Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Irfan Imer Bregu: Vlora në epikën e një intelektuali

Shko poshtë

Irfan Imer Bregu: Vlora në epikën e një intelektuali Empty Irfan Imer Bregu: Vlora në epikën e një intelektuali

Mesazh nga Agim Gashi Mon Sep 28, 2009 12:27 am



Irfan Imer Bregu: Vlora në epikën e një intelektuali U1_LuanCipiVLORA NË OPTIKËN E NJË INTELEKTUALI

Nga Dr. Irfan Imer Bregu

Kur miku im, Luan Çipi, më dha për të lëçitur dorëshkrimin e librit “Marrëdhënie të shenjta” nuk u befasova se një ekonomist ulet dhe derdh mjeshtërisht mendimet e veta nxjerrë nga fletët e ditarëve të mbajtur nëpër vite. Për mua nuk ishte gëzim i beftë, sepse me autorin kemi qenë koleg disa vjet si mësues dhe pedagog. Po, ç’është e vërteta emri i LUAN KAMAN ÇIPIT është bukur fort i njohur dhe i nderuar në qytetin e Vlorës. I dëgjuar është ky njeri, që mban dhe një emër simbolik, si duket i parandjerë nga ata që u mblodhën asaj nate në Vlorë, më 14 Korrik të vitit 1934, kur gruaja fisnike ZEQIRJEJA, pati sjellë në jetë të birin, që në atë qytet do të bëhej më vonë Dikushi. Pra, burrat që ishin çakërrqejf asaj nate, thanë: Ky djalë do të jetë luan, në shërbim të së mirës, së drejtës, e të përparuarës, lidhjes së ngushtë shoqërore e atdhetare dhe së vërtetës.
Unë them plot gojën: Sa të mençur paskan qenë këta bektashianët gjirokastritovlonjatë! Zërat e tyre më bëhen se po i dëgjoj duke shfletuar faqet e dorëshkrimit. Janë zëra, që më vijnë nga vendlindja ime, Vlora, nga shtëpizat, rrugët dhe lagjet e saj, që dhe mua më janë aq të dashura. Dorëshkrimi më dha gëzimin që sjell një çelës, i cili të ndihmon të hapësh dyert dhe zemrat e qytetarëve të mirë të Vlorës që më janë aq të afërt dhe jam aq nostalgjikë ndaj tyre... Aq më shumë që dhe Luanin e kam njohur gjysmë shekulli më parë e gjer sot dhe si mik dhe si intelektual. Ruaj vlerësim e besim te ky njeri i mirë, i fisëm, i ditur dhe i ndershëm. Tiparet e karakterit të tij nuk është vendi këtu t’i vë në dukje, se, ndoshta, në shënimet e mia do të zënë vendin e duhur, nëqoftëse një ditë do të tregohem aq i fortë, i duruar dhe i thellë po aq sa miku im për t’i mbledhur kujtimet, prushin dhe hirin e tyre të shpërndarë nëpër vitet e mia të trazuara... Po le të kthehemi tek ajo, që dua të vë në dukje në këto shënime të shpejta, për të cilat më nxiti disa mendime miku im.
Luani ishte, siç thotë Naimi, poeti ynë i madh te Qerbelaja:”I mir’ i biri i të mirit...” djali i vogël i Kaman Çipit, tregtar vlonjat, ish veprimtar i shquar shumë vjeçar në Shoqërinë Patriotike “Vatra” të Shqiptarëve të Amerikës, dervish nderi dhe sekretar i Gjyshatës Bektashiane të Kuzbabasë në Vlorë, zotërues i pesë gjuhëve kryesore.
Luan Çipi është ekonomist që ka drejtuar me sukses sektorë të rëndësishëm pune e prodhimi në rrethin e Vlorës. Ai është një intelektual i mirëfilltë. Me këtë rast, dua të them se jo kushdo, që ka kryer një shkollë të lartë do të mund të thirret “Intelektual”, pa le të jetë politikan apo deputet, a kryetar i ndonjë dege partie. Mund të quhet i tillë ai, që në fushën e vetë ka shtruar dhe zgjidhur probleme të vështira dhe e ka çuar punën dhe jetën e shoqërisë përkatëse përpara. Siç pohojnë ata që e kanë njohur në punë, kanë punuar së bashku, apo i kanë kontrolluar punën dhe veprimtarinë e tij Luanin e kanë vlerësuar për njeri me kulturë të gjerë dhe të mirinformuar në shumë fusha të tjera si në muzikë, letërsi e sport. Kudo kanë spikatur vlerat e tij: Mësues në Shkollën e Mesme Financiare dhe pedagog në Filialin Ekonomik të USHT në Vlorë, aktor në teatrin dhe estradën e qytetit të Vlorës, trajner i ekipeve përfaqësuese të qytetit në mundje e ngritjepeshe, arbitër i klasit të parë në sportet e rënda, gjimnast, mundës dhe ngritës peshe në ekipet përfaqësuese të Vlorës, kampion kombëtar dhe mjeshtër sporti e deri trajner i ekipit kombëtar të ngritjes së peshave...I tillë është burri i shkurtër e muskulor, si i dalë nga deti, që kurdoherë ka parë larg e ka ndjerë fare tutje erërat e kohës. Njohës i gjuhës ruse e italiane, instrumentist, këngëtar pasionant i këngës shqiptare, ruse e italiane, me atë zë të ëmbël tenori shumë oktavësh, si shpirti i tij i qetë dhe i butë, që buron mirësi.
Ç’gjë vërehet në faqet e këtij libri ku autori shfaqet kurdoherë përkrahës i së mirës në shoqëri e në veprimtarinë e saj dhe bëhet i paharrueshëm nga të gjithë njerëzit e mirë të këtij qyteti të mirë. Pse ndodh kështu? Sepse Luani sillet si një intelektual i mirë edhe në jetën e në punën e përditshme. E them këtë edhe nisur nga fakti që psikologjia e shpirtit të artistit dhe sportistit, me fuqinë argumentuese dhe arsyen e fortë, e ka bërë autorin t’i përcjellë me vërtetësi bindëse këto dhunti te personazhet e vetë. Edhe tani që Luani është në pension është gjithnjë në lëvizje. Nuk i rri as dora as këmba, po kudo në ndihmë të shokëve dhe miqve. Një person i denjë për një roman realist...Këto informacione nuk do të kishin vlerë, nëse nuk shërbejnë për të na çuar te kuptimi i çdo teksti, për të kapur jo vetëm temat, po dhe mënyrën sesi autori i trajton e i përball ato...
Po ajo që më bëri të shprehem edhe për CV- e Luan Çipit janë faqet e këtij libri, me shënime, rrëfime, skica, portrete, profile, madje, edhe bërthama romanesh apo novelash fort të çuditshme për të ardhmen. Këtu m’u dha përsëri rast që të takohem me njerëz, të cilët për mua nuk janë të huaj, por fort të pranueshëm, si njerëz me vlerë, ose njerëz që bëjnë pjesë në një kohezion social, shumë rrallë edhe ideologjik. Shfaqen nëpër ato vite ngjarje që kanë madhështinë, bukurinë, tragjicitetin, po dhe komicitetin e hidhur të asaj kohe....Vlora, pra, na shfaqet në optikën e një ekonomisti, po dhe të një qytetari tepër aktiv si në jetën ekonomike, po dhe në atë social politike. Megjithatë, nëpër faqet e librit vërejmë që autori i “Marrëdhënie të shenjta” ndodh që shpesh të veprojë i pavarur, po edhe e pëson, ashtu si dhe plot të tjerë. Kështu ndodhi me autorin e librit kur ishte Shef Seksioni në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit Vlorë dhe në një seminar për statistikën thërret të referojë një ekonomist, ish Byroist të dënuar nga Partia, që desh i shkaktoi shkarkimin nga puna. Autori, në kundërshtim me normat e kohës, shfaq simpati për Pirro Dodbibën te “Një personazh pranë tavolinës time të punës”. Kështu ndodh dhe te rrëfenjat e bukura “Fjalët e hidhura”, ku spikat bukur fort tragjiciteti i njerëzve të asaj kohe, te “Brenga e madhe e minoritarit grek”, ku paraqitet persekutimi i shtirur, etj.
Në këtë libër me vlera publicistike dhe letrare, madje,dhe gjuhësore vijnë zëra njerëzore nga Vlora, nga realitetet e saj, ngjarje e fakte dhe njerëz të mirë me zërat, me mallin dhe brengat, me tezat e veta dhe të kundërshtarëve të tyre. Po si na i sjellë autori i librit? Jo si të fotografuara, por me një botë të pasur, ndofta, të panjohur dhe nga ne që kemi qenë në mes të këtyre njerëzve, apo dëshmitarë anësor ngjarjesh. Aq e pasur shfaqet bota e autorit sa që më duket sikur çdo fjalë është pakuptuar e papritur si një “Kuti Pandore” nga brofin gjithë aftësitë diturake të rrëfimtarit dhe të skenave të fuqishme.
Ky libër nuk është një histori e Vlorës, por është një monument i vogël i ngritur me shpirt e dashuri nga një bir i saj. Këtë që them ka për ta ndjerë kushdo, jo vetëm vlonjate, po cilido që di të lexojë brenda rreshtave, për të gjetur vlerat e karakterit vlonjat. Më ka lënë mbresa ajo, që thotë autori, për familje të ndryshme, të cilave “Fëmijët iu bënë të hairit”, ose uron”u bëfshin të hairit”. Shpreh gëzimin tim që edhe fëmijët e Luanit: Kamani (i dytë) mjek i laureuar dhe specializuar në Amerikë, Lindita financiere me 4 vjeçar pasuniversitar në Kanada dhe Arta, master për biznes ekonomi në Holandë, janë krenari për Luanin dhe gruan e tij të mirë, Hanëme Banin.
Balzaku, në vijim të një teze të njohur që në Lashtësi, vë në dukje se ”Jeta reale është mjaft dramatike, ose jo aq letrare. E vërteta shpesh nuk do të ishte e besueshme, ashtu si e vërteta letrare nuk mund të jetë e vërteta e natyrës” Ka shumë pika vështrimi për ta parë të vërtetën. Përpara autorit mendoj ka një kuptim të drejtë të vështrimit të të vërtetave jetësore në fushën e krijimtarisë artistike, të cilat u bashkëngjiten të vërtetave nga fushat e tjera të veprimtarisë shoqërore. Këtë na e thonë edhe faqet e librit “Marrëdhëniet e shenjta”, ku janë të shenjta jo vetëm personazhet e librit po për autorin janë të shenjta dhe mendimet dhe ngjarjet që na ka servirur aq qartë dhe pa ekuivokë. Ai është i vetëdijshëm për ato që shkruan, se, ashtu siç është shprehur shkrimtari i shquar Italo Kalvino, që “Vetëm duke shkruar, çdo gjë zë vendin që i takon”.
** *
Kushdo që ka shumë vjet i larguar nga qyteti i dhemshuruar VLORA, patjetër ndjen nevojën se do të gjejë në këtë libër diçka të vetes, që ka dashur ta thotë, po s’ka mundësi ose s’i ka kapur dot ngjarjet që aq mençurisht dhe bukur na i dhuroi autori. E vë në dukje këtë edhe për meritën që ka autori i librit, të jetë jo vetëm dëshmitar i ngjarjeve, po dhe personazh i fortë i tyre. Është për t’u respektuar dhe ndoshta për t’u pasur zili, autori, i cili që aso kohe ka qenë koseguent kundër boshllëkut shpirtëror, absurditetit dhe arbitraritetit të konvencioneve të jetës shoqërore. Ai nuk i shfaq vetëm tani këto mendime. Ai shpesh ka qenë i shqetësuar për ndërgjegjen e çoroditur të mëdyshje të disa shtresave të shoqërisë së kohës. Prandaj vlerësonte njerëzit me shpirt të mirë e me veprime të ndershme në jetë, për të mirën e të gjithëve. Prandaj njeriu ndjen fortë kënaqësi kur lexon “Shpirtra detarë”, si dhe “Fati i njeriut të ndershëm”, “Inxhinieri i Paharrueshëm”, “Poeti” dhe “Sedra e bukur...”
Nuk di pse, duke lexuar faqet e këtij libri, shkruar si me gjak të shpirtit, më erdhën në mendje vargjet e poetit të madh arbëresh Gavril Dara i Riu:

Moj bijë, bijë e Lalës,
Moj e bukur, e trishtuar,
Pse m’ kujton motin e shkuar?

Pse? Ç’më kujton? Refit Hoxhën, atë njeri me shpirt të bukur e mendjendritur, mësuesin artist në fizkulturë Minella Kostandinin,inxhinierin Vaso Suli, që autori e quan “Të paharrueshëm”, poetin popullor Nuri Drasa ,punëtorin e palodhur Nuro Bodo e dhjetëra të tjerë, të cilët me aq shpirtmirësi e mendjekthelltësi i sjell në faqet e librit, apo i shfaq me penelata të lehta e me mall të pashuar, në faqet e këtij libri të shkruar jo rastësisht, po me respekt për secilin që është bartës i mirësisë. Tek shfletoj faqet e librit, në mënyrë të natyrshme me plot të drejtë na vete mendja edhe te një vështrim tjetër në këto vjet që po jetojmë, kur ka që thonë se e shkuara duhet harruar, se çdo gjë do nisur nga zero. Autori, me të drejtë është kundër amnezisë, humbjes së kujtesës, sidomos asaj historike.

***
A ka Vlera artistike të dukshme ky libër? Mendoj se po.
Nëpër libër lëviz shpirti i një Poeti me ndjenja të holla. Unë e ndjej këtë nëpër shumë faqe libri. Që në faqet e para ku Luan Çipi na rrëfen për fëmijërinë dhe rininë e tij në brigjet e Vlorës, ku takojmë djem e vajza me zemër të gjerë e të dallgëzuar si deti Adriatik, pasqyrë hijeshie, gjelbërimi paqëndjellës të ullinjve dhe shtrirjes së butë të kumit të brigjeve. Pa le pastaj kur ndizet shpirti i të rinjve vlonjatë tek shohin lindjen dhe perëndimin e diellit mbi Sazan e Karaburun. Siç shkruan një nga të rinjtë e asaj kohe, poeti dhe artisti i madh, Timo Flloko:

Vura Sazanin në vend të zemrës,
Rrëmbeva blunë e detit dhe të qiellit
Perëndimet okër të Mentor Jonuzit,
Thellësinë plumb të Skënder Kamberit.

Poetët dhe piktorët nuk i kanë munguar Vlorës në asnjë kohë.
Shkrimtari na i ndërton rrëfimet në vetë të parë, duke sjellë grimca nga jeta e vetë intime, familjare dhe shoqërore në të kaluarën, duke reflektuar të dhëna të përvojës gjer në atë pikë, sa të ndryshohen në hullitë e trillimit. Në mënyrë të natyrshme këto rrëfime më çojnë te mendimi se kemi të bëjmë me tregime me natyrë psikologjike, ku persona të ndryshëm përshkruhen nga brenda dhe me mjeshtëri autori përqendrohet te mendja e personazhit dhe vështron nga jashtë personazhet e tjerë. Te “Labirintet e dashurisë” vërejmë prirjen për të copëzuar unin e personazhit. Novela interesante “Magjia e dashurisë”
thuret nëpërmjet vetvëzhgimit të një të verbëri. Këtu vegat e dashurisë e lidhin atë me shumë femra, të cilat dashurohen çmendurisht pas këtij mashkulli të hekurt, po me shpirt të bukur. Ai, me syrin e mendjes dhe të shpirtit e ndjen në thellësi të botës së vetë magjinë e dashurisë, të bukurën dhe feminilitetin e bukurosheve të dhëna pas tij. Ndofta nuk është e rastit qe Shekspiri për të verbërit e fortë ka shkruar: “Duke vështruar errësirën që shohin të verbërit”.
***
Autori i “Marrëdhënie të shenjta” ka një freski mendore dhe higjienë shpirtërore të admirueshme. Ashtu siç është një babaxhan gojëmbël, brenda vetes fsheh dhe një inat thumbues, i pamëshirshëm: Me inteligjencë dhe satirë therëse sulmon ashpër dhe zhvesh lakuriq hipokrizinë, gënjeshtrën dhe veset e kohës. Edhe kjo e bën edhe më të pranueshëm e më tërheqës këtë libër, që na zgjon e ngacmon me një humor interesant. Ashtu siç është shprehur dikur Emanuel Kanti: “Unë quaj si letrar çdo tekst, që nxit tek unë kënaqësi estetike”. Ç’është e vërteta, fuqia e shkrimit tek ky autor për mua nuk ka qenë e panjohur, sepse unë e dija herët që vargjet e thurura nga Luani në Vlorë disa muzikantë të rinj i kthenin në këngë. Po ato ngeleshin anonime. Tani po dalin nga anonimati dhe bashkëmoshatarë të tjerë të Luanit, duke botuar kujtime e deri romane e përmbledhje poetike. Po, ndryshe nga disa syresh intelektualiteti i Luan Çipit ka veçoritë e pavarësisë në gjykim e vlerësim, njëherazi bën përpjekje për zgjedhjen e fjalëve shqip dhe pastrimin e gjuhës nga fjalët e huaja .
Brenda rrëfimeve,skicave,apo tregimeve të librit vërejmë tekste të ndryshme dhe interesante, që na tërheqin vëmendjen në disa anë. Kështu, ç’është e vërteta, kur flasim për tipologjinë e teksteve në literaturën gjuhësore, siç vë në dukje studiuesi Nonda Varfi, teksti informues- paraqitës është një nga tekstet më tipike të kohës sonë në një epokë kur komunikimi dhe informacioni kanë një rëndësi të pazakontë. Tekstet që formojnë të dhëna dhe informacione mbi ngjarje ose argumente të caktuara janë mbështetje e domosdoshme për çdo formë komunikimi dhe edukimi. Të tilla gjen plot pothuajse në të gjitha rrëfimet e librit “ Marrëdhënie të shenjta”.Por ndodh dendur, siç ka tekste të natyrës informuese-paraqitëse, ka dhe argumentues, ku autori, shpesh edhe personazhi, apo heroi i ngjarjes mbron një tezë, duke përdorur argumente, teza që nxitin të debatosh, siç ndodh te “Fjalët e hidhura” si dhe “Një drejtues largpamës”, apo “I palodhuri”.
Ajo që dua të përcjell në fund është ky mendim: autori i librit “Marrëdhënie të shenjta” ka bërë një punë të mirë në shërbim të Mëmëdheut, duke na sjellë artistikisht kohën e vetë dhe njerëzit e saj. Dhe kjo nuk është pak. Sa bukur e mirë sikur çdo njeri të bëjë diçka për kombin e vetë. Ashtu siç shkruan një shkrimtar e studiues portugez ”Një komb u ngjan gurëve dhe maleve: ai s’është më shumë se vetvetja. Një pemë është një pemë, një mal është një mal, një gur është një gur. Ato s’kanë asgjë të veçantë! Duke bërë një krahasim me natyrën njerëzore do të thosha që një njeri është ai që është, po që dëshiron gjithmonë të jetë diçka më shumë”. Ky është mesazhi i mikut tim të mirë Luan Çipi, autorit të këtij libri të bukur.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi