Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kujtim Agalliu: Busti (Tregim)

Shko poshtë

Kujtim Agalliu: Busti (Tregim) Empty Kujtim Agalliu: Busti (Tregim)

Mesazh nga Agim Gashi Tue Sep 15, 2009 11:51 pm


Tregim

Nga Kujtim Agalliu

B U S T I

Nuk di ç’të them, por këto kohët e fundit më kishte pushtuar një delir madhështie që nuk e pata përjetuar kurrë më parë. Dhe kjo gjendje shpirtërore shpjegohej kështu:
Një jetë të tërë kisha që merresha me krijimtari letrare. Kisha bërë një emër goxha të mirë dhe kisha arsye për të qenë krenarë. Më mbushej shpirti me vrer kur shihja e dëgjoja se, kudo, nëpër takime shokësh e miqsh emri im vendosej në fund të listës, pa thënë një fjalë të mirë për veprën time. Këtë qëndrim nuk kisha se si ta shpjegoja ndryshe vetëm me ambiciet që ekzistonin te njëri-tjetri për të qenë secili më i vlerësuar se tjetri. Sekush lufton për meritat e tij, t’i lartësojë e t’i ngreh ato në qiell.
Ka nga ata që janë mjeshtër në këso punë dhe dinë e i stërhollojnë kaq bukur të ashtuquajturat merita të tyre sa nuk u bën dot ballë një njeri si unë, që jam mësuar të jem gjithmonë në fund. Madje, ka nga ata, të cilët, që tani me gjalljen e tyre, shfaqin pretendimin për bustin që do t’u ngrihet pas vdekjes së tyre. Dhe janë kaq optimist në parashikimet e tyre saqë për një çast ky të duket një realitet. Dhe nuk janë të paktë. Nga një llogari që bëra një ditë, pasi dëgjova jo rastësisht disa nga pretenduesit, më dilte që e gjithë gjatësia e murit të Kalasë, ku pretendohej se do të ngriheshin bustet, nuk mjaftonte për të gjithë. Kjo llogari e ky mendim filloi të më brejë çdo ditë nga një pjesë të qetësisë sime dhe erdhi çasti që kjo ndjenjë të më kthehej në një makth të vërtetë. Duke e ndjerë pozitën time inferiore në këtë qytet, ku isha i ardhur, dhe duke parë se lufta e gjithsecilit për të ngritur meritat tij para shokut koleg po bëhej çdo ditë edhe më e ashpër, filloi të më mundoj edhe mua mendimi se, ç’do të bëhej pas vdekjes sime? A do të më vlerësonin ata që do të vinin pas nesh ashtu siç e meritoja apo do të më linin të varrosesha për të dytën herë nga pluhuri i harresës, që do të zhdukte të gjitha përpjekjet e mia për të lënë pas krijimtarinë letrare dhe punën e lodhshme të viteve me radhë. Nuk mund të pajtohesha me këtë mosvlerësim dhe dyshimi se edhe mund të mos më përmendte askush më vonë më plagoste shpirtin. Duhet të bëja diçka se isha gjallë dhe t’i dilja zot vetes se ndryshe e mori ferra uratën. Me këtë luftë të ashpër që zhvillohej çdo ditë para syve të mi, zor se mund të ma varte njeri kur të kisha mbyllur sytë përjetësisht. Mendimet dhe dyshimi për të ardhmen nguliti në ndërgjegjen time edhe një veti tjetër tek unë, dinakërinë. Fillova të bëhem dinak dhe në heshtje përpunoja planin se, të gjithë këta që po më zinin frymën me mburrjet e tyre, një ditë, papandehur, do t’i lija me gojë hapur. Të vija në jetë planin tim, pa në e meritoja apo jo lavdinë, le ta vendosnin ata që do të vinin dhe jo këta që më shurdhojnë veshtë çdo ditë nëpër kafenetë e qytetit.
Dhe ja se ç’bëra, vendosa të porosisë një bust për vete sa jam ende gjallë. Por kur trokita në studion e skulptorit ai më pyeti: “Mos të ka vdekur ndonjë i afërt? Për cilin e do bustin?” “Pse po të jesh i gjallë nuk bëhen buste? Për vete e dua dhe jo për tjetër njeri.” Ai kapsalliti sytë dhe i menduar tha: “Mirë, mirë, nuk ka ndonjë të keqe xhanëm...por ne jemi mësuar të bëjmë buste për në varreza dhe ky rasti yt është paksa i veçantë.” “Ja, që ka dhe raste të tilla, i thashë, prandaj mos e vra mendjen po eja të bëjmë pazarin.” Mezi ramë në ujdi sepse unë kisha dëshirë ta bëja prej bronxi, por ai më kërkoi një çmim që nuk e gëlltisja dot: tre milion e pesëqind e pesëdhjetë mijë lekë të reja. Nuk kisha këllqe ta përballoja këtë prandaj desha s’desha rashë dakord ta bëja prej allçie. U morëm vesh që ta bënte për dyqind e shtatëdhjetë e pesë mijë lekë dhe ato t’ia jepja me këste. I dhashë paradhënien, lamë afatin kur do ta shihja punën e të jepja pëlqimin për cilësinë e saj dhe pasi u përshëndeta u largova.
Tani që hapin e parë e hodha, fillova t’i studioj me hollësi veprimet që do të pasonin. Që të nesërmen, bëja si bëja, me marifet shkëputesha nga shokët dhe filloja ta eksploroja vendin ku mendoja se në të ardhmen do të mbushej me bustet e njerëzve të shquar të qytetit tim. Por këtu më dolën andralla që nuk i kisha parashikuar kur ia hyra kësaj pune. E para e punës më duhej një listë e të gjithë krijuesve dhe artistëve, që mendoja se do të viheshin në piedestal ose së paku të mbështetesha në pretendimet e atyre që kisha dëgjuar nëpër tavolinat e bisedave për ditë, muaj e vite me radhë.
Qyteti ynë është me të vërtetë një shtrat i begatë për zhvillimin e kulturës dhe të arteve. Për rrjedhojë dhe numri i krijuesve dhe i atyre që i japin tonin jetës kulturore e artistike atij është relativisht i madh. Natyrisht, jo të gjithë do të futen në panteonin e lavdisë, por për këtë nuk mund të flasë me përgjegjësi e të përzgjedh. Ata, duke më përfshirë edhe mua, i përcakton dhe seleksionon koha, por kjo kohë kush e di se kur vjen, prandaj secili përpiqet me gjallje t’i sigurojë vetes një vend nderi. Sigurisht kjo nuk është e lehtë se më të zellshmit nuk lënë rast e sebep pa hedhur baltë mbi të tjerët. Një si luftë e nëndheshme e ka përpirë secilin, kush më pak e kush më shumë, por mua kjo nuk më intereson. Unë eci me llogarinë time dhe ja se si më del:
Nga Një Maji, ku fillon muri i Kalasë deri pranë rrugës së Blirëve së paku janë pesëqind metra gjatësi. Po ta ndajmë për pesë metra largësi bustin nga busti na del që aty të vendosen (sigurisht kur të vijë koha(!)) njëqind të tillë. Mirëpo, sipas shijeve të mia, kjo do ta bënte pak të mbingarkuar rrëzën e murit dhe në vend që t’iu kënaqte sytë kalimtarëve do t’i bezdiste ata. Atëherë bëjmë një llogari tjetër. Sa pretendojnë tani për tani që nesër të vendosen në piedestal? Afërsisht sipas atyre që kam dëgjuar bëhen nja njëzetë e tre vetë. Mirë, por tani na del një problem tjetër. Si do të jetë radha e vendosjes? A do t’i vendosin sipas moshës e aktivitetit të tyre apo sipas e vlerave artistik e numrit të veprave të shkruara? Këtë nuk e di me saktësi, por për artin rëndësi ka vlera e tij dhe jo mosha e krijuesit. Ja, për shembull Migjeni nuk u plak kurrë, por ama la emër pas, po kështu edhe Esenini, Pushkini, Orhan Veli e shumë të tjerë, nuk arritën ta kalojnë moshën mesatare të burrit, por ama mbetën. Po te shkrimtarët e poetët e qytetit tonë si do të veprohej? Mirë, po bëj një ndarje të supozuar sipas arsyetimit tim: po e filloj nga mosha dhe koha e gjatë e aktivitetit të secilit. Dreq, përsëri më doli një tjetër problem. Po kush do të vendoset në krye të radhës, poeti apo prozatori? Artisti apo piktori? Hë, jepi përgjigje kësaj pyetje! E thjeshtë të duket, por edhe ca e vështirë është.
Ja, kështu, dita më ditë rrekesha në mendime dhe kjo sëmundje po më kthehej në kronike. Çdo ditë, para se të shkoja të pija kafenë e mëngjesit, ecja si i përhumbur për rrezë murit ballor të Kalasë, duke bërë e zhbërë llogari të pafundme. Unë që i njihja të gjithë pa përjashtim dhe i dija përmendsh meritat e gjithsecilit edhe mund të mos e zgjasja shumë e t’i vendosja bustet e supozuar sipas mendjes sime, por po ta dëgjonin e merrnin veshë mendimin tim, o Zot, sa do të më urrenin. Secili në vetvete pretendonte të ishte atje, në ballë, ku do të fillonte radha e busteve të përjetësisë. Njëherë mendova ta bëja këtë përzgjedhje me letër me vrimë, por hoqa dorë nga kjo marrëzi, siç e quajta më vonë. I dhashë karar të bëja këtë ndarje vendesh sipas mënyrës sime. Madje, përgatita edhe një listë që e mbajta të fshehtë qoftë edhe ndaj mikut tim më të ngushtë.
Ja, kush ishte lista: Vendin e parë do t’ia blatoja shkrimtarit tonë të nderuar zotit Niko Cingoja, që ka realizuar dymbëdhjetë kryevepra dhe po përgatit të trembëdhjetën me prozë të përzgjedhur. Mendoj se e meriton, edhe pse ende nuk ia kanë aprovuar një pension suplementar. Të dytin, mendoja, t’ia linim një piktori, zotit Xhelil Zala, sigurisht për të thyer monotoninë. Mendoj se edhe ai e meriton. Pastaj një poeteje të shquar që sapo nxori nga shtypi vëllimin e saj poetik të përzgjedhur. Pastaj...pastaj përsëri një prozatoreje mjaft prodhimtare, zonjës Mellani Himça, përsëri një poet, sepse ka më shumë të tillë se në zhanret e tjera, që ka botuar mbi dyzet libra me poezi dhe është i njohur kudo në Ballkan e diasporë...pastaj...pastaj, pasi futa edhe nja dy prozatorë të mirëfilltë, listën e përfundova te poeti shumë premtues Sokol Kosharja.
Po për vete? Hë, ja ku dolëm në shteg. Unë nuk kam mendjen e tyre e të presë gjersa të vdes e të më vendosin bust. Ja, këtu qëndron dinakëria ime dhe sfida që do t’iu bëj të gjithëve.
Thashë që, ndërsa bëja këto llogari e masja e stërmasja me hapa çdo mëngjes rrëzën e Kalasë, për vete zgjodha një qoshe që nuk binte fort në sy, por që më vonë do ta kërkonin me flori e nuk do t’ua jepnin. Bustin tim mendova ta vendos paralel me rrugën e Blirëve, në rrëzë të bar-bufes së Fakes. Vend ideal dhe i fshehtë. Kur të vinte koha, busti do të dilte në pah, madhështorë e i përkorë, para kalimtarëve dhe sidomos studentëve që venin e vinin nëpër këtë rrugë nga mëngjesi në darkë. Pastaj, a nuk isha edhe unë një tip që nuk bija në sy dhe i heshtur përpara debateve të miqve të mi për lavdinë që na priste të gjithëve pas vdekjes? Pra, ashtu siç kisha tipin bëra edhe zgjedhjen time. Mënjanë, në qoshe dhe i heshtur, por me të vetmin ndryshim: shumë kohë më parë se pretendentëve t’u vinte radha.
Busti ishte në përfundim. E pashë. Më pëlqeu me thënë të vërtetën, se më tregonte disi buçko, ndryshe nga pamja ime e brishtë e delikate. Ja, kështu, dukesha goxha burrë plot vitalitet e me ballë të mbushur plot frymëzim. Skulptori i varrezave e kishte qarë artin e tij (mbase edhe atij i takonte një vend nderi pas vdekjes). Paçka se edhe ngjaja edhe jo. Po ku do ta dinin brezat që do të vinin se burri i paktë e kokëshogët i sotëm ishte ky përpara tyre i derdhur në bust allçie?
Për ta vendosur bustin tim prita sa të vinte koha e zgjedhjeve të reja lokale, që askush të mos ta kishte mendjen te surpriza që po u përgatisja. Jo pa qëllim e prisja këtë kohë zgjedhjesh. Vendosja e bustit do të bëhej ilegale dhe pa rënë në sy. Kur të ishte realizuar qëllimi le ta merrni vesh të gjithë po të donin. Atëherë askush nuk do të guxonte të ngrinte zërin e të ankohej për këtë bust që mbiu pa pritur e pa kujtuar aty në qoshe, pranë bar-bufesë së Fakes. Nuk ngutesha por, si gjithmonë i matur, prita ditën e bekuar, siç e quajta me krenari. Pushtetarët e rinj do të mendonin se e kanë vendosur të vjetrit, të vjetrit se ky mund të ishte ndonjë angazhim i të rinjve e kështu, hidh e prit, e vërteta do të zgjaste shumë për t’u zbuluar dhe hamendjet e dyshimet do të fashiteshin, ndërsa busti im do të ngrihej madhështor dhe do të kënaqte vështrimet e klientëve të kafenesë dhe të studentëve që gëlonin nëpër rrugën e Blirëve.
Dhe dita e shumëpritur erdhi. Porosita nja dy punëtorë te sheshi i të papunëve dhe pasi rashë dakord për pagën dhe orën kur do të fillonin punën, ika të qetësohem në shtëpi. Më kishin pushtuar emocionet. E nesërmja do ta gjente bustin tim bash në vendin që kisha zgjedhur.
Parashikimet e mia dolën qind për qind (kjo ma shtonte bindjen se jam njeri me cilësi të veçanta). Njerëzit vërshonin rrugëve duke bërë tifozëri për kandidatin e tyre të preferuar. Qendrat e numërimit të votave ishin kthyer në arenë gladiatorësh. Situatë më të favorshme zor se gjeje. Ende pa u errur mirë, mbyllur e pa mbyllur mirë bar-bufeja e Fakes, pas dy orësh, punëtorët e bënë bazamentin e bustit, pritën sa ngriu pak çimentoja, dhe e vendosën atë shpejt e shpejt.
E nesërmja e gjeti bustin në vendin e duhur nën shkëlqimin e rrezeve të diellit. Zura një vend në kafene dhe porosita një teke raki. Shikoja bustin e bardhë që shkëlqente nën rrezet e diellit mëngjesor dhe brenda meje ngazëllimi ma shqyente gjoksin. Sa bukur, sa madhështor që më dukej. “Ja, mendoja me vete, përjetësia ime, pavdekësia, tek më lëbyrë sytë me bukurinë dhe bardhësinë e saj.” Kinse tregohesha i pavëmendshëm dhe i vërtitja sytë, herë aty e herë atje, por në të vërtet e bridhja sa e bridhja shikimin vërdall dhe përsëri e ngulja te busti im. Askujt nuk i vinte në mendje ato çaste se pikërisht ai bust i bardhë i punuar me aq shije nga skulptori mjeshtër i varrezave ishte i imi. Njerëzit kalonin ngeshëm në rrugën e Blirëve, ndalnin këmbët dhe vështronin të topitur bustin. Ngrinin supet sikur të thoshin “Po ky nga na mbiu!?” dhe vazhdonin rrugën. Edhe pronari i bar-bufesë, Fakja, doli në verandë dhe e dëgjova kur tha si me vete: “Edhe këtë kishim mangët!”, pa e ditur se komshija i ri, i derdhur në allçi, isha unë. Por unë nuk u ofendova se, të jemi realist, kjo e papritur do ta shtangte cilindo, jo vetëm Faken.
Kalimtarët, klientët e kafenesë dhe kamerierët u mësuan me këtë pamje të re dhe askush nuk e vrau mendjen të dinte, të pyeste apo të mësonte ndonjë të re se si mbiu papritur e papandehur ky bust këtu në rrëzë të mureve lindore të Kalasë. I interesuar për reagimin e njerëzve isha unë që ndërrova edhe zakon. Tani i kisha braktisur shokët e përditshëm dhe kafenë e pija këtu çdo mëngjes. Madje, nuk më bëhej të ikja e nuk ngopesha duke parë përjetësinë time. “S’ka problem, thosha me vete, tani ky duket si diçka e parëndësishme, por...por nesër kur të mos jemi më, dikush do të interesohet për të, do të dijë se pse është ngulur aty, i urtë, i bardhë e i pagojë. Ai ose ajo, do të lexojë emrin e atij, të cilit i dedikohet, do të bëhet kureshtar a kureshtare të mësojë për jetën e heroit dhe ja, kur befas para tyre shfaqem unë dhe vepra ime. Do të rrëmojnë nëpër raftet e pluhurosur të bibliotekave të gjejnë ndonjë libër timin (në gjetshin!) dhe do të interesohen të më integrojnë në shoqërinë e asaj kohe si një njeri që i ka dhënë vlera qytetit dhe kombit të tij.” Ndërsa tjerrja këto mendime me mendjen time, një klient pasi doli nga bar-bufeja me këmbët që i kalamendeshin u drejtua andej nga ndodhej busti. I ra rrotull për disa minuta, sikur të donte ta kundronte me vëmendje dhe të zbulonte vlerat, të fshehtën dhe artistin që e kishte derdhur këtë kryevepër, u fsheh pas tij dhe...pasi zbërtheu zinxhirin e pantallonave... filloi të shurrojë. Tek rrija me gotën e rakisë pranë buzëve, m’u duk sikur po pija helm në vend të saj.
Për herë të parë pas kaq ditësh fillova të mendoj seriozisht: “Mos kisha bërë gabim që ia kisha ngritur para kohe bustin vetes sime?”

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi