Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

At Gjergj Fishta : PARATHÂNE (e Kanunit të Lekë Dukagjinit)

Shko poshtë

At Gjergj Fishta : PARATHÂNE (e Kanunit të Lekë Dukagjinit) Empty At Gjergj Fishta : PARATHÂNE (e Kanunit të Lekë Dukagjinit)

Mesazh nga Agim Gashi Fri Sep 25, 2009 4:17 pm

At Gjergj Fishta : PARATHÂNE (e Kanunit të Lekë Dukagjinit) Images2nj
At Gjergj Fishta : PARATHÂNE (e Kanunit të Lekë Dukagjinit)



(Pa asnjë koment, pa asnjë ndryshim)


1. Randsija e Folklores komtare.

Kushdo nieri i leters e i kalemit, e qi të jetë i zoti me perftue në mende të vet idén «Atdhé», kupton mirfillit randsín e madhe qi per kóm ká në vedvedi të mbledhunt e «folklorës» së tij komtare.
«Folklora» âsht pasqyra e kthjelltë e psihes së komit; âsht rrasa mermerit, më të cillen historija zgavrron t’endunt e të shendunt e popujvet; asht cehja e pashterrshme e gjuhsís e e letersís komtare. «Folkloren», po, do të skjyrtojsh, po deshte me shkrue historín e komit, e cilla me hamende nuk shkruhet, por qi edhè pa tê komi jetë nuk ká; «folklores» do t’i siellesh, po deshte me shtue pasunín e gjûhës me fjalë të permvehtsueme, me frazeologí shprehsore, me shembulltyra të gjalla, dramatike; në «folklorë» prap ké me ndeshë më type mâ të nalta, më karaktere mâ të forta, e më motive mâ t’ardhuna e të perkueshme per zhvillimin e leteratyrës komtare. – Epopét mâ të mdhá e mâ të bukura të botës: si nji «Iliade», nji «Shah-Name», nji «Niebelungen», nji «Fingal» etr. etr. kan ngallitë e janë zhvillue mbí bazen e «folklorës» komtare.
Mjerisht disa nder atà të bij të fisit shqyptar, qi mbahen per intelektuala e udhëhjeksa të fatit e të shartevet të komit, por qi shkolla, neper të cillen paten kênë pershkrue, nuk mrrîjti me u a qirue shpirtin krejt prej zdramit të do parimeve sterelizuese e shkatrrimtare, e as me u a hjekë at lmashk pedantizmi e kulimlleku vagabond-modern, qi ata quejn «kultur», perbuzin njomsín e vallevet popullore, bâjn n’asgja bukurín gjithmonë të njethtë e të kerthnestë të rapsodijavet kreshnike , kerveshin buzen mbí randsí të vendimevet të kanunit doketar – droit coutumier – mbí fjeshtsín e artë të mytologís, të prrallavet, e mbí marë «folkloren» t’onë komtare. E pra, sa bukurija thânjesh, sa njomsija e naltsija mendimesh nuk âsht strukë permbrenda ksajë «folklore», më të cillen ká punue psihja heroike e komit marë e i kan rá më limë kavaljetet e gjata, të palodhshme! Per shembull: kû m’a ké – s’po tham në leteratyrë shqype: se mâ kjo e shkreta hecë faqet per dhé, sie grami; por edhè nder leteratyra të reja të komevet të gjytetnueme – nji pershkrim, prû me njyre mâ të gjalla, me shembulltyra mâ të pershtatuna, e me nji burrní mâ bujare, mâ fisnike e te njerzishme mbí hijeshín e nji vashe, se, pershkrimin, me të cillin fatosi i rapsodís «Martesa e Halilit», botue ne «Hýll të Dritës» (1924, f. 261) paraqet hijeshín e Tanushës, së bijs së krajlit:

"...E un Tanushen vetë e ko’ pa,

Kúr kem pasë besë me krajlí:

Gjâ mâ të mirë s’shef njeri nen ket diell?

Vetulla e sajë ndrejt, si fiskaja 1);

Shteku i ballit, si shteku i malit,

Kúr merr hana me prendue;

Syni i sajë, si kokërra e qershís;

E ká qerpikun, si krahi i dallndyshës;

Ftyra e sajë, si kuqet molla m’degë:

Hunda ndrejt, si kalemi i Tushes 2);

Goja e vogel, si lulja qi shperthen;

Dhâmët e bardhë, si gurzit e lúmit,

Fíll mbas shiut, kúr po i shndritte dielli;

Qafa e sajë, si qafa e pllumit;

Shtati i sajë, si ‘i shtat çetine;

Misht e dores, porsi rremi i shemshirit".
Kû e ká Petrarka – mbreti i vjerrshës së bukurís e të dashtnís – nji pershkrim të hijeshís së grues mâ të bukur se ky? Petrarka, mshilë prej mbramjet n’odë të vet, hupë – të thuesh – krejt nder libra e karta të vjetra, në dritë të zbetë e të marrët të nji flake kandili vojit, e cilla herë trashet e herë tëhollohet – thue se po fiket m’ilik të vetin të shkrûmuem: grumullue në magazinë të fantazís së vet allabastra, fildisha, ixhí, zadefa, perle etr. qi ká mûjtë me pá kund në ndonji kishë, në ndonji salon, a duqan sendesh të rralla e të kushtueshme: si edhè kroje e gurra te hartueme, lule e lulishta, kodra e suka të blera, ograja e senjore zotnísh etr. edhè me nji cenë, me nji duresë pernjimend monakale, vêhet e pershkruen në poezí idealin e vet të bukurís – Lauren, tue peshue ç’do mendim, tue matë ç’do fjalë, tue limue ç’do germë, e gjithmonë tue fshâ, tue rektue mbas sajë, si qi edhè sod – mbas gjashtqind-shtatëqind vjetsh – të bâhet se po i ndîen ato të fshâme e të dihame të tijat. Ndersa rapsodi i malevet t’ona neper biga e hije blinit –atjé kû ktheter-rrëmysja shqype murrojë bân çerdhen neper gallushtra të stênavet t’ashklatisuna, çá neper duhme të ndonji rrfeje zharritse, dermuese – gjithkah âsht rrethue me madhní te pamatne të natyrës e me at bukurí dermore të luginavet të karmatisuna e të grykavet t’errta hijet të qarravet e të lisavet disa herësh shekullorë. Ktej nji mal i blertë, me vithna, thana, e stane; andej nji bjeshkë e naltë e rryeshme, randë ngarkue me borë; pertej nji humnere mija metrash shpatit të malit thikë n’teposhtë zgavrrue; në fund t’asajë humnerje nji lum tue gjimue zallit; nji çuterr m’at anë, krejtë bardh prej shkumet, tue u dikue nper krepa: e gurgullo gurra të cemta, e vallzo bylbyla neper brej, aha e çetina: edhè huti tue hukue, edhè ujku tue ulrue, çakalli tue lehë: prap tingllo koçana e capit, blegro kingji i delmes, thuja bariu kangës «terthorçe» e «maje krahit», çurliko fýll e zanamare: kce blegreshat hijevet, porsì Zanat mrizevet: e rrethon, po, nji jetë, nji gjallní, nji galldim, nji gaz, si gazi i prendverës së rruzullimit! Edhè ky, rapsodi, a se në zheg të ditës te mrizi i ahit, a se në mbramet mbas darke urë voters së vet mirëpritse, kapë lahuten në dorë, e plot menden e zêmren me Zot e Shen Nkollë, me Orë e me Zana, me drangoj e kulshedra, me fatosa, kreshnikë, pleq, krén, bajraktarë, pansira, heshta, armë të ngrîjta, tagana, kual mejdanash, besë e burrní shqyptare, pa matë vjerrshë, pa lmue fjalë, e rrmye mendjet në naltsí e bukurí t’argumentit, lshue krejt vedin m’flatra të fantazís së vet t’entuzjazmueme – si thote Ovidi:

Est deus in nobis; agitante calescimus illo,

Sedibus ætheriis spiritas iste venit. 3)

(Fast., VI, 6-7)
tue perkue zanin me tingell të lahutës, i a hîn me pershkrue bukurín e Tanushës, së bijs së krajlit, e tue e ndigjue nji qiell e kaltert, do bjeshkë të nalta, ulkoja e bylbyli, e shokët e vet zêmret bujare, kudon: «E un Tanushen vet e ko’ pá – Gjâ mâ të mirë s’shef nieri nen ket diell» ! E pse s’din shka janë allabastrat, fildishat, ixhít, zadefat, perlet, mergjanet, rubinat e tjera kso çikrrísh salonash e duqanesh, per me pershkrue nji bukurí jo grueje, jo fêmne – e cilla e hiejshme mund të ndollë edhè në mal, në fushë, ne stan e nder shpija të nderit të dyshimtë – por bukurín e nji vashe fisnike, e të nji typi grueje bujare, ky – Titan i rí – me fuqí të fjalës së vet rrmyese, të pushtetshme, perkulë madhnín e natyrës nen lëmaje të harkut të lahutës së vajtueshme, edhe merr ktû nji shtek malit, kû prendon hana: atjè nji çetinë: pertej molla, qershija; nji qafë pllumi, nji krah dallndyshe: gurzit e lumit, fíll mbas shiut kúr po i shndritte dielli, lulet qi shperthejn: prap kalemin e Tushës, rremin prej shemshirit, edhè kta, kaq me nji forcë e gjallní shembulltyrash, naltsí mendimesh, pershtatsí e permvehtsí fjalësh, sa me të vojtë mendja, se jé tue ndigjue kund ndonji thermí te «Titanomakís» s’Eziodit. Posë dámit të Hektorit prej Andromaket, pershkrue prej Homerit n’Iliade, nuk më bjen nder mend, se kam lexue kund ndonji pershkrim mâ të frymzuem me fisnikí e me burrní, e kû titanizmi e njomsija e shembulltyravet të perkojn mâ ambel me naltsín e idévet, se ket pershkrimin e rapsodit malsuer mbí bukurín e Tanushës, së bijs së krajlit. Prandej, mund të jét, ndoshta, se «Laura» e Petrarkës âsht nji «Venus», mbrû m’shkumë të detit; por sugurisht se «Tanusha» e rapsodit të Dukagjinit âsht e bardha ajo «Athenaja», shperthye e armatisne prej rrashtet të Zeusit rruféflakrues.
Prej ktyne fjalve shifet kjartas randsija e madhe, qi per kóm mund të ketë të mbledhunt e «folklores» komtare. E do vû n’oroe, se ktû, perj ngushticet të vendit, kjo randsí u prû vetem në pikpame estetike-letrare e tue skjyrtue vetem nji degë të «folklorës»: poezín popullore. Po t’ishte vendi, po t’a lypte puna me e peshue ket randsí nder të gjitha pikpamet shkencore e letrare, kishte me û pá fort mâ kjartë detyra, qi ká Qeverija e intelektualt shqyptarë, mendjet të kthjelltë e vullndeset të mirë, me u perkujdesë per të mbledhunt e të bashkuemt e ktij visari komtár, qi âsht «folklora».
2. – Randsia e të mledhunit të ligjvet dokesore.

Françeskâjt shqyptarë kjenë njatà, qi nder mâ të parët në Shqypní pán randsín e madhe e ndîen nevojen e të mledhunit të «folklorës» komtare; e nder kta mâ i pari kje – dritë pasët! – Át Shtjefen Konst. Gjeçov, qi me zéll, entuzjazm e duresë i u vû ksajë pune.
Të kryemen kndimet e veta e të marrmen qi muer Urdhnat e Meshtarís, ky françeskan i shkelqyeshem me nji herë i a nisi me mbledhë kangë e valle popullore, prralla, bestytní mitologike, thânje, fjale e kashë-të lashta, lojna, lojë fjalësh, fjalë synonime etr. të popullit t’onë. Edhè mbas pak vjetsh bashkoi nji materjal folkloristik mjaft të madh. Françeskâjt, at herë, ndertuen mbrenda rrethit të vet vepren «Visari komtar», per të mbledhunt e të botuemt e «folklorës», në të cillen vepër mueren pjesë edhè do djelm civila, atdhetarë entuzjastë shkodranë. Edhè kshtû vjetin 1910 botuen të parin blê të ktij kolekcjoni folkloristik, nen titullin «Visari Komtar» të perbâm prej kangësh, vallesh popullore e rojmesh fmijsh, të mledhuna – sidomos prej A. Shtjefen Gjeçov – n’anë të Gegnís. – Kjo vepër do të kishte vijue botimet e veta metodikisht, por erdhen kryengritjet, luftat, kohët e vshtira e jo veç se nuk u botue mâ ndoni tjeter blê, mu hupi shumica e materjalit të bashkuem.
Gjatë ksajë kohe A. Sh. Gjeçov, tue vijue gjithnji me nji cenë e duresë të pa shoqe nder rmime të veta folkloristike, kishte bashkue shum materjal mbí Kanunin e Lekë Dukagjinit: e kúr Françeskâjt (1913) ndertuen të perkohshmen «Hylli i Dritës», nisi me botue m’tê numer per numer shinimet e pikzimet e veta mbí kanûn. Botimi i ktij studjimi të tij mbí kanûn kje pritë me entuzjazm prej Shqyptarësh e prej dijetarësh jashta Shqypnijet. – Disá profesora Akademísh e Universitetesh: nder të cillët edhè Thallòczy: me inzistenca të mdhá lypen prej drejtimit të së perkohshmes autorizimin, qi me mûjtë e me perdorue ato studjime nder vepra të veta. – Nderkaq A. Shtjefni vijote pa i a dá kurr nder rmime e studjime mbí kanûn, edhè pat shtue materjal tjeter të rí kshtû, qi botimi definitiv i kanunit do të kishte dalë, nen ç’do pikpame, nji veper pernjimend fort e interesantshme. Veç shka se u vrá mizorisht në Jugoslaví, e i hupen edhè dorshkrimet, posë qi vepra i mbet pa krye. Tash, Françeskâjt i kan bâ bashkë kto studjime t’A. Shtjefnit Konst. Gjeçov, të botueme rresht mbas rreshti në «Hýll të Dritës», e po botojn tok në nji liber: të sugurtë se me ket veper i ngrefim nji pomendore të padekshme êmnit t’Autktorit, e nji sherbim të pelqyeshem marë komit shqyptár.
Me të vertetë se neper botim të «Kanûnit të Lekë Dukagjinit» i bâhet komit nji sherbim i dobishem, mbasì per ç’do Shtet, qi thotë, se do me jetue e me zhvillue mbas parimeve t’arsyes e të hullís së gjytetnís së vertetë, ligjët gojdhânse e qi permblidhen në kanunin doketar të komit, kan nji randsí të madhe fort në vetvedi: e se prandej duhen pasë para sýsh prej gjith njatyne, qi presin e zbatojn ligjët e Shtetit.
Te bashkuemt e shum njerzve nuk mund të quhet – shoqní, po s’paten të gjith nji qellim të perbashktë. – Qellimi i perbashktë paracakton natyren ase esencen e shoqnís civile të Shtetit.
Nieri ndollë në shoqní në nji mëndyrë të domosdoshme: prandej nieri âsht i detyruem me bashkveprue me tjerë shokë, per pranimin e qeltimit të perbashktë. – Veprimi i perbashktë konsolidon ekzistencen e Shtetit.
Per me veprue mbas nji qellimit, nierit i duhet me kqyrë neper arsye, qi mjetet të jenë të perkueshme me pronim të qellimit: neper vullndesë me nzitë fuqít shpirtnore e fizike per pronim të ktij qellimi. Prandej, per me bashkveprue nieri me shokë tjerë, per nji qellim të perbashktë, lypet arsyeja e vullndesa. – Arsyeja e vullndesa zhvillojn perparimin moral e materjal të Shtetit.
Por arsyeja e vullndesa, qi do të bâjn me veprue kolektivitetin në hullí me pronimin e qellimit, per arsye qi gjithkush i shef e i kupton, nuk mund të jenë individuale, por kolektive, – të perbashkta. Ligja âsht arsyeja e perbashktë; Auktoriteti vullndesa e perbashktë. – Në të pershtatunt me ligjë e me auktoritet ngallitë lumnija e mjerimi i Shtetit: i gjytetasvet marrë kolektivisht e individualisht.
Tash, mâ se pari ligja, per me detyrue gjytetast, do të jét e drejtë ase e ndershme: pse ligja e padrejtë e jo e ndershme nuk mund të krijojë detyrë.
Së dyti, ligja do të jét e dobishme, e preme per të sjellë njimend të miren e posaçme: mbasì shî prej ksajë të mire ngallitë të kênunt e karakteri i ç’do shoqnije të konkretueme e i ç’do auktoriteti qi e qeverisë.
Por në çë mndyrë mund do të reshet kjo e mirë dobije të perbashktë? Mjetet do të jenë të pershtatuna subjektit, qi do të lvitet, do të veprojë: ligjët prá do të jenë të pershtatuna popullit, qi do t’i qesë në punë e jo vetem në pikapame t’idés shoqní, por edhè të rrethânavet individualizuese të tija (Tapparelli). Prandej nji ligjë mund të jét e mirë per nji vend e e keqe per nji tjeter (Beutham). Nji ligjë e preme, po zâmë, per ingilz, aleman e tjerë popuj të shtruem e të gjytetnuem, sugurisht nuk bân – sado e drejtë e e ndershme të jèt – per rrebela të Ballkanit, fatalista të Azís, kanibal t’Afrikës etr. Por edhè kodi penal, per arsye qi ndeshkimi do të jét i pershtatun me vehtjen qi ndeshkohet, si thotë Tapparelli, ndryshon mbas kohve, vendit e komevet; pse shekuj e popuj të ndryshem duen të mira të ndryshme. – Lodra, fjala vjen, dikúr edhè naten permallote gjinden në Shypní; por sod merzitë gjithkendin edhè diten. Kohët ndrrojn, e na me to! Shifet kjartas, pra, se ligjët, per me kênë vertè të dobishme, posë se të drejta e të ndershme, do të jenë edhè të gjashme, due me thânë: të préme mbas psihes e mbas nevojve të njimendta të popullit, qi do t’i majë; e se prandej fuqija ligjdhânse e nji Shteti, para se të presë nji ligjë të ré, duhet t’a njofë mirë shpirtin e popullit e t’i peshojë sa duhet nevojët e kohvet e të vendit, per të cillat ajo ligjë pritet. Per ndryshe ligja del dhûnë e jo hullí jete. Prandej nji filozof i madh thotë, se ligja, para se me kenë ligjë, âsht nji fakt – nji doke, zakon, "adet" e se ligja e drejtë âsht të shprehunt e nji faktit të vertetë – ligjë e kanuni populluer. Kta nuk do me thâne, se dokja, zakoni, "adeti" – kanuni të bâhet ligjë, pa kenë sankcjonue prej auktoritetit; por do me thânë, se nji auktoritet i drejtë do të presë ligjët, tue pasë gjithmonë para sýsh doket, zakonet – kanunin e vendit.
Por kû mâ mirë e mâ kjarët se nder ligjë doketare të nji kanuni ligjdhansët e Shtetit kan për të njoftë shpirtin, karakterin e nevojët e verteta të popullit? Fuqija ktyne ligjve, mâ fort se prej sankcjonit të ligjdhânsve, u vjen prej faktit se janë bâ doke e prej vedit kan hî shî në jetë të popullit; e prandej janë mâ të gjashme, pse edhe influencen e kan mâ të madhe mbí masat, qi merr seicilli nder ato interesat e veta. Ligjët neper kohë e rrethâna ndrrojn: prandej edhe ligjët e kanunint do të ndrrojn; por, para se të ndrrohen, jurista të specjalizuem do të studiojn kohen, mndyren se si me i ndrrue, tue ruejtë gjithmonë frymzimin karakteristik të tyne edhè nder ligjë të reja, neper të cillat të zevendsohen. Kshtû kan punue të gjitha kombet e gjytetnueme, e dér dikû edhè Turkija vetë. – Prane Mehqemes Turkija mbate në Shqypní edhè Xhibalin, i cilli nder do çashtje gjykote mbas ligjvet gojdhânse të kanunit.
Prandaj me gjith arsye tham, se botimi i «Kanunit të Lekë Dukagjinit», perpilue prej A. Shtjefnit Konst. Gjeçov, O.F.M. – dritë pasët! – i sjell komit nji sherbim të dobishem, të pelqyeshem.
3. – Kanuni i Lekë Dukagjinit.


Fjala kanûn s’ká dyshim, se etimologisht rrjedhë prej fjalet greqishte «kanón», qi don me thânë : mastár – njajo vegel drunit a e ndonji brumit tjeter, qi vien me terhjekë viza të ndrejta. Metaforikisht shenjon shtillin e ligjvet gojdhânse e të pa kodifikueme, mbas të cillave hecte dikúr hullija e jetës e e veprimit të popullit shqyptár.
Por pse i thonë: i Lekë Dukagjinit? qe nji çashtje e cilla enè nuk âsht zhvillue krejt mirë e me sugurí të plotë. Nji palë thonë, se quhet i Lekë Dukagjinit, per arsye qi ky Leka e paska mledhë e kodifikue i pari. Ktij mendimi duket se ká kêne edhè Dr. Milan Šufflay, i cilli ne librin e vet «Serbtë edhè Shqyptarët» (perkthye prej slavishtes) thotë në faqe 90 – «Gojdhâna, mbas së cillës këto zakone ligjare të quejtuna me êmnin «Kanuni i Lekës», âsht në lidhje me Lekën III. Dukagjinin» (1459-1479). E vertetë se Auktori i famshem, nuk thotë, se ky Lekë Dukagjini III. ká permbledhë e kodifikue Kanunin në fjalë; por prej do vendeve tjera të librit të tij të sypripermendun mund të thohet edhè, se pernjimend Kanuni ká mûjtë me kênë kodifikue prej Lekës III.
Prej vepret të citueme të Dr. Šufflay theksohen do fakte, qi mund të kenë të perpjekun me kodifikim të ligjvet në Shqypní. Qe nji herë Auktori thotë, (f. 23 et seq.) se që prej së të tremdhetes qindvjete nder do gjytete të Shqypnís gjindeshin zyre noterjale, kû u shkruejshin e prej kahë u perhapshin lajmet gjygjtare të vendit. «Prej trajtës e prej mbrendsís së lajmevet noterjale shqiptare – dukljane, shkruen mandej (f. 25 et seq.) mund të xjerrim ndonji gjâ mbí faret e statutevet të gjytetevet...»
Në nji tjeter vend mandej shton (f. 27) «...qytetasit e Durrsit kishin qenë të shternguem t’i mshehshin statutet e veta. Në fillimin e periudhës së Venedikut (1398) u gjet vetem nder Franciskâjt e atjeshem neni i 35 i nji Statuti, i shkruem mbí papír». Paska pasë pra aso kohe statute të shkrueme në Shqypní.
Mâ teper (op. cit. f. 87 et seq.) Dr. Šufflay kallxon, se si rreth së të tremdhetës qindvjetë filluen me u trajtue në Shqypní si do republika të vogla të permbâme prej disá fshatesh a bajrakësh, «tue marrë me vedi dý elemente të reja: nji ushtarak e nji ligjuer» Kshtû (1414 «e mâ tutjè») bâhet jashtzaonisht i fortë fisi i Hotit, kryetari i të cillit quhej: Kapetan (Capitaneus montanae Hottorum), e rreth vjetit 1415 trajtohet lidhja e barjakvet të Mirditës, e cilla aso kohe mund të dyndte nji ushtrí 12,000 luftarësh. – Se do të ketë pasë dikúr kso republikash të vogla në Shqypní, na difton – mbas mendimit t’êm – fakti, qi ktû ka vise, qi quhen me dy êmna pllojcë. Per shembull: Shalë e Shosh, Pukë e Iballe, Shllak e Temal, Mat e Çidhen etr. Tash, tue kênë se Auktori thotë, se edhe Drishti n’interland të verit të Shqypnís – ká pasë Statutin e vet të kodifikuem (op. c. f. 25) nuk âsht krejt fjalë e pa vend, me thâne, se edhè kto republika kan mûjtë me pasë të kodifikueme ligjët e veta – mos seecilla m’vedi, nji kanûn të perbashktë të gjitha.
Masandej Auktori shkruen, (f. 91 e 180 op. c.) se disá nder kryetarë fisesh në Shqypní u naltsuen në dinast të pamvarun. T’a merr mendja prá, se kta dukë e princa, qi drejt per së drejti e n’êmen të vet lidhshin besë e merrshin e epshin me Shtete të mdhá t’Europës, s’do të kenë lânë mbas dore kodifikimin e ligjvet per vise të veta: mbasì aso kohe u gjindshin kso ligjësh e kso statutesh të kodifikueme. Prandej âsht të gjith gjasa se «Kanuni i Lekë Dukagjinit» dikúr ká kênë i kodifikuem. Ket punë e dishmojn edhè analogít e shumta, qi ligjët e Kanunit te sodshem kan me ligjë të Romës, të Byzantit, të Serbvet. – Merret vesht prej vedit, se, mbas të hîmit të Turqvet në Shqypní, «Kanuni i Lekës» ká hupë si formë kodi, e âsht perdhosë si landë drejtsije.
E po nder cillat vise të Shqypnís qitej në punë, a – si thonë sot – zbatohej «Kanuni i Lekë Dukagjinit»? Qe nji tjeter pvetje, së cilles nuk mund t’i pergjegjet me sugurí; pse mjerisht per shum do arsye mungojn shenime pozitive mbí ket çashtje. Por, per me folë pergjithsisht, mund të thohet se ká pasë vlerë legale nder Lekë (Malsorë të Mbíshkoders) e në Dukagjin. – Dukagjini nder kohë të kalueme perfshîte Shalë e Shosh, Pukë e Iballe, Mirditë, Kthellë e Selitë e Zhuben (Malsín) e Lezhës. – Per ket punë thonë nji palë, se Kanuni quhet i Lekë Dukagjinit, jo pse ká kênë kodifikue prej Lekë Dukagjinit, por pse ká kên zbatue nder «Lekë» e «Dukagjin»; pra: «Kanuni Lekë-Dukagjin», e jo i «Lekë Dukagjinit». Kto çashtje tash i zhvillon me kohë historija

Marrë nga Albemigrant
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi