Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mërgimi i gjuhës

Shko poshtë

Mërgimi i gjuhës Empty Mërgimi i gjuhës

Mesazh nga Agim Gashi Tue Oct 06, 2009 9:49 pm

Mërgimi i gjuhës

Martin Camaj



Mërgimi i gjuhës MARTN
Martin Camaj


Shpresoj qi prej përmbajtjes ka me u kuptue çka don me shprehë titulli i kumtesës time, mâ e shkurta qi un kam lexue deritash përpara nji auditori kaq të meritueshëm. Shumë prej gjanave qi keni me ndigjue bâjnë pjesë në qëndrimin mâ të thellë qi un kam mundë me mbajtë ndaj ngjarjeve qi i kanë ra për hise gjuhës time. Prej kësaj rrjèdh, në nji farë mënyret, edhe shkaku mâ i thellë qi më ka shtye me u marrë si shkencëtar me gjuhën.

Tue qenë se në rasën time bâhet fjalë edhe për ndjenjat e jo vetëm për nji studim të ftohtë shkencór, e ndiej veten në vendin e shkrimtarit francez Georges-Arthur Goldsmith, kur ky flet për gjuhën amtare: "Gjuha amtare âsht në fund të fundit kumbimi i formave qi fëmija zbulon për herë të parë. Gjuha amtare âsht frymëmarrja e veçantë e trupit njerëzor, âsht pragu për te elementat e hapsinës".

Ky çansim nuk âsht në kundërshtim me at' çka ndërmerr puna hulumtuese shkencore, historike (diakronike e sinkronike), qi në fazen e tashme të shqipes zhvillohet në dy drejtime:

A) si gjuhë natyrale e ndame në degzime dialektore e në kontakt me gjuhët tjera qi e rrethojnë.

B) si gjuhë artificiale, në t'cilën përdoren mjete kufizuese të dhunshme, krejtsisht në kundërshtim me zhvillimin e natyrshëm të vetë gjuhës.

Ka rreth njizet vjet qi në Shqipní po vazhdon proçesi i normalizimit të gjuhës, i cili nuk merr parasysh randësinë e dialekteve e të historisë, ase të dokumentave si: dorëshkrime, tekste letrare etj. Më lejoni, tashti, me ju prû disa të dhana historike të nevojshme. Për me kuptue mirë strukturat e këthella historike të gjuhës shqipe âsht e domosdoshme me njohtë marrdhânjet qi ajo ka pasë me latinishten e vonshme, gjuhë me të cilën ka pasë nji periudhë afrimitetit. Llogaritet qi kontakti me latinishten të ketë fillue gjatë shekullit II p. Kr.

Tue punue në mënyrë paralele mbi shndërrimet qi kanë ndodhë në të dyja gjuhët mundemi me rindërtue historinë e shndërrimeve të tingujve (Lautverschiebung). Tue u nisë prej këtyne shndërrimeve mundemi me shestue rishtas trajtat qi kanë përplotsue mâ vonë sistemet gramatikore të gjuhës shqipe. Ndër këta rindërtime gramatikore duhet me marrë parasysh edhe tharmet e përmbrendshme të gjuhës shqipe, tue i lidhë gjithmonë edhe me zhvillimet qi i kanë rranjët te baza indoeuropiane. Periudha prej shekujve IX - X m. Kr. deri te shekulli XVI, përfaqson nji fazë shumë të randësishme, atë qi na sot e quejmë faza e "shqipes së vjetër".

Ekziston edhe nji teorí me baza shkencore, simbas së cilës shumë pjesë të Ungjillit e të Dhjatës së Vjetër të përfshime në «Meshar» të Buzukut, i përkasin nji periudhe para 1555, vjetë në t'cilin u botue vepra. Këto pjesë, të mbajtuna prej nesh si mâ të përparshme janë përkthye prej liturgjisë greke. Janë tekste qi kanë nji gjuhë e nji stil të ndryshëm në krahasim me ata qi ka përkthye Buzuku vetë. Megjithatë shihet në ketë tekst nji gjuhë koherente. Në ketë kohë fillojnë me u dukë diferencimet ndërmjet gegnishtes, qi nuk e ka fenomenin e rotacizmit, dhe tosknishtes qi i nënshtrohet këtij fenomen. Bile, kishe me thanë, qi këtu bâhet fjalë për nji fazë të shqipes qi studjuesat gjermanë, qysh prej shekullit të kaluem, e kanë quejt: Gemeinalbanisch (shqipja e përbashkët).

Mbas pushtimit turk, qi nisë prej shekullit XVI, fillon edhe Zersplitterung (copëzimi:) i dy degëve gramatikore të shqipes. Kah ana tjetër edhe mbrenda për mbrenda secilit dialekt ky copëzim sjell krijimin e të folmeve të reja. Gegnishtja ka fatin me i pasë të dokumentueme të gjitha këto struktura gramatikore. Por, këto venome (privilegje), dialektologjia e sotshme shqipe nuk i ka shfrytzue aspak e aq mâ pak ata qi gjinden në krye të procesit të krijimit të normës së saj. Kështu, në njizet vjet (1952-1970), âsht krijue në Shqipní nji gjuhë letrare, të cilën Enver Hoxha, si nun i saj, e pagzoi tue e quejtë "gjuha kombëtare". Në zhvillimin e këtij procesi të krijimit të normës gjuhsore nuk u përfill historia, pra, tradita e gjuhës shqipe, e cila, si u pa mâ sipër, ka nji randësí të madhe. Rruga e mënyrës së krijimit të normës së "gjuhës kombëtare" âsht vendosë vetëm prej politikanëve, prej nji grupi të Byrosë Politike me prejardhje prej jugut të Shqipnís. Kundërshtimet e shkencatarëve, ndërmjet të cilëve bâjnë pjesë dy lavrues të vjetër të kësaj gjuhe, shqiptari Aleksandër Xhuvani e gjermani Max Lambertz, nuk patën asnji efekt. Lambertz-it i gjegji Enver Hoxha vetë, tue i thanë: "Ky është një vendim politik!". Absurditeti i kësaj politike u kritikue për vjet me rradhë prej Arshi Pipës, ndër shkrime qi tash së fundi janë përmbledhë në nji vëllim prej rreth treqind faqesh prej Columbia University Press, me titull: "Politics of Language in Socialist Albania".

Teoria themelore qi drejtoi procesin e ndjekun për zbatimin e normës, qi në të vërtetë âsht vû në jetë me dhunë, i përket Stalinit. Gjuha e fituesit përgjithsohet e bâhet gjuhë e shtetit. Hoxha, në vend të gjuhës, imponoi praktikisht dialektin e vet, ase mâ mirë, nji prej nëndialekteve të tosknishtes lindore. Gjuhëtarët shqiptarë duhet t'i bindeshin vetëm urdhnave qi vijshin prej nalt. Ecunija mbështetej në mënyren induktive, pa përfíllë traditen.

A) çdo variant tjetër gjuhsor letrar u ndalue, në veçantí ai i veriut, qi si e pamë, âsht mâ i vjetri e mâ i pasuni me tekste e âsht mâ i përdoruni prej shumicës së popullit shqiptar. U pengue edhe zhvillimi i tosknishtes tradicionale letrare, në veçanti përbâsja e saj perëndimore, qi âsht zhvillue në hapsinën prej bregut shqiptar të Jonit deri në Peloponez e prej aty bashkohet me zonat arbëreshe të Italís jugore. Këtu âsht trashigue nji traditë letrare e zgjedhun e tanë sqimtí, e ngjashme me klimen e butë mesdhetare. Gjithë kjo zonë ka karakteristika gjuhsore të përbashkëta qi e dallojnë ketë të folme prej tosknishtes perëndimore.

B) për gati nji gjysë shekulli para ardhjes së stalinizmit, tre variantet letrare janë zhvillue lirshëm në nji simbiozë harmonike. Weigand-i, Nahtigal-i, Pekmezi, ky i fundit ishte nji shqiptar me nënshtetësí austriake, Xhuvani e deri edhe autorë veriorë si Fishta e Gurakuqi (Karl), këshilluen qi unjisimi i gjuhës zyrtare të mbërrihej nepërmjet "avitjes" së dy gjuhëve letrare kryesore, gegnishtes dhe tosknishtes. Kjo gja duhej me u krye jo në mënyrë të vrazhdë, por në nji kohë të gjatë. Në të vërtetë, deri në 1944 shoqnija shqiptare zhvillohej në nji rreth simbiozet familjare, kulturore e gjuhsore. Në veçantí në Tiranë qenë mâ të ndieshme kontaktet gjuhsore ndërmjet atyne qi përdorojshin dialekte të ndryshme. Ky afrim ishte dashtë me u ndjekë me kujdes për me gjetë rrugën mâ të drejtë me punue për unjisimin e gjuhës. Këta janë treguesit qi procesi i krijimit të nji norme të udhëhequn prej parimesh të drejta, ishte dashtë me ndjekë. Por, kjo gja nuk qe e mundun, mbasi gjuhësia shqiptare, fatkeqsisht, nuk kishte bazat e veta të zhvillueme në mënyrë të mjaftueshme.

C) A ka mundësí sot për me ndreqë gabimet e bâme? Kishe me thanë se po. Ne kemi sot shumë metoda dhe përvoja në fushën e gjuhësisë moderne. Do të ishte e këshillueshme për çdo komb qi, përpara se me ia hî punës për krijimin e normës themelore të gjuhës së vet, të mbante parasysh zhvillimin gjuhsor. Âsht e domosdoshme puna parapërgatitëse: duhet mbajtë mend qi për secilen pjesë të gramatikës ekzistojnë monografí të plota qi s'duhen lanë mbas dore.

D) Âsht e domosdoshme qi sot në Shqipní të zhvillohet nji shkollë e re gjuhsore.

Tue përfundue, uroj qi edhe në Shqipní të ketë ardhë koha në të cilën nuk kanë me qenë mâ politikanët ata qi do të vendosin për çashtjet gjuhsore dhe letrare. Qi çdo vendim, në veçantí ata qi i përkasin tanë Kombit, të merret në përputhje me vullnesën e shumicës së popullit: idealja kishte me qenë nji pëlqim i gjithanshëm, por kjo âsht e tepërt sot për sot.


Kumtesë e mbajtun në Universitetin e Salerno-s me 2/12/1991
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi