Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Demir Krasniqi: Synetitë me uniforma të Sulltan Pelmezit

Shko poshtë

Demir Krasniqi: Synetitë me uniforma të Sulltan Pelmezit Empty Demir Krasniqi: Synetitë me uniforma të Sulltan Pelmezit

Mesazh nga Agim Gashi Mon Aug 17, 2009 12:30 am

Demir Krasniqi: Synetitë me uniforma të Sulltan Pelmezit U1_DemirKrasniqiTrendët e traditës sonë kulturore fetare dhe kombëtare:

SYNETITË ME UNIFORMA TË SULLTAN PELMEZIT

Nga Demir KRASNIQI

Se si po i helmojmë fëmijët tanë , që nga zhveshja e pelenave e deri në vdekje , duke ua mbjellë në gjak dashurinë ndaj kulturave dhe traditave të huaja fetare , këtë më së miri e dëshmojnë ceremonitë fetare të cilat organizohen në rastet e synetive të fëmijëve tanë meshkuj !
Dasmat dhe ceremonitë të cilat zhvillohen e eksponohen para publikut të gjerë me rastin e këtyre synetive , janë shumë të çuditshme dhe ato përveç që kushtojnë me çmime marramendëse , prapa skenarëve të tyre fshihet një propagandë shumë e rrezikshme për botën e të rinjve , veçanërisht fëmijëve tanë, të cilëve që nga hapërimet e para në këtë botë, iu mbillet dashuria dhe lakmia ndaj vlerave dhe traditave të huaja kulturore !
Përveç shpenzimeve marramendëse rreth organizimit të dasmave të synetive tek ne, duke filluar nga thirrjet e një numri të madh mysafirësh , sigurimi dhe pagesat e xharrahëve , sigurimit të hoteleve, apo restoranteve , sigurimit të grupeve muzikore artistike (madje edhe nga dy-tri palë sish), ushqimi, pijet, ëmbëlsirat, lukset, dekoret... rëndësia më e madhe propaganduese publike , pa dyshim se i kushtohet fëmijës – djalit, i cili do të bëhet synet !
Rëndësia më e madhe rreth përgatitjes së dasmës së synetisë, i kushtohet sigurimit të uniformës së djalit, uniformë kjo që fund e krye është e dizajnuar me elemente orientale e që është imitim i uniformave ushtarake të sulltanëve dhe pashallarëve osmanlinj ?! Këto uniforma që nga këpucët e deri tek kapela, janë të stolisura me simbole të gjeneralëve të ushtrive turke dhe me mbishkrime në gjuhën arabe :”Mashallah” dhe “Bismilah”!
Për t’ ua siguruar këto uniforma sulltanësh, fëmijëve të vet, me rastin e synetive të tyre, po qe se nuk do të gjenden në tregun kosovarë, shumë kush do t’ ia mësyjë edhe Turqisë, për blerjen dhe sigurimin e tyre me kohë ! Jo rrallë, në kombinim me këto uniforma do të vijnë edhe shpatat e stilit të Sulltan Muratit !
Për ta reklamuar dhe propaganduar këtë lloj synetie dhe djalin e veshur në këtë uniformë si gjeneral, të cilin vështirë se do ta njohin moshatarët e tij, angazhohen veturat më luksoze të zbuluara , ose edhe çeze kuajsh, me të cilat do të zhvillojnë defile nëpër të gjitha rrugët dhe sheshet e qytetit, me qëllim që moshatarët e tij, të cilët ende nuk e kanë kryer synetllëkun, t’ i lakmojnë atij dhe të bëjnë trysni tek prindërit e tyre, që t’ i bëjnë synet edhe ata sa më shpejt që është e mundur, nga se i nxitë lakmia për uniforma gjeneralësh dhe dhurata parash të cilat zakonisht ua dhurojnë mysafirët dasmorë me rastin e synetisë, duke ia mbushur kapuçin me të holla !
Profesioni im dhe përvoja më se 40 vjeçare, më ka mundësuar që të jem pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i këtyre dasmave nëpër shumë qendra, vendbanime e krahina të ndryshme shqiptare, ku kam pa dhe mësuar shumëçka nga traditat dhe ceremonitë e këtij lloji! Fatkeqësisht , kurrë nuk më ka ndodhur që në dasmat e synetive dhe në veshjet solemne të fëmijëve të cilët bëhen synet, ta shoh as më të voglin simbol kombëtar shqiptar, si që është flamuri kombëtarë, kostumet kombëtare dhe plisi i bardhë?!
Kësaj dukurie të shëmtuar , e cila nuk ka të bëjë aspak me traditat dhe kulturën kombëtare shqiptare, po ia shtoj edhe ca vargje të marra nga një parodi e imja në formë të këngëve të konagjegjit , e cila i kushtohet kësaj problematike:

Kajë moj çikë , kajë e kup ,
Po t’ çojnë nuse ndër magjup !
S’ janë magjup, po janë mefterë –
Krejt qytetin e çojnë n’ poterë !

Kush ta bajnë ndo ‘i djalë synet –
Burrin tand vjen e ta thërret ,
N’ kamiona e n’ traktora ,
Bien tupani e ngrihet hora !

Se kur t’ bien n’ tupan guxhumi –
Krejt qyteti çohen prej gjumi !
Po bien t’ vjetrit “Shahadet” –
A u ba luftë , a u ba tërmet ?!

-Nuk asht luftë, nuk asht tërmet ,
Po e kanë ba nji djalë synet !
E kish nana , djalë hasret ,
Para tij, i kish pas edhe tetë !

Ky synet asht krejt “normal” –
Vishet djali , si “gjeneral”,
N’ ballë i shkruen “Mashallah”,
Poshtë i shkruen “Bismilah”!

Pjesëmarrja në “Qelime” me tri palë kapela ?!

Më rastisi sivjet, që të më ftojnë për të marrë pjesë në një “Qelime” e cila i kushtohej një të vdekuri . Kësaj thirrje iu përgjigja pozitivisht, nga dëshira për t’ia bërë nderimet e fundit personit të vdekur , edhe pse unë absolutisht nuk jam ithtarë e këtyre ceremonive !
Shkova në vendin dhe në orën e caktuar sipas ftesës, por që në hyrje të lokalit ku ishte caktuar mbajtja e kësaj “Qelimje”, u zhgënjeva aq shumë sa edhe u pendova përse shkova?!
Po sa hyra brenda atij lokali, i përshëndeta të gjithë në gjuhën shqipe:”Mirë dita dhe mirë se ju gjejë!” Por, asnjëri prej tyre , nuk ma ktheu përshëndetjen në gjuhën shqipe! Të gjithë të pranishmit mu vërsulën si një kor i zhabave , duke mërmëritur: “Merhaba!”...
Çka me pa në atë dhomë të vogël, që nuk ishte më e madhe se sa 8 me 4 metra, ishin grumbulluar më se 80, apo 100 njerëz, të rrastuar njëri pranë tjetrit, sa nuk mund t’ iu gjenin vend as këmbëve të veta mbi të cilat ishin kërrusur ! Ishte vapë e madhe. Frymëmarrja sa vinte e bëhej më e rëndë dhe më e ngulfatur ! Kishte shumë njerëz të moshuar e të sëmurë, nga goja e të cilëve kundërmonin lloj – lloj erërash . Kundërmonin edhe erërat e këmbëve të cilat u ishin djersitur nga vapa e madhe dhe ngushtësia e dhomës!...
Po sa e sodita mirë dhomën dhe pjesëmarrësit e “Qelimes” , më ra në sy diçka edhe më e çuditshme, nga e cila u ndjeva shumë keq në mesin e tyre !
Pashë se në atë mes të mysafirëve, i vetmi isha unë që nuk kisha kapele mbi kokë?!
Të gjithë pjesëmarrësit më shikonin me ironi, si të isha unë ndonjë ujk në mes delesh ?!
Ajo që më habiti më së shumti në këtë “Qelime”, përveç asaj që pashë se të gjithë pjesëmarrësit i kishin kokat e mbuluara me kapela, ishte një fenomen tjetër që unë nuk e kisha pa më herët nëpër tubimet e ngjashme ! Mbi kokat e mysafirëve të pranishëm, reflektonin tri palë kapela dhe ato:
- Në krye të vendit reflektonin kapelat kuq e bardh të një grupi hoxhallarësh .
- Pranë tyre, reflektonin kapelat me ngjyrë të verdhë të cilat i kishin vu një numër i madh i hanxhinjve, dhe
- Pjesa tjetër e mysafirëve që nuk kishin tituj fetarë , i kishin vu mbi kokë disa tërleme të bardha, me shumë vrima dhe qëndisje me gjilpëra !
Askush prej tyre nuk e kishte së paku një plis të bardhë shqiptar mbi kokë ?!
Aty, mungonin vetëm hiramet e bardha të pëlhurës së arabëve !
Deri sa kori i burrave e këndoi 72.000 herë refrenin:”La ilahe ilallah”, unë i bëja pyetje vetit:”A thua jam në Kosovë, apo në Mekë e Medinë?!”
Propaganda e tillë , përmes kapelave arabe, ua shton bindjen të rinjve se “po nuk e pate kapelën arabe mbi kokë, do të llogaritësh si njeri i pa fe dhe i pa dëshiruar në rrethet e ceremonive të këtilla”!

Koncertet, festivalet dhe manifestimet kulturore – nëpër sheshe, livadhe, fusha e male?!...

Derisa në vitet më të vështira , kur ne nuk kishim as liritë elementare si një popull, apo si një komb , për ta jetuar jetën të lirë dhe të lumtur, për t’i kultivuar vlerat e kulturës sonë tradicionale kombëtare , megjithatë gjendeshin forma të ndryshme dhe nuk lejohej me asnjë kusht që të shuhet kultura dhe tradita jonë e lashtë dhe e begatshme kombëtare .
Nuk janë të largëta vitet dhe kohët kur në qytetet dhe qendrat tona urbane , po qe se organizohej ndonjë koncert, festival apo manifestim kulturor , asnjëherë nuk shtrohej pyetja se a do të shkohet në ato programe, por lufta më e madhe ishte rreth sigurimit të vendeve dhe buletave, pa u diskutuar kurrë as çmimi i buletave !
Në programet e tilla muzikore, qofshin ato grupe muzikore, ansamble, apo festivale, çmohej lartë kënga e mirëfilltë tradicionale shqipe, çmoheshin artistët e këngës popullore, çmoheshin orkestrat, çmohej kënga atdhetare kombëtare dhe gjithë ai bagazh që kishte të bënte me organizimin dhe kultivimin e vlerave kombëtare.
Programet e tilla kulturore : koncertet, festivalet dhe manifestimet e ndryshme muzikore , organizoheshin ekskluzivisht nëpër sallat e ndryshme koncertale, shtëpi të kulturës, salla të teatrove etj. të cilat ishin të administruara dhe mbikëqyrura rreptësishtë nga organet e qeverisë pushtet-mbajtëse !
Nën ato kushte dhe rrethana të hekurta, këndohej e vallëzohej shqip dhe kombëtarisht, duke mos i lënë anash asnjëherë luftëtarët, trimat, dëshmorët dhe heronjtë e kombit !
Ëndrra më e madhe e çdo shqiptari, në atë kohë, ishte se a do të vijë ndonjëherë dita, kur ne do t’ i kemi në duart tona institucionet kulturore, shtëpitë e kulturës, sallat koncertale, hallat sportive...dhe a do të vjen ndonjëherë dita, kur ne do të këndojmë këngë pa censurë duke marrë frymë shqip lirisht , pa dhunë e pa ndëshkime?!
Pas derdhjes së gjakut të bijve dhe bijave më të mira të Atdheut, kjo ëndërr u bë zhgjëndërr dhe liria e shumëpritur erdhi edhe për ne !
Por çka po ndodhë tash me kulturën tonë?
Këngët patriotike u harruan. Entuziazmi dhe amatorizmi kulturor gati se u shuan, nga se ato nuk gëzojnë kurrfarë përkrahjesh as morale, as materiale e as institucionale. Këngët tradicionale kombëtare censurohen nga kanale të fshehura të nëntokës .
Mbi vlerat e mirëfillta mbisundojnë antivlerat.
Sallat e koncerteve, festivaleve dhe manifestimeve të ndryshme kulturore, sot bëjnë gjumë të rehatshëm dhe mrizojnë në heshtje, nga se më atyre askush nuk ua prishë qetësinë! Në këto salla, sot, le të vjen kushdo qoftë prej artistëve, këngëtarëve, grupeve, ansambleve, festivaleve, manifestimeve të ndryshme kulturore, është krejtësisht e kotë, nga se në to, më askush nuk do të shkojë për t’ i përcjellë programet edhe po qe se hyrja në salla do të ishte gratis (pa pagesë)!
Pra, publikun e kemi humbur në tërësi dhe interesimi i tij për shfaqjet muzikore artistike ka rënë në zero . Pse dhe si e kemi humbur publikun deri në këtë shkallë, ka shumë e shumë arsye dhe indikatorë .
Organizatorët e programeve të ndryshme muzikore, duke filluar nga koncertet, manifestimet e ndryshme kulturore, festivalet, duke e pa se publiku ynë, më nuk do të shkojë nëpër salla për të ndjekur aktivitetet e tyre, madje për shitjen e buletave as që mund të diskutohet, ia filluan që ta aplikojnë një formë të re të shfaqjes së programeve muzikore dhe kulturo – artistike . Ata, me grupet muzikore dhe artistët e tyre, ia filluan të dalin nëpër sheshe të qyteteve për t’ i shfaqur programet e tyre para publikut të gjerë, pa buleta dhe pa obligime tjera! Mendonin se përmes fuqisë së altoparlantëve publike, do ta joshin publikun dhe në shfaqjet e tyre do të vinte e tërë popullata i madh e i vogël për t’ i përcjellë programet!
Kjo metodë e organizimeve të koncerteve publike, festivaleve dhe manifestimeve të ndryshme kulturore, zgjati një kohë relativisht të shkurtër dhe publiku shumë shpejt u iritua dhe iku edhe nga këto vend- shfaqje ! Sa për ilustrim, po e përmendim vetëm një shembull të kësaj vere, kur në sheshin e qytetit të Gjilanit u organizua një koncert përshëndetës për mërgimtarët tanë, në të cilin nuk erdhën hiq më shumë se 200 fëmijë e të mitur, por jo edhe qytetarët e rritur dhe mërgimtarët?!
Organizatorët e programeve të ndryshme të jetës sonë muzikore, si që janë ata të koncerteve dhe festivaleve muzikore, kohët e fundit duke e pa se publiku iu iku nga sallat e ndryshme dhe nga sheshet e qyteteve, tani kanë filluar të organizojnë koncerte , festivale dhe manifestime të ndryshme kulturore nëpër livadhe, fusha dhe male të ndryshme gjithandej fshatrave të Kosovës !
Tani, shtrohet pyetja:- Po bëri e na iku publiku edhe nga livadhet, fushat dhe malet, ku do të shkojë publiku dhe nga do të shkojnë organizatorët e manifestimeve të ndryshme kulturore ?!


Gjilan, më 16 Gusht 2009.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi