Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Avzi Mustafa: Enciklopedia Maqedonase - Enciklopedi e një marrëzie

Shko poshtë

Avzi Mustafa: Enciklopedia Maqedonase - Enciklopedi e një marrëzie Empty Avzi Mustafa: Enciklopedia Maqedonase - Enciklopedi e një marrëzie

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 16, 2009 2:15 am

Avzi Mustafa: Enciklopedia Maqedonase - Enciklopedi e një marrëzie U1_AvziMustafa
ENCIKPLOPEDIA MAQEDONASE – ECIKPLOPEDI E NJË MARRËZIE

“Te ata njerëz ku gënjeshtra, dredhia, mashtrimi, vjedhja dhe shpifjet janë të pranishme, popullit të atij vendi i sjellin varfëri dhe frikë”
- thënie popullore -

Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa

Botimi i Enciklopedisë Maqedonase (pra jo “të Maqedonisë”) nga ASHAM-i, ashtu siç po shihet nga CD-të që tashmë gjenden gjithkund, duket se paraqet një studim të cekët e joobjektiv. Aty kemi në njëanshmëri të gjykimeve dhe tendenciozitet të mendimeve, që e tëra mund të përmblidhet me atë që quhet subjektivizëm. Vërehet aty fryma e tendencës për mohimin e plotë të së kaluarës historike shqiptare. Edhe pse faktet e vërteta historike për historinë e shqiptarëve janë konfirmuar edhe nga shumë autorë të jashtëm, që do të thotë se qëndrimet e pseudoshkencëtarëve maqedonas me një primitivizëm të paparë që synojnë ta mohojnë të vërteten mbi autoktoninë e shqiptarëve në trojet e veta nuk çojnë fare peshë në shkencë. Ndonëse mendimet e pseudoshkencëtarëve maqedonas nuk kanë rëndësi të madhe për historinë e shqiptarëve, megjithatë nuk do të jetë e tepërt që edhe një herë t’ua rikujtoj atyre se populli i cili dëshiron të mohojë një popull ose të përvetësoj kulturën e të tjerëve jo që shfaq primitivizëm, por edhe shkencën e bën të mos jetë më shkencë.
Duke iu bashkëngjitur gjithë atij masivi intelektualësh shqiptarë që reaguan me këtë rast, desha që edhe unë të jap një pasqyrë shkencore të së vërtetës për shqiptarët e këtyre trojeve.
Në fillim më duhet të them se dokumentacioni i shkruar i kohës me origjinë bizantine, bullgare, serbe etj. është i varfër për çdo popull të Ballkanit, pra edhe për shqiptarët. Megjithatë edhe në ato pak dokumente ose kronika shqiptarët nuk mungojnë dhe dalin si individualitet etnik më vete me një shtrirje gjeografike shumë të gjerë, qofshin si ilirë, arvanoi, alvanoi, raban, arbanas, aranavud etj.
Nuk ka mundësi askush të shkruajë për shqiptarë (pos këtyre të ASHAM-it, më duket) pa iu referuar emrave të mëdhenj të shkencës, si Tumani, I. G. Hahni, V. Jokli, Shuflaji, Jeriçeku, Katiqiqi, por edhe studimeve interdiciplinare të arkeologjisë, gjuhësisë, etnografisë që janë bërë nga Çabej, S. Anamali, Ceka etj., ku askund nuk gjenden këto të dhëna “shkencore” të ASHAM-it.
Kështu, për shembull, edhe në mesjetën e hershme në bazë të dokumenteve dhe burimeve të ndryshme, qofshin ato historike apo kishtare, regjistra të kadastrave në krisobula, studime gjuhësore etnografike, kode e ligje, arbanasit/shqiptarët përmenden si etnos në këto troje. Në fund të shekullit IX dhe në fillim të shekullit X Shën Naumi si përhapës i shkrim-leximit sllav në këto treva i dallon shqiptarët (arbanasit) përreth liqenit të Ohrit prej viseve të tjera sllave-maqedonase si treva ilire (shqiptare) (shih Hristomatija po istorija na Bëllgarija, VII.(II). Sofje,1964, fq. 148). Po ashtu në vitin 1330 Stefan Deçanski i përmend shqiptarët në territorin e Kosovës (shih Glasnik srpskog nauçnog drustva, knjiga XV, Beograd, 1862, fq. 278). Siç del në pah në këto burime, dokumentacioni historik i kësaj kohe pranon se shqiptarët ishin kudo të pranishëm, pra jo vetëm në qendrat ku banojnë tani, por edhe më gjerë (shih Onomastika e Kosovës, fq. 59-105).
Shkojmë më tej. Në një krisobulë të Kodikut të Deçanit përmendet katundi me emër karakteristik “Katun Arbanas”. Po me këtë emër ka ekzistuar edhe një vendbanim tjetër me emrin Arbënesh që në vitin 1335 edhe perandori Dushan e vërteton këtë katund. Sot ky është katundi Arbanashka afër Kumanovës (Shih: Gaspër Gjini, Ipeshkia Shkup Prizren nëpër shekuj. Drita, Zagreb, 1982, fq. 103)
Nëse i hedhim një sy kritik tërë dokumentacionit mesjetar serb, edhe përkundër pranimit të etnosit shqiptar në trojet e veta, qartë shihen synimet tendencioze politike, ngase popullsia shqiptare është regjistruar si arbanas vetëm në ato vende ku ishte etnosi shqiptar i besimit katolik. Gjithashtu duhet të përmendet edhe një fakt tjetër që është shumë i rëndësishëm në dokumentacionin mesjetar - se të gjitha vendbanimet me popullsi shqiptare të besimit ortodoks, për shkak të të njëjtit komunitet fetar dhe politik me serbët, në veri janë konsideruar si “serbë”, kurse në jug si “grekë”, ashtu siç do të ndodhë edhe më vonë me shqiptarët e besimit mysliman që do të deklarohen si “turq”. Kështu raste kemi edhe sot e kësaj dite me shqiptarët ortodoks në Maqedoninë Perëndimore, gjegjësisht në Rekë të Epërme.
Pushteti kishtar serb ndaj shqiptarëve zhvillonte një politikë asimiluese, duke e përdor kishën ortodokse si organizatë për ta përforcuar sundimin e vet. Agresioni kishtar serb në shekujt XII-XIV u përcoll me ndërtimin e kishave dhe manastireve të shumta, aksione këto që i kishin marrë klerikët serbë në tërë territorin e Kosovës, por edhe në Maqedoni, duke ndërtuar kisha në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, etj (Shih. S. Nikoloska, Izgradeni i obnoveni manastiri i crkvi od kralot Millutin, Spomenici, T. II, fq 509, 518 (separat)). Megjithatë për këtë periudhë shteti serb nuk hedh dritë mbi gjendjen e masave popullore shqiptare, ngase u kushtohet vetëm atyre fshatrave që ishin pronë e institucioneve fetare serbe.
Të dhëna të pasura mbi shqiptarët dhe trojet e tyre kemi aty nga gjysma e dytë e shekullit XV të evidencuara nga administrata osmane dhe të shënuara në defterët e regjistrimeve kadastrave (mufassal defterleri), që u përpiluan nga zyrtarë osmanë në shekullin XV-XVI. Nga këta defterë kemi të dhëna e njoftime në sferën ekonomike, shoqërore, politike, ideologjike, si dhe të karakterit demografik dhe etnik në aspektin territorial dhe kohor.
Materiali i këtyre defterëve e prek edhe karakterin etnik dhe të pranisë së popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë. Sidomos në kohën kur osmanlinjtë filluan ta zbatonin regjimin e timareve, zhvillimin ekonomik-shoqëror të qyteteve, përhapjen proceseve, zhvillimin ekonomik, shoqëror të qyteteve dhe përhapjen e islamizimit. Këta defterë i hedhin poshtë të gjitha ato pretendime të historiografisë së huaj mbi “dyndjet” e shqiptarëve nga malësitë e Shqipërisë se veriut, aty ku praktikisht mbështeten historianët maqedonas. Nëse ka pasur dyndje të shqiptarëve, ato janë dyndje brenda trojeve të tyre shqiptare. Ndërkaq sa u përket shqiptarëve në Maqedoninë Perëndimore, aty nuk regjistrohen dyndje fisnore, por mund të ketë vetëm të tilla të quajtura nomade. Shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë Perëndimore nuk dinë për fise, por thonë se janë aty “prej moti” e jo siç e interpreton dikush “prej Mati”. Përhapjen e kësaj teze e përdor edhe trumbetuesi Ristesvki me kllapën e vet.
Nga këto defterë mësojmë edhe më shumë mbi toponiminë e vendbanimeve si dhe antroponiminë e shqiptarëve. Për të ilustruar faktin se elementi shqiptar në Maqedoni është prezent shumë më herët para ardhjes së turqve në Ballkan kemi të dhëna pikërisht nga këta defterë.
Pseudoshkencëtarët e tipit të Risteskave, Mallkovskave e Kiselinovave dëshirojnë të injorojnë dhe të mos e dallojnë elementin shqiptar që i kishte huazuar emrat sllavë. Për ta dokumentuar këtë, do të jap disa shembuj të nxjerrë nga defterët e regjistrimeve osmane (këto defterë janë përkthyer edhe në gjuhën maqedonase) për zonën e Kërçovës (shih Turski dokumenti od XV-XVI vek, Tom VI, kniga II, Skopje, 1988). Gjatë sundimit të Bajazitit II popullsia e Kërçovës është regjistruar në këtë mënyrë: së pari jepet popullsia myslimane e ndarë në mëhallën e xhamisë dhe të hamamit të Sinan Beut. Pos kësaj. gjendet e regjistruar popullsia e krishterë e ndarë në dy mëhallë: në mëhallën e serbëve (serf) dhe në mëhallën e shqiptarëve (arnavud). Nëse i vërejmë emrat e shqiptarëve të krishterë, del se emrat e tyre nuk japin shenjë se janë shqiptarë, por sllavë. Ja disa shembuj nga S. Pulaha në “Nahia e Alltunilisë” botuar në Gjurmime albanologjike I, 1971, Prishtinë, 1972: Të krishterët e Kërçovës: Mëhalla e shqiptarëve (emrat do t’i japim në të shquarën për dallim nga origjinaliteti): Gjuroja, i biri i Vllados; Vlladoja i biri i Gjonit; Dimoja, i biri i Gjergjos; Jovani, i biri i Pejos; Petkoja i biri i Ninos; Ninoja, i biri i Niqlës (Nikola); Todori, i biri i Todos (Doda); Nikolla, i biri i Stojmirit; Bojkoja, i biri i Ninës; Stojani, i biri i Stojçes; Pejua, i biri i Todorit; Nina, i biri i Bogdanit; Gjuroja, i biri i Vullkashinit, Juvani, i biri i Pejos; Todori, i biri i Gjuros; Nikolla, dhëndri i Domit; Pejo, Petkoja, i biri i Gjuros; Stankoja, i biri i Miles; Petroja, i biri i Shamanit; Mirçeja, i biri i Nikollës; Bashtina e Todor Popit; Stoja, i biri i Vljakos....etj. Të vejat: Mara, Jelena, Vlada, Stana, Ivana, Boga, Evina, Toda, Jelena, Radosllav, Kalina, Goja.
Nga këto të dhëna vetvetiu del pyetja se ç’ ndodh me atë popullsi shqiptare të besimit ortodoks që në shekullin e XV e regjistroi administrata osmane, që sigurisht ka qenë edhe para se të vijnë osmanët. Kështu përfundon edhe shkencëtari i njohur maqedonas Aleksandar Stojanovski në punimin e tij “Pogled na ekonomiko-drushtvenite priliki vo Kiçevskata nahija vo II polovina na XV vek” (Glasnikna INI god. II,sv.2.Skopje, 1958 fq.115-158).
Nga kjo shumë qartë del se prej shekullit XV, madje as sot, të gjithë krishterët nuk ishin sllavë, ashtu siç ua do qejfi ristevskave.
Me ardhjen e osmanlinjve në këto troje dhe me vendosjen e rendit feudal ushtarak, si dhe me zbatimin e sistemit të timareve, u godit rëndë ekonomia e fshatarëve. Askush më nuk ishte në gjendje t’i bëjë ballë një diskriminimi ekonomik, e më vonë edhe fetar. Islamizimi, si faktor dhe mjet kryesor për qëllime politike, në radhë të parë përfshiu klasën feudale vendëse dhe një pjesë të banorëve të qyteteve. Osmanët në këto troje sollën edhe kolonë turq.
Duke ndjekur procesin e myslimanizimit në shekullin e XV-XVI, shihet qartë rritja e elementit mysliman. Kështu elementi i krishterë vinte duke rënë (M. Sokolovski, Razvojni pat na nekoj gradovi vo Makedonija vo XV-XVI vek, Istorija, Skopje, VII, 1971, nr. 1,fq. 33.
Në shekullin XVI elementi mysliman dominon mbi elementin e krishterë, si p.sh. në Kumanovë - 52:21; Tetovë - 334:133; Ohër - 270:250; Kërçovë - 80:42; Dibër 167:158 etj. (M. Soklovski, Muslimanizacija vo Makedonija, Istorijsiki çasopis, knjiga XXII, Beograd, 1975, fq.81.). Islamizmi e mbërrin kulminacionin në këto treva në shekullin XVII-XVIII. Megjithatë, për të dëshmuar se në këto troje ka pasur shqiptarë të krishterë, tregon edhe fakti i një “laramanizmi”. Kjo do të thotë se ka pasur shqiptarë që emrin e kanë zëvendësuar me emër mysliman, kurse mbiemrin e kanë e kanë mbajtur si të krishterë, si p. sh.: Mehmet Gjini, Said Najdeni, Asan Perdeni, Qamil Marku, Ahmet Pero, etj.
Nga këto të dhëna kuptojmë se, përkundër toponimisë shqiptare që është dokumentuar shkencërisht nga studiuesit shqiptarë e ballkaniste, edhe nëse në vendbanimet ku tani jetojnë shqiptarët e myslimanizuar haset toponimi KISHË dhe PRIFT, nuk do të thotë se janë sllavo-maqedonase.
Pastaj logjikisht - kujt i shërbeu Pjetër Bogdani, cili u emërua kryepeshkop i Shkupit në vitin 1677. Në shekullin XVII dhe XVIII shqiptarët vetë ose bashkë me popujt e tjerë luftuan kundër Perandorisë Osmane dhe me krenari thoshin ”Jam shqiptar”, duke mos u fshehur fare pas emërtimeve të tjera (shih: Hobhause J.E.A. Journey through Albania and in Europe, London 1813).
Humanisti shqiptar Marin Baleti (më 1430) shkruan se Gjon Kastrioti për besnikërinë dhe trimërinë ushtarët i merrte nga Dibra, Tetova, Ohri “kur i binte fortë në qafë Otomanit”(Marin Barleti “Historia e Skënderbeut”, Tiranë 1964, fq. 65)
Një burim tjetër për autoktoninë e shqiptarëve në këto troje është edhe ai nga M. Kostiqit në “Istoriski glasnik” nr. 3-4.1957, fq. 83, ku Leopoldi I më 06.04.1690 në radhë të parë i bëri thirrje popullit shqiptar për luftë kundër pushtuesit osman, pikërisht nga këto troje.
Për fund po e përmend edhe një Relacion nga argjipeshkvi Bardhi të vitit 1641, ku për Shkupin thuhet: “Katolikët e kanë kishën e vet që gjendej pranë shtëpisë së priftit”. Siç shkruan më tej ai në Raport, kjo shtëpi ka qenë pranë kështjellës së qytetit, pasi kishte dalje në rrugën publike, afër tregut ku shiteshin shumë lloje drithërash”. Nga kjo del se kisha duhej të ketë qenë në pjesën e vjetër të Bitpazarit të sotëm (Shih: Gaspër Gjini, Ipeshkia Shkup Prizren nëpër shekuj. Drita, Zagreb, 1982, fq. 159).
Marrë në përgjithësi, duke parë tendenciozitetin e kësaj enciklopedie, kujtoj këto të dhëna megjithatë mund t’u bëjnë hair atyre që ende kujtojnë se bëjnë shkencë duke ngjallë ksenofobi.
Shqiptarët den baba den janë në këto troje.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi