Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Intervistë ekskluzive me kompozitorin e pedagogun Zeqirja Ballata

Shko poshtë

Intervistë ekskluzive me kompozitorin e pedagogun Zeqirja Ballata Empty Intervistë ekskluzive me kompozitorin e pedagogun Zeqirja Ballata

Mesazh nga Agim Gashi Wed Oct 14, 2009 12:57 am

Intervistë ekskluzive me kompozitorin e pedagogun Zeqirja Ballata

Intervistë ekskluzive me kompozitorin e pedagogun Zeqirja Ballata 67756780



Krijuesi i mirëfilltë s’i përmbyll aftësitë profesionale vetëm me fakultetin a magjistraturën

Kompozitori është, si të thuash, gjithë jetën krijues dhe intelektual në njëfarë (s)provimi e studimi të pashkëputur, i përkushtuar artit deri në frymën e fundit, thekson kompozitori i përmasave ndërkombëtare Zeqirja Ballata
Bota Sot: U mbushen 16 vite që jetuat e vepruat në Maribor të Sllovenisë si pedagog, kompozitor e pianist, por edhe aktiv me shkrime. Ndërkohë keni qenë prezent edhe në manifestime të jetës muzikore në Kosovë. A ekzistojnë dallime në aspektin muzikor (t’organizimit) dhe si i cilësoni ato?

Zeqirja Ballata: Pas largimit nga udhëheqja e dhunëshme e Fakultetit në korrik 1991, më ftuan (në shtator t’atij viti) për këshilltar në Shkollën e mesme artistike dhe bashkëpunëtor në Fakultetin pedagogjik - dega e muzikës. Gjatë kësaj periudhe, krahas krijimit të 38 veprave muzikore, botimit të 5 veprave të tjera në Hollandë e Slloveni (nga Shoqata e kompozitorëve të Sllovenisë, anëtar që nga viti 1967), realizimit të 6 koncerteve autoriale në Maribor e Lubjanë dhe një vargu veprash solitike-kamere në koncerte në Lubjanë, Maribor, Sllovenj Gradec, Rogashka Sllatinë, Tiranë, Salzburg dhe në festivalet Ditet muzikore të Sllovenisë, Ditët ndërkombëtare të muzikës së re të dhomës në Tiranë, por edhe aktiv si pianist e me punime profesionale në gazetat Delo e Veçer, në revistat Glasba v šoli e “Dialogi”. Njëherit, kam qenë i lidhur me kolegë e marrë pjesë në manifestime në Kosovë me vepra në koncerte, në Festivalin ndërkombëtar të muzikës kamere, n’atë të muzikës bashkëkohore “Re musica” në Prishtinë; më janë realizuar 4 koncerte autoriale në Prishtinë me instrumentistë sllovenë e kosovarë të shfaqura edhe në Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Ulqin; më janë botuar 2 libra/tekste muzikore, një varg punimesh profesionale në të përvjetshmen “Studime” të AShA të Kosovës (anëtar korrespodent nga viti 1991, i rregullt nga viti 1999) dhe në të përkohëshmet e të përditëshmet tona, si dhe kam qenë pjesëmarrës me referime profesionale. Ndërkohë, pos që kam qenë i pranishëm në publikime (ndër)kombëtare, leksikone e enciklopedi (A. Koci: “Portrete të kompozitorëve shqiptarë në Jugosllavi, Bashkësia e shoqërive muzikore të Kosovës, Prishtinë ‘71; Grup autorësh: “Muzička enciklopedija I, Leksikografski zavod” M. Krleža, Zagreb ‘71; Grup autorësh: “Tribina muzičkog stvaralaštva Jugoslavije” ’63-68, ‘63-88, “Muzičko-informativni centar” Zagreb ‘83, ‘88; Grup autorësh: “Leksikon jugoslavenske muzike” I, “Leksikografski zavod, Zagreb ‘84; R. Munishi: Krijimtaria korale shqipe në Jugosllavi, Instituti albanologjik/Shoqata e kompozitorëve të Kosovës ‘88; K. Kovačević: “Leksikoni-glasbeniki”, “Cankarjeva založba”, Ljubljana ‘88; E. Berisha: Kultura muzikore për kl. I-II të Shkollës së mesme, Prishtinë ’89), jam tani edhe në disa të tjera (E. Berisha: Zhvillimi i stileve në veprat e kompozitorëve të Kosovës, Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore të Kosovës ‘92; T. Pinter-F. Križnar: “Sodobni skladatelji v Sloveniji”, “Prešernova družba Vrba”, Ljubljana ‘97; Grup autorësh: “Enciklopedija Slovenije” XVI ‘03; Albana Balliu-Sopa: Fjalor muzikor encklopedik, OMSCA, Tiranë ‘03; E. Berisha: Studime dhe vështrime për muzikën, AShAK, Prishtinë ‘04; S. Shupo: Kompozitorët ballkanikë, Tiranë ‘05; Črt Sojar Voglar: “Composers’ Traces from 1900 Onëards, Society of Slovene Composers” Ljubljana ‘05).

Dallime n’aspektin organizativ ekzistojnë. Realizimet e manifestimeve muzikore në Kosovë shoqërohen me shumë vështirësi krahasuar me ato në vendet tjera, pos tjerash, për shkak subvencinimesh jo të mjaftueshme të koncerteve/festivaleve me muzikë artistike, mungesës së sallave përkatëse për koncerte solistiko-kamer(tal)e, simfonike, vokalo-instrumentale, për shkak t’organizimit e shoqërorizimit të pamjaftueshëm të tyre etj. Pos këtyre, interpretuesit e huaj synojnë t’afirmohen duke marrë pjesë në qendra të njohura ndërkombëtare. Pjesëmarrjen n’ato të tjerat e bëjnë me angazhim më modest dhe pas marrjes së honorarit, sa qel e mbyll sytë, e harrojnë vendin ku kanë marrë pjesë. Manifestimet muzikore duan kërkesa të rrepta profesionale ndaj interpretuesve vendës e të huaj, pos tjerash duke ndikuar në programet që i realizojnë, qëd.m.th. duke ua imponuar përfshirjen permanente të veprave të kompozitorëve tanë, njëherit duke angazhuar gjithnjë e më shumë interpretë vendës e të tjerë Shqiptarë që veprojnë jashtë.

Trendet e modave ditore s’i kam parapëlqyer kurrë

Bota Sot: Krijimtaria juaj muzikore ende konsiderohet “avangarde” në hapsira tona; stilistikisht ajo mbetet prore pranë veprave dhe frymës që kompozohet sot në Evropë. Ku qëndron shkaku i këtij mendimi te ne?

Zeqirja Ballata: Qysh gjatë e pas studimeve në Lubjanë (kompozitor i parë i diplmuar- 1967 e i magjistruar-1969 në Kosovë), sidomos pas specializimeve (Venecie, Sienë, Romë) te pedagogë të njohur (V. Mortari, Franco Donatoni, L. Berio, G. Petrassi), pos mbështetjes në traditat europiane e n’idiomin kombëtar dhe duke qenë në rrjedha bashkëkohore të të gjitha parametrave që e përbëjnë veprën e sotme muzikore, jam përpjekur t’arrijë te çdo vepër unitet mjetesh shprehëse duke e rishikuar secilën detajisht deri në momentin kur s’kam çka të ndërroj a t’i shtoj. Unitetin përpiqem ta sendërtoj edhe në kontinuitet nga vepra në vepër, në mënyrë që ky (unitet) të hetohet në vazhdimësi në krijimtarinë time, ku tashmë - edhe sipas muzikologëve e kompozitorëve që e kanë marrë në shqyrtim (dr. G. Karkoschka, Dr. Z. Shuteriqi, dr. F. Krizhnar, akad. P. Ramovsh etj.) janë të hetueshme tiparet dalluese. Trendet e modave ditore s’i kam parapëlqyer as përmbrenda një vepre e as në krijimtari në përgjithësi. Po ua lëshuam një sy periudhave të kaluara stilistike muzikore, do ta hetojmë lehtë unitetin shprehës krijues dhe tiparet dalluese te përfaqësuesit më markantë të renesansës (Palestrina, Lasso, Gallus…), barokut (Bach, Haendl) e klasicizmit (Haydn, Mozart, Beethoven), të romantizmit (Chopin, Berlioz, List, Vagner, Brahms, Çajkovski, Sibelius…), impresionizmit (Debussy, Ravel…) e ekspresionizmit (Schoenberg, Berg, Ëebern) dhe të tjerët të shekullit XX (Bartok, Stravinski, Prokofjev, Honnegger, Milhaud, Dallapiccola, Messiaen, Cage…) bashkë me pasuesit tjerë (Ligeti, Berio, Boulez, Donatoni, Stockhausen, Penderecki…).

Bota Sot: Krijuesi muzikor s’bën pa akcilin shkollim permanent. A plotësohen kriteret elite vetëm me këtë segment?

Zeqirja Ballata: Kriteret plotësohen, krahas shkollimit të rregullt, me përkryerje të mëtejshme permanente, duke qenë të lidhur ngusht me rrjedhat më recente të krijimtarisë muzikore të kohës dhe t’artit përgjithësisht. Krijuesi i mirëfillt s’i përmbyll aftësitë profesionale vetëm me fakultetin a magjistraturën. Ai është, si të thuash, gjithë jetën krijues e intelektual në njëfarë (s)provimi e studimi të pashkëputur, i përkushtuar artit deri në frymën e fundit.


Bota Sot: Sipas kësaj, mbase edhe procesi i arsimimit te ne do duhej hulumtuar forma të reja të avancimit. Mund të gjykoni që këto forma tashti arrijnë nga Fakultetet e sektorit privat?

Në Slloveni nuk ka asnjë fakultet muzikor privat

BoX

Themelimi stihik i universiteteve private (edhe i fakulteteve të arteve) s’mund ta ndryshojnë kualitativisht gjendjen n’arsimin tonë, poqese në to ligjërojnë, të thuash, po ata ligjërues që ligjërojnë në fakultetetin publik (ose që janë pensionuar dhe marrin një pension të padenj) e i notojnë studentët pa kritere, duke iu mundësuar që për një kohë të shkurtë të dalin diplomantë gjysmakë (apo as kaq)!

Kosova ka nevojë për kuadra profesionisht të aftësuara dhe me kritere që iu bëjnë ballë kërkesave më të rrepta në vendet e zhvilluara.

Zeqirja Ballata: Organet përkatëse në Kosovë, duhet ta forcojnë mirë e mirë Universitetin publik të Prishtinës, arsimin fillor e të mesëm me kushte, mjete mësimore, lokale adekuate, paga të denja, në mënyrë që most të jenë të detyruar të vrapojnë pas honorareve dhe punëve që i kryejnë shkel e shko. Arsimi i gjithëmbarshëm publik mos të denigrohet, siç është denigruar në vitet e pasluftës, pa paga përkatëse, pa mjete mësimore e lokale, pa disciplinë e përgjësi ndaj vendit të punës, pa rregull e pastërti, pa mbajtje të rregullt të ligjeratave. Kjo është një ironi sui generis që po ndodhë te ne, ndërkohë që vendi duhet të ta bëjë pavarësinë me shumë të korruptuar të cilët, në vend të përpiqen ta bëjnë pavarësinë, por edhe popullin, po e zhbëjnë atë!

Bota Sot:Si pedagog që e njihni realitetin e arsimit muzikor në Slloveni, a mund të na thoni sa Fakultete muzikore private punojnë, veprojnë atje?

Zeqirja Ballata: Në Slloveni, sado që ka kuadro tepër të numërta e kualitative (edhe për eksport!) hëpërës’ka asnjë fakultet muzikor privat. Në Universitetit e Lubjanës, vepron Fakulteti muzikor publik, i themeluar fillimisht si Konzervator(ium) muzikor në fund të viteve ’30 të shekullit të kaluar, i riemërtuar pas përfundimit të Luftës së 2-të botërore në Akademi muzikore me degët: për kompozicion (e teori), dirigjim, solo-këndim, piano, organo, harpë, çembal e perkusion, për vegla me harqe (violinë, violë, violonçel, kontrabas), vegla me frymë (të drunjta e të tunxhit), për pedagogji muzikore, që nga viti 1963 edhe për muzikologji pranë Fakultetrin filozofik (në vitet e para të Pasluftës vepronte si degë për Histori të muzikës pranë Akademisë muizikore). Pranë Akademisë pedagogjike (publike) të Lubjanës vepron edhe drejtimi muzikor që nxjerrë pedagogë muzikorë për institucionet parashkollore (kopshtet a qerdhet e fëmijëve etj.), shkollat fillore të përgjithshme e muzikore, ato të mesme të përgjithshme, shtëpi a qendra të kulturës, redaksi muzikore…

Në Mariborin universitar, qendrën e dytë përkah rëndësia shoqëroro-politike, ekonomike e kulturore me traditë tejet të pasur, me Teater kombëtar e Teatër të Operës e Baletit mbi 100-vjeçar, me ansamble e orkestër simfonike, me “Narodni dom”-in e Drejtorinë koncertale që organizojnë festivale (ndër)kombëtare e koncerte permanente (solistike, kamere, orkestrale, vokalo-instrumentale), me Shoqatë t’artistëve muzikorë e filialë të Kompozitorëve të Sllovenisë, me Shkollë t’ultë e të mesme muzikore (Gjimnaz artistik), vepron në Fakultetin pedagogjik Drejtimi muzikor (më parë ka vepruar pranë Akademisë pedagogjike të suprimuar në Fakultet pedagogjik) që kualifikon pedagog të muzikës ngjashëm si n’Akademinë pedagogjike të Lubjanës.

Bota Sot:Dy decenie me rradhë Shoqata e Kompozitorëve e Kosovës, kishte me çka të krenohej. Pas vitit 1991 ajo nuk vepron, madje edhe lokalet pronë e saj shfrytëzohen nga të tjerët! Ku qëndrojnë defektet e ndërprerjes së veprimtarisë së saj: në neglizhencën e kompozitorëve, mosinteresimin e tyre apo diç tjetër?

Zeqirja Ballata: Shoqata e Kompozitorëve e Kosovës, që e patem themeluar jo pa mund në pranverë të vitit 1972, nga një numër i vogël anëtarësh: të muzikës serioze, të lehtë, në frymën popullore dhe të disa (etno)muzikologëve, qe rritur në fund të viteve ’80 në afro 40 anëtarë. Ka zhvilluar veprimtari kyqe në zhvillimin e krijimtarisë, kulturës muzikore e arsimit muzikor; në themelimin dhe udhëheqjen e festivaleve (ndër)kombëtare dhe manifestimeve muzikore (Skena muzikore e Prishtinës, Ditët e muzikës kosovare, Takimet e talentëve muzikorë, Garat e koreve të shkollave fillore, por edhe të institucioneve a asocioacioneve muzikore (Shoqata e Pedagogëve, e Artistëve muzikorë, Rinia muzikore e Kosovës). Anëtarët kanë marrë pjesë me vepra muzikore në festivale (ndër) kombëtare mbrenda e jashtë vendit, kanë qenë në juri (ndër) kombëtare, janë dërguar kompozitorë, instrumentistë, solo-këngëtarë, kore, ansamble instrumentale-vokale në qendra e festivale në vend e jashtë, ka pasur marrëdhenje të ndërsjella me Shoqatat e kompozitorëve të vendit e jasht tij (Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë), ka botuar vepra solistike, kamere e orkestrale të anëtarëve (siç bëjnë Shoqatat tjera).

Box

Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës, një kohë ua ka mundësuar në lokalet e saj të zhvillojnë veprimtarinë anëtarëve të vet por edhe pedagogëve dhe artistëve muzikorë. Lokalet e saj, në ato vite absurde e të shkapërderdhjeve, që ua kanë mundësuar anëtarët e papërgjegjëshëm për t’i shfrytëzuar të tjerët (fillimisht një familje, më pas një organizëm tjetër, në vitet e fundit lëvizja Vetëvendosja), duhet t’i kthehen Shoqatës së Kompozitorëve.

Lokali i saj është blerë me t’ardhurat autoriale (tantiemat) të anëtarëve, mbështetur edhe nga Shoqatat e kompozitorëve të ish-republikave e Vojvodinës dhe Bashkësisë Krahinore të Kulturës. Kompozitorët kanë qenë anëtarë konsultativë dhe autorë të Elaboratit për themelimin e Degës së muzikës të Fakultetit të arteve, kanë pasur Shpërblimin vjetor “Rexho Muliqi”për veprën më të mire të vitit.

Defektet pse është ndërprerë veprimtaria e Shoqatës me kaq negligjencë janë të ndryshme. Por me rëndësi është që tani sërish të mobilizohemi, të mbështetur nga Ministria e kulturës…, Drejtorati për kulturë i Prishtinës etj., për ta rifilluar veprimtarinë (pas 16 vitesh) në lokalet tona (që do renovuar), në mënyrë që kjo ta vazhdojë rolin e asociacionit parësor kombëtar në lëmin e krijimtarisë muzikore, pasurimin e fondit krijues dhe afirmimin e mëtejshëm të kulturës së gjithmbarshme muzikore kombëtare.

Ripërtrirja e kuadrit muzikorë-domosdoshmëri

Bota Sot: Fakulteti i Arteve, pra edhe Dega e muzikës, ka punuar në objekte shumë të vjetra, pa kushte, pa ndonjë frymë drite e ambienti artistik, sado tash ka kaluar në disa lokale më të mira. A e meritojnë arti Muzikor, Figurativ e i Dramës, që pas kaq vitesh të mos kanë objekte adekuat pune?

Zeqirja Ballata:Degët e Artit Figurativ dhe Muzikor (mbi tri dekada) dhe ajo Dramatik (gati dy dekada) kanë nxjerrë kuadra të talentuara e perspektive që po i kontribuojnë mbarëvajtjes së arteve dhe kulturës tone. Ato kanë vepruar në kushte aspak adapte mësimoro-artistike. Që në vitet ’80 ka qenë vendosur nga organet Universitarei dhe ato përkatëse të Kosovës të ndërtohet objekti i Fakultetit të arteve pikërisht në hapësirën ku me urdhër e shpejt e shpejt të organeve të dhunshme të Serbisë në zemër të objekteve universitare e kulturore (Rektorati, Biblioteka universitare e kombëtare, disa fakultete, Instituti albanologjik, RTV-ja etj.) zu të ndërtohet kisha ortodokse. N’atë hapësirë të Universitetit duhet ndërtuar Fakulteti i arteve, kurse kisha të ndërtohet në një vend më adapt. Mbase kështu do të krijohen kushtet që tri degët të suprimohen në Fakultete të artit Figurativ, Muzikor e Dramatik, krahas zgjerimit me drejtime që mungojnë, ndërsa në një të ardhme, bashkë me Fakultetin e Arkitekturës, mund ta formojmë Universitetin (publik) të Arteve, siç ekziston në disa vende.

Bota Sot:Po si qëndron aktualisht çështja e ripërtrirjes së kuadrit përkatës në Degën e artit muzikor?

Zeqirja Ballata: Me përmirësimin e kushteve të lokalit, të furnizimit me mjete mësimore e profesionale artistike, do të përshpejtohet ripërtëritja me kuadra të reja përkatëse në drejtimet për kompozicion, dirigjim, instrumentale, për (etno)muzikologji; do të hapeshin edhe drejtimet që s’i kemi. Sepse, disa nga ne pedagogët që kemi mbi 30, 35 e 40 vjet përvojë duhet t’na zëvendsojnë kuadrat më të zgjedhura, gjë e cila do bërë me shumë kujdes, krahas ngritjes të kritereve, që janë zbehur në dekadën e fundit në gjithëUniversitetin/Universitetet tona.

Bota Sot:Krijusi nuk bën pa plane. Ju tashmë, që nga semestri i kaluar, jeni sërish në gjiun e Fakultetit të arteve ku keni ligjëruar dy dekada që nga themelimi i Degës; me disa kolegë keni qënë autor i Elaboratit për themelimn e saj, anëtar konsultativ i Komisionit amë, kryetar i parë i Pleqësisë, prodekan e dekan. Çfarë planesh e aktivitetesh krijuese keni tani në vorbullen e ngjarjeve aktuale?

Zeqirja Ballata: Pos përkushtimit studentëve, ndër detyrat që ia kam vënë vetës, bashkë me kolegë, është riaktivizimi i Shoqatës së Kompozitorë të Kosovës, heqja e një preokupimi që më ndjek më se një decenie lidhur me një vepër simfonike, si dhe shënimi i një përvjetori tim krijues vitin e ardhshëm.

Bisedoi: Sami Piraj
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi