Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Halit Bogaj: Përjetimet tona të para në Kosovë në kontakt me filmat shqiptarë, posaçërisht me ''Skënderbeun''

Shko poshtë

Halit Bogaj: Përjetimet tona të para në Kosovë në kontakt me filmat shqiptarë, posaçërisht me ''Skënderbeun'' Empty Halit Bogaj: Përjetimet tona të para në Kosovë në kontakt me filmat shqiptarë, posaçërisht me ''Skënderbeun''

Mesazh nga Agim Gashi Sat Aug 15, 2009 11:44 pm

Halit Bogaj: Përjetimet tona të para në Kosovë në kontakt me filmat shqiptarë, posaçërisht me ''Skënderbeun'' U1_HalitBogajPËRJETIMET TONA TË PARA NË KOSOVË NË KONTAKT ME FILMAT SHQIPTARË/POSAÇËRISHT ME ‘’SKËNDERBEUN’’/

Nga Halit Bogaj

Ishte një kohë e çlirimit shpirtëror edhe për shqiptarët e Kosovës të cilët i filluan kontaktet me vëllezërit e tyre nga Shqipëria.

Menjëherë pas rënies së Rankoviqit, gjakapirësit tonë më të madh të atyre viteve, Kosova filloi të merrte frymë më lirisht edhe në rrafshin kulturor ngase tek ne erdhi filmi”Skënderbeu”, në produksionin shqiptaro-sovjetik.

Atë vit spektatorë të shumtë nga mbarë Kosova vinin në Prishtinë për ta shikuar atë film madhështor për të cilin kishin dëgjuar nga rrëfime të shumta historike dhe nga gojdhanat e përcjellura brez pas brezi. Zemrat tona të të gjitha moshave njerëzore bëheshin të mëdha sa malet kur para nesh defilonte kryetrimi legjendar me emrin e të cilit ishte e shënuar epoka më e lavdishme e historisë sonë kobëtare..

E shikonim”Skënderbeun”,i cili na mahniste por në vetëdijen tonë dominonte dëshira e madhe që liria të vinte përfundimisht edhe për këtë pjesë të shkëputur të atdheut nga trojet e shtetit amë. E shikonim filmin me mallëngjim të madh, por dëshironim që i njëjti të xhirohej në Hollivud nga ndonjë skenarist dhe regjisor i madh siç ishte Entoni Men/ një regjisor i shquar për filma të tillë./ Do të dëshironim që edhe rolin kryesor të kryetrimit tonë ta luante Çarlton Heston një aktor kolosal për role të tilla mitike siç ishte edhe filmi”Ben Hur” ku e luante heroin e njohur ebreit me emrin Juda Ben Hur. Filmi amerikan kushtuar heroit tonë kombëtar do të merrte përmasa ndërkombëtare dhe do të bëhej më i njohur edhe në botën e pashtershme kinematografike, ashtu siç ishte i njohur edhe në historiografi për të cilin ishin shkruar rreth 100 libra.

Krahas të gjitha këtyre që u thanë, në ato vite të bukura erdhën ditët më të mira kur në kryeqendrën tonë u shfaq edhe një Revy ku i shikuam disa filma me vlera te larta artistike siç ishin;”I teti në bronz”,”Plagë të vjetra”,”Debatiku”, “Lulkuqet mbi mur”, “Njeriu me top”,”Ngadhnjim mbi vdekjen”,”Gjenerali gramafon” ,”Rrugët e bardha”dhe disa realizime të tjera të fuqishme.

Me këtë rast ndjehej prapë entuziazëm dhe brohori ngase dukej se mes nesh ishte rrënuar Muri i Berlinit dhe se në të ardhmen do të vazhdonte ai këmbimi i vlerave kulturore i cili zgjati derisa u bënë demonstratat e vitit 1981 kur u mbyll hermetikisht çdo kontakt me vëllezërit tanë matanë kufirit administrativ. I pamë dhe i shijuam filmat e ndritur nga të cilët mësuam shumë. Ishin ato krijime të mbajtura mend për një kohë të gjatë,duke na bindur se populli shqiptar ka aftësi të shumta për të krijuar vepra të tilla filmore me të cilat mburremi të gjithë dhe që mund të prezantohen pa mëdyshje edhe nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare. Ata filma na zgjonin asociacione të shumta ngase ishin krijuar nga profesionistë të ndryshëm që artin e kishin pasion.

Filmat e asaj Revye ishin me tematikë nga Lufta e Dytë botërore, por të realizuar me një mjeshtri të rrallë dhe me mjete të pakta xhirimi.Madje thuhet se disa prej tyre ishin realizuar vetem me nga një kamerë.

Aktorët e mëdhenj si Sandër Prosi, Kadri Roshi, Reshat Arbana, Tinka Kurti, Besa Imami, Timo Flloko, Naim Frashëri, Roza Anagnosti, Edi Luarasi, Ndrekë Luca dhe shumë të tjerë ishin korifej të denjë shqiptarë dhe mjeshtër të vërtetë të fjalës artistike dhe teatrore shqipe. Edhe sot në Shqipërinë demokratike është vështirë të kemi aktorë dhe filma të tillë .

Më vonë Sandër Prosi na e dhuroi edhe një kreacion tjetër të paharruar në dramën televizive “Udha e shkronjave” në të cilin interpretoi veteranin e arsimit Dhaskall Todhrin të cilin e vrau dora gjakpirëse e kishës ortodokse greke e cila ishte përherë në kontakt me atë serbe.

Gjithashtu e asaj periudhe ka mbetur e paharruar edhe drama “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, aktruar nga i madhi Sandër Prosi.

Është koha kur filmi shqiptar sapo i bënte hapat e parë drejt realizimit të përpjekjeve të veta modeste për t’i arritur objektivat e veta të synuara drejt një të ardhme më të ndritur edhe në drejtim të artit filmor.

Realizimi i filmit”Skënderbeu”/1953/ishte njëra ndër ngjarjet më të mëdha kombëtare ngase bëhej fjalë për një kryevepër të dëshiruar qysh moti me të cilën kthehej retrospektivisht një kohë e lavdishme e popullit tonë në luftën e tij çlirimtare kundër hordhive otomane të cilat e sulmonin vazhdimisht Shqipërinë e shekullit 15 në filmin e regjisorit sovjetik Sergej Jutkeviq i cili e realizoi në mënyrë të përsosur filmin në fjalë, natyrisht duke i pasur parasysh kushtet dhe rrethanat e krijuara të tij menjëherë pas daljes së Shqipërisë nga lufta pesëvjeçare kundër nazizmit gjerman.

Edhepse në filmin “Skënderbeu” rolin kryesor e kishin aktorët sovjetikë si:Akaki Horave/Skënderbeu/, N.Asokolovski/Hamzai/, O .Zhakov/Tanush Topia/, V.Anxhaparixe/Dafina/, etj, në film morën pjesë edhe aktorët e shquar shqiptarë si:Naim Frashëri/Pali/,Advie Alibali/Mamica/, Besa Imami/Donika Kastrioti/, Mihal Popi/Ballaban Pasha/, Marie Llogoreci/Kontesha/ etj.

Filmi ishte ngjarja më e madhe kinematografike e atyre viteve ngase bëhej fjalë për një spektakëll të llojit të veçantë çfarë nuk ishte parë akoma në ato vite në kinematografinë shqiptare por as në atë ballkanike.

Meqenëse kinematografia sovjetike kishte një traditë për filma të tillë spektalurarë të realizuar nga kineastë të dalluar si Sregej Anzenshtajni me filmin”Aleksandër Nevski”, filmi “Skënderbeu” ishte një sihariç i padiskutuar me të cilin mburrej kinematografia shqiptare e asaj periudhe të lavdishme .

Filmi zgjonte interesim të madh kudo që shfaqej dhe na lente përshtypje të jashtëzakonshme si një e arritur e fuqishme dhe kulminante e artit të shtatë me të cilin na kujtohej një periudhë shumë e lavdishme e popullit tonë në një luftë të imponuar çlirimtare.

Filmi”Skënderbeu” ishte i bazuar në syzheun historik kur kryetrimi shqiptar ishte dërguar peng tek Sulltani dhe kur \babai i tij/Gjon Katsrioti e kishte porositur që ai të mos e harronte asnjëherë atdheun e tij të largët dhe’malet legjendare”, të cilat i kishte mbajtur mend vazhdimisht , bashkë me porosinë e shenjtë të të jatit.

Në film na dalin në dritë edhe të dhënat historike se”Skënderi ishte rritur në oborrin mbretëror , duke u bërë edhe një përdorues i shkathët i armëve dhe udhëheqës me fame ushtarake, i cili një ditë braktisi ushtrinë turke dhe me 300 kalorës u nis për Shqipëri, duke u ulur në tokën amë dhe duke e puthur atë me mallëngjim shumëvjeçar, për t’u betuar se nuk do ta lente kurrë në robëri”.

Në film na dalin në sipërfaqe edhe përpjekjet e kryetrimit tonë legjendar për bashkimin e popullit tonë në luftën e tij vendimtare kundër armikut shekullor”, si edhe thënia e tij e njhohur”Se lirinë nuk ua solla unë por e gjeta këtu midis jush”.

Në Kuvendin e Lezhës i bashkoi princat shqiptarë të cilët e shpallën Kryekomandant.

Në vazhdim të filmit historik e shohim se hordhitë e mëdha turke i suleshin prore Shqipërisë së Kryetrimit tonë por ato përherë ktheheshin me humbje të mëdha atje prej nga kishin ardhur, duke mbetur kokëulura dhe plot turp në misionin e tyre të ndyer ndaj heroit tonë të madh kombëtar.

Më në fund dhe pas disfatave të shumta, në krye të Ushtrisë së tij të madhe u vu edhe vetë Sulltani i cili e sulmoi Kështjellën legjendare të Krujës duke mbetur edhe vetë i humbur dhe i turpëruar, ashtu siç thotë historia dhe Ismail Kadare në rominin e tij antologjik”Kështjella”.

Në filmi ”Skënderbeu” qëndron edhe fakti i pamohuar se sikur të mposhtej ushtria shqitare, e udhëhequr nga kolosi Skënderbe, Europa do të mposhtej para rrebesheve të egërsuara turke ndaj Skënderbeu ishte edhe shpëtimtari kryesor i civilizimit evropian nga barbaria e dëshmuar otomane e cila e kishte shtrirë ndikimin e saj në tërë Ballkanin, së cilës, përveç Sk]ënderbeut, nuk kishte mundur t’i përballonte askush tjetër nga regjioni ynë ballkanik.

Për heroin tonë të madh u krijuan me dhjetra vepra të ndryshme në mbarë Evropën por për fat të keq vetëm një film artistik i cili për ne ishte një krijim thuajse i shenjtë ngase hidhte dritë mbi jetën dhe të bëmat e kryetrimit tonë të famshëm i cili luftoi një çerek shekulli kundër ushtrive më të mëdha otomane të cilave u prinin pashallarë dhe gjeneralë të njohur në mesin e të cilëve edhe vetë Sulltan Mehmeti i II i cili u mposht nga heroi ynë kombëtar.

“Skënderbeu” ishte dhe mbeti një film kolosal,por që ishte realizuar me mundësi të pakta materiale dhe teknike, por gjithsesi i mirëpritur dhe tejet i shikuar në të gjitha viset e atdheut tonë të coptuar padrejtësisht nga fuqitë vendimmarrëse botërore.

Filmi bëhej gjithnjë e më i adhuruar ngase populli ishte kurreshtar për t’i shikuar luftrat dhe betejat e shumta të atij që i kishte tronditur fallangat turke të cilat ia mësynin atdheut të tij të dashur ,për të cilin kishte ëndërruar që nga fëmijëria e tij.

Dhe kush do të mendonte dhe imagjinonte se sërish në Kosovën e lirë do të vinte dhe pikërisht në Televizionin e Kosovës të shfaqej filmi”Skënderbeu”, të cilin e kishim si bukën, si ajrin dhe si frymëmarrjen tonë kombëtare.

“Skënderbeu” erdhi prapë në mesin tonë dhe shfaqej në kinema dhe television, si një koproduksion shqiptaro-sovjetik , natyrisht i realizar me forcat vetanake të Shqipërisë së pasluftës.

Me këtë film shqiptarët dëshmuan se ishin të prirur të krijonin edhe vepra të tilla të pavdekshme dhe se kishin një kulturë të madhe si popull.

“Skënderbeu” si film ishte edhe një sfidë e madhe për të krijuar edhe vepra të tjera kolosale, çfarë ndodhi në vitet e mëvonshme në Shqipëri, për të dëshmuar se edhe populli ynë mund të krijonte vepra të tilla të fuqishme filmore.

Definitivisht populli ynë u bë më i pasur edhe me një film historic që arriti ta portretizonte si duhet heroin tone të madh me të gjitha vetitë e tij prej luftëtari dhe strategu të pashooq i cili njihej nga mbarë bota.

“Skënderbeu” si film dhe hero sërish erdhi në Kosovë, gjithmonë madhështor, actual dhe i pamposhtur që synonte bashkimin e popullit tonë kudo që ishte.

Dhe sërish e pamë se kush ishte dhe çka dëshironte, duke i dënuar edhe tradhëtitë e brendshme shqiptare.

Mendimet dhe veprimet e tij patriotike dhe çlirimtare janë bërë sinonim shekullor mbarëkombëtar dhe sa here që e mendojmë sendërtimin e idealeve tona, e kujtojmë kryetrimin tonë kresor nëpër të gjitha epokat tona më të lavdishme historike.

Nëse kthehemi në retrospektivë, do ta kujtojmë se për here të parë në vendin tone filmi”Skënderbeu”erdhi pas vitit 1968 dhe mendonim se mbarë Kosova shkonte në qytetet e saj për ta shikuar heroin e vetë të dashur që kishte ardhur midis nesh.

Më kujtohet si sot se me ditë të tëra prisnim në rreshta për të blerë bileta hyrëse dhe për ta shikuar filmin tone të adhuruar.Nuk mund t’u besonim syve tanë se kishte ndodhur një mrekulli e tillë aq e paparitur, për ta shikuar kryetrimin emri i të cilit kishte qenë i ndalauar në të gjitha viset kosovare.Erdhi ai vit i lumtur përplot me rreze drite qëe edhe na ta shihnim në ekranet tona atë hero kombëtar “që pat shituar në njëzet e dy luftra ushtarët e Turqnisë”, siç shprehet Filip Shiroka në një poezi të tij antologjike.E shikonim, e adhuronim dhe qanim nga gëzimi, duke e krahasuar emrin e tij me atë të Ilirit tjetër-Leka i Madh, emrin e të cilit, thotë Filip Shiroka, e mbante Skënderbeu”ku emër më të madh s’kishte mundur t’i jepte sulltani /se emrin e Iskanderit/që dheun e pat sunduemun/.

Duke e shikuar filmin ishim të bindur se heroi ynë i adhuruar defilonte si i gjallë para syve tanë dhe hynte përfundimisht në zemrat tona rinore dhe në çdo zemër shqiptare që e shikonte atë film të rrallë dhe të mirëpritur për të gjithë ne.

Dhe Skënderbeu erdhi në ato vite në Kosovë si një Statujë e gjallë e Marsit”, siç do të thoshte ikona tjetër letrare, Fan S.Noli.

Filmi”Skënderbeu”, në koproduksion shqiptaro-rus, ishte një fakt i pamohuar dhe një realitet kohor që shënoi sukses të madh në artin kinematografik shqiptar.Nuk ishte aspkak e lehtë që të realizohej një film i tillë në kushte e njohura pas luftës së dytë botërore kur i mbarë vendi vuante në skamje dhe mjerim.Ekzistonte një vullnet i madh dhe një dëshirë e fuqishme për t’u arritur ai qëllim fundamental.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi