Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Blendi Fevziu: Histori e sajuar…

Shko poshtë

Blendi Fevziu: Histori e sajuar… Empty Blendi Fevziu: Histori e sajuar…

Mesazh nga Agim Gashi Wed Sep 30, 2009 9:41 pm



Blendi Fevziu: Histori e sajuar… U1_BlendiFevziuHistori e sajuar…

Nga Blendi Fevziu

Më 1991, kur unë u diplomova për letërsi, isha brezi i fundit i studentëve të deformuar ideologjikisht. I përkisja një brezi që e studionte letërsinë botërore plot gropa, që e mbyllte atë në fund të shekullit të XIX–të dhe që konsideronte si librin më të afërt në kohë “Xhek London” e Martin Idenit. Gjithë letërsia e shekullit të XX konsiderohej dekadente, nuk studiohej, ose thjeshtë kritikohej në bllok, pa ditur se çfarë kritikonim realisht.
Letërsia nuk ishte e vetmja. Për 12 vjet rresht unë kisha përsëritur po ato shabllone të një historie të manipuluar; e kisha mësuar atë sipas deformimit ideologjik edhe pse brenda vetes e dija se kjo nuk ishte e vërtetë. 20 vjet më parë, unë isha nga ata studentë, që nuk e pranonim dot këtë deformim dhe u ngritëm kundër tij. 20 vjet më pas, kam ndjerë të skuqem duke lexuar tekstin e Historisë së Popullit Shqiptar XII! Në atë kohë justifikohej! Në këtë kohë, as nuk falët dhe as nuk justifikohet. E vetmja fjalë që më erdhi nëpër mend ishte turp, edhe pse ky nuk është rasti i parë. Në 20 vjet rresht, historia merr ngjyrimin dhe tonet e forcës politike në pushtet dhe kjo jo thjesht për aktualitetin, por edhe për mënyrën se si gjykohet kryengritja e Haxhi Qamilit, lufta e dytë botërore, renditja e forcave në të, apo ai që ne jemi mësuar ta quajmë: revolucioni demokratiko–borgjez i qershorit. Në rastin konkret e shkuara duket se ka gjetur një lloj kompromisi të kënaqshëm (me përjashtim të mungesës së plotë të dënimit të kryengritjes dhe figurës së Haxhi Qamilit), ndërsa e sotmja vuan thellë nga pasaktësia dhe komentet selektive. Nuk dua të merrem me një tekst që fillon tek pellazgët dhe mbaron tek “çështja Fazlliç”! Më duket absurde që debatet dhe thashethemet e gazetave të bëhen pjesë e tekstit të historisë që gjimnazistët mësojnë në shkollë. Teksti që duhet të jetë më seriozi dhe më i sakti, sepse është historia e vendit dhe ai që ndikon më shumë në formimin e nxënësve. Dua të ndalem në dy pika: e para në pasaktësinë e fakteve dhe e dyta në interpretimin e gabuar apo selektiv të tyre.
E para duket më shumë një mungesë kujdesi dhe vëmendje. Po shënoj vetëm periudhën kohore nga viti 1990 deri më 2009.
Në shpalljen e pluralizmit dhe ngjarjet e dhjetorit 1990, autorët shkruajnë: “Në dhjetor 1990 shpërthyen demonstratat e popullsisë së qyteteve të mëdha si Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani, Kavaja. Këto ngjarje treguan se udhëheqjes komuniste i kishte dalë situata jashtë kontrollit. I ndodhur përballë trysnisë ndërkombëtare dhe grevave e protestave brenda vendit, Ramiz Alia në një takim me përfaqësuesit e studentëve të Universitetit të Tiranës, u detyrua të pranonte kërkesën për vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri…”
Në fakt, çdo tekst deri tani, kur bëhet fjalë për një moment të ndryshimit të sistemit siç është ai i dhjetorit 1990, sqaron se protesta nisi në 8 dhjetor në qytetin Studenti dhe se prej pamundësisë për ta frenuar atë, erdhi pluralizmi politik. Protestat dhe grevat nëpër qytete, nuk erdhën para, por pas pluralizmit dhe kjo është një pasaktësi historike. Deri atë ditë, grevat dhe demostratat nuk lejoheshin.
Së dyti, emri i Azem Hajdarit, drejtues i lëvizjes së studentëve, themelues dhe kryetar i parë i PD nuk përmendet fare, ndërkohë që një paragraf i tërë i kushtohet suksesit të “diplomacisë parlamentare të Jozefina Topalli” dhe “ndryshimeve që solli në politikën e vendit, zgjedhja President e Bamir Topit”!
Në ngjarjet e 14 shtatorit të vitit 1998 thuhet: “Në këtë ditë u pushtuan me forcë institucionet qendrore të vendit, radiotelevizioni publik dhe Kryeministri i vendit u largua nga Shqipëria. Me tërheqjen e forcave që mbështesnin opozitën, qeverisjen e vendit e mori Ilir Meta, një nga drejtuesit e PS.” Çdo njeri e di që në fund të shtatorit 1998, Kryeministër u bë Pandeli Majko dhe jo Ilir Meta. Madje, Pandeli Majko ka qenë dy herë Kryeministër i Shqipërisë, një herë gjatë luftës së Kosovës dhe nuk përmendet fare në tekst, ndërkohë që përmendet edhe Bexhet Pacolli edhe Damir Fazlliçi.
Për periudhën e qeverisjes së Fatos Nanos thuhet: “Gjatë kësaj periudhe ndodhën ngjarje të rënda. U mbytën në Adriatik nga luftanija italiane “Sibila” 84 qytetarë shqiptarë. Gjithashtu, u mbytën duke u lënë në mëshirë të fatit 19 qytetarë shqiptarë në janar të vitit 2004… Kryeministri dëshmoi në disa raste se nuk kishte ndjeshmërinë e duhur ndaj këtyre fatkeqësive dhe njerëzve që ishin prekur prej tyre. Për t’u shfajësuar para opinionit shqiptar dhe për të ndryshuar disi raportet brenda PS kreu i saj organizoi mbledhjet e famshme të KPD, ku akuzoi hapur shumë drejtues të PS dhe anëtarë të Qeverisë për gjithçka dhe doli fitimtar…”.
Asnjëra nga këto ngjarje nuk ka lidhje me njëra tjetrën dhe së paku njëra prej tyre as me Fatos Nanon. “I Katërti i Radës” u mbyt në 28 mars 1997, kur Nano nuk ishte Kryeministër. KPD–ja ku Nano fitoi mbështetjen brenda PS u bë në dhjetor 2001 dhe ngjarja e Otrantos në janar 2004. Asnjë lidhje s’ka mes të dyjave siç del në tekst.
E dyta është akoma më e rëndë. Interpretimi i ngjarjeve është problematik dhe në shumë raste i fryn debateve ende të pakonsoliduara politikisht e jo më historikisht. Autorët i quajnë ngjarjet e pranverës 1997 “rebelim komunist”. Padyshim që kjo është gjuha që PD ka ruajtur në gjithë këto vite, por një gjuhë e kontestuar nga kundërshtarët e saj. Përfshirja e një etiketimi të tillë, ngjan më shumë si betejë politike aktuale se sa si përfundim historik i nxjerrë nga studimi i fakteve dhe të vërtetave.
Autorët thonë se zgjedhjet e 26 majit u braktisën nga opozita dhe kanë të drejtë. Por nuk thonë se deputetët e opozitës u rrahën në sheshin “Skënderbej” nga policia më 28 maj. Thonë që u shfrytëzua rënia e firmave piramidale, por nuk thotë asnjë fjalë për këtë fenomen.
Ndërkohë, vitet 2005–2009 janë po kaq kaotik. Duket sikur ka një lloj lartësimi për maxhorancën aktuale, por teksti i historisë, më shumë se sa i tillë, ngjan si një koleksion gazetash të zhurmshme. Nuk po bëj asnjë koment, por po lë disa pjesë nga teksti që të gjykoni vetë:
“Opozita e majtë për disa vjet e akuzoi qeverinë se kishte harxhuar shumë burime financiare për rrugën Durrës–Kukës, për preferenca të firmave, konkretisht të firmës “Bechtel–Enka”, por rruga filloi dhe në fund të mandatit ishte gati për t’u inauguruar…”
“Pjesë e kësaj lufte ishte denoncimi i Qeverisë nga opozita për korrupsionin gjigand në rrugën Durrës–Kukës duke akuzuar ish ministrin e Punëve Publike L. Basha si dhe denoncimi i shumë rasteve të tjera për tenderat e KESH…”
“… Qeveria u ngarkua me një barrë shumë të rëndë në lidhje me këtë aferë, aq sa gjithnjë e më shpesh nga opozita po quhej si “qeveria e Gërdecit”. Në këto debate, u trajtua si një akt korrupsioni edhe çështja Fazlliç…” Nuk e di nëse çështja Fazlliç apo emri i firmës që ndërtoi rrugën Durrës – Kukës, apo debatet për tenderat e KESH, meritojnë të jenë pejsë e një teksti historie që fillon me Pellazgët, vijon me Teutën e Gentin e Ilirisë, vijon me Skënderbeun, rilindësit, Ismail Qemalin, Zogun, Hoxhën e mbyllet, si për ironi të fatit me Fazlliç. Po kështu, qeverisja socialiste e viteve 2001 – 2005 pasqyrohet kështu: “Në zgjedhjet e vitit 2001, përsëri në pushtet erdhën socialistët, nën drejtimin e Fatos Nanos, i cili u bë sërish kryeministër. Por vendin e përfshiu një valë e paparë korrupsioni, trafiku dhe një gjendje e madhe pasigurie, ndonëse Shqipëria kishte filluar rrugën drejt NATO-s dhe MSA (Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit) për në BE. Ekonomia ecte ngadalë. Biznesi nuk ecte me hapat e duhur. Kreditimi i ekonomisë nuk i përshtatej ende nevojave të zhvillimit”. Është jo korrekte dhe mbi të gjitha jo e saktë që një moment i historisë së Shqipërisë, të trajtohet vetëm me anën e saj negative, duke ju referuar më shumë politikës së ditës dhe akuzave të saj se sa realitetit. Kjo pjesë mund të renditej vetëm me faktet, por historia nuk mund të komentohet për sa kohë ajo nuk është histori, por ende aktualitet. Pa harruar që ngjarje si hyrja në Ambasada, pavarësia e Kosovës, janë trajtuar me thjeshtë një frazë, ndërkohë që personazhe dhe politikanë pa ndonjë vlerë kanë zënë një vend që s’kanë për ta pasur kurrë në historinë e Shqipërisë. Ndaj, mund të them se 20 vjet më parë, një tekst si ky mund të justifikohej, por 20 vjet më pas, ky është një tekst i papranueshëm dhe vetëm kaq. Duhet bërë gjithçka që teksti të korrigjohet, në mënyrë që nxënësit e sotëm, të mos e mësojnë historinë të gjymtuar, ashtu siç e mësuam ne, 20 vjet më parë…
Panorama
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi