Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Berisha: Pas raportit të OSBE, Rama të reflektojë për bojkotin

Shko poshtë

Berisha: Pas raportit të OSBE, Rama të reflektojë për bojkotin Empty Berisha: Pas raportit të OSBE, Rama të reflektojë për bojkotin

Mesazh nga Agim Gashi Tue Sep 15, 2009 1:09 pm

Berisha: Pas raportit të OSBE, Rama të reflektojë për bojkotin

Kryeministri: Ky raport është i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera në rajon dhe në Evropë


Berisha: Pas raportit të OSBE, Rama të reflektojë për bojkotin --berishaaa

Kreu i qeverisë ftoi kryetarin e Partisë Socialiste që të heqë dorë nga skenarët e trillimeve mbi zgjedhjet e 28 qershorit, por t`i shohë ato me objektivitet dhe t'i bashkohet vlerësimeve të raportit zyrtar të OSBE-ODIHR. "Dua të ftoj kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, të lexojë këtë raport, të heqë dorë nga skenarë virtualë, nga dhunimi i së vërtetës, nga shpikje dhe trillime. Kisha bindjen se, ky ka qenë numërimi më i shkëlqyer i këtij vendi, se përndryshe do të ishte e pamundur që të gjithë komisionerët e të gjitha forcave politike të firmosin të gjitha procesverbalet pa asnjë vërejtje. Përndryshe, do të ishte e pamundur që 7 anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të miratonin unanimisht mandatet për çdo qark", u shpreh kryeministri. Më tej, ai thekson se ndryshe nga eksperiencat e mëparshme, në këto zgjedhje për herë të parë asnjë media e pavarur nuk raportoi parregullsi gjatë procesit për shkak të standardeve që ishin implementuar. Kryeministri vlerësoi se, në këto zgjedhje vetë media u faktoi shqiptarëve ecurinë e një votimi të qetë dhe normal. "I them zotit Rama, çfarë do të mund të vinte në verbëri dhe shurdhëri, mediat e pavarura shqiptare, të cilat kanë luajtur një rol parësor në denoncimin e të gjitha parregullsive në të gjitha zgjedhjet e shkuara. Kurse në këto zgjedhje ato u faktuan shqiptarëve votimin më të qetë më të mirë në historinë e tyre", vijoi më tej kryeministri. Në vijim, kryeministri shprehu bindjen se, raporti i OSBE duhet ta bëjë kreun e PS, Rama, që të reflektojë për bojkotin e Parlamentit, pasi deputetët socialistë e kanë vendin e tyre në Kuvend. Më tej, kryeministri reagoi edhe për deklaratat e Ramës ndaj lirimit të burgosurve për të votuar në ditën e zgjedhjeve, duke theksuar se kjo është një e drejtë e tyre lejgitime. Kryeministri tha se në zgjedhjet e 2005, vetë PS ka liruar nga burgu 200 të burgosur për të votuar, por PD në mënyrë absolute nuk ka mbajtur asnjë qëndrim kundër këtij vendimi. "Shpresoj se ky raport ta bindë zotin Rama, vendi i deputetëve të partisë së tij është në Parlament. Të heqë dora nga krijesa, ka gjashtë javë që merret me të burgosur që janë lejuar të votojnë pranë familjeve të tyre. E dini se në zgjedhjet e 2005 mbi 200 të burgosur janë liruar, kanë shkuar në shtëpitë e tyre, me firmën e burrit të kreut të listës së PS. Kush është kreu i listës, ju e gjeni vet, jo Rama, por zonja Hysi. Po pra me firmën e saj. Absolutisht, ne kemi reaguar vetëm për një rast në Pogradec dhe nuk kemi ndërhyrë. Ka një procedurë, dhe ata lejohen në raste të tilla, festa, Krishtlindje, Bajram, është normale. Siç e shihni, ky është një vlerësim i merituar për qytetarët shqiptarë. Shqipëria, zgjedhjet e lira dhe të ndershme në të cilat çdo votë kushton, çdo votë numërohet dhe s`ka se si të manipulohet rezultati i tyre. Qeveria ime në 2007, pavarësisht nga vlerësimet jo pozitive të OSBE-ODIHR, një gjë u tha qartë, nuk ka ndërhyrje në rezultatin e zgjedhjeve", vlerësoi kryeministri.
Shqipëria zhvilloi për herë të parë zgjedhje të lira dhe të ndershme
Kryeministri Berisha vlerësoi dje, se për herë të parë Shqipëria zhvilloi zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku vota e çdo shqiptari dhe vullneti i popullit u respektua, duke mos u raportuar asnjë provë për manipulim. Përmes një konference për shtyp, vetëm pak orë pas publikimit zyrtar të raportit final të OSBE-ODIHR, kryeministri Berisha vlerësoi se, ky raport mbart një vërtetësi të madhe mbi arritjen e standardeve në vend të pa evidentuara më parë. Duke shprehur mirënjohjen e tij për përfaqësinë e OSBE në të gjithë Europën, kreu i ekzekutivit shqiptar theksoi se, raporti final i kësaj organizate nis me një vlerësim pozitiv për zgjedhjet e 28 qershorit, duke cilësuar arritjen e një progresi të qartë sa i përket rregjistrimit të zgjedhësve, procesin e identifikimit të tyre, votimin, numërimin dhe shqyrtimin e ankesave. "Para se të bëj komentet e mia, dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë, OSBE-së, zyrës së saj në Tiranë, zyrës së saj në Varshavë, Vjenë, Asamblesë Parlamentare, ODIHR-it, por dhe të gjithë vendeve që dërguan një numër të madh vëzhguesish në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ky raport dinjitoz, raporti i OSBE-ODIHR karakterizohet nga një vërtetësi e madhe, nga një vlerësim objektiv. Në fillim të këtij raporti theksohet se, zgjedhjet shënuan progres rrënjësor në lidhje me rregjistrimin e zgjedhësve, procesin e identifikimit të tyre, votimin, numërimin dhe shqyrtimin e ankesave", u shpreh kryeministri. Më tej, ai vlerësoi se, raporti thekson se, zgjedhjet përmbushën shumicën e zotimeve të OSBE-ODIHR, dhe ajo çka është më kapitale thekson se nuk ka patur prova, për numërim të parregullt apo manipulim të rezultateve. Duke iu referuar raportit, kryeministri konstatoi të gjitha përparimet e bëra me infrastrukturën ultra-moderne, listat e zgjedhësve, letërnjoftimet biometrike. Ndër të tjera, kreu i qeverisë theksoi se, në raport evidentohet progresi i madh në përzgjedhjen konsensuale, përgjegjshmëria dhe transparenca e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. "Edhe njëherë dua të ritheksoj, se raporti shkruan që nuk pati asnjë provë për numërim të parregullt apo manipulim të rezultatit. Ky është raporti më i mirë që është lëshuar për zgjedhjet në Shqipëri. Ky raport është i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera në rajon dhe në Europë. Natyrisht, raporti evidenton një seri dobësish dhe të metash, shprehet qartë se këto zgjedhje nuk shfrytëzuan plotësisht potencialet e Shqipërisë për t'iu bashkuar standardeve më të larta për zgjedhjet demokratike. Standardet më të larta, kuptohet që janë për t'u përcaktuar si objektiv, por duhet kohë për të arritur lartësinë maksimale. Lartësia maksimale arrihet nga një grup i vogël vendesh", tha kryeministri.
Rekomandimet e OSBE-ODIHR do të adresohen në programin e qeverisë
Krahas vlerësimit të arritjes së një sërë standardesh të rëndësishme për zgjedhjet e 28 qershorit, kryeministri u ndal edhe tek evidentimi i disa të metave që OSBE-ODIHR ka evidentuar në raportin e saj final. Në këtë drejtim, kryeministri ka theksuar se të gjitha vërejtjet e bëra do t'i adresohen programit të qeverisë për t'i dhënë kështu përgjigjen më të mirë në zgjedhjet që do të vijnë. Megjithatë, kryeministri theksoi se raporti i OSBE për këto zgjedhje i jep fund konstatimeve të errëta për zgjedhjet në Shqipëri siç ka ndodhur në vitet e kaluara. Kështu, kryeministri përmendi raportin për zgjedhjet e vitit 2001, ku procesi u cilësua i tejzgjatur dhe me shkelje serioze të gjitha etapat e tij. "Raporti evidenton dhe një seri të metash dhe problemesh, të cilat do të adresohen me seriozitetin më të madh në programin e qeverisë sime, do të konsiderohen një për një për t'i dhënë përgjigjen më të mirë. Po lexoj raportin e vitit 2001, i cili thotë se procesi zgjedhor ishte i tejzgjatur, konfliktual, i pasigurtë, i fragmentuar. Megjithëse vlerësimi fillestar ishte më pozitiv, pas raundit të parë të votimit, procesi zgjedhor i tejzgjatur si dhe shkeljet e përsëritura dhe gjithnjë më serioze në raunde të tjera të zgjedhjeve. Menjëherë pas përfundimit të procesit, opozita paraqiti fakte thelbësore rreth këtyre shkeljeve, OSBE-ODIHR. Në vitin 2005, raporti thekson se zgjedhjet përputhen vetëm pjesërisht, me angazhimet e OSBE-ODIHR. Siç e shihni një qëllim madhor u realizua. Shqipëria nuk është më delja e zezë e Ballkanit, për zgjedhje jo të mira. Pra, duke falenderuar për punën dhe vlerësimin objektiv që kanë bërë, i garantoj këto institucione se qeveria ime do të marrë me seriozitetin më të madh të gjithë sugjerimet, vërejtjet dhe rekomandimet e bëra", u shpreh kryeministri.
Zgjedhjet u zhvilluan në lartësinë e ligjit
Duke iu referuar pikërisht raportit të OSBE-ODIHR, kryeministri vlerësoi se zgjedhjet e 28 qershorit u zhvilluan në lartësinë e plotë të ligjit. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë theksoi se, për herë të parë nuk është evidentuar asnjë ndërhyrje nga policia apo nga shërbimet e fshehta, sepse gjatë procesit nuk u konstatuan incidente. "Ky është raporti i parë në këtë vend, ku nuk shqiptohet për asnjë herë të vetme fjala polici apo shërbim i fshehtë. Jo sepse ato kanë qenë në lartësinë e ligjit. Nuk thuhet se u mbimbushën kutitë. Këtu kutitë kanë me votat që duhet të ishin", u shpreh kryeministri. Ndër të tjera, ai shprehu mirënjohjen e tij ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë, që morën pjesë në këto zgjedhje. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij edhe për vëzhguesit ndërkombëtarë si dhe angazhimin e tyre për të qenë të pranishëm gjatë gjithë procesit zgjedhor. Në fund të fjalës së tij, kryeministri shprehu garancinë e qeverisë, por edhe të Partisë Dmeokratike njëkohësisht për të punuar me eliminimin e problematikës që është evidentuar në këto zgjedhje. "Le të falenderojmë edhe njëherë shqiptarët, miqtë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, për nderin e madh që na bënë, misionin për vlerësimin objektiv të këtyre zgjedhjeve, evidentimin e progresit thelbësor, por edhe të defekteve dhe të metave, tensioneve partiake. Por të kesh një kundërshtarë si ai, e kuptoni vetë të ketë apo të mos ketë tensione. Ajo që mbetet është të shoh, cilat janë problemet që i përkasin qeverisë dhe Partisë Demokratike për t'i zgjidhur, në mënyrë që ato të mos përsëriten më", u shpreh kryeministri.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi