Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shkrime nga Rezart Palluqi

Shko poshtë

Shkrime nga Rezart Palluqi Empty Shkrime nga Rezart Palluqi

Mesazh nga Agim Gashi Sat Sep 05, 2009 1:11 am

Shkrime nga Rezart Palluqi 05fp4ca9fu14aca1g4v8qca
Nga Rezart Palluqi


Opinion rreth temës "Kanuni i Neglizhencës"



Shumkush e di mirë, se mafia moderne është një shtet i vogël, brënda globit të shtetit zyrtar, ose: një fëmi sakat në barkun e nënës, i cili nuk lind kurrë, por as nuk vdes. Ai vetëm sa e kalbëzon barkun dhe mitrën e saj.



Është fenomen unik, që kanuni i Shqipërisë së Veriut egziston ende. Për këtë nuk janë përgjegjës vetëm pushtuesit e shumtë të huaj, të cilët u mjaftuan duke vjelur tatime dhe huazuar ushtarë për të luftuar, por edhe qeveritë tona, qysh prej themelimit të shtetit shqiptar. Asnjë qeveri nuk e ka marrë seriozisht ta hedhë në erë këtë humnerë kufomash, këtë ujëvarë gjaku të pafajshëm, këtë mur kinez të spërkatur me gjak, turp dhe krenari vampirësh.



As diktatura më e egër Hoxhiane nuk ia shkundi rrënjët nga dielli hithrave të kanunit. Përse? Sepse, kanuni, ashtu si çdo fenomen primitiv, lulëzon në skutat e zgavrat e shoqërisë. Malësia, gjeografikisht nuk përbën një urë lidhëse për Shqipërinë. “Lëri kafshët të kacafyten në shpellën e tyre” mund të thonë pushtuesit dhe shteti shqiptar!

Gjithsesi, besoj, se kanuni gjatë diktaturës përjetoi një grip të rëndë.



Shteti ynë indiferent, nuk ka përfitime ekonomike prej kesaj zone, përveç votës një herë në 4 vjet. Jam i mendimit, se pa shfarosjen e kanunit nuk ka kuptim integrimi i Shqipërisë në BE. Ky duhet të jetë një ndër kushtet themelore që duhet t’i vë Evropa shtetit tonë.



I bëj thirrje kryeministrit shqiptar, zoti Sali Berisha, ( por edhe kryeministrave të ardhshëm) aq më tepër që ai vjen prej malësisë, të ndërmarrë masa urgjente dhe AFATGJATA, ndaj këtij shteti mafioz primitiv. Ky fenomen, nuk mund të dobësohet brënda një afati të shkurtër. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse popullata e ngujuar transferohet në një zonë tjetër dhe u ofrohet siguri nga shteti.



Zoti kryeministër! Ju kam dëgjuar shpesh të bëni betime publike për asgjesimin e të ‘kuqve komunistë’. Por unë po ju pohoj se kanunarët janë më të kuq se të kuqtë! Ata pinë gjak në vend të ujit dhe ngrohin duart duke djegur eshtrat e njerëzve të pafajshëm. Ju lutem, në emër të familjeve të ndara prej eshtrave dhe përrenjve të gjakut të afërmve të tyre! Shpallini një luftë qytetëruese kësaj kaste vampirësh të maskuar me maskën e “besës”. Shpëtojini familjet e kunguara dhe fëmijtë e tyre të viktimizuar. Keni rastin ideal të bëheni hero i shekullit, nëse e luftoni kanunin.



Dhe ju, pleq me mustaqe prej mermeri! Dhe ju pleq me shallvare prej lëkurë ujku! Nëse doni të demonstroni fuqinë e besës dhe rrezatimin e nderit tuaj shtazarak, dilni në pllajat e alpeve dhe shkulini mustaqet njëri-tjetrit, ose zihuni me shpata ditë e natë. Dhe nëse nuk ia dilni të vrisni sho-shoqin, po ju dërgojmë disa dema spanjollë, me brinjë me rrema…



Larg duart prej fëmijve tuaj të pafajshëm! Larg shpatat prej trupit të kombit! Larg sopatat prej pemës së lirisë njerëzore!




REZART PALLUQI

Holandë, dhjetor 2008
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shkrime nga Rezart Palluqi Empty Serbia krihet ende në pasqyrën barbare!

Mesazh nga Agim Gashi Sat Sep 05, 2009 1:17 am


Serbia krihet ende në pasqyrën barbare!




Nga Rezart Palluqi

Ku është parë në historinë tonë moderne, që një shtet – në këtë rast Serbia- të tentojë të zhdukë një popull të tërë, dhe njëkohësisht të sillet si një viktimë? Edhe pse qysh prej vitit 1999, kur Kosova ra në duart e Natos, janë zbuluar varre masive të mbushur me Kosovarë e boshnjakë, të cilët Bota me të drejtë, e vleresoi si një Genocid ndaj një populli të paarmatosur, Serbët kujtojnë se i lanë duart, duke dorëzuar në tribunën e Hagës, kasapin Milosheviç, dhe bariun e tij kanibal, Karaxhiç. Gjaku i viktimave të luftës Milosheviçiane nuk është tharë ende. As dhimbjet e të afërmëve të viktimave të luftës nuk janë fashitur.

Megjithatë, politikanët serbë, të ashtuquajturit properëndimorët, nuk po lejnë dhé dhe gur pa luajtur, për t’u paraqitur si njerëz paqedashës, me duar të pastra, paçka se thikat e tyre kasapiane herë i fshehin nën mëngë dhe herë i mprehin kundrejt dritës së diellit.

Kur i vë gishtin kokës, kur e hedh realitetin në sitë, më mbërthejnë disa djersë të ftohta, ethe të cilat nuk i kam njohur më parë, edhe pse kam lexuar mjaft rreth genocideve dhe luftrave të pamëshirshme.

Gjermanët, edhe pse Hitleri kapitulloi 50-te vite më parë, nuk guxojnë t’i shohin europianët drejt e në sy. Bashkëfajësinë hitleriane, e përjetojnë ende nën lëkurë. Gjermania, të paktën, mbas perëndimit të ëndrrës psiqike të Hitlerit, i ka ofruar dhe po i ofron Europës zhvillim spektakular ekonomik dhe kulturor. Sindroma raciste hitleriane , është dobësuar mjaft. Mbi 7-të milionë emigrantë jetojnë dhe punojnë në Gjermani. Përpos kësaj kthese 180 gradë të Gjermanisë, Gjermanët skuqen nga turpi, ulin kokën kur u përmend egzekutimet kanibale të çifuteve.

Përveç Gjermanisë, janë edhe ish vendet kolonizuese, si Holanda, e cila u kërkoi të falur publikisht popujve të Arubës, Suriname, Antille, ish kolonitë e saj. Italia pak muaj më parë vendosi t’i dëmshpërblejë me një shumë edhe pse simbolike,( mbasi kolonizimi nuk shpërblehet me para) ish kolonitë e saj në Afrikë.

Kjo rrjedh, se edhe krimineli më i madh i botës vjen një çast të përballet me pasojat e krimit të tij. Sedër ka edhe krimineli, krimi nuk ka sedër. Sedra e kriminelit zgjohet mbasi është kryer krimi.

Krimi serb tashmë u krye. Të vdekurit nuk kthehen në jetë. Por sedra serbe mund të zgjohet dhe t’i thërrasë mendjes, të kthjellojë logjikën, ashtu si Gjermanët. Të njohë përmasat e tragjedisë Milosheviçiane. Por kjo nuk po ndodh, përkundrazi, politikanët serbë, po fluturojnë drejt qiejve europianë si plakushi i vitit të ri, duke tërhequr prej bishtit të tyre, jo karrocën me dhurata krishtlindjesh, por të mbushur me eshtrat e viktimave të luftës.

Sjellja e tyre i kapërxen përmasat çnjerëzore të Makbethit. Serbët janë të gatshëm t’i hedhin hi syve europës, në iu dhëntë rasti, të hedhin në erë të tërë qytetërimin europian, vetëm e vetëm për të marrë Kosovën.

Ky popull sillet si një plak me paterica, i cili beson, se do të vdesë po ta braktisë nusja e tij truphajshme. Por, Serbia gabon. Italia, Gjermania, Anglia, Turqia, Franca( e cila deri ne vitet 90-të, besonte se ajo nuk mund të jetonte dot pa Algjerinë) nuk vdiqën, në të kundërt, shplanë ndërgjegjen e tyre shfrytëzuese.

Po të përmendim, se shtetet e mësipërme arritën të eksportojnë qytetërimin e tyre në popujt e kolonizuar, atëherë pretendimet serbe ndaj Kosovës, bëhen edhe më qesharake. Ne qiellin, tokën dhe zemrat kosovare nuk gjen as edhe një gjurmë qytetëruese të importuar nga Serbia. Vetëm barut dhe gjurmë këpucësh serbe dallon në tokën dhe shpirtin kosovar.

Shkurt, Serbia nuk di të sillet si një kolonizatore e mençur.

Kam përshtypjen, se Serbët, janë fisi më origjinal, ku reflektohet trashëgimënia e pastër e stërgjyshërve të tyre barbarë. Tek trungjet e popujve të tjerë sllavë, e konstatoj elementin barbar në një shkallë më të ulët. Tek ata, ky element, sa vjen e dobësohet, ndërsa tek Serbët, ky element spikatet shumë i fuqishëm.

Jo, se ne Shqiptarët qënkemi engjejt e ballkanit! Por, të paktën, ne nuk kemi kryer genocide ndaj popujve tanë fqinj. Ne, nuk jemi zjarrvënës të luftërave botërore ( si në rastin e luftës së parë botërore). Shqiptarët duhet t’i kërkojnë të falur vetvehtes, dhe jo fqinjve tanë. Ne jemi krejtësisht e kundërta e Serbëve. Të mirët e fqinjve dhe të keqijtë e vetvehtes…



Vazhdoj të pyes dhe ripyes vehten, se ç’popull janë këta Serbët? Çfarë lloj kolonizatorësh qënka ky popull? A i njeh ky popull lotët e fajësisë? Kaq të thara i paska ky popull zgavrat e syve, të mos derdhë as edhe një pikë loti, apo të shfaqë një grimë fajësie për krimet e tij? Në cilin organ të trupit jeton sedra, turpi, njerëzillëku, dhë qytetërimi i këtij populli? A qajnë këta njerëz kur u vdes fqinji? A e kanë lexuar ata romanin e famshëm të shkrimtarit sllav, Dostojefskit, “Krim dhe ndëshkim”?

Të qarat dhe vajtimet serbe i ngjajnë balladës së famshme ballkanike, të Doruntinës me shtatë vëllezërit e vdekur. Vetëm se në rastin e Serbisë, Doruntina është Kosova, e cila nuk vajton nga malli i madh që e ka pushtuar për të parë nënën e saj, por këndon nga lumturia që arriti të arratiset nga goja e krokodilit milosheviçian.

Serbia, për sa kohë që nuk do ta pranojë këtë realitet, ajo do të gjëndet mbrapa portës së vdekjes, ose portës primitive ballkanike.

Serbia, me lajkat e saj makbethiane, po përpiqet ta transformojë teatrin e kufomave Milosheviçian në një tragjedi serbe. Uroj, që Europa t’i mbajë sytë hapur, të mos i mjegullohet mendja nga mjegulla serbe…

Sidoqoftë, unë besoj, se cilido popull, qoftë serb, grek, apo kinez, janë viktima të një grushti njerëzish totalitarë, populltorturues. Nisur nga ky këndvështrim, i uroj nga zemra popullit serb, të zgjohet, e të mos e shikojë më të ardhmen nëpërmjet grykave të tankeve. Serbia duhet t’i flakë tutje pasqyrat barbare. Këtë duhet ta bëjë, për të mirën e paqes ballkanike dhe asaj mbarë europiane…







REZART PALLUQI
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi