Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kalosh Çeliku: Patrioti

Shko poshtë

Kalosh Çeliku: Patrioti Empty Kalosh Çeliku: Patrioti

Mesazh nga Agim Gashi Sat Oct 10, 2009 12:14 am


Kalosh Çeliku: Patrioti U1_KaloshCelikuPATRIOTI

Nga KALOSH ÇELIKU

Nuk e di çka mu kujtua sot, pas kaq vitesh Patrioti me kësulën e bardhë në kokë. Dhe, ajo kohë revolucionare e viteve të ’72-ta, në Prishtinë. Fajin me siguri do ta kenë gazetat tona në gjuhën shqipe. Librat e “rrezikshëm”, që në atë kohë qarkullonin dorë më dorë. Ose, faqet e internetit plot sharje e ofendime.
Nuk ka rëndësi për lexuesin kjo histori ditore. E rëndësishme është se, në atë kohë komuniste të “vëllazërim-bashkimit”, ne shqiptarët për një fjalë goje ndiqeshim këmba - këmbës për nacionalizëm e irrendetizëm. E Patrioti me kësulën e bardhë në kokë shëtiste lirishtë rrugëve të Prishtinës. Nuk i jepte pesë pare. Përpara hundëve të sigurimit e mbante në kokë kësulën e bardhë. Edhe na përshëndeste, për inatë me krenari: Tungjatjeta!
Tungjatjeta, ia kthenim ne me frikë duke vazhduar rrugën me të katra drejtë Fakultetit Filosofik. E lakmonim shenjën e Skënderbeut, që e mbante ai haptas në setre. Edhe kësulën e bardhë në kokë. Po, nuk na e mbante bytha, nuk kishim guxim ta pyesnim ose bisedonim më gjatë për kësulën e bardhë, Patriotin e Prishtinës. Punën e tij patriotike legale e mirrnim si shaka të kohës. Provokim për ne studentët ilegalë, ose pushtetin e egër të atëhershëm sllavokomunist që na rrinte si spatë mbi kokë.
Përditë e shihnim rrugëve të Prishtinës Patriotin me kësulë të bardhë. Kohë kjo, kur kishim frikë të zgjohemi në mëngjes, të dalim në rrugë. Në çdo hap provokime. Spiunë që na ndiqnin pas shpine në Universitet. Menzën e studentëve. Edhe në Bibliotekë se, çfarë librash lexonim mes atyre rafteve për atë kohë të dyshimtë. Në mesin tonë kishim edhe të atillë “studentë”, që bashkëpunonin me sigurimin. Nga njëra anë na e jepnin romanin Tradhtia të Kapllan Resulit që qarkullonte në mënyrë ilegale dorë më dorë, e nga ana tjetër të nesërmen na denonconin në polici. Përmëtepër, përveç çotekut i hanim kot edhe pesë vjet burg. Vetëm e vetëm, pse na e kishin gjetur mes librave në banesë, romanin e “rrezikshëm”. Fatmirësisht, unë gjatë kohës së studimeve, nuk e mora këtë roman nga “lexuesit” e sigurimit me arsyetim se nuk kisha kohë për lexim, isha i zënë me provime. Nuk e di pse më kishte hy në kokë si pykë se, atë roman sigurimi e kishte hedhur si grep për ne studentët shqiptarë. Shkak ky, që i shpëtova edhe burgut famëkeq komunist të Goli Otokut. Vetëm një e thirrur në rrugë: Kosova republikë, të nesërmen na kushtonte hiç më pak, pesë vjet burg nëpër zandanet e famëshme të Jugosllavisë komuniste.
Vite më vonë, përsëri në kohën e komunizmit famëkeq jugosllav, rreth viteve të ’80-ta, kur më unë u ktheva në Shkup, u habita me romanin e “ndaluar” Tradhtia që e gjeta në raftet e Bibliotekës Popullore Universitare: “Kliment Ohridski”. Përçudi, në këtë Bibliotekë universitare, atëherë i lexova edhe librat e tjerë të “ndaluar” të këtij autori “antijugosllav”, që kishte “ikur” nga burgu në Shqipëri: Ushtima e Korabit, Gjarpëri etj. Vetëmse, kësaj radhe nuk mi jepte “lexuesi patriot” i sigurimit të atëhershëm jugosllav, po bilbiotekistët e Shtetit sllavokomunist. E dija se, edhe këtu mbanin evidencë se kush çka lexon, po kjo nuk ma lodhte shumë kokën. Fundi i fundit, librat e “ndaluar” i lexoja në Bibliotekë. Dorën në zemër, kjo Bibliotekë Universitare ishte shumë e pasur me beletristikë, sidomos me libra të botuar në Shqipëri, që ne në atë kohë vështirë i shtinim në dorë me të cilët e kalonim natën. Fatkeqsësisht, Biblioteka Universitare e Kosoëvës në krahasim me këtë bibliotekë ishte shumë më e varfër. Asaj kohe, unë kisha dëgjuar nga të burgosurit politik, që e kishin vuajtur dënimin në Idrizovë se, në Maqedoni bibliotekë shumë më e pasur edhe se kjo universitare “Kliment Ohridski”, është ajo e burgut famëkeq të Idrizovës.
Vite më vonë autori “antijugosllav” i romanit Tradhtia do të bie në burg, si spiun jugosllav i dërguar në Shqipëri. Pas ndryshimeve demokratike do të dalë nga burgu dhe do ta tregojë fytyrën e vërtetë të shkrimtarit, vjellë çkamos kundër shqiptarëve. Gazetave dhe librave të vet teknefesë, do të hedhë gurë e dru kundër shqiptarëve. Në një gazetë në Shqipëri edhe do të botohet një shkrim se: autori i romanit Tradhtia nuk është Kapllan Resuli, po Mahmud Dumani. Udba, pasi e kishte burgosur Mahmud Dumanin, kishte kurdisur edhe plot raste të këtilla e shkruar libra. E kujtoj një bisedë rasti në gazetën e atëhershme “Flaka e vëllazërimit” (Shkup), ku punonte Adem Gajtani si redaktor i botimeve. Poetin, në atë kohë e sulmonin si spiun të Udbës jugosllave. Shkaku se: poeti ia kishte rrëmbyer gruan shokut të tij besnik, Kapllan Resulit. Papritmas, në besim mes të tjerash ku më tha: pa të drejtë mua këtu më sulmojnë si spiun e tradhtar i shokut. Po, shpejtë do të vij koha dhe e vërteta do të dalë në shesh, do të flasë shumë me argumente për këtë kurdisje, vepër spiunazhi jugosllav. Nuk i vura gjithaq rëndësi kësaj bisede rasti në atë kohë. Edhe pse, edhe unë vetë dyshoja në një vepër të këtillë gatimi në maxhe të Udbës jugosllave. E kishin punuar me tru, aq bindshëm për popullatën shqiptare, saqë nuk të lente asnjëfarë shteg dyshimi. Ngjarja që të jetë për atë kohë sa më bindëse, njërin e kishin “ikur” në Shqipëri, e tjetrin e kishin detyruar që t’ia marrë gruan. Nuk shkoi shumë kohë dhe i gjithë plani i Udbës jugosllave doli në sipërfaqe. Kapllan Resulin e rrasën në burg si spiun jugosllav. Edhe fjalët e Adem Gajtanit për këtë kurdisje me aq mjeshtri, dolën të vërteta për opinionin shqiptar. Me siguri, po të ishte gjallë sot poeti do të fliste shumë për atë kohë policore. E vërteta e asaj kohe u varros bashkë me poetin në varr.
Vërtetë ishin kohë të vështira ato të Udbës jugosllave, kur siç thoshte populli: nata kishte sy e muret veshë. Trim mbi trima në atë kohë ishte Patrioti i Prishtinës, që e mbante kudo kësulën e bardhë në kokë. Dhe, shenjën e Skënderbeut me dy brinja në setre. Pesë para s’i jepte për romanin Tradhtia. Nuk e di, a është ende gjallë rrugëve të Prishtinës me kësulë të bardhë në kokë. Shkaku se, edhe pse herë pas here shkoj në Prishtinë, nuk e kam parë atyre rrugëve plot jetë e kujtime. Vërtetë, edhe më ka marrë malli për atë Patriot historik e largpamës!
E sot?! Edhe sot kemi plot “patriotë” nëpër gazeta. Faqe të internetit. Ndonjëri, në syrret del edhe me kësulë të bardhë. Shqiponjën dykrenare në ballë. Mjerim shqiptar! Natë e ditë “punojnë” për Atdheun. Shqipëri Etnike. Po, nuk e di pse nuk më duken aq trima, nuk ma mbushin mendjen si Patrioti i atyre viteve, gjatë studimeve në Prishtinë?!...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi