Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Minella Aleksi: Urrejtja e Paguar

Shko poshtë

Minella Aleksi: Urrejtja e Paguar Empty Minella Aleksi: Urrejtja e Paguar

Mesazh nga Agim Gashi Sat Aug 29, 2009 11:32 pm

Urrejtja e Paguar

Nga Minella ALEKSI

Lexues me preferenca individuale autorësh si shumë e shumë të tjerë u njoha me shumë vlerësime për shkrimtarin Kadare, mbas akordimit atij të çmimit letrar Princ i Asturias. Thelbi i motivit të akordimit të çmimit, vlera universale e artit antitotalitarist të Kadaresë. Ndjek me interes vlerësimet e ndryshme me këtë rast. Lexoj mes të tjerash një reagim të një njeriu, Paul Tedeschini, i cili është shprehur shumë herë në të njëjtën linjë me Paskal Milon, Kolevicën arkitekt, Lubonjën, Primo Shllakun lektor i shqipes në Beograd, etj.. Ai si shumë herë të tjera e cilëson Kadarenë si shkrimtar konformist me totalitarizmin.
Bëj pyetjen. Vallë, a mund të ketë njerëz me ndjenja patriotike të cilëve u ngjan si antipatriotizëm vlerësimi i Kadaresë me të tilla çmime ndërkombëtare nga përfaqësues popujsh shumë më të zhvilluar sesa ne? Si ka mundësi që nuk e mbushin shpirtin me të tilla ndjenja krenarie kur edhe në shkollë kanë mësuar vargjet e Naimit që, në kontekstin tonë mund të thuhen - Ti letërsi e Kadaresë më nderon, më bën krenar, me emrin e këtij autori shqiptar. Pak para këtij çmimi ishte një tjetër vlerësim nderi nga Prishtina. Raporti ndeshës me totalitarizmin në nivel universal e ka vendosur Kadarenë në një shkallë sipërore në Kosovë. Përse? Këtë gjë e dëshmoi së fundi nderimi me titullin Doktor Nderi i Letërsisë prej shtetit kosovar.
Kur e kam dëgjuar këtë fakt mendova thjeshtë një konkluzion. Kosovës nuk i mungojnë njerëzit e ditur, burrat e zgjuar që, ditën të dallojnë mendjen e ndritur të shkrimtarit Kadare në shërbim të lirisë dhe përparimit të popullit kosovar nga ata njerëz të fushës së kulturës në Kosovë, të cilët janë jo entuziastë për Kadarenë dhe që, në këtë mënyrë i shërbejnë me kontributin e tyre qëllimeve totalitariste dhe obskurantiste. Mos është ky konkluzion një qëndrim ekstrem? Mendoj se jo, për një arsye të thjeshtë, për arsye të një argumenti që flet shumë kur krahasohet me një tjetër të po këtij niveli sipëror. Le të arsyetojmë hap pas hapi. Kadare ka artikuluar në formën më të qartë, më të rreptë, më atdhedashëse formulën në mbrojtje të Kosovës në një nga pesë librat e tij mbi çështjen kosovare. Kadare thërret - Përse Kosova të bëhet Kurban? Nuk duhet të lejohet që për hir të interesave mbytëse të lirisë, të gjoja ekuilibrit në Ballkan e më gjerë të bëhet padrejtësia më e madhe ndaj popullit kosovar. Në gjithë sa ka shkruajtur për Kosovën, Kadare është shprehur me vendosmëri kundër të gjithë pakteve me tiraninë.
Ky qëndrim antitotalitarist, në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të njeriut më sjell në mend analogjinë me qëndrimin e filozofit e shkrimtarit të madh Albert Camy të shprehur në esenë e tij me titull - “Përse Spanja?”, të shkruajtur në vitin 1948. Filozofi francez Gabriel Marcel, e kritikoi Camyn për vendosjen e ngjarjeve të dramës në Spanjën e vëllavrasjes së shkaktuar nga diktatura e Frankos. Në replikën e tij Camy i kundërvihet totalitarizmit të regjimeve që sollën kasaphanën, kurbanin, pasojën e bombardimit të fshatit Guernik në Spanjë. Pyetja më e rëndësishme që parashtrohet në këtë ese, “Përse Guernika, Gabriel Marcel?”, është pyetja më shprehëse e dënimit të totalitarizmit dhe e rrethanave që e bën kurban popullin e këtij fshati spanjoll. Ndaj këtij kurbani të shoqërive totalitare nuk mund të qëndronte indiferent shkrimtari Albert Camy, ashtu si u ngrit me forcë një tjetër dishepull i lirisë, Pikaso, me pikturën e tij Guernika. Pra mendjet më të avancuara të kulturës botërore asnjëherë nuk kanë qenë indiferent ndaj totalitarizmit. Të fusin në tempullin e vlerave të kulturës botërore atëherë kur qëndrimi antitotalitar përbën një konstante të qëndrueshme, të paanshme, universale, në veprën e një shkrimtari apo artisti të madh. Pra arti i madh, i majave të kulturës botërore nuk qëndron si i tillë, si art për art nëse nuk i jep shoqërisë mesazh emancipues, në ndeshje me të kundërtën e tij, totalitarizmin.
Është mjaft impresionues një fakt. Gjenerali i Kadaresë u bë i njohur në Francë përpara 40 vjetësh. Elita e kulturës europiane na tha se këtu kemi të bëjmë me një risi në fushën e letrave, aq më tepër që vjen nga një vend me sistem totalitar. Sot mbas 40 vjetësh kjo risi e Gjeneralit, e vendosur në harmoni me të tjera risi të autorit si Kronikë në Gur, Koncerti, Dimri, Piramida e Pallati i ëndrrave, etj, na shfaqet dhe deklarohet prej kulturës europiane me përmasat e një gjerdani diamantesh, i cili ka marrë rrugën e pallateve muzeale më të mëdha të botës. Si një vlerë e përbotshme. Po shkon me dinjitet, me siguri, drejt klasifikimit letërsi klasike.
E vendos gjykimin në anën e kundërt. Konsideroj fort që Letërsia e Kadaresë është konformiste. Logjikshëm vjen pyetja. Kush është i marrë në këtë rast? Kultura perëndimore që e shpall Kadarenë vlerë antitotalitare universale apo Tedeschini e vatha e tij që e quajnë konformist? Kaq djallëzore qenka mendja e Kadaresë, çuditërisht në të njëjtën shkallë finokërie me mendjet e Franc Kafkës, Pasternakut, Vaclav Havel, Yevtushenkos, etj. të cilët i kanë dhënë Perëndimit atë ushqim letrar të shumë përshtatshëm për stomakun perëndimor? Tedeschini dhe kompania e tij janë njerëz të letrave, pra e njohin mirë letërsinë. Kjo nënkupton që ata kanë njohuri të mjaftueshme që t’a kuptojnë mirë thelbin antitotalitar të letërsisë së Kadaresë. Pra vërtetë mendon Tedeschini se e marrim si një moskuptim nga ana e tij dhe e të tjerëve përmbajtjen antitotalitariste të romaneve të Kadaresë? Mirëpo duke u deklaruar antikadare ata e bëjnë kurban veten, emrin e tyre në shërbim, në funksion të një qëllimi të caktuar i cili qëllim nuk shkon në kahjen e dobisë kombëtare. Kaq të kapur thellë ndjehen në funksion të këtij qëllimi sa i verbuar nga zbatimi i detyrës së marrë Tedeschini arrin që t’i përmendë shkrimtarit të madh problemin e vajzës. Diçka që kultura e civilizuar europiane si dhe shqiptari nuk t’a fal, nuk ta toleron dhe e konsideron si një maskarallëk, si një sjellje skuthësh, që ndot akoma më shumë fytyrën e atij që e thotë.
Kultura europiane dhe ajo botërore kanë vendosur në piedestal shkrimtarët antikë grekë e latin, të cilët arritën të japin art të madh duke trajtuar, ballafaquar vlerat njerëzore me shoqërinë totalitare, të drejtën e lirisë dhe principet e demokracisë. Kështu erdhi në kulturën botërore edhe letërsia angleze, në ndeshjen e saj me totalitarizmin. Në shekullin e njëzet letërsia ruse arriti të ketë majat e saj në tempullin e letrave botërore në sajë të ndeshjes së papajtueshme me diktaturën dhe totalitarizmin. Kjo ndeshje me totalitarizmin solli deri edhe shkrimtarët çekë e ata ballkanas më pas në vëmendje të kulturës europiane. Të gjithë këta shkrimtarë e artistë, kulme të letrave konsiderohen të tillë pasi kanë marrë aprovimet e lexuesve dhe mjeshtrave që kanë në gjirin e tyre vende të tillë si Franca, Gjermania, Anglia dhe popujt anglishtfolës. Lind pyetja. Çfarë i bën kaq nuhatës, të ndjeshëm, asimilues, adhurues, këta mjeshtra europianë ndaj vlerave artistike të shkrimtarëve dhe artistëve të rinj nga vende të ndryshme, të cilët vijnë e prezantohen në klubin e kulturës europiane e sot asaj amerikane?
Çfarë dalloi qartë elita franceze te letërsia e Kadaresë, për të cilin nuk nguruan që t’a etiketonin si një nga më të mëdhenjtë e kohës sonë? Çfarë e bën kaq të përzemërt letërsinë e Kadaresë për lexuesin francez, spanjoll, gjerman, italianë e së fundi atë anglez? Kritika e këtyre vendeve prej kohësh e ka gjetur Piramidën e Kadaresë mjaft të afërt me Pallatin e ëndrrave, jo vetëm për gjetjet artistike befasuese, metaforat origjinale, stilin e veçantë e mjeshtëror të tregimit, por në radhë të parë për një qëndrim krejt të papajtueshëm dhe agresiv ndaj totalitarizmit të shoqërisë ku jetonte shkrimtari. Shoqëritë e vendeve që përmenda më lart janë mjaft të emancipuara, kanë ecur dhe arritur në majat e zhvillimit shoqëror botëror në sajë të një ndeshjeje revolucionare për jetë a vdekje me regjimet monarkiste e totalitare të vendeve të tyre. Kjo ndeshje u ka dhënë atyre eksperiencat shoqërore emancipuese, civilizuese, letërsinë e madhe. Kaq të ndjeshëm janë ata dhe kaq përthithës të sinjaleve që u vijnë në lidhje me totalitarizmat sa, intuita e tyre perceptuese, analizuese, vlerësuese e këtyre sinjaleve e krahasuar me intuitën e popujve të tjerë i ngjan pak a shumë perceptimit të sinjaleve sot nga sateliti në orbitë krahasuar me perceptuesin Mors.
Këtu mendoj se e ka burimin perceptimi, analiza, vlerësimi, që 40 vjet më parë i letërsisë së Kadaresë nga francezët e më vonë nga të tjerët në Europë e më gjerë. Megjithëse kanë kaluar 40 vjet Morsi ynë akoma nuk e përpunon dot sinjalin Kadare dhe shpesh e refuzon si të pa asimilueshëm për trurin e pakultivuar, të pasofistikuar të disave. Kështu dëgjojmë Tedeskinin, Shllakun, Klosin, Lubonjën, Trebeshinën, Morsi i të cilëve sinjalin Kadare antitirani që i vjen nga satelitët orbital e konsideron si një sinjal jo të pastër, si një sinjal të përzier me zhurma totalitariste. Shih, në një kohë që elita e kulturës europiane e konsideron dhe vlerëson si një letërsi me sinjale e mesazhe të pastra, të qarta, dominuese e fituese në ndeshjen e saj me totalitarizmin. Me qëndrimin e tyre permanent mohues, refraktarë ndaj veprës letrare të Kadaresë, të sipër përmendurit kanë kënaqësinë se në këtë mënyrë besojnë se bëjnë emër në shoqëri. Pa hezitim mendoj se Tedeschini dhe grupi i tij me këtë pozicionim ndaj letërsisë së Kadaresë përbëjnë një turp kombëtar dhe një shërbim antikombëtar.
Pikërisht për këto vlera ajo e vendos shkrimtarin në vendin e nderit në akademinë franceze, dhe i akordon çmime si Man Booker dhe Princ i Asturias për shkak se ka dhënë me art sipëror ndeshjen dhe mësimet që vijnë nga përplasja me totalitarizmin. Të mos harrojmë se këtë vlerësim e jep kultura e atyre vendeve që kanë qenë paraprirëse në historinë dhe kulturën botërore në ndeshjen me diktaturat, monarkitë dhe sistemet totalitare. Autorët e mëdhenj grekë e latin, rusë, italianë, francezë, anglez e amerikanë apo ata aziatikë mbahen për të tillë sepse arti i tyre ka në thelb ndeshjen me tiraninë dhe ndriçimin e rrugës së lirisë të popullit të vet. Kultura botërore na dëshmon qartë se asnjë prej tyre nuk do ishte në tempullin e letërsisë së madhe nëqoftëse nuk do përmbushte këtë kusht - antitotalitarizmin. Bëj pyetjen. Në këtë kontekst, pyes si lexues, përse do ishte toleruese kultura perëndimore nëse letërsia e Kadaresë nuk do e përmbushte këtë detyrim të madh shoqëror, ndeshjen nëpërmjet një arti sipëror me tiraninë dhe tiranët!. Çfarë do i shtynte sallonet e mëdha letrare perëndimore që të mbyllnin njërin sy e të vetëgënjeheshin me vetëdije të plotë duke ia paraqitur botës shkrimtarin Kadare për atë që nuk është!.
Tre muaj para rënies së shtatores së Enverit në Tiranë, Leka i Parë gjatë një interviste dhënë një televizioni kryesor francez, mes të tjerash, pyetjes së bërë se çfarë mendonte për shkrimtarin Kadare u shpreh fjalë për fjalë: “Kadare është një disident i fshehtë”.
Nuk besoj se është jashtë vendi këtu sjellja e një opinioni që një miku im m’a ka përcjellë si të shprehur nga i mirënjohuri Yusuf Vrioni. Unë e besoj si të mirëqenë duke pasur parasysh strofën kulturore që mbartte personaliteti i Vrionit. Ja si shprehej ai: “Ne jemi popull i vogël dhe i varfër, gjëra që kushtëzojnë edhe nxjerrjen shumë rrallë nga gjiri ynë të njerëzve që arrijnë nivelin e mendimit filozofik shoqëror europian e shijeve kulturore të popujve të përparuar. Vendet e mëdhenj dhe mjaft të zhvilluar këto nivele elitare i arrijnë me shumë më tepër individ, gjë që mes të tjerash i shtyn drejt kultivimit të shijeve kulturore e humane mjaft fine. Përparimi i gjithanshëm i bën mjaft të ndjeshëm ndaj artit të madh. E përcaktojnë vlerën e këtij arti universal që në ndeshjen e parë me atë sepse, njohjen e vlerave e bëjnë mbi bazë kriteresh tepër të sakta e të një shkalle të vështirë për popujt më të prapambetur”. “Kur unë përktheja Kadarenë - shprehej Vrioni në rreth të ngushtë - dëgjoja nga njerëz që na rrethonin në shtëpinë botuese se në këtë apo atë moment në roman, Kadareja ishte i dykyptimtë, mund të merrej edhe ashtu edhe kështu. Mendoja me vehte - o zot, ambiguiteti që cilësojnë këta është një qëndrim i hapur anti tirani i autorit, por falë natyrës dhe nivelit kulturor të kohës që jetojmë deri këtu shkon shkalla e intuitës dalluese të tyre”.
Nën efektin e këtij opinioni rinis të lexoj Nata me Hënë, Piramidën, Qorrfermani, etj. Dhe them me vehte përgjatë leximit – çudi, ai e paska thënë kaq qartë kundërvënien ndaj diktaturës këtu e atje në roman, por si është e mundur që morsi im nuk e paska trajtuar si të tillë! Jemi shumë shqiptarë që nuk e kemi pasur e nuk e kemi akoma të zhvilluar në atë shkallë perceptimin, kultivimin e thelbit botëkuptimor për të absorbuar, përpunuar në vetëdijen tonë dhe shijuar atë ushqim cilësor shpirtëror që na ka dhënë shkrimtari Kadare këtu e dyzet vjet më parë e në vazhdim.
Në rrjedhën e këtij arsyetimi po shkoj më poshtë në evidentimin edhe të një tipari dallues të njerëzve gjenialë. Vihet re se mendja e njerëzve në pararojë të mendimit botëror shpërthen alteregon e saj në një moshë mjaft të re. Mos po e teproj? Ja disa shembuj. Shkrimtari Erich Maria Remark e shkroi romanin “Asgjë të re nga fronti i perëndimit” në moshën 29 vjeçare, Albert Camy e shkruajti “I Huaji” në moshën 29 vjeçare, Albert Einshtein e publikoi Teorine tij në moshën 26 vjeçare, Kafka e publikoi Metamorfozën në moshën 32 vjeç, etj, etj dhe Kadare na e dha Gjeneralin në moshën 27 vjeç.
Dekada e fundit veçanërisht për shkrimtarin Kadare është e mbushur me shumë çmime kurorëzuese. Të krijohet ndjesia se tani në moshën e dytë të jetës Kadare ka në duar një shportë të madhe dhe mbledh e arkivon brenda saj vlerësimet e larta të kontributit të tij me artin antitotalitarist universal.

Gazeta SOT, 01 Korrik 2009
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi