Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shërbyesit civilë, politikë ose punë

Shko poshtë

Shërbyesit civilë,  politikë ose punë Empty Shërbyesit civilë, politikë ose punë

Mesazh nga Agim Gashi Sun Sep 06, 2009 2:58 pm

Shërbyesit civilë,  politikë ose punë A-490x320
Shërbyesit civilë, politikë ose punë
Mjekët, arsimtarët dhe punonjësit e administratës shtetërore duhet të mendojnë mirë para se ta vënë emrin e tyre në listat e partive politike për zgjedhjet e 15 nëntorit. Ndryshe, ata rrezikojnë humbjen e vendeve të punës. Ky rregull nuk vlen edhe për të emëruarit politikë. Ata mund të garojnë në zgjedhje, e nëse humbin, mund të kthehen aty ku kanë qenë.

Nga Përparim Isufi

Partitë politike vështirë se mund të llogarisin në ndihmën e mjekëve, arsimtarëve dhe punonjësve të administratës shtetërore për zgjedhjet e sivjetshme lokale që mbahen të dielën e tretë të nëntorit. Legjislacioni në fuqi është shumë i qartë, kur bëhet fjalë për shërbyesit civilë dhe raportet e tyre me politikën.

Një arsimtar apo një mjek që vendos të hyjë në listat e partive politike, duhet të marrë dy muaj pushim pa pagesë. Derisa, drejtorët, kryeshafat dhe sekretarët permanentë duhet të japin dorëheqje, nëse vendosin t’i hyjnë politikës. Ministria e Administratës Publike duket të jetë e vendosur për ta zbatuar ligjin.

“Të gjithë shërbyesit civilë, nocion me të cilin nënkuptohen të gjithë të punësuarit në shërbimin publik, duke përfshirë edhe arsimtarët, mjekët dhe punëtorët e administratës, në bazë të legjislacionit në fuqi, në momentin kur kandidohen, apo kur kandidatura e tyre bëhet publike, marrin pushim pa pagesë, gjatë kohës derisa mbahen zgjedhjet lokale”, ka thënë për Express, Ministri i Administratës Publike, Arsim Bajrami, të shtunën.

Të hënën, Ministri Arsim Bajrami, bashkë me kolegun e tij nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, do të dalin në opinion me qëndrime më të hollësishme rreth kësaj çështjeje. Por përderisa arsimtarët dhe mjekët kërkohen t’i lënë detyrat e tyre profesionale anash për dy muaj, edhe më e rëndë duket puna për nivelin e lartë të shërbyesve civilë. Ata duhet ta kenë të tepruar zellin partiak për të kandiduar në zgjedhje.

“Shërbyesit civilë me pozita të larta, siç është drejtori, sekretari permanent, kryeshefi ekzekutiv apo pozita të tjera ekuivalente, në momentin kur kandidohen për zgjedhje, duhet të japin dorëheqje nga postet që ushtrojnë”, ka deklaruar Bajrami.

Rregulla të njëjta për shërbyesit civilë kanë vlejtur edhe gjatë kohës së administratës së UNMIK’ut. Rregulla të njëjta, po ashtu, parashihen edhe në Ligjin për nëpunësit civilë, i cili ka kaluar në Qeveri dhe pritet të miratohet në sesionin vjeshtor të Parlamentit të Kosovës.

Ministri i Administratës Publike, Arsim Bajrami, thotë se shërbyesit civilë, të cilët fitojnë mandate në asamble komunale, duhet të përcaktohen për vendin e punës të cilën dëshirojnë ta mbajnë. “Shërbyesi civil që zgjidhet në asamble komunale e ka një javë afat që të vendosë nëse dëshiron ta mbajë postin e këshilltarit komunal apo t’i kthehet punës në arsim. Nuk lejohet dyfishimi në poste”, thotë ai.

Rregulla të tjera parashihen për të emëruarit politikë. Ata mund të kandidojnë në zgjedhje, e nëse humbin, mund të kthehen pa problem aty ku kanë qenë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se askush nuk do ta rrezikojë vendin aktual të punës. “Ligji do të respektohet për secilin, por asnjëri nuk rrezikon ta humbë postin”, ka deklaruar ai për Express, të shtunën.

Hajredin Kuçi, i cili njëherësh është edhe Nënkryetar i PDK’së, thotë se drejtuesit e partisë nuk do t’i kushtëzojnë ata që duan të kandidojnë në këto zgjedhje. Por kjo vlen vetëm për stafin politik. Deri më tash, nuk ka shumë anëtarë të Kabinetit Thaçi që kanë shfaqur ambiciet e tyre për të konkurruar në zgjedhjet lokale. Situata mund të ndryshojë javën e ardhshme, sidomos kur bëhet fjalë për kandidatët për kryetar të Prishtinës.

Sido që të jetë, aktualisht është vetëm një emër që, sipas gjitha gjasave, do të konkurrojë në zgjedhjet e 15 nëntorit. Ai është Adem Grabovci, Zëvendësministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit. Ai konfirmon se mund të jetë kandidat i PDK’së për kryetar të Pejës. “Ende nuk është definitive nëse do të kandidohem apo jo, prandaj nuk mund të merrem me paragjykime. Unë do të jem aty ku bashkëpunëtorët e mi vlerësojnë se unë mund ta jap kontributin si duhet”, ka thënë Grabovci për Express, të shtunën.

Sado që Kuçi thotë se PDK’ja nuk do t’i kushtëzojë kuadrot e veta me dorëheqje nga postet në qeverinë qendrore, Zëvendësministri Grabovci thotë se këtë gjë do ta bënte vullnetarisht. “Partia nuk ma kërkon dorëheqjen, por janë disa obligime morale, të cilat duhet të përmbushen. Në rast se kandidohem, nuk do të pranoj që t’i bart dy detyra. Unë dua ta bëj një punë në mënyrë që ta kryej atë ndershmërisht”, thotë ai.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi