Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Besim Muhadri: Vepra e Shtjefën Gjeçovit në dritën e studimeve

Shko poshtë

Besim Muhadri: Vepra e Shtjefën Gjeçovit në dritën e studimeve Empty Besim Muhadri: Vepra e Shtjefën Gjeçovit në dritën e studimeve

Mesazh nga Agim Gashi Tue Oct 20, 2009 9:46 pm








Besim Muhadri: Vepra e Shtjefën Gjeçovit në dritën e studimeve U1_Besim_MuhadriNë 80-vjetorin e vrasjes së Shtjefën Gjeçovit

VEPRA E SHTJEFËN GJEÇOVIT
NË DRITËN E STUDIMEVE

Shkruan: Mr.sc. Besim MUHADRI


Shtjefën Konstadin Gjeçovi është padyshim një nga figurat më komplekse dhe më poliedrike të kulturës, letërsisë dhe të shkencës sonë. I lindur në Janjevë të Kosovës në vitin 1874 dhe i shkolluar në Troshan të Lezhës, në Fojnicë dhe në Derventë të Banja Llukës (Bosnje dhe Hercegovinë) në Kreshevë të Dalmacisë, ai gjatë atyre viteve do të pajiset me një kulturë të gjerë intelektuale për kohën.Edhe pse i veshur me petkun e fratit, ku shërbeu në shumë vende të Shqipërisë dhe të Kosovës, ai me punën e tij përkushtuese në shumë fusha të dijes, shkencës, kulturës, letërsisë, të arsimit, trashëgimisë, popullore dhe zakonore, arkeologjisë etj., gjatë 53 viteve të jetës së tij arriti të krijojë një opus të gjerë, duke lënë pas vetes një veprimtari shumë të çmuar. Madje në disa fusha, si në atë të arkeologjisë dhe të së drejtës sonë zakonore do të jetë edhe nismëtar.

Përkushtimi i tij në të gjitha këto fusha të dijes, që nënkupton edhe përkushtimin e tij të pamohueshëm dhe shumë të guximshëm intelektual dhe atdhetar, do të jetë fatal për të, sepse më 14 tetor të vitit 1929 do të vritet në pabesi nga xhandarmëria serbe. Vrasja e tij në një moshë kur mund të jepte një kontribut të rëndësishëm në fushat ku punonte, do të jetë një humbje e madhe për kulturën shqiptare në përgjithësi, sepse mbetën pa u realizuar shumë projekte të nisura nga ana e këtij kolosi, të cilat kanë vlera të pakontestueshme.

Por, vlerësimet për veprën madhore të Gjeçovit, do të jenë në fokus të përhershëm të studiuesve, qofshin ata shqiptarë apo të huaj. Një interesim të jashtëzakonshëm do të reflektojë vepra e tij “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që është një mbledhje e të drejtës sonë zakonore, për të cilën Gjeçovi kishte punuar me vite, për të mos thënë në pjesën më të madhe të jetës së tij. Mirëpo nuk mbeten pas edhe vlerësimet për veprat e tjera të Gjeçovit, siç janë “Agimi i Qytetnisë” i botuar në Shkodër më 1910, por edhe për krijimet poetike, të cilat i botoi kryesisht në vitet 1900-1902 në revistën “Albania” që në atë kohë botohej në Bruksel, pastaj për krijimet tij në fushën e letërsisë popullore, atë të dramaturgjisë, përkthmit etj. etj.

Shtjefën Gjeçovi, ky studiues dhe “gërrmues i shpirtit të popullit”, siç u cilësua nga kritika, me veprën e tij shumëdimensionale ishte dhe mbeti një nga Rilindësit më të përkushtuar, më të zëshëm dhe më të angazhuar, pothuajse në të gjitha fushat e jetës.




Kanuni i Lekë Dukagjinit ligj mbi ligjet

dhe shenjtëria mbi shenjtëri



Besim Muhadri: Vepra e Shtjefën Gjeçovit në dritën e studimeve U1_AteShtjefenGjecoviSiç u tha edhe më lart, vepra e Gjeçovit zgjoi kërshërinë e studiuesve të shumtë, qofshin ata shqiptarë, apo edhe të huaj. Lista e atyre që u morën më analizën dhe vlerësimin e veprës së tij është e gjatë, në të cilën mund të hasim edhe këta emra, si: Aleks Buda, dr. Syrja Popvci, Ndoc Kamsi, Vili Kamsi, Agnija V. Desnickaja, Rrok Zojzi, Andrea Varfi, Demush Shala, Ruzhdi Mata, Pashk Bardhi, Vinçenc Prenushi, Ugolini, Atanasio Gegaj, Hilë Mosi, Gjergj Fishta, Faik Konica, Nelo Dizdari, Gjuzepe Kastelleti, Salvatore Vilari, Kolë Ashta, Karl Gurakuqi, Idriz Ajeti, Zekeria Cana, Anton Çetta, Mark Krasniqi, Ismet Elezi, Vinçenc Malaj, Resmije Kryeziu, Tjasho Brahaj, Thoma Murzaku, Frrok Kristaj, Skënder Zogaj e shumë e shumë të tjerë. Figura e Gjeçovit në dritën e vlerësimeve të këtyre studiuesve, historianëve, publicistëve, por edhe i juristëve dhe politikologëve, na del mjaft e kompletuar dhe shumëdimensionale. Andaj, këto vlerësime janë një kontribut i rëndësishëm për njohjen dhe ndriçimin e figurës së këtij dijetari dhe veprimtari, në të cilat spikat roli dhe kontributi i tij dhënë shkencës dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.

Duke vlerësuar lart figurën e Gjeçovit, studiuesi i mirënjohur shqiptar, historiani, Aleks Buda thotë se: “ Gjeçovi, kjo figurë e shquar e lëvizjes politike, e shkencës dhe e kulturës shqiptare, spikat sot më qartë mbi atë sfond të zymtë, me dritën dhe, pse jo, edhe me hijet e veta”. Edhe pas këtyre viteve të kalimit në amshim, sipas Aleks Budës au “u thotë brezave të rinj fjalën e vet me domethënie edhe për të sotmen e të nesërmen: fjalën e dashurisë për popullin e për vlerat madhore, që ai ka krijuar gjatë shekujve, fjalën e punës vetëmohuese për studimin e kësaj kulture”.

Nga ky citat shihet kontributi i Gjeçovit dhënë shkencës, kulturës, por edhe historisë gjithëkombëtare. Kjo që spikat historinai Buda, është një fakt i pamohueshëm. Aleks Buda, duke folur për një nga veprat shumë të spikatura të Gjeçovit siç është “Agimi i Qytetnisë”, të botuar më 1910, ai ndalet në mënyrë të veçantë të mbajtja e qëndrimeve të autorit ndaj disa problemeve aktuale të kohës së viteve të fundit të sundimit osman në Shqipëri. Me këtë rast Buda na njeh me mendimet politike e filozofike-pedagogjike, me aspektet e tyre pozitive, por edhe me disa kufizime karakteristike.. Sipas Budës, në problemet themelore Gjeçovi qëndron në pozicionet e Rilindjes sonë, pavarësisht se disiplina së cilës ai i nënshtrohet si klerik, ia bën atij shumë më të vështirë se rilindësve të tjerë të qëndrojë në pozicione të drejta. “Është e natyrshme që për arsye të disiplinës së jashtme, por edhe të parimeve që ai kishte përvetësuar nga gjithë edukata dhe përgatitja e tij shkollore, Gjeçovi si klerik, nuk mund të çlirohej nga parimet bazë të filozofisë e teologjisë së krishterë. Por nga ana tjetër, si pjesëtar aktiv e i ndërgjegjshëm i një populli që luftonte për të drejtat elementare, për liri e përparim, ai nuk mund të pajtohej plotësisht me transceendentalizmin metafizik karakteristik për moralin e krishterë. Aleks Buda “zbulon”, nëse mund ta qujamë kështu se Gjeçovi që në mes dy këtyre dy poleve u përpoq të gjente një rrugë kompromisi: Atë të raportit midis Besimit dhe atdheut, sepse ai pranonte dhe predikonte se besimi dhe atdhedashuria përbëjnë dy krahët që peshoren e mbajnë në drejtpeshim.

Prof. dr. Syrja Pupovci, është padyshim një ndër studiuesit që bukur shumë është marrë me veprën jetësore të Gjeçovit, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, e cila vepër edhe pse u mblodh me përkushtim dhe disa pjesë të tij filluan të botohen që herët, ajo e pa dritën e botimit vetëm pas vdekjes së autorit. Profesor Pupovci në studimin e tij për këtë vepër fundamentale jo vetëm të Gjeçovit, përveç analizës së thuktë që i bën asaj, ai jep edhe vlerësimet e tij , që janë vlerësime të një njohësi të thellë të kësaj vepre me përmasa të patejkalueshme për të gjitha kohët. Vlerësimet se përmbledhja e të drejtës sonë zakonore, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, para se gjithash është një vepër letrare, përkatësisht si vepër që ka të bëjë me letërsinë popullore, Pupovci i konteston. Ai dokumenton se vepra në fjalë e Gjoçovit është një vepër njëkohësisht me materie juridike, ndërkaq Gjeçovin e konsideron si një nga “mbledhësit dhe studimtarët e parë shqiptarë të së drejtës zakonore. Pupovci kur flet për problematikën e literaturës mbi KLD, edhe pse pajtohet me mendimin e të tjerëve që janë marrë me këtë çështje se ajo është realativisht e varfër, megjithatë pohon se “materiali i mbledhur nga KLD, iu bën të mundshme shkencëtarëve shqiptarë dhe atyre të huaj që t’i kushtohen studimit dhe zgjidhjes së problemeve të shumëduershme që lindin nga kjo e drejtë zakonore”.

Ndërkaq, studiuesja ruse, Agnia Desnickaja kur flet për “Disa mendime rreth problemeve linguistike të Kanunit”, pohon se me këtë vepër “Gjeçovi ka kryer një punë të madhe duke kodifikuar normat ligjore, që kishin ekzistuar më parë vetëm në tradicionin gojor. Ai i ka paraqitur në formën e një kodi monumental. Studiuesja në fjalë thotë që tekstin e krijuar nga Gjeçovi nuk duhet paraqitur si një pasqyrim automatik të zakoneve e të normave ligjore të popullit. Pa mohuar cilësinë shkencore të të dhënave të mbledhura nga Gjeçovi, saktësinë absolute të vëzhgimeve të tij, si nga ana etnografike, ashtu edhe nga ajo juridike, që është një nga cilësitë më të theksuara të kësaj vepreje, autorja Desnickaja konkludon se vepra e Gjeçovit i përket një zhanri letrar mjaft të rrallë, sidomos në letërsinë e kohëve moderne. Përveç rëndësisë së tij shkencore historike e juridike sipas Desnickajës ky tekst paraqet edhe mjaft probleme me një karakter hitoriko-letrar dhe linguisitik.

Ndërkq, studiuesi i letërsisë popullore, Demush Shala, duke u munduar të japë kontributin e tij në vlerësimin për Kanunin e Lekë Dukagjinit të Gjeçovit, duke cituar Ragip Halilin, këtë vepër e konsideron si themel të jurispodencës së Shqipërisë së Veriut, ndërsa për shqiptarët si gjënë më të shenjtë dhe si bazë e të gjitha ligjeve natyrore dhe njerëzore. “Kanuni i Lekës është ligji mbi ligjet dhe shenjtëria mbi shenjtëri”, pohon Demush Shala.



Gjeçovi arkeologu i parë shqiptar



Ndonëse punoi në kushte të vështira dhe pothuajse aspak të favorshme, një ndihmesë të rëndësishme Gjeçovi i ka dhënë edhe arkeologjisë shqiptare. Kudo që punoi dhe veproi ai u mundua të gjurmojë për të zbuluar dhe për të njohur lashtësinë e kombit dhe truallit të tij. Duke qenë mjaft i pasionuar dhe shumë i përkushtuar në këtë fushë, ai u shndërrua në një gërrmues i shpirtit të popullit të tij. Në artikujt e ndryshëm të botuar nëpër revistat e kohës, ai vë në dukje rëndësinë e madhe arkeologjike që ka Shqipëria, por nuk pajtohet me konçesionet që u jepen të huajve për gërmime arkeologjike. Gjeçovi del haptas kundër të huajve që vijnë në Shqipëri dhe grabisin pasuritë arkeologjike, kundër tregtarëve matrapazë që tregojnë për vlerat e kulturës sonë[4]. Kërkesa e tij e vazhdueshme, qoftë në takime, qoftë në shkrime është për krijimin e një muzeu arkeologjik kombëtar.

“I pari shqiptar që filloi të interesohej për arkeologji që Shtjefën Konstantin Gjeçovi prej Janjeve. At Shtjefni asht jo vetëm arkeologu i parë shqiptar, por edhe i pari që përpiqet të lëshojë sadopak dritë mbi historinë e ilirëve, me anën e zbulimit të dokumentave të jetës së tyre landore, tue plotësue kështu zbrazëtinat që kemi nga shkrimet e historianëve grekë e romakë”, thotë Vili Kamsi në studimin e tij me titull “ Fillimet arkeologjike shqiptare dhe kontributi i Shtjefën K. Gjeçov – Kryeziut”

Vlerësimnet dhe epitetet për figurën e Gjeçovit janë të larta dhe nga më të ndryshmet. Ai u vlerësua dhe u quajt “Njeri i penës”, “Gardian i dijes”,

“Shkrimtar i vendosur dhe demokrat”, “Njeri i dashur, shkrimtar i vlertë", etj., etj.

Kontributi i studiuesve në studimin dhe vlerësimin e veprës së Gjeçovit janë të mëdha. Gjatë 80 viteve është bërë bukur shumë në ndriçimin dhe kompletimin e figurës së këtij krijuesi dhe atdhetari, mirëpo ka ende për t’u bërë, sepse veprimtaria e tij letrare, shkencore, arsimore, fetare dhe kulturore në përgjithësi është shumë më e gjerë se sa ajo që njohim ne sot. Shumë vepra të tij nuk janë botuar dhe ruhen nëpër arkiva të ndryshme, qoftë në Shqipëri, qoftë në vende të tjera, ndërsa shumë të tjera madje edhe janë zhdukur. Shpresojmë se një ditë shqiptarët do ta kenë në dorë tërë opusin krijues të këtij dijetari dhe atdhetari të madh.



Në Gjakovë, më 14 tetor 2009
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi