Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dëgjesa e 'Shekullit', qeveria shmangu përballjen

Shko poshtë

Dëgjesa e 'Shekullit', qeveria shmangu përballjen Empty Dëgjesa e 'Shekullit', qeveria shmangu përballjen

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 16, 2009 2:32 am

Dëgjesa e 'Shekullit', qeveria shmangu përballjen

Nga Arben Rrozhani

Tryeza e organizuar nga "Shekulli" mbledh përfaqësues të politikës, medias dhe qytetarë Historianë, politikanë dhe përfaqësues të medias morën pjesë dje paradite ne dëgjesën publike të organizuar nga gazeta "Shekulli" me kolonelin në rezervë Myslym Pasha, i cili prej disa muajsh po prezanton ekspertizën e tij për marrëveshjen detare me Greqinë, e cila shkel dhe cënon integritetin territorial të Shqipërisë.

Në takimin, ku mungonin përfaqësuesit e ftuar: qeveria shqiptare, Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes, morën pjesë dhe diskutuan përfaqësues të opozitës së majtë dhe qytetarë të thjeshtë. Pas hyrjes dhe falenderimeve të rastit nga drejtori i gazetës z. Adrian Thano, prof. asoc. dr. Myslym Pasha shpjegoi studimin e tij shkencor, që dënon si shitje të vendit, marrëveshjen e nënshkruar mes qeverive në maj, e cila ka marrë miratimin në komisionin e ligjeve dhe pret ratifikimin në Parlament pas disa ditësh.

Sipas kolonelit Myslym Pashaj, marrëveshja ka shumë pika të errëta dhe të debatueshme, sidomos për Otranton, ku pika e mesit mes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë është vendosur në brendësi të detit territorial shqiptar. Sipas tij, kjo marrëveshje duhet të ishte paraprirë më parë nga një seri ligjesh që duhet të ishin miratuar në Kuvend.

Hartuesi i studimit prof. asoc. dr. Myslym Pashaj, kolonel në rezervë dhe mjeshtër kërkimesh, u shpreh se marrëveshja "për përcaktimin e kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë", e nënshkruar në maj 2009, është një nga skandalet më të mëdha, të cënimit të mëvetësisë, si dhe të shpërfilljes së interesave tona kombëtare. Kritikave të tij pak muaj më parë, vetë kryeministri Berisha, iu përgjigj duke anatemuar mediat si të "shitura", "antikombëtare" dhe "trilluese primitive".

"Është e jashtëzakonëshme, të shkosh në negociata dhe të hartosh një marrëveshje, ku me lapsin, kompjuterin, firmën tënde, t'i presësh vetes një gjeohapësirë kaq të madhe, të cenosh lirshëm mëvetësinë e Atdheut, të shpërfillësh historinë dhe gjeohistorinë shqiptare, të braktisësh interesat e tua ekonomike dhe të ulësh asisoj, dinjitetin dhe krenarinë kombëtare" - u shpreh z. Pashaj. Mjeshtri i kërkimeve, Pashaj, në studimin e tij i është referuar UNCLOS, Konventës së Montego Bay-it si edhe legjislacionit shqiptar.

Kolonel Pashaj sqaroi në studimin e tij se si marrëveshja ndërpret në mënyrë tërësore, të drejtën e Shqipërisë për një pjesë sovrane në ngushticën e Otrantos, cënimin e detit shtetëror dhe hapësirës së afërt vijimore, si dhe hapësirës së veçantë ekonomike. Sipas kolonelit është cënuar drejtpërdrejt sovraniteti kombëtar dhe mosmbrojtja e së Drejtës Detare, të dhënë nga KONVENTA e Montego Bay (UNCLOS).

"Ngushtica u përket vetëm dy shteteve përballë, Italisë dhe Shqipërisë. Republika e Greqisë përfiton në këtë rast në të tri drejtimet, si në atë verior (në mes të Ngushtesës), në perëndim, ku ka hapësirë detare më Italinë, në Jug, ku është universi i saj natyror ujor." - theksoi ai, duke shtuar se pjesë e skandalit është dhe ajo që ka ndodhur me hapësirën detare në gjirin e Sarandës, i cili edhe pse është det shtetëror i Shqipërisë është trajtuar si një vijë bregdetare.

Pas fjalës së z. Pasha, shkrimtari dhe politikani i njohur Sabri Godo kërkoi ekspertizë ndërkombëtare për këtë skandal të dy qeverive. Historiani Pëllumb Xhufi përsëriti paralelizmin me marrëveshjen për Shën Naumin, në kohën e Zogut, dhe sipas tij kjo është "vija e turpit".

Të pranishmit dolën në konkluzionin se ratifikimi i marrëveshjes shqiptaro-greke duhet të shtyhet deri në vërtetimin dhe analizimin e plotë të saj. Përfaqësues të tjerë në takim hodhën idenë se edhe nëse marrëveshja ratifikohet nga Kuvendi, atëherë duhet të jetë Gjykata Kushtetuese, ajo që duhet ta interpretojë atë.
*******************************
Deklarimet
Shpëtim Idrizi, kryetar i PDU
"Nuk e votojmë, nëse nuk jemi të qartë"
Për partinë tonë është një rast, jo vetëm për shkak të sensibilitetit që ne kemi si PDU, për çështje të tilla kombëtare.

Por besoj që edhe si Parlament, si anëtarë të Parlamentit Shqiptar, është një moment shumë i rëndësishëm sepse besoj se çdo parlamentar duhet të jetë i përgjegjshëm për mënyrën se si do të votojë, pasi jo gjithmonë të bie rasti që ti të votosh për sovranitetin dhe ujrat territoriale, për sovranitetin e vendit tënd. Kështu që, për ne është shumë e rëndësishme që të informohemi.

Ka një ambiguitet nga shtypi dhe nga kjo që pamë sot dhe për sa kohë që nuk jemi të qartë se mund të shkelet qoftë edhe një centimetër det apo ujë i hapësirës kombëtare apo sovranitetit shqiptar, ne nuk do ta votojmë këtë marrëveshje.
*******************************

Historiani Pëllumb Xhufi bën paralalizëm me shitjen e Shën Naumit 8 dekada më parë
Berisha si Zogu, kërkon shitjen e Shqipërisë në Parlament
Këtë situatë Shqipëria e ka kaluar edhe më parë në lidhje më Shën Naumin. Shën Naumi në bazë të Konferencës së Ambasadorëve në Londër i lihej Shqipërisë. Problemi pas Luftës së Parë Botërore u risoll në tryezë nga Jugosllavia.

Lidhja e Kombeve ia rinjohu Shqipërisë me vendimin e saj të dhjetorit të vitit 1922, në mënyrë përfundimtare dhe ndërhyrjet e mëtejshme të shtetit jugosllav bënë që kjo çështje t'i përcillej, duke u konsideruar një çështje thjesht juridike, pra t'i përcillej Gjykatës Ndërkombëtare, e cila përsëri në shtator të vitit 1924 ia njohu Shqipërisë. Çfarë ndodhi? Në dhjetor të vitit 1924 ikën qeveria e Fan Nolit dhe vjen qeveria e Zogut.

Dhe Zogu, gjëja e parë që bëri, dhe dihet si erdhi ai, një nga rekordet negative të tij është ardhja apo jo nga Jugosllavia, e mbështetur pikërisht nga Jugosllavia. Një nga hapat e para të tij ishte ndërhyrja në Lidhjen e Kombeve, duke kërkuar që çështja e Shën Naumit, të cilin Lidhja e Kombeve ia kishte dhënë Shqipërisë, do të shqyrtohej në marrëdhënie dy- palëshe mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe kështu ia dha Jugosllavisë, atë që ia jepte Lidhja e Kombeve. Dhe për ta ligjëruar këtë shitje ose falje të territorit shqiptar, Zogu mblodhi dhe Parlamentin dhe ia kaloi edhe Parlamentit për të ndarë përgjegjësinë.

Jemi në të njëjtën pikë tani. Qeveria jonë në mënyrë jotransparente i ka dhënë territor ujor Greqisë, nëpërmjet një marrëveshjeje tepër të kontestueshme. I ka dhënë hapësirë ujore, të cilën Konventa e vitit 1982 e Kombeve të Bashkuara ia jepte Shqipërisë.

Dhe qeveritarët tanë, të cilët e kanë bërë këtë marrëveshje me ndërgjegjen e tyre, është marrëveshje e pisët sigurisht, shoh që nxitojnë ta kalojnë në Parlament për të shpërndarë përgjegjësitë. Natyrisht, unë jam i bindur që kjo vijë e re kufiri që thyen Konventën e Kombeve të Bashkuara, që sot mund të quhet vija e turpit, nesër do të ketë një emër që do të mbahet mend më kollaj, do të ketë një emër më konkret, jam i sigurt.

Dua të them dhe diçka tjetër: kjo është një marrëveshje e cila krijon probleme. Probleme mbi problemet e tjera që ne kemi me shtetin fqinj. Ne jemi një vend që kërkojmë të hyjmë në Evropë dhe në Evropë duhet hyrë pa probleme. Ne kemi një sërë problemesh me vendin fqinj, të cilat do të duhet të ishin zgjidhur me kohë.

Që nga Ligji i Luftës, që nga problemi i njohjes së kufirit tokësor që ende nuk njihet, problemi i pronave të qytetarëve shqiptarë në Greqi. Problemi çam, gjithashtu i cili është një problem i gjallë dhe nuk mund të injorohet dhe të mbytet si dhe problemet me ndarjen e ujrave të brendshme që është një çështje tepër e rëndësishme.

Këtyre problemeve u shtohet dhe një marrëveshje që është problem me siglimin e qeverisë. Unë uroj që Parlamenti mos ta siglojë një marrëveshje të tillë. Unë gjykoj që ne do paraqitemi me kërkesën tonë për të hyrë në BE me një problem shtesë.

Dhe nëse është problem, mjafton të shihni atë që shkruan shtypi sot por akoma më shumë do t'ju lutesha të shihnit forumet në internet, ku unë nuk kam arritur të gjej qoftë edhe një njeri të vetëm që të miratojë një marrëveshje të tillë. Pra është një marrëveshje anti-popullore, anti-kombëtare që populli shqiptar nuk e pranon.

Qeveria bojkoton dëgjesën e "Shekullit"
Përfaqësues të qeverisë munguan dje në dëgjesën e organizuar nga gazeta "Shekulli". Ndonëse stafi orgnaizator kishte dërguar ftesa në adresë të deputetëve të shumicës në shumicën e komsioneve parlamentare, që deri tani përbëhen nga deputetët e shumicës, ata nuk janë përgjigjur.

Justifikimi i tyre ishte se në të njëjtën kohë, ata ndodheshin në punimet e komiosineve parlamentare. Por, disa prej tyre kishin deklaruar paraprakisht se nuk do të vinin, sepse ajo arrihej vetëm me urdhër nga "lart".

Një natë përpara mbajtjes së dëgjesës, stafi drejtues i gazetës "Shekulli" i dërgoi edhe thirrje kryeministrit Berisha që të lejonte komandantin Kristaq Gervenin që të ishte pjesëmarrës në debat dhe të bënte edhe ai, pjesën e tij të ekspertizës.

Siç pritej, të vetmit që morën pjesë ishin disa deputetë të opozitës së majtë, që reaguan me shqetësim për shpërfilljen që qeveria po i bën këtij debati.

****************************************
Ermelinda Meksi, deputete e PS-së, përshëndet tryezën e debatit orgnaizuar nga "Shekulli"

Qeveria qëndrim antikombëtar, spekulon me integrimin
Lajmin për këtë aktivitet e kam marrë, si çdo mëngjes nga sajti i gazetës "Shekulli", dhe pavarësisht nga angazhimet e ditës e konsiderova shumë të rëndësishme pjesëmarrjen në këtë debat dhe informacionin që është shumë i vlefshëm për ne.

Me këtë rast desha të them që gjithë vëmendja është përqëndruar te bojkoti i Parlamentit, ndërsa ju nuk keni bojkotuar as ekonominë, as politikën, as çështje kaq të rëndësishme të çështjes kombëtare, duke i sjellë në vëmendje të opinionit publik, dhe të gjithë atyre që kanë interes, kështu që kjo është çështja më e rëndësishme në këtë konferencë që ju bëni sot.

Në këtë kontekst, duke plotësuar ato që thanë kolegët më përpara dhe paralelet që bëri z.Xhufi në histori desha të shtroj edhe një pyetje që praktikisht i jep edhe përgjigje këtij shqetësimi që kanë shqiptarët.

Mbasi u nënshkrua nga qeveria shqiptare kjo marrëveshje, diplomacia greke me gojën e ministres tha se: "u arrit synimi strategjik grek". Pyetja që shtrohet është: "Po qëllimi strategjik shqiptar cili është?"

Kjo është çështja që duhet të kenë para vëmendjes politikbërja, e cila në asnjë mënyrë nuk duhet ta ratifikojë me nxitim këtë marrëveshje në Parlament, sidomos duke konsideruar këtë lëvizje qytetare, e cila është një shkallë shumë më e lartë se ajo politike dhe besoj se të tilla aktivitete dhe forume të marrin përmasa më të mëdha.

Ne politikanët, kemi treguar se sidomos në këtë periudhë, nuk jemi marrë me të tilla çështje, jemi marrë me gjëra që janë shumë të rëndësishme edhe ato, por kur merreni ju shoqëria civile i jepni një vlerë akoma dhe më të madhe, dhe për çdo gjë që keni nevojë, ata politikanë që ju besojnë e që ju vijnë mbrapa ndoshta i keni edhe të shumëfishuar. Por, në këtë rast keni qenë shumë më lart se ne.

Na ngelet vetëm t'ju mbështesim dhe sigurisht, dhe me mjetet që kemi të potencojmë këtë shqetësim të prof. Pashajt që meriton respektin më të madh. Mjafton të shkosh në blogun e "Shekullit" dhe të shikosh komentet. Dua të përforcoj atë që tha z. Xhufi se asnjë komentues nuk del kundër këtij qëndrimi. Kështu që do të dëshironim që kjo tryezë dhe të tjera të ndjekin pikërisht për t'i dhënë opinionit të interesuar këtë shqetësim: Kush është qëllimi strategjik i qeverisë shqiptare?

Si gjithmonë servilizmi për të realizuar ndoshta qëllimin e ditës. Ky është qëllimi? Atëherë, ky është qëndrimi më antikombëtar që çdo shqiptar e kundërshton. Edhe njëherë duke ju falenderuar, mbetet të themi se kemi nevojë për të tilla aktivitete dhe sigurisht, me të gjitha kapacitete që Shqipëria ka. Zoti Godo pyeti për ekspertizën ndërkombëtare.

E vlerësoj shumë për mençurinë dhe kombëtarizmin e tij, por në këtë rast unë ndjehem krenare që ne kemi ekspertë si z. Pashaj dhe të tjerë që kanë hedhur në tryezën e debatit një alternativë. Është mjerim që pjesa që e propozoi nuk ka reaguar për studimin e z.Pashaj dhe në këtë drejtim vetëm ky qëndrim është një argument plus, për qëndrimin e tij professional sigurisht dhe shumë kombëtar.

Nga pikëpamja ekonomike do të thosha që gjithë beteja bëhet për ekonominë dhe kjo zonë që z.Pashaj e quajti zona ekskluzive ekonomike, mbart në vetvete pasuri të fuqishme, të nëntokës, të detit dhe sigurisht të tjera.

Kështu që po të sjellim në vëmendje betejën për në BE, mes Sllovenisë dhe Kroacisë, edhe njëherë duhet të sjell në vëmendje atë që tha z.Xhufi, që në aspiratën tonë integruese, ku spekullohet me qeverinë e integrimit, duhet ta kemi në qëndër të vëmendjes edhe në këtë marrëveshje. Po i shtojmë problematikës që kemi edhe më shumë nga injoranca, por do të ishte më e pakta nga injoranca, për ta ndërlikuar edhe më shumë këtë proces.

Deputeti i PS-së Pandeli Majko kërkon diskutime jopolitike për çështjen e kufirit
Marrëveshja, duhet ekspertizë e huaj dhe diskutim publik
Unë sot erdha për të dëgjuar një problem, të cilin në fakt e filloi media. Ekspertiza e kolonel Pashajt, një ekspertizë të cilën unë kam pasur kënaqësinë ta kem kur kam qenë ministër i Mbrojtjes dhe ai ka qenë drejtor i Institutit të Gjeografisë, të them të drejtën më bëri të reflektoj për një varg problemesh.

Jo se kisha dyshim, duke ndjekur situatën nëpërmjet mediave apo televizionit, por gjithsesi, sot doja ta dëgjoja vetë, të isha i pranishëm pikërisht për këtë fakt.

Dëshiroj të them që ekspertiza e kolonel Pashajt është e tillë, që edhe kur ne e kemi nxjerrë në lirim në periudhën që unë kam mbuluar Ministrinë e Mbrojtjes, ne e kemi mbajtur atë drejtor të institutit edhe duke qenë civil, që do të thotë se fjalët e kolonelit nuk duhen marrë si një emocion i çastit.

Mendoj se nisur nga ato që dëgjova sot këtu, nga reflektimet që kam, padiskutim, që kemi të bëjmë me një problem shumë të madh. Kemi të bëjmë me një precedent, i cili nuk kërkon që të futet në detajet e një diskutimi politik, sepse kufiri nuk është i Partisë Demokratike, nuk është as i Partisë Socialiste.

Kufiri është një çështje kombëtare që i takon jo vetëm një partie politike, kur është ajo në pushtet por padiskutim, gjithsesi do të kërkoj një diskutim në vazhdim. Në këtë drejtim mendoj se duhet kërkuar një mirëkuptim.

E them këtë pa dashur të nënkuptoj histori të natyrave të çuditshme, por dëshiroj të nënvizoj faktin se meqenëse po diskutohet një precedent kaq delikat, çështja e kufirit me një vend fqinj dhe mik siç është Greqia duhet parë si e tillë, që do të thotë se është e nevojshme ekspertiza ndërkombëtare, është i nevojshëm trajtimi në publik, se nuk po diskutohet malli i babait të dikujt që është duke drejtuar sot vendin, por është duke u diskutuar kufiri i Shqipërisë. Çështja e kufirit ka qenë gjithmonë një problem delikat midis fqinjëve në Ballkan.

Kështu që gjithë ai investim i jashtëzakonshëm që është bërë qoftë nga pala shqiptare qoftë nga pala greke, për sa i përket marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona, nuk duhet të orientohet në precedentë të natyrave të tilla, të cilët me mënyrën e izoluar të diskutimit se si po zhvillohet, ose se si po orientohet nga ana e qeverisë shqiptare, me mënyrën e pashpjegueshme se si po trajtohet në publik nga ana e qeverisë shqiptare kjo çështje mendoj se do të sjellë agravimin e problemit.

Dhe për këtë arsye, duke qenë se jam i bindur që kjo është një histori, e cila në radhë të parë duhet të reflektojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, ne duhet të bëjmë ç'është e mundur që ky precedent të mos kthehet në një rithemelim të problematikave të vjetra të fqinjësisë ballkanike, por përkundrazi me qetësi, me dashamirësi mbi të gjitha të bëhet transparenca e problemit, të thirret dhe një ekspertizë ndërkombëtare në lidhje më ketë çështje dhe hap pas hapi, në transparencë të plotë me publikun shqiptar të bëhet e qartë se si do të ecim në këtë drejtim.

E përsëris edhe një herë çështja e kufirit të Shqipërisë nuk është një çështje e Partisë Demokratike, as e Partisë Socialiste prandaj "kujdesi" është shumë pak të thuhet si fjalë.

______________


Majko: Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurimit


E.Hoxhaj |Shekulli Online, 14/10/2009 |

Deputeti socialist kërkon që debati për paktin detar të kalojë në duart e isntitucioneve më të larta të vendit


Me afrimin e ditës së ratifikimit në Kuvend, debati lidhur me marrëveshjen për hapësirën detare mes Shqipërisë dhe Greqise ka nisur të ndizet edhe më shumë. Pandeli Majko, ish- kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, shprehet se marrëveshja nuk është shumë transparente dhe për këtë

Presidenti i Republikës duhet të thërrasë Këshillin e Sigurimit Kombëtar për ta marrë në analizë. "Presidenti duhet të thërrasë Këshillin e Sigurimit, të kërkojë informacione, pasi kjo çështje nuk mund të qëndrojë vetëm në nivelin mediatik.

Kufijtë nuk janë as të Partisë Socialiste dhe as të Partisë Demokratike", u shpreh Majko, gjatë një interviste në "Top Channel". Sipas tij, edhe sikur 10 për qind e asaj që thuhet të jetë e vërtetë, atëherë ky është një problem që kap momentin e skandalit dhe që do të rëndojë në marrëdheniet dypalëshe.

"Është e pritshme që për këtë çështje Presidenti i Republikës të thërrasë Këshillin e Sigurimit, të kërkojë konsulta dhe informacione edhe të organeve të specializuara, pasi kjo nuk mund të jetë vetëm në nivelin mediatik, apo të trajtimit politik opozitë - mazhorancë, pasi në këtë pikë duhet të jemi shumë të qartë, se kufijtë nuk janë as të PD-së as të PS-së".

Z. Majko sheh si përgjegjës kryesor qeverinë shqiptare: "Mendoj se edhe sikur 10 për qind e asaj që thuhet të jetë e vërtetë, kemi një problem shumë të madh, kemi një problem që po kap momentin e skandalit dhe që po rëndon marrëdhëniet dypalëshe.

Por, e përsëris këtu nuk kemi pse të bëjmë me faj vendin fqinj, problemin e kemi brenda vetes." Z. Majko pohon se është e pafalshme që pala shqiptare ka qenë e papërgatitur për këtë marrëveshje, e cila nuk ka ekzistuar në tavolinën e qeverive të majta gjatë viteve 1998-2005.

"Po të doni mendimin tim edhe një metër është gjithsesi një problem në këtë histori të komplikuar që ne kemi marrë nga e kaluara dhe që ekziston. Mendon se kjo është një çështje që duhet menaxhuar me shumë përgjegjësi dhe me shumë transparencë në mënyrë që të mos lërë gjurmë".

Për deputetin socialist, mungesa e transparencës është një tjetër tregues i kësaj marrëveshjeje, sipas të cilës Shqipëria humbet rreth 354 km katrorë hapësirë ujore në favor të shtetit grek.
**********************
Qindra mesazhe dhe thirrje për mosratifikimin e marrëveshjes për kufijtë detarë
Shqiptarët në "Facebook": Berisha tradhëtar!

Qindra anëtarë të rrjeteve sociale, apo blogues, janë përfshirë në debatet për mosratifikimin e paktit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Një faqe e hapur në rrjetin social Facebook, në linkun https://www.facebook.com/inbox/?ref=mb#/group.php?gid=77061783478&ref=ts, e titulluar

"Kundër ratifikimit të marrëveshjes së "dhurimit" të 354.4 km2 në Jon", bën thirrje për mosratifikimin e e marrëveshjes së "dhurimit" të 354.4 km2 në Jon.

Në të thuhet se: "Shqipëria është trajtuar si një plaçkë lufte në marrëveshjen që qeveria Berisha nënshkroi me Greqinë më 27 prill të këtij viti. Shteti ynë, jo vetëm që është tkurrur në kufijtë e tij detarë në jug të vendit, por ka humbur edhe pozitat e tij të dikurshme në det, të cilat kanë qenë tepër strategjike në raport me Greqinë.

Qeveria shqiptare më datë 27.04.2009 i dhuron Greqisë rreth 354.4 km2 sipërfaqe ujore dhe grekët afrohen 11 kilometra drejt Karaburunit, marrëveshje e cila është trumpetuar sërish si një "arritje e qeverisë", por që në fakt cenon rëndë kufirin detar shqiptar, duke qënë se parimi i baraslargësisë nuk respektohet në asnjë nga pikat e tij".

Sipas administratorëve të grupit, qëllimi është të mbajë përdoruesit e Facebook të informuar mbi ecurinë e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje dhe reagimet nga qarqe të ndyshme.
Më poshtë janë disa prej qindra postimeve të fundit në këtë faqe:

Erind Hasani

kjo tregon se si tradhtarët e kombit i kthyen edhe një herë prapanicën grekut, vetëm për lek... kjo nuk është vetëm një turp, por edhe një krim për vendin..
Markus Sloejstrom

Ç'ështe ky turp i madh me Shqipërinë e 2010 pu pu pu, mirë atëherë se kishim qejf turkun, por tani dolëm me të paturpshëm se Esat Pashë Toptani.

Besmira Nika

Të parët tanë dhanë jetën që Shqipëria të mos trajtohet si plaçkë në sy të botës, e na del tani 1 gomar që fal territoret shqiptare... ky është kulmi...

Salih Kabashi (France)

Nëqoftëse shqiptarët e kalojnë në heshtje këtë tregti me pjesë të territorit të vendit të tyre, atëherë nuk di se me çka do të tregojnë atdhedashurinë e tyre dhe për kur do ta lënë ngritjen e fuqishme gjithëpopullore mbrojtje të Atdheut.

Serbë e grekë deri sot shqiptarëve u kanë marrë copa të Atdheut me luftëra e me gjenocid, ndërsa sot qeveritarët e Shqipërisë sovrane i falin ato. Kjo është tradhtia, e cila do duhej të ndëshkohej rëndë.

Aulona Capaj

Vetëm ne mbahemi si ajo fjala e urtë e popullit:
"Të këqinjtë e portës, e të mirët e botës"
Nuk e kuptoj si të jemi kaq të mallkuar me klasën politike!
Erjon Ruko (Italy)

Politikanët shqiptarë po e shesin shumë lirë të vetmen gjë të shtrenjtë që gjyshërit, baballarët tanë na kanë lënë - IDENTITETIN tonë të shtrenjtë! E thonë që ne shqiptarët jemi trima. Njeriu është ajo çka bën në jetë në fund të fundit dhe jo ajo çka mendon! Kush nga ne po bën ndonjë gjë? Kush?

Ardian Elezi (Italy)

Deri me sot historia ka njohur mbretër që kanë luftuar për të marrë toka dhe për të rritur pasuritë dhe fuqinë e tyre, dhe vetëm dy, ish mbreti Ucello (Zog) dhe ish Berisha e falin tokën e tyre thuaj se këta të dy janë mbretërit e rinj dhe modernë të kohës që ne të tjerët nuk i kuptojmë.

Do ta kërkojmë Vlorën Admiral por nuk do ta gjejmë, do të bredhim nëpër Mesdhe si çifuti në shkretëtirë, por nuk do ta gjejmë më... Ju kujtohet filmi "Ballë për ballë"? Dhe neve ia falim pas 50 vjetesh ...
Ankohu

Arti Tamburi (Ëindsor)

Nënshkruani peticionin kundër ratifikimit nga Parlamenti të marrëveshjes së turpshme shqiptaro-greke për përcaktimin e kufijve detarë mes tyre.
http://www.gopetition.com/online/31143.html

Henri Nune

Njëherë e një kohë atyre që shisnin atdheun e tyre u dhoshin Tradhëtarë!
Por, tani kohët kanë ndryshuar dhe turpi është bërë nder. E vetmja gj që ka rëndësi është pushteti.
Mjerë ne që kemi këta qeveritarë.

Lindita Aliu shkroi

Ky është jo vetëm skandal, por turp për shqiptarët. Mobilizohuni për çështje politike dhe bëni protestë sa më shpejt për interesin Tuaj! Protestë aktive në Tiranë dhe në vendet tjera. Kjo duhet bërë publike patjetër, që të senzibilozohet populli se çfarë katastrofe është kjo për sovranitetin shqiptar!

Loris Koka

nuk e imagjinoj dot si mund të bohet nji gjo e tillë

Ersan Karameto

Çuna si thoni për një protestë para Kryeministrisë?!

Martin Roçi

Nënshkruani peticionin
http://www.gopetition.com/online/31143.html
Andi Hoxha

Në datë 19 tetor, Parlamenti shqiptar vendos për ratifikim apo jo të kësaj marreveshjeje.
Janë të mirëpritura të gjitha sugjerimet se si mund të ndalohet ratifikimi i një marreveshjejetë tillë, e cila do të kishte pasoja të rënda për Shqipërinë.

Eli Arjan

në ato thellësira,mbase ka thesare e gjëra që me mjetet tona që s' kemi nuk e dimë,dhe greku do të thotë janë thesare helene dhe jo ilire ... ne i falëm Çamërinë, detin, emigrantët, etj ato kanë bërë gjenocide kundër popullatës sonë, është akoma ligji i luftës me shtetin shqiptar dhe akoma nuk njohin kufijtë tokësorë, qëndrimi i tyre është i qartë, duan veten e tyre mbrojën interesat e tyre, kurse ne e shesim atdheun per 5€

Irvi Hyka

Po çe duam detin ne na takon gjith EPIRI
Princè OfPèrsià
http://www.shekulli.com.al/2009/10/05/marreveshja-per-kufijte-ushtaraket-kundra-po-i-falim-detin-greqise.html
-Marrëveshja për kufijtë, ushtarakët kundra: Po i falim 354 km det Greqisë!!!

Martin Roçi shkroi

Nënshkruani petiocionin per ta ndalur kete skandal
http://www.gopetition.com/online/31143.html

Ismail Sadiku

Një politikan shqiptar ka thënë: populli shqiptar është populli më i lehtë për t'u qeverisur". Për aq kohë sa nuk do të jete i gjithe populli bashke le te bejne qef me pasurite e shqiptareve qeverite. Sa keq....

Eti Shehu (Università per Stranieri DI Perugia )
...azzooooo,goxha marveshje.....ata na kane borxh token e ne u japim dhe ujin.....bravooo!!!!

Klodjan Beleshi (Detroit, MI)
This is Bull shit I want my Illyrian land back
Nikolin Kurtiqi (Dayton, OH)
sa të kemi gomarin kryeminister do fluturojmë me presh...

Ardian Xhelili
Ky është personi që po e mban peng integrimin e Shqipërisë në BE. Më shumë se zhvillimi ekonomik Evropa kërkon përafrim të legjislacionit dhe luftë kundër krimit dhe korrupsionit.

Berisha nuk ka bërë asnjë ligj të rëndësishem pa u konfrontuar me BE apo USA (ligji i Lustracionit, ligji i Prokurorisë etj etj) Kaq e veshtire eshte qe ligjet e rëndësishme të bëhen si kërkohen në bashkëpunim dhe të ketë një konsensus të gjerë. Ky është personi më antikombëtar do të thosha që ia kalon dhe Esat Toptanit.
***************************
Kryetari i PS-së premton reagim zyrtar pas ekspertizës së specialistëve
Edi Rama: Marrëveshja, një ngarkesë e rëndë për qeverinë
Për marrëveshjen e nënshkruar mes qeverive të Shqipërisë dhe të Greqisë, është shprehur dje edhe kryetari i PS-së, Edi Rama. Ai në deklarimin e tij , kërkoi që politika tua lërë vendin ekspertëve, të cilët duhet të sqarojnë gjithçka. "Kjo është një nga ato çështje, për të cilat politika duhet të dëgjojë dhe pastaj të flasë.

Ne i kemi dëgjuar me shumë vëmendje, unë i ka ndjekur me shumë vëmendje të gjitha shqetësimet e shprehura nga zëra të pavarur, zëra qytetarësh, ekspertësh të shoqërisë civile që kanë qenë vërtet zëra të shqetësuar dhe kam kërkuar që një ekip i ngushtë ekspertësh të së drejtës kushtetuese dhe të së drejtës ndërkombëtare të ndjekin me shumë vëmendje këtë çështje, e cila mesa duket ka në brendinë e saj një tjetër ngarkesë të rëndë për qeverinë shqiptare, një pushtet njerëzish që janë shumë të paaftë dhe njëkohësisht mjaftueshmërisht të papërgjegjshëm për të ndërmarrë hapa që bien ndesh me interesa shumë më të mëdha".

Zëra kritikë brenda opozitës së majtë dhe të shoqërisë civile, kanë shprehur shqetësimin ditët e fundit për reagimin e vakët dhe të vonuar të PS-së për këtë skandal tjetër të qeverisë dhe kanë kërkuar kundërshtimin e fortë edhe nga lidershipi i PS-së.

Kryetari i PS-së, Rama premtoi se opozita do të reagojë, pasi gjithçka të jetë sqaruar nga specialistët. "Në çastin kur ekipi ynë do të japë një opinion përfundimtar, pa asnjë dyshim ne do të reagojmë në rrugën e duhur dhe do të bëjmë atë që na takon.

Po e përsëris, është shumë e rëndësishme që në çështje të tilla, ku ka shumë ekspertizë dhe ku kërkohet në radhë të parë mendimi i specialistëve të mirëfilltë, politika të qëndrojë një hap më mbrapa dhe zëri zyrtar i opozitës të ngrihet vetëm atëherë kur faktet flasin qartë dhe kur shqetësimi është i mbështetur jo mbi emocione negative dhe as mbi normën e përditshme të opozitarizmit, por mbi argumenta bindës, që mesa duket në rastin konkret nuk mungojnë"- u shpreh për gazetarët kryetari i PS-së, Rama.

Rrëfimi i ish-zëvendësministrit të Energjetikës: Hapësira detare dhënë Greqisë me potencial të madh për politikat ndërkombëtare të energjisë
Pajtim Bello: Deti, çfarë fitojnë grekët dhe çfarë humbasim ne


"Kjo zonë e territorit detar që diskutohet në media dhe përfshihet në marëveshje është një zonë strategjike përsa i përket pikëpamjeve dhe zhvillimeve energjitike në Ballkan dhe Evropë".

Ish-zëvendësministri i Energjetikës, Pajtim Bello, në një intervistë për gazetën "Shekulli" sqaron atë çka do të fitonte fqinji ynë jugor dhe do të humbiste Shqipëria, nëse marrëveshja për kufijtë detarë do të ratifikohej në Parlament.

Ai u kthehet bisedimeve të viteve më parë, të cilat mbetën pasi palët nuk ranë dakort, sepse Shqipëria do të humbiste shumë shumë, aq saç do të humbasë nëse marrëveshja ratifikohet.

Zoti Bello, si ish-zëvendësministër i Energjitikës mund të jepni këndvështirmin tuaj lidhur me pontecialin e politikave energjitike që mund të ketë territori detar dhënë Greqisë?

Gjithë kjo zonë e territorit detar që diskutohet në media dhe përfshihet në marrëveshje është një zonë strategjike përsa i përket pikëpamjeve dhe zhvillimeve energjitike në Ballkan dhe Evropë.

Në kënvështrimin e politikave energjitke shohim se të gjitha projektet që liden me transportimin e gazit natyror nga Lindja në Perëndim, e konkretisht nga vendet e Kaukazit drejt Italisë dhe Evropës Perëndimore, tentojnë kalimin nëpërmjet vijës bregdetare shqipare dhe kanalit të Otrantos.

Në këtë kuadër është edhe një projekt që zhvillohet nga tre shtete; Turqi-Greqi-Itali. Në këtë projekt të mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian, para vitit 2005, qeveria jonë e atëhershme ka kërkuar që Shqipëria të bëhet pjesë e transportimit të gazit natyror prej Turqisë drejt Italisë.

Ky projekt ka ndonjë lidhje me zonën detare në fjalë?

Thembra e Akilit e këtij projekti ka qenë kalimi i tubacionit në cektinën detare të po asaj zone, që po diskutohet sot se i është kaluar shtetit grek para disa muajve me anë të një marrëveshje mes ekzekutivëve të dy vendeve.

Pikërisht, për kalimin mbi këtë vijë janë zhvilluar debate mes palës sonë dhe asaj greke në atë periudhë. Kjo pasi kemi kërkuar që gazësjellësi të kalojë në luginën e Vjosës, duke shkurtuar gjatësinë e linjës tokë-ajër.

Ekziston dokumentacion konkret në METE për këtë projekt?

Në Ministrinë e Ekonomisë Tregëtisë dhe Energjitikës ka dokumentacion konkret për praktikat, ku pasqyrohen gjithë negociatat dhe marrja e miratimit paraprak që projekti të ndryshonte në favorin e vendit tonë. Më tej, pas vitit 2005 nuk ka pasur zhvillime të bëra publike për këtë projekt.

Por, doja të shtoja se me këtë ndryshim të kufijve të territorit ne nuk mund të kemi pretendime. Kështu që mbetemi jashtë bordit të hartimit të politikave ndërkombëtare energjitike.

A kanë ekzistuar studime lidhur me burime të mundshme energjitike të ndodhura në këtë zonë?

Po ekziston një studim i tillë. Kjo pasi në hartën e publikuar në vitin 1988 për ndarjen e blloqeve të prespektivës së burimeve të naftës dhe të gazit, territori që sipas marrëveshjes mund t'i kalojë Greqisë, bën pjesë në zonën 5 të përcaktuar atëherë.
Zoti Bello, sipas mendimit tuaj çfarë humbet Shqipëria nga kjo marrëveshje?

Nëse tubacionet e transportimit të gazit apo linjat e transmisionit të energjive të tjera nuk kalojnë në vendin tonë, atëherë humbasim të ardhura vjetore nga tranziti. Nëse tubacioni transportues i gazit do të kalonte në vendin tonë, Shqipëria mund të furnizohej me një sasi të qëndrueshme vjetore.

Kështu që mund të kishte gaz të mjaftueshëm edhe për të prodhuar energji apo për ta shfrytëzuar në fushën e industrisë. Tjetër përfitim madhor që humbet vendi ynë është ajo se ne nuk do të jemi më anëtarë në vendimmarrjet e politikave energjitike. Si pasojë, do të jemi të detyruar të blemë gazin apo energjinë, gjithmonë nga vendet e tjera dhe në sasi të limituara.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi