Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kur krijohej Kisha Ortodokse Shqiptare

Shko poshtë

Kur krijohej Kisha Ortodokse Shqiptare Empty Kur krijohej Kisha Ortodokse Shqiptare

Mesazh nga Agim Gashi Sat Aug 15, 2009 11:52 pm


Kur krijohej Kisha Ortodokse Shqiptare U1_KishaShqiptareBukuresht
Kisha Shqiptare e Bukureshtit
Nga Nos Xhuvani, Pavli Haxhillazi


Dëshira e ortodoksëve shqiptarë për të pasur një Kishë të pavarur është e hershme. Atë e morën me vete ata që mërguan jashtë atdheut, në Amerikë, Rumani, Bullgari, Egjipt, ku gjetën truall të përshtatshëm shenjat e gjallërimit. Me shpalljen e pavarësisë 1912 dhe me formimin dhe konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar më 1920 (Kongresi i Lushnjës), kjo dëshirë erdhi duke u gjallëruar, forcuar dhe mori trajta më konkrete. Ortodoksët shqiptarë, të udhëhequr nga kanoni kryesor "Kishë e lirë në shtet të lirë", kërkojnë që të gjitha ritualet fetare të bëhen në gjuhën shqipe, në gjuhën amtare. Organizimin shpirtëror në bazë të kanoneve të shenjta, zyrtarizimin dhe miratimin e tij është e nevojshme ta bëjë në radhë të parë shteti. Këtë nismë e mori Kostë Paftali, prefekti i Durrësit. Ai njoftoi telegrafisht prefekturat në vitin 1922 për domosdoshmërinë e organizimit të një tubimi për këtë qëllim të rëndësishëm. Çdo prefekturë do të zgjidhte nga dy delegatë, midis tyre kishte edhe klerikë shumë të njohur, si Arkimandrit Visarion Xhuvani, Arkimandrit Agathangjel Çamçja, Ikonom Vasil Marku, Papa Harallambi, Papa Josifi, etj.

Qeveria shqiptare u tregua mjaft e interesuar për çështjen shpirtërore dhe fetare të popullit të saj. Ajo i dërgoi një qarkore prefekturave dhe nënprefekturave për të mbështetur zgjedhjen e njerëzve atdhetarë, të cilët do të përkrahnin idenë e një kishe autoqefale shqiptare. Kundërshtarët e autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare përhapën gënjeshtra sikur organizatore e mbledhjes së Kongresit të Parë Kishtar të Beratit ishte qeveria. Ahmet Zogu, atëherë ministër i Brendshëm, i hodhi poshtë këto shpifje. Kongresi kishtar ortodoks e shpalli autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare duke u mbështetur në kanonet apostolike dhe të sinodeve të lidhura shpirtërisht, dogmatikisht dhe apostolikisht me Kishën e madhe të Krishtit, me Patriarkanën e Stambollit. Ky Kongres plotësoi aspiratat e ortodoksëve shqiptarë sepse vendosi përfundimisht të drejtën e ligjshme të shqiptarëve ortodoksë për përdorimin e gjuhës shqipe në kishë. Me vendimin Nr. 807 të datës 18-09-1922 Këshilli i Ministrave bëri njohjen zyrtare shtetërore të vendimeve të Kongresit të Beratit dhe i miratoi ato plotësisht sepse ishin mbështetur në parimin e pavarësisë së shtetit shqiptar (A.Q.Sh. fondi 251,dosja 1254, viti 1922).

STAMBOLLI NUK NJEH KISHËN SHQIPTARE

Këshilli i Naltë i zgjedhur në Kongres njoftoi të gjitha patriarkanat dhe kërkoi miratimin e Patriarkanës Ekumenike të Stambollit, e cila nuk e miratoi autoqefalinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Dy delegacione njëri pas tjetrit shkuan në Stamboll dhe u takuan me Patriarkun. Në delegacionin e dytë morën pjesë deputetë, klerikë të shquar, personalitete të njohura të vendit, si At Vasil Marko, Dhosi Havjari, Vasil Avrami, deputeti Thoma Orolloga, At Harallamb Torka, Dhimitër Kacimbra, Simon Shuteriqi e Kristo Kirka. Me gjithë kërkesën e argumentuar bindshëm, Patriarku nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij i mëparshëm, duke vepruar me diplomaci për njohjen e pavarësisë së Kishës dhe jo për njohjen e autoqefalisë. Për njohjen e pavarësisë, pra theksojmë jo të autoqefalisë, Patriarku i Stambollit vuri këto kushte: (1) Peshkopët që do të zgjidhen prej popullit shqiptar duhet të jenë miratuar më parë prej tij; (2) Patriarkana ka të drejtën e vetos në miratimin e Kryepeshkopit; (3) Gjuha e vjetër e dëshirueshme e kishës, greqishtja, të zërë vendin e parë në Kishë.

Këto kërkesa të Patriarkanës së Stambollit hidhnin poshtë vendimet kryesore të Kongresit Kishtar të Beratit dhe opinioni atdhetar nuk u pajtua me këto kërkesa. Ndërkohë diskutimet u bënë të ashpra dhe kontradiktat ndërmjet atyre që ishin për autoqefalinë dhe atyre që i quanin të mjaftueshme propozimet e Patriarkut të Stambollit erdhën duke u thelluar. Zbatimi i vendimeve të Kongresit të Beratit u bë ngadalë sepse edhe dioqezat kryesore ishin pa titullarët e vet. Gjithashtu edhe gjendja financiare e kishave ishte shumë e dobët. Për të krijuar një gjendje më të favorshme Visarion Xhuvani më 1923, që atëherë ishte deputet dhe anëtar i Këshillit të Naltë, kërkoi nga Parlamenti ndihmë financiare prej 50000 franga ari. Ai iu drejtua Parlamentit me këto fjalë: " Kështu edhe nji herë ky Parlament t’i marri parasysh gjithë nevojat dhe gjendjen delikate të Kishës Autoqefale Kombëtare dhe të mos kursejë nje dhuratë të vogël që ka me prumun njisimin dhe shqiptarizimin e ortodoksëve, punë që ka aq vlerë për interesimin ma të naltë të shtetit në kohën e ardhme, sa nuk mund ta shpjegoj me kohën e pakët që kemi".( Bisedime të Këshillit Kombëtar, faqe 221, viti 1923­­­)

Mbas disa diskutimesh Ahmet Zogu tha: "Asht e ditun se këto ndihma do të jepen jashtë buxhetit dhe nji shumë prej 50000 frangash ari nuk asht gja e madhe. Qeveria pra, me gëzim e pranon dëshirën e komisionit të financave, që kjo shumë t'i dhurohet Këshillit të Naltë të Kishës Kombëtare". Në këtë rast Ahmet Zogu shprehu për herë të dytë vullnetin e mirë për të ndihmuar Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Ai mbajti po këtë qëndrim në përkrahje të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare edhe në raste të tjera që do t'i shohim më poshtë. Ndihma e miratuar në Parlament i dha udhë zgjidhjes së problemeve të ngutshme të kishës sonë, por mungesa e Sinodit të Shenjtë me dhespotë kanonikë, të cilët do të drejtonin veprimtarinë kishtare për të vënë në jetë vendimet e Kongresit të Beratit, ishte pengesë e madhe. Mitropolitët kanë qenë: Jerotheu në Korçë, Kristofori në Berat dhe Noli në Durrës. Me veprimet e tyre këta titullarë u treguan të mefshtë dhe nuk plotësuan kërkesën e Kongresit të Beratit për të dorëzuar dy kandidaturat e mundshme, që atëherë ishin V. Xhuvani dhe A. Çamçja.. Kaluan tre vjet nga Kongresi Kishtar i Beratit dhe zgjidhja po dukej disi e largët. Ndërkohë dioqeza e Durrësit mbeti pa Mitropolit.

Për të plotësuar këtë post të rëndësishëm kishtar dhe për të vënë në jetë vendimet e Kongresit të Beratit, Këshilli i Naltë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ngarkoi Visarion Xhuvanin që të drejtonte Mitropolinë e Durrësit sipas dekretit Nr. 686 të datës 28.3.1925. Nga klerikët dhe bashkëpunëtorët e vet Visarioni kërkoi që të ruajnë dhe të zbatojnë në mënyrë të plotë kanonet e shenjta për nder të kishës dhe për të mirë të popullit. Plotësimi i kësaj detyre kërkonte që Mitropoliti i Durrësit të kishte gradë episkopale. Visarioni nuk mund të priste deri sa të zbutej zemërimi i Patriarkanës së Stambollit dhe nuk u pajtua me plogështinë, durimin dhe përunjësinë e ndonjë dhespoti tjetër. Ai ishte i bindur se Patriarkana dëshironte që kisha shqiptare të mbetej e varur përgjithmonë prej saj. Ishte koha për të vetëvepruar me guxim dhe me sakrifica. Atëherë pa mbështetjen e Këshillit të Naltë, Visarion Xhuvani shkoi në Mal të Zi dhe më 3 maj të vitit 1925 u dorëzua në gradën episkopale. Akti i dorëzimit të Visarionit pati jehonë të dyfishtë. Disa mendonin se punët do të shpejtoheshin për formimin e Sinodit, të tjerë e quajtën shkelje disiplinore. Midis tyre kishte dhe anëtarë të Këshillit të Naltë të cilët nuk e njihnin si Mitropolit dhe e ndalonin që të celebronte Meshë Episkopale. Madje ata arritën të kërkojnë që të merreshin masa disiplinore ndaj tij. Përplasjen e Episkopit të ri me Këshillin e Naltë e zgjidhi ministri i Punëve të Brendshme, A. Dibra, i cili, në përgjigje të letrës së dërguar nga Prefektura e Elbasanit më datën 24.2.1927, ka shkruar: " Meqenëse Sinodi i Shenjtë është në formim e sipër, të ruhet statuskuoja dhe problemi të zgjidhet prej Sinodit".( AQSh f. 152, dosja 20, viti 1927).


vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Kur krijohej Kisha Ortodokse Shqiptare Empty Re: Kur krijohej Kisha Ortodokse Shqiptare

Mesazh nga Agim Gashi Sat Aug 15, 2009 11:52 pm

XHUVANI NUK MPOSHTET

Në vitin 1926 Patriarkana e Stambollit ndërmori një veprim tjetër diplomatik për të mposhtur qëndresën e atdhetarëve shqiptarë dhe për të bindur Qeverinë dhe Mbretin e shqiptarëve. Ajo dërgoi në Shqipëri Eksarkun Krisanthos, Mitropolit i Trapezundës dhe laikun P. Kotoko. Misionarët grekë ngulën këmbë përsëri për ruajtjen e privilegjeve të Patriarkanës së Stambollit. Ortodoksët shqiptarë atëherë u ndanë në dy grupe: në përkrahës të idesë së autoqefalisë dhe në përkrahës të kërkesave të Patriarkanës. Ndërkaq ortodoksët e Vlorës me Tol Arapin në krye i dërguan këtë telegram At Vasil Markos më 10 qershor të vitit 1926: "Krisanthi vjen në Korçë, kini kurajo patriotike dhe mos bini viktimë e dhelpërive fanariote. Kemi lindur shqiptarë, rrojmë dhe do të vdesim shqiptarë. Statuti i Beratit për të cilin jemi betuar nga ana jonë nuk cenohet". Visarioni doli në ballë të përpjekjeve që kundërshtonin ndalimin e gjuhës shqipe në liturgjinë fetare. Vënien e gjuhës greke nuk e quajti të logjikshme edhe për arësye filologjike, sepse pjesa më e madhe e librave liturgjikë ishin përkthyer e përshtatur në gjuhën shqipe nga njerëz me kompetencë profesionale.

Kundërshtitë midis intelektualëve për këtë çështje të rëndësishme të Kishës Ortodokse Shqiptare i zgjidhi Mbreti Zogu i Parë, i cili me vendosmëri ka deklaruar: " Aq më ban ç'mendon Patriarkana. Në Shqipni jam zot vetë dhe komandoj unë".(70 vjet të Kishës Ortodokse Autoqefale, Tiranë 1993, faqe 71). Më 13 nëntor të vitit 1929 Kryeministri i Shtetit Shqiptar, Koço Kota, iu drejtua me dy shkresa Mitropolitëve Jerotheu dhe Kisi që ishin që të dy në Korçë, dhe shfaqi dëshirën që dy kandidatët për peshkopë (Çamçe dhe Ambrosi) të dorëzoheshin sa më parë dhe me këtë mënyrë të plotësoheshin kushtet për formimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Katër muaj kaluan pa u bërë asgjë. Qeveria kërkoi zgjidhje të brendshme të sinodit, ndërsa ata që nuk e përkrahën këtë ide kërkuan zgjidhje tjetër. Kërkesat e tyre jo vetëm që nuk qenë kanonike, por qenë dhe të pamundshme për interesat kombëtare të ortodoksëve shqiptarë dhe për parimet shtetërore. Për formimin e Sinodit u interesua në mënyrë të veçantë Këshilli i Naltë i Kishës Ortodokse Autoqefale, i cili u mbështet në vendimet e Kongresit të Beratit, në kanonet e shenjta dhe te qeveria shqiptare e kohës.

Në shkurt të vitit 1929 Kryetari i Këshillit të Naltë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë njoftoi Visarion Xhuvanin. Detyra e re që iu ngarkua Visarionit u miratua menjëherë nga Qeveria Shqiptare. Çdo pritje e mëtejshme do ta dëmtonte rëndë autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, prandaj në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, të kryesuar nga Naltmadhnia e Tij, Mbreti Zog I, në të cilën morën pjesë Koço Kota, Pandeli Evangjeli, Hiqmet Delvina, ndërsa nga Këshilli i Naltë Kishtar At Vasil Marko dhe Imzot Visarioni. Ky i fundit u ngarkua që të zgjidhte dy episkopë kanonikë të huaj, të cilët do të dorëzonin kandidatët shqiptarë. Nga 11 shkurti deri më 17 shkurt të vitit 1929 u bënë hirotonisjet e episkopëve dhe më 18 shkurt do të formohej Sinodi. Këto qenë ditë festive për ortodoksët dhe për myslimanët shqiptarë. Meshat që u mbajtën atëherë ishin ngjarje të shënuara në historinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Mbretin në to e përfaqësoi Kolonel Zef Seregji, mori pjesë kryeministri Koço Kota, ministri i Drejtësisë Hiqmet Delvina, Xhafer Vila, Yzedin Beshiri, Abdurrahman Kroi, Dr. Basho, Tefik Mborja etj. Diskutimet e gjata shtatëvjeçare për zgjedhjen e Sinodit të Shenjtë morën fund. Gazeta e Re atëherë shkroi: "Më në fund ideja kombëtare ngadhënoi si gjithnji sepse ajo buron nga shpirti i kombit dhe asht besue në duer të forta patriotike".

KONGRESI I KORÇËS

Mbas formimit të Sinodit u shtua shumë zemërimi i Patriarkanës së Stambollit dhe i Patriarkanës greke. Të dyja bashkë dhe veç e veç ato e rritën trysninë dhe i shtuan sulmet ndaj Sinodit dhe veçanërisht ndaj Kryeepiskopit Visarion, ndaj mbretit Zog dhe Qeverisë shqiptare. Për të përballuar këto shpifje, të cilat mund të arrinin në formë ankese deri në Lidhjen e Kombeve, Këshilli i Ministrave me vendim Nr. 218 të datës 21.3.1929 vendosi të formojë një komision, të përbërë prej ministrit Fuqiplotë Mehdi Frashëri dhe Dhimitër Pogës, drejtor politik pranë kësaj Ministrie për të ndjekur veprimet e mundshme dhe për të mbrojtur interesat e shqiptarëve, për t’u bërë ballë situatave në rast se Qeveria greke do ta shtronte çështjen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse në Lidhjen e Kombeve. (AQSh. fondi 251, dosja 850, viti 1929) Pa u tutur ndaj presioneve të brendshme dhe shpifjeve të jashtme, Sinodi, me Visarionin në krye, punoi në mënyrë intensive për të përgatitur Kongresin e dytë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Korçë. Edhe për këtë veprimtari kujdesi i Qeverisë dhe i Naltmadhnisë së Tij, Mbretit Zogu I, ishte në lartësinë e duhur, duke përballuar edhe një pjesë të shpenzimeve financiare. Kongresi do të miratonte Statutin definitiv dhe rregulloren e brendshme të administrimit të kishës. Më 19 qershor të vitit 1929 të 46 delegatët përfaqësues të klerit dhe të popullit të Shqipërisë u mblodhën në Korçë për punimet e Kongresit të Dytë Panortodoks. Kongresi historik i Korçës miratoi njëzëri dokumentet bazë të Kishës dhe mjaft vendime të tjera, duke e vendosur Kishën Shqiptare krahas kishave të tjera ortodokse ballkanike, evropiane e botërore.

NJOHJA E AUTOQEFALISË SHQIPTARE

Në vitin 1935 Naltmadhnia e Tij, Mbreti Zog, kërkoi njohjen e autoqefalisë nga Patriarkana, duke dërguar Koço Kotën e Josif Kedhin në krye të një delegacioni pranë Patriarkut për t'i dhënë Tomusin Kishës Ortodokse Shqiptare. Kërkesave të Patriarkanës iu shtua edhe një kusht tjetër: largimi i Visarionit nga detyra e Kryeepiskopit. Visarioni, që dha kaq shumë për kishën tonë, vendosi të vetëflijohej dhe në Sinodin VII pranoi të jepte dorëheqjen. Mbas 27 majit të vitit 1936, dita kur dha dorëheqjen Visarioni, e deri më 12 prill të vitit 1937, pati veprimtari të dendur diplomatike për të bindur Patriarkun e Stambollit që të miratonte Tomusin. Ai nuk lëvizi nga kërkesat e veta, vetëm se i zbuti ato dhe ia përshtati diplomacisë së kohës, miratoi Tomusin dhe në krye të Kishës Shqiptare erdhi Imzot Kristofor Kisi. Edhe më vonë Naltmadhnia e Tij, Ahmet Zogu, tregoi vëmendje të veçantë për mbarëvajtjen e Kishës Ortodokse Shqiptare. Dhënia e Tomusit nga Patriarkana e Stambollit për Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare u bë më 12 prill të vitit 1937. Kjo erdhi pas punës këmbëngulëse që bënë klerikët shqiptarë me Kongresin e Beratit, të Korçës dhe pasi formuan Sinodin e tyre.

GREKËRIT BLLOKUAN UDHËTIMIN E KRYEPESHKOPIT SHQIPTAR

Mbreti Zog porositi avion në Itali për imzot Xhuvanin. Për realizimin e misionit fetaro-kombëtar Visarion Xhuvanin e mbështeti Naltmadhnia e Tij, Zogu I. Kur Visarioni u burgos nga regjimi komunist (nga viti 1948 deri më 1962) një nga bashkëvuajtësit e tij, Beqir Ajazi, për ndihmën e pakursyer që dha Naltmadhnia e Tij, Zogu I, në librin "Nga zhgaba me kurorë deri te drapri me çekan" shkruan: "Kishte vdekur Patriku i
Kur krijohej Kisha Ortodokse Shqiptare U1_NikollaGjergjPallamida
Nikolla Gjergj Pallamida, president i Komunitetit Ortodks Shqiptar te Bukureshtit
Bukureshtit dhe i gjithë Rumanisë. Siç e duan kanonet varrimi i tij do të zhvillohej me ceremoni madhështore ku do të ishin jo vetëm klerikët e lartë të vendit, por edhe përfaqësuesit zyrtarë nga kishat e vendeve të tjera, ndër të cilat bënte pjesë edhe Shqipëria, që dilte për herë të parë si autoqefale. Meqë vdekja e Patrikut kishte qenë e befasishme dhe kur përfaqësuesi i kishës shqiptare, Visarioni, duhej të ishte patjetër, Naltmadhnia e Tij, Zogu I, kishte porositur një takëm ceremonial për meshë, të thurur e të qëndisur krejt prej ari. Vetëm kamillafi i rëndë (mitra) dhe skeptri kishin kushtuar më se 400 napolona ar.


Linja ajrore për në Bukuresht atëherë kalonte Tiranë-Athinë-Sofje-Bukuresht. Kështu që veç vizës së tranzitit të Bullgarisë duhej edhe ajo e qeverisë greke. Kjo e fundit kishte refuzuar dhënien e vizës për Visarionin, sepse Imzot ishte "persona non grata" atje dhe i dënuar për shkak të veprimtarisë që kishte kryer me rastin e autoqefalisë. Dukej sheshit se autoritetet greke po bënin çmos për ta penguar kishën tonë që të paraqitej në një ceremoni botërore, siç qe ajo e varrimit të Patrikut të Rumanisë. Për t'ua hedhur në ajër planin e sabotimit të tyre, Naltmadhnia e Tij, Zogu I, kishte porositur aeroplan të posaçëm, duke e kaluar Visarionin në Itali dhe s’andejmi në Rumani. Sipas rregullave të protokollit i kish takuar Visarionit që të ishte i pari në krye të kësaj ceremonie. Pjesët e tjera, pamjen, veshjen dhe aftësitë kishtare i kishte vetë Visarioni, i cili kishte korrur atje një simpati të madhe për kishën tonë, për veten e vet dhe për Shqipërinë. Në lidhje me këtë veprimtari Gjergj Bubani më ka thënë se gjatë ceremonisë mijëra gra shqiptare të Bukureshtit ndërprenin herë pas here kortezhin për t’i dalë përpara Visarionit, duke brohoritur me devocion: "Jetë të gjatë o dhespoti ynë".

(Zgjodhi për ribotim nga Gazeta Shqiptare: Baki Ymeri)
Kur krijohej Kisha Ortodokse Shqiptare U1_KishakatolikeeShenJozefitneqenderteStublles
Kisha katolike e Shen Jozefit ne qender te Stublles
Kur krijohej Kisha Ortodokse Shqiptare U1_MariaShenjte
Maria e Shenjte
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi