Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shuflaj, si e vranë në një pusi fill pas vizitës në Tiranë

Shko poshtë

Shuflaj, si e vranë në një pusi fill pas vizitës në Tiranë Empty Shuflaj, si e vranë në një pusi fill pas vizitës në Tiranë

Mesazh nga Agim Gashi Sun Oct 25, 2009 3:07 am

Shuflaj, si e vranë në një pusi fill pas vizitës në Tiranë U1milanvonsufflay1

Nga Dr. Musa Ahmeti/ Dr. Etleva Lala Milosao

Milan von Sufflay lindi më 8 nëntor 1879 në Lepoglavë të Kroacisë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku u diplomua si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Studioi shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit dhe doktoroi në vitin 1901.
Menjëherë pas doktoratës, Sufflay iu vu punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare dalmatinase për “Codex Diplomaticus,” (Diplomatièkom zborniku Kraljevine Hrvatske, Dalmacije i Slavonije 1101-1399). Këtu lindën kontaktet e para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe fare të pahulumtuar që i takonte Shqipërisë.
Në vitin 1902, Sufflay mbrojti me sukses titullin “profesor” në shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit me temën: “Hrvatska i zadnja pregnuæa istoène imperije pod žezlom triju Komnena (1075-1180).” Në vitet 1902/3, u specializua në Vjenë në Österreichisches Institut für Geschichtsforschung për paleografi latine, diplomatikë, kronologji dhe notariat, tek profesorët e mirënjohur O. Redlicha dhe A. Dopscha. Në këtë vit, ai u regjistrua tek prof. K. Jireèek për “Studimet albanologjike në Kolegjin e Vjenës”, studime këto që nuk arriti t`i përfundonte. Në vitin 1904, botoi studimin e habilitacionit me titull: “Die Dalmatinische Privaturkunde. Dr. Milan v. Sufflay. In Kommission bei Carl Gerold’s sohn/ Buchhändler der Kaiserlichen Akademie der Ëissenschaften. Sitzungsberichte der Kaiserlichen Akademie der Ëissenschaften in Ëien. Philosophisch - Historische Klasse. Band CXLVII. (Vorgelegt am 20. Mai 1903), Ëien, 1904.”
Në vitet 1904-1908, dr. Sufflay punoi si asistent në bibliotekën kombëtare Szeczeny të Budapestit. Këtu thelloi njohuritë në fushën e ballkanologjisë dhe sidomos të albanologjisë. Ai arriti të vendosë kontakte të shumta me intelektualë dhe shkencëtarë me famë botërore, kontakte këto që do t’i shfrytëzonte më vonë, gjatë gjithë punës së tij shkencore. Në Budapest, Sufflay arriti që në revista dhe gazeta të ndryshme të botonte një numër të madh punimesh shkencore me vlera të jashtëzakonshme. Në revistën Szazdok, botoi dy punime për mesjetën kroate, ku me argumente shkencore tregoi se dokumentet e Rabit të shek. XI dhe XII për mbretin kroat Zvonimir ishin falsifikat. Kjo gjë më vonë do t’i kushtonte shumë, sepse do të shpallet tradhtar i popullit kroat, dhe studentët e tij do t’i bojkotonin leksionet!
Në vitin 1908, ai u emërua profesor i rregullt për shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Së bashku me Thallóczy-in dhe Jireèek-un ai botoi në vitin 1913 dhe 1918 kryeveprën “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vol. I-II. Në vitin 1918, doli me kërkesën e tij në pension, e pastaj botoi “Die Kirchenzustände im vortürkischen Albanien. Die Orthodoxe Durchbruchszone im Katholischen Damme” në: Vjesnik Kr. hrvatsko-slavonsko-dalmatinskoga zemaljskog arkiva. Urfedjuje dr. Ivan Bojnièiæ pl. Kninski. Zagreb: Tisak Kralj. Zemaljske Tiskare, 1915, viti XVII, f. 1-70, që do të ishte pjesa e tretë e Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar që ta shkruante së bashku me Thallóczy-in dhe Jireèek-un në pesë vëllime.
Po këtë vit, botoi edhe studimin tjetër: “Politische Schicksale des Themas Dyrrhachion, në Vjesnik Kr. hrvatsko-slavonsko-dalmatinskoga zemaljskog arkiva. Urfedjuje dr. Ivan Bojnièiæ pl. Kninski. Zagreb: Tisak Kralj. Zemaljske Tiskare, 1915, viti XVII, f. 273-300.” Në vitin 1920 vazhdoi botimet e tijme romanin, “Konstantin Balšiæ”, me temë nga mesjeta shqiptare. E firmosi me pseudonimin Alba Limi.
Në dhjetor të vitit 1920, Sufflay u burgos. U dënua me tre vjet e gjysmë burg të cilat i kaloi në Mitrovicën e Sremit. Në vitin 1924 botoi në të përditshmen zagrebase “Obzor” romanin fantastiko-shkencor “Na Pacifiku 2255 - metagenetièki roman u èetri knjige”. Po në këtë vit botoi edhe “Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich ëährend des Mittelalters, vorgelegt in der Sitzung am 24. April 1918. Akademische der Ëisenschaften in Ëien. Philosophischen-historische Klasse. Denkschriften, 63. Band, 1. Abhandlung. Ëien – Leipzig: Hölder-Pichler-Tempsky A.-G. Kommisions-Verleger der Akademie der Ëissenschaften in Ëien, 1924,” dhe “Nacionalne maglice. Sredovjeèna plemena Albanije i Crne Gore, në Obzor. Zagreb, 20, 24-25 shkurt dhe 4 prill 1924, viti LXV, nr. 49, f. 4; nr. 53, f. 3; nr. 54, f. 3; nr. 62, f. 2,” si dhe “Sredovjeèni dinaste Albanije i Crne Gore. Državne jezgrice, në Obzor, Zagreb, 16-19 prill 1924, viti. LXV, nr. 105, f. 4; nr. 106, f. 1; nr. 107, f. 4; nr. 108, f. 11.”
Veprimtarinë botuese në fushën e albanologjisë e vazhdoi me botimet: “Povijest sjevernih Arbanasa (Sociološka Studija) në “Arhiv za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju” /Urednik H. Bariæ/ [Séminar de Philologie Albanaise-Seminar za Arbanasku filologiju], Beograd, 1925, libri II (1924), f. 193-242" dhe “Srbi i Arbanasi (Njihova simbizoa u srednjem vijeku), Sa predgovorom prof. Univ. u Beogradu, Beograd, 1925, f. III-IV 1-142,” kurse më 1926 botoi: “Vjerske prilike u Albaniji kroz vjekove, Katolièki Sjever i pravoslavni Jug u muslimanskoj državi në Obzor, Zagreb, 11 qershor 1926, viti. LXVII, nr. 154, f. 2-3.” Në vitin 1928, botoi librin me ese: “Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike”. Po këtë vit, u emërua profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit, por për shkak se nuk i dhanë pasaportë, u detyrua ta refuzojë këtë emërim. Problemet me policinë ishin pjesë përbërëse e jetës së Sufflay-t.
Sipas disa të dhënave më të reja të zbuluara në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, Milan von Sufflay ishte njëri ndër shkencëtarët e rrallë në botë që u përcoll hap pas hapi nga policia, e madje jo vetëm ai, por edhe personat me të cilët kontaktonte, duke përfshirë këtu edhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë. Një mbikqyrje e tillë kishte filluar në fund të vitit 1922, gjë që mund të dëshmohet nga dokumentet arkivore. Fillimisht vëzhgohej vetëm ditën, ndërsa më vonë 24 orë pa ndërprerje. Për çdo të re nga mbikëqyrja i raportohej drejtpërdrejt kryeministrit, Petar Zhivkoviç, e më vonë pasardhësit të tij, Milorad Srshkiçi në Beograd dhe vetë mbretit, në mënyrë që të kishin parasysh veprimtarinë dhe lëvizjet e shkencëtarit të madh.
Në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozoi dr. Sufflay-t që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia,” vëllimet III-V. Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj për të hequr shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme. Milan von Sufflay, u ftua të vizitojë Shqipërinë. Pas shumë peripecish rreth marrjes së pasaportës, ai arriti në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931.
Në mbrëmjen e 18 shkurtit të viti 1931, aty rreth orës 20.00, në rrugën “Dalmatinska” nr. 6 (në Zagreb), Milan von Sufflay goditet për vdekje nga pusia. Plagët ishin të rënda dhe ai vdiq të nesërmen, më 19 shkurt. Kishte vetëm një ditë që ishte kthyer nga Shqipëria, ku kishte qenë për vizitë disaditore. Vrasësit ishin Branko Zëerger, Lubomir Bellosheviqi dhe Stevo Veçerina. Ata deklaruan që kishin marrë urdhër nga Beogradi për të likuiduar Sufflay-n.
Paanshmëria, korrektësia dhe simpatia e madhe ndaj popullit shqiptar, lidhjet e afërta me Shqipërinë, pranimi dhe argumentimi në mënyrë shkencore i tezës së prejardhjes së drejtpërdrejtë të shqiptarëve nga ilirët, si dhe autoktonia e tyre në trojet shqiptare, ishin shkaqe që e shtynë Beogradin drejt një veprimi të tillë.
Menjëherë pas atentatit, policia konfiskoi të gjitha dorëshkrimet që ndodheshin në apartamentin e tij. Një pjesë e mirë e këtyre dorëshkrime, mesa duket janë humbur përgjithmonë, sepse edhe sot e kësaj dite nuk u është gjetur ndonjë gjurmë. Megjithatë, pavarësisht nga ky fakt, M. Sufflay na ka lënë shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb.
Jehona e vrasjes ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” Romë, “Berliner Tagblat”, “Neë York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia” Tiranë, “Vullneti i Popullit” Tiranë, etj. Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skendo, Faik Konica, si dhe “Ligue Internationale des Droits des L’Homme,” “Federation Universitaire Internationale.” Kështu, me vdekjen e Sufflay-t, albanologjia humbi njërin nga mbështetësit kryesorë që kishte në atë kohë, studimet e të cilit edhe sot e kësaj dite janë me vlera të larta dhe pothuajse të pazëvendësueshme.

____________

Shuflaj i shkruan Lumo Skendos: Shqipëria në arkivat e Dubrovnikut, Vatikanit dhe Venedikut...

Tiranë
Fort i nderuar mik
Më gëzoi shumë letra juaj e datës 18 qershor, me anë të së cilës më lajmëroni se Qeveria Shqiptare vendosi të vazhdoi botimin Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia duke siguruar mjete financiare për një projekt të tillë në shumën prej 75.000 frangash ari dhe që kjo punë shkencore m’u besua mua. Mirënjohjen time do t’ia shpreh me shkrim zotit Ministër të arsimit shqiptar, në një letër tjetër.
Në vazhdim po i përgjigjem pyetjes suaj: se si janë planifikuar punët për vazhdimin e hulumtimeve për përgatitjen e veprës “AA” [Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, m.a.], përgjigje të cilën nëse dëshironi mund ta botoni ne gazetën tuaj Diturija (sic!)
1. Nga viti 1918 e deri më sot unë nuk kam punuar asgjë rreth vazhdimit të botimit të veprës Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia [vëllimit të III-të, m.a.] për shkak të vdekjes së dy miqve të mi, dijetarëve Thallóczy-it dhe Jireèek-ut, por edhe për shkak të situatës së përgjithëshme të luftës dhe zhvillimeve të njohura pas saj, pra unë nuk kam asgjë të përgatitur. Megjithatë, unë mund të llogaris si një punë pjesërisht të bërë kopjimin e dokumenteve përmes kopjuesve [scribes, m.a.] në arkivat e: Barcelonës, Milanos e Palermos, për gjysmën e dytë të shekullit të XV. Meqenëse në vitin 1926, i kam huazuar profesorit nga Beogradi, Radoniæ, rreth 200 dokumenta, tërësia e këtij materiali u vu në dyshim, dhe unë duhet ta e bëj atë pjesërisht nga fillimi (për më shumë shih: revista Diturija, 3, 373).
2. Hulumtime dhe kërkime shkencore duhet të bëhen në arkivat e Dubrovnikut, Vatikanit dhe Venedikut. Në Dubrovnik dhe Venedik për periudhën kohore 1344-1571. Në vëllimin e dytë të Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia nuk është botuar asgjë nga arkivi i Vatikanit. Në shtojcën e vëllimit të dytë, /f. 253-260/, janë botuar të përmbledhura vetëm regestat e dokumenteve nga ky arkiv, për vitet 1344-1406, të cilat tani duhet të kopjohen në tërësi dhe të botohen të plota, si shtojcë e vëllimit të tretë. Meqenëse ne kemi vendndodhjen e këtyre dokumenteve ato mund t’i gjejë lehtë secili arkivist i Arkivit të Vatikanit. Unë shpresoj se ju mund të siguroni kopjimin e këtyre dokumenteve.
3. Për hulumtime e kërkime shkencore dhe për vjeljen e materialit arkivor në arkivat e Dubrovnikut, Vatikanit dhe Venedikut për katër vëllimet e tjera që duhet të botohen të Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia nevojitet e pakta 6 muaj për secilin arkiv. Kërkimet dhe hulumtimet në arkivat e Dubrovnikut dhe të Venedikut to t’i bëj unë vetë, ndërsa në arkivin e Vatikanit mund të punojnë kopjues sipas udhëzimeve të bëra nga unë. Në Venedik duhen kopjuar “in extenso” (të plota) më shumë se 100 dokumente dhe ato nga fondet: Senato Misti, Misti Mar, Misti Terra, Secreta Consilii, Libri Domm., Consiglio de X), etj, ndërsa në Vatikan duhen kopjuar rreth 400 dokumente, ndërsa numri më i madh dokumenteve që duhen kopjuar janë nga arkivi i Dubrovnikut më shumë se 700, një pjesë: “in extenso” ndërsa pjesa tjetër “in extracto” (në formë të shkurtuar). Në Venedik mendoj se duhet të paguhet një scribes [kopjues, m.a.] për 6 muaj, sepse qëndrimi im për 6 muaj është i pamjaftueshëm. /Unë mendoj se kërkimet në Venedik duhet të vazhdohen për disa vite nga 6 muaj/. Duke pasur parasysh vëllimin e madh të materialit të arkivit Raguzan, do ishte më mirë, që punën atje ta bënte vetë redaktori [editori, që në këtë rast është Milan Sufflay, m.a.], që të mos kopjohet material i panevojshëm dhe i tepërt arkivor.
4. Sipas llogaritjeve që kam bërë unë, sigurimi i tërë dokumenteve të nevojshme do të kushtonte rreth 30.000 franga ari. Pjesa tjetër prej 35.000 franga ari do të përdorej për përgatitjen dhe shtypjen e katër vëllimeve në vazhdim. Këto katër vëllime mund të arrijnë në rreth 160 tabakë shtypi. Tirazhi i dy vëllimeve të botuara nga Holzhausen-i ishte nga 400 kopje për secilin. Sipas përvojës sime, ky tirazh është shumë i vogël, prandaj mendoj se duhet rritur në 600 kopje secilin nga katër vëllimet e ardhshme. Nëse llogarisim se një kopje nga këto vëllime do të kushtonte 35 franga ari, atëherë shuma e përgjithshme nga të katër vëllimet do të ishte 84.000 franga ari.
5. Burimet arkivore do të përgatiten në atë mënyrë që nuk do të jetë patjetër i domosdoshëm i tërë materiali dokumentar të disponohet nga unë për të filluar punën me botimin e vëllimit të tretë. Vëllimet do të punohet një nga një. Unë mendoj se vëllimin e tretë duhet ta filloj me vitin 1407 (me pushtimin aragonaso-napolitan të Krujës) dhe eventualisht ta përfundoj në vitin 1457 (konfirmimi i privilegjeve të Krujës nga Alfonsi i V-të). Vëllimi i katërt do të përfshijë periudhën kohore deri në vitin 1479, ndërsa në dy vëllimet e tjera do të botohen të gjitha dokumentet nga shekulli XVI, sepse mendoj se nuk ka shumë dokumente për këtë kohë. Megjithatë, ndoshta për vëllim e tretë si vit më i sigurt përfundimi do ishte viti 1451, sepse në këtë vëllim planifikoj të botoj në tërësi Kadastrin e njohur të Shkodrës nga viti 1416, i cili është mjaft i vëllimshëm. (Dorëshkrimin e Kadastrit të Shkodrës, deri tani e ka botuar pjesërisht Ljubiæ, Starine, vëll. XIV; shih edhe Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, vëll. 2, f. 222, nr. 730. Siç e cek Jireçeku në: Das christliche Element, në: “Sitzungsberichte der Kaiserliche Akademie der Ëisenschaften.” Ëien, 1897, vëll. 139, f. 20, ref. 2; shih edhe Sufflay, Glasnik srpskog geografskog drustva, 1927, Mikloshiqi kishte arritur të shtinte në dorë një kopje të plotë të këtij kadastri dhe e kishte bërë gati për shtyp, mirëpo kjo kopje është zhdukur pa gjurmë (ngjashëm është zhdukur edhe kopja e bërë nga Makushevi), dhe ne duhet ta kopjojmë përsëri dorëshkrimin që ruhet në Venedik.
6. Siç e ceka më lart, unë mendoj se ne mund të llogarisim si vit përfundimtar të këtij vëllimi, vitin 1457; përkohësisht, derisa të kemi në dorë tërë materialin e duhur për këtë vëllim. Puna e parë që duhet bërë është përgatitja e të gjitha regestave të dokumenteve shqiptare të botuara ose cituara për vitet 1407-1457, duke shënuar me saktësi origjinën arkivore të origjinalit të këtyre dokumenteve për të katër vëllimet. Këto regesta na ndihmojnë shumë sepse ne nuk do të rikopjonim këto dokumente edhe njëherë nëpër arkiva të ndryshme. Për arkivin e Venedikut, ne na hyjnë në punë në radhë të parë botimet e N. Jorgës, Ljubiqit dhe Makushevit, ndërsa për arkivin e Vatikanit botimet e Farlatit, Eubelit, Theinerit, Pastorit dhe për Dubrovnikun: Gelçiqi, Jorga etj. Disponoj informacione të sakta se Ljubiqi, Jorga dhe Makushevi, nuk kanë arritur të vjelin të gjithë lëndën arkivore nga Venediku për shqiptarët për vitet 1407-1457. Për Vatikanin janë të mjaftueshme të dhënat nga: Farlati, Theineri, Pastori dhe sidomos nga Eubeli. Ndërsa për Dubrovnikun, më të sigurtat janë të dhënat e Jireçekut, të cilat tani ndodhen në Sofje të Bullgarisë dhe të cilat duhet t’i shikoj personalisht dhe të porosis edhe njëherë kopjimin e tyre në Dubrovnik.
7. Për të përfunduar një punë të tillë, ku entuziazmi im nuk mungon, do të ishte mjaft i rëndësishëm momenti që unë të lëviz lirisht dhe të bëj kërkime dhe hulumtime shkencore në arkivat e përmendura, duke përtëritur lidhjet e mia të mëhershme me miq e kolegë të shumtë. Unë kam kërkuar pasaportë në muajin qershor të 1928, kur u emërova profesor për lëndën e “Historisë së Europës Juglindore” në Universitetin e Budapestit, por qeveria e Beogradit nuk më dha pasaportë as për Hungari e as për ndonjë vend tjetër. Ky sanksion nuk është hequr ende, as sot e kësaj dite. Në mbështetje të nderimit që më bëni dhe të punës që më besoni, në radhë të parë Qeveria Shqiptare dhe ju, kam ndërmend që sapo të marr aktin zyrtar nga Shteti Shqiptar, të bëj një kërkesë të re për pasaportë për të pasur mundësi të lëviz lirisht. Derisa të mos rregullohet çështja e pasaportës, jam i detyruar të mos them asgjë konkrete për vazhdimin e botimit të katër vëllimeve të Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia. Mirëpo, deri sa të siguroj pasaportën, unë do të përgatis kryesisht material nga arkivi i Venedikut, të cilin mund ta siguroj përmes kopjuesve. Nga ana tjetër, unë mund të filloj kërkimet edhe në arkivin e Dubrovnikut, por, për momentin kjo gjë është e pamundur. Pro domo: për të shkuar në Dubrovnik, fillimisht duhet të vë kontakt me Sofjen, (shih pikën 6 më lartë), gjë që momentalisht nuk është shumë e rekomanduar. Përveç kësaj, me rastin e një udhëtimi të tillë do të zgjoja dyshimin e policisë se mos po tentoj të largohem nga shteti i SKS pa pasaportë, dhe e fundit, nuk kam mjete financiare të mjaftueshme, dhe për këtë me nevojitet një paradhënie.
Unë kam bërë një parallogaritje e cilat duket kështu: për kërkime arkivore kam menduar shumën prej 50 franga ari, pa shpenzimet e udhëtimit. Këtë shumë të vogël për vete e kam llogaritur duke ditur se duhen paguar edhe kopjuesit, pastaj duhen hequr shpenzimet për përgatitjen e regestave të dokumenteve të botuara si dhe për treguesit lëndor, indeksat, etj, të cilat duhet të vihen në fund të çdo vëllimi, pra, e tërë shuma do të jetë 2.000 franga ari, për vëllim. Të paktën gjysmën e kësaj shume të çdo vëllimi duhet ta marr si paradhënie, kurse pjesën tjetër pas botimit të vëllimit përkatës. Për saktësinë dhe korrektësinë e këtyre përllogaritjeve të mia, kjo gjë do të shihet hapur pasi të botohet vëllimi i tretë i Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia. Nëse më vonë do të fillojë rrugë të re e hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore, atëherë kërkesa do të jetë tjetër, sipas çelësit: numri i ditëve të qëndrimit për kërkime shkencore, shumëzuar me 50 franga ari ditën, duke shtuar edhe shpenzimet e udhëtimit të klasit të parë.

Zagreb, Gunduliqeva 25,
Përshëndetje të sinqerta,
I juaji besnik,
Milan von Sufflay

________________

Milan Shuflaj, Pasioni i albanologut në 980 letra

Nga Dr. Musa Ahmeti Dr. Etleva Lala

Letërkëmbimi i albanologut kroat, Milan von Sufflay është i shpërndarë në shumë arkiva e biblioteka të Evropës. Një pjesë e vogël ruhet në Amerikë e Australi dhe disa letra të tjera të shkruara nga ai në koleksione private të disa personaliteteve të njohura kroate në Zagreb, Osjek e Dubrovnik.
Deri me sot, me sa jemi të informuar ne, nuk është bërë një përpjekje për ta mbledhur, sistemuar e botuar këtë letërkëmbim më vlera të veçanta për albanologjinë në përgjithësi dhe në veçanti për historinë mesjetare shqiptare.
Letërkëmbimi i Milan Sufflay-t që ne njohim deri me sot, është i shkruar në gjermanisht, hungarisht, latinisht, italisht, frëngjisht, greqisht, anglisht, spanjisht, rumanisht, rusisht dhe kroatisht. Ne nuk kemi asnjë informacion që ndonjë letër të jetë shkruar në gjuhën shqipe.
Në këtë letërkëmbim mjaft të vëllimshëm (ne disponojmë më shumë se 980 letra) dominon çështja e studimit të mesjetës shqiptare, por, nuk mungojnë as tema tjera të natyrave të ndryshme, qofshin ato me karakter ekonomik, politik, social dhe deri edhe letra intime.
Duke dëshiruar të japim kontributin tonë në fushën e studimeve mesjetare, ne kemi përzgjedhur një pjesë të këtij letërkëmbimi që ka të bëj kryesisht me studimet albanologjike të Milan Sufflay-t, i cili ruhet në Arkivin Shtetëror të Zagrebit, në Bibliotekën Kombëtare Hungareze “Szechenyi” të Budapestit, në Arkivin e Aragonës në Barcelonë, në Arkivin Historik të Dubrovnikut, në Arkivin e Qytetit të Venedikut dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës, ku na janë të njohura të gjitha letrat që ruhen aty, por, që qëllimisht nuk janë përfshirë në ekspozitën e përgatitur nga autorët në vitin 2002, që u hap në Tiranë me dokumente, dorëshkrime e gjëra të tjera të Milan v. Sufflay-t.
Së bashku me përkthimet nga origjinali, ne sjellim edhe faksimilet e letrave, ku një pjesë e mirë janë autografe, ndërsa pjesa tjetër janë të daktilografuara, por në fund mbajnë firmën e Milan Sufflay-t si dhe pothuajse rregullisht edhe shënime të shkruara me dorë po nga vetë Sufflay në margina apo në mes rreshtash.
Në përgjithësi, letërkëmbimi i Milan von Sufflay-t është ndarë në dy kategori:
a) letra që ai u ka dërguar personaliteteve, institucioneve, zyrave të ndryshme shtetërore (kryesisht shqiptare), arkivave e bibliotekave dhe ndonjë krejt private anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, motrave, etj, pra letrat e shkruara nga ai.
b) letërkëmbimi i të tjerëve për Sufflay-n, që nuk është i pakët dhe aty ndeshim emra të nderuar të shkencëtarëve të fushave të ndryshme (jo vetëm të historisë), të cilët shkruajnë me respekt dhe nderim të veçantë, duke çmuar punën dhe veprimtarinë e tij shkencore.
Letra e parë...
Letra që botojmë kësaj radhe është njëra nga ato që shkruan vetë Sufflay dhe ka për destinacion Tiranën, përkatësisht mikun e tij të çmuar, Lumo Skendon.
Qëllimisht kemi bërë këtë zgjedhje, pra, do botojmë letërkëmbimin e Milan von Sufflay-t duke ndjekur kriterin tematik, për të saktësuar disa nga momentet kyçe, mjaft të diskutuara dhe ende të pandriçuara që kanë të bëjnë me botimin e kolanës burimologjike, edhe sot e kësaj dite e pazëvendësueshme për albanologjinë dhe historinë tonë kombëtare, Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, e cila u botua në “vetëm dy vëllime” në vitet 1913-1918 (u ribotuan nën përkujdesin tonë më 2002), e cila ishte planifikuar të botohet në 6 vëllime, e jo në 4 siç shkruhet nga studiuesit e historianët shqiptarë. Në këtë letër, Sufflay, me pedanterinë e tij të njohur, shkruar hapur dhe pa asnjë kompleks për të gjithë problematikën me të cilën duhet të përballet për vazhdimin e botimit të kolanës burimologjike Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, dhe njëkohësisht shpreh kënaqësinë që “Qeveria Shqiptare vendosi të vazhdojë botimin Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia duke siguruar mjete financiare” dhe njëherazi ndihet shumë i vlerësuar për besimin që tregon Qeveria Shqiptare, me rastin e emërimit të tij si autor i botimit të kësaj vepre burimologjike, si dhe të “Historisë së Shqipërisë” e cila do të ndeshet në letrat vijuese.
Përfundimisht saktësohet, se Sufflay nuk e kishte përgatitur fare vëllimin e tretë të Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, siç pohohet me këmbëngulje edhe sot (është fjala për vitin 1929) e kësaj dite. Nga letra që botojmë, thuhet se “nga viti 1918 e deri më sot nuk kishte punuar asgjë rreth vazhdimit të botimit të veprës AA” dhe se një pjesë të dokumentacionit që ai dispononte nga Arkivi i Aragonës në Barcelonë, ia kishte huazuar akademikut serb Jovan Radoniq, i cili pas vdekjes së Sufflay-t, në vitin 1942, e boton në Beograd.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi