Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Përgatitja e furtunës: Nga Lufta e Parë Botërore në të Dytën

Shko poshtë

Përgatitja e furtunës: Nga Lufta e Parë Botërore në të Dytën Empty Përgatitja e furtunës: Nga Lufta e Parë Botërore në të Dytën

Mesazh nga Agim Gashi Mon Oct 12, 2009 10:56 pm

Përgatitja e furtunës: Nga Lufta e Parë Botërore në të Dytën

Një prej shumë shpjegimeve që kanë dhënë historianët është se origjina e Luftës së Dytë është drejtpërdrejt e atribueshme Traktatit të Versajës, atij Traktati të Versajës që qe një paqe shumë e ashpër

Një Gjermani e zemëruar gati për Luftën e Dytë
Më 1 shtator të vitit 1939, 21 vjet e 3 muaj pas nënshkrimit të Traktatit të Versajës, lufta shpërtheu sërish në Europë. Qe një prej enigmave të mëdha të historisë që pas katastrofës së Luftës së Parë Botërore, një tjetër luftë masive katastrofike mund të ndodhte, një e tillë që i solli më shumë shkatërrim Europës dhe qytetërimit botëror sesa Lufta e Parë. Një prej shumë shpjegimeve që kanë dhënë historianët është se origjina e Luftës së Dytë është drejtpërdrejt e atribueshme Traktatit të Versajës, atij Traktati të Versajës që qe një paqe shumë e ashpër dhe se gjermanëve duhej t'u jepej një paqe e lehtë që t'i fuste ata në bashkësinë europiane. Nga këndvështrimi im, kjo është thjesht gabim. Shumë shpesh historianët dështojnë që të marrin parasysh kontekstin në të cilin ndodhën ngjarjet. Sigurisht, nga perspektiva jonë sot, një paqe e lehtë e mrekullueshme ndaj Gjermanisë mund të kish bërë ndonjë diferencë në parandalimin e Luftës së Dytë Botërore, por kësaj i mungon konteksti i vitit 1919 dhe mënyra sesi kish filluar Lufta e Parë. Ajo ishte nxitur dhe shkaktuar qëllimisht nga Rajhu gjerman, ndoshta jo në masën që Lufta e Dytë Botërore (të paktën në termat e Europës) u shkaktua nga Gjermania naziste, por sjellja gjermane në muajt e parë të luftës qe e jashtëzakonshme në çdo aspekt. Kjo është diçka që historianët kanë filluar ta vërejnë, ndërsa ne fillojmë të kuptojmë impaktin e thellë që Lufta e Parë Botërore pati në historinë botërore.
6000 civilë - burra, gra dhe fëmijë - u ekzekutuan në Belgjikë dhe Francën veriore nga trupat gjermane në gusht - shtator 1914. Gjermanët pretenduan se civilët qenë të angazhuar në luftë guerrilase; në fakt, rindërtimi i këtyre ngjarjeve nga historianët tregon se pati incidente nga një zjarr miqësor apo thjesht trupa në tërheqje. Ajo qe një mizori e jashtëzakonshme që është anashkaluar nga krime të mëvonshme në vende të tilla si Aushvici, ku gjermanët kaluan nga vrasja e mijërave në vrasjen e milionave. Në vitin 1914, preteksti qe nevojë ushtarake, ndërsa Gjermania pushtonte Belgjikën dhe Luksemburgun, vende më të cilat Gjermania kishte nënshkruar traktate që premtonin neutralitetin e tyre (Kancelari gjerman i tha ambasadorit britanik në korrik të 1914 se këto traktate qenë vetëm "copa letre").
Përveç trajtimit kriminal nga ana e gjermanëve për civilët belgë dhe francezë në zonat e pushtuara prej tyre, Operacioni Albrecht në dimrin 1916-1917, ndërsa gjermanët po tërhiqeshin, shkatërroi afërsisht 10000 milje katrore të territorit francez. Çdo pemë u pre, çdo pus u helmatis, e gjithë popullsia u lëviz dhe të gjitha urat dhe infrastrukturat u shkatërruan. Jo më vonë se tetor-nëntori 1918, trupat gjermane që po tërhiqeshin nga territoret franceze po helmonin terrenin, mbysnin minierat e qymyrit dhe shkatërronin fabrikat. Mënyra sesi Lufta e Parë përfundoi u dha paqebërësve në Versajë një problem të pamundur. Së pari, asnjë trupë aleate nuk qëndroi në territorin gjerman kur lufta mbaroi. Për pasojë, gjermanët e të gjithë spektrit politik menjëherë pretenduan se ushtria e tyre kishte qëndruar e pacënuar dhe e pamundur në fushën e betejës. Por shënime dhe dëshmi oficerësh gjermanë përpara Rajhshtagut në vitin 1924 provojnë se kjo është fallse. Disa divizione gjermane qenë me 200 njerëz, kompanitë qenë katandisur me rreth 10-20 vetë dhe togat nuk ekzistonin më. Pati 700000 dezertorë në vjeshtën e 1918. Ushtria gjermane ishte shpartalluar dhe mundur, por gjermanët thjesht e fshehën këtë realitet. Ata pretenduan se e kishin pranuar armëpushimin sepse besuan që po të vepronin kështu do të ndihmonin fushatën e 14 pikave të Woodrow Wilson. Brenda një viti apo dy nga armëpushimi, rezultati qe një ndjenjë padrejtësie e thellë nga ana e popullit gjerman që pothuajse nuk kishte asnjë justifikim.
Sigurisht, nuk kishte asnjë mundësi si për një paqe të lehtë, ashtu dhe të një paqeje të vështirë si më 1945. Versaja dështoi në të dyja. Ajo nuk e adresoi faktin që Gjermania qe vendi më i fuqishëm në Europë dhe (po të mos kish shkaktuar Luftën e Dytë Botërore) gjatë 20-40 viteve të ardhshme patjetër që do ta rimerrte pozicionin e saj të paravitit 1914 si fuqi gjysëmhegjemoniste në Europë. Politikanët britanikë dhe francezë do të linçoheshin nga popullsitë e tyre sikur të kishin propozuar një paqe të lehtë. Sakrificat e popullit francez dhe britanik qenë të tilla që në asnjë mënyrë nuk do ta lejonin një rezultat të tillë, duke pasur parasysh sjelljen gjermane. Kur Gjeneralit Pershing iu tha për armëpushimin në tetor të 1918 dhe iu pyet se çfarë termash aleatët duhet t'u jepnin gjermanëve, ai paralajmëroi se për aq kohë sa paqja nuk diktohej në Berlin, ne rrezikonim ta përsërisnim një luftë të tillë. Kishte të drejtë. Lufta e Parë Botërore qe një influencë e madhe e keqe ndaj të gjithë spektrit politik të Europës në vitet '20 dhe '30. Ato vite panë daljen e Bashkimit Sovjetik, një shtet që e hodhi poshtë të gjithë të kaluarën evropiane - ekonomike e politike dhe sistemin shtetëror - dhe besonte në revolucionin botëror. Rezultati i dytë strategjik i Luftës së Parë Botërore qe shfaqja e asaj që gjermanët e quajtën shtetet saison në Europën Lindore (Poloni, Hungari, Jugosllavi, shtetet balltike, Finlandë) që kishin qenë pjesë perandorish të mëdha të vitit 1914 (Austro-Hungari, Rusi dhe Gjermani). Këto shtete të reja qenë të paafta të bashkëpunimin me njëra-tjetrën politikisht, ushtarakisht apo ekonomikisht. Kështu, ndërsa Gjermania kishte pësuar humbjen ushtarake, potenciali ekonomik dhe politik i saj mbeti dhe i dha asaj një rrugë të lehtë në dominimin e Europës Lindore. Në vitin 1914, Gjermania kishte tri fuqi të mëdha në kufijtë e saj, që i kishin dhënë ankth të madh strategjik dhe ushtarak. Në vitin 1919, ajo kishte vetëm një të tillë, Francën, e cila ishte dëmtuar rëndë psikologjikisht dhe ekonomikisht nga rezultatet e Luftës së Parë Botërore. Reagimi i fuqive evropiane ndaj Luftës së Parë në vitet '20 është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të kuptuar kontekstin sesi u ngritën Gjermania naziste dhe Italia fashiste dhe ngjarjet e fundit të viteve '30. Ekzistonte një ndjenjë në Britani pasi mbaroi lufta dhe flota gjermane ishte dorëzuar se Gjermania nuk përbënte më rrezik strategjik. Problemi ishte se nga pikëpamja ekonomike, Gjermania e paraluftës kishte qenë fuqia më e rëndësishme tregtare e Britanisë. Që Britania të rifitonte pozicionin e saj ekonomik në botë, ajo kishte nevojë për një partner të fuqishëm tregtar në Gjermani. Veç kësaj, nga fundi i viteve '20, mendimi popullor rreth luftës influencohej shumë nga një numër veprash letrare të mrekullueshme. Fatkeqësisht, një pjesë e letërsisë më të madhe të shekullit XX nuk bëhet më në kurset letrare universitare në universitete dhe shkolla të mesme për shkak se përfshin luftën. Good-bye to All That i Robert Graves (1929), Memoirs of an Infantry Officer i Siegfried Sasoon (1930), Passionate Prodigality i Guy Chapman (1933), The Middle Parts of Fortune i Frederic Manning (1930) qenë libra të shkëlqyer, triumfe të vërteta letrare. Ishte poezia e Wilfred Owen midis të tjerave. Të gjitha këto qenë thellësisht antiluftë dhe të kuptueshëm të tillë, për shkak se të gjithë këta njerëz e kishin përjetuar nga afër Luftën e Parë Botërore. Kjo letërsi nënvizon impaktin shkatërrues të betejave si ajo e Somme dhe e Passchendaele ndaj psikikës britanike, e cila kishte qenë krejtësisht e papërgatitur për këtë lloj sakrifice dhe katastrofe. Nëqoftëse iu jepet rasti të udhëtoni nëpër Francën veriore dhe ndonjë fushë beteje, ia vlen të shikohet memoriali i madh Thiepval për ushtarët britanikë, në të cilin janë gdhendur 76000 emrat e ushtarëve, trupat e të cilëve nuk u gjetën kurrë. Në Menin Gate janë emrat e 22000 ushtarëve të tjerë dhe lista vazhdon më tej akoma.
Qëndrimi në politikën britanike nga fillim-mesi i viteve '30 deri në pranverën e 1939 qe se nuk kishte asnjë arsye pse vendi duhej të hynte në luftë, se nuk kishte absolutisht asgjë që t'ia vlente të mbrohej. Në një botë njerëzish të arsyeshëm, lufta mund të shmangej. Rezultati qe një ahistoricizëm dhe një paaftësi e plotë për të kuptuar rrezikun që paraqisnin Italia fashiste dhe Gjermania naziste. Kjo shpjegon goxha rreth reagimit britanik, në mënyrë të veçantë për reagimin e Neville Chamberlain, kryeministër britanik nga marsi i vitit 1937 deri në majin e vitit 1940. Për Chamberlain, gjithçka nevojitej të bëhej për të sheshuar diferencat midis fuqive demokratike të Europës dhe diktatorëve, që të ulej me ta dhe të rreshtoheshin gjërat e dëshiruara të njëri-tjetrit. Të gjitha çështjet mund të zgjidheshin paqësisht. Nuk ka rëndësi sesa katastrofik duket kjo nga perspektiva jonë, ky qe këndvështrimi i pothuajse të gjithë politikës britanike në atë kohë. Winston Churchill mbante një qëndrim krejtësisht të ndryshëm teksa komentonte në verën e vitit 1934 në Daily Mail, kur europianët po shkonin për pushime dhe silleshin sikur nuk kishte aspak problem teksa Gjermania po armatosej. Qysh nga fillimi, Churchill e kuptoi dhe e bëri këtë të qartë në fjalimet dhe shkrimet e tij se Gjermania naziste përfaqësonte jo vetëm një rrezik të tmerrshëm moral, por edhe një rrezik të tmerrshëm strategjik. Ne dimë se Churchill kishte të drejtë, por paralajmërimet e tij u injoruan në atë kohë.
Reagimi amerikan ndaj përfundimit të Luftës së Parë Botërore qe: "Mirë, ne po kthehemi dhe po i fusim kokat tona në rërë. Se çfarë ndodh në pjesën tjetër të botës nuk ka fare rëndësi". Lufta shikohej si faji i tregtarëve të vdekjes dhe i bankierëve. E kombinuar me këtë qe lloji i papërgjegjshmërisë që Kongresi mundi të tregojë herë pas here. Smoot-Hawley Tariff Act i vitit 1930 shkatërroi ekonominë botërore. Ai ktheu një recesion të madh në një depresion katastrofik botëror, i cili pati një impakt të madh në Europë dhe në Paqësor, veçanërisht në lidershipet politike të Gjermanisë dhe Japonisë. Francezët pranuan se gjermanët do të ktheheshin sërish. Ata ia kishin frikën Gjermanisë, i tmerroheshin të ardhmes dhe kuptuan se nuk mund ta menaxhonin me forcat e tyre problemin gjerman. Franca duhej të varej tek britanikët, rusët, polakët dhe kushdo tjetër që do të nënshkruante për t'i ndihmuar. Kur ndihma nuk qe e afërt, francezët qenë të paaftë që të vepronin vetë.
Kurse për sa u përket gjermanëve, qysh nga fillimi, nga viti 1919 e këtej, ekzistonte një hidhërim i thellë, jo ndaj Traktatit të Versajës - që qe pretekst - por ndaj faktit që kishin humbur luftën. Ndjesia ishte se deridiku historia kish qenë e padrejtë dhe bota ishte mbledhur kundër Gjermanisë, se Gjermania që keqtrajtuar tërësisht. Përveç kësaj, ekzistonte një reagim shumë i ndryshëm ndaj Luftës së Parë Botërore që është i vështirë për t'u kuptuar nga ne nëqoftëse nuk kemi vullnetin të lexojmë disa literaturë të dorës së parë
. Romancieri më i madh i shekullit XX në Gjermani në mënyrë të diskutueshme qe Ernst Juenger, i cili ndoshta shkroi librin më të mirë lidhur me Luftën e Parë Botërore, të titulluar Storm of Steel (1920). Është një libër shumë trazues. Juenger shërbeu si oficer luftarak këmbësorie në vijën e parë në frontin perëndimor, i plagosur 17 herë. Atij iu dha Urdhëri pour le Mérite, i cili iu jepej shumë pak veteranëve të luftës. Juenger mendonte se Lufta e Parë Botërore qe e mrekullueshme, se çdo brez duhet të ketë mundësinë që ta përjetojë atë. Ai shkroi shumë romane të tjerë përpara se të vdiste në vitin 1998 në moshën 102-vjeçare dhe përmbledhja e librave dhe e shkrimeve të tij është e jashtëzakonshme, por libri i tij i madh lidhur me Luftën e Parë Botërore qe Storm of Steel (In Stahlgewittern, i ripërkthyer shkëlqyeshëm nga Michael Hofmann më 2003). Ky libër nuk qe All Quiet on the Western Front i Erich Maria Remarque (1929), i cili aq jopopullor në Gjermani sa qe popullor në Britani, Francë dhe Shtetet e Bashkuara. Storm of Steel përfaqësoi intelektualin dhe reagimin letrar gjerman ndaj Luftës së Parë Botërore. Kjo në vetvete duhet të na tregojë shumë. Ekziston edhe një tjetër element tjetër i rëndësishëm këtu që ka të bëjë me përdorimin e historisë nga ana e qeverisë. Ne dimë tani se duke filluar në vitin 1919 qeveria gjermane ndërmori një fushatë masive dizinformacioni lidhur me subjektin se kush e kish shkaktuar Luftën e Parë Botërore dhe sesi Gjermania kish vepruar gjatë rrjedhës së kësaj lufte. Argumentet e qeverisë gjermane bindën jo vetëm popullsinë gjermane, por edhe një numër substancial akademikësh amerikanë e britanikë në keqpërdorim të hapur të dokumenteve dhe të historisë së periudhës. Librat e historianit Sidney Fay, kryesisht The Origins of the World War (1928; rishikuar 1930) janë absurditet total. Qeveria gjermane e ngarkoi atë të shkruante këtë absurditet duke i siguruar atij shoqata të shumta, të cilat i tregonin atij një listë të përzgjedhur dokumentesh, të cilën e deformonte më tej. Gjithashtu, duhet të kuptojmë se ndërsa Lufta e Parë Botërore mban një përgjegjësi të madhe për ngjitjen e nazistëve në pushtet, pushtimi francez i Ruhrit në vitin 1923, rasti i vetëm ku francezët vepruan vendosmërisht me forcat e tyre e luajti një rol, ashtu siç e luajti Depresioni i Madh. Në dimrin e 1932-1933 rreth 40 përqind e forcës së aftë për punë gjermane qe e papunë. Adolf Hitleri erdhi në pushtet nëpërmjet krijimit të një ideologjie bazuar tek raca. Nazistët e identifikonin armikun si racor, ndërsa komunistët dhe Bashkimi Sovjetik e identifikonin armikun si klasë. Të dy futën sasira të mëdha njerëzish të pafajshëm në kategori që u lejonin shteteve respektive të ndiqnin rrugët e tyre vrastare në të ardhmen. Rekomandoj patjetër filmin "Conspiracy" (2002, me aktorët Kenneth Branagh e Stanley Tucci), të cilin e kam shfaqur në klasat e mia në Naval Academy. Ai paraqet Konferencën e Wannsee të janarit 1942 në të cilën lidershipi i Gjermanisë naziste vendosi burokratikisht sesi do ta zgjidhnin problemin e ndodhjes së 6-7 milionë hebrenjve në kontinentin evropian dhe sesi do të shpëtonin prej tyre. Është një takim shtangës, frikësues. Përveç një ideologjie që i përcaktonte hebrenjtë si armikun e qytetërimit botëror, Hitleri argumentonte se arianët, të personifikuar nga gjermanët, qenë qendra e të gjithë progresit në qytetërimin botëror. Me qëllim që të mbijetonin, arianët do të duhej të zgjeroheshin dhe të skllavëronin popullsitë e Europës Lindore, që filloi më 1 shtator 1939. Veprimet e gjermanëve në 6 muajt e parë të pushtimit të Polonisë nuk qenë të drejtuara ndaj hebrenjve, por ndaj shfarosjes masive të profesorëve, udhëheqësve fetarë dhe intelektualëve polakë. Hebrenjtë u grumbulluan në kampe përqendrimi. Qëllimi nazist ishte të skllavërohej Europa nga Uralet deri në Gjirin e Biskajës.
Pasi Hitleri erdhi në pushtet më 30 janar 1933, Gjermania naziste ndërmori një riarmatim masiv. Katër ditë pasi erdhi në pushtet, Hitleri u takua me gjeneralët e lartë të tij dhe bëri të qartë se kishte ndërmend t'u jepte atyre një çek të bardhë për t'i kthyer forcat e armatosura gjermane në instrumentin më të fuqishëm në Europë. Gjithashtu, ai bëri të qartë se ato do të përdoreshin jo për të kthyer Gjermaninë në pozicionin që mbante në vitin 1914, por për të përmbysur sistemin shtetëror evropian siç kish ekzistuar qysh nga Traktati i Vestfalisë i shekullit XVII. Bota hyri tani në periudhën vërtet depresive të viteve '30. Më 1933, Hitleri e largoi Gjermaninë nga Lidhja e Kombeve; më 1935 filloi riarmatimin e shërbimin e detyruar ushtarak dhe shpalli formimin e Luftwaffe. Më 1936, gjermanët rimilitarizuan Rhinlandin, nga i cili francezët qenë larguar më 1931, shumë përpara se Traktati i Versajës kishte vendosur të bëhej një gjë e tillë. Kishte edhe pika të tjera gjatë rrugës së destabilizimit të Europës. Ekziston një tendencë për ta shikuar këtë periudhë sikur të kishte një seri lineare ngjarjesh. Po, ndodhi pushtimi japonez i Mançurisë më 1931, pushtimi italian i Etiopisë më 1935, lufta civile spanjolle më 1936, ama këto qenë ngjarje periferike. Në fakt, Hitleri pati një takim më 1937 ku një numër ndjekësish të tij argumentuan për dhënien e një ndihme shtesë Frankos me qëllim që t'i jepej fund luftës civile spanjolle. Hitleri kundërshtoi, duke argumentuar se kjo luftë ishte një pretekst i mrekullueshëm, ndërsa riarmatimi gjerman procedonte në rrugën e tij. Më 1938, qeveria e Chamberlain bëri një përpjekje të madhe gjatë të gjithë vitit për të zbutur Gjermaninë me pothuajse çdo kusht. Rezultati qe pushtimi i Austrisë në muajin mars, i cili u përshëndet nga austriakët me entuziazëm të madh, pavarësisht pretendimit të vazhdueshëm austriak se qenë vendi i parë i marrë forcërisht nga nazistët. Kjo u pasua në verën e po këtij viti nga kriza çeke, në të cilën gjermanët kërkuan që Sudetet gjermane të ktheheshin në Gjermani, në të cilën nuk kishin qenë kurrë pjesë. Një krizë u manipulua nga Hitleri me synimin e shkaktimit të një lufte evropiane. Hitleri nuk besonte kurrë se britanikët dhe francezët do të futeshin në konflikt. Ai besonte se mund t'ia dilte me një pushtim të Çekosllovakisë dhe donte të provonte ushtrinë e tij të re. Në retrospektivë, do të kish qenë një katastrofë për gjermanët. Tani do të ishim duke folur për një luftë të vogël që ndodhi në periudhën 1938-1940 dhe humbjen e Gjermanisë. Por Chamberlain vuri në lëvizje një seri ngjarjesh që eventualisht rezultuan në Marrëveshjen e Mynihut të fundit të shtatorit 1938 dhe shkatërrimin e Çekosllovakisë. Chamberlain besonte në uljen me diktatorët dhe rënien dakord me ta me një marrëveshje të arsyeshme, por sigurisht që marrëveshja nuk qe e arsyeshme. Ajo shkatërroi pavarësinë e Çekosllovakisë dhe shansin për të mbrojtur veten dhe iu dha gjermanëve jo vetëm Sudetet gjermane, por brenda 6 muajsh edhe pjesën tjetër të Çekosllovakisë, të cilën gjermanët e pushtuan në mars të vitit 1939.
Britanikët e gjykuan keq të gjithë strukturën strategjike brenda të cilës po zhvillohej kriza. Divizionet çeke qenë një komponent kyçe e aftësisë vetëmbrojtëse të Francës më 1938 dhe ushtria çeke do të kishte qenë e tillë në vitin 1939. Kur gjithçka mbaroi, Chamberlain u kthye në Britaninë e Madhe me përshëndetje dhe popullaritet të madh. Më 5 tetor, Winston Churchill mbajti atë çka mund të jetë fjalimi më i madh i gjithë karrierës së tij në Dhomën e Komuneve, e cila e priti me ulërima dhe u zemërua nga ajo çka ai tha: "Gjithçka ka mbaruar. Çekosllovakia e heshtur, e dëshpëruar, e braktisur, e shkatërruar zhytet në errësirë. Ajo ka vuajtur në çdo aspekt nga shoqërimi i saj me Francën, nën drejtimin dhe politikën e së cilës ishte motivuar për kaq gjatë. Çdo pozicion është minuar dhe braktisur me justifikime false dhe të besueshme. Nuk e kam zili popullin tonë besnik e të zotin, që qe gati për ta bërë detyrën e tij cilado të ishte kostoja, që kurrë nuk e zmbraps nën tensionin e javës së kaluar, shpërthimin e natyrshëm spontan të gëzimit dhe çlirimit kur mësuan se përvoja e vështirë nuk do t'i kërkohej më nga ai çast, por duhet ta dijë të vërtetën. Ai duhet ta dijë se kemi siguruar një humbje pa luftë, pasojat e së cilës do të udhëtojnë bashkë me ne në rrugën tonë; ai duhet të dijë se kemi kaluar një gur themeli të keq në historinë tonë, kur i gjithë ekuilibri i Europës ishte prishur dhe se fjalë të tmerrshme tashmë qenë shqiptuar kundër demokracive perëndimore: "Jeni provuar dhe nuk keni qenë në lartësinë e duhur dhe mos mendoni se ky është fundi. Ky është fillimi i ndëshkimit. Kjo është vetëm rrufitja e parë, shijimi i parë i një kupe të hidhur". Sa drejt e kishte. Pushtimi i pjesës tjetër të Çekosllovakisë në mars të 1939 e ktheu situatën evropiane në pikën që qeveria e Chamberlain u përball me një stuhi zemërimi në vend. Për pasojë, brenda dy javësh nga pushtimi gjerman i pjesës tjetër të Çekosllovakisë, Britania i zgjeroi garancitë ndaj Polonisë dhe pothuajse çdo vendi në Europën Lindore, asnjërën prej të cilave ajo nuk mund ta mbante ushtarakisht, pasi qeveria Chamberlain nuk e kish riarmatosur seriozisht atë. Reagimi i Hitlerit ndaj kësaj ndoshta do të kishte ndodhur gjithsesi. Ai urdhëroi Komandën e Lartë gjermane që të përgatiste forcat gjermane për një pushtim të Polonisë që ndodhi më 1 shtator 1939. Forcat gjermane qenë gati dhe pushtimi u krye. Chamberlain nuk po i përgatiste aleatët për luftë, por po përpiqej që diplomatikisht ta frenonte Gjermaninë nga shkuarja në luftë. Kjo është arsyeja se pse u dhanë garancitë, se pse mbështetja për francezët qe e afërt ushtarakisht e politikisht dhe pse britanikët qenë aq të vendosur dhe entuziastë rreth rivendosjes së lidhjeve që kishin pasur me Francën në Luftën e Parë Botërore.
Pikëpyetja e madhe në verën e 1939 qe se çfarë do të bënte Bashkimi Sovjetik. Shumica e liberalëve shpresonin se do të nënshkruante për një kryqëzatë të madhe antifashiste. Tani kuptojmë se nuk qe një regjim demokratik liberal, por një regjim i një të keqeje të madhe. Ajo çka Stalini kuptoi në mars të 1939 kur garancitë filluan të testoheshin qe se kishte dy zgjedhje: të bënte marrëveshje me gjermanët ose me fuqitë perëndimore. Zgjodhi gjermanët deri në qershor për t'u zgjuar para realitetit se nëqoftëse Bashkimi Sovjetik bënte marrëveshje me Gjermaninë, mund ta shmangte luftën, të tërhiqej dhe të shikonte fuqitë kapitaliste (sipas ideologjisë sovjetike) të shkatërronin veten dhe pastaj të hynte e të mblidhte mbeturinat, pasi lufta t'i kish dëmtuar rëndshëm gjermanët dhe fuqitë perëndimore. Ose mund t'u bashkohej fuqive perëndimore, të mbronte Europën Lindore, qeveritë që nuk i donte dhe të përballonte luftë në të ardhmen e afërt. Është e lehtë të shikosh se në çfarë drejtimi po shkonte Stalini. Rezultati qe Pakti i Mosagresionit nazisto-sovjetik ose Pakti Molotov-Ribbentrop i gushtit 1939. Stalini dhe këshilltarët e tij besonin se kjo do ta minimizonte rrezikun gjerman. Sërish, sipas ideologjisë marksiste të vendit, Hitler qe kukull e kapitalistëve. Por gjermanët do të ndiqnin atë në mënyrë shumë më entuziaste sesa popullsitë ruse, ukrainase dhe të tjera do të ndiqnin Stalinin. Regjimi sovjetik i kish keqlexuar synimet dhe fuqinë e nazistëve. Nënshkrimi i paktit të gushtit 1939 vulosi fatin e Polonisë, e cila tani ndodhej në një situatë pa rrugëdalje. Sërish, një prej tragjedive të mëdha të Luftës së Dytë Botërore është fati i Polonisë. Pothuajse 2 milionë civilë polakë (jo hebrenj) vdiqën në luftë. Një prej memorialëve më prekës në Normandi është për divizionin e koracuar polak, i cili luftoi në Falaise në gusht të vitit 1944. Ata e dinin se vendi i tyre do të zhdukej, se do të pushtohej nga Bashkimi Sovjetik, kishin pak iluzione. Vetë qëndrimi i sovjetikëve përmblidhet më mirë në tri shprehje. E parë është dollia që Stalini bëri në nënshkrimin e Paktit Molotov-Ribbentrop. Ai përshëndeti "Heinrich Himmler, njeriu që i ka sjellë rend Gjermanisë". E dyta u tha në qershor të vitit 1940, kur Molotov përgëzoi ambasadorin gjerman për fitoren spektakolare dhe të mrekullueshme të ushtrisë gjermane ndaj asaj franceze dhe britanike. Shprehja e tretë i përket 22 qershorit të vitit 1941, kur Molotov i tha ambasadorit gjerman: "Çfarë kemi bërë për ta merituar një gjë të tillë?". Kishte të drejtë. Marrëveshja e vetme të cilën Bashkimi Sovjetik e përmbushi me besnikëri nga fillimi deri në fund qe Pakti i Mossulmimit dhe rezultatet për popullsitë ruse dhe ukrainase do të ishin 27 milionë të vdekur deri në kohën e mbarimit të luftës.
Williamson Murray është bashkëpunëtor i vjetër në Institute for Defense Analyses.
Përgatiti
ARMIN TIRANA
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi