Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mijëra nxënës i drejtohen shkollës

Shko poshtë

Mijëra nxënës i drejtohen shkollës Empty Mijëra nxënës i drejtohen shkollës

Mesazh nga Agim Gashi Mon Sep 14, 2009 4:42 pm

Mijëra nxënës i drejtohen shkollës

Tiranë
Presidenti shqiptar Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli, urojnë fillimin e vitit të ri shkollor në Shqipëri.


Mijëra nxënës i drejtohen shkollës Shtato
Presidenti Topi në mesin e shkollarëve të Shqipërisë.
Më e bukur është kjo ditë për afro 50 mijë fëmijë që bëhen për herë të parë nxënës të klasës së parë



TIRANË- Ka nisur sot viti i ri shkollor në vendin tonë. Mijëra nxënës të shkollës fillore, 9-vjeçare dhe të mesme iu drejtuan shkollës, për të vazhduar rrugën e dijës. Presidenti i Republikës, Prof .Dr. Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi uroi sot nxënësit dhe mësuesit në mbarë Shqipërinë dhe kudo ku mësojnë shqiptarët me rastin e hapjes së vitit të ri shkollor 2009-2010. Kreu i Shtetit shqiptar e bëri këtë urim duke u rikthyer në Shkollën 9-vjeçare “Servete Maçi” ku ka kryer arsimin fillor me rezultate shumë të mira.
Padyshim dita e parë e shkollës e bën njeriun, pavarësisht nga mosha, të përjetojë emocione të veçanta. Emocione të veçanta përjetojnë nxënësit, sidomos ata që ulen për herë të parë në bangat e shkollës, por jam i bindur se emocione shumë të forta përjetojnë edhe prindërit e tyre. Emocione të forta përjetojnë mësuesit sepse të gjithë së bashku mendojnë për fëmijët e tyre, për brezin që rritet, sepse sikurse e kanë thënë shumë politikanë dhe mendimtarë, ‘nëse dëshiron të shohësh të ardhmen e kombit, vlerëso të tashmen e fëmijëve’. Padyshim kjo ditë është jo vetëm simbolike, por është shumë motivuese, për të gjithë ne që festojmë së bashku fillimin e mbarë të vitit të ri akademik 2009-2010.
Nuk mund ta fsheh, për mua ka një emocion shumë të fortë, sepse në këtë shkollë, në këtë oborr kam kaluar 8 vitet e jetës time shkollore dhe padyshim njeriu në jetë merr shumë çertifikata, por e paharruar mbetet dëftesa e klasës së parë ku dy emra janë memorizuar për të mos u harruar përjetë: mësuesja e parë Meropi Bardhi dhe drejtori i shkollës Nazmi Duhanxhiu. Gjatë jetës time në këtë shkollë kam pasur shansin që të mësohem, të edukohem nga mësues të përgatitur, të talentuar, nga njerëz shumë të dashur, të cilët përbënin binomin prind-mësues dhe padyshim për çka kemi arritur, dhe këtë e them jo vetëm në emrin tim, por në emër të të gjithë brezave që kanë kaluar në këtë shkollë, ne u jemi shumë mirënjohës.
Kjo shkollë, ky oborr natyrisht që nuk do të kishte aspak bukuri në rast se nuk do të kishin këto zëra gazmorë, të shkujdesur të klasave të para, të cilët ndonëse sot janë të vegjël dhe nuk e kuptojnë si duhet rolin e shkollës, dita-ditës do të arrijnë të mësojnë nëpërmjet prindërve, nëpërmjet mësuesve që në shkollë mësohet si të bashkëjetohet, sesi kultivohet diskutimi dhe sesi përvijohet debati. Natyrisht, shkolla është vendi ku përgatitet e ardhmja e vendit tonë, padiskutim një e ardhme e ndritur, një e ardhme europiane. Shkolla është vendi, ku ndonëse shkohet me emocione, edukimi mbetet shoku i vetëm. Vetëm nëpërmjet shkollës fëmijët tanë do të bëhen të ditur, do të marrin rrugën e jetës, do të shkojnë nëpër profesione të ndryshme dhe do të bëjnë të mundur që Shqipëria, në vitet që vijnë të jetë më e përparuar, të jetë absolutisht një vend me të gjitha të drejtat e familjes europiane.
Nëpërmjet këtij mikrofoni, nëpërmjet medias unë dëshiroj të jap një mesazh për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, sepse sot jeta e ka sjellë që shqiptarët jo vetëm të studiojnë në Shqipëri, por edhe në diasporë, të studiojnë në Kosovë, Maqedoni në Mal të Zi, në SHBA, kudo në Europë. U uroj atyre një vit të mbarë shkollor, ta mbajnë të gjallë gjuhën shqipe, ta kultivojnë literaturën që vjen nga Shqipëria, të mësojnë që rruga e arsimit shqiptar ka qenë jo e lehtë, por sot janë të gjitha mundësitë që nxënësit shqiptarë, qytetarët shqiptarë të jenë në standardet e qytetarëve europianë. Institucionet e Shqipërisë, kanë një politikë të veçantë për intensifikimin e reformave në fushën e arsimit dhe unë jam i bindur se sikurse janë bërë, shumë gjëra do të bëhen edhe në të ardhmen. Edhe një herë të dashur nxënës, të nderuar mësues, të nderuar prindër dëshiroj të uroj që të keni shëndet dhe mbi të gjitha të keni kënaqësi duke parë çdo ditë fëmijët tuaj të rriten e edukohen në këtë shkollë të nderuar dhe në të gjitha shkollat e Shqipërisë.
Më pas, Presidenti i Republikës dhe Zonja e Parë, së bashku me anëtarë të kabinetit, të shoqëruar nga drejtoresha e Shkollës, Benereta Buxhuku, nga mësuesi më i vjetër në moshë, Bato Gashi, mësuesja e parë e Kryetarit të Shtetit, Meropi Bardhi dhe mësues e drejtues të tjerë të shkollës, vizituan bibliotekën duke u takuar e përshëndetur përzemërsisht jo vetëm me nxënësit, por edhe me mësues të vjetër, të dalë tashmë në pension dhe duke u shprehur atyre urimet më të mira dhe mbështetjen institucionale për arsimimin e brezave të rinj.
Kryetari i Shtetit u interesua për mbarëvajtjen e procesit mësimor, dhe u informua nga drejtoresha e shkollës dhe mësuesit lidhur me ndryshimet e kryera në këtë shkollë, që ka si profil të vetin muzikën, për përmirësimin e mjediseve të saj, për tekstet e reja e procesin e mësimdhënies, si dhe ndoqi me interes fillimin e një ore mësimi të klasës së parë, ku një nxënëse luajti një pjesë muzikore në piano.
Presidentit Topi dhe Zonja e parë ndoqën një koncert të shkurtër me këngë e interpretime të nxësësve të kësaj shkolle të cilët i dhuruan Kryetarit të Shtetit një çelës soli, si simbolikë e profilit muzikor të shkollës.
Mijëra nxënës i drejtohen shkollës SHTATORI
50 mijë nxënës për herë të parë ulën ën bankat shkollore
Më e bukur është kjo ditë për afro 50 mijë fëmijë që bëhen për herë të parë nxënës të klasës së parë. Furia e nxënësve mësuesve dhe prindërve sot kishte zaptuar rrugën e kryeqytetit, duke e çuar trafikun në kaos.
Në ditën e parë të shkollës, një urim i veçantë vjen nga Presidenti i republikës, i cili ishte në shkollën ku kreu arsimin 9-vjeçar në Tiranë 'Servete Maçi'. "Sot është një ditë e veçantë. Uroj të gjithë nxënësit, por edhe mësuesit që do japin dije për një vit të mbarë shkollor", u shpreh Topi. Më tej, presidenti kujtoi se në bankat e shkollës "Servete Maçi" ai ka marrë dijet e para. "Në këtë oborr kam kaluar 8-vitet e jetës sime shkollore, ku nuk mund të harroj asnjëherë kur kam marrë dëftesën e parë", tha ai.
Ndërsa ministri i Arsimit, Fatos Beja ka nxituar të urojë nxënësit përmes një njoftimi për shtyp, në ditën e fundit të punës së tij. "Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time që 650 mijë nxënësit e nxënëset që shkojnë këtë vit në shkollat e të gjitha llojeve do të përfitojnë nga një standard arsimor më i lartë se ai i vitit të kaluar", u shpreh Beja në fjalën e tij përshëndetëse. Më tej, ai tha se "procesi mësimor do të jetë interaktiv si kurrë ndonjëherë më parë në Shqipëri. Nxënësit do të ulen në kabinete të reja të shkencave e informatike. Mbi gjysmë milionë nxënës do të navigojnë në internet në 2000 shkolla, të mëdha e të vogla, në qytet e në fshat; me dhjetëra mijë do të ulen në banga të reja, do të mësojnë në shkolla të reja e të rinovuara; me mijëra fëmijë të fshatrave të largëta të Krujës, Kukësit, Tropojës, Beratit e Vlorës do të ndjekin mësimet në konvikte bashkëkohore".
Ky vit i ri shkollor nis me risi edhe për gjimnazet, ku rikthehen vitet e para. Janë afro 40 mijë nxënës që shkojnë për herë të parë në shkollë të mesme. Por, kjo strukturë e re ka sjellë mjaft probleme në stafet pedagogjike të gjimnazeve, të cilët edhe pse sot nis shkolla, ende nuk kanë mundur të formojnë klasat, për shkak të kurrikulave të reja.
Një problem për kryeqytetin dhe qytet e tjera të mëdha ëhstë mësimi me turne. Gjithsesi sot, s'ka turne, të gjithë nxënësit iu janë drejtuar shkollave të tyre në orën 08:00 të mëngjesit.
Mijëra nxënës i drejtohen shkollës BERISH
Urimi i kryeministrit Berisha
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha morën pjesë sot, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, në përurimin e shkollës së mesme, profesionale “26 marsi”, në qytetin e Kavajës. Me këtë rast, Kryeministri Berisha uroi të gjithë fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë që sot ulen në bankat e shkollave, një vit të mbarë dhe të suksesshëm në rrugën e dijes.
Në përshëndetjen drejtuar nxënësve, mësuesve dhe prindërve të pranishëm, kryeministri Berisha u shpreh se shkolla e mesme profesionale do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në edukimin e të rejave dhe të rinjve të zonës, duke iu dhënë mundësinë atyre të përshtaten me kushtet e tregut.
Kryeministri tha se qeveria i ka kushtuar dhe do ti kushtojë një rëndësi kryesore reformës së arsimit dhe do të bëjë çdo përpjekje që fëmijët shqiptarë, të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi të shkollohen në kushtet më moderne. “Dita e fillimit të shkollës është një ditë e shënuar. Shkolla dhe shkollimi juaj ka një rëndësi vendimtare për të ardhmen tuaj dhe të vendit në tërësi. Në bankat e shkollave iniciohet Shqipëria e dekadave që vijnë.”
Kryeministri u shpreh se ndonëse në mandatin e parë u shënuan arritje në shkollat shqiptare, në mandatin e dytë , qeveria do të përballet me sfida të reja në fushën e arsimit për ta përsosur dhe modernizuar më tej atë. “Gjatë mandatit të parë ne ndërtuam dhe rindërtuam rreth 1100 shkolla të reja apo rindërtuam ekzistueset. Gjatë mandatit të parë ne bëmë një revolucion të vërtetë duke shtrirë internetin në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Gjatë mandatit të parë ne dyfishuam rrogat e arsimtarëve dhe ia dolëm të kapim standardin evropian në përqindjen e nxënësve që mbarojnë shkollat e mesme dhe ndjekin universitetet. Ne mbidyfishuam numrin e studentëve në universitete. Ky mandat parashtron para nesh detyra shumë më të mëdha. Në rast se ne shtrimë kabinetet e informatikës dhe internetit në të gjitha shkollat, gjatë këtij mandati ne do të shtrijmë në të gjitha shkollat e-learning, mësimin digjital, si formën më të përshtatshme. Gjatë këtij mandati ne do ti shndërrojmë shkollat në qendra të fuqishme të përhapjes së shoqërisë së informacionit në komunitet.”
Kryeministri theksoi se në mandatin aktual del si detyre parësore për qeverinë ti japë shtysë zhvillimit të arsimit profesional, në mënyrë që të rejat dhe të rinjtë shqiptarë krahas shkollimit të marrin edhe aftësimin për tu punësuar në degë të ndryshme të ekonomisë dhe tu përshtaten kërkesave të saj.
“Në këtë kontekst kjo shkollë e re profesionale përbën një arritje jo vetëm për rrethin tuaj, por edhe për vendin. E themeluar me 6 degë shkolla ka potencial të madh për ti dyfishuar ato. Shkollat profesionale të vendit duhet të funksionojnë si shkolla të hapura për kualifikimin dhe rikualifikimin e punëtorëve. Gjatë këtij mandati ne synojmë të rrisim së paku me 10 % pjesëmarrjen e nxënësve në këto shkolla.
Gjatë këtij mandati ne synojmë që shkollat profesionale të vihen në shërbim të plotë të tregut të punës, të kualifikojnë , të rishkollojnë punonjësit që humbasin vendet e punës për ti përshtatur ata me vende të reja sipas kërkesave të tregut.”
Gjatë këtij mandati, vijoi kryeministri, qeveria ka si objektiv të mbikalojë standardin evropian, një student për 1000 banorë dhe kjo kërkon që në fund të mandatit Shqipëria të ketë mbi 150 mijë studentë në universitete e saj.
Duke theksuar rëndësinë e madhe të angazhimit të sektorit privat, në fushën e arsimit, Kryeministri garantoi se të gjithë afaristët dhe biznesmenët shqiptarë që do të investojnë në këtë fushë, do të vlerësohen dhe do të mbështeten fuqishëm nga qeveria. “Barra e shkollimit bëhet gjithnjë e më e madhe, detyrimet ndaj tij bëhen gjithnjë e më të mëdha. Vendi dhe shoqëria do të mund ta përballojnë me sukses të plotë vetëm duke gjetur të gjithë mekanizmat për të angazhuar tregun privat në fushën e arsimit. Ndaj dhe unë garantoj të gjithë afaristët shqiptarë, biznesin shqiptar se investime te tyre në fushë e arsimit do të vlerësohen shumë nga kjo qeveri, se ato do të mbështeten fuqishëm me stimuj fiskal dhe me mjete të tjera. Partneriteti publik, privat, në sektorin e arsimit është vendimtar për të ruajtur cilësinë dhe kapur standardet evropiane.”
Duke iu uruar nxënësve mësim të mbarë në shkollën e re, kryeministri i garantoi ata se në 4 vitet e ardhshme, shkollimi i tyre do të jetë përparësia më madhore e qeverisë.
Së bashku me kryeministrin Berisha në këtë aktivitet ishin të pranishëm, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, zoti Fatos Bejo, drejtues të pushtetit lokal të zonës, si dhe nxënës, mësues e prindër. Shkolla e mesme profesionale “26 marsi” e ndërtuar sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, me vlerë 83 milion lekë, ka 24 klasa dhe 170 nxënës.
Urimi i kryeparlamentares Topalli
Kryetarja e Kuvendit ndau sot gëzimin dhe emocionet e ditës së parë të shkollës më nxënësit e shkollës nëntë vjeçare “Misto Mame”, në Tiranë. Duke takuar e përshëndetur nxenësit dhe mësuesit e kësaj shkolle ajo e cilësoi këtë ditë
si më të rëndësishmen, në jetën e një të riu. Për Kryetaren e Kuvendit mësuesit meritojnë vetëm mirënjohje për misionin e tyre fisnik në edukimin e brezave të rinj.
Mësuesi tha ajo, ka rrezen më të gjatë të ndikimit dhe influencës në jetën e një njeriu, ndikim i cili asnjëri prej nesh nuk e di kur mbaron.
Në këtë ditë të parë të shkollës Kryetarja e Kuvendit u bëri nxënësve edhe një premtim.Do të bëjmë të pamundurën, tha ajo, që brenda një kohe të shkurtër, secili prej nxënësve çdo djalë, çdo vajzë të ketë kompjuterin e vet personal.
“Nuk ka shans më të madh sesa të jetosh në këtë periudhë në epokën e google, internetit dhe unë jam e sigurt se të gjithë ju lundroni pasdite në kompjuter, në shkollë e shtëpi, për të kërkuar informacione të pafundme.
Për një komb të vogël, për një vend që ka një histori të vështirë, për të rikoperuar kohën e humbur nuk ka gjë më të rëndësishme që secili prej jush të ketë një lap top të vetin” – tha Kryetarja e Kuvendit.
Më pas Kryetarja e Kuvendit sëbashku me Drejtoreshën e Drejtorisë Arsimore dhe drejtoreshën e shkollës hyri në klasat e nxënësve që u ulën sot për herë të parë
në bankat e shkollës.Ajo i uroj veçanërisht fëmijëve të vegjël suksese në mësime dhe mësuesve punë të mbarë në këtë vit të ri akademik.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi