Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Arbën Xhaferi: Ne jemi, jo ju.

Shko poshtë

Arbën Xhaferi: Ne jemi, jo ju. Empty Arbën Xhaferi: Ne jemi, jo ju.

Mesazh nga Agim Gashi Sun Oct 04, 2009 12:54 pm

Arbën Xhaferi: Ne jemi, jo ju. U2_ArbenXHAFERINe jemi, jo ju.

Nga Arbën Xhaferi

Trpeja (në shqip Durimi), një personazh që e karakterizon maqedonasin në botën e anekdotave dhe barsoletave, shikon në TV një emision dokumentar të prodhimit Explorer. Kozmonautët amerikanë zbresin në sipërfaqen e Hënës, e ngulin flamurin e tyre, e përshëndesin ushtarakisht dhe largohen.

Në sekuencën vijuese, shihen rusët sesi e ngulin flamurin tyre, pastaj kinezët. Trpeja, maqedonasi i barsoletave, gojën plot pupagjela komenton: sërish po e ndani Maqedoninë!?

Shpeshherë anekdotat, barsoletat, humori në përgjithësi, me disa rreshta e shpjegojnë më mirë një fenomen, karakteristikat e një individi apo bashkësie, sesa tekstet diskursive, shkencore që lexohen vetëm nga elita.

Dikur, derisa ekzistonte Jugosllavia, qarkullonin barsoletat që i tipizonin pjesëtarët e një bashkësie etnike. Bie fjala boshnjakët, përmes rrëfesave për Mujën, Hasën paraqiteshin si kokëtrashë, sllovenët racionalë, të mërzitshëm, kroatët artificialisht të kulturuar, serbët gjithmonë fitimtarë dhe rrahagjokës qesharakë, sipas modelit "një amerikan, një rus dhe një serb...", malazezët si përtacë të pashërueshëm, maqedonasit përmes Tërpes, ankestarë që vazhdimisht shtirren si viktima, prandaj gjuha e tyre është e përshkuar me shprehje në diminutiv (makedonçe - maqedonthi, lebçe - bukëza, llave -luanthi, sllonçe-elefanthi etj. që në gjuhën shqipe nuk kanë kuptim), ndërkaq, shqiptarët përmes një sllavishteje plot me gabime në theks, si të huaj, atipikë që në fund, përkundër paragjykimeve denigruese, dalin fitimtarë.

E bëra këtë hyrje, ngaqë kam një refuzim të brendshëm që të trajtohen seriozisht fyerjet që erdhën nga ana e akademikëve maqedonas, lidhur me prejardhjen, historinë, autoktoninë, kulturën e shqiptarëve.

Kur trajtohen seriozisht, me indinjatë dramatizuese fyerjet, inputimet ksenofobike, përbuzëse të qenies së shqiptarëve, pa marrë parasysh në cilin nivel ato sajohen dhe nga ana e kujt dërgohen, atëherë kjo dëshmon se fyesi paska autoritet të frikshëm nga i cili varet mirëqenia, ekzistenca, historia e popullit tonë. Popujt e vjetër, me histori të gjatë, që në vazhdimësi kanë arritur t'i ruajnë vlerat e dokumentueshme të traditës së tyre, si grekët, gjermanët, francezët, italianët, spanjollët etj. aspak nuk do t'i honepsnin vlerësimet mohuese të një populli, që ia vesh një populli tjetër pikërisht mangësitë e veta.

Shkaku më i ri i acarimit të marrëdhënieve shqiptaro - maqedonase, siç dihet tashmë, ishte mohimi i radhës, më arrogant i identitetit, historisë dhe atributeve të tjera të shqiptarëve, tani nga ana e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë.

Ky mohim, me brerore akademike erdhi në një kohë pa kohë. Kështu mendojnë shumica e atyre që përpiqen të gjejnë arsye për këtë provokim skandaloz, për këtë mohim rrugaçëror, që nga përmbajtja është më provokues, më i egër se sa Memorandumi i Akademisë së Shkencave Serbe. Gjithmonë mohimet maqedonase të vlerave të shqiptarëve kanë qenë më radikale sesa të mentorëve të tyre, serbëve.

Shkakun duhet ta kërkojmë te roli i tyre në këtë shtet, tashmë të shpërbërë, Jugosllavisë: serbët silleshin si themelues të shtetit dhe të përgjegjshëm për tërësinë e funksionimit të tij, ndërkaq maqedonasit, të harlisur, të mbrojtur nga vetë shteti i sllavëve të jugut, si shfrytëzues të pangopshëm, të llastuar, të harlisur, shfrytëzues të oportuniteteve të sapokrijuara.

Ata që nuk kanë pasur kohë, as vullnet për ta kuptuar mendësinë maqedonase, metodën e tyre të përkufizimit të identitetit kombëtar, të interpretimit të historisë, vesin e tyre grabitqar të vlerave të të tjerëve, ata sot e mistifikojnë këtë dukuri dhe bartësit e tyre, duke i dhënë një rëndësi të pamerituar.

Si reaguan shqiptarët, si maqedonasit dhe si të huajt?
Shqiptarët, të habitur, sikur burrat që pas shumë kohësh martese zbulojnë me trishtim tradhtinë e gruas, si të zhgënjyerit nga fqinji që i ka prerë në besë, si të hidhëruarit ndaj gënjeshtrave të pabesueshme, sikur njeriu që befas kupton se miku i tij e shpërfill qenien e tij, si të xhindosurit ndaj dikujt që merr guximin t'i përdhosë vlerat e tij identitare, si Sizifi i pikëlluar, i cili kupton se sërish duhet t'i përveshë mëngët, për ta rirrokullisur gurin përpjetë...

Në mos diçka tjetër, kjo Enciklopedi, vetvetiu arriti që ta rifreskojë unitetin e përgjithshëm kombëtar shqiptar. Asnjë politikë shqiptare nuk do të arrinte, që t'i bindë ata të bashkohen kundruall një rreziku, qoftë ai edhe i rrejshëm që nxjerr në shesh faktin se te shqiptarët gjithnjë e më shumë thellohet linja politike, që afirmon idenë e unitetit, që i ngjesh radhët rreth një ideje të përbashkët.

Por, duhet ndriçuar edhe një segment të reagimeve shterpe dhe oportuniste të shqiptarëve: përcaktimi që në çdo situatë të sillen të përgjegjshëm, skajshmërisht të moderuar, që të tjerët e interpretojnë si dobësi. Në vend që të ironizojnë me atë palo enciklopedi, të mençurit e kombit zunë t'i përgënjeshtrojnë inputimet e AMASH (MANU) si të pavërteta, tendencioze, joshkencore, ksenofobike që burojnë nga urrejtja irracionale ndaj shqiptarëve.

Kjo taktike defanzive, në fakt, e trimëron palën maqedonase, që të vazhdojë me eksperimentet alkimike, duke arritur të paktën që nga gënjeshtrat flagrante të krijojë pozicion për tregti me të vërtetat tona historike.

Reagimi kundër përbuzjes, përgënjeshtrimi i argumenteve është i arsyeshëm, por megjithatë i pamjaftueshëm. Reagimet institucionale të shqiptarëve, qofshin ato shtetërore apo shkencore nuk kanë efekt, nëse do të përqendrohen vetëm në gjetjen e argumenteve që i mposhtin tezat mohuese serbe, maqedonase për identitetin, trashëgiminë e pasur etnografike, autoktoninë, etnogjenezën, historinë e shqiptarëve. Këto mohime plot urrejtje nuk do të rreshten nëse ne do të vazhdojmë me përgënjeshtrime, me defanzivë.

Ato do të ndalen vetëm nëse historianët tanë do ta thonë të vërtetën: ta kontestojnë autoktoninë, etnogjenezën e maqedonasve. Pa këtë ndryshim të mënyrës së kundërvënies ndaj mohimit të vlerave shqiptarëve nga pseudo-intelektualë, që mbrojnë një pseudo-kauzë, një pseudo-realitet, nuk do të arrihet që këto qyfyre të ndalen njëherë e përgjithmonë.

Mohimi i rrëfimit historik të shqiptarëve bëhet nga një shtet ku 1/3 e popullatës janë shqiptarë. Mohohet thelbi i qenies kombëtare shqiptare, nga një popull që nuk ka thelb, as që do të arrijë ta krijojë atë, por jo vetëm kaq.

Maqedonasit, pa frikë dhe hamendje, krahas përbuzjes së trashëgimisë shqiptare, në mënyrë gjithnjë e më intensive, përvetësojnë nga popujt e tjerë, veçmas nga shqiptarët, jo vetëm ngjarjet, por edhe personazhet historike që kanë lënë gjurmë me peshë historike dhe ideore.
Ata, në mënyrë mospërfillëse, i përvetësojnë personazhet historike të epokave të ndryshme, që kanë jetuar dhe vepruar para se të krijohej shteti maqedonas, Skënderbeun, Nënën Terezë, të cilën gjithnjë e quajnë Shkupiania, xhiruesin Milton Manaki, Josif Bagerin, Ferid Muradin, ose duke mohuar vetëm shqiptarësinë e tyre, duke i shpallur si vlleh, (familjen Frashëri bie fjala), ose familjen Qiriazi, të cilën e trajtojnë si vllahe, misionarë të protestantizmit.

Kjo sjellje e maqedonasve zbulon një armiqësi irracionale, një urrejtje të akumuluar antishqiptare, të fshehur në thellësitë e shpirtit të tyre. Kjo karakteristikë nuk do të kishte kurrfarë rëndësie, sikur të mos ideologjizohej dhe të merrte karakteristika doktrinare të urrejtjes mbi baza nacionale, të njerëzve që jetojnë bri tyre me shekuj.

Nacionalizmi, kur artikulohet në mënyrë doktrinare, shndërrohet në nacizëm, në të drejtën e likuidimit, dënimit, të eksploatimit të skajshëm të kategorisë së individëve dhe grupeve që kanë prejardhje tjetër etnike, fetare, ose bindje politike.

Ideologjizimi i një çështjeje nacionale është një mashtrim i paramenduar. Me të një grup fiton të drejtën e shkeljes, ose anulimit të përkohshëm të ligjit, në emër të vlerave "të shenjta" të popullit.

Si reaguan maqedonasit?
Në mënyrë edhe më ofenduese, të paktën kreu politik. Ata, si edhe më parë përdorin metodën e akuzës pa argumente, duke porositur që i akuzuari duhet të gjejë argumente që dëshmojnë se është i pafajshëm. Tipike për kohën e Stalinit.

Presidenti i shtetit, Ivanov, kërkesës së kryeministrit shqiptar, z. Berisha që të distancohet nga fyerjet që gëlojnë në librin e parë të Enciklopedisë Maqedonase, iu përgjigj me cinizëm: "Nuk bën që një politikan të ngatërrohet në punët e shkencës".

Ngjashëm reagoi edhe kryeministri Gruevski, duke thënë se pas kësaj Enciklopedie nuk qëndron Qeveria. Natyrisht, gënjeshtër e pacipe. Ajo nuk qenka autore e këtij teksti, por e mbështet atë financiarisht dhe e siguron paprekshmërinë e autorëve.

Pritej që kreu i opozitës, Z Cërvenkovski, të ishte më konkret. Por, edhe ai s'arriti që ta mbajë nivelin. Dha një shpjegim demagogjik: në librin e parë të Enciklopedisë paska pohime të rrezikshme duke përmendur vetëm akuzat kundër SHBA-ve, NATo-s dhe UE-së. Ofendimet kundër shqiptarëve nuk u përmendën.

Nga i gjithë spektri i opinionistëve, vetëm njëri, B.Gerovski dha një shpjegim akademik, plot sharje: "Gruevski luan k... me Ahmetin ... Nëse kjo nuk është e vërtetë, atëherë unë s'ditkam domethëninen e kësaj fjale", komenton me sinqeritet ai.

Faktori ndërkombëtar, në stilin pedagogjik, i dënoi pohimet skandaloze të akademikëve, lidhur me implikimet e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, UE-së etj. në kryengritjen e vitit 2001, duke apeluar njëherësh për vetëpërmbajtje.

Të gjithë ata, që janë të prekur me porositë e këtij pamfleti, kërkojnë që të tërhiqet libri dhe të korrigjohen trillimet antishqiptare. Por, çka do të bëjmë me tekstet e tjerë, që janë edhe më histerikë, edhe më bizarë si bie fjala libri i njëfarë Dr. Risto Ivanovski: "Grcite, Albancite i Vlasite se vestacki narodnosti" ("Grekët, shqiptarët dhe Vllehët janë kombësi artificiale"). Në 176 faqet e këtij libri, të botar në Manastir në vitin 2009, çështja shqiptare trajtohet si krim: "Edhe deri më tani për shqiptarët, ortodoksët janë skllevër.

Kjo shihet edhe në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, vetëm për ta ka Marrëveshje Kornizë... pa kornizë financiare, ... që shqiptarët myslimanë të jetojnë si parazitë mbi kurrizin e maqedonasve ortodoksë. Kjo është vepra e SHBA-ve dhe UE-së" (fq. 15); "Vllehët dhe shqiptarët janë hajdutë" (fq. 35); "gjuha shqipe është treracore, krim" (fq33); "Shkolla Berlino-Vieneze është kriminale, për ta Maqedonia u takon shqiptarëve dhe bullgarëve" (fq33) etj.

Gati në çdo pasus të këtij libri jepen vlerësime të kësaj natyre.
Historianët, letrarët, arkeologët, detyrimisht edhe politikët maqedonas janë të indoktrinuar nga iluzionet, që sa vjen e po zvetënohen dhe në fund mllefi i tyre për këtë humbje bartet te ata që nuk kanë telashe të kësaj natyre, veçmas te shqiptarët, të cilëve u mohohet, pikërisht ajo që u mungon maqedonasve.

Me mohimin e disa atributeve të shqiptarëve (lashtësia, trashëgimia, identiteti i qartë etj.) është në funksion të krijimit politik të identitetit kombëtar. Ata dëshirojnë të krijojnë identitet, duke mohuar faktet që e krijojnë identitetin shqiptar. Ky mohim " NE JEMI, JO JU" është nihilist dhe metodë artificiale e krijimit të identitetit.

Çdo popull ka të drejtë që politikisht të ndërtojë identitetin kombëtar, si bie fjala amerikanët. Por, çdo popull nuk mund të pretendojë që identitetin e vet kombëtar ta ndërtojë mbi premisat etnike. Këtë privilegj nuk e kanë shumë kombe. Shqiptarët janë nga popujt e rrallë që natyrshëm, mbi baza reale etnike kanë krijuar identitetin e tyre kombëtar ... .

Ka ardhur koha, që shkencëtarët tanë t'ua shpjegojnë akademikëve maqedonas këtë dallim ndërmjet identitetit etnik dhe atij politik, por kurrsesi duke dhënë argumente në funksion të përgënjeshtrimit të mohimeve dashakeqe maqedonase, por duke e mbrojtur të vërtetën, sidoqoftë ajo ... . Madje, edhe nëse është e pakapërdishme për maqedonasit.

Shekulli, 03/10/2009 - Për ZSH: Gjergj Kabashi
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi