Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

HABERE TE KRIPURA NGA KAZINOJA NE PORTO KARAS

Shko poshtë

HABERE TE KRIPURA NGA KAZINOJA NE PORTO KARAS Empty HABERE TE KRIPURA NGA KAZINOJA NE PORTO KARAS

Mesazh nga Agim Gashi Thu Sep 03, 2009 12:12 am

HABERE TE KRIPURA NGA KAZINOJA NE PORTO KARAS

Mitro Çela


Rasti, që sipas latinit, është mbret, desh që unë, si demokrat i sahatëve të parë, ta nxij zhapën (pas të 60-ve, lëkura transformohet në zhapë) e të laj "mëkatet" në plazhet e detit Marmara. Më saktë, në Porto Karas. Në hotelin me pesë cepa, "Sintonia". Familjarisht e meritonim këtë pushim, pas fitores, si e Pirros, të demokratëve me Berishën në ballë, në zgjedhjet e 28 Qershorit 2009. Më duhet të përmend edhe një fakt të thjeshtë, sepse siç llafos populli që jep më shumë vota majtas dhe pushtet djathtas, nga ferra e vogël del lepuri i madh: Hoteli kishte edhe kazino. Për lojtarët e kazinosë, çmimi i hotelit ishte ekstra. "Pse?", -më pyeti zonja ime, duke hapur syçkat dhe shtrënguar qesenë. Buzëqesha për pyetjen naive, duke thënë: "Që nga lashtësia, në garën mes kazinosë dhe lojtarëve, fitues i përjetshëm është kazinoja. Këtë filozofi e dinë mirë pronarët e hotelit. Për të tërhequr lojtarët, bëjnë dy oferta. Së pari, përgjysmojnë çmimin e hotelit. Së dyti, me 5 euro për t‘u futur në kazino, mund të hash e të pish pa e vënë dorën në xhep"… Foli zonjëza ime: Nuk del me humbje kazinoja?!... Pa marrë përgjigje, shtoi: "Ne, në kazino do të hamë?"... Në vend që ta sqaroja se në kazino nuk shkohet për të ngrënë, por për të luajtur dhe tretur paratë, i tregova një barsoletë.

Para ruletit, dy mesoburra. Mbajnë fishat e fundit në dorë. Dilemë. Ku t‘i vendosin? I pari: "Sa herë në javë bën seks me gruan?"… Katër herë… "Unë një më pak". Pasi i mblodhën numrat, vendosën 7-ën…. Zari qëndroi te zeroja… "Do të kishim fituar, po të mos kishim gënjyer"!

Më parë se të vazhdojmë tregimin duhet të sqarojmë pse përfitova edhe unë nga oferta e hotelit, kur dihet që morali im si themelues i PD-së, dhe dishepull i Berishës, nuk ma lejon të ulem në tavolinat e kazinosë. Pa folur që njeriu, i cili nuk ka fat në dashuri, nuk mund të ketë fat në kazino. Po të isha njeri me fat, në moshën 61-vjeçare, nuk do të vendosja kurorë në kishë me gruan, pas 28 viteve martesë, por do të gjeja një vajzë të re, duke imituar kryetarin Nano, i cili kur mori vesh martesën time, më telefonoi nga Vjena duke më uruar me fjalë zemre: "Të lumtë shoku Mitro! Na e fute! U martove me të njëjtën grua. Ne i ndërruam"… Dhe ha-ha-ha e ku-ku-ku…

Por le të kthehemi te pyetja. Hoteli kishte dërguar disa oferta për politikanë shqiptarë, miq të kazinosë. Nuk u realizua plani. Socialistët ishin të thartuar nga humbja. Demokratët ishin në muaj "mjalti" me Ilir Metën. Pronari i hotelit, kur dëgjoi për emrin tim, tha "ok" për tri arsye. Së pari, politikan i dështuar. Bosi, si grek, mendoi: Nuk ka vend më të bukur se kazinoja për të mbytur stresin e dështimit në politikë. Së dyti, dhëndër 61-vjeçar. Arsyetoi: Mitrua do ketë peshkuar ndonjë vejushë të krimbur në para. Kazinoja është vend perëndie për t‘i bërë paratë e prikës rrush e kumbulla. Së treti, dikush i paska treguar se Mitrua, duke qenë deputet demokrat, në vitin 1993, kishte firmosur të dilte Fatos Nano nga burgu i Bënçës, në atë mot i burgosur nga Berisha. Në shenjë respekti, mendoi pronari i hotelit, dhe për të larë borxhin, Nano duhet t‘i ketë mësuar Mitros si të bëhet mik i kazinosë… Gaboi në të trija pikat…

Natën e parë i thashë zonjës: "Duhet të shkojmë në kazino". Regjistrimi dhe një lojë ishin të detyruara, sipas paketës turistike. Paguam 10 euro dhe u futëm brenda! U erdhëm makinave vërdallë. Biro o Mina! Grekë, rusë, japonezë, turq, arabë. Raca dhe popuj... Dallon gjë?, pyeta… Fytyra të vrerosura,-tha zonja ime. Përse?...Hamë. Pimë nga një gotë verë. Hedhim disa evro në tavolinë… Do ta kuptosh vetë arsyen e mos-arsyes, siç llafoste Don Kishoti… Nxorëm 100 euro. I ndamë gjysmë për gjysmë. Unë i humba, si trim dhe pa fat, në dorën e dytë. Zonja i shtoi deri në 300 euro. Më shkeli synë. Ia shkela edhe unë… E mori si sinjal për të vazhduar lojën. Pas 20 minutave i humbi të gjitha… Pse më le të luaj? Me paratë e fituara blija një palë këpucë?!... E ngushëllova duke i thënë: Gruaja i humbet paratë ose në kazino, ose në dyqan!

Një mëngjes, pa gdhirë mirë, investiguam mjediset e hotelit. Në breg ishte ngulur një flamur. Blue Flag - Flamur Blu. Hoteli bënte pjesë në elitën e mjediseve europiane. Për ta merituar flamurin blu, kishte pishina të hapura e të mbyllura. Mjedise për biçikleta. Qentë-jashtë, jo si në Tiranë, që livadhisin në bashkësi nga 5 a 6, pa e bërë qejfin qeder, në mes të ditës, edhe pse Rama i humbi zgjedhjet ligjërisht, siç e pranon vetë, por jo moralisht, siç e deklaron po vetë. Bar e pemë me shumicë. Gjoba kush dëmtonte breshkat dhe gjallesat e tjera të ujit. Një ditë, në det u shfaqën disa kandilë. U trembën gra e fëmijë. Unë di një marifet. Po i ktheve kandilët me kurriz, nuk të djegin. E kisha mësuar këtë zanat në Itali, tre vite më parë. Kisha korrur sukses mes bukurosheve italiane!… Kapa një kandil edhe në Porto Karas. E ngrita përpjetë. Fryva gjoksin dhe dolla në breg. Kur prisja të korrja vështrimin e çupave, më dënuan, sepse kisha shkelur, me dashje, të drejtat e gjallesave në ujë, që i mbronte me ligj Brukseli!

Nata ishte parajsë e shkuar parajsës. Taverna me meny të nakatosur. Muzikë: greke, ruse, serbe. Dallgë si melodi simfonie. Shëtitje me skafe me kolorit flamurësh nga e gjithë bota. Ndjeva një therje në zemër. Si nacionalist i kulluar, i thashë zonjës: "Si ka mundësi që Greqia t‘i ketë plazhet më të bukura se Shqipëria? Paradoks, kur dihet se sa shumë kanë bërë shqiptarët për kombin grek. Bubulina dhe Marko Boçari janë heronj të revolucionit që i solli Greqisë lirinë në vitin 1821. Arvanitasit kanë qenë, janë dhe do të jenë pjesë e ajkës së pushtetarëve grekë… Di ndonjë emër, -tha zonja… Pangallo, ish-ministri i Jashtëm… Pa emigrantët shqiptarë, ekonomia greke do të shkonte për lumë?!... Mora këtë përgjigje, si në "Portokalli", befasuese nga zonja: Avash, avash, mo! Nuk thua shyqyr që kemi Greqinë që mban 800 mijë shqiptarë, se ndryshe në Tiranë nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës nga të papunët… Pa folur që sot nëpër botë janë në pritje për emigracion mbi 200 milionë njerëz nga India, Pakistani, Tailanda, Libia, Maroku, Somalia...

Të dytën ditë, me peshqirë në qafë, zumë vend në shezlon. Disa metra më larg, disa pushues flisnin greqisht me zë të lartë. Burra të zinj e të vrenjtur. Gra të dhjamosura e pa shije. Në krah dy biondina. Yje! Sy blu. Me rroba banje, tip tanga… Në kohën e rinisë sime, duhet të hapje brekët për të parë bythkat e çupave… Sot duhet të hapësh bythkat për të parë breçkat! Kohë moderne për të kullotur sytë, edhe atje ku në rininë time nuk futeshin as rrezet e diellit! Por çfarë t‘u bëj prindërve?! Më ngjizën në vitin 1948, në atë mot kur Enveri bëri Kongresin e parë të Partisë së Punës. Ndryshe do të ishte qenia ime po të kisha për ditëlindje vitin 1988... Ngrita veshët për të dëgjuar… Rusisht. Racë e bukur, -fola me vete... Ç‘pate?, -dëgjova melodinë e njohur të zonjës… Të zuri tartakuti!... Ma lëviz kokën si lule dielli...

Vura në lëvizje "mokrat" e kujtesës. Kisha bërë disa vjet rusisht. E gjeta fjalën "Zdrazdvjute-tunjateta". Pasi mora përgjigje dhe buzëqeshjen e bukurosheve, shtova frazën rezervë, që e kisha përdorur edhe herë të tjera në mjedise me ruska: "Nje znaju pa ruski" (nuk di rusisht). Ishte kjo frazë magjike, që i bëri të shkrihen bukuroshet dhe të kthehen me front nga unë dhe gruaja. Kisha edhe tri pyetje që i mbaja mend nga rusishtja. Kak? Kuda? Gdje? Varianti i pyetjeve amerikane: Si? Kur? Ku? Me këtë bagazh në gjuhën ruse, shkrimë akujt. Nuk shkova më tej. Kishte rrezik, që nga zëmërata e gruas - rasti i Helenës së Trojës - të vinte ftohja e madhe, siç ngjau në Dimrin e Madh të vitit 1961, kur shoku Enver, në mbledhjen e partive komuniste në Moskë, ia bëri turinjtë përshesh Nikita Hrushovit, shefit të komunistëve sovjetikë në atë kohë. Pas këtij sherri për mustaqet e Çelo Picarit, u deshën 30 vjet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Tiranës dhe Moskës.

Kur m‘u sosën fjalët dhe buzëqeshjet me ruset, nisi shtrëngata me zonjën… "Nuk të vjen zor nga vetja! U flet grave të botës pa i njohur"?... "Më duken si vajza", i thashë... Korrigjimi im i vuri më shumë flakë zëmëratës… Ndërkohë drejt nesh erdhi një burrë. I madh në trup. Gjithë muskuj. Qethur ballaboks… "Sa qejf do të kisha të t‘i bënte turinjtë përshesh", -tha zonja ime… Në vend të grushteve, rusi më zgjati dorën duke thënë: Viktor!... Në shenjë respekti korrigjova emrin tim dhe thashë: Dimitri - pa ruski. Mitro - pa albanski. Ishte burri i njërës nga bukuroshet, edhe pse mund të kishin një diferencë 20 vjet. Dinte pak fjalë anglisht… Govori i pa ruski (fol rusisht), thashë. Normale. Nuk më interesonte shumë se çfarë do thoshte rusi. Ishte e vetmja dredhi për të ndenjur më pranë me ruskat. Kishte qenë oficer. Viti ‘90 e gjeti pa punë. Ushtria e lavdishme sovjetike po tretej. Buxheti i Rusisë - trokë. Pa rroga. Pa ushqime. Pa veshmbathje. Viktori braktisi ushtrinë, si mijëra rusë. Në fillim punoi hamall. Pastaj shiste sapun në treg. Më vonë e rriti pjacën. Shit-blerje vajzash. Ruskat i pëlqente Evropa. Bëri një dorë të mirë me rubla. Iu fut ndërtimit. Fitimi në Moskë, qyteti më i shtrenjtë në botë pas Tokios, ishte me dhjamë. U martua. Bëri dy fëmijë. Për të mos lodhur gruan, në shtëpi kishte marrë një vajzë… Yll! Vetëm fëmijët përkëdhel bukuroshja?... Këto mendova, por bëra tjetër pyetje: Vajza e punësuar është e siguruar për pension?... Qeshi me gjithë shpirt. Tha: Rusia nuk është as Francë e as Gjermani. Mbret është ekonomia informale. Do vite që t‘i vijë radha bebisiterit… "Ne jemi Evropë", - mendova. Berisha e "gatoi" projekt-vendimin, që borgjezët e rinj të sigurojnë shërbëtorët dhe të paguajnë para për vilat e fshatrat turistikë…

Në vazhdim biseda mori nota serioze. Viktori kishte investuar në Malin e Zi. Kishte blerë disa apartamente dhe troje. Bashkë me rusë të tjerë pasanikë, kishte blerë aksione në disa hotele turistike. "Disa ditë më parë, agjentët e mi më sollën një studim, -vazhdoi Viktori. Ishte botuar në disa gazeta amerikane. Qyteti juaj i Sarandës ishte ndër pesë qytetet bregdetare të botës, ku mund të investohej me leverdi. I pari në listë qëndronte Sihanoukville në Kamboxhia. I dyti, Saranda. E treta, Kalabria në Itali. I katërti, Kabarete - Republika Domenikane. I pesti, Chiriqui në Panama. Një biznesmen grek më bindi. Më tha se Saranda është disa kilometra larg Korfuzit, ishull me më shumë turistë në botë… Ky fakt e bën me të besuar studimin amerikan. Ju çfarë më këshilloni?"… Mos vono! Saranda - shqip 40 shenjtorë - është vend i bekuar jo vetëm për të investuar, por edhe për të kaluar pushimet familjarisht!... Spasiva - faleminderit,- thanë biondinat njëzëri…

Pasi shënova adresën në internet, i befasuar nga informacioni i ish-oficerit rus, i hodha një ide zonjës: "Babai të ka lënë si trashëgim dy apartamente në Shkodër. Mendoj t‘i shesim dhe të blejmë apartamente në Sarandë. Sipas studimeve amerikane, për dhjetë vjet, vlera e apartamenteve do të rritet 3-4 herë!"… Nga e mora ketë haber?... Nga Viktori!... Kishte të drejtë ai gazetari, me mbiemër Memia, kur shkruante nga Amerika: "Duke lexuar shkrimet e Mitros, arrin në përfundimin si shket dhe rroit burri kur mbush 60 vjeç...". Ma thuaj copë: Ta prishën mendjen idetë e Viktorit, apo surrati i biondinave?... Nuk i shes pronat e babait dhe pikë.

Një vend i bekuar perëndie si Porto Karas, tërheq si magnet politikanë dhe biznesmenë shqiptarë. Aty kishte qëndruar disa ditë Nano. Nuk pata shans të takoja liderin historik të socializmës shqiptare. Jehonën - po. Një natë shkuam në tavernën "Toni". Pa u ulur mirë, ia bëhu një shqiptar pe Korçe. Çfarë ka menuja?... Këtu vinte Fatos Nano… Çdo natë. T‘u them një gallatë?... Një natë kërkoi shampanjë. Nuk kishim. U nis makina në Selanik. 150 km larg. Dhe erdhi shampanja. E dini sa u pinë? 5 shishe që kushtuan 400 euro... Ai sikur pi xhin?, -thashë unë.

- E ka ndërruar xhinin me shampanjën… Si Xhinën me Xhoin…

Një ditë gratë shkuan në dyqan. Çmime të kripura. Këtu vjen një shqiptar me famë shumë… Si e quajnë? Nano!... Nga leftatë (para) që shpenzon, duhet të jetë President i Shqipërisë?!... Gabim, thashë. President kemi Bamir Topin, që pushon për disa ditë, këtu, në Porto Karas. Një ditë erdhi Pano Greku. Biznesmen. Ka lënë gruan greke për të marrë një shqiptare… Pa e pyetur, nisi të flasi vetë: "Erdha për pushime në Porto Karas. Përfitova nga rasti për të përfunduar një punë të lënë përgjysmë… E zura ish-gruan me një djalë… Çfarë bën, mo!...Pse është e ndaluar të bësh dashuri në tokën helene?... Dashuri me kusht, mo mavri!... Kjo grua është edhe e lirë, edhe mamaja e djalit tim… O martohu, o do bëj namin… Pulë, jarani! Sot shkëmbyen unazat! Ata trashëgohen, djali im rehatohet!

Ditët e fundit, kur po na sosnin paratë, zonja propozoi: "Pse të mos hamë edhe një darkë në kazino?"… Pas darkës erdha vërdallë. Në një qoshe, një burrë i trishtuar pinte xhin… Pse pi?... Lashë paratë! Nuk kam si kthehem në Vjenë!...Je nga Tirana?... Në kazino kam bërë shumë miq nga Tirana. Të pasur. Hedhin mbi rulotë edhe 4-5 mijë euro në një dorë. Kam njohur ish-ministra, deputetë, pushtetarë. Kryeministrin tuaj e njoh që nga Vjena. Politikan i lartë! Ironik. Cinik. Por i mençur!... Duke ndenjur mes tyre, kam përgatitur edhe një reportazh mbi zhvillimet politike në Shqipëri... Ju mendoni se Ilir Meta do të bëhet Kryetar i Kuvendit? Jo. Ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër… Nuk e merr Kuvendin, sepse ka frikë të ndeshet me një opozitë me shumë numra... Genc Pollo, mik i austriakëve, parashikohet të bëhet nënkryetar i PD-së dhe kryetar i grupit parlamentar… Socialistët do bëjnë Kongres. Do bëjnë sikur do vënë kandidaturën për kryetar partie edhe Blushi me Malajn. Do jetë shaka. Një lojë politike. Të dy do të tërhiqen. Mendojnë se do ta dëmtojnë Ramën, duke e lënë kandidat të vetëm. E vërteta është se kanë frikë nga Rama… E bukura do jetë me Nanon. Pasi të formohet qeveria e re Berisha-Meta, do të veshë opingat dhe do të dalë nëpër Shqipëri për të bërë ‘katharsisin‘ numër dy... Por unë mendoj se edhe kjo do të jetë një shaka, më shumë për të qarë se sa për të qeshur. Loja e vërtetë e Nanos është të bëhet President. Berisha i ka një borxh. E futi në burg në vitin 1993. Do ta bëjë President në vitin 2011… Për këtë, Nanos i duhet një grup deputetësh nga 7 në 10 copë... Me këtë tufë deputetësh, Berisha e ka më lehtë të mbajë në fre Metën…
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi