Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

ÇFARË MUND TË BËJMË/72 orë nga IMPAKTI

Shko poshtë

ÇFARË MUND TË BËJMË/72 orë nga IMPAKTI Empty ÇFARË MUND TË BËJMË/72 orë nga IMPAKTI

Mesazh nga Agim Gashi Mon Oct 12, 2009 11:00 pm

ÇFARË MUND TË BËJMË/72 orë nga IMPAKTI

David SHIGA
Forca ajrore e Shteteve të Bashkuara u përpoq ta zbulojë


ÇFARË MUND TË BËJMË/72 orë nga IMPAKTI 72-ore

Duket krejt e parëndësishme pika e vogël dhe e zbehtë që lëviz nëpër qiell. Megjithatë, teleskopi në majë të malit që sapo e ka pikasur është duke e marrë shumë seriozisht. Eshtë asteroid, një që nuk është parë kurrë më parë. Teleskopët e analizës së shpejtë zbulojnë mijëra asteroidë çdo vit, por ky ka diçka shumë të veçantë. Programi kompjuterik i teleskopit vendos që të zgjojë disa astronomë me një mesazh, të cilin ata kanë shpresuar shumë që nuk do t'u mbërrinte asnjëherë. Asteroidi është në një kurs drejt përplasjes me Tokën. Ka madhësinë e një qiellgërvishtësi dhe është aq i madh sa për të rrafshuar një qytet të tërë. Ah, edhe diçka: do të mbërrijë brenda tre ditëve.
Mund të tingëllojë si një ngjarje shumë e largët, por ky skenar është në të vërtetë goxha i besueshëm. Sigurisht, është aq realist, sa e bëri forcën ajrore të Shteteve të Bashkuara kohët e fundit që të mbledhë shkencëtarë, oficerë të ushtrisë dhe zyrtarë të emergjencave për herë të parë, me qëllimin për të vlerësuar aftësinë e vendit për të përballuar këtë gjë, nëse do të ndodhë ndonjëherë.
ÇFARË MUND TË BËJMË/72 orë nga IMPAKTI -F1

Atyre iu kërkua që të imagjinojnë se si do të reagonin organizatat e tyre respektive ndaj një asteroidi mitik i quajtur Innoculatus, i cili do të godiste Tokën dhe do të zbulohej vetëm tre ditë para kësaj. Asteroidi ishte i përbërë nga dy pjesë: Një grumbull rrënojash 270 metra mespërmes që do të ishte i destinuar të përplaset në Oqeanin Atlantik pranë brigjeve të afrikës, si dhe një shkëmb i gjerë 50 metra, i drejtuar, tamam si në filmat e Hollywoodit, tamam mbi Washington.
Ushtrimi, i cili ndodhi në Dhjetor 2008, nxorri në shesh rreziqet e frikshëm që paraqesin asteoridët. Jo vetëm që nuk ka një plan se çfarë duhet bërë kur godet asteroidi, por sistemet tanë të paralajmërimit të hershëm - që mund të bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes - janë krejt të papërshtatshëm. Agimi ofroi pikërisht atë thirrjen për zgjim që organizatori Peter Garreston kishte shpresuar. Ai ka qenë prej kohësh i shqetësuar nga rreziku i një impakti: "si taksapagues, do të vlerësoja shumë që forca ajrore e vendit tim të hidhte në sy ndaj diçkaje që do të ishte po aq e keqe sa edhe terrorizmi bërthamor në një qytet, dhe me gjasë edhe një ngjarje që mund t'i jepte fund qytetërimit ashtu si e njohim", thotë ai.
Më i fundmi objekt hapësinor që na kalli frikën të gjithëve ishte TC3 në vitin 2008. Ky objekt me madhësinë e një makine shpërtheu në atmosferë mbi Sudan, në tetor të vitit që kaloi. Një teleskop e pikasi fillimisht vetë 20 orë para impaktit - në një distancë prej 500 000 kilometra - dhe astronomët thonë se ishim madje me fat që patëm një paralajmërim.
Fatmirësisht, 2008 TC3 ishte shumë i vogël për të bërë dëm në terren, por ne jemi po kaq të verbër praktikisht edhe ndaj objekteve aq të mëdhenj sa për të shkaktuar dëme. Ne sapo kemi nisur të gjurmojmë miliona asteroidët me përmasa qiellgërvishtësish që vijnë vërdallë në fqinjësinë e Tokës, çdonjëri prej të cilëve mund të lëshojë një forcë të barabartë me fuqinë shkatërrimtare të një bome atomike.
Impaktet e asteoridëve nuk janë aq të mëdhenj sa mendohet. Besohet gjerësisht se një asteroid apo një kometë 30 deri 50 metra e gjatë shpërtheu mbi Tunguska në Siberi në vitin 1908, duke rrafshuar pemët në një rreze prej dhjetëra kilometrash. Shanset për një imakt të ngjashëm janë 1 në 500 për çdo vit. Thënë ndryshe, ekzistojnë dhjetë përqind shanse që një impakt i tillë të ndodhë në 50 vitet e ardhshëm.
'Asteroidët pesëdhjetë metra më frikësojnë për vdekje", thotë Timothy Spahr, drejtor i Minor Planet Center në Cambridge, Massachusetts. "Mund të imagjinoj lehtësisht një objekt 50 metra që godet brenda tre ditësh, duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë".
Gjatë ushtrimit të planifikimit të forcës ajrore të SHBA, shkencëtarët pjesëmarrës shpjeguan se me kaq pak paralajmërim, nuk ka shumë shpresa për të parandaluar një imakt. Edhe asteroidi më i vogël se 50 metra i Innoculatus do të peshonte qind mijëra tonë, duke kërkuar një shtytje shumë të madhe për të ndryshuar aq sa duhet trajektoren - aq shumë sa shpërthimi i një arme bërthamore pranë tij në hapësirë nuk do të ofronte një impuls të mjaftueshëm kaq vonë. Për të ndryshuar trajektoren e një asteroidi, forca e ushtruar do të duhej të niste të zbatohej shumë vite më herët.
Në fakt, gjërat do të përkeqësoheshin, duke e copëzuar asteroidin, pasi një pjesë e copërave mund të ishin aq të mëdha sa të shkaktonin dëme, apo edhe krijonin një stuhi meteorësh që do të shkatërronin satelitët në orbitën e Tokës.
Panik në rrugë
Por në realitet, opsioni bërthamor nuk do të ishte mbi tryezë që në momentin e parë: raketat me mbushje bërthamore që qëndrojnë plot durim nëpër baza përreth botës nuk janë të projektuara për të gjurmuar dhe goditur, madje as edhe për të mbijetuar për më shumë se disa minuta në hapësirë. Në vend të kësaj, neve thjeshtë do të na duhej të nisnim e të përgatiteshim për impaktin.
Lajmi i mirë është se edhe një paralajmërim i vogël bën diferencë, thjeshtë sepse do të na lejonte të parashikonim kohën dhe vendndodhjen e impaktit. Në rastin e 2008 TC3, vetëm pak orë pas zbulimit të asteroidit, shkencëtarët e NASA bënë llogaritje që parashikonin zhytjen në atmosferë mbi një hapësirë të papopulluar në shkretëtirë në veri të Sudanit, me në saktësi kohore që ndryshoi me vetëm një minutë.
Por pjesëmarrësit në ushtrimin e planifikimit shprehën shqetësim, se nëse do të zbulohej një asteroid që përbënte rrezik të afërt në një zonë të populluar, dhe nëse situata nuk do të menaxhohej në mënyrën e duhur, paniku dhe mungesa e koordinimit do të shkaktonin kaos nëpër rrugë.
Spahr, nuk u angazhua në projektin stërvitor, por ai i ndan ato shqetësime. 'Me një paralajmërim vetëm tre ditë më herët, mund të largohesh në një vend të sigurtë. Por unë trembem, sidomos kur shoh sa keq i kemi menaxhuar gjëra të kësaj natyre më parë", thotë duke përmendur dështimin në evakuimin tërësor të qytetit të New Orleansit para Uraganit Katrina në vitin 2005. "Imagjinoj njerëz që i kap paniku dhe nisen me makinë në drejtim të gabuar, duke ulëritur: O Zot, do të na vrasë!"
Për të parandaluar panikun dhe lëvizjen e çorganizuar të njerëzve, është shumë e rëndësishme që autoritetet të përgatisin një plan evakuimi dhe të ia komunikojnë publikut sa më shpejtë që të jetë e mundur pas zbulimit të objektit të rrezikshëm, përderisa zbulime të tillë postohen automatikisht në internet dhe ata do të shkaktonin një stuhi të vërtetë mediatike.
Masa të tilla do të duhej të garantonin që rrugët do të ishin shumë të qeta në një kohë kur një objekt si Innoculatur zhytet në atmosferën e Tokës dhe i afrohet Uashingtonit. Kompresioni i atmosferës përpara asteroidit dhe fërkimi me ajrin do të shkaktonin një nxehje shumë të shpejtë. Në lartësi më të vogla, ku ajri ka një dendësi më të madhe, nxehja bëhet kaq e madhe saqë asteroidi shpërthen. Në rastin e ngjarjes në Tunguska, kjo gjë ndodhi kur ai ishte 8 kilometra mbi Tokë.
Valë goditjeje supersonike
Nëse do të ishit aq me fat sa të shihnit, do të vinit re se shpërthimi do të ishte më i shndritshëm se Dielli. Rrezatimi i dukshëm dhe me rreze të kuqe do të ishte aq i fuqishëm sa të zhyste në flakë çdo gjë, thotë Mark Boslough i Sandia National Laboratory në Livermore, California. "Eshtë njësoj si të jesh në një furrë", thotë ai. Çdokush që është direkt i ekspozuar do të digjej keqas.
Edhe përpara se tingulli i shpërthimit të mbërrinte tek ju, trupi do t'ju shkatërrohej nga një valë supersonike goditjeje teksa shpërthimi krijon një fluskë gjigande ajri me trysni të lartë që përhapet edhe më shpejtë se sa shpejtësia e dritës. Shkencëtari planetar, Jay Melosh i Purdue University në New York dikur përjetoi një valë goditjeje nga një eksperiment që shpërtheu 500 tonë tritol, një shpërthim i vogël ky krahasuar me atë të një asteroidi.
'Unë po qëndroja në majë të një kodre afro 1.5 kilometra larg dhe veshët i kisha të zënë me kufje", kujton ai. Melosh thotë se vala e goditjes mund të vihet re në ajër për shkak të mënyrës se si e përthyen dritën. Eshtë një fluskë që lëkundet. Përhapet në heshtje totale deri kur mbërrin tek ti, dhe më pas dëgjon një bum të dyfishtë, thotë ai.
Panik?
Një asteroid si ai që rrafshoi Tunguskan në Siberi në vitin 1908 pritet të ndodhë vetëm një herë në 500 vjet. Ka gjasa që të kalojë shumë më tepër kohë përpara se një i tillë të godasë një zonë me popullsi të lartë, duke parë pjesën e vogël të sipërfaqes së tokës që është e zënë me qytete. Një studim i NASA-s në vitin 2003 zbuloi se vetëm një në katër impakte të madhësisë së Tunguskas do të vrisnin ndokënd, dhe vetëm një në 17 impakte të tillë do të shkaktonte një numër viktimash prej 10 mijë apo më shumë, të krahasueshëm me tërmete dhe tsuname të rëndë.
Melosh ishte në një distancë sigurie, por në tokë, poshtë një asteroidi që shpërthen, vala e goditjes do të ishte e mjaftueshme për të shembur ndërtesat. Ajo do të mbërrinte afro 30 sekonda pas flakërimës dhe gjithashtu do të zhdukte nga qielli çdo avion që mund të jetë duke fluturuar aty pranë, thotë Boslough. Çdo ndërtesë që do të mbijetonte do ta pësonte më pas, teksa erërat e furishme më të shpejta se çdo lloj uragani do të bënin punën e tyre.
Sigurisht, dy të tretat e sipërfaqes së Tokës është oqean. Ndërkohë që atmosfera jonë me shumë gjasa do të na mbrojë ne nga asteroidët që janë më të vegjël se 100 metra në diametër, çdo gjë më e madhe që do të zhytej në oqean - duke përfshirë edhe copëza nga Innoculatus - do të shkaktonte një valë gjigante, e cila do të shembte në çast ndërtesat bregdetare. Dëmi i jashtëzakonshëm dhe humbjet e mëdha në jetët e njerëzve që do të pasonin nëse qytete të shumtë përreth basenit të oqeaneve do të përmbyteshin, bënë që shkencëtarët e NASA të vlerësojnë impaktet e asteroidëve mbi oqeanë si më të rrezikshëm se sa ata në tokë.
Megjithatë, stimulimet e kohëve të fundit me kompjuter ofrojnë një farë shprese. Ata sugjerojnë që valët gjigante që gjenerohen nga impaktet në oqean zakonisht do të thyheshin larg nga bregu, duke e shpërndarë pjesën më të madhe të energjisë përpara se të përplaseshin në qytete - sigurisht, gjithonë nëse impakti nuk do të ishte pranë brigjeve. Një tjetër rreze shprese është se asteroidët me diametër 100 metra e godasin Tokën vetëm një të dhjetën herë më shpesh se sa objektet me diametër 30 metra.
Ushtrimi i forcës ajrore që zgjati vetëm një ditë as nuk gërvishti paksa sipërfaqen e problemit të ardhshëm të asteroidit. Jo më kot, ai zbuloi se nëse makthi do të vërtetohej, nuk ka një plan se si të koordinohet veprimtaria e NASA-s, planifikuesve të rasteve të emergjencave, ushtrinë e SHBA dhe pjesë të tjera të qeverisë. Nevojiten edhe ushtrime të mëtejshme të planifikimit: koha e kursyer nga përgatitjet e hershme do të ishte shumë e rëndësishme nëse do të kërkohej ndonjëherë një evakuim i menjëhershëm.
Shanset tona për të patur një paralajmërim për një asteroid 30 metërsh nuk janë më shumë se 25 deri 35 përqind me vëzhgimin aktual qiellor, thotë astronomi Alan Harris i Space Science Institute në Boulder, Colorado. Qielli na verbon për 50 përqind të objekteve për shkak të dritës. Edhe ndriçimi prej hënës mund të fshehë mysafirë të paftuar.
Për më tepër, dy prej tre observatorëve kryesorë të asteroidëve në botë ndodhen në arizona, duke përfshirë këtu edhe Catalina Sky Survey, që zbuloi 2008 TC3. Mes korrikut dhe shtatorit ky rajon ka prirjen të jetë i zënë nga retë. "Nëse 2008 TC3 do të kish ardhur në korrik, harrojeni që të ishte pikasur", thotë Spahr.
Tani imagjinoni këtë skenar të shëmtuar, i cili shqetësoi disa prej pjesëmarrësve në ushtrim: një asteroid shfaqet krejt papritur nga askundi dhe shpërthen mu mbi një impiant bërthamor në një rajon bërthamor, si Azia Juglindore apo Lindja e Mesme. Ekzistojnë shanse të arsyeshme për të menduar që një shpërthim i tillë mund të keqinterpretohej si një sulm bërthamor. Të dy prodhojnë një ndriçim shumë të madh, një valë goditjeje dhe erëra të furishme.
Shqetësime të tillë ishin njëra arsye përse, kur NASA zbuloi 2008 TC3 në vitin 2008, ajo jo vetëm nxorri një deklaratë për shtyp, por edhe paralajmëroi Departamentin e Shtetit të SHBA, komandantët ushtarakë dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, thotë Lindsey Johnson në zyrat qendrore të NASA, që mbikëqyr punën e agjencisë me objektet pranë Tokës. "Nëse do të ishte drejtuar diku në mesin e Paqësorit, ne ndoshta nuk do të ishim shqetësuar aq shumë për të, por duke qenë se do të përplasej në Tokë dhe pranë Lindjes së Mesme, ne lajmëruam të gjithë", thotë ai.
Ka një rrugë kryesore për të përmirësuar shanset tona - vendosja e më shumë "syve" drejt qiellit. Agjencia europiane e Hapësirës dëshiron të hyjë në lojën e monitorimit dhe mund të vendosë teleskopët e vet në Observatorin Europiano-Jugor në Kili. Kjo mund të plotësojë boshllëkun e vëzhgimeve të NASA-s, që janë të kufizuar në vëzhgimin e qiejve të hemisferës veriore, thotë Richard Crowther i Këshillit Britanik të Shkencës dhe Tekologjisë.
Përgatituni
"Deri tani, SHBA ka marrë pjesën më të madhe të përgjegjësisë në këtë problem dhe mendoj se është koha që shtete të tjerë të marrin më shumë përgjegjësi", thotë ai.
Ndihma do të vijë gjithashtu nga dy observatorë të rinj të SHBA të projektuar për të vëzhguar të gjithë qiellin e dukshëm nga vendndodhja e tyre, një herë në disa ditë. Panoramic Survey Telescope dhe rapid Response System (Pan-STARRS) do të ketë katër teleskopë 1.8 metra, i pari i të cilëve është ngritur tashmë dhe punon në Hawaii. Ka plane për të ndërtuar teleskopin 8.4 metra në Kili deri në vitin 2015, ndonëse projekti ende vazhdon të grumbullojë fonde. Kjo gjë do të përmirësojë shanset e një pikasjeje të hershme dhe duke rritur kohën e paralajmërimit për objektet 30 metërsh deri një muaj para.
Por, edhe kështu, çdo objekt tokësor që i shërben këtij veprimi vuan nga interferenca e Diellit dhe Hënës.
Një teleskop hapësinor i dedikuar do të ndreqte këtë problem, por një mision i tillë mund të kushtonte më shumë se qindra miliarda dollarë. "Bëhet fjalë për investim në një politikë sigurimesh", thotë Irwin Shapiro i Harvard-Smithsonian Center for Astroophysics në Cambridge, Massachusetts.
Shapiro është në krye të një paneli të Këshillit Kombëtar të Studimeve, që deri në fund të vitit do të rekomandojë një strategji për të adresuar më mirë rrezikun nga objektet pranë Tokës. Ky studim, bashkë me raportin e forcës ajrore për ushtrimin e saj në impaktin e asteroidëve, ka për qëllim të ndihmojë Shtëpinë e Bardhë për të përpunuar një politikë zyrtare për rrezikun e objekteve pranë tokës deri në tetor 2010, e që është kërkuar nga Kongresi. Ndërkohë që impaktet e asteoridëve janë shumë më të rrallë se sa uraganët dhe tërmetet, ata kanë potencialin për të bërë shumë më tepër dëm, paralajmëron Johnson: "Nuk është diçka që unë mendoj se ka nevojë për miliarda dollarë në vit shpenzime, por kërkon gjithësesi prioritet në listën e gjërave që na shqetësojnë". Paratë të paktën do të na jepnin një ide më të mirë se kur mund të godasë asteroidi tjetër. "Me aq sa dimë, mund të ndodhë edhe javën tjetër", thotë ai.
A mund ta devijojmë?
Mënyra më e mirë për të devijuar rrugën e një asteroidi nga Toka do të ishte të dërgohej një bombë atomike në një anije kozmike, pak a shumë si në filmin Deep Impact, ndonëse për këtë gjithësesi do të na duhej një lajmërim disa vite më herët. Anija Kozmike do të duhej të ishte në gjendje të ulej mbi asteroid dhe të shkaktonte shpërthimin në distancën e duhur. Nevojitet precizion për të mos shkaktuar ndarjen e asteroidit në dy pjesë që sërish do të godisnin tokën.
Kjo supozon që ne jemi tashmë të përgatitur. Projektimi dhe ndërtimi i anijeve të reja kozmike kërkon vite. Me teknologjinë e sotme, ndoshta do të duheshin edhe disa vite të tjerë për të mbërritur tek një asteroid që kanoset. Dhe duke qenë se shpërthimi do të duhej të ndodhte disa vite para impaktit të parashikuar me qëllim që asteroidi të mos godasë Tokën, do të na duheshin dekada të tëra kohë nëse do të donim të shmangnim Armageddonin.
Një faktor turbullues është se armët bërthamore në hapësirë janë të ndaluara nga Traktati i hapësirës i vitit 1967, i firmosur nga SHBA, Rusia dhe të tjera fuqi bërthamore, ndonëse këto mund të bien dakord për të bërë një sy qorr në një rast të tillë.
Me disa dekada kohë para impaktit, teknologji të tjera shmangieje mund të hyjnë në lojë. Tërheqësi gravitacional, për shembull, do të kërkonte vendosjen e një anije kozmike pranë asteroidit për disa vite, duke e larguar atë gradualisht nga kursi përmes tërheqjes së vogël gravitacionale të masës së raketës.
Një tjetër opsion do të ishte fokusimi i dritës së diellit mbi një pikë në asteroid duke përdorur një pasqyrë gjigante në një anije kozmike, duke e nxehur atë aq sa për ta shkrirë. Gazrat që do të lëshoheshin, do të shërbenin si skapamento e një motori, duke i dhënë një shtytje të lehtë asteroidit në drejtimin e kundërt që me kalimin e viteve do të sillte një ndryshim të madh të kursit të tij.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi