Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Granit Zela: Vëllai i Nënë Terezës, kapiten i Mbretit Zog

Shko poshtë

Granit Zela: Vëllai i Nënë Terezës, kapiten i Mbretit Zog Empty Granit Zela: Vëllai i Nënë Terezës, kapiten i Mbretit Zog

Mesazh nga Agim Gashi Tue Sep 15, 2009 11:55 pm

Granit Zela: Vëllai i Nënë Terezës, kapiten i Mbretit Zog U1_NeneTereza
Vëllai i Nënë Terezës, kapiten i Mbretit Zog

Nga Granit Zela

Në përvjetorin e Armës së Artilerisë, përherë kur bëhet “apeli” i nderit, krenarisë dhe dinjitetit, nuk mungon gjithashtu edhe një emër: emri i Kapitenit Lazar Bojaxhiu

Arma e Artilerisë së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare ka një traditë të hershme. Përpjekjet e para lidhen me Shkollën e parë të Artilerisë që themeloi Ali Pashë Tepelena afër Janinës para dy shekujsh. Arma e Artilerisë pati në radhët e saj shumë emra të njohur dhe njëri ndër ta ishte dhe vëllai i Nënë Terezës, Lazar Bojaxhiu.

Lazar Bojaxhiu lindi më 24 gusht 1908 dhe në moshë të re iu akordua një bursë si jetim nga qeveria shqiptare e kohës, për të studiuar në Shkollën Ushtarake të Modenës. Dokumentacioni i gjetur në arkiva na tregon që Lazar Bojaxhiu ishte 20 vjeç kur veshi uniformën e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Ai u diplomua oficer në 26 maj 1928, tre muaj para se Shqipëria të shpallej mbretëri. Në vitin 1933, Lazar Bojaxhiu pati profesionin e artiljerit në komandën e parë pozicionale të artilerisë.

Sipas dokumentacionit të gjetu në Listat e Shkallëzimit të Oficerëve të Artilerisë së Mbretërisë në datë 21 janar (kallunder), 1933, Lazari ka qenë në shërbim të përhershëm ushtarak në Armën e Artilerisë. Në vitin 1933 ai ishte nëntoger, por të dhënat tregojnë se më pas do të shkonte deri në gradën “kapiten artilerie”

Në këtë periudhë e gjithë artileria shqiptare e Mbretërisë së Mbretit Zog kishte katër kapitenë të parë, 1 kapiten të dytë, 2 togerë, 23 nëntogerë si dhe 40 aspirantë. Gjeneralë të Ushtrisë Shqiptare në këtë periudhë ishin Xhemal Araniotasi, Gustav Von Myrdach dhe Leon De Ghilardi. Në total ushtria e Zogut kishte vetëm 617 ushtarakë të të gjitha gradave, ndërkohë që kapaciteti maksimal në ushtarakë me grada nuk shkonte më shumë se 900 vetë.

Më 1 shtator 1928, kur Zogu i Parë u shpall mbret, Lazari shërbeu si oficer i tij. Për këtë, ai i shkroi me krenari Nënë Terezës për t’ i thënë se po shërbente në ushtrinë e Mbretit të shqiptarëve. Nënë Tereza, duke shprehur përkushtimin e saj ndaj besimit, i shkroi duke iu përgjigjur se ndërsa ai po i shërbente mbretit të një popullsie dymilionëshe, ajo po i shërbente mbretit të të gjithë botës.

Kualifikime të shumta bënë të mundur që Kapiten Bojaxhiu, sikurse shumë të tjerë, të dërgohej të shërbente në ushtrinë italiane si oficer artilerie. Nuk deshi kurrë të hiqte dorë nga nënshtetësia shqiptare dhe kjo ndikoi në vendimin e tij për të hequr dorë nga ushtria. Në Shqipëri nuk mund të kthehej, sepse pas vendosjes së regjimit komunist, u ngrit padi ndaj tij si “tradhtar” dhe u dënua me vdekje.

Kapiten Bojaxhiu, gjatë vizitës së saj të parë në Romë, takoi Nënë Terezën, për herë të parë pas tridhjetë e një vjetësh. E bija e Lazarit, të cilën ai e quajti Age, kujton takimin e të atit me Nënë Terezën. “Babai dhe nëna flisnin pa pushim shqip”, - kujton ajo. “Halla tani ishte bërë e famshme, por babai e trajtonte si një motër të vogël. I bëri përshtypje që e pa ashtu të mplakur. Puna kishte lënë shenjat e veta. Ajo kishte kaluar një jetë me shumë lodhje dhe mundime”.

Nënë Tereza, tashmë me një jetë të shenjtëruar, kishte vajtur në Itali, me dëshirën për të takuar të ëmën dhe motrën që jetonin në Shqipëri, por që nuk u lejohej të dilnin jashtë vendit, pasi në Shqipëri kishte një regjim të egër komunist.

Aty kah fillimi i viteve ‘70, kohë kur Nënë Tereza mësoi për sëmundjen e nënës së saj, ajo i dendësoi përpjekjet për t’iu dhënë mundësia që të vizitonte vendin e saj. Shkoi të takonte atasheun e ambasadës shqiptare në Romë me shpresë që të paktën do të lejoheshin që e ëma dhe e motra të iknin nga Shqipëria. “Kur Nënë Tereza po dilte prej ambasade, - shkruan Dom Lush Gjergji në librin “Nënë Tereza Jonë”, - për herë të parë në jetë e pashë t’i shkonin lot nëpër faqe. U ndal, drejtoi sytë kah qielli dhe tha: “O Zot, unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuejtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron asgjë tjetër përpos të na shohë edhe një herë”.

Përgjigjja që Nënë Tereza mori nga shteti shqiptar për kërkesën e saj, që t’u jepej të ëmës dhe motrës vizë për në Itali, ishte e prerë: “Drane dhe Age Bojaxhiu nuk janë në gjendje fizike të ndërmarrin një udhëtim jashtë shtetit”. “Gënjeshtër”, - kishte komentuar Lazari. “Sëmundja e vetme e nënës dhe Ages quhet vetmi dhe dëshpërim. Janë të varrosura për së gjalli”, - kishte thënë ai.

Pasi nuk pati sukses në ambasadë, Nënë Tereza nuk rreshti përpjekjet për të nxjerrë të ëmën dhe të motrën nga Shqipëria. Për këtë çështje, ajo kërkoi ndihmën e shumë personaliteteve botërore, si të J. F. Kennedy-t, President i SHBA-së, De Golit, President i Francës, Indira Gandit, Kryeministre e Indisë, por pa sukses. “Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju”, - i shkruante të ëmës dhe të motrës Nënë Tereza, pasi pa se ëndrra e saj e kahershme për t’i takuar po shuhej.

Me babain e varrosur në Shkup, Lazarin që kishte mbetur në Itali, Nënë Terezën në Indi dhe Dranen dhe Agen në Shqipëri, familja e Bojaxhinjve e shpërndarë në katër shtete, jetonte si në një baladë tragjike, ku të gjallët e të vdekurit, duke dëgjuar thirrjen e gjakut, kërkojnë, por nuk munden të takojnë njëri-tjetrin.

Mirëpo kur gazetarët e shtypit botëror i bënin pyetje për familjen e saj, ndërkohë që shtypi shqiptar as që e përmendte asfare emrin e kësaj shenjtoreje të pashoqe, Nënë Tereza jepte gjithmonë përgjigje të prera, duke iu shmangur kësisoj çdo hollësie që kishte të bënte me familjen e saj, për të fshehur dhimbshëm misterin e një drame familjare, që mbeti pengu i përjetshëm i saj.

Kjo dramë lidhej me faktin se ajo, e mbetur jetime qysh në moshën tetëvjeçare, nuk mundi të shihte kurrë më nënën e motrën e vet, ngase ato jetonin në Shqipëri, vendin e vetëm në botë ku ateizmi ishte sanksionuar me kushtetutë dhe vendet e kultit ishin kthyer në muze, kinema, ndërsa klerikët persekutoheshin e burgoseshin. Nënë Tereza kishte frikën e tyre, pasi ajo e dinte fort mirë se ndërsa jetonin në Tiranë, ato mbaheshin nën mbikëqyrje, sepse ishin farefisi i Lazar Bojaxhiut, një refugjat në Itali, i dënuar me vdekje në mungesë nga shteti shqiptar, si dhe Gonxhe Bojaxhiut, një murgeshe e njohur në botë me emrin Nënë Tereza e Kalkutës.

E megjithatë, Nënë Tereza nuk shprehej kurrë publikisht për këtë, ashtu siç nuk komentonte vrasjen e të atit, për të cilin ajo deklaroi se “kishte vdekur papritur në moshën 46-vjeçare”, pasi kjo ngjarje kishte të bënte me rrethana politike, ndërkohë që ajo, duke qenë një besimtare e devotshme, nuk merrej kurrë me politikë.

Mirëpo Lazari, ish-ushtarak i ushtrisë së Mbretit Zog, kishte një natyrë krejt tjetër dhe në Stokholm, kur vajti për të shoqëruar Nënë Terezën për marrjen e çmimit “Nobel”, deklaroi përpara gazetarëve se vdekja e babait të tij kishte qenë “një helmim për arsye politike”, sepse babai i tij, Kolë Bojaxhiu, ishte një nacionalist”.

Kreu i familjes Bojaxhiu, Nikolla, ishte përzier me politikë dhe luftonte për të drejtat e popullit të Kosovës. Në vitin 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë, në shtëpinë e tij, për të festuar këtë ngjarje, ishin edhe patriotët shqiptarë Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe Sabri Qyteza. Ai ishte një sipërmarrës i suksesshëm ndërtimesh dhe gëzonte edhe përkrahjen morale të popullit.

Mbrëmjen e ceremonisë së “Nobelit” ai ishte gati të rrëfente për gazetarët se si ata nuk lejoheshin nga regjimi komunist shqiptar të shihnin nënën e motrën e tyre, por ishte bllokuar nga buzëqeshja e Nënë Terezës. “Dashunija, duhet ta keni gjithmonë parasysh, don me thanë mbi të gjitha me dijtë me falun”, - thoshte ajo.

Por, ato që nuk i tha atë mbrëmje, Lazar Bojaxhiu i tha vite më vonë për të treguar se motra e vogël, e përulur, ajo e cila u pati ardhur në ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u ka dhënë dashuri dhe solidaritet aq njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndronte mbi krye të shtratit të vdekjes nënës së vet. Dhe ajo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar, duke shtrënguar në kraharor një fotografi të njomur me lot.

Lazari e dinte se po hapte një plagë të pambyllur të Nënë Terezës dhe që do të mbyllej me vështirësi, ndërkohë qe vetë ajo kishte qenë gjithmonë e përmbajtur madje e ndrojtur për të folur për familjen e vet, pasi “ç’janë ankthet tona të vogla para tragjedisë së qenieve njerëzore, të cilët vdesin çdo ditë për bukë?”, por ai foli vetëm ngase njerëzit është mirë të zbulojnë e ta dinë “se si është vdekja në një vend komunist, në Shqipëri”.

Prej më se dhjetë vjetësh, Nënë Tereza nuk pati ndonjë letër prej tyre. Pas kësaj, më së fundi ajo mori vesh se ato jetonin në Tiranë, porse u lejohej të shkruanin vetëm një herë në muaj, megjithëse dihej se të gjitha letrat kalonin në duart e një censure shtetërore, e cila kontrollonte edhe hollësitë më të vogla. Biografë të shumtë të Nënë Terezës shkruajnë se ajo kishte një dëshirë të zjarrtë të vizitonte Shqipërinë, madje për këtë ajo fliste shpesh me miq të ngushtë të saj, por ky vend në mënyrë absurde ishte një tokë e ndaluar për të.

“Dranja dhe Agia jetonin në varfëri. Agia punonte si folëse te radio “Tirana”, por, menjëherë pasi regjimi nisi një nga shtrëngimet e kohëpaskohshme kundër “armiqve të shtetit socialist”, Agia u pushua nga puna. Ajo ishte i vetmi ngushëllim i së ëmës dhe nuk u martua për t’i ndenjur pranë asaj. “Age, ti je engjëlli mbrojtës i nënës sonë”, - i shkruante Nënë Tereza.

Kështu, Nënë Terezës i duhej të priste telegramin e datës 14 korrik 1972, ku i vëllai Lazar Bojaxhiu i shkruante si më poshtë: “Lutu për loken, që ndërroi jetë më 12 korrik”. Drane Bojaxhiu vdiq me dhimbje në zemër, që nuk arriti të shihte përsëri të birin e mbetur në Itali dhe vajzën misionare në Indi. Drania, bijës së vet, që nuk e shihte prej dyzet e pesë vjetësh, fotografinë e fundit ia dërgoi me këtë nënshkrim: “Gonxhe, të puth nanëlokja”. Agia vdiq një vit pas vdekjes së të ëmës, më 1973.

Herën e fundit që e kishte parë Lazarin, ai kishte qenë me uniformën e kapitenit të ushtrisë shqiptare.

Lazar Bojaxhiu vdiq në vitin 1981, në moshën 73-vjeçare, pa e parë më kurrë nënën dhe motrën e tij dhe u varros në Sicili. Në një letër të shkruar pas vdekjes së të vëllait, Nënë Tereza thoshte: “Tërë jetën e saj, nëna jonë pati ëndërruar që Lazari të kthehej në shtëpi. Djali i vetëm, të cilin ajo e donte më shumë se jetën, më së fundi është takuar me të”. Por jetët takohen në përjetësi. Në përvjetorin e Armës së Artilerisë, përherë kur bëhet “apeli” i nderit, krenarisë dhe dinjitetit, nuk mungon gjithashtu edhe një
G. Standard
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi