Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Faik Miftari: Netët e Ramazanit dikur, dhe tani

Shko poshtë

Faik Miftari: Netët e Ramazanit dikur, dhe tani Empty Faik Miftari: Netët e Ramazanit dikur, dhe tani

Mesazh nga Agim Gashi Thu Sep 10, 2009 10:13 pm


NETËT E RAMAZANIT DIKUR, DHE TANI

Nga Faik MIFTARI

Prizreni është i njohur jo vetëm si qytet me rëndësi të veçantë historike, në të cilin u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878, në xhaminë e Bajraklisë, porse është i njohur edhe si qytet i xhamive dhe minareve të shumta që e zbukurojnë këtë nënqiell.
Edhe muaji i bekuar i Ramazanit në Prizren kalon në një atmosferë dhe ambient të veçantë që dallon prej qyteteve tjera dhe trojeve tjera shqiptare që nga Presheva e Preveza e gjer te Shkodra e Shkupi.Do të bëjë një krahasim të ditëve dhe netëve të Ramazanit që janë përjetuar dikur dhe që përjetohen tani në të cilin gjendemi në qytetin tonë të bukur të Prizrenit.
Në periudhën e komunizmit edhe pse feja me të madhe është sulmuar kinse si një “opijum i popullit”, prizrenasit me një fanatizëm të rrallë i kanë ruajtur ndjenjat e tyre fetare dhe se gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit kanë treguar respekt të plotë duke agjëruar, si shenjë e përkatësisë së tyre Islame me një traditë të bujshme shumëshekullore. Komunistët e atëhershëm fanatik, e sidomos dalloheshin mësuesit dhe arsimtarët nëpër shkolla, të cilët iu kanë prishur agjërimin nxënësve të tyre, për të treguar vehten si komunist të devotshëm, jo sepse kanë pas ndonjë urdhër të prerë, por më shumë nga “verbëria” e tyre komuniste. Por, edhe përkundër tentativave të tyre nuk kanë arritur të thyejnë nijetin (vendosmërinë) e çeliktë të nxënësve, studentëve, dhe punëtorëve për të agjëruar muajin e shenjtë të Ramazanit.Gjatë periudhës komuniste, nga 28 xhamitë e dikurshme që kanë qenë gjatë periudhës osmane, kanë mbetur vetëm 20 xhami, disa prej xhamive janë rrënuar apo janë shëndrruar edhe në depo gjatë sundimit të tyre, por prapseprap në ato xhamitë ekzistuese kanë frekuentuar besimtarët për teravitë(falja që kryhet enkas për Ramazan) në netët e bukura të Ramazanit. Struktura e besimtarëve musliman që kanë frekuentuar xhamitë gjatë Ramazanit ka qenë në favor apo pro gjeneratës së vjetër kundruall gjeneratës së re. Edhe një traditë të bukur që ka pas Prizreni gjatë shekujve për Ramazan, ka qenë sinjalizimi i kohës së iftarit(ndërprerjes së agjerimit) me gjëmimin e topit nga Kalaja e Prizrenit, e cila është ndërprerë në vitin 1950 nga ana e regjimit komunist, të cilin me një fanatizëm të rrallë e ka mbajtur plot 5 vite nga viti 1945-1950, hafizi, atdhetari, imami, nacionalisti i njohur prizrenas Hafiz Jakub ef.Muqeziu i ndjerë, me burgosjen dhe dënimin e tij në vitin 1950 përfundoi edhe epoka e topit nga Kalaja. Është e udhës që Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit së bashku me strukturat komunale gjegjëse që në vitin 2010 të riaktivizojnë këtë traditë të bukur që e ka pas Prizreni gjatë shekujve, dhe që në 60 vjetorin e mosfunksionimit të topit, prap ta hudhin në përdorim topin i cili akoma gjendet në vendin e duhur në Kala. Kjo do të ishte i një rëndësie të veçantë, jo vetëm në aspektin fetar, por edhe në aspektin kulturor, pasi që do të paraqite një hap më shumë drejt përmbushjes së kushteve që Prizreni të shpallet qytet i mbrojtur nga UNESKO-ja për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimis së pasur kulturore të qytetit.
Në familjet e shumta me të madhe janë bërë pregaditjet për Ramazan, bile bile me kohë dhe një muaj përpara, për pritjen e mysafirit të dashur që çdo vjet njëherë në vit vie, muaji i bekuar i Ramazanit. Është kryer pastrimi gjeneral i shtëpive dhe banesave si dhe gëlqerosja e oborreve të tyre.Një karakteristikë tjetër e Prizrenit për Ramazan, ishte edhe pregaditja e pitajkave(llojë brumi) me vezë për iftar në furrat e qytetit, traditë e cila edhe sot e kësaj dite vazhdon për Ramazan, porse atëherë kanë qenë më të shijshme pasi janë pjekur me dru. Rreshtat e gjata dhe aroma e tyre para furrave të Prizrenit, gjatë Ramazanit është diç impresive, që vetëm mund të përjetohet . Bile bile edhe të krishterët i porositnin dhe i pregaditnin pitajka me vezë për të shijuar dhe kënaqur me shijen, lezetin e tyre gjatë Ramazanit.
Një karakteristikë tjetër e Prizrenit ishte që xhamia e Bajraklisë, si xhami qendrore e Prizrenit, ka qenë e para që ka dhënë shenjën e iftarit, ashtu që mujezini(asistenti i imamit) i saj haxhi Rexhebi i ndjerë, e thirte ezanin dhe i ndizte kandilat( dritat në minare), pas së cilit pasonin ezanat dhe kandilat edhe në xhamitë tjera të Prizrenit. Në të kaluarën është ngritur edhe flamuri në maje të minares së saj, për ç’gjë njihet në popull si xhamia e Bajraklisë, pasi që emri origjinal i saj është xhamia e Gazi Mehmed Pashës. Poashtu, xhamia e Bajraklisë e ka pas burimin e ujit të posaçshëm, me të cilin furnizohej jo vetëm xhamia, por edhe lagjet përreth, dhe se kur ka ndodhur që tërë qyteti i Prizrenit të mos ketë ujë për shkak të ndonjë prishje apo havarie, prizrenasit u furnizonin prej 8 çeshmeve(krojeve) ekzistuese në xhami si dhe çeshmes së Gani Tadës. Edhe ky sistem i burimit të ujit për xhami, viteve nëntëdhjeta u ndërpre, dhe u lidhë në ujësjllesin e qytetit dhe se tani xhamia furnizohet me ujë nga ujësjesllsi i njëjtë për tërë qytetin.Para iftarit ka qenë karakteristikë e asaj kohe që ujin për iftar qytetarët e shumtë të furnizohen nga 8 çeshmet(krojet) e xhamisë së Bajraklisë, me të vërtet uji ka pas një shije të posaçme, dhe se verës ishte shumë i ftohtë, ndërsa dimrit më i nxehtë. Gjatë muajit të Ramazanit traditë është edhe këndimi i mukabeles ( leximi i Kur’anit prej fillimit gjer në fund gjatë Ramazanit) para namazit(faljes) së drekës në xhaminë e Bajraklisë, ndërsa para namazit të iqindisë në xhaminë e Levishës, nga dy hafizët eminent të Prizrenit,
Hafiz Abdullah ef.Sagdati dhe Hafiz Maksut ef.Spahiu, të ndjerë, me ndihmën edhe nga hafizët tjerë.
Gjatë kohës së iftarit, Prizreni boshatisej, njeri i gjallë nuk vërehej, përveç ndonjerit që shpejtonte për të arritur në shtëpi, apo ndonjë rast urgjente të ndonjë nevojtari eventual. Pas gjysëm orësh Prizreni prap ringjallet, burra e gra shpejtojnë hapat e tyre për të zënë vend ma përpara në xhami për të falur namazin e teravisë, të rinjë dhe të reja dilnin për të bërë një xhiro(shetitje) në Korzon e dikurshme të Prizrenit. Kurora e Ramazanit dikur ishte në natën e 27-të, natën e Kadrit, natë në të cilin filloi zbritja e shpalljes hyjnore, e ajeteve kur’anore, nata më e vlefshme se 1000 muaj tjerë, me të vërtet frekuentimi i besimtarëve në xhaminë së Bajraklisë, në të cilin mbahej manifestimi përmbyllës për nder të muajit të shenjtë të Ramazanit, ka qenë i tillë sa që as në ditët e sotshme nuk përsëritet dot.
Në fund të konkludoj, se gjatë periudhës komuniste muaji i shenjtë i Ramazanit është përjetuar dhe festuar vetëm brenda 4 mureve të shtëpive dhe xhamive, ndërsa në aspektin publik, medial,shoqëror një gjë e tillë as që ka mundur të paramendohej.
Për dallim nga periudha komuniste, në kohën e tanishme të demokracisë, përjetimi dhe festimi i muajit të bekuar të Ramazaniti ka tejkaluar 4 muret e xhamive dhe shtëpive dhe se tani është prezent edhe në aspektin publik, mediatik, shoqëror. Nga minaret me kandila, tani i kemi minaret me zbukurime të llojllojshme dhe drita të ndryshme. Mu në prag të Ramazanit është mbajtur në qendrën sportive të qytetit “Mbrëmja Kur’anore”, ku shkëlqeu dhe ishte ylli i mbrëmjes Hafiz Hakim ef. Iljazi, i cili me zërin e tij të mrekullueshëm dhe këndimin e bukur të Kur’anit, ngriti pallatin e stërmbushur në këmbë të cilët me duartrokitje dhe ovacione “Allahu Ekber” e përshëndetën këtë këndim të mrrekullueshëm të hafizit të ri nga Prishtina. Në natën që u mbajt mbrëmja kur’anore gjatë ditës u vendos edhe guri themeltar i xhamisë së re në lagjen Ortakoll, e vetmja lagje e Prizrenit, edhe pse me kohë e urbanizuar, nuk ka pas gjer tani xhami, e që është dhuratë(donacion) nga qyteti i Antaljasë së Turqisë, dhe se do të njifet si xhamia e Antaljasë. Përkundër 28 xhamive të dikurshme gjatë periudhës osmane, dhe 20 xhamive ekzistuese gjatë periudhës komuniste, tani në Prizren janë momentalisht 30 xhami, dhe me xhaminë e Antaljasë po bëhen 31 xhami dhe se lirisht mund të thuhet që nëse Prizreni nuk do të mund të ketë xhamia sa ka pas gjatë kohës së vet Shkupi apo Selaniku, bile bile së shpejti do ta arrijë Shkodrën e dikurshme me 36 xhami. Gjatë këtij Ramazani hendikep është mos funksionimi i xhamisë së Sinan Pashës, perlës së qytetit të Prizrenit, Kosovës dhe Ballkanit, e cila është në fazën e punimeve për restaurimin dhe konzervimin e saj.

Për nder të Ramazanit tani, organizatat, shoqatat, subjektet politike të ndryshme organizojnë iftare(darka) tradicionale në të cilin marrin pjesë me qindra dhe mijra qytetar nëpër restorantet e ndryshme të qytetit.Poashtu edhe komuna e Bajram Pashës e Stambollit shtroi iftarin tradicional në Shadërvan, i pesti me rradhë, i njohur si Karvani i bereqetit që nuk njeh kufijë, i cili shtrihet në qytete të ndryshme të shteteteve të Ballkanit, si Bullgari, Greqi, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, Sanxhak (Serbi). Njashtu edhe Kfori-turk tradicionalisht për çdo vit organizon tendën e iftarit, në sheshin e dëshmorëve, në të cilin mund të prezentoj çdo qytetar pa kurfarë ftese paraprake. Nismëtare e iftareve tradicionale të qytetit të Prizrenit, ishte shoqata e zejtarëve dhe afaristëve të Prizrenit”ESNAF”e cila e para, që nga viti 1995, organizoi iftarin e parë të përbashkët në hotelin”Theranda” të Prizrenit, dhe se sivjet ishte iftari i 15-të me rrallë që organizoi për anëtarsinë e saj dhe qytetarë tjerë. Pashtu gjatë tërë Ramazanit organizohen aktivitetet e ndryshme fetare, kulturore, humanitare, sportive, muzikore nga organizatat dhe shoqatat e ndryshme. Çdo natë, në kejin e Lumbardhit, tek burimi i ujit të Topuklisë, tek 6 çeshmet (krojet) e Topuklisë, mbahen mbrëmjet muzikore, recitale, ilahi e kaside.Prijëtare e aktiviteteve të ndryshme,pamëdyshje është, organizata joqeveritare”AKEA”, e cila shquhet për një organizim të jashtëzakonshëm të nivelit më të lartë. Do të përmendi vetëm disa nga aktivitetet e shumta të saja: shporta tradicionale humanitare e Ramazanit për të varfërit dhe skamnorët e qytetit, turneu tradicional i Ramazanit në futboll të vogël që mbahet gjatë netëve të Ramazanit në qendrën rekreative sportive ”ANDRRA” në Marash, iftari tradicional në të cilin sivjet qenë prezent edhe aktorët e serialit”Lugina e ujqërve” si mysafir special të mbrëmjes, panairi kulturor që mbahet netëve të Ramazanit në oborrin e hamamit të Gazi Mehmed Pashës, vendosja e 4 panove “Urime Ramazani” në hyrje-dalje të Prizrenit për Prishtinë, Gjakovë, Kukës si dhe panoja e katërt tek hamami në qytet. Sinjalizimi i iftarit tani bëhet nëpërmjet daullxhinjve të shumtë të cilët me rrahjet e tyre e bëjnë të ndihet sa më gazmor muaji i bekuar i Ramazanit. Në ditët e tanishme frekuentimi i xhamive është në favor të gjeneratës së re kundruall asaj gjeneratës së vjetër të besimtarëve. Këndimi i mukabeles, (leximi i Kur’anit) nga hafizët vendas dhe mysafir, mbahet në 5 xhamitë e qytetit, në Bajrakli, Emin Pashë, Levishë, Marash dhe në xhaminë e Toskës. Risi sivjet është edhe këndimi i mukabeles(leximi i Kur’anit) edhe për femra,i cili mbahet në xhaminë e Emin Pashës, para namazit(faljes) së drekës, në të cilin marrin pjesë dhe asistojnë një numër i madh femrash.

Në përfundim të kësaj mund të themi se netët e Ramazanit dikur në disa aspekte kanë qenë më impresive, ndërsa në disa aspekte tjera në ditët e sotshme janë më të bukura, sido që të jetë, me të vërtet netët e Ramazanit janë të veçanta në qytetin e bukur të Prizrenit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi