Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Behar GJOKA - Eksperimenti akademik i radhes

Shko poshtë

Behar GJOKA - Eksperimenti akademik i radhes Empty Behar GJOKA - Eksperimenti akademik i radhes

Mesazh nga Agim Gashi Tue Sep 08, 2009 3:23 pm

Behar GJOKA - Eksperimenti akademik i radhes


Në seminarin mbi albanologjinë, që zhvillohet për çdo vit, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, përpos çështjeve të tjera, kësaj here, siç po marrim vesh nga media, do të diskutohet edhe mbi problemet e gjuhës shqipe. Prezantimi, akademik dhe universitar, sidomos me formulimin “Shqipja e folur dhe Shqipja e standartit”, ta tërheq vëmendjen, disi më posaçërisht. Aq më tepër që filologjiksat e të dy anëve të kufirit janë pjesë e frymës akademike, të cilat lëvizin, kryesisht në dy situata:
A - Akademia dhe akademikët e Shqipërsië, së paku si janë shprehur qartësisht në median e shkruar dhe vizive, janë kundra çdo diskutimi ndaj çështjes së shqipes së standardit, të cilën e shohin si kryearritjen e shkencës gjuhësore shqiptare, dhe nuk shohin se çfarë ka ngjarë faktikisht në realitetin gjuhësor dhe letrar të shqipfolësve, fill dhe në vijim të njësimit të çdo elemeneti ligjërimor në gjuhën shqipe.
B - Akademia dhe akademikët e Kosovës, përndryshe nga ata të Shqipërisë së zyrtarshme, pranojnë që edhe mund të hapet debati për problematikën e ndërlikuar të shqipes së folur dhe të shqipes së standardit, por me sa duket vetëm në nivel retushimi të disa rregullave, kinse po risjellin në fokus ligjërimin natyral të shqipes.
Të dyja palët, kuptohet që shumica e akademikëve, janë firmatarë të kongresit të vitit 1972, çka i pengon për të lejuar një debat të lirë dhe shkencor përmbi kompleksitetin e gjuhës shqipe, të folur apo të shkruar. Madje, siç paraqitet dhe përflitet zakonisht, po prej atyre, sikur këtë shqipen që flasim dhe shkruajmë, ndryshe nga gjuhët e botës, na e paskërkanë shpikur gjuhëtarët e pjesës së dytë të shekullit të njëzetë. Gjuhët e tjera, njohin për krijues dhe shpikës, folësit e saj, kudo që jetojnë, dhe sidomos shkrimtarët. Dihet, nga studimet gjuhësore dhe letrare, se italishtja u “lind” nga Dante Aligeri, ashtu siç anglishtja u “krijua” prej Shekspirit dhe spanjishtja nga Servantesi, rusishtja prej Pushkinit, gjermanishtja prej Hajnes, e pambarimisht kështu ka ngjarë me gjuhët e tjera. Pra, shqipja nuk ka se si të jetë jashtë kësaj ligjësie, gjuhësore dhe letrare, dhe si përlindës dhe pagëzimtarë të shqipes së folur dhe të shkruar janë shkrimtarët, që zënë fill me Buzukun dhe Matrangën, për të ardhur deri tek Kadare dhe Camaj. Rrekja e këtij moti, vjen pas hapjes dhe mbylljes disa herë me radhë të kësaj çështje, nga media dhe opinionistët, nga gjenitë e mëhallave dhe kafeneve, nga gjuhëtarët e babaqemos dhe të dumbabizmës, të analistëve të lulelakrës dhe lulkuqes, natyrisht të kësaj çështje thelbësore për ekzistencën dhe funksionimin e kulturës shqiptare, e cila sidoqë ta rrotullosh diskutimin e ngërthen fati i gjuhës shqipe. Në formulimin e termave të seminarit të sivjetëm, shqipe e folur dhe shqipe e standardit, ndjehet dhe fanitet, si me doreza të buta, mbase një rrekje përfundimtare, për ta mbyllur njëherë e përgjithmonë ndërlikueshmërinë e fatit të gjuhës shqipe, si gjuhë vetëm e standardizuar dhe me shenja të njësuarishtes, madje edhe si të paracaktuara kohë më parë. Kjo, ndjesi dhe shqetësimi për trajtime dhe shqyrtime të anësuara, të përjashtimit të zakonshëm përgjatë këtyre viteve, krijohet veçmas për disa arsye:
Së pari: Çfarë kuptojnë seminaristët e Prishtinës me termin gjuha e folur? Të folurën e Prishtinës dhe Gjakovës, Dibrës dhe Shkodrës, Elbasanit dhe Vlorës, Ulqinit dhe Korçës, Matit dhe Tepelenës, etj? Kuptojnë procesin e të folmes në diakroni apo në sinkroni?! Pra, duket qartë dhe sheshazi që kemi të bëjmë me një term evaziv dhe me një tipologji papërcaktimore.
Së dyti: Mos vallë e kanë harruar seminarbërësit e Prishtinës dhe Tiranës (kryesisht filologjiksa), me tiparin përbashkues e të qenit të zyrtarshëm, në fatin dhe problematikën e gjuhës dhe të letërsisë, sugjerimin e Sosyrit, përmbi paritetin e gjuhës së folur si origjinë dhe vatër e gjuhës së shkruar, por edhe mbi epërsinë, që krijon gjuha e shkruar, me të padrejtë, mbi gjuhën e folur.
Së treti: Si do ta gjykojnë kumtestarët, me tituj dhe pa tituj, me libra dhe pa libra, pa ndonjë vlerë përtej gardhimeve shqipfolëse, të ideologjive dhe socilogjizimit të skajmë, përgjithësisht ndëshkimin që i ka bërë Shqipja e standardit, pak së paku dy parimeve thelbësore në formatimin e gjuhës së përbashkët, parimit fonetik, pra e shkrimit të saj siç flitet, si dhe atij historik të shkrimit të gjuhës shqipe, e cila zë fill, sipas të gjitha përfundimeve të shkencëtarëve, të zyrtarshëm dhe të pazyrtarshëm, të sociologjikshëm dhe të mediatikshëm, me Mesharin e Buzukut.
Së katërti: Mos vallë kompromisi i bërë në vitin e largët 1968, po në Prishtinë, do të përsëritet në një mënyrë paksa më të fshehur, edhe në vitin 2009, apo do të kemi një fill të ri të qëndrimit ndaj gjuhës shqipe të folur dhe të shkruar?
Kongresi i vitit 1972
Kongresit i 1972, për pjesëmarrësit dhe për jehonën e shtrirë në kohë dhe hapësirë, gjuhësore dhe jashtëgjuhësore, më tepër shenjon dhe bart triumfin e politikës përjashtuese të vlerave, dialekteve, varianteve dhe të të folmeve të ndryshme të gjuhës shqipe. Kompromisi i radhës, nëse është dhe do të funksionojë si i tillë, sipas lartsynimeve (të panevojshme për t’u konsideruar kështu), do t’i vërë kapakun e mbylljes në muze, fatit të dy varianteve të hershme dhe bashkëkohore, si gjuhë e folur dhe e shkruar, pra të gegnishtes dhe arbërishtes. Që prej asaj kohe, me çdo çmim dhe formë, është kryer dhunimi i të folmeve të tjera, që të unifikohet, por realisht duke u çunifikuar, gjuha shqipe. Megjithatë, procesi do të mbetet i hapur, për sa kohë do të ketë italo - arbreshë që flasin dhe shkrujanë arbërishten, për sa kohë do të ketë gegë, së paku mbi Shkumbin e sipër, do të vijojë të flitet dhe të shkruhet gegnishtja. Në distancën kohore duhet të ndalohet, përjashtimi i vlerave të krijuara në të kaluarën dhe në bashkëkohësi, më përtej “rregullores ushtarake” të kongresit të drejtshkrimit. Çudia më e madhe, në këtë ligjëratë përmbi problematikën e gjuhës, lidhet me faktin, se shqiptarët dhe të huajtë, e kanë kuptuar se në Shqipëri ka ekzistuar një diktaturë e ashpër, që ka shkatërruar qenien dhe ka futur ndasitë krahinore dhe fetare, që ka zhvilluar luftën e klasave edhe brenda qenies njerëzore, që ka ndarë dhe përçarë shqiptarët, në të përparuar dhe të prapambetur, që e ktheu fytyrën e shqiptarëve kah socializmi, utopik dhe dështak, që u bë shkaku kryesor i lëvrimit të një letërsie tipike të realizmit socialist (shërbesë dhe parullë e pastër e sistemit). Po ashtu, Shqipëria e hegjemonisë moniste, sipërmori edhe aktin e unifikimit gjuhësor (sterilizimit gjuhësor dhe letrar), pra nëpërmjet standardizimit, në fakt duke përzënë vlerat e krijuara në të kaluarën qoftë në gegnishte, qoftë në arbërishte, e po kaq edhe në toskërishten e Poradecit dhe Kutelit, dhe përgjithësisht sendërtoi njësuarishten e fitimtarëve politikë, të cilët edhe pse kanë rënë nga vafti, në rrëfshet e kulturës, të gjuhës dhe letërsisë, e kanë lënë litarin jashtë. Kanë lënë jashtë litarin e mendësisë së përjashtimit të çfarëdo alternative tjetër, më përtej zyrtaritetit të akdemikëve të socilogjikshëm, por mjerisht edhe të atyre të semiotikshëm, të lindur prej mitrës së të parëve. Shprehemi rreth kësaj çështje vetëm e vetëm për faktin e thjeshtë se qëllimisht dhe funksionalisht, në kokat e gjuhëtarëve, akdemikë apo jo të tillë, është ngulitur ideja e gabuar dhe e pagjasshme, që të qëndrojë në këmbë edhe për shumë kohë, e barazimit të gjuhës zyrtare me gjuhën e letërsisë, e cila në fakt është fundekrye vetëm gjuhë e autorit. Pra, gjuha e letërsisë, shenja e vetvetishme dhe e vetëmjaftueshme e letrares, nuk ka shans që të standardizohet, sepse kështu do të bjerrej arti dhe estetika dhe letërsia do të mbërrinte në parullë dhe antiparullë, ashtu siç edhe ndodhi për disa dhjetëvjeçare në këtë Shqipërinë tonë. Si ngjarje dhe akt, tashmë pakkujt i intereson kongresi i vitit ‘72, as ndonjë marrëzi për të organizuar kongrese të tjera për të zëvendësuar shqipen e standardit me ndonjë standard tjetër, qoftë edhe i gegnishtes apo i arbërishtes, por gjuha e letërsisë është në vëmendje dhe interes të publikut dhe të albanologëve, vendas dhe të huaj, gjuha e letërsisë si art, e cila nëse bart edhe ngjyresat dhe figurativitetin e gjuhës së folur, pa përjashtuar asnjë krahinë, sado periferike qoftë, ka gjasa të shenjojë vlera letrare të larmishme.
Kushtet aktuale
Por, në kushtet kur gjendemi, të pengimit për disa variante dhe të folme të shqipes, dy-tre akte, sa më shpejt që të jetë e mundur, duhet të marrin fund:
- Redaktimi gjuhësor, nëpër shtëpitë botuese (madje edhe me një ligj absurd), i librave me poezi, në prozë dhe dramë, përmes një standardi që ka të bëjë më tepër me komunikimin publik (pra me atributin e gjuhës zyrtare) dhe jo me gjuhën e letërsisë.
- “Përkthimi” i veprave të autorëve arbreshë dhe gegë, sipas normës gjuhësore të standardit, sepse letrarja buron, gjithnjë sipas ligjësive të artit të fjalës, prej diversitetit kulturor dhe gjuhësor, pra edhe prej çunifikimit të rregullave të ditura, si dhe në shpikjen e rregullave të reja, gjithnjë në funksion të letrares.
- Kthimi në gjuhën e njësuar të standardit të poezisë së Mjedës, Fishtës, Migjenit, Camajt, por edhe i prozës së Pashkut etj., si detyrë e nxënësve dhe studentëve të shkollave shqiptare, pavarësisht se janë publike ose private.
Seminari
Mbetemi në pritje të kumtesave, të përfundimeve të seminarit të radhës, që nuk besoj se do të na habisi dhe aq shumë, sepse rishtas do të prekim vijimin e dhunimit të gegnishtes dhe të përjashtimit nga panteonin i letrave shqipe të shkrimtarëve të saj, qysh me Buzukun, Budin, Bardhin, Bogdanin, Fishtën, Koliqin, Camajn, Reshpen, Pashkun etj., ose më liksht ende të përkthimit ( përshtatjes), në gjuhën e standardit të De Radës, Darës, Serembes etj., si dhe të vënies dorë në njësimin edhe të gjuhës së Konicës, Poradecit dhe të Paskos, çka do të thotë, as më pak e as më shumë, veçse ruajtje e piketave të vlerave gjuhësore dhe letrare, projektuar në kohën e diktaturës dhe të mentalitetit akademik përjashtimor, të mënyrave të ndryshme të shkrimit të letrares, pra thjesht dhe vetëm të letërsisë, sepse gjuha e standardit, si gjurmë dhe dëshmi formale, nuk presupozon ndalimin e gjuhës së autorit, e larmisë që bart dhe përçon gjuha e letërsisë, përkundrazi janë gjuhëtarët dhe një masë doktorë-profesorash të letërsisë, që duan t’i japin një atribut të pamundshëm për ta patur, si metodikë shkrimore, që në fakt do të thotë vyshkje dhe shkatërrim përfundimtar i letrares së ligjëruar në gjuhën shqipe.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi