja e Gjykatës së Krimeve të Rënda është emëruar gjyqtare pranë kësaj gjykate.

Për 5 vitet e punës së saj si gjyqtare pranë kësaj gjykate, është përballur me procese të rëndësishme penale, si kryesuese dhe si anëtare e pesësheve gjykuese. Ndër dosjet më të bujshme ku ajo ka qenë kryesuese e trupit gjykues janë:
-Ajo e grupit të Nikolin Cakos, të njohur ndryshe si grupi i "Go Ëest"-it, që falsifikonin pasaporta dhe viza të 24 shteteve të botës;
-Vijon procesin gjyqësor të dosjes së dytë të pandehurve, të cilësuar si anëtarë të "bandës" së Lushnjës.

****************************************************

12 gusht 09
Dajti, telefonata me zyrtare. Prokuroria: Presim tabulatet
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, në këqyrjen e aparateve telefonikë të sekuestruar në çantën e Dritan Dajtit dhe në xhepat e kunatit të tij Ergest Xhoxhi, ka gjetur dhe evidentuar emra dhe numra që do të hedhin dritë mbi lidhjet e vrasësit me njerëz në polici.

Gjashtë nga 10 aparatet celularë të sekuestruar në çantën e Dajtit (janë 10 aparate dhe 15 karta SIM) dhe dy aparatet celular të shtetasit Ergest Xhoxhi, i janë nënshtruar këqyrjes së kujdesshme.

Aty janë evidentuar numra personash të cilët janë pjesë e strukturave të Rendit dhe në ditët në vijim, kur të mbërrijnë edhe tabulatet e bisedave telefonike, kjo do jetë një pikë shumë delikate e hetimit.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë ngritur dyshime se bëhet fjalë për të njëjtët individë që mund ta kenë ndihmuar Dajtin në jetën e tij prej të arratisuri e ndoshta edhe në arratisjen nga gjykata në 2003.

"Nga këqyrja e 6 aparateve celularë dhe disa nga 15 SIM kartat e sekuestruara në çantën e Dritan Dajtit, janë gjetur numra të ndryshëm të shumë personave. Ku disa prej tyre po verifikohen se kush i kishte në përdorim.

Gjithashtu, janë konstatuar edhe disa numra të policisë së Tiranës dhe Durrësit, konkretisht të disa inspektorëve të zonave",- thanë burimet e rezervuara pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Katër nga 10 aparatet celularë të Dritan Dajtit nuk i janë nënshtruar këqyrjes pasi i janë thyer ekranet dhe kanë kode që nuk mund të hapen pa ndihmën e kompanive përkatëse.

Ndërkaq, edhe në dy aparatet celularë të Ergest Xhoxhit, mësohet se prokuroria ka gjetur numra të personave që janë punonjës të Policisë së Shtetit.
Gjithcka është ende në fazën e verifikimit, e ndërkohë i është kërkuar kompanive përkatëse zbardhja e tabulateve telefonike të disa numrave.
Numrat që janë gjetur në çantën e Dritan Dajtit, janë të ndryshëm, nga ata të kompanive greke, italiane, malazeze, maqedonase, kosovare dhe tre kompanive shqiptare.

Po zbardhen edhe mesazhet elektronike (sms) që ndodheshin brenda tyre, madje për disa SMS është dashur përkthyes sepse ato janë në gjuhë italiane dhe greke.
Disa nga këto numra, si shqiptarë dhe ata të huaj, sipas akuzës, ishin me parapagim dhe punonin roming.

Pritet që gjatë ditëve në vazhdim, prokuroria të zbardhë me ndihmën e tabulateve telefonike edhe bashkëpunëtorët të cilët e kanë ndihmuar të arratiset apo fshihet, pa përjashtuar këtu identifikimin e një personi të katërt që është gjendur në masakrën e Durrësit, i cili ka mundur t'i ikë policisë në momentin e shkëmbimit të zjarrit mes agjentëve dhe Dajtit.

Çela raporton tek kryeprokurorja Rama për ngjarjen dhe hetimin
TIRANË- Dje është kthyer nga pushimet verore kryeprokurorja Ina Rama dhe i ka kërkuar drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, prokuror Olsian Çelës, ta informojë për ngjarjen dhe hetimin e deri tanishëm të vrasjes së katër agjentëve të policisë në Durrës.

Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët shtuan se gjatë mesditës së djeshme, prokurori Olsian Çela, vartësit e të cilit po hetojnë për zbardhjen e ngjarjes së Durrësit, bashkë me njërin nga zv\drejtuesit e tij ka raportuar për tre orë para kryeprokurores Rama se çfarë është bërë deri tani me hetimet.

Rama i ka kërkuar Çelës të gjitha detajet e ngjarjes së rëndë të ndodhur në qytetin e saj të lindjes si dhe për të gjitha veprimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që nga dita e ngjarjes.

Rama ka shprehur mbështetjen e saj ndaj institucionit që po heton çështjen, duke kërkuar vecanërisht fokusim tek përgjegjësitë e strukturave drejtuese të Rendit në aksionin për arrestimin e super të kërkuarit nga njësia e sektorit të operacioneve speciale pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Kush është prokurori Eugen BEÇI
TIRANË - Eugen Beçi, i datëlindjes 1972, nga Librazhdi, me banim në Tiranë, është njëri prej dy prokurorëve të Krimeve të Rënda që po heton çështjen e vrasjes së katër agjentëve të policisë, prej vitit 1999 mban detyrën e prokurorit.

Fillimisht, për dy vite e 6 muaj ka punuar pranë prokurorisë së rrethit Shkodër dhe më pas është emëruar prokuror në Prokurorinë e Rrethit Vlorë, ku ka punuar deri në fillimin e punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në 2004-ën. Në fillim të janarit 2004 është emëruar prokuror pranë kësaj prokurorie dhe gjatë punës së tij 10-vjeçare si prokuror, është përballur me çështje të ndryshme penale. Ndër më të rëndësishmet dhe që kanë shkaktuar bujë në opinionin publik, kanë qenë:

- Hetimi dhe përfaqësimi i akuzës në gjykatë për çështjen e rrëmbimit të djalit të biznesmenit vlonjat, Sulo Shehu;
- Kontrabandën e cigareve të Durrësit, ku u arrestuan dhe u dënuan rreth 15 të pandehur, mes tyre ish-vëllai i kryebashkiakut të Durrësit, tashmë deputetit Lefter Koka, Leonardi;

- Çështjen e vrasjes së Fatmir Ramës, apo i njohur si "Miri i Xhikës", pronarit të kompleksit sportiv "Kartodromi", të pandehurin Lavdërim Tufa;
- Ka hetuar dhe përfaqësuar gjithashtu akuzën në gjyq ndaj të pandehurit që qëlloi me pistoletë gjyqtaren e Fierit brenda ambienteve të gjykatës;
- Dosjen e "bandës" së Gazmend Brrakës apo të njohur si "Gaxhai i Vlorës" (katër prej tyre kanë marrë dënimin me "burgim të përjetshëm");
- Bashkë me prokurorin Ardian Nezha kanë hetuar dhe përfaqësuar akuzën në gjyq për rrëmbimin dhe vrasjen e mjekut nga Hasi Behar Kastrati, e shumë dosje të tjera.

Kush është prokurori Ardian NEZHA
TIRANË - Ardian Nezha, i datëlindjes 1972, nga Rrësheni, por me banim në Tiranë, është prokurori i dytë që po heton dosjen e vrasjes së katër agjentëve të policisë nga dora e të arrestuarit Dritan Dajti. Prokurori Nezha, që në fillim të vitit 1995 punon me detyrën e prokurorit, ku fillimisht, për tre vite ka qenë prokuror i thjeshtë në Dibër dhe më pas për tre vite të tjera, në Mirditë (Rreshen), është emëruar drejtues i kësaj prokurorie, detyrë të cilën e ka ushtruar për tre vite të tjera.

Me ngritjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, prokuror Nezha është emëruar në këtë prokurori, ku vazhdon punën prej pesë vitesh tashmë. Gjatë punës 14-vjeçare si prokuror, Ardian Nezha ka proceduar e përfaqësuar akuzën në gjykatë në shumë procese të rëndësishme penale, mes tyre:

- Të dënuarin tashmë me burgim të përjetshëm për vrasjen e shefit të krimeve në Pukë, shtetasin Marin Molla;
- Vrasjen e policit në Rrëshen bashkë me djalin e tij, ku janë dënuar tre autorët;
- Vjedhjen e Bankës Amerikane në Tiranë, ku u dënuan dy persona;
- Ka hetuar i komanduar në Prokurorinë e Elbasanit çështjen e vrasjes së basketbollistëve të Korçës, ku janë dënuar tre veta;
- Ka hetuar dhe dorëzuar në gjykatë dosjen e shtetasit Afrim Hasani, që vrau dy policët e Kukësit vetëm pak muaj më parë në fshatin Shëmri;
- Si dhe bashkë me prokurorin Eugen Beçi, kanë hetuar e gjykuar tre të dënuarit tashmë të rrëmbimit dhe vrasjes së mjekut të Hasit, Behar Kastrati, e shumë dosje të tjera.

Kush është gjyqtarja Maresela BALILI
TIRANË - Marsela Balili, e lindur në Vlorë, por me banim në Tiranë, është gjyqtare e dalë nga dyert e Shkollës së Magjistraturës që nga viti 1999 dhe me mbarimin e shkollës është emëruar gjyqtare.

Fillimisht, për pesë vite ka punuar pranë Gjykatës së Rrethit Vlorë, ku njihet për vendimin e dënimit të disa shtetasve nga Himara për thirrje e urrejtje nacionale. Më pas, që nga ngritja e Gjykatës së Krimeve të Rënda është emëruar gjyqtare pranë kësaj gjykate.

Për 5 vitet e punës së saj si gjyqtare pranë kësaj gjykate, është përballur me procese të rëndësishme penale, si kryesuese dhe si anëtare e pesëshes gjykuese. Ndër dosjet më të bujshme që ajo ka qenë kryesuese janë:

- Ajo e grupit të Nikolin Cakos, të njohur ndryshe si grupi i "Go Ëest"-it, që falsifikonin pasaporta dhe viza të 24 shteteve të botës;
- Vijon procesin gjyqësor të dosjes së dytë të pandehurve, të cilësuar si anëtarë të "bandës" së Lushnjës.

Ende konfuzion me mbrojtjen e Dajtit
Lidhur me avokatin që do mbrojë Dritan Dajtin në gjyq, ka një konfuzion në rritje. Avokati që e ka mbrojtur në proceset e mëparshme gjyqësore, thotë se nuk ka marrë njoftim as nga gjykata as nga klienti, dhe se ndodhet aktualisht me pushime.

Disa avokatë të kërkuar këto ditë nga të afërm të të akuzuarit, kanë refuzuar të marrin çështjen. Ndërkohë avokati i caktuar "kryesisht" nga Gjykata, i cili ka marrë pjesë në seancën e dhënies së masës së arrestit, me sa duket ende nuk është konsultuar me të akuzuarin.

Gjatë ditës së dhënies së masës së arrestit, ka patur kontradikta mes thënieve të tij dhe atyre që prokuroria dhe gjykata konfirmuan se ka thënë Dajti në sallën e gjyqit.

Sipas avokatit, Dajti tha në sallë se policët donin ta vrisnin. Sipas prokurorëve, një deklarim i tillë në sallë nga Dajti nuk është bërë. Ai ka pretenduar se kishte 150 mijë euro me vete dhe se reagoi për tu mbrojtur nga ata që iu dukën si grabitës.

Dy versionet në fakt përjashtojnë njëra tjetrën. Sepse nëse Dajti e ka ditur se janë policë dhe kanë dashur ta vrasin, nuk ka se si të deklarojë se i kujtoi për grabitës dhe nuk e dinte se ishin policë.

Madje Dajti, në deklaratat para gjykatëses Balili ka thënë se ishte ai që i kërkoi policit që i vuri prangat që "mos ta godiste por ta vriste më mirë" dhe se (sipas Dajtit) ai i është përgjigjur "ti duhet të vuash".

Këto kontradikta në deklarime mes avokatit dhe deklarimeve në sallë të të pandehurit, pritet të sqarohen në seancat e ardhshme gjyqësore,

Nishani e Prençi, ngushëllime nga trupi diplomatik

Kreu i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi dhe Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, kanë marrë mesazhe ngushëllimi nga përfaqësues të ndryshëm të trupit diplomatik në vendin tonë si dhe nga përfaqësues të organizatave të huaja të akredituara. Ambasadori i SHBA-së, XHon Uidhers, thotë në mesazhin e tij, për Nishanin dhe Prençin.

"Me ndjenjën e një humbjeje të tmerrshme mësuam për vdekjen në krye të detyrës të Oficerëve Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj, dhe Altin Dizdari.

Vdekja e këtyre katër Oficerëve të përkushtuar të Policisë dëshmon rëndësinë e madhë të punës së tyre dhe na sjell në kujtesë çmimin e tmerrshëm që kërkon zbatimi i kësaj detyre. Kolegët e mi dhe Unë ju shprehim ngushëllimet tona të sinqerta dhe të zemrës për ju dhe për të gjithë anëtarët e përkushtuar të Policisë së Shtetit.

Ne ju përcjellim simpatinë tonë të thellë për familjet e tyre për humbjen e tyre". Ndërkaq mesazh ka dërguar Ambasadori I OSBE-së, Robetrt Bosh, Sekretari i Interpolit, Robert Noble, Drejtoresha e Interforce, Ana Poxhi, si dhe ambasadori I Zvicrës, Xhon Ruhof ( John Ruhoff), e përfaqësues të tjerë.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur Empty Re: Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur

Mesazh nga Agim Gashi Fri Aug 14, 2009 3:14 pm

*********************************************
11 gusht 09
Dajti: Po më trajtojnë si kafshë. Kërkohet i katërti i masakrës


Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda, e vlerësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë të shtetasit Dritan Dajti dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve, duke ngritur ndaj tij akuzën e vrasjes së katër agjentëve të policisë dhe Ledion Marës.

Masa e sigurisë ishte vendosur të jepej në Spitalin e Burgut, ku dje në mëngjes ishin bërë gati të shkonin dy prokurorët, avokati mbrojtës dhe gjyqtarja.

Por, në momentin e fundit, ka qenë vetë Dajti, i cili ka kërkuar të çohet në gjykatë. Ai ka mbërritur aty i shtrirë në barelën e urgjencës, nën shoqërimin e një infermiereje të Spitalit të Burgut, e cila gjatë dy orëve të qëndrimit të Dajtit në gjykatë, i qëndroi te koka, duke i ofruar ndihmën që ai kërkonte.

Dajti ka qëndruar pa lëvizur në barelën e urgjencës, i lidhur me pranga poshtë çarçafit të bardhë, të hedhur sipër trupit. Në fjalët e tij para gjyqtares së masave, Marsela Balili, ai u është shmangur pyetjeve të prokurorisë për ngjarjen e së premtes, ku mbetën të vrarë katër agjentët e policisë dhe njëri nga tre shoqëruesit e tij, Ledion Mara.

Ai nuk ngurroi të drejtojë akuza ndaj policisë dhe personelit të Spitalit të Burgut. Sipas tij, policia, pas sekuestrimit, i ka vjedhur një shumë të konsiderueshme parash që kishte me vete, përveç 4 mijë e 500 eurove që figurojnë në procesverbalin e sekuestrimit.
"Jam keqtrajtuar që nga arrestimi e deri tani që po flasim.

Ata më kanë goditur me shkelma e grushte, edhe pse isha i plagosur. Kam tre plumba në trup, një në krah tek bërryli, një në kraharor, që më ka prek mushkërinë dhe një në këmbë,"- i tha Dajti gjyqtares.

Më pas ka shtuar se njëri nga agjentët e policisë, në momentin e arrestimit, e ka dhunuar. "Isha i shtrirë dhe i dorëzuar dhe nga plagët më dilte gjak. Ai më qëllonte me shqelma nëpër trup.

I kam kërkuar edhe duke e sharë të më vrasë më mirë se sa të më godasë me shqelma, por, ai më qëllonte, duke më thënë se "nuk do të vrasim, se duhet të vuash", - ka thënë i akuzuari. (kjo pjesë e dëshmisë së tij përputhet me dëshminë e ditës së masakrës, prej njërit nga dëshmitarët plazhistë, i cili tha se "kishte parë dikë që qëllonte me shkelma një të gjakosur të shtrirë përtokë").

Pas ankesës ndaj efektivëve të policisë, i dënuari me 25 vjet burg ka filluar ankesat në adresë të personelit të Spitalit të Burgut, duke i akuzuar ata për trajtim çnjerëzor. "Në Spital të Burgut më kanë dërguar që të vdes.

Aty kam kërkuar nga personeli i burgut që të më trajtojnë si njeri dhe jo si kafshë. Më mbajnë gjithë kohës të lidhur pas krevatit. Edhe në barelën që ma kanë sjell këtu, siç e shihni, jam i lidhur,"- tha Dajti.

Prokuroria u shpreh edhe mbi pretendimet e të arrestuarit. Dy përfaqësuesit e saj në sallë e ftuan të arrestuarin Dajti të deponojë prova dhe të bëjë kallëzim penal në prokurorinë e kryeqytetit për të gjitha pretendimet.

Pas kësaj fjale ishin vetë prokurorët që kërkuan që Dajti të izolohet në dhomat e paraburgimit me masën e sigurisë "arrest me burg", deri në përfundim të hetimeve, kërkesë kjo që u pranua nga gjyqtarja Marsela Balili.


Kërkohet i katërti i masakrës
Ai ishte ndaluar nga agjenti Kastriot Feska. Kur Dajti qëlloi pas shpine këtë të fundit, i ndaluari mundi të largohej

Është arratisur nga vendngjarja. Ishte në "Tuareg" bashkë me Dajtin, Marën dhe Xhoxhin

TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda, me ndihmën e dëshmive të agjentëve të policisë, të cilët i shpëtuan plumbave të Dritan Dajtit dhe dëshmitarëve të pranishëm në momentin e "masakrës", kanë arritur në përfundim se Dajti ka patur një "shoqërues" të tretë, i cili ka çarë rrethimin e policisë, duke u shpëtuar prangave.

Ky fakt konfirmohet nga zyrtarët e institucionit të akuzës, të cilët shtuan se deri më tani është bërë i mundur vetëm ndërtimi i identikitit të përafërt të personit misterioz, i cili falë rrëmujës së masakrës "Dajti" ka mundur të shpëtojë nga prangat e ftohta.

Sipas këtyre burimeve, mësohet se ka qenë agjenti tashmë i vrarë, Kastriot Feska, i cili e kishte mbërthyer për shpatullash personin e tretë që shoqërohej me Dajtin, por, plumbat e këtij të fundit të qëlluar nga pas shpine, ishin fatalë për agjentin.

Kështu, personi i katërt ka mundur të ikë, ndërkohë që Feska ka rënë përtokë i vdekur. Ai ndodhej në makinë me të arrestuarin Dajti, kunatin e tij Ergest Xhoxhin dhe të vrarin Ledion Mara.

Nga rindërtimi i skemës së ngjarjes dhe akt-ekspertimeve mjeko-ligjore të katër agjentëve, grupi hetimor i prokurorisë ka arritur në përfundim se të katër agjentët dhe shtetasi Ledion Mara janë vrarë nga plumbat e dy pistoletave të Dritan Dajtit.

Sipas akuzës, i pari që është qëlluar me plumb në kokë ka qenë drejtuesi i grupit Festim Xhani. Në këtë pikë të aksionit, ka patur debate. Prokuroria thotë se ka prova të mjaftueshme për të rrëzuar një pretendim të mundshëm të mbrojtjes së Dajtit, se ai nuk ka ditur se po qëllonte mbi policë.

Sipas prokurorisë, i ndjeri Xhani ka patur kartën e identitetit të policisë në dorë dhe ka shqiptuar fjalët: "Policia, dorëzohuni", kur është afruar dhe ka hapur derën e parë të pasagjerit të "Tuareg"ut.

Plumbi e ka marrë në kokë anash duke e rrëzuar në përdhe. Pas vrasjes së Xhanit, Dajti është kthyer me 90 gradë në krahun tjetër të dritares së pasme ku po qëndronte kryeinspektori Saimir Duçkollari. Ka shkrepur në drejtim të tij katër plumba, duke e lënë të vdekur.

Më pas, ka zbritur nga makina, dera e pasme nga krahu i djathtë. Pak metra pas makinës ka parë "ushtarin" e tij Ledion Mare të shtrirë në tokë, duke u lidhur nga agjenti Altin Dizdari. Në drejtim të tyre ka shkrepur dy pistoletat, duke qëlluar agjentin në kraharor dhe Maren. Të dy mbetën të vdekur.

Pas këtyre shkrepjeve, Dajti ka lëshuar pistoletën tip "Revolver" në tokë dhe ka qëlluar me pistoletën tjetër tip "Glock", agjentin Kastriot Feska. Ky i fundit ishte kapur për krahësh me personin e tretë që shoqëronte Dajtin. Feska është qëlluar mbrapa shpinës.

Pasi ka qëlluar Feskën, i shumëkërkuari Dajti ka shkrepur edhe disa plumba mbi një makinë të parkuar aty afër (pas saj ishin dy agjentë të tjerë) dhe më pas ka filluar të largohet me ecje, në drejtim të plazhit. Nga një derë aty pranë ka dalë një fëmijë, që është qëlluar në ecje e sipër nga Dajti, duke mbetur i plagosur në këmbë.

Më pas ka tentuar të ndërrojë karikatorin e pistoletës "Glock". Në atë moment është qëlluar nga tre plumba, një në krah (në bërryl), një në kraharor poshtë shpatullës dhe një në këmbë.

Plumbi i fundit e ka rrëzuar përdhe. Ndërkaq, në krah të makinës "Tuareg", agjentët e tjerë kishin mundur ta arrestonin kunatin e Dajtit, shtetasin Ergest Xhoxhin, pa shumë rezistencë.



*******************************************
10 gusht
Dajti, kërkohet videoja e masakrës së Durrësit. Policia: Nuk filmuam
TIRANË - Grupi i agjentëve që mori pjesë në operacionin e Durrësit, përdor në të gjitha lëvizjet, kamera dhe aparate fotografikë.

Në fakt, zyra së cilës i përkasin agjentët në fjalë, merrej pikërisht me vëzhgime dhe dokumentime, që më pas përdoren si prova kundër kriminelëve në gjyq, ndaj, përdorimi i kamerave dhe aparateve fotografikë, është në praktikën e tyre rutinë.

Zakonisht, filmimet bëhen nga minikamera të instaluara në trupat e tyre apo nga një agjent i prapavijës.

Po në operacionin e arrestimit të Dritan Dajtit në Durrës, a janë përdorur kamerat? Dje, duket se ka nisur një hije konflikti institucional lidhur me këtë fakt. Policia thotë se grupi i agjentëve në Durrës nuk kishte marrë kësaj here kamera për të filmuar rastin.

Por, për zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët kanë kërkuar kasetën, kjo ka qenë një habi e radhës, pasi thuajse të gjitha operacionet e zhvilluara deri më tani nga ky repart, janë filmuar.

Njësia që ndërhyri për arrestimin e të shumëkërkuarit të dënuar me 25 vjet burg, Dajti, quhej "Njësia e Operacioneve Speciale", që siç përmendet edhe në statusin e tyre, përveç ndërhyrjes në arrestimin e personave në kërkim, kryente edhe vëzhgimin, filmimin dhe fotografimin e lëvizjeve të personave të dyshuar apo të kërkuar.

Zyrtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët po hetojnë dosjen "Dajti", konfirmuan se nga Policia e Shtetit janë vënë në dijeni se nuk ka asnjë pamje filmike të regjistruar nga vetë agjentët e policisë që po vëzhgonin dhe ata që kishin ndërhyrë për arrestimin e Dajtit.

Por, dyshimet janë të forta se ekziston një kasetë me pamje filmike të vëzhgimit ditor, të kryer ndaj lëvizjeve të Dajtit dhe "ushtarëve" të tij, si dhe në momentin e ndërhyrjes për arrestimin e tyre.

Zyrtarë të policisë thonë se "në këtë rast nuk kemi të bëjmë me skuadër vëzhgimi, por skuadër të ndërhyrjes për arrestim".

Nëse momenti i operacionit është filmuar nga vetë agjentët, do të zbardheshin shumë dilema të ngritura nga marrja në pyetje dhe hetimet e ditëve të para: kunati i të shumëkërkuarit, ka pretenduar madje se "nuk e dinim që ishin policë, pasi kishin maska dhe ishin civilë".

Ndërkohë që filmimi do provonte nëse agjentët kanë thirrur: "Jemi policia", ashtu siç është raportuar në dëshmitë e para.
----------------------------------------------------------
Prokuroria sekuestron urdhrat ditorë të 13 agjentëve të masakrës së Durrësit
Gjatë ditës së shtunë dhe të diel, hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të asistuar nga prokurorët e çështjes, Ardian Nezha dhe Eugen Beçi, kanë bërë edhe këqyrjen e aparateve celularë të sekuestruar në çantën e të shumëkërkuarit, marrjen në pyetje të dëshmitarëve të ndryshëm dhe agjentëve e personave përgjegjës të organizimit të këtij operacioni.

Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e të gjitha raporteve e urdhrave të shërbimit ditorë të kryer nga 13 agjentët e njësisë operacionale të vëzhgimit dhe ndërhyrjes.
Gjithashtu, janë marrë në pyetje edhe të arrestuarit Ergest Xhoxhi dhe Elvis Karoli, që nuk kanë pranuar të japin shumë shpjegime në lidhje me ngjarjen e orës 13:45 minuta të ndodhur në plazhin e Durrësit.

Urdhrat ditorë do sqarojnë edhe një pikë tjetër që mund të hidhet në "treg" nga ndonjë segment në polici, sipas të cilit, agjentët viktima nuk po ndiqnin Dajtin, por dy të rinjtë në shoqërinë e tij.

Versioni do shërbente si justifikim për t'ju larguar përgjegjësive të urdhëruesve të operacionit.

Por ai bie ndesh me të gjitha të dhënat hetimore të deritanishme, që gjithsesi do pasurohen dhe do kenë një finalizim zyrtar, kur prokuroria të ngrejë akuzën ndaj protagonistit të masakrës së Durrësit.

Urdhrat ditorë dhe komunikimet e agjentëve ditën e premte, gjithsesi provojnë lehtë nëse ata e dinin që po ndiqnin Dajtin apo jo.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur Empty Re: Masakër në Durrës, i kërkuari Dritan Dajti vret 4 policë e 1 civil, arrestohet i plagosur

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi