Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zbulohet enigma e kufirit!!!‏

Shko poshtë

Zbulohet enigma e kufirit!!!‏ Empty Zbulohet enigma e kufirit!!!‏

Mesazh nga Agim Gashi Wed Oct 21, 2009 4:48 pm

Zbulohet enigma e kufirit!!!‏


Me ratifikimin e marrëveshjes së detit mes Greqisë dhe Shqipërisë, qeveria aktuale Shqiptare, humbet perspektivën strategjike ekonomike, sidomos të jugut të Shqipërisë.
Poziconi gjeografik, i cili është argumenti më i fortë e ndjellës shqiptar në fushën e makroekonomisë evropiane, shumëzohet nga kjo marrëveshje me zero, dhe gjeopolitika jonë ekonomike, dhe ndjellja e investitorëve të huaj me këtë faktor, brenda pak vjetësh do marrë fund.
Nëse shikon hartën detare, dhe vijën e re të kufirit që do hyjë në fuqi, në rast ratifikimi të marrëveshjes, vërehet se midis Shqipërisë dhe Italisë, futen si pykë ujërat greke, dhe për më tepër çelësat e Otrantos (të paktën çelësin tonë), e dorëzojmë tek grekët.
Përveçse një argument më shumë kundër mbështetësve të marrëveshjes, se në të shkuarën ndarja nuk ka qenë kështu, kjo ndarje e re do krijojë probleme me zhvillimin e vendit.
Portet
Në projektet e financuara nga qeveria shqiptare, por dhe me financim të huaj, në fillim viteve të kësaj dekade, Porti i Vlorës, i cili së bashku me atë të Durrësit do ishin dyert hyrëse të Korridorit 8-të, i cili do kalonte në Maqedoni, Bullgari dhe Turqi, por edhe vendi ku do zbarkonte gazsjellësi AMBO. Kjo do sillte një shmangie të Greqisë dhe mbetjen e saj një xhep në korridoret evropiane, dhe rrjedhimisht humbje të peshës si trampolinë për mallrat që vinin nga lindja drejt perëndimit dhe anasjelltas dhe rrugë kalimi për to.
Të ndodhur përballë kësaj perspektive që do ulte peshën ekonomike, e rrjedhimisht politike të Greqisë në rajon, qeveritë e atij vendi, bënë autostradën “Odhos Egnatia”. Kjo autostradë përshkon gjithë veriun e Greqisë dhe tashmë përfundon në portin e Igumenicës. Po ashtu në bashkëpunim me rusët, është miratuar ndërtimi i gazsjellësit Burgas- Aleksandropullos dhe, është në projekt degëzimi Aleksandropullos-Igumenicë. Të gjitha këto projekte paralele të cilat janë drejt përfundimit të tyre, automatikisht atrofizojnë projektet e Korridorit 8-të që i jepnin zhvillim Shqipërisë dhe trevave shqiptare, pasi financuesit e huaj, nuk janë të interesuar të hedhin para, në një projekt paralel me atë tashmë në prag të përfundimit që kanë bërë grekët.
Gjithashtu, jugu i Italisë, aq i etur për gazin libian, mund ta gazifikojë atë në portin e Igumenicës, ku mund të ngrihen impiantet e planifikuara për t’u ndërtuar në Vlorë, ose të marrë gazin rus, nëpërmjet gazsjellësit detar, që do kalojë në ujërat që sapo i kemi dhuruar.
Çfarë kemi dhënë
Me futjen e ujërave territoriale greke si pykë midis Italisë dhe Shqipërisë, anijet e mallrave që vijnë nga kanali i Suezit, si dhe ato gaz dhe naftë mbartëse, do ta shmangin portin e Vlorës dhe të Durrësit, pasi kështu shmangin taksat dhe telashet administrative me autoritete greke për kalimin në ujërat territoriale të tyre, dhe do ndalojnë në portin e Igumenicës, nga do shpërndahen në gjithë Ballkanin dhe Evropën Qëndrore.
Për një tregtar, nuk ka shumë rëndësi të shkarkojë mallrat në Igumenicë ose Vlorë apo Durrës, mjafton që të kursejë shpenzimet e transportit, por për popullsinë greke dhe shqiptare të rajoneve, kjo bën diferencën midis prosperitetit dhe varfërisë në krahasim me fqinjin.
Në këtë mënyrë, porti i Vlorës, në mos është shndërruar në një port në ujërat greke, të paktën është një port që do varet nga humori i tyre.
Humbje në turizëm
Gjithashtu portet shqiptare, humbasin atraksionin e tyre si porte turistikë për jahtet.
Në periudhën e dimrit, mjetet lundruese të evropiano-veriorëve, strehohen në portet kroate ose të Italisë së veriut. Me fillimin e sezonit të verës, zbresin në jug të Mesdheut, duke bërë ndalesa furnizimi në portet greke, dhe ishte menduar që këtë funksion ta merrnin edhe portet shqiptare në të ardhmen.
Me ardhjen e vijës ndarëse kaq afër brigjeve tona, asnjë pronar jahti, nuk ka vullnet t’i shtojë vetes vështirësi burokratike, duke hyrë, dalë e hyrë prapë nëpër ujërat territoriale të shteteve si Shqipëria dhe Greqia, por direkt nga ujërat ndërkombëtare bën furnizim në portet greke dhe zbret në Mesdhe.
Këto argumente, por edhe shumë të tjerë të vështira për tu shpjeguar në një artikull të vetëm, janë tregues se përveç humbjes së mbi 300 km2 zonë ujore, Shqipëria dorëzon me këtë marrëveshje pozicionin e saj strategjik gjeo-ekonomik.
* Autori i këtyre rradhëve është ekspert i të drejtës ndërkombëtare. Për arsye se është nëpunës i administratës shtetërore publike, preferon të ruajë anonimatin.

Gazeta Shqiptare
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi