Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Që të 'ribekohet' vetë, Rama mallkon zgjedhjet

Shko poshtë

Që të 'ribekohet' vetë, Rama mallkon zgjedhjet Empty Që të 'ribekohet' vetë, Rama mallkon zgjedhjet

Mesazh nga Agim Gashi Mon Aug 24, 2009 10:55 pm

Që të 'ribekohet' vetë, Rama mallkon zgjedhjet

Luan Myftiu


I mësuar të vidhte votat e kryeqytetit, Rama nisi të besonte se edhe njerëzit donin ta kishin në krye. Kapërcimi i limiteve e bëka njeriun iluziv. Deliranti nuk pranoka të ndahet kollaj nga pushteti. Ai mendon se i bën njerëzit fatkeqë, duke u dorëhequr. Kurse disa kërkojnë që Rama të mos rikandidojë. Të largohet drejtuesi, që pretendon se krijon drejtues. Në mos te posti i presidentit, kushedí në ç’maja mund ta ketë çuar Ramën adhurimi për veten! Tërë jetën ai ka qënë një arrogant i përkëdhelur. Kur i humbi privilegjet e pamerituara, urreu këdo që nuk ia çmonte madhështinë. Kujt i mungon autoriteti moral, kërkon të zotërojë forcën. Kur hiçit i vjen zogu në dorë, e mbyt atë nga dashuria. Asnjë narciz nuk e çmon pushtetin si vullnet të sovranit. Fjalimet patetike Rama i nxorri nga arsenali i diktaturës. Dhe dihet që, kur njeriu “rebelohet” kundër çdo pushteti, bëhet etalon i ambicies më banale për “kolltuk. Rama iu ofrua PS-së, kur kjo lëngonte nga kriza e identitetit. Kur “solidariteti” i diktaturës qe shndërruar në egoizëm harbut. Ndoshta vetë diktaturat e përhapin virusin e prepotencës, duke i detyruar ithtarët të depersonalizohen për to. Apo ndoshta, vetë njeriu, siç thotë një psikanalist, bëhet skllav i personit, tek i cili ka mbështetur shpresat e së ardhmes. Pjellë e ambienteve të inkriminuara, Rama e lozi bukur rolin e njeriut pa ambicie. Edhe Enver Hoxha nuk e e zbuloi fytyrën e vet prej drejtuesi. Kjo qe porosia e tij. Të gjithë i kishte lejuar ta trajtonin si të barabartë me veten, ngaqë të gjithë kishte në plan t’i bënte skllevër. A nuk e propozoi vetë Rama Kodin Zgjedhor ? A nuk nguli këmbë ai që kryetari të dorëhiqej, nëse humbeshin zgjedhjet ? Nuk qe ky Ramë që s’kandidoi për deputet, që t’u ngjitej pa rënë në sy majave të pushtetit ? Dinakëria është arti i parë që mësojnë diktatorët. Ajo është instinkti i tyre kryesor i vetëmbrojtjes. Ndoshta prandaj u duket natyrale të mashtrojnë dhe veten. Sipas ligjit të tyre të xhunglës, në luftën për pushtet del fitues ai që shtiret më pak i interesuar për ta fituar. I krimbur në para, Ramës iu shtua besimi se ishte gjení. Si i tillë, kish nisur t’i shihte shokët si mediokër. Prandaj dhe i mbyllte duke qeshur debatet televizive, që gjithmonë kujtonte se i kishte fituar. Shkurt, taní iu zbulua Ramës deviza: “Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë!”. Kurse pati njerëz që besuan se, meqë kish propozuar dikur dorëheqjen në humbje, Rama do ta linte pa lëkundje ”kolltukun”. Ndërkohë që ai mendohej në heshtje se kujt t’ia ngarkonte fajin, meqë e kishte personalizuar si tepër fushatën. Për diktatorët “kokë turku” bëhet cilido që guxon të ngrejë zërin kundër tyre. Dhe këtë s’e quajnë aspak terror. Rama i çmon si njerëz të vegjël ata që mendojnë se edhe “Zeusat” duhet t’u nënshtrohen rregullave, që këta i krijojnë për të vënë ekuilibër në “perandorinë” e tyre të nënshtrimit. “Zeusëve” edhe vetë partía u duket e paaftë t’i gjykojë. Se Një-shat, sipas tyre, janë të përjashtuar nga parimet, që i duhen njeriut të zakonshëm për të ruajtur integritetin moral. Sepse, gjithmonë sipas tyre, mbi gjenitë nuk vepron asnjë lloj morali. Ata janë krijuesit e tij. Prandaj, kur Rama dëgjoi se si po e gjykonte mediokriteti, shpejtoi të rihidhte idenë e mosnjohjes së zgjedhjeve, të manipulimit të tyre, të shkeljes së vullnetit të sovranit, të cungimit të mandatit të qeverisë, e cila, gjoja, nuk paska dalë nga një votë e lirë, e ndershme, e drejtë dhe brenda standardeve (!). Pastaj, kur mendoi si votohej e si numëroheshin votat në kohën e “qoftëlargut”, u revoltua dhe ndaj shokëve, që po ia peshonin pushtetin me çudinë e disas copa letrave (votave), përbri të cilave na u shënoka një kryq. Sipas delirantit Ramë ky qënkësh një naivitet idealizmi primitiv prej njerëzish të dobët. Një praktikë e atyre, që nuk dinë të vjedhin vota, apo t’i numërojnë e t’i manipulojnë si duhet ato. Dhe, sa më të çertifikuara të jenë zgjedhjet, aq më lart duhet ngritur, sipas Ramës, zëri për mangësitë e supozuara. Kur vetë e vërteta nuk është absolute, përse të mos vihet në veprim mashtrimi?! Pse të mos nxirren të pavlefshme shumë vota të kundërshtarit ? Të mos largoheshin nga qëndrat komisionerët e votimit për t’ia lënë kopilin në derë palës tjetër? Pse? Prandaj, pra, të gjithë duhen shpallur të komprometuar, të blerë, të zënë në “çarqe” interesash të vogla. A nuk porosiste Enver Hoxha se gjithmonë fenomeni duhet kapur nga hallka kryesore? Dhe cila na qënka këtu ajo “grackë”, me të cilën armiqtë e tij e detyrokan të japë dorëheqje? Pse paska thënë dikur shprehjen: “Po u humbën zgjedhjet!”? Atëherë, shpejt të mos njihen fare ato! Të quhen të manipuluara! Të vjedhura! Të shitura e të blera! Të kërkohet rinumërimi i tyre nga e para. Qoftë edhe sikur ky të zgjasë katër vjet. Po përse të mos bëhen zgjedhje të jashtëzakonshme?! Le të ndëshkohet me këtë rast vetë sovrani, që nuk votoi për Ramën! Kush gabon, paguan! - thotë një proverb latin. Ja, pra, ku u gjet dhe zgjidhja! Ja “hallka kryesore” e “nastradinit”! Ndryshe, si mund t’ia justifikojë vetes Rama tërë ato miliona, që hodhi në fushatë? Ku ta fusë komicitetin e tërë takimeve, të organizuar me autobuzë, marrë me qira, për të “mbushur” sallat? Si t’i shpjegojë tërë ato rrëke lotësh krokodili, që derdhi për fukarenjtë? Ç’të bëjë taní me tërë ato premtime, të stisura me aq mundim ? Si t’i ikë kështu nga dora partia Ramës ? Ku mund të gjejë ai një “gardë pretoriane” kaq të fuqishme, me të cilën të mbrojë kokën e vet, bandat dhe paratë e dyshimta !? Duke qëndruar duarlidhur ? Apo duke dhënë atë dorëheqjen fatale ? Jo! Rama nuk dorëzohet. Nuk pyet ai për një palë zgjedhje, që, në fund të fundit, janë pranuar edhe kur Rama i ka vjedhur ! Nuk mund ta lërë ai veten “jetim”, të vetëm, në mes të këtij kërcënimi çakejsh të një drejtësie, që priret nga reformimi ! Nuk mund t’i nënshtrohet ai as mendimit pozitiv të ndonjë personaliteti të lartë europian, që është angazhuar në monitorimin e zgjedhjeve ! Fundi, askush nuk është i pagabueshëm. Atëherë le ta shpallim cilindo monitorues optimist sikur është një mik i kundërshtarit tonë politik. Le t’ia çmojmë atij si personal mendimin për standartet e zgjedhjeve. Engjëjt le të gjykojnë për engjejt! Ne, (shejtanët e lumit!), kemi të tjera kritere për t’i peshuar punët tona! Shkurt, zgjedhjet duhen mallkuar, që të ribekohem unë sërish si kryetar i partisë. Nëse kjo nuk i pëlqen sovranit, fitimtarit, apo dhe miqve ndërkombëtarë, le t’ua bëjmë me dije se, t’ia heqësh ujkut mëlçitë nga qafa, nuk është për këdo kaq e lehtë!...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi