Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mexhid Yvejsi: Ferid Vokopola

Shko poshtë

Mexhid Yvejsi: Ferid Vokopola Empty Mexhid Yvejsi: Ferid Vokopola

Mesazh nga Agim Gashi Thu Sep 10, 2009 10:00 pm

FERID MUSTAFA VOKOPOLA (1887-1969)

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë


Ferid Vokopola ka qenë besimtar, atdhetar, politikan, publicist, përkthyes, poet, shkrimtar, filozof, eseist; nuk u pajtue me fashizmin, nazizmin as me komunizmin, sepse e kishte përqafue me kohë rrugën e zemrës, sufizmin…

Ferid Mustafa Vokopola lindi me 18 Gusht 1887 në Berat, ku e kreu shkollën fillore e të mesme. Studimet e larta për ekonomi i filloi dhe i mbaroi në Universitetin e Stambollit.
Gjatë studimeve në Stamboll, Turqi, përveç që u pajisë me kulturë, shkencë e dituri, Ferid Vokopola si një atdhetar veproi e bashkëpunoi me shoqëritë shqiptare që punonin për çështjen kombëtare…
Në moshën 25 vjeçare, posa mbaroi studimet në Turqi, Ferid Vokopola kthehet në atdhe për t’i shërbye Nanës Shqipni, ku merrë pjesë në Ngritjen e Flamurit në Vlorë, me 28 Nëntor 1912, në Ditën e Pavarësisë…
Këtë ngjarje historike me shumë rëndësi, nga jeta e tij, e përshkruan me hollësi në gazetën “Njeriu”, Nëntor 1939, ku ndër të tjera thotë:


ARDHJA E ISMAIL QEMAL BEUT NË SHQIPËRI

“Me 23 Vjeshtë e Tretë 1912 merr përgjegjen prej Janinës që t’a presim mirë Ismail Qemal Beun e t’a nderojm; këtë urdhër Nënprefekti i Lushnjes Eman Naili po me këtë datë na i komunikon neve të Lushnjes dhe Nënprefekturën e Kavajës telegrafisht, ashtu edhe Pertef Beu lajmërohet me një kalorës.
Me 23, Ismail Qemal Beu me shokë fjetën në Çermë, ku Dervish Bej Biçaku e Behxhet Bej Hyti veç pritjeve bujare me fuqitë e tyre t’armatosura dhanë përkrahjet e duhura. Me 24 fjetën në Libofshë, e cila ishte e siguruar nën urdhërin e Këshillit Kombëtar të Lushnjes.
Me 23 ishim në shtëpinë tonë të Lushnjes dhe si delegat i kësaj mbasi isha zgjedhur që të nisesha në Vlorë për me takuem në Fier me Ismail Qemal Beun po përgatitsha mjetet e udhëtimit, vjen shoku im i ndier Nebi Sefa, para se të nisesha për Kavajë, e më lajmëron se Komanda Otomane ka burgosur në Hotel të Shaqir beut Delegatët e Kosovës z.z. Bedri Pejani e Rexhep Mitrovicën, me një herë biseduan me shokët dhe e muren urdhër të vemi unë, Nebi Sefa dhe të tjerë për të negocijuar lirimin e tyre.
Emin Beu shkoi te Nënprefekti me ca shokë tjerë dhe e shtrëngoi tepër i cili u trembë dhe i dorëzoi këtij edhe vulën e Nënprefekturës;duke qenë neve në zënje e sipër me patrullën Otomane, që kishin ndaluar dy delegatët dhe gati të përleshëshin me këto, ja mbërriti Kapiten Pertefi, i cili kishte marrë lajmin e dorëzimit të Nënprefekturës, Emin Beut dhe i trembur nga ky ndryshim i u dha urdhën të hiqen patrullat e tija. Kështu i liruam dy Delegatët, të cilët u nisëm për Vlorë.
Pastaj u nisëm përmes Myzeqes në ato kohëra të këqija nga dimri i fortë e arritëm në Fier, ku takuam edhe Ismail Qemal Beun me shokë. Ismail Qemal Beu në Zyrën Telegrafike merrte shpjegime mbi situatën e okupacioneve dhe jepte Këshilla mbi masat që duhesh me padurim të mblidheshin Delegatët shpejtësisht në Vlorë.
Kur ishim në Zyrën Telegrafike më vjen një telegram mua nga nëna ime që ishte me plevit tepër rëndë, Ismail Beu më thotë: “Shko biri im në Berat, hallallosu me mëmën, ti marrësh uratën e pastaj hajde në Vlorë, me Delegatët e Beratit; duke dëgjuar se unë jam nisur për Mëmën Shqipëri e uratën kam me jam marrë kësaj, me përgëzoi atënisht me një bravo! e cila i buroi nga zemra...i vura re sytë i kishte të përlotur…”
Nga Fieri u nisëm për Vlorë …
Shumica e Delegatëve arritën në Vlorë më 27 e 28-XI-1912.

Mbasi situata po vështirësohej tepër çdo minutë, u vendos me 28-XI-1912 të mblidhet kongresi e të japin vendimin e prerë për shpëtimin e Atdheut, e kjo mbledhje u mbajt në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, me 28 nanduer 1912 n’ora 3.30. ”
Pra, më 28 Nëntor 1912, Ferid Vokopola ka qenë në Vlorë, kur Ismail Qemali ngriti Flamurin, është një nga nënshkruesit e dukumentit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipnisë…
Në vitin 1914, në Qeverinë e Durrësit, ka punuar në Ministrinë e Bujqësisë. Në fund të muajit janar 1920, zgjidhet sekretar i Kongresit të Lushnjës, ku ju vunë themelet e Shqipnisë e Tirana shpallët kryeqytet, me rastin e këtij kongresi historik e shkroi Himnin e Kongresit të Lushnjës…
Ferid Vokopola ka qenë deputet në Tiranë, përfaqësonte Vlorën gjatë viteve 1920-1928), kurse gjatë Mbretnisë Shqiptare, 1928-1939, ka qenë deputet i Beratit në Tiranë.
Rreth shtatë muaj ka qenë Ministër i Bujqësisë në Qeverinë Shqiptare (Tetor 1927-Maj 1928).
Në kohën e pushtimit të Shqipnisë nga Italia Fashiste (1939-1943) dhe nga Gjarmania Naziste (1943-1944) nuk është marrë me politikë, as që ka punue në administratën shtetërore. Gjatë asaj kohe, është marrë kryesisht me veprimtari kulturore, fetare e letrare.
Veprimtarinë fetare, letrare e kulturore nuk e ka lëshuar as kur ka punuar në administratën shtetërore, që nga viti 1912...
Përveç që ishte politikan, ekonomist, penda e tij dëshmon se Ferid Vokopola ka qenë besimtar, atdhetar, filozof, eseist, poet,
ka shkrue, ka përkthye poezi, është marrë me tesavvuf, ka qenë dervish dhe shejh sufi…
Shkrimet e tij janë botue, kryesisht, në revistën “Zani i Naltë”, që dilte në Tiranë prej tetorit të vitit 1923 deri në muajin prill 1939, kurse nga viti 1939-1944 boton në revistën “Kultura Islame”, e përmuejshme fetare, ditunore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Musliman Shqiptar në Tiranë.
Verid Vokopola, në vitin 1938, në Tiranë, arriti të afroi katër tarikate, tarikatin Sa’adi, Rifa’i, Kadiri dhe Tixhani, të cilat u bashkuen dhe krijuen organizatën e tyre me emrin: “Drita Hyjnore”, e cila kishte për qëllim, përveç zbatimit të dispozitave islame, edhe ngritjen, lartësimin, edukimin, pastrimin frymorë-shpirtërorë…
Me idenë dhe ndihmën e tij, në vitin 1942, mueji korrik, në Tiranë, filloi të publikohet një revistë e re fetare, letrare, kulturore, shpirtërore, me emrin “Njeriu”.
Revista “Njeriu” ishte organ i organizatës “Drita Hyjnore”, që e kishte themelue... Cili ishte misioni i kësaj reviste? Misioni ishte sufizmi, tesavvufi apo misticimi…
Redaksia e revistës “Njeriu” e përcakton kështu thelbin teorik të misticizmit:
"Misticizmi, që ka kaq karakteristika të ngjashme, është udha e përbashkët prej se cilës kanë lindur pohimet e mëdha të së vërtetës dhe është pikëmbështetja që duhet të përmbledhë të gjithë ata që dëshirojnë me ba vepra bamirëse, mirëkuptimi, dashurie dhe durimi. Vetëm me pastërtinë e vetëmohimin e një mistiku të përsosur mund të sigurohet shumë shpejt naltësimi i njeriut, duke përshkruar rrugët e gjithë idealeve që pajtohen me qëllimin suprem të jetës njerëzore".
Në këtë revistë mujore, prej korrikut 1942 deri në fund të vitit 1944, kur erdhën në pushtet komunistët e pa fe, kjo revistë u ndërpre, por deri në atë ditë dolën 27 numra në dritë.
Në revistën “Njeriu”, përveç Ferid Vokopolës, kanë shkrue penda të njohura, si: shkrimtari Haki Stërmilli, studiuesi Vasfi S.Visoka, poeti e përkthyesi Vexhi Buharaja, prof. Vexhi Demiraj, Shejh Muharrem Mitrovica, Beqir Haçi, Mustafa Greblleshi, Jup Kastrati, Shefik Osmani etj.
Përveç shkrimeve publicistike, me përmbajtje fetare, filozofike, letrare e mistike, ka botuar veprën: “Gjëmimi i Tomorrit” me 1915, (botimi i parë). Në vitin 1927 botoi poemën: “Në hapësirat e ëndërrimeve, Fluturimet e Shpirtit”.
Ka shkrue rreth historisë islame, për ngjarjen, Luftën e Përgjakshme të Qerbelasë, ka shkrue librin: “Dhjetë ditët e Matemit” etj.
Në vitin 1940, në Tiranë, botoi veprën: “Lindja e të Naltit Ali”, ku poeti Ferid Vokopola ka qëndisur një “Lutje” drejtuar Krijuesit të njerëzisë, Krijuesit të gjithësisë, ku ndër të tjera, thotë:

…Për hatër të Enbijasë,
Daut, Musa e të Isasë,
Për Muhamed Mustafanë,
Ebu Bekër, Ymer, Osmanë,
Për Alijj el-Myrtezanë,
Ehli Bejtin gjithë sa janë,
Lutjet tona na i prano,
Mëshirona e na mbro…”

Pas Luftës së Dytë Botërore, pushteti komunist-stalinist, si shumë atdhetarë, besimtarë, dijetarë, e burgosi edhe Ferid Vokopolën, i cili as në burg nuk u dorëzue, nuk u nënshtrue…
Meqë i njihte me themel gjuhët orientale, turqishten, (osmanishten), arabishten e persishten, pas burgut e pranuen në Institutin e Historisë në Tiranë, në sektorin e osmanishtes…
Ndrroi jetë në vitin 1969, në moshën 92 vjeçare, duke lënë një emër të madh në historinë, kulturën dhe letërsinë shqiptare…
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi